Nga Luan Rama
Kur Gjykata Kushtetuese e Republikës dështon të flasë me një zë të qartë, nuk është thjesht një problem procedurial, por një krizë e thellë e integritetit institucional.
Vendimi “pa vendim” i Gjykatës Kushtetuese në çështjen për të cilën ajo u investua me kërkesën e Kryeministrit Edi Rama dhe që lidhet me zëvendëskryeministren e pezulluar nga detyra Belinda Ballukun, si pasojë e ndarjes 4 me 4 të trupës gjykuese, nuk është një episod teknik dhe as një rastësi proceduriale.
Ai është prova më e qartë e një Gjykate Kushtetuese të kapur, të neutralizuar dhe të reduktuar në një mekanizëm balancash politike.
Një gjykatë që nuk arrin të vendosë në çështje me rëndësi të lartë publike, në fakt, ka marrë një vendim: ka zgjedhur të mos ushtrojë autoritetin e saj kushtetues.
Në çdo demokraci funksionale, Gjykata Kushtetuese nuk ekziston për të reflektuar raportet e forcës mes pushteteve, por, për t’u imponuar atyre.
Në doktrinën kushtetuese europiane dhe në praktikën e gjykatave kushtetuese të konsoliduara, si në Gjermani, Itali apo Spanjë, parimi është i qartë: gjykata duhet të jetë më e fortë se pushteti politik i radhës. Kjo forcë nuk buron vetëm nga kompetencat formale që i jep Kushtetuta, por nga autoriteti intelektual, profesional dhe moral i gjyqtarëve që e përbëjnë atë.
Në Shqipëri është ndjekur logjika e kundërt. Gjykata Kushtetuese nuk është ndërtuar për të qenë autoritet, por për të qenë e kontrollueshme.
Ndarja 4 me 4 në një çështje me ndjeshmëri të lartë politike nuk është shprehje e pluralizmit juridik, por është pasojë e një arkitekture të qëllimshme institucionale, ku askush të mos ketë peshë të mjaftueshme për të thyer ekuilibra të parapërcaktuar.
Zgjedhja e individëve pa profil të konsoliduar akademik, pa kontribute të njohura në të drejtën kushtetuese dhe pa autoritet profesional të provuar, e ka dobësuar në themel trupën gjykuese.
Gjykata është mbushur me emra që nuk imponohen përmes dijes dhe integritetit, por që peshohen përmes llogarive politike. Në këto kushte, pyetja nuk është më se çfarë thotë Kushtetuta, por se me kë është secili gjyqtar.
Fakti që edhe sot Gjykata Kushtetuese e Republikës nuk është ende e plotësuar me numrin e plotë të gjyqtarëve, nuk është një dështim teknik apo administrativ, por një instrument i qartë kontrolli. Një gjykatë e paplotë është një gjykatë e dobët; një gjykatë e dobët është e menaxhueshme.
Kështu, organi më i lartë i mbrojtjes së Kushtetutës është trajtuar si një strukturë që duhet mbajtur në gjendje ekuilibri artificial, jo si një autoritet suprem dhe solemn që duhet të vendosë qartë e pa asnjë mëdyshje në mbrojtje të Kushtetutës.
Komisioni i Venecias (të cilin aq shumë na pëlqen ta thërrasim në ndihmë!) ka theksuar vazhdimisht se pavarësia reale e gjykatave kushtetuese nuk garantohet vetëm nga procedurat formale të emërimit, por nga cilësia, integriteti dhe profili i individëve të zgjedhur. Një gjykatë mund të jetë ligjërisht e pavarur, por materialisht e nënshtruar, nëse përbëhet nga gjyqtarë pa autoritet intelektual dhe pa integritet qytetar.
Përgjegjësia për këtë situatë është politike dhe institucionale.
Kuvendi dhe Presidenti i Republikës, si organe kushtetuese emëruese, nuk mund të fshihen pas formalizmit të procedurës. Ata kanë zgjedhur këtë model Gjykate Kushtetuese. Ata nuk kanë dashur një gjykatë me personalitete të forta, sepse personalitetet e forta nuk kontrollohen. Në vend të tyre, është ndërtuar një trupë që balancon, ndahet dhe, kur duhet, nuk vendos.
Në thelb të këtij dështimi qëndron mungesa e integritetit qytetar të individit dhe mungesa e autoritetit profesional të gjykatësit kushtetues. Një gjyqtar pa integritet qytetar nuk është i pavarur nga pushteti. Një gjyqtar pa autoritet intelektual nuk i imponohet dot pushtetit. Dhe një Gjykatë Kushtetuese e përbërë nga të tillë individë nuk mund të mbrojë Kushtetutën, sado kompetenca t’i njohë ajo në letër.
Ndarja 4 me 4 në çështjen Balluku duhet lexuar si aktakuzë ndaj modelit aktual të ndërtimit të Gjykatës Kushtetuese. Për sa kohë që kjo logjikë e kapjes institucionale mbetet e pandryshuar, Gjykata do të vazhdojë të ekzistojë formalisht, por do të dështojë realisht në funksionin e saj themelor: mbrojtjen e Kushtetutës nga pushteti. Dhe pa këtë mbrojtje, shteti kushtetues mbetet vetëm një fasadë.