Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Viti i Ri troket në Azi/ Japonia dhe Koreja mirëpresin 2026 me festime tradicionale

Viti i Ri troket në Japoni dhe Korenë e Jugut. Në kryeqytetet e dy vendeve aziatike, përkatësisht, Tokio dhe Seul, ka ceremoni tradicionale, teksa kur ora ka shënuar 00:00, ka pasur tingujsh këmbanash, që simbolizojnë ardhjen e Vitit të Ri.

Zelanda e Re dhe Australia ishin dy vendet e para që pritën Vitin e Ri 2026.

Qytetet anembanë botës po përgatiten të të presin Vitin e Ri me shfaqje fishekzjarre, pas një viti të vështirë, me konflikte të përgjakshme, pasiguri ekonomike dhe paqëndrueshmëri politike./abcnews.al

“Partneriteti ynë vazhdon të forcohet”/ Ambasada e SHBA në Tiranë uron shqiptarët për Vitin e Ri

Ambasada e SHBA në Tiranë ka uruar shqiptarët me rastin e festave të fundvitit.

Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ambasada shprehet se këtë fundvit, festohen arritjet e mëdha, por dhe për entuziamin që do vijë në 2026.

Ndër të tjera, ambasada thotë se partneriteti SHBA-Shqipëri vazhdon të forcohet.

“Ndërsa viti po i afrohet fundit, duam të festojmë arritjet tona më të mëdha dhe gjithë entuziazmin për atë që do të vijë në vitin 2026! Nga vizita historike e USS Mount Whitney në brigjet e Shqipërisë, te Shtetet e Bashkuara që do të presin ngjarjet më të mëdha sportive ndërkombëtare në botë, partneriteti ynë vazhdon të forcohet përmes qëllimeve dhe vlerave të përbashkëta. Gëzuar Vitin e Ri nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë”, thuhet në njoftim./abcnews.al

Bllokadë aktivistëve në Gaza/ Izraeli bllokon 37 organizata humanitare, nuk kishin verifikuar punonjësit

Izraeli ka njoftuar se do tiu heq lejet e aktivitetit 37 organizatave humanitare që veprojnë në Rripin e Gazës dhe në Bregun Perëndimor, duke argumentuar se ato nuk kanë përmbushur kërkesat e reja të regjistrimit. Sipas autoriteteve izraelite, pezullimi i licencave do të hyjë në fuqi më 1 janar, ndërsa organizatat do të duhet të përfundojnë aktivitetin e tyre brenda 60 ditësh.

Mes organizatave të prekura janë edhe disa nga organizatat ndërkombëtare joqeveritare më të njohura, si ActionAid, International Rescue Committee dhe Norwegian Refugee Council. Qeveria izraelite tha se këto organizata, ndër të tjera, nuk kanë dorëzuar të dhëna të plota dhe të verifikueshme personale për stafin e tyre.

Vendimi ka shkaktuar reagime të ashpra ndërkombëtare. Ministrat e jashtëm të dhjetë vendeve – Mbretëria e Bashkuar, Franca, Kanadaja, Danimarka, Finlanda, Islanda, Japonia, Norvegjia, Suedia dhe Zvicra – e kritikuan masën si “kufizuese” dhe “të papranueshme”. Në një deklaratë të përbashkët, ata paralajmëruan se mbyllja e detyruar e operacioneve të OJQ-ve ndërkombëtare do të ketë “ndikim të rëndë në qasjen ndaj shërbimeve thelbësore, përfshirë kujdesin shëndetësor”, duke theksuar se situata humanitare në Gaza mbetet “katastrofike”.

Ministria izraelite e Çështjeve të Diasporës, e cila është përgjegjëse për aplikimet e regjistrimit, deklaroi se masat e reja nuk do të ndikojnë në rrjedhën e ndihmës humanitare drejt Gazës. Sipas saj, ndihmat vazhdojnë të shpërndahen përmes “kanaleve të miratuara dhe të verifikuara”, përfshirë agjencitë e OKB-së, partnerët dypalësh dhe organizata të tjera humanitare.

Autoritetet izraelite theksuan se arsyeja kryesore e heqjes se lejeve per ushtrim te aktivititeti është “refuzimi për të ofruar informacion të plotë dhe të verifikueshëm për punonjësit”, duke argumentuar se kjo është thelbësore për të parandaluar “infiltrimin e elementëve terroristë në strukturat humanitare”.

Nga ana tjetër, Trupi Humanitar i Vendit për Territoret e Okupuara Palestineze, një forum që përfshin agjenci të OKB-së dhe mbi 200 organizata vendore e ndërkombëtare, ka paralajmëruar më herët se sistemi i ri i regjistrimit “rrezikon në mënyrë thelbësore” operacionet humanitare në Gaza dhe Bregun Perëndimor. Sipas këtij forumi, kriteret janë të paqarta, arbitrare dhe të politizuara, duke e bërë të pamundur për organizatat humanitare t’i përmbushin pa shkelur parimet bazë humanitare dhe detyrimet ndërkombëtare.

Forumi thekson se OJQ-të ndërkombëtare aktualisht drejtojnë ose mbështesin shumicën e spitaleve fushore në Gaza, qendrat e kujdesit parësor shëndetësor, strehimin emergjent, shërbimet e ujit dhe kanalizimeve, si dhe qendrat e ushqyerjes për fëmijët me kequshqyerje akute.

Ndër organizatat e tjera që do të pezullohen janë edhe CARE, Medico International dhe Medical Aid for Palestinians. Ministri izraelit për Çështjet e Diasporës dhe Luftën kundër Antisemitizmit, Amichai Chikli, deklaroi se “ndihma humanitare është e mirëpritur, por shfrytëzimi i kornizave humanitare për terrorizëm nuk do të tolerohet”./abcnews.al

Lezha nderon Fishtën/ 85 vjetori i ndarjes nga jeta, vlerësohet kontributi letrar dhe historik

Lezha i dedikoi nje aktivitet perkujtimor, Gjergj Fishtes, një nga figurat më të mëdha të kulturës shqiptare, në 85-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta.

Aktiviteti u mbajt në qendrën muzeale që mban emrin e tij në fshatin Fishtë, ku ishin të pranishëm përfaqësues të klerit, studiues, historianë e botues.

Të pranishmit sollën në fokus rolin e pazëvendësueshëm të At Gjergj Fishtës në formësimin e gjuhës shqipe, në letërsinë kombëtare dhe në jetën shpirtërore e shoqërore të shqiptarëve.

Për ta, trashëgimia e Fishtës mbetet aktuale edhe sot, jo vetëm për vlerat artistike, por edhe për mesazhin kombëtar dhe moral që përcjell vepra e tij.

Veprimtaria u shoqërua me recitime poetike dhe këngë të frymëzuara nga jeta dhe krijimtaria e At Gjergj Fishtës, duke kthyer këtë përkujtim në një homazh për një nga figurat më emblematike të kulturës shqiptare./abcnews.al

Në 2026 hiqen tarifat roaming/ Shqiptarët të përdorin telefonin në BE pa kosto shtesë

Shqipëria po bëhet gati për heqjen e tarifave Roaming me vendet e Bashkimit Europian.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nxjerrë në konsultim publik disa ndryshime në ligjin “Për Komunikimet Elektronike”, të cilat synojnë të përafrojnë legjislacioni shqiptar me atë europian sa i përket zbatimit të regjimit “Roaming Like At Home”.

Objektivi është që brenda vitit 2026, qytetarët shqiptare të mund të përdorin telefonin pa kosto shtesë për minuta, mesazhet apo internet në vendet e Bashkimit Europian, njëjtë si në Shqipëri. E njëjta gjë do të vlejë dhe për qytetaret europiane që do vizitojnë vendin tonë.

Ligji parashikon gjithashtu uljen e kostove teknike mes operatorëve, për të garantuar që përfitimi të shkojë realisht te përdoruesit, ndërsa risi është vendosja e gjobave për operatorët telefonikë që nuk do zbatojnë rregullat e reja të Roaming.

Kjo iniciative, e cila konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt integrimit në tregun unik digjital të BE-së, pritet të sjellë përfitime për lëvizjen e lire të qytetarëve dhe të përmisojnë klimen e biznesit.

Më herët, dhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen, I ka cilësuar heqjen e tarifave roaming për telefoninë celulare, si një hap domethënës në integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian./abcnews.al

“Bankers”, zgjatet afati i hetimit/ GJKKO miraton kërkesën e SPAK, edhe tre muaj hetime

Gjykata e Posaçme ka zgjatur me 3 muaj afatet e hetimit për dosjen “Bankers Petroleum”, me kërkesë të SPAK. Prokuroret Enkeleda Millonai dhe Anita Jella argumentuan se kjo zgjatje është e nevojshme për kryerjen e veprimeve të tjera hetimore, për shkak të kompleksitetit të çështjes ndërsa kërkesa u miratua nga gjyqtari Erion Çela.

I vetmi që ndodhet në masën arrest në burg është CEO kinez i kompanisë, ndërsa të gjithë të tjerët janë në masa më të buta sigurie, si arrest në shtëpi. Hetimet lidhen me deklarime të dyshimta tatimore dhe shmangie të detyrimeve financiare për periudhën 2004–2024, duke shkaktuar dëm të konsiderueshëm financiar në buxhetin e shtetit.

Sipas Prokurorisë, Bankers ka realizuar shitje dhe eksporte nafte në vlerën totale prej 532 miliardë lekësh, por ka deklaruar humbje për çdo vit, me një total prej 11.7 miliardë lekësh, duke shmangur tatimin mbi fitimin dhe duke përfituar rimbursime të dyshimta të TVSH-së.

Hetimi, i cili tashmë është në dorë të SPAK, është zgjeruar duke përfshirë përgjegjësi brenda administratës tatimore dhe doganore, si dhe zyrtarë lokalë që dyshohet se kanë injoruar abuzimet me TVSH-në dhe detyrimet e tjera fiskale, duke shkaktuar humbje të konsiderueshme buxhetit të shtetit.

Hetimi filloi më 2 korrik nga Prokuroria e Fierit, ku u ekzekutuan disa masa sigurie ndaj drejtuesve të kompanisë, përfshirë CEO aktual dhe ish-drejtuesin Leonidha Çobo./abcnews.al

Putin: Rusia do të fitojë në Ukrainë

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se vendi i tij beson se do të fitojë në Ukrainë, ku Moska po zhvillon një ofensivë që gati katër vjet.

Këto deklarata ai i bëri në fjalimin për Vitin e Ri. Fjalimi tradicional i Putinit u transmetua fillimisht në gadishullin e largët lindor të Kamçatkës, që është rajoni i parë i Rusisë që hyri në vitin 2026.

Ai u bëri thirrje rusëve të “mbështesin heronjtë tanë” që luftojnë në Ukrainë, duke thënë: “Ne besojmë te ju dhe te fitorja jonë”.

Ai ua uroi Vitin e ri “luftëtarëve dhe komandantëve” në Ukrainë, duke shtuar se “miliona njerëz në mbarë Rusinë, më besoni, po mendojnë për ju”.

Konflikti në Ukrainë ka shkaktuar dëme të mëdha materiale në Ukrainë, teksa humbjet në njerëz të dyja palët vlerësohet se janë të larta.

Shtetet e Bashkuara po udhëheqin përpjekjet për të arritur një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit më të madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Data 31 dhjetor shënon 26-vjetorin e ngritjes në pushtet të Putinit.

Ai u bë president i Rusisë në prag të Vitit të Ri 1999, kur Boris Yeltsin dha dorëheqjen.

Fluks fëmijësh në pediatri/ Fier, spitali shpërndan dhurata për pacientët e vegjël

FIER– Gjatë ditëve të fundit të vitit 2025, Pediatria e Fierit po përballet me një rritje të ndjeshme të pacientëve të vegjël.

Sipas mjekëve, shkak për këtë situatë është përhapja e virozave përmes kontakteve në mjedise të hapura, pavarësisht pushimeve shkollore.

Baftiar Hysenaj, pediatër, shpjegon se rastet që paraqiten në urgjencë arrijnë deri në 120 vizita në 24 orë, ndërsa aktualisht në repartin e pediatrisë janë të shtruar 25 fëmijë, disa prej të cilëve duket se do ta kalojnë edhe ndërrimin e viteve në spital.

Përveç gatishmërisë së stafit mjekësor, drejtoria e spitalit të Fierit ka organizuar gjatë këtyre ditëve dhurata dhe aktivitete për fëmijët e shtruar, për t’u sjellë pak gëzim gjatë festave./abcnews.al

 

Sa kushton tryeza e fundvitit? / Eksperti bën përllogaritjet: Ja sa para i duhen një familje për të kaluar natën e ndërrimit të viteve

Eksperti për çështjet ekonomike, Ferjolt Ozuni, i ftuar në Money Report,” u shpreh se këtë ka një tendencë rritjeje të shpenzimeve për tryezën e fundvitit, në krahasim me vitet e shkuara shkuara.

Sipas tij, kjo rritje nuk lidhet me çmime abuzive në disa pika të caktuara, por reflekton rritjen standarde të çmimeve, e ndikuar nga inflacioni, rritja ekonomike dhe situata ndërkombëtare, përfshirë këtu dhe luftërat.

“Rritja e çmimeve është e ndikuar nga kërkesa e lartë në fundvit. Është e vështirë të diskutojmë për tryezën fikse, sepse në varësi të tipologjisë së festimeve kemi edhe variacionin e shportës së fundvitit. Ajo normalja, gjeli i detit, darka festive familjare sivjet do të kushtojë rreth 20% më shumë. Kostoja e tryezës mund të jetë tek pragu 40–50 mijë lekë të reja për të gjithë familjen. Nëse kalojmë në restorante apo evente të organizuara për vit të ri, variacionet fillojnë nga 15 mijë lekë për person dhe në rritje e sipër,” tha Ozuni.

Ai shtoi se shqiptarët preferojnë të festojnë në familje dhe më shumë vendet e ngrohta sesa destinacionet me borë, duke ruajtur traditën dhe komoditetin gjatë festave.

Sipas ekspertit, Korça dhe Pogradeci janë dy qytetet më të frekuentuara brenda vendit.  Ai theksoi se edhe të huajt po zgjedhin Shqipërinë për të kaluar festat e fundvitit.

“Brenda vendit është kërkesa e lartë për Korçën dhe Pogradecin. Ka interes edhe nga të huajt për të festuar në vendin tonë”, tha ai.

Lezha nderon Fishtën/ 85-vjetori i ndarjes nga jeta, vlerësohet kontributi letrar dhe historik

Lezha i dedikoi një aktivitet përkujtimor, Gjergj Fishtës, një nga figurat më të mëdha të kulturës shqiptare, në 85-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta.

Aktiviteti u mbajt në qendrën muzeale që mban emrin e tij në fshatin Fishtë, ku ishin të pranishëm përfaqësues të klerit, studiues, historianë e botues.

Të pranishmit sollën në fokus rolin e pazëvendësueshëm të At Gjergj Fishtës në formësimin e gjuhës shqipe, në letërsinë kombëtare dhe në jetën shpirtërore e shoqërore të shqiptarëve.

Për ta, trashëgimia e Fishtës mbetet aktuale edhe sot, jo vetëm për vlerat artistike, por edhe për mesazhin kombëtar dhe moral që përcjell vepra e tij.

Veprimtaria u shoqërua me recitime poetike dhe këngë të frymëzuara nga jeta dhe krijimtaria e At Gjergj Fishtës, duke kthyer këtë përkujtim në një homazh për një nga figurat më emblematike të kulturës shqiptare.

Pas Zelandës së Re, Viti i Ri 2026 mbërrin edhe në Australi

Viti i Ri 2026 ka trokitur në Australi me një spektakël madhështor fishekzjarrësh që ndriçoi qiellin e Sydney, duke shënuar kulmin e verës në vend.

Qytetarët dhe turistët u mblodhën për të shijuar këtë traditë të veçantë të natës së ndërrimit të viteve.

Si çdo vit, Australia dallon për organizimin e spektakleve të saj të mëdha, duke e bërë natën e ndërrimit të viteve një nga më të bukurat në botë.

Tradita mbizotëron tryezat/ Qytetarët zgjedhin produkte të freskëta për Natën e Vitit të Ri

Tryeza e natës së ndërrimit të viteve për familjet shqiptare vazhdon të mbushet plot e për plotë. Edhe përse në kohët e sotme alternativat për të festuar këtë mbrëmje janë të shumta, sërish një pjesë e mirë e qytetarëve preferojnë të jenë tradicionalë me tavolinat e shtruara në shtëpitë e tyre.

Në Sarandë blerjet nuk janë lënë për momentin e fundit, por megjithatë në tregun e fruta-perimeve, blerësit janë të shumtë për të plotësuar blerjet me produkte të freskëta.

“I keni bërë pazaret?

Po, moj zemër, i kemi blerë, ka plotë për të gjithë.”

“Gjithë shqiptarëve t’ua bëjë diell plotë bereqet.”

“Urojë gjithë shqiptarët mbarësi të kenë, gjithë populli anë e mbanë.”

Për tregtarët, festa e Vitit të Ri është thjeshtëzuar, por pavarësisht kësaj blerësit, sidomos ata të moshave të mëdha, janë të shumtë.

“Festa e Vitit të Ri është bërë diçka e thjeshtëzuar sepse vijnë nga pushime shumë të zgjatura, nga pushime herë pas here dhe nga festa herë pas here që nga nëntori vazhduar nga javët e para të dhjetorit.”

“Shqiptarët kanë blerë shumë, i kanë plotësuar të gjitha nevojat se ka nga të gjitha gjërat. Janë shumë mirë.”

“Pazaret i bëjnë në kohë lineare se njerëzit nuk mund të dalin vetëm në një ditë, ditën e fundit lënë gjërat ekspres siç janë sallata, erëzat e njoma, gjërat e lehta, dhe amvisat i fillojnë gatimet herët se janë disa gatime për t’u bërë.”

Në Sarandë ditët e festave shtyjnë qytetarët dhe rezidentët e huaj, t’i drejtohen gjithnjë e më shumë produkteve të freskëta për të bërë pazare, duke i kthyer këto ditë në mjaftë produktive edhe për tregtarët, të cilët shtojnë nuk i kanë ndryshuar çmimet.

Siguria në rrugë për festa/ Autoriteti Rrugor, plan masash në të gjithë vendin

SHQIPËRI- Në prag të ndërrimit të viteve, Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka ndërmarrë një plan masash në të gjithë vendin për të garantuar sigurinë dhe qarkullimin normal në akset rrugore.

Drejtori i Përgjithshëm i ARRSH-së, Ami Kozeli, u shpreh se dita e fundit e vitit shoqërohet çdo vit me një fluks të shtuar të automjeteve në të gjitha rrugët e vendit. Sipas tij, autoritetet janë të përgatitura për të përballuar situatën.

““Sot është dita e fundit e vitit, ashtu si çdo vit. Pritet një fluks i shtuar i automjeteve në të gjitha akset e Shqipërisë. ARRSH, së bashku me të gjitha ekipet nënkontraktore, është në gatishmëri të plotë dhe ka marrë të gjitha masat për të siguruar një qarkullim të vazhdueshëm në të gjitha akset rrugore në mbarë Shqipërinë. ARRSH ka marrë masat, ku do jenë në gatishmëri 130 borëpastruese dhe 577 mjete të tjera dhe 800 punonjës, që do jenë në gatishmëri 24 orë”, deklaroi Kozeli.

Autoriteti Rrugor u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të pajisen me goma dimërore, të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë udhëtimeve festive.

Ronaldo, kur goli është “ves” / Realizoi në barazimin 2-2 që Al Nassr arriti në ligën saudite

Topi e ndjek sikur të jetë një magnet. Kristiano Ronaldo është një shënues kaq I madh saqë realizon edhe kur nuk nuk e mendon, apo kur duket e pamundur.

Kështu ndodhi në ndeshjen e Ligës Profesioniste Saudite, me portugezin që regjistroi emrin në tabelën elektronike krejt pa dashje.

Kjo ndodhi në 67’, kur pas një aksioni rrëmujë, topi u godit nga Zhoao Feliks, ndryshoi drejtimin pasi preku shpinën e CR7-ës.

Për shkak të devijimit, goli iu quajt Kristianos dhe tani ka 957 rrjeta në karrierë e 14 këtë sezon në kampionat, duke qenë më I miri në garën për Këpucën e Artë.

Sërish Al Nasr nuk bëri sa duhet, dhe nuk e mori dot fitoren.

Mesfushori holandez, Vajnaldum, autor I golit të parë, barazoi për 2-2 dhjetë minuta para fundit.

Nuk mjaftoi epërsia e thellë me 22 gjuajtje ndaj 8 të rivalit, me 64 për qind mbajtje topi dhe me goditjet nga këndi plot 16-1!

Al Nasr ka 31 pikë dhe e mbylli vitin në krye të renditjes, ndonëse Al Tauon ka 28, dhe Al Hilal mund të mbërrijë në 2 pikë largësi nëse fiton ndeshjen e kësaj jave.

Muçi, tjetër vlerësim si “dhuratë”/ Trabzonspor ka linjën më të fortë ofensive në Superligën turke

Është shumë I mirë, por padyshim nuk është vetëm. Ernest Muçi përbën vetëm njërën nga hallkat e suksesit të Trabzonsporit në Superligën turke, ndërsa skuadra e rëndësishme pretendon për titullin.

Siç njofton e përditshmja “Fanatik”, skuadra e shqiptarit ka repartin sulmues më të mirë të kampionatit.

E përbërë nga Muçi, Pol Onuaçu dhe Felipe Augusto, kjo treshe ofensive ka lënë pas ato të Gallatasarajit, Fenerbahçes dhe Beshiktashit.

Fjala është për efikasitetin e sulmit, pra për numrin e rrjetave të shënuara në raport me shpenzimin për t’i marrë.

Treshja e Trabzonit ka shënuar deri tani 26 gola gjithsej në ligë, ose 78.8 për qind të totalit prej 33, dhe kjo është përqindje më e madhe sesa e reparteve sulmuese të treshes së klubeve të Stambollit.

Reparti ofensiv I Gallatasarajit, me Ikardin, Osimhenin dhe Sanenë arrin në 104 milionë euro vlerë kartoni, treshja e Fenerbahçes shkon në 45 milionë, ajo e Beshiktashit në 34 milionë, treshja e Trabzonit ka vlerë 21 milionë euro.

Onuaçu ka 11 gola dhe një asist në 15 ndeshje, duke qenë numri 1 I ekipit, ndonëse kartoni I tij është mjaft më poshtë sesa I shqiptarit, me vlerë 6 milionë në krahasim me 9.

Felipe Augusto, qendërsulmuesi brazilian, ka 8 rrjeta në 16 ndeshje, duke qenë pak më mirë se Muçi, edhe pse kartoni gjithashtu është 6 milionë euro, pra inferior.

Ylli kuqezi ka shtatë gola e dy asistë në 14 ndeshje deri tani, madje praktikisht I ka realizuar në pesë sfidat e fundit të Superligës.

Lebron, “mbreti është gjallë”/ Legjenda e NBA mbushi 41 vjeç, vazhdon ende në nivele të larta

Flitet që është Viti I Ri I fundit si profesionist. Lebron Xhejms mbushi 41 vjeç në 30 dhjetor, me fanelën e Lejkërsave edhe këtë sezon, I cili mund të jetë edhe ai I përmbylljes së karrierës.

Klubi I madh nga Kalifornia mund të mos ia rinovojë kontratën që skadon në 2026, por gjithsesi “Mbreti I basketbollit” mbetet në fushë në edicionin e tij të 23-të, një rekord, ndërsa mban edhe rekordin e më shumë minutave të luajtura në histori.

Çfarë synon ende legjenda e gjallë që ka fituar 4 tituj në NBA?

Padyshim që t’i afrohet 6 titujve të Majkëll Xhordanit që cilësohet ende si basketbollisti më I mirë për të gjitha kohët.

Karriera e tij është vërtet e jashtëzakonshme.

Xhejms është shënuesi më I mirë I sezonit të rregullt në NBA për të gjitha kohët me 42 471 pikë, rekord që do të vazhdojë të rritet.

Legjenda e Lejkërsave, Karim Abdul Xhabar, ka mbetur prapa me 38 387, ndërsa vendi I tretë, Karl Maloun është gati 6 000 pikë pas.

Pranë podiumit është edhe për asistet, duke treguar sesa I kompletuar është si basketbollit.

Lebroni është I katërti për të gjitha kohët me 11 678, jo larg të famshmit Xhejzën Kid, ndërsa mund të arrijë edhe Kris Polin në vendin e dytë.

Edhe pse jo në rolin qendër në fushë, Lebron ka 11 800 topa në tabela, më I miri nga lojtarët aktivë, në vend të 25-të për të gjitha kohët, në një konkurrim të dominuar nga qendrat si Uilt Çembërlen, Bill Rasëll, Xhabar, Hejes, Mozes e Karl Maloun, Dankën, Garnet, Hauard, Olaxhuon apo Shak O’Nill.

Kapiteni I sotëm I Lejkërsave është në vend të gjashtë edhe në klasifikimin historik të vjedhjeve të topit me plot 2 359.

Në duet me sllovenin Luka Doncic, Lebron do të bëjë edhe provën e fundit për titullin.

“Mbreti” është ende gjallë, me mesaraisht mbi 20 pikë për ndeshje, gati 7 asistë për ndeshje dhe mbi 50 për qind saktësi nga loja.

Asani e nis me “pushime”/ Futbollisti i Kombëtares i pezulluar për duelin në 1 janar në Iran

Lavdërimet kanë nisur dhe janë të shumta. Jasir Asani e tregoi të gjithë klasin e tij me golin që shënoi në ndeshjen e fundit të Championsit të dytë të Azisë, në fitoren 3-0 jashtë fushe që arriti ekipi I tij, Esteglal, dhe me kualifikimin për në raundin e dytë.

Rrjeta ishte tipike e tij, si ato që shënoi një sezon më parë në Championsin kryesor, kur luante me fanelën e skuadrës koreanojugore, Kuangju, dhe ku arriti të realizonte 9 herë në 10 ndeshje.

Mediat në Iran nuk ngurruan ta ngrinin në qiell talentin e futbollistit të kombëtares shqiptare, I cili e bën dallimin edhe në Iran.

Ishin të shumta gazetat, portalet dhe televizionet që përsëritën apo komentuan mënyrën sesi Asani gjeti golin.

Gjithsesi, pikërisht në momentin e tij më të mirë, dhe kur I duhej Esteglalit më shumë se kurrë, shqiptari nga Shkupi do të bëjë një ndalesë të detyruar.

Ai nuk do të luajë këtë të enjte të 1 janarit kundër ekipit që kryeson kampionatin, Sepahanit, pasi mori karton të verdhë në sfidën e Ligës Profesioniste iraniane humbur 0-1 në shtëpi ndaj Gol Goharit.

Një problem I madh për skuadrën nga kryeqyteti e cila ka humbur terren me kryesuesit duke pasur 22 pikë në 14 ndeshje, ndaj 30 që ka Sepahani në po kaq duele të luajtura.

Ylli 30-vjeçar kuqezi ka 10 gola këtë sezon në 19 ndeshje, duke shtuar edhe dy asistë, nga të cilët 6 rrjeta në kampionat, dy në Champions dhe dy në Kupën e Iranit.

Broja e mbyll me asist/ Sulmuesi kuqezi, paraqitje mjaft e mirë në Burnley-Newcastle

Për fat të keq rivali ishte shumë i fortë dhe nuk mund të bëhej asgjë.

Pavarësisht luhatjeve, Njukasëlli është kategori tjetër në krahasim me Bërnlin, dhe në stadiumin “Tërf Mur” u regjistrua humbja 1-3, ndërsa titullar ishte sërish Armando Broja.

Sulmuesi I kombëtares shqiptare ishte më I miri në fushë për vendasit, duke krjuar edhe golin e vetëm, apo më saktë duke dhënë asistin për autorin Xhosh Lorent.

Ylli kuqezi ishte që nga minuta e parë për të katërtën herë në pesë ndeshjet e fundit, dhe në dy sfida radhazi.

Broja u tregua tepër I lëvizshëm, sidomos kur kishte hapësirë në kundërsulme.

Forma e tij fizike është siç duhet dhe ka hyrë plotësisht në ritmin e lartë të futbollit anglez.

Mund të thuhet se Bërnli rrezikoi thuajse vetëm atëherë kur topi ishte në këmbët e shqiptarit, apo kur ai ishte pjesë e aksionit.

Armando dha asistin e parë këtë sezon në Premier Ligën angleze, ndërsa dy ndeshje më parë shënoi në barazimin 1-1 me Bornmuthin.

Një asist e ka edhe në Kupën e Ligës.

Momenti duket I shkëlqyer për Brojën që në 14 ndeshjet e para në kampionatin anglez luajti vetëm gjithsej 111’, mungoi tri herë për shkak dëmtimi, dhe tri herë ishte gjatë gjithë kohës në stol.

❌