Nga Albatros Rexhaj
Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, për disa vite me radhë u krijua bindja se gjithçka ishte zgjidhur. Lufta kishte mbaruar. NATO kishte ndërhyrë. Shtetet e Bashkuara dhe shumica e vendeve evropiane e kishin njohur Kosovën. Dukej sikur Kosova ishte tashmë pjesë e botës perëndimore dhe koha do të zgjidhte pjesën tjetër.
Ky ishte një keqkuptim e mënyrës se si funksionon politika e jashtme amerikane.
Në Uashington, asgjë nuk vazhdon vetë. Çdo interes duhet shpjeguar vazhdimisht. Çdo aleancë duhet mbajtur gjallë. Kur vëmendja shkon diku tjetër, gjë që ndodh gjithmonë, vendet që nuk flasin për veten e humbasin rëndësinë e tyre. Ato shihen ndryshe.
Nga fillimi i viteve 2020, Kosova nisi ta ndiente këtë ndryshim. Nuk ndodhi menjëherë. Në fillim nuk pati ndërprerje të forta apo vendime të papritura. Por dalëngadalë u vu re një ndryshim. Kishte më pak mbështetje të fortë. Kishte më shumë gjuhë burokratike. Flitej më shumë për stabilitet dhe më pak për parime. Kosova nuk shihej më si një sukses, por si një problem për t’u menaxhuar.
Serbia, nga ana tjetër, nuk qëndroi pasive pas vitit 2008. Ajo punoi vazhdimisht për të pasur ndikim në Uashington dhe Bruksel. U paraqit si e arsyeshme dhe e domosdoshme, ndërsa veten e shfaqi si palë të dëmtuar nga problemet e së kaluarës. Nuk kishte shumë rëndësi nëse këto argumente bindnin apo jo. E rëndësishme ishte që ata ishin gjithmonë të pranishmëm. Dhe kjo mbushi hapësirën që Kosova kishte lënë bosh.
Kjo u bë edhe më e dukshme kur Kosova bëri gabimet e saj.
Kriza në veriun e Kosovës pas vitit 2023 nuk u krijua nga lobimi serb. Ajo ishte reale. Disa prej atyre krizave mund të ishin shmangur. Të tjera ishin probleme të thella. Por kur njëra palë është e organizuar dhe tjetra reagon vetëm herë pas here, qëndrimet zyrtare formohen shpejt dhe ndryshojnë me vështirësi.
Në vitin 2023, Bashkimi Evropian vendosi masa ndaj Kosovës. Në vitin 2025, Shtetet e Bashkuara pezulluan një dialog të rëndësishëm strategjik. Këto nuk ishin veprime simbolike. Ato tregonin pakënaqësi të qartë nga kryeqytetet perëndimore jo vetëm për vendime të veçanta, por për mungesë qartësie në politika.
Në këtë kontekst duhet parë edhe aktivizimi i ri i diasporës shqiptaro-amerikane.
Organizatat e diasporës që nisën të lobojnë më fort në Kongres nuk e bënë këtë sepse ndiheshin të sigurta. E bënë sepse u shqetësuan. Mesazhi ishte i thjeshtë: Kosova nuk mund të bazohej më te mbështetja e vjetër. Nëse donte të mbetej e rëndësishme, duhej të shpjegonte sërish pozicionin e saj.
Ky proces ka nisur. Kongresi ka rifilluar diskutimet. Janë miratuar rezoluta që riafirmojnë partneritetin. Në ligje janë përfshirë qëndrime më të qarta për sovranitetin dhe stabilitetin rajonal. Kjo nuk garanton rezultate. Por e rikthen Kosovën në vëmendje.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se besimi është rikthyer plotësisht.
Kur Uashingtoni i shkruan qëndrimet në ligj, kjo nuk është shenjë afrimi. Është shenjë kujdesi. Kjo tregon se ka shqetësime. Kur politikbërësit i druhen një devijimi, qoftë ky gjeopolitik, institucional apo moral, ata i hedhin qëndrimet e tyre në letër. Vendet që gëzojnë besim të plotë nuk kanë nevojë për riafirmime të shpeshta.
Kjo nuk është e pazakontë. Vendet e mëdha kështu i zgjidhin pasiguritë. Por kjo duhet të nxitë reflektim si nga ana e Prishtinës. ashtu edhe nga Tirana. Vendet e besueshme nuk kanë nevojë për riafirmimim të vazhdueshëm Për këtë kanë nevojë vendet që nuk gëzojnë besim.
Problemi kryesor nuk është nëse ka lobim apo jo. Problemi është mungesa e bashkërendimit.
Përpjekjet shqiptare për lobim në Shtetet e Bashkuara janë të shpërndara. Ka energji dhe përkushtim, por pak koordinim. Grupet e diasporës veprojnë më vete, pa bashkërenduar përpiektjet e tyre me shtetin. Qeveritë shpesh reagojnë me vonesë ose vetëm kur ka presion. Kjo sjell paqartësi.
Lobimi nuk mund të zëvendësojë qeverisjen. Ai mund të ndihmojë, por nuk mund të rregullojë mungesën e politikave të qarta.
Lobimi nuk duhet as idealizuar. Në Uashington, ai është një punë e përditshme, teknike dhe e lodhshme. Varet nga stafet, jo nga senatorët, nga dokumentet më shumë sesa nga fjalimet. Nga këmbëngulja më shumë se nga indinjimi.
Çështja kryesore për Kosovën nuk është nëse është kthyer në vëmendjen e Uashingtonit. Ajo është kthyer. Çështja është nëse mund të qëndrojë aty pa pasur gjithmonë krizë.
Kjo kërkon disiplinë brenda vendit, politika të parashikueshme dhe një diplomaci që i trajton aleatët si partnerë, jo thjesht si dëgjues.
Rikthimi i lobimit shqiptar nuk është arsye për festë. As për cinzëm. Është një korrigjim i nevojshëm. Por nuk mjafton. Ajo që do të bëjë ndryshimin është serioziteti i shtetit dhe mënyra se si ai vepron, jo energjia që shfaq diaspora.