Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Sekuestrohen fishekzjarre dhe kapsolla në Sarandë, nis hetimi për dy pronarë

Uniformat blu në Sarandë, kanë sekuestruar ditën e sotme, 28 dhjetor 2025, 982 fishekzjarre dhe 250 kuti me kapsolla nga dy biznese.

Pronarët e dy subjekteve tregtare, janë marrë nën hetim për tregtimin e kundërligjshëm të lëndëve piroteknike.

Sarandë/Vijojnë kontrollet në kuadër të planit të masave për ndalimin e tregtimit të kundërligjshëm të lëndëve piroteknike.

Sekuestrohen 982 fishekzjarre dhe 250 kuti me kapsolla. Procedohen penalisht dy pronarët e subjekteve tregtare.

Në vijim të zbatimit të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e tregtimit të kundërligjshëm të lëndëve piroteknike, në prag të festave të fundvitit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë kanë vijuar kontrollet në subjekte tregtare. Si rezultat i këtyre kontrolleve, gjatë kontrollit të ushtruar në dy subjekte tregtare në qytetin e Sarandës, u konstatuan 982 fishekzjarre dhe 250 kuti me kapsolla, të cilat mbaheshin për tregtim në kundërshtim me ligjin. Lëndët piroteknike u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, ndërsa materialet procedurale u referuan në Prokurori dhe nisi procedimi penal në ngarkim të shtetasve L. M., 26 vjeç dhe M. H., 55 vjeç, banues në Sarandë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme“, njofton policia.

Deri në orën 11:00 pjesëmarrja në zgjedhjet në Kosovë 7 %, ja komuna me numrin më të lartë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë njoftoi se pjesëmarrja në zgjedhje deri në orën 11:00 ishte pak mbi 7%.

Komuna me pjesëmarrjen më të lartë është Ranillugu, ku kanë votuar mbi 16% e qytetarëve, ndërsa më e ulëta regjistrohet në Leposaviç – vetëm 0.08%.

Në kryeqytetin Prishtinë, deri më tani, votuan pak më shumë se 10% e qytetarëve.

Kujtojmë që numërimi i votave për partitë politike do të nisë menjëherë pas mbylljes së vendvotimeve, dhe rezultatet e para pritet të publikohen para orës 20:00, ndërkaq numërimi i votave për kandidatët për deputetë do të bëhet në qendrat komunale të numërimit dhe do të nisë të hënën.

Zgjedhjet e parakohshme, Haradinaj apel qytetarëve: Shfrytëzoni të drejtën e votës për të vendosur për Kosovën

Nën shoqërimin e nënës së tij, Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj votoi në shkollën fillore “Heronjtë e Dukagjinit”, në Gllogjan.

Pasi votoi Haradinaj i bëri thirrje qytetarëve të Kosovës ta shfrytëzojnë të drejtën e votës, të vendosin për Kosovën në vitet në vijim, që t’i dalin krah Kosovës.

“I bëj thirrje qytetarëve të Kosovës, të gjithëve ta shfrytëzojnë të drejtën e votës, të votojnë, të vendosin për Kosovën dhe vitet që vijnë, ky është vendimi i tyre që mund ta marrin, t’i dalin krah Kosovës të gjithë”, tha Haradinaj.

Zgjedhjet në Kosovë, 100 prokurorë në terren për mbrojtjen e votës

Në Kosovë po zhvillohen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ndërsa autoritetet kanë angazhuar rreth 100 prokurorë për të monitoruar procesin dhe për të parandaluar çdo tentativë që cenon votën e lirë.

Sipas mediave në Kosovë, prokurorët janë të shpërndarë në të gjithë territorin dhe po bashkëpunojnë me policinë, ndërsa qytetarët janë ftuar të denoncojnë çdo shkelje të dyshuar.

Gruaja më e bukur e shekullit XX! Shuhet ikona franceze e kinemasë Brigitte Bardot

Aktorja dhe këngëtarja franceze Brigitte Bardot, një nga figurat më emblematike të kinemasë europiane, e cilësuar si gruaja më e bukur e shekullit XX, ka ndërruar jetë në moshën 91-vjeçare.

Lajmi për vdekjen e saj u konfirmua nga fondacioni që ajo vetë kishte krijuar, duke mbyllur kështu kapitullin e fundit të një jete të jetuar me intensitet ekstrem, mes adhurimit, polemikave dhe vetmisë së zgjedhur. Ajo u shndërrua në simbolin ndërkombëtar të sensualitetit gjatë viteve 1950 dhe 1960, përpara se të largohej nga industria e filmit dhe t’i përkushtohej aktivizmit për mbrojtjen e kafshëve, si dhe angazhimeve politike duke shkaktuar shumë polemika.

Brigitte Anne-Marie Bardot, ose thjesht B.B., ishte një nga ato figura që nuk kishin nevojë për mbiemër. Mjaftonin dy iniciale për të përmbledhur një mit si ajo: bukuri, liri, provokim dhe rebelizëm. “Kam qenë shumë e lumtur, shumë e bukur, shumë e pasur, por edhe shumë e famshme dhe shumë e palumtur”, pat thënë dikur ajo, një fjali që përmbledh më së miri jetën e saj publike, të përjetuar me shpejtësi marramendëse që nga adoleshenca deri në prag të të dyzetave.

E lindur në Paris në vitin 1934, Bardot u rrit në një familje të pasur dhe tradicionale. Nëna e saj, e rreptë dhe ambicioze, e shtyu drejt baletit, disiplinë në të cilën Brigitte shkëlqeu që herët, duke fituar të drejtën për të studiuar në Conservatoire de Paris. Në të njëjtën kohë, nisi karrierën si modele dhe, në moshën 15-vjeçare, u shfaq në kopertinën e revistës Elle – një fotografi që do t’i hapte dyert e kinemasë.

Takimi me regjisorin Roger Vadim do të ishte vendimtar, si në art ashtu edhe në jetë. Ata u martuan në vitin 1952 dhe bashkëpunimi i tyre kulmoi me filmin And God Created Ëoman (1956), vepra që e shndërroi Bardot në ikonë botërore. Roli i saj si një vajzë e lirë, e çliruar seksualisht, në Saint-Tropez, tronditi normat morale të kohës dhe e vendosi atë në qendër të debatit kulturor ndërkombëtar.

Në vitet ’50 dhe ’60, Bardot ishte fytyra e një feminiteti të ri. Ajo nuk luante thjesht role – ajo përmbyste modele. Punoi me regjisorë të mëdhenj si Louis Malle, Jean-Luc Godard dhe Henri-Georges Clouzot, duke lënë gjurmë në filma si The TruthVery Private Affair dhe Contempt. Frymëzoi shkrimtarë, filozofë dhe artistë; Simone de Beauvoir e përshkroi si “gruan më të çliruar të Francës”, ndërsa në vitin 1969 Bardot u zgjodh modeli i parë real për Marianne, simbolin e Republikës Franceze.

Por fama pati edhe anën e errët. Jeta private e Bardot u shndërrua në objekt ndjekjeje obsesive nga paparacët. Marrëdhëniet sentimentale, martesat dhe mëmësia u shoqëruan me dhimbje të thella dhe kriza personale. Ajo e përjetoi famën si një burg dhe, në vitin 1974, pak para se të mbushte 40 vjeç, vendosi të largohej përgjithmonë nga kinemaja.

Që nga ai moment, Brigitte Bardot zgjodhi një tjetër rrugë. U tërhoq në shtëpinë e saj në La Madrague, pranë Saint-Tropez, dhe ia kushtoi jetën mbrojtjes së kafshëve. ThemeloI Fondacionin Brigitte Bardot, duke shitur edhe bizhuteritë e saj për të financuar kauzën. Protestoi kundër gjuetisë së fokave, vrasjes së kafshëve dhe praktikave që ajo i konsideronte çnjerëzore.

Megjithatë, vitet e fundit të jetës e kthyen Bardot në figurë gjithnjë e më polemike. Qëndrimet e saj politike, kritikat ndaj emigracionit dhe mbështetja për të djathtën ekstreme franceze i sollën dënime për nxitje të urrejtjes dhe e ndanë opinionin publik. Ajo mbeti besnike vetes, pa kërkuar kompromis, edhe kur kjo e largoi nga admirimi i dikurshëm.

Brigitte Bardot u martua katër herë, pati dashuri të bujshme dhe një karrierë muzikore paralele, përfshirë bashkëpunimin legjendar me Serge Gainsbourg. Por mbi të gjitha, ajo mbetet simbol i një epoke kur kinemaja guxoi të sfidojë moralin dhe një grua guxoi të jetojë pa kërkuar leje.

“Sot B.B. ka vdekur. Ajo ishte vetëm një imazh. Tani jam një tjetër person”, pat thënë ajo në prag të 80-vjetorit. Ndoshta pjesën e fundit të jetës e jetoi ashtu siç donte: larg dritave të famës, mes kafshëve, në vetmi në Saint-Tropez e saj të dashur.

Kandidati i LDK për kryeministër, Lumir Abdixhiku: Le të fitojë populli i Kosovës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, që është edhe kandidat për kryeministër ka thënë se është ditë e mirë pasi sipas tij vendimmarrja i kthehet qytetarit.

“Qytetarët e Kosovës të zgjedhin për zhvillim, për stabilitet, për të ardhme euroatlantike të Kosovës dhe të largohen nga zymtësia, bllokada e përçarja që na ka shoqëruar këto vite”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se shpreson që procesi të shkojë mirë dhe në fund të fitojë populli i Kosovës.

“Le të fitojë populli i Kosovës, siç di të fitojë në ditën e zgjedhjeve”, tha ai.

Kandidati i PDK-së për kryeministër voton në Mitrovicë të Jugut: Qytetarët të shprehim vullnetin e tyre

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), njëherësh kandidat për kryeministër, Bedri Hamza, i ka ftuar të gjithë qytetarët që të votojnë, siç ka thënë ai, sipas bindjeve dhe vullnetit të tyre.

“I ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës që të votojnë sipas vullnetit të tyre dhe besoj që do të jetë një ditë e mirë”, tha Hamza.

“Pres që të jetë një rezultat i mirë dhe deri më tani është duke shkuar gjithçka mirë”.

Hamza u pyet nëse ka dëgjuar për ndonjë parregullsi, duke u përgjigjur: “Jo, deri më tani nuk kam dëgjuar për ndonjë incident dhe shpresoj që të shkojë mirë”.

Voton Kurti: Uroj që legjislatura e 10’të ta konsituojë sa më shpejt kuvendin e ardhshëm dhe ta formojë qeverinë e re

Kandidati i VV’së për kryeministër, Albin Kurti, ka votuar pak më parë. Ai ka qenë i shoqëruar nga gruaja e tij, Rita.

Pastaj Kurti u deklarua për media tha se “sot është një ditë e bukur dhe e rëndësishme|.

Ai i ftoi qytetarët që të dalin të votojnë.

“Uroj e besoj e punojmë që legjislatura e 10 ta konsituojë sa më shpejt kuvendin e ardhshëm dhe ta formojë qeverinë e re”, tha Kurti.

“Shpresoj që pjesëmarrja do të jetë masive”, shtoi ai.

Rama: I kemi hapur rrugën drejtësisë për të pastruar me fshesën e ligjit oborrin e pushtetit

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj kritikave politike dhe mediatike, duke deklaruar se, sipas tij, “Shqipëria e llumit dhe histerisë mediatike” nuk mund të pengojë progresin e vendit drejt Bashkimit Europian dhe reformat e ndërmarra nga qeveria.

Në podkastin e tij “Flasim”, Rama u ndal veçanërisht te Reforma në Drejtësi, duke theksuar se qeveria e tij ka garantuar pavarësinë e drejtësisë nga politika dhe ka hapur rrugën për hetimin dhe ndëshkimin e korrupsionit, përfshirë edhe brenda radhëve të pushtetit.

“Shqipëria e 700 tenxhereve politike mediatike dhe histerike, nuk e mund dhe nuk e përul dot as në moralin e luftës kundër korrupsionit, Shqipërinë e Reformës në Drejtësi, Shqipërinë e Pavarësimit të Drejtësisë nga Pushteti Politik, Shqipërinë e qeverisur nga forca e pasionit dhe vullnetit shtetndërtues, ku për herë të parë në histori, një parti në pushtet i hap rrugen drejtësisë për të pastruar me fshesën e ligjit edhe oborrin deri dje të ndaluar të pushtetit politik, përfshirë edhe pjesën e saj në atë oborr”,  tha Rama.

Kryeministri u shpreh se qeveria do të vijojë të mbështesë organet e drejtësisë dhe të mbetet, sipas tij, garantja kryesore e Reformës në Drejtësi dhe e shtetit ligjor.

Rama nënvizoi se Shqipëria nuk do të nënshtrohet ndaj përpjekjeve për destabilizim, ndërsa riafirmoi angazhimin e tij dhe të qeverisë për ta çuar vendin drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian

Edi Rama: Shqipëria e 700 tenxhereve politike mediatike, ku zien me histeri i gjithë llumi i gjysmë të vërtetave që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha, ku linçohen njerëz e familje pa asnjë gajle, për lloj-lloj arsyesh të mosarsyes, nga gjobat e portalexhinjve tek ligësitë e poterexhinjve dhe mllefet e pallavraxhinjve, nuk e mund dhe as nuk e zmbraps dot kurrësesi Shqipërinë e të gjithë kapitujve të hapur të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian; Shqipërinë Turistike me aeroportin kryesor të rajonit, që për të disatin vit edhe këtë vit, ka lënë mbrapa aeroportin historikisht kryesor në Ballkan, atë të Beogradit; Shqipërinë e transformimit digjital dhe të rritjes së qëndrueshme ekonomike, ku paga mesatare ka arritur tanimë në 830 euro; Shqipërinë e transformimit epokal të infrastrukturës, ku kantiere të reja hapen çdo vit, qoftë për arteriet e mëdha të vendit e qoftë për ato të voglat; Shqipërinë e sovranitetit energjetik, e cila brenda këtij mandati të katërt do të jetë ekportuese neto e energjise dhe s’do të paguajë më asnjë qindarkë për të blerë energji jashtë vendit; Shqipërinë e rilindjes së industrisë ushtarake, e cila do të mikpresë Samitin e Natos në 2027 dhe do ta mbrojë atë ditë qiellin me dronet e prodhuar në vendin tonë.

Shqipëria e 700 tenxhereve politike mediatike dhe histerike, nuk e mund dhe nuk e përul dot as në moralin e luftës kundër korrupsionit, Shqipërinë e Reformës në Drejtësi, Shqipërinë e Pavarësimit të Drejtësisë nga Pushteti Politik, Shqipërinë e qeverisur nga forca e pasionit dhe vullnetit shtetndërtues, ku për herë të parë në histori, një parti në pushtet i hap rrugen drejtësisë për të pastruar me fshesën e ligjit edhe oborrin deri dje të ndaluar të pushtetit politik, përfshirë edhe pjesën e saj në atë oborr.

Aferat e AKSHI-t, Rama: Karçanaj në masë sigurie me një akuzë të hatashme, presim drejtësinë dhe jo çorbën e politikes

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me hetimet e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) për Agjencinë Kombëtarë të Shërbimeve të Informacionit.

Kreu i qeverisë ka marrë në mbrojtje drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj e cila ndodhet me masë sigurie “arrest në shtëpi”. Në podkastin e tij “Flasim” Rama tha se akuzat për Karçanajn janë të hatashme, ndërsa theksoi se duhet pritur drejtësia për të vërtetën e saj dhe jo siç tha ai “tenxheret politike dhe mediatike”.

“AKSHI përballet në një hetimin nga SPAK. Mirlinda Karçnaja gjendet në një masë sigurie në një akuzë të hatashme, për të cilën duhet pritur me durim nga drejtësia dhe nuk mund të pritet nga 700 tenxheret e çorbës politike e mediatike që të dalë deri në fund e vërteta  e saj”, tha Rama.

Sipas kryeministrit, Karçanaj ka qenë ‘gruaja që ka udhëhequr jetësimin e vizionit tonë qeverisës, për transformimin historik digjital te qeverisjes se Shqipërisë, me dije, vullnet e përkushtim të përditshëm për 12 vjet me radhë’.

Rama: E di që sot AKSHI përballet me një hetim nga SPAKU për përdorimin e fondeve dhe Linda Karçanaj, gruaja që ka udhëhequr jetësimin e vizionit tonë qeverisës, për transformimin historik digjital te qeverisjes se Shqiperise, me dije, vullnet e përkushtim të përditshëm për 12 vjet me radhë, gjendet nën nje mase sigurie me një akuze te hatashme, per te cilen duhet pritur me durim vetem nga drejtesia, e s’mund të pritet asgjë nga 700 tenxheret e çorbës politike mediatike, që të dalë dalja deri në fund e vërteta e saj ciladoqoftë ajo.

Por unë di po ashtu, që falë saj dhe skuadrës së AKSHI-it, ku punojnë pa orar plot vajza e djem të talentuar të botës së re të teknologjisë, Shqipëria ka bërë një kapërcim të madh, krahasuar me vitin 2022 kur ka dalë raporti paraardhës i Bankës Botërore për qeverisjen digjitale. 

Këtë herë, jo vetëm vijojmë të renditemi në Grupin A – i quajtur grupi me Maturitet të Lartë, ku kemi 0.939 pikë nga 1 që është maksimumi, por falë një rritjeje të ndjeshme, krahasuar me raportin paraardhës, ku kishim 0.752, këtë vit kemi kaluar nga vendi i 68-të në vendin e 14-të, mes gjithë atyre vendeve, duke lënë pas pikërisht falë punës e vullnetit për ta vënë teknologjinë e re në shërbim të publikut dhe të zhvillimit të Shqipërisë, vende me emër të madh, si Danimarka, Singapori apo Mbretëria e Bashkuar, e me radhë. 

Ky është një raport objektiv dhe profesional, i cili vlerëson katër fusha kryesore, që mbulojnë sistemet bazë qeveritare, shërbimet publike online, angazhimin digjital të qytetarëve dhe faktorët mundësues institucionale e ligjorë, dhe pa diskutim nuk justifikon absolutisht asnjë shkelje të ligjit që pretendohet se ka ndodhur në aktivitetin e AKSH-it, gjë që mund të na e thotë vetëm procesi gjyqesor, por nga ana tjetër e gjithë zhurma histerike e 700 tenxhereve të çorbës politike mediatike, nuk e zhbën dot rezultatin fantastik të Shqipërisë, në këtë fushë të veprimtarisë së AKSHI-t, që mund ta verifikoni lehtësisht përmes linkut të raportit. 

Shpërthen vullkani Etna në Siçili, pamjet mbresëlënëse

Skiatorë regjistruan momentin mbresëlënës kur vullkani Etna shpërtheu në Siçili më 27 dhjetor, duke hedhur hi dhe tym në atmosferë.

Shkencëtarët e Institutit Kombëtar të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë (Istituto Nazionale di Geofisica e Vulcanologia) lëshuan një paralajmërim të kuq për avionët, niveli më i lartë i rrezikut, megjithatë autoritetet deklaruan se fluturimet do të vazhdojnë normalisht në një aeroport aty pranë, përveç rasteve kur rritet rënia e hirit.

Etna, vullkani më i madh dhe më i lartë në Evropë, është një nga më aktivët në botë, ndaj shpërthimet ndodhin disa herë gjatë vitit.

 

 

Lista Serbe nis votimin kolektiv në Mitrovicën e Veriut

Pjesëtarë të Listës Serbe, partisë më të madhe serbe në Kosovë, kanë dalë për të votuar në mënyrë kolektive nga qendra e Mitrovicës së Veriut, në krye me kryetarin e partisë, Zllatan Ellek.

Votimi kolektiv është bërë një praktikë e zakonshme sa herë që Lista Serbe merr pjesë në zgjedhje.

Në garë për dhjetë vendet e rezervuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës, përveç Listës Serbe, janë regjistruar edhe Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiçit dhe Lidhja Kosovare e Goran Marinkoviçit.

Një stuhi dëbore anulon 9 000 fluturime dhe detyron shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme

Një stuhi dëbore ka shkaktuar ndërprerje të trafikut në një nga fundjavat më të ngarkuara të vitit në Nju Jork dhe në verilindje të Shteteve të Bashkuara.

”Sky News” raportoi në faqen e saj të internetit se është shpallur gjendje e jashtëzakonshme në Nju Jork dhe Nju Xhersej.

”Moti i keq ka shkaktuar tashmë ndërprerje të konsiderueshme për ata që udhëtojnë për festat e Krishtlindjeve, me të paktën 9 000 fluturime të anuluara ose të vonuara që nga mbrëmja e së premtes”, sipas shërbimit të ndjekjes së fluturimeve ”FlightAware”.

Aeroportet ”John F. Kennedy International”, ”Newark Liberty International” dhe ”LaGuardia” kanë postuar në mediet sociale alarme për dëborë duke paralajmëruar se moti mund të shkaktojë ndërprerje të mëtejshme të fluturimeve.

Zelensky përcakton vijat e kuqe të Ukrainës përpara takimit me Trump

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se do ta bëjë të qartë gjatë bisedimeve të sotme me presidentin e SHBA-së, Donald Trump se Kievi nuk do të pranojë kapitullimin ose një paqe të diktuar me Moskën.

“Sigurisht, sot ka vija të kuqe për Ukrainën dhe popullin ukrainas”, tha Zelensky në një deklaratë të postuar në mediat sociale përpara takimit në Florida.

Ai ka refuzuar vazhdimisht kërkesat e Moskës – të ngritura gjithashtu nga Trump – që Ukraina të lëshojë pjesë të rajonit të Donetskut, që aktualisht nuk janë nën kontrollin rus.

Por Zelensky vuri në dukje se Kievi ka paraqitur “propozime kompromisi” për çështjet territoriale të pazgjidhura.

Zelensky tha se planifikon të diskutojë me Trump një kornizë prej 20 pikash për një plan të mundshëm paqeje që ai e paraqiti më parë këtë javë.

“Gjëja më e rëndësishme janë garancitë e sigurisë në rast të një armëpushimi”, shtoi ai.

Ai theksoi se sulmet ajrore të përditshme të Rusisë tregojnë se ajo nuk ka interes për paqe dhe tha se do t’i bëjë presion Trumpit për sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore.

”Mbrojtja ajrore e Ukrainës ka nevojë për më shumë raketa për t’iu kundërvënë sulmeve të vazhdueshme ruse”, tha ai.

Zelensky tha se negociatat paralele ishin duke u zhvilluar me partnerët evropianë mbi garancitë e sigurisë.

Ai përshëndeti vendimin e Bashkimit Evropian për të ofruar mbështetje të mëtejshme financiare për Ukrainën në formën e kredive multimiliardë euro, por tha se boshllëqet financiare mbetën.

“Sinqerisht, ka një mungesë të vazhdueshme fondesh, veçanërisht për prodhimin e armëve dhe, më e rëndësishmja, dronëve”, shkroi ai dje në mbrëmje.

Rusia nuk po merr pjesë në bisedimet në Palm Beach, Florida dhe Zelensky pranoi se asnjë paqe nuk është e mundur pa një marrëveshje me Moskën.

Ai tha se gjithashtu synon të diskutojë investimet për rindërtimin e Ukrainës pas luftës me Trumpin.

”Kjo përpjekje do të kërkonte krijimin e fondeve të dedikuara dhe financim total deri në 800 miliardë dollarë”, tha ai.

Zgjedhjet ne Kosovë, kreu i KQZ: Po votohet në 2614 qendra

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi pasi ka hedhur votën e tij sot në Pejë për zgjedhjet nacional u ka bërë apel qytetarëve që të shfrytëzojnë të drejtën e votës dhe t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre.

Valmir Elezi ka mbajtur konferencë për media për të treguar rreth asaj se si ka nisur procesi i votimit në Zgjedhjet e Jashtëzakonshme Parlamentare.

Ai bëri të ditur se gjithçka ka nisur me kohë në të gjitha qendrat e votimit, ndërsa shifrat e para se sa kanë votuar nga ora 07:00 deri në ora 09:00, do të nisin të shfaqen pas orës 09:00, duke vazhduar më tej me përditësime.

“Materialin zgjedhor është shpërndarë me kohë në të gjitha qendrat e vendvotimit. Procesi i votimit ka nisur me kohë në të gjitha qendra, 2614 vendvotime, prej te cilave 914 janë qendra kryesore, 38 qendra (nga një për çdo komunë) për të mundësuar votimin me kusht”, tha Elezi.

 

Kosova sot në zgjedhje të parakohshme parlamentare

Rreth dy milionë shtetas të Kosovës do të kenë mundësi të votojnë të dielën, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që u shpallën pasi legjislatura e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, nuk e miratoi asnjërin prej dy kabineteve qeveritare që u propozuan.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka shpërndarë materialet zgjedhor, përfshirë fletëvotimet për në 38 komunat e Kosovës.

Prej orës 7:00, 1 milion e 999 mijë e 24 shtetas kanë të drejtë t’u drejtohen qendrave te votimit, për ta zgjedhur legjislaturën e dhjetë.

“Numri i qendrave të votimit që do të hapen më 28 dhjetor është 948, prej të cilave 910 për votimin e rregullt me 2,557 vendvotime. Po ashtu, do të hapen edhe 38 qendra të votimit me gjithsej 57 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht”, ka thene Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Në zgjedhjet e sotme garojnë 24 subjekte politike me 1,180 kandidatë për deputetë. Nga to, 8 subjekte politike janë të shqiptarëve me 624 kandidatë që synojnë 100 vendet në Kuvend, ndërkaq pjesa tjetër janë subjekte nga radhët e komuniteteve që garojnë për 20 ulëset e garantuara.

 

Milan-Maignan/ Tjetër tentativë rinovimi; vjen oferta prej 7 milionë eurosh! Inter e Juve…

Rihapen bisedimet mes Milanit dhe Mike Maignan.

Historia e portierit francez dihet, rinovimi verbal i kontratës mes palëve u fundos pas disa gabimeve të kapitenit kuqezi duke bërë që klubi të frenojë tratativat.

Në muajt e verës Maignan ishte pranë kalimit te Chelsea, por kërkesa e Milanit dhe dëshira e Massimiliano Allegrit, bënë që ky operacion të dështojë me premtimim që në kohën e duhur do të diskutohej sërish për të ardhmen.

Milan-Maignan, oferta e re për rinovimin. Dhe të paktën sipas ‘Gazzetta Dello Sport’ ai moment erdhi.

Milan  që është kthyer të luftojë për pozicionet e larta të kampionatit, falë edhe pritjeve të Maignan me klubin, i ka bërë portierit një ofertë të re, një kontratë deri në 2030 një pagë prej 7 milionë euro netosh në sezon duke përfshirë edhe bonuset, një shifër që është pak më e ulët se kërkesa e Maignan, 7.5 milionë euro, një diferencë kjo mëse e reduktueshme duke diskutuar rreth bonuseve, madje klubi i ka premtuar portierit një lloj shpërblimi nëse firmos brenda muajit mars që do ta përfshinte te paga e këtij sezoni.

Hugo Souza në vend të Maignan?

Në Milanello janë rikthyer shpresat për një rinovim të Maignan që ishte shumë i zhgënjyer me atë çfarë ndodhi përpara 10 muajsh, por në të njëjtën kohë u josh nga vlerësimi i Allegrit dhe ambiciet e rikthyera të Milanit.

Por kjo nuk do të thotë se çështja e rinovimit është e sigurt dhe jo rastësisht Tare dhe Furlani kanë bllokuar tashmë Hugo Souza edhe Corinthians e refuzoi ofertën e parë kuqezi.

Juve dhe Inter në pritje

Kujdesi i të dyja palëve në këtë çështje vjen edhe për shkak të kërkesës për Maignan duke parë mundësinë e marrjes së tij me parametra zero.

Disa klube të rëndësishme të Premier League kanë bërë lëvizjet, por ekziston mundësia që francezi të mbetet në Serie A me një fanelë tjetër.

Për interesin e Juventusit është folur edhe më parë, por sipas ‘La Repubblica’, për Maignan po mendon edhe Interi dhe në këtë rast do të ishte një rikrijim i çështjes Çalhanoglu, edhe pse zikaltrit duken më shumë të përqëndruar te Vicario.

“Nuk tërhiqem”/ Salianji: Rrogëtarët e PD, si lepurusha përballë regjimit, si tigra përballë demokratëve

Nga Shkodra, Ervin Salianji ua bëri të qartë drejtuesve të PD se nuk ka në plan të tërhiqet nga rruga që ka nisur pavarësisht presionit që po i ushtrojnë.

Ndonëse preferoi të mos i përmendë me emër, Salianji tha se presionin nuk e njeh, e sidomos nga njerëz që përballë “regjimit sillen si lepurusha dhe përballë demokratëve si tigra”.

“Rrogëtarët e PD s’duan t’i shohin sallat plot, që mbushen jo vetëm prej meje, por prej pakënaqësisë që meritën që i takon dhe rregullat e lojës merren dhe hidhen në kosh të plehrave. Mendojnë se na bëjnë presion duke u thënë një mijë çudira, presionin nuk e njoh, as njerëz më të rëndësishëm se këta, s’më ka bërë presion as Rama duke u përballur në burg ku vendosi regjimi dhe shumë njerëz që përballë regjimit sillen si lepurusha dhe përballë demokratëve si tigra”, tha Salianji.

Edhe njëherë u kujtoi se nga partia nuk e përjashtojnë dot, duke thënë se nuk është pronë e tyre.

“PD ka një statut dhe nuk ka asnjë shans që të përjashtohet dot askush nga PD. Për shkak se zyrtarëve të PD, rrogëtarë dhe përfituesve nuk iu vjen mirë që funksionin që kanë ta mbajnë me punë por duan ta mbajnë me marifete dhe qyl shpikin terma që nuk ekzistojnë. Nuk ka vetëpërjashtim, ka vetëpërfshirje, vetëpërballje do t’ia dalim deri në fund që të ndryshojmë PD. Politika është shërbim nuk është pronë. Se anëtarësia e PD dhe qytetarët nuk janë pronë, por aksionerë”, theksoi Salianji.

Sekreti! Pse e dashura e Jannik Sinner e di të vërtetën e gjendjes së Michael Schumacher?

Që nga aksidenti tragjik në Meribel në dhjetor të vitit 2013, rreth Michael Schumacherit është ndërtuar një mur pothuajse i padepërtueshëm heshtjeje.

Me kërkesë të familjes, nuk janë publikuar kurrë buletine zyrtare mjekësore dhe informacionet mbi gjendjen e ish-pilotit të Ferrarit kanë qenë gjithmonë minimale dhe të kontrolluara me kujdes.

Vetëm një rreth shumë i kufizuar personash ka pasur akses në banesën ku Schumacher po kurohet prej vitesh. Mes tyre përmenden emra historikë të botës së Formula 1, si Jean Todt, Luca Badoer dhe menaxherja e tij e kahershme, Sabine Kehm.

Së fundmi, megjithatë, një emër i papritur ka hyrë në këtë listë shumë ekskluzive, duke krijuar një lidhje të pazakontë mes botës së Formula 1 dhe tenisit modern.

Bëhet fjalë për Laila Hasanovic, modelen daneze dhe partneren aktuale të Jannik Sinner.

Sipas raportimeve të Daily Mail, Hasanovic është një nga të paktët persona në botë që e di të vërtetën mbi gjendjen shëndetësore të Michael Schumacherit. Para lidhjes me kampionin italian të tenisit, Laila kishte pasur një marrëdhënie të rëndësishme me Mick Schumacher, djalin e legjendës së Ferrarit.

Gjatë asaj periudhe, ajo arriti të fitojë besimin e plotë të familjes Schumacher, veçanërisht të bashkëshortes së Michaelit, Corinna Schumacher. Ky besim i hapi dyert e një privilegji shumë të rrallë: hyrjen në shtëpinë private të familjes dhe takimin personal me Michael Schumacherin.

Edhe pse marrëdhënia me Mick Schumacher ka përfunduar, Laila Hasanovic ka vazhduar të respektojë me diskrecion absolut privatësinë e familjes dhe sekretin që i është besuar, duke mos zbuluar asnjë detaj mbi gjendjen e ish-kampionit shtatë herë të botës në Formula 1.

Një tjetër dëshmi se, edhe pas më shumë se një dekade, emri i Michael Schumacherit mbetet i rrethuar nga misteri, respekti dhe heshtja, ashtu siç ka kërkuar gjithmonë familja e tij.

“Një krimb gjize…”/ Qytetari shpërthen ndaj Salianjit në “Foltoren” e Berishës

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi sot, 27 dhjetor, foltoren e radhës, kësaj here në qytetin e Korçës.

Ai akuzoi qeverinë e Edi Ramës për korrupsion dhe lidhje me drogën e krimin, teksa theksoi se për këtë çështje po bien “sirenat e alarmit nga Uashingtoni”.

Ndêrkohë, fjalën e morën edhe simpatizantët e pranishëm në sallë.

Një prej tyre foli për Ervin Salianjin, duke e konsideruar “krimb gjize” dhe duke dalë hapur kundër foltoreve të tij.

“Ne këtej nga jugu i themi duhet të heqim jashtë krimbat e gjizës dhe ne plot krimba gjize patëm si Ervin Salianji e të tjerë që na lanë rrugëve gjithë këto muaj. Ky është mendimi im, shumë demokratë të tjerë mund të kenë mendime të tjera”, tha qytetari.

Kujtojmë se ndërkohë, Ervin Salianji zhvillonte një takim me demokratët në qytetin e Shkodrës.

❌