❌

Reading view

“Rinasi pa energji”, TIA reagon për fasadat! Turistët nxjerrin video nga brenda Aeroporit

Video të shumta që tregojnë momente plotësisht në errësirë të Aeroportit të Tiranës “Nënë Tereza” qarkulluan në rrjetet sociale duke ngritur shqetësime dhe dyshime për sigurinë në Aeroport.

Shqiptarë dhe të huaj denoncuan mungesën e energjisë elektrike brenda dhe jashtë ambineteve në pikën kryesore e kalimit kufitar të vendit.

Por TIA, përmes një reagimi ka njoftuar qytetarët se “Në asnjë moment nuk ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike në terminal. Ndërprerja ka prekur vetëm ndriçimin e fasadës së aeroportit për disa minuta, pa ndikuar në asnjë moment në aktivitetin operacional dhe në vijimësinë normale të fluturimeve”, duke e shoqëruar me një video nga ambientet e jashtme të Aeroportit.

Por videot e publikuara nërrjetet sociale nga turistët e huaj tregojnë ambientet e brendëshme të Aeroportit “Nënë Tereza”, në errësirë të plotë.

Video e turistës së juaj u shpërnda me shpejtësi në rrjetet sociale duke treguar ambientet pa energji elekrike.

  •  

Shtohen denoncimet e plumbave nga studentët: E reja, e cila ka pësuar lëndime në ftyrë nga një plumb gome rrëfehet: Jam goditur në ballë!

Një re e re e lënduar gjatë përplasjeve me policinë ka rrëfyer momentin e goditjes.
E reja, e cila ka pësuar lëndime në ftyrë nga një plumb gome i lëshuar nga forcat e rendit, tregoi se nuk ndodhej as në rreshtat e parë të protestës kur u godit dhe se pasojat mund të kishin qenë edhe më të rënda.

“Kjo goditje ishte e rëndë, nuk isha as në rreshtin e parë. Nëse s’do kisha syzet, do isha dëmtuar rëndë në sy.
Jam goditur në ballë,” u shpreh ajo mes emocioneve. Protestuesja mori ndihmën e parë mjekësore në terren, ndërsa denoncimet për përdorimin e plumbave të gomës dhe forcës disproporcionale nga ana e policisë vijojnë të shtohen në zonën e Rrugës së Durrësit.

  •  

BIRN: “Duart e huaja”, alibi e Ramës për shmangien e përgjegjësisë politike

Ndërsa protestat e studentëve dhe të rinjve janë përshkallëzuar në të gjithë vendin, kryeministri Edi Rama ka fajësuar opozitën dhe aktorë të paidentifikuar të huaj për trazirat. Ekspertë të komunikimit dhe qeverisjes e shohin këtë retorikë si një përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga shkaqet e protestave dhe përgjegjësia politike e qeverisë.

 

 

Pak metra larg sheshit përpara Kryeministrisë, ku policia dhe protestuesit po përplaseshin të enjten në mbrëmje, një grup të rinjsh përpiqeshin t’i shpëtonin gazit lotsjellës duke u larguar drejt zonës së ish-Bllokut, pranë Kryesisë së Kuvendit. BIRN dëshmoi momentin kur dy prej tyre u ndaluan nga dy persona të veshur civilë, të cilët mbanin shkopinj gome në duar. Pasi i futën të rinjtë në një makinë të bardhë, personat u larguan nga vendngjarja. Dy vajza që shoqëronin të ndaluarit arritën të largoheshin me vrap. “Edhe neve na thanë: ‘Afrohuni, mos kini frikë’, por ne vrapuam. Shokët tanë i ndaluan”, tregoi njëra prej tyre, studente e vitit të dytë të Arkitekturës. E shqetësuar, studentja u përpoq të telefononte njërin prej djemve, shok kursi në universitet, por ai nuk iu përgjigj. Ajo nuk e dinte nëse ishte shoqëruar nga policia apo ku ishte dërguar dhe po përpiqej të vendoste nëse duhej të njoftonte prindërit e tij, të cilët jetonin jashtë Tiranës.

Pak metra më tej, disa furgonë policie ishin parkuar në anë të rrugës, ndërsa efektivët po shoqëronin të rinj të tjerë të ndaluar drejt automjeteve. Skena të ngjashme u përsëritën gjatë natës së të enjtes në rrugët e kryeqytetit. Në disa raste, ndalimet u kryen nga persona të veshur civilë, që përdornin automjete pa shenja identifikuese të policisë. Një video e shpërndarë në rrjetet sociale, ku një person shihej teksa futej me forcë në një automjet pa shenja dalluese, nxiti pikëpyetje mbi identitetin e personave që kryenin ndalimet. Policia e Shtetit sqaroi se bëhej fjalë për një shoqërim të kryer nga punonjës të Policisë Kriminale, në kuadër të veprimeve për identifikimin e personave të dyshuar për përfshirje në akte të paligjshme gjatë protestës.

Ndalimet masive pasuan përshkallëzimin e protestave kundër qeverisë, të cilat, pas rreth katër muajsh demonstratash kryesisht paqësore, morën një kthesë të dhunshme të martën, me përfshirjen e studentëve dhe nxënësve të shkollave të mesme. Me thirrjet “Rama, jep dorëheqjen!” dhe “Revolucion”, mijëra të rinj dolën në rrugë, ndërsa protestat u përhapën nga Tirana në qytete të tjera të vendit. Përplasjet me policinë u shoqëruan me përdorimin e gazit lotsjellës, ndalime të protestuesve dhe akte vandalizmi ndaj institucioneve dhe pronave publike e private.

 

 

Përballë kësaj vale pakënaqësie, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të fajësojë opozitën dhe aktorë të huaj për dhunën, pa identifikuar publikisht këta të fundit dhe pa paraqitur prova që mbështesin pretendimet për ndërhyrjen e tyre. “Dora e mbrapshtë, dora e vjetër, dora e keqe […] sot mbështetet dhe nga duar të tjera, duar të huaja, duar të huaja që nuk e duan Shqipërinë të qetë”, deklaroi Rama, duke pretenduar se aktorët që qëndrojnë pas trazirave synojnë të pengojnë përparimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Kjo nuk është hera e parë që Rama i lidh protestat kundër qeverisë së tij me ndikime të jashtme. Ai përdori një retorikë të ngjashme edhe në qershor, pas nisjes së protestave kundër një projekti turistik në zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës, të njohura si “Revolucioni i Flamingove”.

Por për ekspertët e komunikimit dhe qeverisjes, rikthimi i tezës së ndërhyrjes së huaj, në një kohë kur protestat kanë marrë përmasa kombëtare, rrezikon të zhvendosë debatin publik nga shkaqet e pakënaqësisë te pretendimet për kërcënime të jashtme.

“Çdo përpjekje për ta lexuar dhe propaganduar këtë shprehje masive pakënaqësie të të rinjve vetëm si një lëvizje e cila nxitet nga influenca të vendeve të huaja do të ishte një mundësi e humbur për të reflektuar dhe mbajtur përgjegjësi politike në momentin dhe kohën e duhur”, tha për BIRN Elvin Luku, pedagog i gazetarisë. “Në demokraci dorëheqja nuk është as mëkat, as tragjedi, por është akti më fisnik i një politikani”, shtoi ai. Sipas Lukut, edhe nëse do të provohej përfshirja e aktorëve të huaj në nxitjen e trazirave, kjo nuk do ta përjashtonte qeverinë nga përgjegjësia politike.

Përkundrazi, ai argumenton se depërtimi i një ndikimi të tillë në shoqëri do të ngrinte pikëpyetje të tjera mbi aftësinë e institucioneve për ta parandaluar atë, duke përbërë një arsye shtesë për të kërkuar llogari nga qeveria. Luku vëren se pretendimet për ndërhyrje të huaja kanë qenë të pranishme në retorikën qeveritare si gjatë muajve të protestave paqësore, ashtu edhe pas përshkallëzimit të tyre. Sipas tij, megjithëse ndikimi i aktorëve të jashtëm është një mundësi që nuk mund të përjashtohet apriori, ai nuk mund të shërbejë si justifikim për shmangien e përgjegjësisë politike. Edhe Aranita Brahaj, drejtuese e Institutit Shqiptar të Shkencave, AIS, e interpreton retorikën e kryeministrit për “duar të huaja” si një përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga kërkesat e protestuesve dhe përgjegjësia e qeverisë për krizën.

Sipas saj, akuzat për ndërhyrje të jashtme, kur nuk mbështeten në prova publike dhe artikulohen në një moment përballjeje me një revoltë qytetare, rrezikojnë ta kthejnë debatin mbi problemet e vendit në një diskutim mbi sigurinë dhe stabilitetin. “Kur një kryeministër flet për komplote dhe ndërhyrje të huaja pa paraqitur prova, dhe në momente kur rrezikohet pushteti i tij, ai rrezikon të zëvendësojë debatin mbi kërkesat legjitime të qytetarëve me një narrativë kërcënimi ndaj sigurisë dhe stabilitetit të vendit”, tha Brahaj për BIRN. Ajo thekson se shqetësimi nuk lidhet vetëm me gjuhën e përdorur nga kryeministri, por edhe me ndikimin që kjo retorikë mund të ketë te perceptimi publik dhe reagimi i institucioneve ndaj protestave.

“Kur narrativa e kërcënimit të jashtëm përkon me episode dhune dhe neglizhencë institucionale, krijohet një klimë pasigurie që objektivisht mund t’i shërbejë dobësimit të protestës dhe shtimit të pasigurisë civile”, tha ajo. Brahaj e vendos këtë qasje në një kontekst më të gjerë të komunikimit politik të Ramës ndaj kritikëve dhe lëvizjeve qytetare. Sipas saj, kryeministri është përpjekur prej muajsh t’i lidhë mobilizimet kundër qeverisë me ndikime të jashtme, duke shmangur përballjen me arsyet e pakënaqësisë.

Si shembull, ajo përmend edhe fjalimin e Ramës në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku, sipas interpretimit të saj, mobilizimi politik në Shqipëri u lidh me fenomenin e dezinformimit. Brahaj paralajmëron se retorika e kërcënimit të jashtëm mund të ketë pasoja përtej debatit politik, duke ndikuar në gatishmërinë e qytetarëve për të marrë pjesë në protesta. “Në gjykimin tim, nuk kemi të bëjmë thjesht me një përpjekje për të zhvlerësuar protestën, por me krijimin e një klime frike dhe pasigurie që mund t’i shërbejë ruajtjes së pushtetit përmes dobësimit të rezistencës qytetare”, tha ajo.

Në këtë kontekst, Brahaj kërkon që vëmendja publike të mos kufizohet te deklaratat e kryeministrit, por të përfshijë edhe veprimet e institucioneve, veçanërisht mënyrën se si policia ka menaxhuar protestat, ndalimet dhe episodet e dhunës. “Sot pyetja nuk është vetëm çfarë thotë Rama, por edhe çfarë bën dhe çfarë nuk bën Policia e Shtetit përballë këtyre zhvillimeve”, përfundoi ajo.

  •  

Ish-drejtuesi i Policisë së Shtetit Shemsi Prençi denoncon: Policia ka përdorur plumba plastikë, studentët do t’ia tregojnë organizmave ndërkombëtarë

Ish-drejtuesi i lartë i Policisë së Shtetit dhe ekspert i sigurisë, Shemsi Prençi, deklaroi se policia ka përdorur plumba plastikë në drejtim të protestuesve, teksa shton se ata i kanë mbajtur për t’ia dorëzuar autoriteteve ndërkombëtare.

“Policia ka përdorur plumba plastikë, kemi kapur disa gëzhoja. I kanë mbajtur vetë dhe duan t’ia tregojnë te organizmat kombëtarë. Policia po i sulmon në Bulevard, nuk është cenuar ndonjë institucion shtetëror. Shumë shpejt do të fus në dorë plumbat e gomës. Unë i kam bërë thirrje avokatit të popullit, të marrë kimistë dhe të hetojë densitetin kimike të gazit lotsjellës. Ministria e Arsimit nuk është institucion i nivelit të lartë, kur deshi policia e la që të digjet, e la me qëllim. I kam thënë për densitetin e përdorimit të gazit, përse duhet ta përdorin. Për se duhet të përdoren në distancë. Në protestë ka studentë, vajza dhe nëna shtatzënë.

Të bëjnë gabim drejtuesit më të lartë të shtetit, në përdorimin e topit shihedhës, plumbave të gomës dhe gazit lotsjellës. Po ta kishin planin e masave do t’i kishin njoftuar bizneset të ulnin bizneset, nuk e kanë bërë këtë. Kjo ka qenë plan i policisë për të implikuar të rinjtë. Ne pamë të rinjtë që merrnin në kioska ushqime.

Zyrtarët e lartë nuk raportuan vetëm për policë të plagosur, jo qytetarë. Atë studentin e sulmuan 7 policë, dy prej tyre ndoshta duhet të ishin në burg sot, prokuroi duhet të ishte në vendngjarje për të hetuar. Dhe 7 policët që e qëlluan kur ishte shtruar në tokë. Unë di ekspert po bëj vëzhgimet e mia. Kam edhe djemtë e mij studentë në protestë, kam parë edhe shumë prindër që kanë ardhur për fëmijët e tyre. Unë kam plot filmime në shkelje flagrante, një ditë të bukur do t’i vë në dispozicion të autoriteteve”, tha Shemsi Prençi.

 

 

 

  •  

Përplasjet e ashpra tek Rruga e Durrësit, kërkohet ndërhyrja e ambulancës për të lënduarit

Situata dramatike në zonën e Rrugës së Durrësit ka kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të shërbimeve mjekësore. Pas përdorimit masiv të gazit lotsjellës nga forcat e policisë për shpërndarjen e turmës, disa protestues kanë shfaqur probleme të rënda frymëmarrjeje dhe lëndime fizike.

Në vendngjarje është kërkuar me urgjencë ardhja e ndihmës së shpejtë, ndërsa mjete të ambulancës kanë arritur me shpejtësi në aksin e Rrugës së Durrësit për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve të dëmtuar.

Ekipet mjekësore po japin ndihmën e parë në terren për personat që kanë pësuar asfiksi nga gazi, ndërsa disa prej tyre pritet të transportohen drejt spitalit për mjekim më të specializuar.

  •  

Rruga e Durrësit ndizet sërish, policat gjuajnë me plumba gome

Tensione dhe përplasje të ashpra po regjistrohen në zonën e Rrugës së Durrësit në kryeqytet, ku situata mes protestuesve dhe forcave të policisë është përshkallëzuar ndjeshëm.

Një pjesë e protestuesve është izoluar dhe po mbahet e bllokuar nga kordonët e policisë brenda rrugicave të lagjeve ngjitur, duke mos u lejuar të dalin në aksin kryesor të Rrugës së Durrësit.

Ndërkohë, pjesa tjetër e protestuesve që ndodhet në rrugën kryesore po përballet me një ndërhyrje masive të forcave të rendit. Për të shpërndarë turmën, policia po përdor ujë me presion dhe sasi të mëdha gazi lotsjellës, ndërsa raportohet se ndaj protestuesve janë qëlluar edhe plumba gome.

Situata mbetet tepër e tensionuar, me tymuese e gaz lotsjellës që ka mbuluar të gjithë zonën, ndërsa forcat e policisë po vijojnë veprimet për marrjen e kontrollit të aksit rrugor.

  •  

U dëmtuan nga protesta, qeveria njofton platformën për shpërblimet e bizneseve

Ministria e ekonomisë dhe inovacionit njofton nxjerrjen e platformës ”Dëmi im” ne e-albania ku të gjitha bizneset e dëmtuara nga protesta, mund të aplikojnë për evidentimin dhe deklarimin e dëmit të  biznesit të tyre.
Aplikuesit do të duhet të deklarojnë sipërfaqen e biznesit, kompaninë e sigurimit, nëse kanë një të tillë, si dhe vlerësimin paraprak të dëmit. Gjithashtu, do të kërkohet ngarkimi i dokumentacionit përkatës, përfshirë fotografitë dhe faturat që dëshmojnë dëmet.

  •  

Vijojnë tensionet. protestuesit hedhin molotovë, policia reagon me autobotin e ujit

Situata para Ministrisë së Arsimit në Tiranë është përshkallëzuar, ku protestuesit kanë hedhur molotovë në drejtim të efektivëve, ndërsa policia është kundërpërgjigjur me ujë nga autobotët, ndërsa janë përdorur edhe shpërqendrues.

Tensionet janë rritur gjatë protestës që po zhvillohet para godinës së Ministrisë së Arsimit, ku përplasjet mes protestuesve dhe forcave të policisë kanë vijuar.

Protestuesit kanë përdorur molotovë, ndërsa efektivët kanë reaguar duke përdorur autobotët me ujë për të shpërndarë turmën dhe për të vënë situatën nën kontroll.

  •  

Durrës/ Protestuesit vazhdojnë recoltën, hedhin kapsolla në qendër të qytetit

Protestuesit e mbetur në sheshin kryesor të Durrësit janë vënë sërish në lëvizje, pasi kanë hedhur kapsolla në qendër të qytetit.

Ata janë drejtuar përgjatë bulevardit “Dyrrah”, në drejtim të Pallatit të Sportit, ndërsa shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të tyre.

Lëvizja e protestuesve vjen pas tensioneve të regjistruara gjatë grumbullimit në Durrës, ku më herët janë shënuar bllokime rrugësh dhe ndërhyrje të forcave të rendit.

  •  

Protesta/ Flet studenti: Inflacioni dhe rrogat që janë në Shqipëri nuk përputhen me kostot e jetesës.

Ersli Selimi, një i ri që i është bashkuar protestës para Ministrisë së Arsimit, thotë se të rinjtë përballen me mungesën e vendeve të punës, pagat e ulëta dhe koston e lartë të jetesës. Ai kërkon edhe ndryshimin e klasës politike.

“Dal të protestoj sepse për të rinjtë që sapo dalin nga shkolla nuk ka vende pune.
Kam studiuar administrim biznesi, kam filluar punë, por inflacioni dhe rrogat që janë në Shqipëri nuk përputhen me kostot e jetesës. Sapo del nga universiteti, të kërkojnë 3 vite eksperiencë. Ose e nis me rrogën më të ulët.

Kërkesat janë të dish dy-tre gjuhë të huaja, të kesh shumë eksperiencë, ndërkohë që rroga që merr është shumë minimale dhe nuk mbulon kostot e jetesës. Të shkosh në market është njësoj si të porosisësh online, që më parë kishte një diferencë shumë të madhe.
PD duhet të riorganizohet ose të ndryshojë komplet dhe të krijohet një parti e re me njerëz të rinj që mund të na përfaqësojnë ne. Duhet të dalë një politikë e re”, thotë i riu

  •  

Përshkallëzohet situata, studentët i vënë flakën koshave të mbeturinave perpara Ministrisë së Arsimit

Tensione janë shënuar gjatë protestës së të rinjve para Ministrisë së Arsimit.

Protestuesit u kanë vënë flakën disa koshave të mbeturinave, duke përshkallëzuar situatën në zonën ku po zhvillohet tubimi.

Kujtojmë se prej 5 ditësh po mbahen protesta masive në Tiranë dhe në rrethe, ku gjimnazistë dhe studentë janë ngritur kundër kryeministrit Edi Rama, ndërsa kërkojnë largimin e qeverisë.

  •  

Korçë/ Vazhdon revolta, studentët nisin protestën

Korça është përfshirë sërish nga protestat e të rinjve këtë të shtunë. Protestuesit janë mbledhur fillimisht pranë monumentit të “Ushtarit të Panjohur”, për të nisur më pas marshimin përgjatë pedonales dhe rrugëve kryesore të qytetit.

 

Me thirrjet “Bashkohuni me ne” dhe “Edi Rama, jep dorëheqjen”, të rinjtë po përcjellin mesazhet e tyre kundër qeverisë. Ndërkohë, pranë institucioneve është shtuar prania e forcave të Policisë, me qëllim parandalimin e incidenteve, pas situatave të tensionuara të ditëve të fundit.

 

 

Gjatë marshimit, një mësues gjimnazi, i cili po kalonte rastësisht në pedonale, është ndalur për të shprehur mbështetjen e tij për protestën e gjimnazistëve. Ai i ka inkurajuar të rinjtë të ngrenë zërin për shqetësimet e tyre, duke u bërë njëkohësisht thirrje që të shmangin aktet e dhunës dhe të vijojnë protestën në mënyrë paqësore. Mësuesi theksoi rëndësinë e përcjelljes së kauzave të tyre me qytetari dhe përgjegjësi.

  •  

Durrës/ Nisin shoqërimet e studentëve protestues pasi thyen xhamat e Postës Shqiptare

Protesta në Durrës nisi me revansh. Një grup të rinjsh dëmtuan fasadën prej xhami të Postës Shqiptare. Rreth 50-60 të rinj u grumbulluan fillimisht pranë Pallatit të Kulturës, vijuan marshimin drejt Mauzoleut të Dëshmorëve dhe më pas drejt Postës, ku përmbysën disa kosha mbeturinash dhe goditën derën e institucionit.

Kjo është hera e dyte qe goditet Posta, të cilët e konsiderojnë simbol të vjedhjes. Kujtojmë se në hetim për vjedhjen e 700 mijë eurove janë ish-drejtoresha dhe disa punonjëse të institucionit.

Sakaq, policia ka nisur shoqërimet e të rinjve protestues

  •  

Nis dita e 5 e revoltës, studentët e mjekësisë nisin marshimin

Ka nisur marshimi i studentëve të Mjekësisë në Tiranë, të cilët ndodhen aktualisht në zonën e 9-katësheve dhe po vijojnë lëvizjen drejt Ministrisë së Arsimit.

Studentët pritet të ndalen para godinës së ministrisë, ku do të vijojnë protestën kundër qeverisë.Thirrja e tyre kryesore mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, kërkesë që po artikulohet prej ditësh edhe nga protestues të tjerë në kryeqytet dhe qytete të vendit.

  •  

25 persona morën trajtim mjekësor pas protestës së 16 tetorit, dy prej tyre vijojnë të jenë në spital

21 persona kanë marrë trajtim mjekësor në Spitalin Universitar të Traumës pas protestës së 16 tetorit, mes tyre 8 efektivë policie, 10 protestues, përfshirë 3 të mitur, dhe 3 kalimtarë.

Sipas informacionit mbi gjendjen shëndetësore të të lënduarve, aktualisht dy persona vijojnë të marrin shërbim mjekësor. Një kalimtar, gjendja e të cilit është stabël, dhe një protestues 21-vjeçar, i cili po trajtohet dhe monitorohet nga ekipi i neurokirurgjisë.

Për 21-vjeçarin, mjekët bëjnë me dije se aktualisht nuk ka indikacion për ndërhyrje kirurgjikale dhe nuk rezulton rrezik për paralizë.

Të gjithë personat e tjerë të trajtuar në Spitalin e Traumës kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe janë larguar me këshillën e mjekut, jashtë rrezikut për jetën.

  •  
❌