Reading view

Të paktën 14 të vrarë, disa të plagosur pas një sulmi vetëvrasës në veriperëndim të vendit

Të paktën 14 persona, mes tyre pesë policë, u vranë dhe 18 të tjerë u plagosën sot në një sulm vetëvrasës gjatë një tubimi publik në veriperëndim të Pakistanit, në mes të një vale të re dhune që ka përfshirë vendin.

Shpërthimi ndodhi në zonën Kabal, në luginën Swat të provincës Khyber Pakhtunkhwa, përpara një stacioni policie, ku qindra njerëz ishin mbledhur për të protestuar kundër rritjes së aktivitetit militant në rajon.

Zëdhënësi i shërbimit provincial të emergjencës, Bilal Faizai, tha se mes viktimave ndodhen pesë efektivë policie, ndërsa të paktën 18 persona kanë mbetur të plagosur.

Pamjet dhe videot e publikuara në rrjetet sociale tregojnë se një folës po mbante fjalimin e tij kur ndodhi shpërthimi i fuqishëm, duke shkaktuar panik mes pjesëmarrësve.

Sipas një zyrtari lokal të policisë, autori i sulmit hodhi veten në erë pasi iu kërkua t’i nënshtrohej një kontrolli sigurie përpara stacionit të policisë.

Deri tani, asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin.

Presidenti i Pakistanit, Asif Ali Zardari, dhe kryeministri Shehbaz Sharif e dënuan ashpër atentatin.

Në një deklaratë, Zardari tha se “terroristët nuk do të kenë kurrë sukses në përpjekjet e tyre të liga për të dëmtuar paqen, unitetin kombëtar dhe autoritetin e shtetit”.

Lugina e Swatit ishte nën kontrollin e talebanëve nga viti 2007 deri në vitin 2009, përpara se ata të dëboheshin nga një ofensivë ushtarake.

  •  

E rëndë në plazhin e Pishporos, 49-vjeçari humb jetën pasi dyshohet se pësoi arrest kardiak në det

Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e së dielës në plazhin e Pishporos, në Fier, ku një 49-vjeçar ka humbur jetën pasi dyshohet se ka pësuar arrest kardiak sapo është futur në det.

Viktima është identifikuar si Durim Dogani, 49 vjeç.

Sipas informacioneve paraprake, menjëherë pas hyrjes në ujë, 49-vjeçari ka shfaqur probleme shëndetësore, ndërsa dyshohet se ka pësuar arrest kardiak.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e ambulancës dhe të Policisë, të cilat e transportuan me shenja jete drejt Spitalit Rajonal të Fierit. Megjithatë, pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, ai nuk ka mundur të mbijetojë.

Policia po kryen veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa shkaku paraprak i vdekjes dyshohet të ketë qenë arresti kardiak.

  •  

VIDEO/ Greqia në flakë, zjarr në shumë fronte! Si ndodhi përplasja e dy helikopterëve zjarrfikës në ajër, çfarë dyshojnë ekspertët

Situata vijon të jetë e vështirë në disa fronte zjarresh në Greqi, veçanërisht në Atikën Perëndimore, Beoti dhe Kefaloni, ku erërat e ndryshueshme po shkaktojnë rishfaqje të vazhdueshme të vatrave të zjarrit.

Autoritetet greke vijojnë operacionet për kontrollin e flakëve, ndërsa kushtet atmosferike po e bëjnë më të vështirë ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse. Erërat e forta dhe të paqëndrueshme po favorizojnë përhapjen e zjarreve dhe krijimin e vatrave të reja.

Gjatë operacioneve për shuarjen e zjarreve, dy anëtarë të ekuipazhit të një helikopteri humbën jetën pas një përplasjeje gjatë ndërhyrjes ajrore. Autoritetet greke kanë shprehur ngushëllimet për familjarët e viktimave.

Një vlerësim i parë teknik për përplasjen e dy helikopterëve zjarrfikës në zonën e Psatha-s në Greqi është bërë nga inxhinieri aeronautik dhe hetuesi i aksidenteve ajrore, Phaedon Karaiosifidis.

Në një intervistë për median greke, ai theksoi se bëhet fjalë vetëm për një analizë paraprake, bazuar në informacionet e deritanishme dhe pamjet filmike të publikuara nga momenti i aksidentit. Sipas tij, përfundimet përfundimtare mund të dalin vetëm pas përfundimit të hetimit zyrtar.

Në pamje shihet edhe momenti fatal i përplasjes së dy helikopterëve zjarrfikës, ndërsa dy persona humbën jetën dhe dy u plagosën.

Dy helikopterët Bell 214ST, të marrë me qira nga kompania australiane McDermott Aviation, ishin duke operuar në formacion gjatë operacionit për shuarjen e zjarrit. Karaiosifidis shpjegoi se misionet ajrore kundër zjarreve zhvillohen me procedura të rrepta koordinimi, ku një helikopter drejtues organizon lëvizjet e mjeteve ajrore në zonën e ndërhyrjes.

“Operacionet ajrore të shuarjes së zjarreve kryhen me koordinim të rreptë. Mjetet ajrore operojnë në formacione dhe secili formacion ka drejtuesin e tij, i cili jep udhëzimet përfundimtare për afrimin dhe sulmin”, tha ai.

Duke analizuar pamjet e publikuara, eksperti tha se duket se helikopteri i dytë është përplasur me atë të parin.

“Nga ajo që mund të shihet në video, edhe pse nuk mund të japë një përfundim të sigurt, helikopteri i dytë duket se është përplasur me të parin, i cili ishte udhëheqësi i formacionit”, u shpreh Karaiosifidis.

Sipas tij, pyetja kryesore e hetimit nuk është vetëm momenti i përplasjes, por arsyeja se përse dy helikopterët ndodheshin kaq pranë njëri-tjetrit.

“Pika delikate është pse dy helikopterët ishin kaq afër. Pse u nda formacioni? Pse helikopteri i dytë dukej se kishte një shkallë më të lartë zbritjeje dhe iu afrua të parit? Këto janë pyetjet që duhet të marrin përgjigje”, tha ai.

Eksperti nuk përjashtoi asnjë skenar, duke përmendur mundësinë e ndikimit të kushteve atmosferike, erërave anësore, problemeve mekanike apo faktorit njerëzor.

“Nuk mund të hetohet nga distanca dhe me të dhënat që kemi sot. Të gjithë skenarët mbeten të hapur”, theksoi ai.

Ndërkohë, sipas tij, helikopteri i dytë, megjithëse pësoi dëmtime të rënda, ruajti aftësinë për të fluturuar dhe kjo i lejoi pilotit të kryente një ulje emergjente.

/abcnews.al/

  •  

VIDEO/ Shkeli perimetrin e sigurisë dhe rrezikoi pushuesit, gjobitet drejtuesi i mjetit lundrues në Ksamil

Një drejtues mjeti lundrues është ndëshkuar me 500 mijë lekë të rinj gjobë pasi ka shkelur perimetrin e sigurisë në zonën e plazhit në Ksamil, duke rrezikuar pushuesit.

Ngjarja u konstatua gjatë kontrolleve të Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare në vijën bregdetare, me qëllim garantimin e sigurisë së pushuesve dhe respektimin e rregullave të lundrimit.

Sipas Policisë, gjatë patrullimit në sektorin detar të Ishujve të Ksamilit, pranë “Plazhit Publik”, shërbimet konstatuan një mjet lundrues tip gomone që kishte hyrë brenda perimetrit të përcaktuar të sigurisë.

Për shkak të rrezikut të krijuar për pushuesit që ndodheshin në plazh, autoritetet ndërhynë duke bllokuar mjetin lundrues.

Në përfundim të procedurave administrative, drejtuesi i mjetit, shtetasi me inicialet A. B., u ndëshkua me masë administrative në vlerën 500 000 lekë të rinj.

Policia e Shtetit u ka bërë thirrje të gjithë përdoruesve të mjeteve lundruese dhe subjekteve që operojnë me to që të respektojnë perimetrat e sigurisë dhe rregullat e lundrimit për të shmangur rrezikimin e jetës së pushuesve.

  •  

Reforma territoriale, avokati Petraj: Dëgjesat me qytetarët janë të domosdoshme, jo çdo bashki e meriton statusin aktual

Avokati Edmond Petraj ka komentuar reformën territoriale dhe propozimet për riorganizimin e bashkive, duke theksuar se procesi duhet të shoqërohet me konsultime të gjera me qytetarët.

Në një intervistë në  “Newsroom” në ABC News, Petraj tha se reagimet e krijuara pas diskutimeve për reformën i kanë shërbyer Partisë Socialiste, pasi kanë nxitur debatin publik.

“Sipas meje, reagimi që ndodhi i bëri më shumë nder PS-së. Marrëdhëniet për të cilat foli Rama, që të gjithë do të dëgjohen, demokracia tregohet duke dëgjuar dhe reflektuar atë që thonë qytetarët”, u shpreh ai.

Avokati kërkoi që të bëhen të qarta kriteret mbi të cilat do të vendoset për bashkitë që do të shkrihen apo bashkohen.

“Duhet parë se ku janë bazuar për shkrirjen e një bashkie. Po ashtu, për pjesën që thonë se e kemi detyrim ndaj BE-së, mendoj se kjo nuk duhet të përdoret si argument”, deklaroi Petraj.

Sipas tij, deklaratat për riorganizimin territorial duhet të shoqërohen me dëgjesa me komunitetet lokale, pasi prekja e këtyre çështjeve lidhet edhe me elementë emocionalë për banorët.

“Tek pjesa për të cilën Rama e preku me teza, mund të thuhet se ka edhe një pjesë emocionale, pasi duhet të bëhen dëgjesa me qytetarët”, tha ai.

Petraj shtoi gjithashtu se në vend ka edhe bashki të tjera që, sipas tij, nuk e justifikojnë vazhdimin e funksionimit si njësi më vete, edhe pse nuk janë pjesë e propozimeve aktuale për t’u bashkuar.

“Ka edhe bashki të tjera, ndryshe nga ato që janë propozuar të shkrihen, që sipas meje nuk e meritojnë të jenë bashki”, përfundoi avokati.

/abcnews.al/

  •  

Debati mbi 46 bashkitë/ Elezi: Do të ketë një konsultim publik në të gjitha bashkitë

Deputeti i Partisë Socialiste, Ermal Elezi, ka folur për reformën territoriale dhe propozimin e PS-së për riorganizimin e njësive vendore.

Në një intervistë për emisionin “Newsroom” në ABC News, Elezi tha se diskutimet për këtë reformë vijojnë dhe se ende nuk ka një vendim përfundimtar.

Ai theksoi se ndryshimet e propozuara nuk prekin afrimin e shërbimeve me qytetarët, ndërsa një nga synimet është rritja e kapaciteteve të bashkive për të përballuar projekte më komplekse.

Elezi nënvizoi se propozimi është ende në fazën e diskutimit dhe nuk është marrë një vendim përfundimtar. Ai tha se modeli i propozuar synon të ruajë njësitë administrative, duke garantuar afërsinë me qytetarin, por duke rritur kapacitetet e administratave vendore.

“Bashkitë e mëdha, duke ruajtur njësitë administrative, mund të prevalojnë interesin për të qenë më afër qytetarit. Por kjo nuk është diçka që ezaurohet dhe mbyllet këtu, ka ende kohë për diskutim”, tha ai.

Deputeti i PS-së kritikoi gjithashtu kapacitetet e disa bashkive të vogla, duke argumentuar se ato kanë kosto më të larta administrative dhe vështirësi në ofrimin e shërbimeve.

“BE nuk ka rekomandim për numër bashkish. Ajo që ne themi është që ka një nevojë për shkak të kompleksitetit të projekteve që ne duhet të jemi në gjendje për të përthithur nga programe të BE dhe këto janë komplekse pasi shumë bashki nuk janë në gjendje t’i përthithin. Por duhet thënë se është bërë propozim nuk është marrë vendim.

Në rast se marrim qendra të bashkive të vogla që nuk janë në gjendje të kenë kapacitet të specializuar, por bashkitë e gola duke ruajtur njësitë administrative prevalon interesi për të qenë më afër qytetarit. Por kjo nuk është diçka që ezaurohet dhe mbyllet këtu, ka ende kohë për diskutim. Por Bashkitë e vogla kanë trefishin e numrit të stafit për banorë…Ka bashki që bëjnë shumë , domethënë aq sa të ndjehen ndikimi te qytetarët. Bashkitë e vogla nuk kanë kapacitete të ofrojnë shërbime”, tha ai.

/abcnews.al/

  •  

VIDEO/ Tragjedia në Indonezi, anija u përfshi nga flakët, të paktën 5 viktima

Të paktën pesë persona kanë humbur jetën dhe 41 të tjerë rezultojnë të zhdukur pasi një zjarr përfshiu një anije pranë ishullit Madura, në Indonezi.

Sipas autoriteteve indoneziane të kërkim-shpëtimit, në bordin e tragetit ndodheshin gjithsej 271 persona, përfshirë pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit. Deri më tani janë shpëtuar 225 persona, ndërsa operacioni për gjetjen e të zhdukurve vijon.

Trageti ishte nisur nga qyteti Surabaya, në provincën Java Lindore, me destinacion Makassarin në provincën Sulawesi Jugor, kur në bord shpërtheu zjarri ndërsa lundronte pranë ishullit Madura.

 

🔴 BREAKING: At least 5 people are dead and 41 missing after a ferry caught fire off Indonesia’s Madura Island. pic.twitter.com/DP0ZFh2ohQ

— Planet Report HQ (@PlanetReportHQ) August 2, 2026

Shkaqet e zjarrit nuk janë bërë ende të ditura. Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes, ndërsa ekipet e emergjencës vazhdojnë kërkimet në zonën detare për personat që rezultojnë ende të zhdukur.

  •  

BE mbledh ministrat e Brendshëm pas krizës në Ceuta

Bashkimi Evropian do të zhvillojë të martën, më 4 gusht, një takim urgjent të ministrave të Brendshëm, pas mbërritjes së mbi 50 mijë emigrantëve në enklavën spanjolle të Ceutës dhe mosmarrëveshjeve që kjo situatë ka shkaktuar mes vendeve anëtare.

Vendimi për mbledhjen u mor unanimisht gjatë një takimi të zhvilluar të shtunën mes përfaqësuesve të shteteve anëtare dhe ekspertëve të agjencisë evropiane të kufijve, Frontex. Qëllimi i takimit është gjetja e një qasjeje të përbashkët për menaxhimin e migracionit dhe forcimin e kufijve të jashtëm të BE-së.

Njëzet e dy shtete anëtare kanë firmosur një letër të përbashkët ku kërkojnë veprim të koordinuar, pas hyrjes së dhjetëra mijëra emigrantëve në Ceuta nga Maroku. Sipas autoriteteve spanjolle, të paktën 67 persona kanë humbur jetën gjatë përpjekjes për të kaluar kufirin, ndërsa shumë të tjerë u plagosën.

Ndërkohë, Spanja njoftoi se kalimet e emigrantëve janë ndalur pas vendosjes së një barriere lundruese 500 metra të gjatë në kufirin me Marokun. Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez reagoi ashpër ndaj kritikave, duke akuzuar për përhapje të dezinformatave dhe duke theksuar se shumica e emigrantëve janë kthyer tashmë në Marok pas ndërhyrjes së autoriteteve.

Megjithatë, përplasjet politike brenda Bashkimit Evropian vazhdojnë. Italia dhe Danimarka, të mbështetura nga Polonia dhe Suedia, kritikuan mënyrën se si Spanja menaxhoi situatën në Ceuta.

Ceuta ka qenë prej vitesh një nga pikat kryesore të hyrjes së emigrantëve drejt Evropës. Në vitin 2021, rreth 8 mijë persona hynë në enklavë brenda pak ditësh, duke shkaktuar tensione diplomatike mes Spanjës dhe Marokut.

Takimi i ministrave të Brendshëm pritet të jetë vendimtar për mënyrën se si Bashkimi Evropian do t’i përgjigjet krizës së fundit migratore dhe për masat që do të ndërmerren për menaxhimin e kufijve të jashtëm të bllokut.

  •  

Dhërmi/ I dha “Jet Ski” një 12-vjeçari, gjobitet pronari dhe bllokohet mjeti lundrues

Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare kanë ndëshkuar me gjobë një pronar mjeti lundrues në Dhërmi, pasi kishte lejuar një 12-vjeçar të drejtonte një Jet Ski.

Gjatë kontrolleve për garantimin e rendit dhe sigurisë në hapësirat detare, shërbimet e Policisë konstatuan përballë plazhit të Dhërmiut një mjet lundrues tip Jet Ski, që drejtohej nga një i mitur 12-vjeçar.

Pas ndalimit të mjetit dhe verifikimeve të kryera, rezultoi se drejtuesi ishte i mitur, ndërsa Jet Ski nuk kishte në bord dokumentacionin e detyrueshëm.

Për këto shkelje, pronari i mjetit, shtetasi me iniciale M. Xh., u ndëshkua me masë administrative prej 10 mijë lekësh të rinj, ndërsa mjeti lundrues u bllokua.

Policia Kufitare u bën apel qytetarëve dhe subjekteve që japin me qira mjete lundruese të mos ua besojnë ato të miturve ose personave që nuk plotësojnë kushtet ligjore për drejtimin e tyre, pasi kjo përbën rrezik për jetën e tyre dhe për sigurinë e pushuesve.

Autoritetet bëjnë me dije se kontrollet do të vijojnë përgjatë gjithë vijës bregdetare, me synim garantimin e sigurisë në det dhe respektimin e rregullave të lundrimit.

  •  

VIDEO/ Pamje tragjike! Dyshohet për dy viktima nga përplasja e dy helikopterëve zjarrfikës gjatë shuarjes së flakëve në Greqi

Dy helikopterë që merrnin pjesë në operacionin për shuarjen e zjarreve pyjore në zonën e Psathas, në Greqi, u përplasën në ajër gjatë ndërhyrjes.

Pas aksidentit, autoritetet greke mobilizuan menjëherë forcat e kërkim-shpëtimit për ekuipazhet e dy helikopterëve.

Sipas informacioneve paraprake, dy persona kanë mbetur të plagosur, ndërsa raportohet edhe për dy viktima. Mediat greke bëjnë me dije se viktimat janë një shtetas grek dhe një shtetas rumun.

Deri më tani nuk ka indicie që përplasja të ketë ardhur si pasojë e një defekti teknik.

Autoritetet pritet të japin më shumë detaje pasi të përfundojnë hetimet dhe operacioni i kërkim-shpëtimit.

  •  

VIDEO/ Përplasen dy helikopterë zjarrfikës gjatë operacionit për shuarjen e flakëve në Greqi

Dy helikopterë zjarrfikës u përplasën në ajër ndërsa ishin të angazhuar në operacionet për shuarjen e zjarrit në zonën e Psathas, në Greqi.

Sipas informacioneve paraprake, helikopterët ishin ngritur nga aeroporti ushtarak i Elefsinës për të ndërhyrë në vatrat e zjarrit.

Në të dy mjetet ajrore, pilotët ishin me origjinë rumune, ndërsa koordinatorët ishin grekë. Helikopterët ishin marrë me qira nga Departamenti i Zjarrfikësve dhe secili prej tyre kishte një ekuipazh prej dy personash.

Menjëherë pas incidentit, në vendngjarje u dërguan katër autoambulanca të EKAB-it dhe një njësi mjekësore e lëvizshme për t’u ardhur në ndihmë të lënduarve. Ndërkohë, autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e përplasjes.

View this post on Instagram

 

A post shared by ABC News Albania (@abcnewsal)

  •  

Ministri i Jashtëm gjerman: Mbrojtja e kufijve të jashtëm, prioritet absolut për BE

Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, i bëri thirrje Komisionit Evropian që mbrojtjen e kufijve të jashtëm të Bashkimit Evropian ta vendosë si një “prioritet absolut”, pas mbërritjes së dhjetëra mijëra emigrantëve në enklavën spanjolle të Ceutës nga Maroku.

“Në Ceuta, gjatë ditëve të fundit, u përballëm me një provë të jashtëzakonshme, të cilën e kaluam me sukses”, deklaroi Wadephul për gazetën “Bild”, duke theksuar se ngjarjet treguan gjithashtu dobësitë e Evropës.

“Prandaj pres që Komisioni Evropian ta bëjë mbrojtjen e kufijve të jashtëm një prioritet absolut, në mënyrë që të mos rrezikohet më tej sistemi Shengen, i cili garanton lëvizjen e lirë brenda BE-së”, u shpreh ai.

Sipas ministrit gjerman, një politikë efektive migracioni varet nga bashkëpunimi me vendet jashtë Evropës.

“Për të kontrolluar emigracionin e paligjshëm, na duhen partnerë jashtë Evropës, si në këtë rast Maroku”, tha Wadephul, duke vlerësuar bashkëpunimin mes Spanjës dhe Marokut për zgjidhjen e shpejtë të krizës.

Sipas të dhënave, 50 000 deri në 60 000 persona mbërritën në Ceuta nga Maroku brenda një periudhe shumë të shkurtër, ndërsa të paktën 67 persona humbën jetën gjatë përpjekjes për ta kaluar kufirin.

  •  

Harta e re, Rama: Të gjithë do dëgjohen!/ Polemikat për territorialen, kryeministri: Debati është i mirëpritur

Reagon për herë të parë kryeministri Edi Rama mbi ndarjen e re territoriale me 46 bashki dhe debatet që po bëhen këto ditë mbi të. Sipas Ramës, debatet janë normale, por ai përjashton rastin e Poliçanit, ku pati protestë edhe me djegien e teserave të PS.

“Përjashto aktin e turpshëm të djegies së teserave të PS në një rast, nga disa individë që as vetë s’kanë ditur tamam ç’kanë bërë apo ndonjë rast kur deputetë tanët kanë bërë ‘tribunin e vegjëlisë’ pa ditur tamam çfarë thonë, gjithçka tjetër është jo vetëm normale, po edhe e mirëseardhur.”, shprehet Rama.

Pas propozimit që u bë të enjten, tani është momenti kur secili duhet të shprehet mbi draftin e PS. Për këtë janë 60 ditë konsultimi, siç ligji e parashikon.

“Sepse sipas ligjit, kryetarët e bashkive dhe këshillat bashkiakë duhet të shprehen me shkrim për qëndrimet e tyre dhe është krejt e kuptueshme që ata që janë kundër të shprehen edhe me forma të tjera paqësore – për sa kohë nuk bllokojnë rrugë e nuk pengojnë të tjerët të bëjnë jetën e tyre, duke u futur vetë në konflikt me ligjin dhe me PS bashkë.”, thotë ai.

Projekti i PS që parashikon shkrirjen e 15 bashkive, duke i konsoliduar me bashki të tjera, do të rikthehet në vjeshtë në diskutime në Parlament.

“Tre, sepse as në Shqipëri nuk ka regjim, as në PS nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë vendim për të shkurajuar askënd që të shprehë opinionin e vet për këtë reformë, për të cilën sigurisht do të vendosë Parlamenti, por deri atëherë të gjithë do të dëgjohen, përfshirë edhe bashkitë që mund të duan të integrojnë te vetja bashki më të vogla që në propozimin aktual mbeten siç janë.”, shkruan kryeministri.

Përgjatë ditëve në vijim, Rama thotë se të gjithë, sidomos ata që preken nga ndryshimet, do të informohen lidhur me arsyet që kanë çuar në propozimin tashmë të bërë.

“Të gjithë do të informohen shumë më tepër përgjatë këtyre 60 ditëve lidhur me arsyet logjike të propozimeve, ku nuk ka pasur si të merren parasysh reputacioni i zonës bashkiake që nga koha e antikitetit, numri i të rënëve në luftërat e 2000 vjetëve të fundit apo të tjera të dhëna e gojëdhëna të kësaj natyre, të cilat s’kanë qenë dhe s’mund të jenë fare argumente në këtë debat.”, thekson Rama.

Diskutimet mbi propozimin e PS do të vijojnë edhe gjatë javëve në vijim. Për draftin do të vendosë Parlamenti, pas konsultimeve që do të zhvillohen. Për miratimin e tij nevojiten 84 vota.

  •  

“Smart City” do parandalojë aksidentet”/ Lamallari: Përplasjet e mjeteve, shkaktari kryesor i vdekjeve

Aksidentet rrugore vijojnë të jenë një ndër shkaqet kryesore të humbjes së jetëve njerëzore, pavarësisht se vitet e fundit është shënuar një tendencë në rënie e numrit të tyre.

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, përmes një reagimi publik, beri apel për më shumë ndërgjegjësim dhe përgjegjësi nga të gjithë përdoruesit e rrugës, duke theksuar se respektimi i rregullave të qarkullimit mbetet faktor vendimtar në parandalimin e aksidenteve.

Sipas Lamallarit, kontrollet në akset rrugore vijojnë të jenë intensive, ndërsa Policia e Shtetit po përdor mjete moderne monitorimi, përfshirë makinat inteligjente, radarët dhe dronët, për evidentimin e shkeljeve që rrezikojnë jetën e drejtuesve të mjeteve dhe këmbësorëve.

Ministri thote se ndërgjegjësimi i drejtuesve të automjeteve, respektimi i kufijve të shpejtësisë dhe shmangia e drejtimit në kushte të rrezikshme janë elementë thelbësorë për rritjen e sigurisë në rrugë.

Ndërkohë, Lamallari ka bërë të ditur se së shpejti pritet të vihet në funksion projekti “Smart City”, i cili sipas tij do të sjellë një standard të ri monitorimi për sigurinë rrugore dhe do të ndihmojë në parandalimin e shkeljeve.

/abcnews.al/

  •  

A mund ta përjashtojë BE Spanjën nga zona Schengen për shkak të krizës në Ceuta?

Ndërsa rreth 60,000 emigrantë hynë në mënyrë të parregullt në enklavën spanjolle të Ceutës, disa vende të BE-së po kërkojnë që Spanja të përjashtohet përkohësisht nga zona e lëvizjes së lirë Shengen, një masë e fundit që mund të përdoret vetëm në rrethana të jashtëzakonshme.

Rritja më e madhe e mbërritjeve të parregullta të regjistruara ndonjëherë në territorin e BE-së brenda një dite të vetme shkaktoi shqetësime midis qeverive evropiane, pavarësisht faktit se Ceuta ndodhet në kontinentin afrikan, duke u ofruar emigrantëve një rrugë të lehtë për në Evropën kontinentale.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ishte e para që e ngriti mundësinë të enjten, duke njoftuar “masa të jashtëzakonshme” për të mbrojtur kufijtë e Italisë.

Italia më pas rivendosi kontrollet kufitare ajrore dhe detare me Spanjën të premten, pas një takimi të kryesuar nga Ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi.

Ministrja e Brendshme finlandeze Mari Rantanen mbështeti kërkesën e Italisë, duke u bërë thirrje vendeve të tjera evropiane të ndjekin shembullin, dhe kryeministrja e Danimarkës Mette Frederiksen sugjeroi që të shqyrtohet ky opsion. Thirrja u mbështet edhe nga figura kryesore të qendrës së djathtë në të gjithë Evropën.

A mund të pezullohet Spanja nga Shengeni?

Sipas Kodit të Kufijve të Shengenit , BE-ja mund të rekomandojë pezullimin e pjesëmarrjes së një vendi në Shengen si masë të fundit, që do të përdoret vetëm në rastet e “mangësive serioze të vazhdueshme që lidhen me kontrollin e kufijve të jashtëm”.

Në një rast të tillë, Komisioni Evropian do të duhet të propozojë pezullimin, i cili më pas do të duhet të miratohet nga shtetet e tjera anëtare të BE-së.

Vendit përkatës do t’i rekomandohet më pas të rivendosë kontrollet në kufijtë e tij të brendshëm me shtetet e tjera anëtare.

Nuk ka asnjë indikacion se kjo procedurë do të ndodhë së shpejti.

“Ka vlerësime të rregullta dhe në rast se zbulohen mangësi serioze në pikën e kalimit kufitar, ne lëshojmë një raport i cili më pas diskutohet së pari me shtetin anëtar të përfshirë”, tha një zyrtar i BE-së, pa spekulime të mëtejshme.

Komisioni sinjalizoi gjithashtu se rregulla të veçanta zbatohen për enklavat spanjolle të Ceutës dhe Melillës sipas sistemit Shengen, të cilat i bëjnë ato de facto territore të jashtme kur bëhet fjalë për lëvizjen e lirë.

“Tashmë ka kontroll kufitar midis Ceutës dhe Melillës dhe pjesës tjetër të zonës Shengen”, tha një zyrtar i BE-së.

Çdo vend i BE-së mund të rivendosë përkohësisht kontrollet në kufijtë e tij të brendshëm me Spanjën, për periudha të rinovueshme deri në gjashtë muaj, siç bëri Italia vetëm për një muaj.

Franca tashmë ka vendosur kontrolle në të gjitha kufijtë e saj tokësorë, me një vendim që i paraprin krizës së Ceutës dhe bazohet në arsye të ndryshme, duke përfshirë kërcënimet e vazhdueshme xhihadiste, një rritje të sulmeve antisemite dhe dhunën në rritje midis emigrantëve.

  •  

Kontrolle ‘blic’ në Tiranë e Fushë Krujë, pranga 2 personave/ Sekuestrohen kokainë, armë të ftohta dhe një automjet luksoz

Forca e Posaçme Operacionale dhe Forca e Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Policinë Rrugore, kanë intensifikuar kontrollet në terren në kuadër të planit të masave për rritjen e sigurisë publike dhe goditjen e paligjshmërive.

Operacioni është zhvilluar në akset kryesore rrugore dhe në zona të ndryshme të Tiranës, si dhe në Fushë-Krujë, Bubq dhe Nikël, me fokus evidentimin e armëmbajtjes pa leje, posedimit të lëndëve narkotike, kapjen e personave në kërkim, si dhe kontrollin e mjeteve luksoze, automjeteve të blinduara, mjeteve me xhama të errësuar tej normave të lejuara dhe atyre me modifikime që shkaktojnë zhurma shqetësuese.

Gjatë kontrolleve u verifikuan 87 automjete dhe 118 shtetas. Policia konstatoi dhe hoqi 34 xhama të errësuar në kundërshtim me Kodin Rrugor, ndërsa drejtuesit e mjeteve u ndëshkuan me masa administrative.

Po ashtu, 12 automjete dhe 16 shtetas u shoqëruan për verifikime të mëtejshme.

Në kuadër të operacionit u arrestuan në flagrancë dy persona. Njëri prej tyre u kap me një sasi lënde narkotike të dyshuar kokainë, ndërsa tjetrit iu sekuestrua një armë e ftohtë, konkretisht një shufër metalike.

Ndërkohë, një shtetas tjetër u shoqërua pasi kishte shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, ndërsa policia sekuestroi automjetin luksoz që ai përdorte.

Policia bën të ditur se kontrollet do të vijojnë në mënyrë të pandërprerë, me tolerancë zero ndaj çdo shkeljeje të ligjit, me synim garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe rritjen e sigurisë për qytetarët.

  •  
❌