Reading view

Trump nënshkruan urdhër për riemërtimin e Liqenit Ontario në “Liqeni Amerika”

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që parashikon riemërtimin e Liqenit Ontario në “Liqeni Amerika”, mes tensioneve tregtare me Kanadanë, duke deklaruar se ndryshimi do të hyjë në fuqi menjëherë.

“Do ta ndryshojmë emrin e Liqenit Ontario, me efekt të menjëhershëm, në Liqeni Amerika”, tha Trump në Zyrën Ovale përpara se të nënshkruante urdhrin ekzekutiv.

Nënshkrimi vjen teksa marrëdhëniet mes Kanadasë dhe SHBA-së janë përkeqësuar pas dështimit të negociatave tregtare dhe vendosjes nga Washingtoni të tarifave të reja ndaj mallrave kanadeze, ndaj të cilave Otava u kundërpërgjigj menjëherë.

Urdhri udhëzon sekretarin e brendshëm, Doug Burgum dhe Departamentin e Brendshëm që të përditësojnë Sistemin e Informacionit për Emrat Gjeografik për të pasqyruar emrin e ri. Trump tha se ky veprim nuk synonte t’i dërgonte ndonjë mesazh Kanadasë, pavarësisht përshkallëzimit të tensioneve mes Washingtonit dhe Otavës lidhur me tregtinë dhe tarifat.

“Asnjë mesazh”, tha Trump, kur u pyet se çfarë sinjali i dërgonte Kanadasë riemërtimi.

Më pas ai kritikoi Kanadanë për tregtinë, duke theksuar se ajo “na ka shfrytëzuar për një kohë të gjatë” dhe se nuk ka kontribuar mjaftueshëm në mbrojtjen e Amerikës së Veriut.

“Mesatarisht, gjatë 15 viteve të fundit, humbasim 60 miliardë dollarë në vit duke mbajtur Kanadanë”, tha Trump, duke shtuar se “thjesht nuk mund ta bëjmë më këtë”.

Trump tha se administrata e tij do të vendosë tarifa të konsiderueshme ndaj makinave kanadeze, në përpjekje për të nxitur prodhuesit që automjetet t’i prodhojnë në SHBA.

“Nuk duam që ata të prodhojnë makina për SHBA-në. Është shumë e thjeshtë”, tha Trump, duke theksuar se “zyrtarët kanadezë na kanë trajtuar shumë keq”.

“Nuk mund ta lejojmë të vazhdojë e gjithë kjo çështje me Kanadanë, e cila ka zgjatur për dekada dhe kësaj duhet t’i vijë fundi”, tha ai.

Trump e krahasoi riemërtimin e Liqenit Ontario me vendimin e mëparshëm të administratës së tij për ta riemërtuar Gjirin e Meksikës si “Gjiri i Amerikës”.

“Siç e dini, morëm diçka të quajtur Gjiri i Meksikës dhe ia ndryshuam emrin, ndërsa tani zakonisht quhet Gjiri i Amerikës”, tha ai.

“Gjithçka që na duhet është një oqean. Kështu që ndoshta do të duhet t’ia ndryshojmë emrin e Atlantikut ose Paqësorit. Ndoshta do t’ua ndryshojmë emrin të dyve”, tha Trump.

  •  

Kryeministri britanik: Referendumi për bashkimin e Irlandës është “jashtë diskutimit”

Kryeministri britanik, Andy Burnham, ka përjashtuar mundësinë e thirrjes së një referendumi për bashkimin e Irlandës, duke e cilësuar atë si çështje “jashtë diskutimit”.

Gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në Irlandën e Veriut, Burnham u tha gazetarëve në Belfast se votimet për Brexit-in dhe pavarësinë e Skocisë treguan se “rreziqet që burojnë nga situata të tilla kërkojnë shumë kohë për t’u tejkaluar”.

“Natyrisht, siç thashë edhe më herët, jam këtu për të dëgjuar dhe do të ndjek një qasje bashkëpunuese, por disa çështje do të jenë jashtë diskutimit dhe kjo është një prej tyre”, tha ai kur u pyet për thirrjen e një referendumi nëse Irlanda e Veriut duhet të mbetet pjesë e Mbretërisë së Bashkuar apo t’i bashkohet Republikës së Irlandës.

Në vend të kësaj, Burnham tha se fokusi duhet të jetë te shërbimet publike dhe përballimi i presioneve nga kostoja e jetesës.

“Duhet t’i zgjidhim çështjet që kemi përpara nesh, këtu dhe tani”, tha ai për BBC-në.

“Një dekadë pas referendumit për Brexit-in, mendoj se kemi pasur shumë përçarje, shumë debate dhe shumë vështrim nga e kaluara”, shtoi ai.

  •  

Costa: Ballkani Perëndimor, në BE/ Nura: Gjeopolitika e Brukselit po lëviz me ritëm tjetër

TIRANË- Brukseli është gati të presë në familjen europiane vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilët po përparojnë në rrugën e tyre drejt Bashkimit Europian.

Presidenti i Këshillit, Antonio Costa, thotë se zgjerimi i Unionit në këtë rajon është investim për sigurinë dhe paqen e Europës. Costa i bëri komentet nga Lituania, që merr drejtimin e Bashkimit Europian në fillim të vitit të ardhshëm, duke i kujtuar asaj ta shtyjë përpara procesin e zgjerimit.

Për këtë zhvillim foli në “Tirana Live” edhe analisti Artur Nura. Sipas tij, deklarata e Costës synon të sensibilizojë 27 vendet anëtare të BE-së për interesin strategjik të Europës në procesin e zgjerimit.

Duke iu referuar Shqipërisë, analisti theksoi se si qytetarët, ashtu edhe mazhoranca, e kanë shprehur vazhdimisht orientimin europian të vendit.

“Antonio Costa kërkon të sensibilizojë të 27 vendet e BE për interesin strategjik të Evropës. Brukseli ka tashmë në parimet parësore interesin e tij gjeopolitik . Në rastet  e Shqipërisë, si nga qytetarët, si nga mazhoranca është thënë në të gjitha raste “ne jemi Evropë”. Viti 2027 është nga ana teknike, ndërsa 2030 do të sjellë një prioritet absolut. Gjeopolitika e Brukselit po lëviz me një ritëm krejt tjetër”, tha ai.

  •  

Costa: Ballkani Perëndimor, në BE/ Presidenti i KE: Zgjerimi, investimi më i mirë për sigurinë e Evropës

Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa ka nisur turin e vizitave në kryeqytetet europiane, me një mesazh të qartë, zgjerimin e BE. Në ditën e dytë të turit, Costa u ndal këtë të enjte në Lituani, vendi baltik i cili merr më 1 janar 2027 Presidencën e radhës së BE.

Zgjerimi i BE me Ballkanin Perëndimor sipas Costës është investimi më i mirë për të ardhmen e Unionit për disa arsye.

“Kur flasim për sigurinë e Evropës, nuk mund ta harrojmë zgjerimin. Ukraina, Moldavia dhe Ballkani Perëndimor po përparojnë në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian dhe ky është investimi më i mirë që mund të bëjmë në paqen, sigurinë dhe stabilitetin e ardhshëm të kontinentit tonë. Vlerësoj përpjekjet konstruktive të Lituanisë në këtë kontekst dhe faktin që Lituania e ka identifikuar zgjerimin si një nga prioritetet kryesore të presidencës suaj”, tha ai.

Costa porositi Lituaninë të shtyjë para këtë qëllim të Brukselit.

“Duke filluar nga janari, Lituania do të luajë një rol vendimtar në krijimin dhe formësimin e unitetit evropian, si presidencë e Këshillit. Kjo është arsyeja pse sot diskutuam edhe përgatitjet e kësaj presidence. Dola nga diskutimet tona edhe më i bindur se do të jem në gjendje të mbështetem – dhe Evropa mund të mbështetet – në vendosmërinë, profesionalizmin dhe angazhimin evropian të Lituanisë”, shtoi Costa.

Dhe kur flitet për Ballkanin Perëndimor, Shqipëria është pas Malit të Zi një nga pretendentët kryesorë për anëtarësimin në BE. Sipas objektivave, synohet që Mali i Zi të anëtarësohet në vitin 2028, kurse Shqipëria të mbyllë deri në 2027 negociatat dhe në 2030 të anëtarësohet në Union./abcnews.al

  •  

EMRI/ Aksident me vdekje në Fushë-Krujë, viktima një 62-vjeçar

FUSHË KRUJË- Një aksident me pasojë vdekjen e një 62-vjeçari ka ndodhur në aksin e vjetër Thumanë-Fushë Krujë, pranë fshatit Borizanë.

Sipas të dhënave, drejtuesi i automjetit, Vath Leka, ka humbur kontrollin mbi mjetin dhe është përplasur me një bordurë.

Persona të rastësishëm kanë tentuar t’i japin ndihmën e parë 62-vjeçarit, por ai nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë në vendngjarje.

Në vendin e aksidentit ka mbërritur grupi hetimor, i cili po punon për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e aksidentit./abcnews.al

  •  

“Beteja e fundit e Hagës”, analisti: Më 16 shtator presim lirimin e ish-krerëve të UÇK-së

Gjykata Speciale me 16 shtator prite të shpallë vendimi për ish-krerët e UÇK, 6 vite pas fillimit të procesit. Analisti i njohur Dardan Krasniqi, i ftuar në “Ballkan Update” në ABC News, u shpreh se procesi në Dhomat e Specializuara është një abuzim në emër të drejtësisë.

Ai theksoi se akuzat e ngritura nga Prokuroria Speciale për katërshen e UÇK-së janë absurde dhe nuk kanë asnjë bazë të vërtetë. Ai theksoi se më 16 shtator, qytetarët e Kosovës presin që ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të kthehen të lirë në vendin e tyre.

“Ky proces është një absurd më vete. Ky është një abuzim në emër të drejtësisë. Procesi i ngritur mbi argumente qesharake. Ne nuk mund të presim asgjë, përveç lirimit të tyre. Akuzat janë qesharake, pa asnjë kuptim dhe pa asnjë domethënie. Presim 16 shtatorin, që ata burra që sot janë atje dhe që janë emblemë e UÇK, të kthejnë në vendin e tyre|, tha ai.

Ai kritikoi hapur institucionet e Kosovës, të cilat sipas tij, nuk kanë treguar gatishmëri maksimale për të ndihmuar ish-krerët e UÇK-së.

“Mekanizmat institucionalë nuk e kanë treguar gatishmërinë më të mirë, nuk kanë dhënë ndonjë sinjal të veçantë në mbrojtje të vlerave që përfaqësojnë kjo katërshe në dhomat e specializuara në Hagë”, tha ai./abcnews.al

  •  

Hamburg, zbulohen 1.5 tonë drogë e fshehur mes thasëve të orizit

Një operacion i përbashkët i policisë dhe doganës në portin e Hamburgut ka çuar në sekuestrimin e rreth 1.5 tonë metamfetaminë, në një prej goditjeve më të mëdha ndaj trafikut të kësaj droge në portin gjerman.

Droga ishte fshehur në një kontejner që, sipas dokumenteve të transportit, duhej të përmbante mijëra thasë me oriz të bardhë nga Pakistani.

Hetuesit kishin vënë nën vëzhgim disa kontejnerë të ardhur nga Pakistani. Gjatë një kontrolli me rreze X, njëri prej tyre ngriti dyshime dhe u vendos që ngarkesa të kontrollohej tërësisht.

 Në qindra thasë që paraqiteshin si thasë orizi u gjet një substancë kristalore, e cila në pamje të parë mund të ngatërrohej me oriz, shkruajnë mediat gjermane, transmeton Klankosova.tv.

Testet e para dhe analizat toksikologjike konfirmuan se bëhej fjalë për metamfetaminë, e njohur si Crystal Meth.

Vlera e drogës së sekuestruar vlerësohet në rreth 28.5 milionë euro.

Autoritetet ende nuk kanë bërë të ditur se kush qëndron pas këtij importi apo ku ishte destinacioni përfundimtar i drogës. Prokuroria ka deklaruar se aktualisht nuk ka të dhëna se droga ishte destinuar për tregun e Hamburgut.

Zbulimi u realizua nga grupi i përbashkët hetimor kundër narkotikëve i Zyrës së Policisë Kriminale të Landit dhe Zyrës së Hetimeve Doganore.

  •  

Spanjë, mbi 100 figura publike bëjnë thirrje të bllokohet ekstradimin e aktivistit propalestinez

SPANJË- Më shumë se 100 aktorë, muzikantë, shkrimtarë, akademikë dhe aktivistë i kanë bërë thirrje Spanjës të refuzojë kërkesën e SHBA-së për ekstradimin e milionerit amerikan dhe aktivistit propalestinez James “Fergie” Chambers, duke e cilësuar çështjen kundër tij si “persekutim politik”.

Aktorët Richard Gere, Carlos Bardem dhe Cynthia Nixon, aktivistet Angela Davis dhe Greta Thunberg, si dhe muzikantët Brian Eno, Roger Waters dhe Thurston Moore janë mes nënshkruesve të peticionit.

41-vjeçari Chambers u arrestua në Ibiza më 10 korrik me kërkesë të autoriteteve amerikane dhe vazhdon të mbahet në paraburgim pa të drejtë lirimi me kusht në Spanjë, në pritje të një vendimi për ekstradimin e tij të mundshëm.

Deklarata e përbashkët akuzon administratën e presidentit Donald Trump se po e vë në shënjestër Chambersin për shkak të punës së tij humanitare dhe mbështetjes për palestinezët.

“Shteti spanjoll, ligjërisht, mund dhe duhet ta parandalojë këtë ekstradim dhe t’i ofrojë Fergiet mbrojtje ndërkombëtare përmes njohjes së të drejtës së tij për azil politik”, thuhet në deklaratë.

Në peticion thuhet se Chambers, ish-trashëgimtar i pasurisë së familjes Cox, ka dhuruar më shumë se 1 milion dollarë për projekte humanitare në Gaza, përfshirë 250.000 dollarë për Sameer Project për iniciativa të tilla si një furrë buke që ofron bukë falas, një impiant për shkripëzimin e ujit dhe një klinikë mjekësore në Jabalia.

Sipas peticionit, 100.000 dollarë të tjerë janë përdorur për mbështetje të shëndetit mendor dhe ndihmë psikosociale për fëmijët jetimë.

Sipas raportimeve të mediave, SHBA-ja kërkon ekstradimin e 41-vjeçarit lidhur me akuza që përfshijnë pastrim parash dhe mbështetje për organizata terroriste, megjithëse akuzat e sakta mbeten të paqarta pasi aktakuza amerikane është e vulosur.

Çështja thuhet se përqendrohet në pretendimet se ai ka pastruar 7,5 milionë dollarë të transferuara nga një llogari bankare amerikane në Tunizi, ku jetonte, dhe se i ka përdorur këto mjete për të mbështetur Hamasin.

Partnerja e Chambersit, regjisorja Stella Schnabel, i tha të përditshmes spanjolle El Pais se paratë në fjalë i kishin shkuar klubit tunizian të futbollit Club Africain për të shlyer borxhet dhe pagat e prapambetura, si dhe për të financuar infrastrukturën sportive. Avokati i tij, Baltasar Garzon, në një intervistë për The Guardian të publikuar të martën, tha se çështja është “shumë e çuditshme” dhe e përshkroi aktakuzën si “të dobët dhe të paqartë”.

“Është për t’u theksuar se ndihma humanitare dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut po kriminalizohen. Është një rast persekutimi dhe ata nuk do të jenë në gjendje të gjejnë as edhe një cent të drejtuar për akte terroriste apo të dhunshme”, tha Garzon.

  •  

Britani e Madhe, disa aeroporte përballen me sulme kibernetike

Aeroportet Manchester, London Stansted dhe East Midlands në Britani u goditën nga një sulm kibernetik që ekspozoi të dhënat e rreth 8,7 milionë klientëve, sipas një deklarate të enjten.

Manchester Airport Group (MAG), grupi më i madh i aeroporteve në Mbretërinë e Bashkuar, tha se ka qenë subjekt i një incidenti të sigurisë kibernetike nga një palë e tretë e paautorizuar.

“Është marrë një sasi e të dhënave të klientëve që kanë të bëjnë me rezervimet e parkimit të makinave, sallës së pritjes dhe ‘Fast Track‘ (kalimit të shpejtë) dhe regjistrimeve në WIFI në aeroport në aeroportet Manchester, Stansted dhe East Midlands,” tha një zëdhënës i grupit.

Të dhënat, duke përfshirë adresat e emailit, numrat e telefonit, regjistrimet e automjeteve dhe kodet postare, janë vjedhur në sulmin kibernetik.

Megjithatë, detajet bankare apo të pagesave të klientëve nuk janë kompromentuar, shtoi ai.

Incidenti nuk ka rezultuar me ndonjë ndërprerje operative në aeroporte, thuhet në njoftim, ku shtohet se kanë informuar dhe janë duke punuar me autoritetet përkatëse./abcnews.al

  •  

Ekspertiza zbardh dinamikën e aksidentit tragjik në Durrës: Makina lëvizte me 114 km/orë, drejtuesi nën efektin e alkoolit

DURRËS– Detaje të reja dalin nga ekspertiza për aksidentin tragjik në Durrës, ku humbi jetën çifti i sapomartuar Kleo Vrioni dhe Sara Brugentelli dhe një i mitur 15 vjeç.

Sipas konkluzioneve të ekspertëve, automjeti në momentet para aksidentit ka qenë duke lëvizur me një shpejtësi prej rreth 114 km/orë.

Nga rindërtimi i dinamikës së ngjarjes rezulton se, në momentin e marrjes së kthesës, drejtuesi ka humbur kontrollin mbi automjetin.

Fillimisht, goma e parë në krahun e pasagjerit ka goditur bordurën, duke bërë që automjeti të humbiste më tej stabilitetin.

Pas përplasjes me bordurën, makina është përmbysur dhe më pas ka shkuar zvarrë rreth 40 metra, deri në ndalimin e saj.

Një tjetër element i rëndësishëm i ekspertizës lidhet me gjendjen e drejtuesit. Analizat toksikologjike kanë konfirmuar se ai kishte konsumuar alkool.

Ndërkohë, dy të tjerë ndodhen në spitalin e Traumës në kryeqytet./abcnews.al

 

  •  

Përçahet “revolucioni i flamingove”/ Çupi: Ajo ishte dhunë që bëhet për interesin e xhepave të tyre

TIRANË- Përçahet “revolucioni i flamingove”. Të dielën, në bulevard para kryeministrisë, protesta u karakterizua nga sherri dhe përplasjet e forta.

Kjo përplasje ndodhi mes dy grupimeve që kanë dalë në shesh prej fillimit. Ata janë përplasur fizikisht mes tyre dhe ka qenë ndërhyrja e personave të tjerë që shmangu agravimin e situatës.

Analisti i njohur Frrok Çupi, u shpreh në “News Line” se skenat që panë qytetarët në bulevard nuk janë rastësore pasi ato ishin të pritshme.

Sipas tij, ajo ishte një dhunë jo për parime demokratike, por për interesin e xhepave të tyre. Ai theksoi se Prokuroria e Posaçme duhet të hetojë burimin që ushqen me para këtij grupime, të cilët kanë zaptuar bulevardin prej muajsh.

“Nuk ka qenë asgjë rastësore, ishte pritshme. Ajo ishte një dhunë e një lloji të caktuar. Kjo ishte dhunë për arsye të xhepave, për  ato para që vijnë, ata e dinë se nga vijnë. SPAK duhet ta zbulojmë se nga vijnë financat në atë protestë. Ata deshën të hanë njëri-tjetrin për arsye të disa parave.

Në protestë dhunë verbale dhe fizike si asnjëherë më parë. Jemi para një dhune potenciale. Aty është gati të shpërthejë një dhunë, që mund të mos ndalet. Nuk është zbatuar as ligji që të tregohen administratorët, që të mbajnë përgjegjësi”, tha ai.

Ai theksoi se protestusit kanë manifestuar sjellje antiperëndimore dhe se po dhunojnë të drejtat dhe imazhin e Shqipërisë.

“Bulevardi mund të nevojitet për qytetarët e lirë, duan të nxjerrin prindërit, fëmijët. Në këtë mënyrë dhunojnë të drejtat e Shqipërisë, por edhe marrëdhëniet me aleatët, si BE, SHBA dhe NATO, që mund të cenohen. Protestuesit sjellje antiperëndimiore, kanë shkelur ligjin. Është për të ardhur keq ajo që ndodh  në bulevard”, pohoi ai./abcnews.al

  •  

I vidhnin në Gjermani, i shisnin në Shqipëri/ Goditet grupi, sekuestrohen tre automjete me vlerë 450 mijë euro

Tre automjete luksoze, me vlerë rreth 450 mijë euro, të dyshuara të vjedhura në Gjermani, janë sekuestruar në Shqipëri.

Policia ka proceduar penalisht 3 persona, të cilët u kapën duke drejtuar automjetet, ndërsa 2 të tjerë janë shpallur në kërkim, pasi dyshohen se kanë trafikuar makinat në Shqipëri me qëllim shitjen.

Në total u sekuestruan:

1 Mercedes-Benz G-Class 63 AMG, me vlerë rreth 200 mijë euro;

1 Mercedes-Benz GT 63 AMG, me vlerë rreth 150 mijë euro;

1 Mercedes-Benz S-Class 580e, me vlerë rreth 100 mijë euro.

Sipas hetimeve, automjetet dyshohet se janë vjedhur në Gjermani dhe më pas janë trafikuar drejt Shqipërisë. Policia vijon hetimet për kapjen e dy personave në kërkim, dokumentimin e plotë të aktivitetit të dyshuar kriminal dhe identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë.

 

  •  

Alarmi mjedisor: Ndryshimi i klimës i shkaktuar nga njeriu shkakton ngrohje të paprecedentë të deteve

Temperaturat ekstreme të detit të regjistruara në Evropë gjatë korrikut do të kishin qenë pothuajse të pamundura pa ndryshimet klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor, thuhet në një studim të publikuar të mërkurën.

Studiuesit e “World Weather Attribution” (WWA) kanë analizuar Detin Kelt, Gjirin e Biskajës dhe Gadishullin Iberik, si dhe Mesdheun perëndimor dhe lindor.

Korriku shënoi temperaturat më të larta të sipërfaqes së deteve në botë të regjistruara ndonjëherë për këtë muaj, ndërsa nivele rekord u matën përgjatë bregdetit atlantik të Evropës dhe në Mesdheun perëndimor. Temperaturat e ujërave të Mesdheut ishin deri në 6 gradë Celsius mbi normalen në qershor.

Vëzhgimet treguan se temperaturat u rritën me 1,2 gradë Celsius në rajonin e Detit Kelt, 1,5 gradë Celsius në zonën e Gjirit të Biskajës dhe Gadishullit Iberik, 3,1 gradë Celsius në Mesdheun perëndimor dhe 2,6 gradë Celsius në Mesdheun lindor.

Duke kombinuar vëzhgimet me modelet klimatike, studiuesit ia atribuuan rreth 2 gradë Celsius të ngrohjes në rajonet e Mesdheut ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njerëzit. Rritja që u atribuohet ndryshimeve klimatike u vlerësua në 1,4 gradë Celsius në zonën e Gjirit të Biskajës dhe Gadishullit Iberik dhe 1,3 gradë Celsius në rajonin e Detit Kelt.

Në rajonin e Detit Kelt, ndryshimet klimatike e kanë bërë këtë fenomen rreth 30 herë më të mundshëm. Studimi gjeti se temperaturat e vëzhguara në tri rajonet e tjera do të kishin qenë pothuajse të pamundura në një klimë 1,4 gradë Celsius më të ftohtë.

Nëse temperaturat globale arrijnë 2,8 gradë Celsius mbi nivelet paraindustriale deri në fund të shekullit, fenomene të ngjashme me ato të vërejtura në vitin 2026 mund të jenë edhe 1,3 deri në 1,9 gradë Celsius më të nxehta.

WWA-ja paralajmëroi se valët e të nxehtit detar mund të shkaktojnë ngordhje masive të koraleve, sfungjerëve dhe makroalgave, duke prishur zinxhirët ushqimorë dhe duke ndikuar te peshqit, shpendët detarë dhe gjitarët detarë.

Ujërat më të ngrohta mund të detyrojnë gjithashtu specie të zhvendosen drejt veriut, të ndryshojnë peshkimin dhe akuakulturën, të rrisin lagështinë dhe stresin termik në zonat bregdetare, si dhe të shtojnë rrezikun e sëmundjeve të transmetuara përmes ujit dhe mbylljeve të plazheve për shkak të kandilave të detit.

Studiuesit thanë se masat përshtatëse mund të rrisin qëndrueshmërinë, por nuk mund të neutralizojnë plotësisht pasojat ekologjike të ngrohjes së vazhdueshme të oqeaneve, duke theksuar nevojën për një kalim të shpejtë nga lëndët djegëse fosile.

  •  

Dy të plagosurit e aksidentit, te Trauma/ 16-vjeçari në gjendje të rëndë shëndetësore

TIRANË- Një çift bashkëshortësh, të identifikuar si Kleo Vrioni dhe Sara Brugentelli dhe një i mitur 15 vjeç humbën jetën si pasojë e një aksidentit në orët para të mëngjesit në Manëz të Durrësit.

Makina me të cilën ata po lëviznin doli nga rruga dhe u përplas me bordurat anësore, përplasje e cila rezultoi fatale për ta, ndërsa dy të tjerë kanë marrë plagë të shumta në trup.

Gazetarja e ABC News, Xhoana Çallaku raporton se dy të lënduarit po marrin trajtim mjekësor në Spitalin e Traumës, në kryeqytet.

Sipas bluzave të bardha, 16-vjeçari ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, kurse i lënduari i dytë është në gjendje stabël, por megjithatë po vijon të mbahen nën mbikëqyrjen e mjekëve.

Mbrëmjen e kaluar, çifti, së bashku me tre personat e tjerë që ndodheshin në makinë, kishin qenë në një lokal nate në zonën e Maminasit. Pas largimit nga lokali, ata janë nisur në drejtim të banesës së tyre në Katund të Ri.

/abcnews.al

  •  

Indi, nëntë persona humbin jetën nga zjarri në një hotel

Nëntë persona humbën jetën dhe disa të tjerë u plagosën pasi një zjarr shpërtheu në një hotel në Kolkata, kryeqyteti i shtetit lindor indian të Bengalit Perëndimor.

Sipas raportimeve lokale, zjarri bllokoi njerëzit brenda ndërtesës.

Nëntë persona kanë humbur jetën dhe numri i viktimave mund të rritet, citoi “Press Trust of India” një zyrtar të lartë.

Pas raportimit të zjarrit, u nis një operacion i gjerë shpëtimi, thanë zyrtarët.

  •  

Aksident tragjik në Durrës/ Tre persona humbin jetën, dy të tjerë të lënduar

DURRËS- Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në rrugën dytësore në Manzë, ku tre persona kanë humbur jetën dhe dy të tjerë janë plagosur.

Sipas të dhënave paraprake, një 25 vjeçar, duke drejtuar automjetin, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe është përplasur me një bordurë betoni.

Si pasojë e përplasjes kanë humbur jetën drejtuesi i automjetit Kleo Vrioni, si dhe dy pasagjerët, 26 vjeçarja Sara Brugentelli
dhe një i mitur 15 vjeç.

Ndërkohë, dy pasagjerët që mbetën të lënduar janë nisur drejt Tiranës për të marrë ndihmë mjekësore. Gjendja shëndetësore e 16-vjeçarit të lënduar raportohet e rëndë.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën për dokumentimin e plotë të aksidentit dhe përcaktimin e shkaqeve dhe rrethanave të tij./abcnews.al

  •  

Franca do të dëbojë dy diplomatë iranianë

Ministri i Jashtëm francez tha të martën se dy diplomatë iranianë do të dëbohen nga Franca në ditët në vijim, si kundërpërgjigje ndaj asaj që ai e cilësoi si “sulm të qëllimshëm” ndaj dy diplomatëve francezë në Iran muajin e kaluar.

“Dy diplomatë iranianë në Francë do të dëbohen në ditët në vijim”, shkroi Jean-Noel Barrot në rrjetin social amerikan X.

Ministri tha se dy diplomatët francezë ishin “sulmuar në mënyrë skandaloze dhe të qëllimshme” më 19 korrik, duke përsëritur se kishte njoftuar se ky “akt i patolerueshëm” do të pasohej nga pasoja.

Më 19 korrik, Irani “arrestoi brutalisht” dy diplomatë francezë, sipas Parisit, për aktivitete të pretenduara të kryera “nën mbulesën e një misioni diplomatik dhe ambasadës”. Irani argumentoi se aktivitetet nuk ishin të justifikuara sipas Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike të vitit 1961.

BE-ja, si dhe Franca, dënuan sulmin e pretenduar të Teheranit ndaj diplomatëve francezë.

Më vonë, Irani i ndaloi diplomatët për një komplot të “ndikimit dhe ndërhyrjes së huaj” që synonte “pavarësinë” e vendit.

  •  
❌