Ish prokurori që ka hetuar dosjen “Durrës-Kukës”, Ervin Karanxha thotë se kjo çështje duhet të rihapet nga SPAK.
Në një intervistë për “Ora e Fundit” në ABC News, Karanxha u shpreh se ka pasur vepër penale të kryer nga ish ministri i Transporteve, Lulzim Basha.
Karanxha u shpreh se dëmi real është mbi 600 milionë euro.
“Kjo është çështje shumë e rëndësishme. Kallëzimi ka ardhur nga inxhinieri Arben Meçe. Prokuror kam qenë unë. Kishim të bënim me një vlerë dëmi 230 milionë euro. Dyshohet se dëmi është më i madh sepse rruga nuk pati punime përfundimtare. U bënë dhe aktet e ekspertimit. Çështjen e kemi pasur me prioritet. Konstatuam se kishte shkelje ligjore, vepër penale të kryer nga ish ministri i Transporteve, Lulzim Basha. Më pas kemi shpallur moskompetencë dhe çështjen e kemi transferuar në Prokurorinë e Përgjithshme. Çështja shkoi jashtë afatit dhe u pushua. Dosja u mbajt me qëllim nga Ina Rama, që të dalë jashtë afatit. Gjykata e Lartë është shprehur te një vendim i shfuqizuar, provat e marra jashtë afatit të hetimit nuk mund të quhen. Është dëm i madh i buxhetit të shtetit. Mendoj se dëmi është i madh, mund të jetë mbi 600 milionë euro. Mos të harrojmë, euro atëherë ka qenë shumë e fortë. Ligji ka ndryshuar. Mund të rifillojë si rasti i Mediut. Nuk ka asnjë pengesë ligjore që kjo çështje të rihetohet”, theksoi ai./abcnews.al