Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Kush është “i forti” i Yzberishtit i arrestuar për trafik armësh në Tufinë, i dënuar më parë për vrasje

Një prej tre të arrestuarve në Tufinë, pjesë e një grupi që shiste armë zjarri, është edhe Ilir Zyberi, i njohur edhe si “i forti” i Yzberishtit. Ai rezulton të jetë i dënuar më parë par vrasje, si dhe është vëllai i Xubit të Yzberishtit, i cili humbi jetën në vitin 2021 pasi u aksidentua me motor.

Zyberi u arrestua bashkë me dy të tjerë, Artur Brahimaj dhe Artur Rushiti. 2 prej tyre u kapën në flagrancë, nga shërbimet e Policisë, në Tufinë, në tentativë për të shitur 2 armë zjarri kallashnikov, shkruan A2 CNN.

Gjithashtu policia shpalli në kërkim një tejtër anëtar të dyshuar të grupit, ndërsa sekuestroi 5 armë zjarri dhe municion luftarak, që dyshohet se do të shiteshin në Tufinë dhe në Fresk.

“Si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, gjatë 3 muajve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, është organizuar në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Tiranë dhe është finalizuar operacioni i koduar “Anëtarët”.

Në kuadër të këtij operacioni u vunë në pranga shtetasit: -I. Z., 55 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vrasje;  -A. B., 63 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për prodhim dhe shitje të narkotikëve dhe   për mashtrim; A. R., 46 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për plagosje të rëndë me dashje. Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi E. S., 28 vjeç.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë, në Tufinë, shtetasit A. B dhe I. Z., në tentativë për të shitur 2 armë zjarri kallashnikov”, tha policia.

Nga hetimet dyshohet se këta shtetas ishin pjesëtarë të një grupi që shiste armë zjarri në zona të ndryshme të Tiranës, kryesisht në Tufinë dhe në Fresk. Vijojnë hetimet, në drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në grup.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

21 Janari, Erion Veliaj: Gjaku i të pafajshmëve thërret më fort se kurrë për drejtësi

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj përmes një statusi të publikuar në rrjetet sociale ka kujtuar 21 janarin ku 4 qytetarë humbën jetën.

Ngjarjen e 15 viteve më parë ai e cilëson si “një nga ditët më të errëta” për Tiranën dhe për gjithë Shqipërinë.

“21 Janar. Sot përulem me respekt para kujtimit të 4 qytetarëve që humbën jetën m’u në zemër të Tiranës – 15 vjet më parë – në një nga ditët më të errëta, që përgjaku kryeqytetin tonë, shtëpinë e të gjithë shqiptarëve.

Plaga e dhimbjes së familjeve mbetet ende e hapur. Gjaku i të pafajshmëve thërret më fort se kurrë për drejtësi. 

Nuk ju harroj!”, shkruan Veliaj.  

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Erion Veliaj (@erionveliaj)

 

 

Goditet grupi i trafikut të armëve në kryeqytet/ Ja zonat ku bëhej shpërndarja, tre të arrestuar

Pas tre muajsh hetime me metoda proaktive, Policia ka njoftuar finalizimin e operacionit të koduar “Anëtarët”, duke vënë në pranga tre persona. 

Nga hetimet dyshohet se këta tre persona ishin pjesëtarë të një grupi që shiste armë zjarri në zona të ndryshme të Tiranës, kryesisht në Tufinë dhe në Fresk.   

Gjatë operacionit u sekuestruan 5 armë zjarri dhe municion luftarak, që dyshohet se do të shiteshin në dy zonat e përmendura të Tiranës. 

Të tre personat e arrestuar rezultojnë me precendent penal. Madje dy prej tyre “u kapën në flagrancë, nga shërbimet e Policisë, në Tufinë, në tentativë për të shitur 2 armë zjarri kallashnikov”. 

Të arrestuarit: 

-I. Z., 55 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vrasje;  

-A. B., 63 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për prodhim dhe shitje të narkotikëve dhe   për mashtrim;

-A.R., 46 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për plagosje të rëndë me dashje.

Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi E. S., 28 vjeç. 

Kryeministri i Kanadasë paralajmëron: Ky nuk është një tranizcion, është çarje e rendit botëror

Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, nuk e përmendi me emër Shtetet e Bashkuara apo presidentin Donald Trump në fjalimin e tij të martën në Forumin Ekonomik Botëror, por mesazhi ishte i qartë për kë e konsideronte përgjegjës për atë që e quajti një “çarje” të rendit botëror.

“Sot do të flas për thyerjen e rendit botëror, fundin e një iluzioni të këndshëm dhe fillimin e një realiteti brutal, ku gjeopolitika e fuqive të mëdha nuk i nënshtrohet më asnjë kufizimi”, tha Carney gjatë fjalimit të mbajtur në Davos të Zvicrës, ku foli në anglisht dhe frëngjisht.

“Çdo ditë na kujtohet se jetojmë në një epokë rivaliteti mes fuqive të mëdha. Se rendi i bazuar në rregulla po zbehet. Se të fortët bëjnë çfarë munden dhe të dobëtit vuajnë çfarë duhet”, u shpreh ai, duke shtuar: Le të jem i drejtpërdrejtë: jemi në mes të një çarje, jo të një tranzicioni.

Carney u prit me duartrokitje në këmbë. Fjalimi i tij erdhi pak pasi presidenti Trump publikoi në rrjetet sociale një imazh të gjeneruar nga inteligjenca artificiale, ku paraqitej një hartë me flamuj amerikanë të mbivendosur mbi Kanadanë dhe Shtetet e Bashkuara.

Ish-drejtues investimesh dhe ish-guvernator i bankave qendrore të Kanadasë dhe Britanisë së Madhe, Carney ishte në një mjedis të njohur në Davos. Zyra e tij vlerëson se ai ka marrë pjesë rreth 30 herë në këtë forum global.

Ai mbërriti në një konferencë të tronditur nga përçarja gjithnjë e më e thellë mes Evropës dhe Shteteve të Bashkuara, e shkaktuar nga përpjekjet e Trumpit për ta kthyer Groenlandën, territor nën administrimin e Danimarkës, në pjesë të territorit amerikan.

Qëndrimi armiqësor i Trumpit ndaj aleatëve evropianë për çështjen e Groenlandës, përfshirë kërcënimet me tarifa, ka shtuar shqetësimin në Kanada se ai mund të veprojë sipas dëshirës së tij për ta aneksuar vendin si shtetin e 51-të të SHBA-ve.

Groenlanda, ashtu si Shtetet e Bashkuara, është fqinje e Kanadasë. Kanadaja dhe Danimarka janë anëtare të NATO-s dhe prej vitesh marrin pjesë në stërvitje të përbashkëta ushtarake në Groenlandë.

Ndërsa Carney dhe ministrat e kabinetit të tij e kanë dënuar vazhdimisht planin e Trumpit, Kanadaja nuk i është bashkuar vendeve evropiane në dërgimin e trupave në ishull si shenjë mbështetjeje.

Në fjalimin e tij, Carney theksoi se angazhimi i Kanadasë ndaj nenit të NATO-s që e konsideron sulmin ndaj një vendi anëtar si sulm ndaj të gjithëve është “i palëkundur”. Megjithatë, ai vuri në dukje se ky nen nuk ishte hartuar duke marrë parasysh mundësinë që një vend anëtar të sulmonte një tjetër, si dhe se nuk është e qartë nëse të gjithë anëtarët e NATO-s do të reagonin ushtarakisht në një rast të tillë.

Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara kanë një komandë të përbashkët për mbrojtjen ajrore të Amerikës së Veriut. Këtë javë, avionë nga të dy vendet ndodhen në një bazë ajrore amerikane në Groenlandë në kuadër të një stërvitjeje rutinë, e cila, sipas komandës së përbashkët ajrore, është miratuar nga Danimarka.

Në përfundim, Carney u bëri thirrje vendeve me fuqi të mesme, si Kanadaja, të bashkëpunojnë për të balancuar ndikimin e Shteteve të Bashkuara, Kinës dhe Rusisë.

“Fuqitë e mesme duhet të veprojnë së bashku, sepse nëse nuk je në tryezë, je në menu”, tha ai. “Fuqitë e mëdha tani mund të përballojnë të veprojnë të vetme.”

VIDEO/ Jared Kushner dhe Ivanka Trump, pas takimit në Vlorë vizitojnë zonën e Akernisë

Pas takimit të zhvilluar në një nga hotelet e qytetit të Vlorës, dhëndri dhe vajza e presidentit të SHBA-së, Jared Kushner dhe Ivanka Trump, janë ndalur në zonën e hidrovorit në Akerni.

Një territor i njohur për potencialin e tij të lartë në zhvillimin e turizmit elitar dhe investimeve strategjike.

Të shoqëruar nga arkitektë të njohur dhe nën masa të rrepta sigurie, me praninë e forcave të shumta të policisë, Trump dhe Kushner kanë inspektuar nga afër vijën bregdetare dhe hapësirat përreth hidrovorit në Akerni.

Vizita është përqendruar në vlerësimin e terrenit, infrastrukturës ekzistuese dhe mundësive që kjo zonë ofron për projekte të ardhshme zhvillimore.

Zona e Akernisë, e konsideruar prej kohësh si një nga pikat me potencial të madh për investime të rëndësishme turistike, ofron kushte natyrore të favorshme dhe një pozicion strategjik, çka e bën atë tërheqëse për projekte afatgjata në fushën e turizmit dhe zhvillimit ekonomik.

Vizita e tyre ka ngjallur interes dhe vëmendje të madhe, duke përforcuar idenë se kjo zonë mund të shndërrohet në një pikë kyçe për investime të ardhshme.

21 janari, një turp kombëtar

Nga Skënder Minxhozi/

 

Pesëmbedhjetë vjet më parë ndodhte një ndër ato ngjarje që ndajnë dy botë. Botën normale të jetës së përditshme, sfidave e ëndrrave gjithfarësh, botën ku ajo që ndodh harrohet shpejt sepse nuk vlen të mbahet gjatë ndërmend, nga bota tjetër, ajo që i ngjan një tuneli makthi, ku garancitë dhe ligji bien dhe ku shteti vret banorët e tij, votuesit e tij, shtetasit e tij. Jetofshi kohëra interesante thotë një mallkim i vjetër aziatik. Pikërisht një “ngjarje interesante”, ajo e 21 janarit 2011 na ka bërë të jetojmë që nga ai moment në një qerthull ku gënjeshtra dhe hipokrizia, lojrat politike dhe lotët fals, vazhdojnë të hedhin hije mbi një vrasje kolektive në zemër të Shqipërisë, në muret e godinës që drejton vendin.

Pre 15 vitesh jetojmë një turp kombëtar. Turpin më të parë e kanë konsumuar ata për të cilët u protestua dhe u derdh gjak atë ditë fatale – socialistët. Fituan pushtetin në vitin 2013 duke premtuar transparencë dhe drejtësi për gjakun e 21 janarit dhe kanë një dekadë e gjysëm që derdhin tufa karafilash nëpër trotuare sa herë vjen kjo datë, a thua se janë një shoqatë për mbrojtjen e biomasës së Antarktidës e jo një maxhorancë me pushtet, vullnet politik dhe fuqi ekzekutive.

Përtej episodit moralisht të shëmtuar që rekrutuan në parti e qeverisje persona të lidhur me aparatin ushtarak e policor që vrau atë ditë, socialistët shqiptarë kanë luajtur me familjet e të vrarëve, elektoratin e tyre dhe mbarë opinionin publik një teatër të shëmtuar empatie burokratike një herë në vit. Lule e fjalime të ndjera dhe më pas në datën 22 janar e tutje vetëm heshtje dhe justifikimi klasik “krijuam drejtësinë e re se me të vjetrën nuk e hetonim dot 21 janarin”.

Dhe këtu vijmë tek turpi i dytë i lidhur me të parin. Ky është turpi i atyre që paguhen për të gjetur një krim. Kudo qoftë, madje edhe në një shtëpi plazhi 300 kilometra larg Tiranës. E pra drejtësia e re që aq shumë u evokua nga e majta në pushtet si platforma e duhur për të analizuar e zbardhur krimin shtetëror të 21 janarit, ka rezultuar të jetë një vesh i shurdhër më i keq se ai i politikës.

Nuk ka sjellje më hipokrite dhe cinikisht shpërfillëse sesa qëndrimi SPAK ndaj 21 janarit në gjashtë vitet e fundit. Kur familjarët e të vrarëve tentuan të depozitojnë prova të reja që hedhin dritë mbi atë datë fatale, prokuroria e posaçme bëri gjënë më të paimagjinueshme: e dërgoi çeshtjen tek drejtësia që e kishte mbajtur të ngrirë me vite atë dosje. SPAK, i krijuar pikërisht për të zgjidhur lëmshe të ngatërruara penale si ai i 21 janarit shpërfilli me këtë rast edhe vendimin e Gjykatës Evropiane i cili hedh dyshime të forta mbi mënyrën sesi është trajtuar e gjykuar kjo vrasje shtetërore.

U desh ndërhyrja me vendim të shkruar e Gjykatës së Lartë që SPAK të pranonte nisjen  e hetimeve ndërkohë që dosjen ja la në dorë (sa cinike edhe kjo!) të njëjtin person i cili para Gjykatës së Lartë mbrojti zyrtarisht tezën që SPAK nuk duhet ta hetojë 21 janarin!

Dështimi për të zbardhur 21 janarin e bën me turp drejtësinë e re, e cila ka gjashtë vite që funksionon në kapacitet të plotë. Fakti që kjo drejtësi sillet sot me të njëjtat standarte si ajo e vjetra ndaj kësaj ngjarjeje tragjike vetëm sa e bën pis këmishën e bardhë të drejtësisë speciale, por nuk e lëviz 21 janarin nga podiumi qëndror i vëmendjes publike që ka në 15 vite.

Vrasja e 21 janarit, kur shteti qëlloi nga dritaret e zyrave të tij mbi protestuesit e paarmatosur dhe krejtësisht të parrezikshëm për integritetin e institucioneve, shënon një ngjarje që mbetet qëndrore në zhvillimet shqiptare. Fakti që kjo vrasje vijon të jetë një ndër temat më të nxehta të debatit politik e publik edhe pas një dekade e gjysëm, është garancia se nuk do të ketë politikan, prokuror apo gjykatës që do të munden ta relativizojnë e mpakin drejtësinë fundore për 21 janarin. Kjo datë është aty për të qëndruar gjatë si këmbana e alarmit jo vetëm për shtetin që vret, por tashmë edhe për drejtësinë që nuk bëzan.

Turpi i tretë, ai më i madhi, do të duhej të ishte për atë palë që atë ditë vrau. Vrau dhe fshiu kamerat por s’mundi të fshijë edhe gjakun e derdhur në bulevard. Ende sot pas 15 vitesh, PD nuk ka gjetur forcat të bëjë një verifikim të koshiencës së saj, të pozicionit të saj zyrtar në lidhje me 21 janarin, që të kryejë një akt simbolik faljeje ndaj atyre që qeveria e saj vrau dhe që të gjejë fuqi të brendshme për të bërë mea culpan më njerëzore në botë: atë ndaj marrjes së jetës. Çka është në fakt hapi i parë nga i cili do të duhej të niste shërimi i traumës së 21 janarit. Ditës kur shteti vrau dhe u turr të fshehë krimin.

 

Dosja e 21 janarit, del nga SPAK Mark Nika: Të shpejtohen hetimet, prokurori më tha se…

Xhaxhai i Aleks Nikës, i cili u vra me 21 janar të 2011, Mark Nika ishte sot në SPAK ku u taku me prokurorin e çështjes Alfred Shehun. 

“Për të mësuar hetimet e hetimeve, sepse jemi palë në hetime. Ai më shpjegoi se hetimet po ecin, kanë përparim. Së kur do të përfundojnë, kjo është një çështje e tyre. Nuk u futa në hollësi, Ne kërkojmë me insistim që çështja të avancojë. Drejtësinë e kemi kërkuar nga drejtësia, jo nga e vjetra, por tani nga SPAK. Drejtësinë e duam vetëm nga SPAK.”, tha ai ai. 

Bora vështirëson qarkullimin në Dibër, segmente problematike në Rrugën e Arbrit

Rikthimi i reshjeve të borës mëngjesin e kësaj të mërkure, ka shkaktuar probleme me qarkullimin në disa akse rrugore në vend, duke përfshirë edhe Dibrën. 

Emergjencat Civile kanë bërë me dije se aktualisht aksi Peshkopi – Tiranë (Rruga e Arbrit) është e kalueshme, mirëpo ka probleme në një segment që fillon nga pishat e Bulqizës deri tek tuneli T7 në Qafën e Buallit. Kjo për shkak të erës që grumbullon dëborën në trupin e rrugës. 

Ndërkohë, aksi Peshkopi – Kukës si dhe aksi Ura e Çerenecit-Librazhd, raportohet se janë të kalueshëm me zinxhirë. 

Trashësia e borës varion nga 5 cm në qytet deri në 15 cm në zonat mbi 800 m mbi nivelin e detit. Nuk janë raportuar probleme nga zonat e thella. 

Sjellim ndërmend se më herët mëngjesin e sotëm, Policia e Shtetit publikoi një apel publik për të gjithë drejtuesit e automjeteve që të tregohen më të kujdesshëm se zakonisht. Në njoftimin e Policisë theksohet se ka nisur puna për kriposjen e rrugëve. 

1 vit nga rikthimi i Trump, ambasada e SHBA: Aleatët na respektojnë, kundërshtarët na frikësohen

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka përkujtuar të mërkurën, më 21 janar, njëvjetorin e marrjes së Presidencës së SHBA-ve nga Donald Trump.

Në një reagim në faqen zyrtare, ambasada citon Sekretarin Amerikan të Shtetit, Marco Rubio, duke përgëzuar punën e presidentit dhe duke theksuar realizimin e premtimeve të bëra gjatë fushatës:

“Në vetëm një vit, Presidenti Trump ka rikthyer sovranitetin amerikan duke ndjekur me guxim paqen përmes forcës. Falë udhëheqjes së tij vendimtare, aleatët tanë na respektojnë, kundërshtarët tanë na frikësohen, dhe populli amerikan vihet në radhë të parë. Premtime të bëra, premtime të mbajtura”, citon ambasada amerikane reagimin e sekretarit Rubio.

Reagimi i ambasadës nënvizon fokusin e administratës Trump mbi sigurinë kombëtare, përforcimin e marrëdhënieve me aleatët dhe pozicionin e SHBA-ve në arenën ndërkombëtare.

Pas thashethemeve për ndarje, JD Vance dhe bashkëshortja e tij ndajnë lajmin: Presim fëmijën tonë të katërt!

Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, JD Vance, ka ndarë një lajm të gëzueshëm me publikun. Bashkëshortja e tij, Usha, është shtatzënë me fëmijën e tyre të katërt.

“Jemi të lumtur të ndajmë me ju lajmin se Usha është shtatzënë. Ajo dhe i vogli janë mirë, dhe mezi presim ta takojmë në korrik.”, shkruan Vance në rrjetet sociale, duke falënderuar mjekët ushtarakë dhe stafin që kujdesen për familjen e tyre.

“Gjatë kësaj periudhe emocionuese dhe të ngarkuar, jemi veçanërisht mirënjohës ndaj mjekëve ushtarakë që kujdesen në mënyrë të shkëlqyer për familjen tonë dhe ndaj stafit që angazhohet kaq shumë për të siguruar që ne të mund t’i shërbejmë vendit duke shijuar një jetë të mrekullueshme me fëmijët tanë.”, vazhdon më tej mesazhi i zëvendëspresidentit amerikan.

Çifti ka tashmë tre fëmijë: Ewan (2017), Vivek (2020) dhe Mirabel (2022). Usha Vance, e cila mbushi 39 vjeç më 6 janar, është “second lady” (Zonja e dytë) më e re në historinë amerikane. Ajo është rritur në San Diego, me origjinë nga Andhra Pradesh (Indi), dhe u martua me Vance në vitin 2014 pas njohjes në Universitetin e Yale.

Ky njoftim vjen pas thashethemeve për një krizë bashkëshortore, të cilat nisën vjeshtën e kaluar kur Usha u pa pa unazë martese në disa dalje publike. Madje u përfol edhe për një lidhje të supozuar mes zv.presidentit dhe Erika Kirk, e veja e aktivistit Charlie Kirk.

Në një intervistë për USA Today, Usha i ka mohuar këto zëra, duke sqaruar se unazën thjesht nuk e mban gjithmonë: “Ndonjëherë sapo kam bërë dush ose kam qenë në palestër. Më argëton fakti që njerëzit flasin, por unë preferoj ta jetoj martesën time në botën reale.”

“I paguajmë më shumë se Presidenti”, Rama për 21 Janarin: SPAK duhet t’i kishte kërkuar GJKKO-së drejtësi!

15 vite pa drejtësi janë 15 vite të një padrejtësie të madhe. Kështu u shpreh kryeministri Rama në takimin me familjarët e viktimave të 21 janarit, ku shprehu kritika edhe për drejtësinë e re, për të cilën tha se SPAK duhej t’i kishte kërkuar GJKKO drejtësinë për 4 vrasjet shtetërorë të 21 janarit.

“Zoti e di me çfarë guri në zemër unë vi për në këtë godinë kur del drita e ditës së 21 janarit. Është një gur që bëhet gjithnjë e më i madh dhe që me tregon përmes një sëkëlldie, se sa më i madh bëhet çdo 21 janar, zhgënjimi juaj të dashur familjarë, hidhërimi juaj, pengu juaj për mosardhjen e drejtësisë. 15 vjet pa drejtësi janë 15 vite të një padrejtësie të madhe, jo thjesht për disa, por mbi Shqipërinë dhe popullin shqiptar.

Për ju familjarët e dëshmorëve të 21 janarit, 15 vitet e këtij boshllëku janë sa një jetë e jetuar në ankth dhe poshtërim. Atyre ndër ju që ishin gjyshër u ka ardhur koha për tu bërë stërgjyshër, atyre që ishin fëmijë u ka ardhur koha për tu bërë prindër, ndërsa atyre 4 pjesëve të shpirtit tuaj që u janë tretur trupat në dhe nuk u ka ardhur koha të prehen të qetë. As përmbysja e sistemit të vjetër të drejtësisë dhe as rënia e kultit të pandëshkueshmërisë, nuk kanë mjaftuar gjer më sot për ta zhdukur hijen e padrejtësisë mbi 21 janarin.

S’ka mjaftuar as vendimi i Strasburgut më shumë se sa dy vite më parë që prokurorët e SPAK t’ia kishin kërkuar gjykatës speciale drejtësinë për 4 vrasjet shtetërorë të 21 janarit, ndërkohë që në emër të drejtësisë, drejtësisë së barabartë për të gjithë, prej plot 6 vitesh në u bëmë atyre veç duvara dhe u paguajmë rroga ku e ku më të larta se sa vetes dhe presidentit, pa llogaritur justifikimin në durim dhe në heshtje nga na jonë të gabimeve të tyre tejet shqetësuese të një institucioni të ri dhe jetik për shtetin e së drejtës. Drejtësia për 21 janarin të vihet në vend”, tha Rama.

Trump fton Osmanin në Bordin e Paqes, Rama: Forcon më tej marrëdhënien e Amerikës me popullin shqiptar

Kryeministri Edi Rama uroi Presidentin e Kosovës, Vjosa Osmani, për ftesën e marrë nga Donald Trump, për të qenë pjesë e Bordit të Paqes.

“Urime zonja Presidente, e dashur Vjosa, për marrjen e ftesës për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes, një gjest tejet domethënës i Presidentit Trump ndaj Kosovës, që forcon më tej marrëdhënien e Amerikës mike me popullin shqiptar, por që edhe jep një sinjal domethënës për sigurinë e përkatësinë e Kosovës në hapësirën e interesit të gjerë amerikan në botë”, tha Rama në një mesazh në X, përcjell A2.

“Edhe njëherë urime dhe dua të besoj se faktorët politikë të Kosovës, do ta çmojnë këtë dorë të shtrirë nga Presidenti i SHBA, si një gjest që nuk është aspak pa lidhje edhe me respektin për ty personalisht e për rolin tënd ndërkombëtarisht”.

Rasti i Irena Gjokës, përtej shkumës në emër të moralit popullor

Nga Ylli Manjani

I. Në planin ligjor.
1. Nuk lexohet një nen/paragraf i vetëm që të na plotësojë dëshirën, por duhen lexuar në harmoni disa ligje së bashku. Duhet lexuar Kushtetuta; ligji për statusin e magjistratëve; ligji për dekriminalizimin; Kodi Penal; ligji për pushtetin gjyqësor. Të paktën këto ligje duhen lexuar në harmoni që të kemi një kuptueshmëri dhe arsyetim të drejtë mbi rastin.
2. Siç njofton Prokuroria e Përgjithshme, rezulton i vërtetë fakti se zonja Gjoka ka një vendim dënimi në Greqi. Është dënuar me 2 muaj burg dhe 1500 euro gjobë.
3. Po sipas Prokurorisë së Përgjithshme, në formularin e dekriminalizimit të dorëzuar në fund të vitit 2016, zonja Gjoka nuk e ka deklaruar këtë dënim. Por për shkak se konstatimi është bërë pas afatit të parashkrimit, nuk referohet dot më për ndjekje penale.
4. Pra duke mos patur mundësi për ndjekje penale, Prokiroria e ka referuar rastin në KLGj për të parë mundësinë e masave disiplinore ndaj gjyqtares, për çështje të etikës.
5. Ligjërisht, gjykatësit shkarkohen automatikisht kur dënohen me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.
6. Gjyqtarja Irena Gjoka nuk është dënuar nga asnjë Gjykatë e Republikës së Shqipërisë. Të paktën nuk ka asnjë fakt për këtë gjë.
7. Që dënimi i gjykatës Greke të bëhet i zbatueshëm në Shqipëri, duhet të bëhej në kuadër të ligjit të dekriminalizimit. Problemi është që ai ligj nuk zbatohet në këtë rast sepse:
a. Vepra penale e fallsifikimit nuk gjendet në listën e neneve të kodit penal që parashikon ai ligj në nenin 2 të tij.
b. Dënimi i dhënë nga gjykata Greke është më pak se 6 muaj burg, kriter tjetër ky që ligji të veprojë.
8. Pra ligji i PD, për dekriminalizimin ka vendosur vetë të mos i konsiderojë dënimet e lehta. Ndaj nuk vepron në këtë rast.
9. Në këto kushte, mbi bazën e këtyre fakteve që janë të njohura, gjyqtarja nuk quhet e dënuar penalisht që të justifikohet masa e shkarkimit nga detyra.
10. KLGJ i kërkohet të eksplorojë mundësinë e dënimit disiplinor për shkaqe të tjera. Sigurisht ajo do të duhet të bëjë një hetim administrativ dhe të pyese edhe vetë gjyqtaren dhe të nxjerrë konkluzionet përkatëse.
Deri atëhere, nuk ke se ç’ti shtosh më kësaj çështje. Por shkarkimi i gjyqtares nuk është absolut tashmë. Ka edhe masa të tjera disiplinore…

II. Sa i takon moralit.
1. Në një shoqëri me shtet, morali më i lartë është ai që shkruhet në ligje. Pra në ligje dhe jo tek qytetari digjital,apo në studio televizive.
2. Morali tej gjuhës së ligjit dhe llogjikës së fakteve është subjektiv dhe individual. Pra i pamjaftueshëm për të justifikuar vendime dënimi për askënd.
3. Kolektivisht jemi shoqëri që halli na ka bërë të jemi në kërkim për letra të shteteve të BE. Nuk kemi pse bëjmë sikur dhe të gjykojmë tjetrin, kur vetë s’lemë gjë pa bërë për ti siguruar ato letra. Gjyqtarët tanë janë pjesë e këtë saj shoqërie…
4. Gjykatësit prodhojnë vendime gjyqsore të cilat pa asnjë dyshim i nënshtrohen kritikës publike.
5. Personalisht kam qenë e jam kritik me vendimet e gjyqtares Gjoka në rastin Beleri dhe në masat që mori kundër Berishës, dhëndrrit të Tij dhe të tjerëve. Të dyja ato vendime janë joproporcionale dhe që duhet të ishin shmangur.
6. Për rastin Beleri kam qenë ndoshta i vetmi në hapësirën publike që e kam kritikuar atë ndjekje penale. Megjithëse kisha të gjithë opinionin patridiot kundër. Patridiotët gjenin te Irena Gjoka heroinën e Shqipërisë, ndërsa mua më quanin “grek muti”.

Tani sot po u them unë:
Përse e gjykoni heroinën tuaj?!
Mbrojeni sepse ajo nuk ka kryer asnjë krim në Shqipëri, përkundrazi u plotësoi dëshirën për të dënuar atë “grekun”.
Mos më bëni mua tani tua kthej atë shprehjen që më vutë atëherë, se do bëhej një nevojtore e madhe ky vend….
Ndaj edhe morali përtej ligjit ka disa standarte. Ai nuk bëhet rast pas rasti e sipas qejfit të ditës.

 

“Para 21 Janarit, çështjet e tjera si kafet e Nexhmies”, Rama sulmon Berishën e Bashën: S’kishte rrezik për VIP-in e ngujuar dhe karafilin ambulant

Kryeministri Edi Rama tha se protestuesit e 21 janarit 2011 nuk paraqisnin asnjë rrezik për Kryeministrin e kohës, Sali Berisha dhe nuk kishin si qëllim të merrnin godinën.

“Gjithçka u zhvillua jashtë rrezes së çdo rreziku të imagjinueshëm për këtë godinë dhe lëre pastaj për VIP-in e vetëngujuar brenda saj me hordhinë e vet dhe me gjithë karafilin e tij ambulant lart në tarracë”, tha Rama në fjalën e tij në ceremoninë përkujtimore për 15-vjetorin e ngjarjes.

Ai i bëri thirrje SPAK-ut të përfundojë hetimet për këtë çështje, të cilën e quajti të pakrahasueshme me çdo çështje tjetër.

“Nëse drejtësia e re nuk bën drejtësi për këtë çështje, do të mbetet e vjetër”, tha Rama, duke kujtuar sërish se prokurorët dhe gjykatësit specialë paguhen më shumë se ai dhe se Presidenti Begaj.

“Gjurmët mund të kenë humbur, por ujku është aty”, tha Rama. “Në krahasim me 21 Janarin, çështjet e tjera janë si kafet e Nexhmies”.

Padia e Lapajt, dënohet me 3 milionë lekë gjobë Agron Shehaj

Gjykata e Posaçme ka dënuar me gjobë në vlerën 3 milionë lekë deputetin dhe kreun e partisë “Mundësia” Agron Shehaj.

Ky i fundit u dënua për veprën penale të fyerjes ndaj kreut të “Shqipëria Bëhet” Adriatik Lapaj.

Sakaq Shehaj është shpallur i pafajshëm për veprën penale të “shpifjes”, të pretenduar nga Lapaj.

Shehaj e akuzoi Lapajn se kishte marrë 45 milionë lekë nga kompania “Merkaj 3 shpk”, e sekuestruar nga SPAK pasi përdorej për të pastruar paratë e grupit kriminal të “Çopjave”.

Ai mohoi akuzat duke thënë se paratë nuk i kishte marrë dhe ishin thjesht detyrime ndaj shërbimeve si avokat ndaj kompanisë në fjalë.

FOTOLAJM / Dhëndri i Donald Trump mbërrin në Vlorë, takim me një studio arkitekturore për Sazanin

Dhëndri i Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, Jared Kushner, ka mbërritur sot në qytetin e Vlorës.

Vizita e tij është zhvilluar nën masa të rrepta sigurie dhe i shoqëruar nga një delegacion, ndërsa lëvizjet e tij janë monitoruar nga automjete policie.

Kushner është parë duke lëvizur në zonën e Ujit të Ftohtë, ku pritet të zhvillojë një takim të rëndësishëm për të diskutuar mbi mundësinë e një investimi në ishullin strategjik të Sazanit.

Pamjet e mbërritjes së tij janë siguruar nga RTSH, ku Kushner shfaqet i shoqëruar nga disa automjete policie.

Gazetarja e RTSH, Afrovita Hysaj, raporton se takimi i Kushner nuk do zhvillojë takim me përfaqësues të pushtetit vendor apo qendror, por me një studio arkitekturore.

Sipas saj, diskutimet do të fokusohen në mënyrën e realizimit të projektit dhe detajet e investimit të mundshëm në ishullin strategjik të Sazanit.

Takimi po zhvillohet në zonën e Molit të Naftës, në Ujë të Ftohtë, ku delegacioni i Kushner po shqyrton mundësitë konkrete të projektit, nvestimit në ishullin e Sazanit.

Rama: Ndjehem i dobët në pozitë kur shoh që kaloi edhe një vit që mban peng 21 Janarin

Në ceremoninë përkujtimore në 15 vjetorin e 21 Janarit, kryeministri Edi Rama u shpreh se ndjehet i dobët në pozitën e tij kur sheh sesi kaloi edhe një vit pa drejtësi për 21 Janarin.

“Nuk i kuptoj ata që ngrenë gishtin ndaj meje për pandëshkueshmërinë që mban peng 21 janarin. Po ju them që ndjehem i dobët në pozitë kur shoh që si kaloi edhe një vit dhe 21 janari erdhi sërish”, tha Rama.

Më tej, ai theksoi se shumë të paraburgosur dhunohen nga drejtësia, ndërsa 21 janari është drejtësi e vonuar.

“Sot burgjet mbajnë më shumë të paraburgosur, njerëz të plasur nëpër qeli pa gjyq sesa njerëz të dënuar me formë të prerë dhe një pjesë e madhe e tyre janë viktima nga prokurorë. Një panoramë e trishtë e një drejtësie të dhunuar. 21 janari është ana tjetër e drejtësisë së vonuar”, tha Rama.

15 vite nga 21 Janari, Rama sulmon Berishën: Deshi t’u tregonte shqiptarëve se të vret me të vërtetë

Kryeministri Edi Rama kujtoi në një ceremoni të posaçme 21 janarin e vitit 2011, ku katër persona mbetën të vrarë në Bulevard gjatë një proteste para Kryeministrisë.

“Për asnjë çast protestuesit nuk tentuan të kapërcejnë gardhin e godinës së Kryeministrisë. Përveç një veture te një derë që u hap nga brenda, si një ftesë në një kurth , askush nga protestuesit nuk bëri asnjë përçapje për të shkelur perimetrin e ashtuquajtur të sigurisë dhe për t’u futur në godinë. Askush nuk provoi praninë e asnjë arme të vetme te protestuesit. Kur protestuesit po largoheshin, tytat e pushkëve u ulën mbi turmën, duke marrë 4 jetë, pasojë fatale e mendjes kriminale, e cila me gjasë nuk deshi ta humbte rastin për t’u treguar kundërshtarëve politikë dhe krejt shqiptarëve se të vret me të vërtetë. Dreqi e di çfarë u tha mendja atyre që e urdhëruan dhe atyre që e ekzekutuan atë krim shtetëror”, tha Rama, përcjell A2.

“Vetëm zoti e di se me çfarë guri në zemër vij për në këtë godinë kur del drita e ditës së 21 janarit. 15 vjet pa drejtësi për 21 Janarin janë 15 vitet e një padrejtësie të madhe jo thjesht për disa, por mbi Shqipërinë dhe popullin shqiptar. Nuk ka mjaftuar as vendimi rrëqethës i Gjykatës së Strasburgut, që prokurorët specialë të kësaj republike t’ia kishin kërkuar Gjykatës Speciale përgjegjësit për 21 Janarin. Ndërkohë që ne prej plot 6 vitesh u paguajmë rroga ku e ku më të larta se sa vetes dhe Presidentit të Republikës, pa llogaritur heshtjen për gabimet e tyre ndonjëherë shqetësuese”.

Homazhet për 21 Janarin, Rama: As drejtësia e re nuk ka mjaftuar për ta zhdukur hijen e padrejtësisë

Këtë të mërkurë, në Kryeministri po zhvillohen homazhe me rastin e 15-vjetorit të ngjarjes së rëndë të 21 Janarit 2011, ku në protestën e thirrur nga Partia Socialiste humbën jetën katër persona.

Kreu i qeverisë, Edi Rama u shpreh se reagimi i protestuesve 15 vjet më parë erdhi pas përpjekjes së policisë për ta shpërndarë tubimin ende pa u mbledhur. Më tej ai shtoi se në përfundim të protestës armët u ulën në drejtim të qytetarëve duke marrë katër jetë të pafajshme dhe duke plagosur disa protestues të tjerë.

“Pasojë fatale e mendjes kriminale e cila me gjasë nuk deshi ta humbte rastin pa u treguar kundërshtarëve politikë dhe shqiptarëve se të vriste me të vërtetë”, tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se ndjen një gur në zemër sa herë që vjen 21 janari dhe nuk ka drejtësi për familjarët e katër viktimave.

“Vetëm Zoti e di se me çfarë guri në zemër unë vij për në këtë godinë kur del drita e ditës së 21 janarit. Është një gur që bëhet gjithnjë e më i madh dhe që më tregon përmes një sekëlldie të madhe se sa më i madh bëhet në çdo 21 janar zhgënjimi juaj të dashur familjarë të katër dëshmorëve, hidhërimi juaj, pengu juaj, për mosardhjen e drejtësisë. 15 vjet pa drejtësi për 21 janarin, janë 15 vjetët e një padrejtësie të madhe jo thjesht për disa, por mbi Shqipërinë dhe mbi popullin shqiptar. Ndërsa për ju familjarët e dëshmorëve të 21 janarit, 15 vjetët e këtij boshllëku janë sa një jetë e tërë e jetuar në ankth, dhe poshtërim. Atyre që ndër ju ishin gjyshër, u ka ardhur koha për tu bërë stërgjyshër. Atyre që ishit fëmijë u ka ardhur koha për t’u bërë prindër. Ndërsa atyre katër copave të shpirtit tuaj nuk u ka ardhur koha ende të prehen qetë, sepse as përmbysja e sistemit të vjetër të drejtësisë, as pavarësimi i pushtetit gjyqësor dhe as rënia e kultit të pandëshkueshmërisë së individëve të veshur me pushtet politik nuk kanë mjaftuar për ta zhdukur hijen e padrejtësisë për 21 janarin”, tha Rama.

Kreu i qeverisë shtoi se pas vendimit të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut dy vite më parë, prokurorët e posaçme duhet ta kishin kërkuar deri tani drejtësinë.

“Nuk ka mjaftuar as vendimi nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut më shumë se dy vjet më parë që prokurorët speciale të kësaj republike t’ia kishin kërkuar deri tani gjykatës speciale drejtësinë për katër vrasjet shtetërore të 21 janarit ndërkohë që në emër të drejtësisë dhe vetëm drejtësisë, të drejtësisë së barabartë për të gjithë dhe të barazisë së secilit para ligjit prej plot gjashtë vjetësh ne u bëjmë atyre veç duvara dhe hosanara dhe u paguajmë rroga ku e ku më të larta sesa vetes dhe vetë presidentit të Republikës, pa llogaritur justifikim me durim dhe heshtje nga ana jonë, të gabimeve të tyre ndonjëherë tejet shqetësuese si gabime të rritjes së një institucioni të ri dhe jetik për shtetin e së drejtës”tha Rama.

106 vjet nga Kongresi i Lushnjës, Begaj: Dëshmoi pjekurinë politike të shqiptarëve për t’u ngritur mbi ndasitë

Në 106-vjetorin e Kongresit të Lushnjës, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka kujtuar këtë ngjarje duke e konsideruar si një moment vendimtar për ekzistencën dhe pavarësinë e shtetit shqiptar.

Begaj thotë se Kongresi i Lushnjës dëshmoi pjekurinë politike të shqiptarëve për të kapërcyer ndasitë dhe përçarjet, për të marrë në dorë fatet e vendit.

“106 vjet më parë, në një moment kritik për ekzistencën dhe pavarësinë e shtetit të ri shqiptar, një grup përfaqësuesish nga të gjitha trevat dhe besimet fetare u mblodhën në Lushnje në mbrojtje të sovranitetit dhe tërësisë territoriale të kërcënuar të vendit.

Kongresi i Lushnjes dëshmoi pjekurinë politike të shqiptarëve për t’u ngritur mbi ndasitë dhe përçarjen, për të marrë në dorë fatin e vet, duke ringritur institucionet demokratike të shtetit, të sfiduar nga anarkia dhe luftërat, duke i dhënë Shqipërisë formën e një shteti modern dhe sovran.”, shkruan presidenti Begaj në një postim në rrjetet sociale.

Më tej, presidenti shpreh nderime dhe respekt për atdhetarët dhe burrështetasit shqiptarë, që morën pjesë në Kongresin e Lushnjes dhe “që certifikuan lindjen e shtetit modern shqiptar!

❌