Reading view

Prishtina Open 2026 sjell mbi 200 lojtarë nga 15 shtete të botës



Nga 28 deri më 30 gusht, Pallati i Rinisë dhe Sporteve do të jetë nikoqir i edicionit të katërt të Prishtina Open Table Tennis International Tournament, një prej ngjarjeve më të mëdha ndërkombëtare të pingpongut në Kosovë.

Këtë vit, turneu do të sjellë në Prishtinë mbi 200 lojtarë nga 15 shtete, me gjithsej 244 paraqitje në 12 kategori, nga grupmoshat e reja deri te seniorët dhe veteranët.

Prishtina Open nisi rrugëtimin në vitin 2023, me synimin për t'u ofruar lojtarëve kosovarë mundësinë për të garuar me kundërshtarë ndërkombëtarë dhe njëkohësisht për ta promovuar Kosovën përmes sportit.

Turneu është rritur nga viti në vit, duke sjellë deri më tani në Prishtinë qindra lojtarë nga më shumë se 30 shtete të botës. Një prej momenteve më të rëndësishme ishte edicioni i vitit 2024, i cili më pas u vlerësua nga Komuna e Prishtinës me çmimin “Ngjarja më atraktive e vitit 2024”.

Turneu organizohet nga KPP Priping, në bashkëpunim me Federatën e Pingpongut të Kosovës, me synimin që Prishtina Open të vazhdojë të rritet dhe të bëhet një turne tradicional ndërkombëtar në rajon.

Për shikuesit e finales do të ofrohet një iPhone 17 nga Zone Mobile, ku fituesi i turneut do të tërheqë një biletë për fituesin fatlum.

Finalja do të mbahet më datën 30 gusht, nga ora 19:00, në Pallatin e Rinisë dhe të Sportit në Prishtinë.

  •  

Planifikoi sulme terroriste në Francë: Si e humbi shtetësinë e Zvicrës një islamist nga Bosnja



Gjykata Administrative Federale e Zvicrës ka konfirmuar vendimin për heqjen e shtetësisë zvicerane për një person që i kishte premtuar besnikëri organizatës terroriste "Shteti Islamik" (IS) dhe po planifikonte sulme terroriste në Francë.

Personi në fjalë, me origjinë nga Bosnjë-Hercegovina dhe me vendbanim në Zvicrën franceze, kishte marrë shtetësinë zivcerane në vitin 2000.

Në janar të vitit 2021, një gjykatë në Paris e dënoi atë me 15 vjet burgim pasi u vërtetua se kishte planifikuar sulme terroriste.

Sekretariati Shtetëror për Migracionin i Zvicrës kishte vendosur që në maj të vitit 2021 t'ia merrte pasaportën zvicerane, me arsyetimin se veprimet e tij terroriste kanë dëmtuar rëndë interesat dhe imazhin e Zvicrës.

Sipas legjislacionit zviceran, heqja e shtetësisë është një masë e rrallë që zbatohet vetëm në raste të krimeve jashtëzakonisht të rënda apo veprimtarive që kërcënojnë sigurinë kombëtare.

Vendimi në fjalë nuk është ende përfundimtar, pasi pala e dënuar ka të drejtë të ankohet në Gjykatën Supreme Federale në Lausanne. /Telegrafi/

  •  

Fshati zviceran në panik nga rreziku i shembjes së një akullnaje



Komuna Randa, e cila gjendet në Kantonin e Wallisit, ka lëshuar një paralajmërim për shkak të lëvizjeve të dukshme intensive të akullnajës Bisgletscher.

Autoritete vendore bëjnë të ditur se pjesë të caktuara të akullnajës tregojnë paqëndrueshmëri të lartë, gjë që shton rrezikun e shembjes së masave të mëdha të akullit.

Si masë paraprake sigurie, autoritetet kanë mbyllur disa shtigje ecjeje e ngjitjeje në këtë zonë dhe u kanë bërë thirrje banorëve e turistëve që t'u përmbahen me rreptësi udhëzimeve dhe sinjalizimeve në terren.

Zonat malore po monitorohen vazhdimisht nga ekspertët e gjeologjisë me pajisje matëse, për të përcjellë çdo zhvendosje të mëtejshme të masës së akullit dhe për të parandaluar çfarëdo rreziku për zonat e banuara në afërsi. /Telegrafi/

  •  

Aeroplani i “Swiss” detyrohet të aterrojë në një ishull në Atlantik për shkak të një ere të rëndë kimike



Një fluturim i kompanisë ajrore “Swiss”, i cili udhëtonte nga Chicago drejt Zürichut, është detyruar të kryejë një zbritje emergjente sot në mëngjes në arkipelagun e Azoreve në Oqeanin Atlantik, pas shfaqjes së një ere të rëndë në kabinë, njoftojnë mediat zvicerane.

Fluturimi LX9, i cili kishte në bord 222 pasagjerë dhe 16 anëtarë të ekuipazhit, ishte parashikuar të aterronte në Zürich pak para orës 11:00. Mirëpo, teksa gjendeshin mbi Oqeanin Atlantik, ekuipazhi lëshoi një sinjal emergjence për shkak të një ere të panjohur kimike që u ndje në klasën ekonomike. Për arsye sigurie, avioni i tipit "Boeing 777" devijoi menjëherë rrugëtimin dhe u ul rreth orës 08:30 në ishullin Terceira të Azoreve.

Pas aterrimit, pesë pasagjerë dhe një anëtar i ekuipazhit kërkuan kontroll mjekësor, pasi kishin shfaqur simptoma të përkohshme si ngacmim të syve, marramendje dhe dhimbje koke. Sipas njoftimit zyrtar të kompanisë "Swiss", asnjë nga personat e prekur nuk pasur nevojë për trajtim të mëtejshëm mjekësor.

Për të tërhequr udhëtarët dhe ekuipazhin e mbetur në ishull, kompania ajrore ka organizuar një fluturim zëvendësues nga Zürichu. Mbërritja e tyre në Zvicër është parashikuar për sot në mbrëmje rreth orës 22:15. Shkaku i erës mbetet ende i paqartë. Ekspertët e kompanisë kanë nisur hetimet dhe po ekzaminojnë avionin në Terceira për të përcaktuar me saktësi origjinën e problemit.

  •  

Udhëzues për mënyrën se si të aplikoni per ri-fitimin e shtetësisë së Republikës së Kosovës përmes platformës E-Kosova



Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës ka bërë një hap të rëndësishëm drejt lehtësimit të jetës së qytetarëve, veçanërisht të atyre që jetojnë jashtë vendit. Falë ndryshimeve të fundit në Ligjin për Shtetësinë, procedura e rifitimit të shtetësisë së Republikës së Kosovës është thjeshtuar ndjeshëm, duke i hapur rrugë një procesi më të shpejtë, më transparent dhe plotësisht të qasshme online.

Kjo risi u drejtohet kryesisht atyre qytetarëve që, për arsye objektive, kanë qenë të detyruar të heqin dorë nga shtetësia e Republikës së Kosovës. Për ta, tashmë ekziston një mundësi konkrete dhe e thjeshtë për ta rifituar atë.

Nga 9 dokumente në vetëm 2

Një nga ndryshimet më të rëndësishme është reduktimi drastik i dokumentacionit të nevojshëm. Aty ku më parë kërkoheshin deri në 9 dokumente të ndryshme, sot mjaftojnë vetëm dy:

  1. një deklaratë me shkrim, përmes së cilës aplikuesi pranon rendin kushtetues të Republikës së Kosovës; dhe
  2. një dëshmi që vërteton se personi nuk është i dënuar me vendim të formës së prerë për vepër penale në shtetin ku jeton.

Një ftesë për bashkatdhetarët

Ministria e Punëve të Brendshme fton të gjithë qytetarët e interesuar, veçanërisht bashkatdhetarët në diasporë, që të aplikojnë përmes platformës e-Kosova, duke ndjekur me vëmendje udhëzimet e nevojshme, në mënyrë që procesi të kalojë sa më lehtë dhe pa vonesa.

Ky është një hap konkret drejt afrimit institucional me diasporën dhe forcimit të lidhjes mes qytetarëve kosovarë kudo që ata ndodhen dhe atdheut të tyre.

  •  

​Kurti bën thirrje të hapet arkivi i Brigadës së Motorizuar 37 të ushtrisë ish-jugosllave



Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti gjatë prezantimit të raportit mbi gërmimet në Zubin Potok ripotencoi thirrjen për hapjen e arkivit të Brigadës së Motorizuar 37 të ushtrisë ish-jugosllave e cila sipas tij, ka kryer masakra posaçërisht në Drenicë por edhe gjithandej Kosovës, raporton KosovaPress.

“Dua e më duhet ta përsëris thirrjen për hapjen e arkivit të Brigadës së Motorizuar 37 të ushtrisë ish-jugosllave, e cila ka kryer masakra posaçërisht në Drenicë por edhe gjithandej Kosovës, dhe dosja e së cilës, para 12 vjetësh, është klasifikuar për 30 vjet. Pra, ajo mbetet e klasifikuar edhe 18 vjet të tjera. Familjet që kanë pritur 27 dhe 28 vjet, nuk mund të dënohen me pritje, ankth e dhimbje edhe për 18 vjet të tjera. Andaj, trysnia ndërkombëtare është jetike në këtë proces. Dosjet e arkivuara dhe të klasifikuara të Brigadës së Motorizuar 37 të Ushtrisë Jugosllave duhet të hapen tash nga shteti i Serbisë, pra sivjet në vitin 2024, e jo në vitin 2044. Të nderuar të pranishëm, të dashur qytetarë, nga prezantimi i hollësishëm nga ana e Komisionit, do të shohim se gërmimet në veri të vendit kanë qenë të pakta dhe të kryera në rrethana të vështira. E shpeshherë të nxitura për shkaqe pasigurie, çka dëshmon se luftimi i bandave kriminale, shtrirja e rendit dhe ligjit në këtë pjesë të vendit tonë, kanë qenë parakusht që hetimet, gjurmimet e gërmimet të kenë sukses dhe ato të bëhen në mënyrë të papenguar”, tha Kurti.

Ai shtoi po ashtu se shtoi se faktori ndërkombëtar duhet të shtojë më shumë trysninë ndaj Serbisë që të zbatojë deklaratën për personat e zhdukur me dhunë.

“Qindra familje kërkojnë zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre, por kërkojnë edhe drejtësi. Të dyja, zbardhja e fatit sikurse edhe drejtësia, u janë mohuar dhe po u mohohen nga Serbia, që duke fshehur e duke mos i pranuar krimet, si dhe duke refuzuar të hapë arkivat e duke i klasifikuar ato, synon të tjetërsojë të vërtetën dhe t'i ikë përgjegjësisë. E nuk mjaftohet me këtë, Serbia arreston e përndjek edhe ata pak serbë që kanë guxuar të dëshmojnë tek institucionet ndërkombëtare. Andaj, më shumë se tjetër, në momente si ky, faktorët ndërkombëtarë duhet ta shtojnë trysninë ndaj fqinjit tonë verior, që të zbatojë deklaratën për personat e zhdukur me dhunë, të dakorduar në Bruksel më 2 maj 2023, duke hapur dhe vënë në dispozicion arkivat shtetërore që mund të çojnë në zbardhjen e fatit të të pagjeturve”, tha Kurti.

Deri më tani sipas autoriteteve të vendit, edhe rreth 1600 persona janë të pagjetur në Kosovë. /KP/

  •  

Lekaj - Rizvanollit: Do t’ju padis për shpifje



Ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj ka paralajmëruar padi për shpifje ndaj ministres në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli e cila akuzoi të njëjtin se gjoja ishte ai që më 2017 kishte përuruar vagonët e riparuar në Serbi.

Lekaj përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar Qeveria Haradinaj është votuar më 9 shtator 2017, ndërsa ai zyrtarisht e ka marrë detyrën e Ministrit më 11 shtator 2017.

“Artane Rizvanolli, do t’ju padis për shpifje! Qeveria Haradinaj është votuar më 9 shtator 2017, ndërsa unë zyrtarisht e kam marrë detyrën e Ministrit më 11 shtator 2017. Prandaj, deklaratat dhe akuzat tuaja ndaj meje, se kinse kam dhënë tender një kompanie serbe, janë të pavërteta dhe cenojnë rëndë reputacionin tim”, ka shkruar Lekaj.

Tutje ai ka shkruar se për këto deklarata do t’u drejtohen organeve të drejtësisë dhe do të kërkojnë përgjegjësi ligjore për shpifje.

“Kjo fushatë ndaj meje është e orkestruar dhe ka prapavijë të qartë politike. Faktet dhe dokumentet do ta dëshmojnë të vërtetën. Regjimit Kurti po i vjen fundi. E vërteta nuk mbulohet me propagandë”, ka shkruar ndër të tjera Lekaj.

Ndryshe, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka reaguar ndaj pretendimeve se përfaqësues të ndërmarrjes publike “Trainkos” kanë zhvilluar një vizitë zyrtare në Serbi, në kuadër të procesit për riparimin e vagonëve të trenit.

Rizvanolli përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se vagonët janë dërguar për riparim në Zrenjanin në Serbi për herë të parë më 2017.

“Vagonët janë dërguar për riparim në Zrenjanin në Serbi për herë të parë më 2017, sapo janë blerë, në procedurë të nisur në kohë të Qeverisë Mustafa e të përuruar në kohë të Qeverisë Haradinaj, nga Ministri Pal Lekaj. A ka qenë AAK-ja e bregosur për këtë çështje në vitin 2017 kur Ministri i tyre e prente shiritin për vagonët e riparuar në Serbi?”, ka shkruar Rizvanolli. /Telegrafi/



  •  

Përzgjedhja javore: pesë mundësi për banim dhe investim në Prishtinë



Nëse jeni në kërkim të një prone për banim apo investim, këtë javë Telegrafi Real Estate ua sjell pesë prona që kanë tërhequr interesin më të lartë të vizitorëve - nga një shtëpi familjare me privatësi në Sofali, te banesa moderne në lagje të kërkuara të Prishtinës dhe dy penthouse me tarraca të gjera.

Secila prej tyre dallohet nga karakteristika të veçanta, si pozita, hapësira apo standardi i ndërtimit, duke ofruar alternativa të përshtatshme si për banim afatgjatë e qira, ashtu edhe për investim.

Shtëpi familjare në Sofali

Në krye të listës së kësaj jave është shtëpia familjare në Sofali, një zonë e qetë dhe e preferuar për banim falë privatësisë dhe qasjes së përshtatshme që ofron.

Kombinimi i hapësirës private me lehtësinë e lëvizjes drejt zonave qendrore e bën këtë pronë një zgjedhje tërheqëse për familjet që kërkojnë qetësi pa u larguar shumë nga qendra e qytetit.

Banesë 158m² në shitje te rruga C

Ndër pronat tjera më të kërkuara të kësaj jave është edhe banesa prej 158m² te rruga C, një pronë me hapësirë të bollshme që i përshtatet familjeve më të mëdha.

Sipërfaqja e gjerë dhe organizimi funksional i ambienteve ofrojnë komoditet shtesë, ndërsa pozita e lagjes siguron qasje të lehtë në shërbime dhe infrastrukturë urbane.

Penthouse 160m² me qira në lagjen e Spitalit

Nëse jeni në kërkim të një prone me qira, penthouse-i prej 160m², me 80m² tarracë, në lagjen e Spitalit është një ndër ofertat më të kërkuara të kësaj jave.

Kombinimi i hapësirës së brendshme me tarracën e gjerë krijon një ambient që ofron komoditet dhe pamje të hapur, duke e bërë pronën tërheqëse për ata që kërkojnë një standard më të lartë banimi në qendër të Prishtinës.

Banesë 98.96m² në shitje në Lakrishte

Në listën e kësaj jave gjen vend edhe banesa prej 98.96m² në Lakrishte, një zonë që po fiton gjithnjë e më shumë popullaritet falë afërsisë së saj me qendrën e qytetit.

Dizajni modern dhe pozita praktike e lagjes e bëjnë këtë banesë një zgjedhje ideale për ata që duan të përjetojnë komoditetin e banimit bashkëkohor, vetëm hapa larg nga zemra e qytetit.

Penthouse 127.5m² në shitje në Dragodan

Përzgjedhjen e përmbyll penthouse-i prej 127.5m² në Dragodan, i cili vjen me një tarracë prej 25m².

Pozita e njohur e Dragodanit, e kombinuar me hapësirën e jashtme private, e bën këtë pronë një mundësi të veçantë për ata që kërkojnë banim ekskluziv në një nga lagjet më të kërkuara të Prishtinës.

Këto pesë prona përfshijnë alternativa për banim familjar, qira dhe investim, në disa nga lagjet më të kërkuara të Prishtinës.

Zbuloni më shumë rreth këtyre pronave, shikoni fotografitë dhe gjeni ofertën që ju përshtatet në Telegrafi Real Estate.

  •  

Aleanca e demanton Rizvanollin: Qeveria Haradinaj u votua pesë muaj pas dokumentit që prezantuat



Aleanca ka reaguar ndaj deklarimeve të deputetes Artane Rizvanolli, duke e akuzuar atë se po përpiqet t’i fshehë skandalet aktuale të bashkëpunimit me Serbinë.

Në reagimin e Aleancës thuhet se dokumenti i publikuar nga Rizvanolli në profilin e saj zyrtar i përket datës 17 prill 2017, ndërsa Qeveria Haradinaj, sipas Aleancës, është votuar më 9 shtator 2017, rreth pesë muaj pas datës së dokumentit.

“Deputetja Rizvanolli, e cila jashtëligjshëm ka uzurpuar postin e ministres, për të cilën do të japë përgjegjësi, po përpiqet t’i fshehë skandalet e saj aktuale të bashkëpunimit me Serbinë”, thuhet në reagim.

Aleanca kërkon nga Rizvanolli që, në vend të sulmeve politike, t’u përgjigjet qytetarëve lidhur me punëtorët e ndërmarrjeve publike që, sipas saj, po kërcënohen me largim nga puna për shkak të publikimit të skandaleve në rrjete sociale.

“Ministrja duhet t’u përgjigjet qytetarëve se edhe sa punëtorë të tjerë të ndërmarrjeve publike po i kërcënojnë me largim nga puna, vetëm pse po ua shfaqin skandalet dhe po guxojnë të thonë të vërtetën në rrjete sociale, siç është rasti i fundit në Trainkos”, thuhet në reagim.

Aleanca gjithashtu ngre pyetje lidhur me praninë e ekspertëve nga Serbia në Trainkos.

“Tregojini opinionit se pse edhe sot e kësaj dite, këta ekspertë nga Serbia gjenden dhe operojnë lirshëm brenda hapësirave të Trainkos”, thuhet më tej.

Në fund, Aleanca deklaron se personat që ilegalisht i kanë uzurpuar institucionet e shtetit, do të japin përgjegjësi.

“Nuk pritet asgjë përpos gënjeshtrave prej njerëzve që ilegalisht i kanë uzurpuar institucionet e shtetit dhe për të cilët, e ritheksojmë edhe një herë, se do të japin përgjegjësi”, përfundon reagimi i Aleancës. /Telegrafi/


  •  

Blerja e pronës, gjashtë hapa që përcaktojnë suksesin e një investimi të sigurt



Tregu i patundshmërive po vazhdon të mbetet një nga destinacionet më të kërkuara për kapital, qofshin ata blerës që synojnë banim familjar apo investitorë që kërkojnë kthim afatgjatë.

Por prapa çdo transaksioni "të suksesshëm" qëndron një proces i strukturuar, i cili, nëse nuk ndiqet me kujdes, mund të kthehet lehtësisht në burim rreziku financiar dhe juridik. Ekspertët e fushës theksojnë se blerja e një prone nuk duhet trajtuar si një vendim impulsiv, por si një proces investimi që kërkon analizë, verifikim dhe përcaktim strategjik të hapave.

Gjithçka fillon me qëllimin, jo me pronën

Një gabim i shpeshtë i blerësve - sidomos atyre që hyjnë për herë të parë në treg - është që procesin e nisin duke shikuar shpallje, në vend që ta nisin duke përcaktuar qartë arsyen e investimit. A bëhet fjalë për një banesë familjare, për një pronë me qëllim qiraje apo për një investim afatgjatë me synim rritjen e vlerës? Kjo pyetje e thjeshtë përcakton në fakt tërë strategjinë që vijon: buxhetin, lokacionin, tipologjinë e pronës dhe madje edhe mënyrën e financimit.

Sipas praktikave të konsoliduara në sektor, procesi i blerjes kalon në katër faza kryesore logjike:

-Analiza e qëllimit dhe e objektivave të blerësit;

-Analiza financiare, për të përcaktuar buxhetin real dhe kostot shtesë;

-Vlerësimi i gjendjes faktike të pronës - lokacioni, cilësia, potenciali dhe gjendja teknike;

-Verifikimi i dokumentacionit juridik, i cili garanton që prona mund të blihet dhe transferohet pa pengesa.

Kjo qasje sistematike, e ngjashme me atë që ndjekin kompanitë profesionale të patundshmërive si Pro Real Estate, e shndërron blerjen nga një vendim emocional në një vendim të bazuar në të dhëna e në rrezik të kontrolluar.

Hapi 1 - Përcaktimi i kërkesës dhe përzgjedhja e pronës

Çdo proces serioz nis me përcaktimin e saktë të kërkesës: llojin e pronës, sipërfaqen, lokacionin, buxhetin dhe qëllimin - banim apo investim. Sa më i qartë të jetë ky profil, aq më e shpejtë dhe më efikase bëhet përzgjedhja e ofertave përkatëse në treg.

Pas identifikimit të pronave që përputhen me kriteret, hapi tjetër natyral është vizita fizike dhe vlerësimi i gjendjes së pronës - një moment ku syri i papërvojë shpesh anashkalon detaje që më vonë kthehen në kosto shtesë. Këtu është edhe momenti kur mbështetja e një agjenti apo kompanie me përvojë të dëshmuar në treg bën diferencën mes një blerjeje të mençur dhe një vendimi të nxituar.

Hapi 2 -Verifikimi i dokumentacionit: momenti më kritik i procesit

Nëse ka një fazë ku blerësit duhet të tregojnë maksimum kujdes, kjo është verifikimi i dokumentacionit - para pagesës së kaparit apo nënshkrimit të çdo marrëveshjeje paraprake.

Pikat kryesore që duhen kontrolluar përfshijnë:

-Certifikatën e pronësisë dhe kopjen e planit;

-Nëse shitësi është pronari i regjistruar ose ka të drejtë ligjore ta shesë pronën;

-Nëse prona ka hipotekë, barrë apo kufizime tjera;

-Përputhjen e të dhënave dhe sipërfaqes së pronës me dokumentacionin zyrtar;

-Nëse ekzistojnë obligime të papaguara, si tatimi në pronë.

Pronësia konsiderohet e bartur juridikisht vetëm pasi pronari i ri regjistrohet zyrtarisht në Regjistrin e të Drejtave të Pronës së Paluajtshme - një detaj që shumë blerës e nënvlerësojnë, duke besuar gabimisht se nënshkrimi i kontratës është hapi final.

Rasti i pronave në ndërtim e sipër

Kur bëhet fjalë për blerjen e një prone ende në ndërtim, lista e verifikimeve zgjerohet ndjeshëm:

-Leja e ndërtimit dhe dokumentacioni i plotë i projektit;

-Investitori dhe e drejta e tij mbi parcelën ku po realizohet ndërtimi;

-Nëse parcela bart hipotekë apo barrë tjetër;

-Afati i planifikuar për përfundim dhe dorëzim;

-Specifikacionet teknike të njësisë që po blihet;

-Çka përfshihet saktësisht në çmim - parking, garazhë, depo apo elemente tjera;

-Dinamika dhe mënyra e pagesës;

-Të drejtat dhe detyrimet e palëve në rast vonese në dorëzim.

Kompleksiteti i këtyre verifikimeve është arsyeja kryesore pse blerësit, sidomos ata pa përvojë paraprake në sektor, preferojnë të mbështeten te kompani profesionale të patundshmërive.

Hapi 3 - Negocimi dhe kapari: kur marrëveshja fillon të marrë formë

Pasi prona të jetë verifikuar, palët hyjnë në fazën e negocimit: çmimi final, mënyra dhe afatet e pagesës, data e dorëzimit dhe kushtet tjera të shitblerjes.

Nëse jepet kapar, ai duhet domosdoshmërisht të dokumentohet me qartësi të plotë:

-Shuma e kaparit;

-Çmimi total i dakorduar;

-Afati për përfundimin e transaksionit;

-Kushtet në të cilat kapari kthehet ose nuk kthehet;

-Pasojat në rast tërheqjeje nga njëra prej palëve.

Kapari, pra, nuk duhet parë thjesht si një pagesë simbolike, por si pjesë përbërëse e një marrëveshjeje ku detyrimet e të dy palëve janë qartësisht të përcaktuara dhe të mbrojtura ligjërisht.

Hapi 4 - Kontrata e shitblerjes

Kontrata duhet të përmbajë të paktën: identifikimin e plotë të palëve dhe të pronës, çmimin e dakorduar, mënyrën dhe afatet e pagesës, kushtet e dorëzimit, si dhe të drejtat e detyrimet e secilës palë.

Noteri luan një rol qendror në këtë fazë, duke kontrolluar dokumentacionin e nevojshëm për realizimin e transaksionit - përfshirë certifikatën e pronësisë dhe kopjen e planit, të cilat sipas dokumentacionit të Agjencisë Kadastrale të Kosovës (AKK) janë dokumente të domosdoshme për lidhjen dhe regjistrimin e shitblerjes.

Hapi 5 - Pagesa: transparencë si garanci

Pagesa realizohet sipas mënyrës dhe afateve të parapara në kontratë. Rekomandimi i pandryshuar i ekspertëve financiarë mbetet i njëjtë: pagesat të kalojnë përmes sistemit bankar, në mënyrë që çdo transfertë të jetë e dokumentuar dhe lehtësisht e verifikueshme.

Ky element merr rëndësi edhe më të madhe kur blerja realizohet me këste ose përmes financimit bankar, ku transparenca e pagesave bëhet parakusht për vetë miratimin e kredisë.

Hapi 6 - Regjistrimi i pronarit të ri: hapi që mbyll ciklin

Nënshkrimi i kontratës nuk është pika përfundimtare e procesit. Pas plotësimit të kushteve përkatëse, dokumentacioni dorëzohet për regjistrim në Zyrën Kadastrale Komunale. Vetëm pas këtij regjistrimi, blerësi mund të dëshmojë zyrtarisht pronësinë përmes certifikatës së përditësuar.

Buxheti real: më shumë se çmimi i shitjes

Një nga gabimet më të zakonshme financiare në procesin e blerjes është llogaritja e buxhetit vetëm mbi bazën e çmimit të shitjes. Në praktikë, blerësi duhet të parashikojë edhe:

-Tarifën e noterit;

-Tarifën e regjistrimit në kadastër;

-Tarifat administrative;

-Shpenzimet bankare;

-Kostot e kredisë/financimit, kur aplikohet;

-Vlerësimin e pronës, kur kërkohet nga banka;

-Shpenzime shtesë për dokumentacion apo shërbime profesionale.

Llogaritja e saktë e këtyre kostove që në fillim të procesit e mbron blerësin nga surpriza financiare në fazat përfundimtare të transaksionit.

Një proces që kërkon partner, jo vetëm informacion

Blerja e një prone mbetet një nga vendimet financiare më të rëndësishme në jetën e një individi apo biznesi. Suksesi i saj nuk varet vetëm nga gjetja e "pronës së duhur", por nga aftësia për të lundruar me kujdes nëpër çdo hap - nga verifikimi juridik e deri te regjistrimi final i pronësisë.

Pikërisht për këtë arsye, gjithnjë e më shumë blerës në Kosovë po zgjedhin të mos e përballojnë vetëm këtë proces, duke kërkuar mbështetjen e kompanive profesionale të patundshmërive.

Në një treg ku çdo detaj ka peshë financiare dhe juridike, këshilla profesionale nuk është më luks, por një investim që paguhet vetë përmes sigurisë dhe qetësisë që ofron.

  •  

Zvicër, vapa e madhe i deyron vreshtarët të vjelin rrushin në mes të verës



Nxehtësia ekstreme dhe temperaturat e larta që kanë kapluar Zvicrën gjatë javëve të fundit kanë pasu një ndikim të papritur në bujqësi: vjelja e rrushit për këtë vit ka nisur jashtëzakonisht herët, duke u zhvendosur plotësisht në mes të verës.

Në shumë rajone vreshtarie të vendit, procesi i vjeljes ka filluar disa javë më herët se zakonisht, raportojnë mediat zvicerane.

Ekspertët dhe vetë kultivuesit e rrushit sqarojnë se pjekja e përshpejtuar nga dielli i fortë i verës detyron ndërhyrjen e menjëhershme në vreshta, me qëllim që të ruhet balanca e duhur mes nivelit të sheqerit dhe aciditetit në kokrrat e rrushit.

Kjo vjelje e parakohshme sjell sfida të reja logjistike për prodhuesit e verës.

Për shkak të temperaturave të larta gjatë ditës, punëtorët duhet të vjelin rrushin që në orët e para të mëngjesit për të parandaluar fermentimin e padëshiruar të frutave të nxehta përpara se ato të mbërrijnë në kthinat e përpunimit.

Ndryshimet klimatike dhe verërat gjithnjë e më të nxehta po e shndërrojnë këtë dukuri nga një përjashtim në një realitet të ri për sektorin e vreshtarisë në Zvicër.

Ndonëse cilësia e rrushit vlerësohet e mirë, prodhuesit po përshtatin teknologjitë e tyre për të ruajtur freskinë dhe aromën tipike të verërave zvicerane në kushtet e klimës që po ngrohet. /Telegrafi/

  •  

Fuçia e barutit në kokën tonë: Si e formojnë stereotipet e vjetra vështrimin tonë ndaj Ballkanit - dhe pse kjo tregon më shumë për ne sesa për vetë rajonin



Në këtë artikull, historiani austriak Ralf Grabuschnig shkruan se imazhi i Ballkanit si "fuçi baruti" nuk është një realitet natyror, por një stereotip perëndimor i formuar historikisht, i cili tregon më shumë për vetëperceptimin dhe projeksionet e Perëndimit sesa për shkaqet komplekse të dhunës në vetë Evropën Juglindore.

Ralf Grabuschnig

Kur në fillim të viteve 1990 shpërtheu lufta në ish-Jugosllavi, për shumë vëzhgues shpjegimi për këtë dhunë dukej i qartë: sërish Ballkani. Sërish fuçia e vjetër evropiane e barutit. Sërish shpërthimi i një urrejtjeje që gjoja gjëmon vazhdimisht nën sipërfaqe në këtë rajon. Kjo ishte një narrativë e rehatshme, e njohur - dhe e gabuar.

Mbi të gjitha: kjo narrativë ka traditë. Vetë termi "Ballkan" ka origjinë osmane. Në fakt, ai përshkruan një vargmal në Bullgarinë e sotme dhe në burimet osmane zakonisht përdorej pikërisht në këtë kontekst.

Që ky emër i një vargmali t'i vishej dikur gjithë gadishullit, i detyrohemi - jo krejt rastësisht - një gjeografi gjerman: August Zeune, i cili në vitin 1808 shkroi për herë të parë për "gadishullin ballkanik". Ai nuk ishte i vetmi evropian perëndimor që në këtë kthesë drejt shekullit XIX filloi të shkruante për Ballkanin.

Por çfarë saktësisht i përket Ballkanit dhe çfarë jo: kjo ishte e paqartë atëherë dhe mbetet e paqartë edhe sot. Si gadishull, kufijtë e rreptë gjeografikë janë të qartë vetëm në tri anë - perëndim, lindje dhe jug. Në veri, ndërkaq, kufijtë mbeten të paqartë deri sot. Përgjigjet për pyetjen se ku fillon "Ballkani" ndryshojnë ende shumë. Për ta kuptuar këtë paqartësi, mjafton të pyesësh njerëz në rrugët e Lubjanës, Zagrebit apo Budapestit. Ballkani fillon gjithmonë disa kilometra më tej.

Kjo paqartësi gjeografike nuk është rastësi. Ajo tregon diçka më themelore: Ballkani nuk është një rajon i përcaktuar qartë, por më shumë një ide. Një koncept. Dhe në fund të fundit: një ekran projeksioni.

Ky zhvillim vazhdoi së paku me përshkrimin e August Zeunes për "gadishullin". Që në shekullin XVIII, kur fuqia osmane në Evropë filloi ngadalë të dobësohej, rajoni u hap për udhëtarët perëndimorë. Fillimisht erdhën kryesisht tregtarë dhe diplomatë nga Perandoria Habsburgase dhe Venecia. Që nga fillimi i shekullit XIX, erdhën gjithnjë e më shumë udhëtarë të pasur, kryesisht nga Franca dhe Britania e Madhe, në kuadër të "Grand Tour"-it, të njohur atëherë nëpër Evropë.

Në Ballkan, ata kishin një destinacion të caktuar: Greqinë. "Djepin e qytetërimit evropian", siç e shihnin shumë prej tyre. Të rinjtë që udhëtonin donin të shkonin te Akropoli, në Delfi, te gjurmët e Athinës dhe Spartës.

Ajo që gjenin realisht atje, megjithatë, rrallë përputhej me pritshmëritë e tyre. Popullsia reale e Greqisë kishte pak të përbashkët me helenët e lashtë që kishin në mendje udhëtarët. Shkrimtari francez François-René de Chateaubriand madje u këshillonte turistëve të tjerë: "Mos e shihni kurrë Greqinë, zotëri, përveçse te Homeri. Kjo është mënyra më e mirë." (Maria Todorova: Imagining the Balkans, Oxford University Press, 1997, f. 94)

Ishte një qëndrim që më vonë do të shtrihej nga Greqia në të gjithë gadishullin ballkanik. Popullsia lokale përshkruhej në raportet perëndimore të udhëtimit të shekullit XIX si e prapambetur, arkaike dhe e paqytetëruar. Udhëtari anglez Harry de Windt e titulloi shkurt e shkoq një raport udhëtimi të vitit 1907 "Through Savage Europe" (Nëpër Evropën e egër), për të mos lënë asnjë dyshim në këtë drejtim.

Këto përshkrime, megjithatë, as atëherë nuk lindën në vakuum. Ato u shkruan nga njerëz prej dy perandorive më të mëdha koloniale të kohës: Britania e Madhe dhe Franca. Nga njerëz që ishin mësuar t'i shihnin pjesë të tjera të botës si të prapambetura dhe ta pranonin këtë prapambetje si justifikim për sundimin kolonial.

Kështu ishte tani edhe vështrimi ndaj Ballkanit, deri atëherë pak i njohur. Për shkak të pozicionimit të tij brenda Evropës, ai nuk mund të përshtatej si një "tjetër" krejtësisht i huaj, por u bë një lloj "tjetri brenda vetes". Jo krejtësisht oriental, por edhe jo vërtet evropian. Një hapësirë e ndërmjetme. Një zonë kufitare.

Historianja bullgare Maria Todorova e ka quajtur këtë fenomen "ballkanizëm", duke iu referuar konceptit të famshëm të orientalizmit të Edward Saidit. Ashtu si në rastin e Orientit, argumenton Todorova, edhe paraqitja e stereotipizuar e Ballkanit shërbente kryesisht për një qëllim: vetëpërkufizimin pozitiv të Perëndimit.

Duke e përshkruar Ballkanin si të egër, të dhunshëm dhe irracional, Perëndimi mund ta shihte veten si e kundërta e saktë: e ndriçuar, moderne, racionale dhe paqësore.

Deri në fund të shekullit XIX, ky perceptim i Ballkanit fitoi një përcaktim domethënës që mbetet edhe sot: "fuçi baruti". Përshkrimet që e paraqisnin rajonin si të rrezikshëm dhe shpërthyes filluan të shtoheshin nga vitet 1870: në kohën e Kongresit të Berlinit dhe të ndezjes së "çështjes maqedonase". Ideja e Ballkanit si "fitil në fuçinë e barutit evropian" (vetë rajoni shndërrohet në fuçi baruti më vonë) u vendos përfundimisht me Luftërat Ballkanike të viteve 1912/13 dhe shpërthimin e mëpasshëm të Luftës së Parë Botërore.

"Serbia është edhe sot fitili më i nxehtë i fuçisë evropiane të barutit. Nëse duam të parandalojmë një shpërthim, zjarri duhet të shuhet shpejt dhe me dorë të fortë", shkroi për shembull gazeta vjeneze “Neuigkeits-Welt-Blatt” në korrik të vitit 1914 - vetëm disa ditë para fillimit të luftës.

Në atë kohë, deklarata të tilla nuk ishin më raste të izoluara. Lidhja mes "Ballkanit" dhe "dhunës" ishte tashmë fort e ngulitur në kujtesën kolektive të Perëndimit që në fillim të shekullit XX - dhe atje do të mbetej.

Kështu, ky imazh i Ballkanit mbetet i pranishëm deri sot dhe pothuajse nuk ka ndryshuar gjatë njëqind viteve të fundit. Përgjatë shekullit XX, metafora e fuçisë së barutit thjesht u ringjall sërish e sërish. Në kontekstin e Luftës së Ftohtë dhe, natyrisht, edhe në vitet 1990.

"Tani që komunizmi ka rënë, po qarkullojnë mbi Ballkanin emocione që kanë humbur funksionin e tyre legjitim", shkroi gazetari amerikan Robert Kaplan në vitin 1993, në librin e tij të suksesshëm “Balkan Ghosts” (Fantazmat e Ballkanit).

Libri arriti sukses ndërkombëtar pikërisht në mes të luftës në Jugosllavi dhe formësoi perceptimin e një brezi të tërë vendimmarrësish politikë, diplomatikë dhe ushtarakë. Kaplan skiconte një rajon pa përvojat formuese të Rilindjes (Renesansës) dhe Iluminizmit. Në vend të kësaj, rajoni ishte, sipas tij, i karakterizuar nga "urrejtja shekullore", e ngrirë nën sundimin osman e më pas komunist, e cila tani po dilte sërish në sipërfaqe me gjithë fuqinë e saj.

Kjo ishte një përsëritje e narrativës së vjetër për Ballkanin e dhunshëm dhe pati pasoja krejt reale edhe në vitet 1990. Bill dhe Hillary Clinton e kishin lexuar librin e Kaplanit, ashtu si edhe anëtarë të shumtë të komunitetit ndërkombëtar diplomatik. Dhe ideja se luftërat jugosllave ishin thjesht një shpërthim i një urrejtje ballkanike, të lashtë dhe irracionale, kontribuoi gjithashtu në faktin që Perëndimi ngurroi kaq gjatë të ndërhynte më vendosmërisht.

Ndërsa në Washington dhe Bruksel, në fillim të viteve 1990, po debatohej, Sarajeva mbeti e rrethuar për më shumë se tre vjet. Në vitin 1995, në Srebrenicë u vranë mbi 8000 njerëz.

Narrativa e rehatshme e "urrejtjes së lashtë" fshihte atë që në të vërtetë kishte ndodhur në Jugosllavi. Shpërbërja e dhunshme e këtij shteti pati sigurisht shumë shkaqe: kriza ekonomike, rënia e bllokut lindor, dështimi institucional dhe instrumentalizimi i qëllimshëm i narrativave nacionaliste nga elitat politike.

Të gjithë këta faktorë do të meritonin të diskutoheshin. Por fakti që në vend të kësaj u fol me zë të lartë për një urrejtje irracionale e të lashtë, e mbylli pamjen ndaj kompleksitetit real.

Aspekte të tilla si fakti që edhe në vitin 1985 - vetëm gjashtë vjet para fillimit të luftës - një përqindje jashtëzakonisht e lartë e të rinjve në Jugosllavi u identifikua në një sondazh për herë të parë kryesisht si "jugosllavë". Ose fakti që ende në vitin 1990, në pothuajse të gjitha qytetet e mëdha të vendit, kishte protesta të mëdha antiluftë. Ose fakti që shumë ushtarë, në javët dhe muajt e parë të luftërave, dezertuan ose refuzuan urdhrat.

Lufta nuk ishte ligj natyror. Ajo ishte një katastrofë e krijuar nga njerëzit, ashtu si të gjitha katastrofat e tilla, dhe mund të ishte parandaluar nga njerëzit.

Kjo është një e vërtetë që fshihet pas imazhit të rehatshëm dhe të thjeshtuar që Perëndimi ka për Ballkanin. Antropologia Tone Bringa e thotë shkurt e qartë: "Na vjen lehtë ta shohim ish-Jugosllavinë me një mendjemadhësi vetëkënaqëse. Por kjo histori mbart mësime për të gjitha shoqëritë. Sepse edhe gjetkë ekzistojnë rryma të fshehta të mosdurimit, racizmit dhe frikës nga 'tjetri'. Rryma që, kur nxiten nga të fuqishmit, mund të shndërrohen në dhunë, ose tolerohen nga shteti derisa lulëzojnë pa ndëshkim."

Këto rryma mund të bëhen të rrezikshme kudo, edhe "tek ne". Fuçia e barutit, siç duket, gjendet më pak në Ballkan e më shumë në kokat tona.

Ralf Grabuschnig është historian dhe krijues i mediave dixhitale. Në podkastin e tij "Deja-vu Geschichte" dhe në buletinin javor (newsletter) "Geschichtshappen", ai merret me rrënjët e së tashmes sonë. Ky shkrim bazohet në serialin e tij të podkastit "Ballkani si fuça e barutit". Teksti u botua në blogun e historisë të gazetës austriake “Standard”. Përktheu dhe redaktoi: E.R.

  •  

BeerFest Kosova 2026



BeerFest Kosova 2026 rikthehet në Prishtinë nga 2 deri më 4 tetor, me një koncept të rifreskuar që bashkon birrën, gastronominë, muzikën dhe argëtimin në AMC Hall Parking.

Për tri ditë, festivali synon të krijojë një përvojë të plotë për vizitorët, me degustime, oferta gastronomike dhe një program muzikor me emra të njohur të skenës vendore. BeerFest Kosova rikthehet kështu si një hapësirë sociale dhe argëtuese për publikun mbi 18 vjeç.

Detajet

Data: 2–4 tetor 2026
Vendndodhja: AMC Hall Parking, Prishtinë
Mosha: 18+

Programi

Gjatë tri netëve të BeerFest Kosova 2026 do të performojnë një numër artistësh të njohur të skenës muzikore vendore.

Në mesin e emrave të paralajmëruar janë:

  • Capital T
  • Majk
  • Buta
  • Rina Balaj
  • Lluni
  • Shaolin Gang
  • Blerando
  • David Dreshaj
  • BB Poqi
  • Dafina Bytyqi
  • Melinda
  • Ya Nina

Programi do të shoqërohet me përvoja të ndryshme të degustimit, ushqim dhe aktivitete që plotësojnë atmosferën e festivalit.

Arsyet pse duhet të merrni pjesë

  • Për të përjetuar konceptin e rifreskuar të BeerFest Kosova.
  • Për të ndjekur performanca nga artistë të njohur gjatë tri netëve.
  • Për të eksploruar oferta të ndryshme të birrës dhe gastronomisë.
  • Për të kaluar një mbrëmje festive me miqtë në një ambient social.
  • Për të qenë pjesë e rikthimit të një prej festivaleve të njohura të këtij formati në Kosovë.

Informatat tjera për biletat dhe pjesëmarrjen

Biletat kushtojnë 10 euro dhe mund të blihen online përmes platformës Rave Travel.

BeerFest Kosova është event i dedikuar vetëm për personat mbi 18 vjeç.

Kontakt: 045 666 220
Email: info@eventure.tv
Instagram: BeerFest Kosova
Website: beerfestkosova.com

  •  

Autoritetet ruse lëshojnë fletëarrest për gazetarin gjerman pas pyetjes për luftën në Ukrainë



Autoritetet në Rusi kanë lëshuar një fletëarrest kundër korrespondentit të gazetës gjermane "Frankfurter Allgemeine Zeitung" (FAZ) për Ballkanin, Michael Martens.

Siç u bë e ditur të enjten në faqen e Ministrisë së Brendshme ruse, gazetari kërkohet sipas një neni të Kodit Penal.

Sipas burimeve të agjencisë ruse të lajmeve TASS, Martens akuzohet për "nxitje të urrejtjes", një vepër që nëse dënohet në Rusi mund të çojë deri në gjashtë vjet burgim.

Shkak për këtë masë u bë një pyetje që Martens bëri më 8 gusht gjatë një konferencë shtypi në Beograd, ku morën pjesë Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Gazetari e pyeti presidentin ukrainas se çfarë mund të bëjnë evropianët për ta ndihmuar Ukrainën që të "vrasë më shumë rusë", duke shtuar menjëherë: "ushtarë rusë, natyrisht".

Kjo deklaratë nxiti reagime dhe polemika të shumta, veçanërisht në Rusi dhe Serbi, por edhe në qarqet e ekstremit të djathtë dhe të majtë në Gjermani.

Më vonë, redaksia e "FAZ" sqaroi se pyetja ishte "formuluar në mënyrë të paqartë" dhe se nuk është politikë redaksionale e gazetës që "të vriten sa më shumë ushtarë rusë".

Nga ana e tij, vetë Martens deklaroi në rrjetin social X se pyetja ishte e mirëmenduar.

Ai sqaroi se bëhej fjalë për një aludim ndaj një citati të ish-kryeministrit britanik Winston Churchill gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Churchill i kishte dhënë udhëzim oficerit të tij të ndërlidhjes, Fitzroy Maclean, përpara takimit me udhëheqësin komunist jugosllav Josip Broz Tito, duke i thënë të tregonte se si mund t'i ndihmonin partizanët "për të vrarë akoma më shumë gjermanë".

Krahas bërjes publike të fletëarrestit nga Rusia, Ambasada ruse në Berlin i ka dërguar një shkresë Prokurorisë së Berlinit, duke kërkuar një vlerësim juridik nëse formulimet e Martens përbëjnë vepër penale sipas ligjit gjerman, përfshirë nxitjen e urrejtjes ndaj një populli tjetër apo thirrjen publike për kryerjen e veprave penale.

Prokuroria e Berlinit konfirmoi pranimin e shkresës dhe sqaroi se sipas ligjit është e detyruar të shqyrtojë nëse ekziston ndonjë dyshim fillestar, duke theksuar se kjo nuk do të thotë automatisht nisje e hetimit dhe se vlen prezumimi i pafajësisë.

Asociacioni i Gazetarëve Gjermanë (DJV) ka protestuar ashpër ndaj veprimeve të Moskës. Kryetari i Asociacionit, Mika Beuster, deklaroi se drejtësia, përfshirë atë ruse, nuk ka asnjë punë me pyetjet që gazetarët bëjnë në një konferencë shtypi.

Gazetarit Martens nuk i kanoset asnjë ekstradim nga Gjermania drejt Rusisë. Megjithatë, situata mund të bëhet më e rrezikshme për të gjatë punës në rajonin e Ballkanit ku ai vepron si korrespondent, e veçanërisht në Serbi, e cila mban marrëdhënie të afërta me Rusinë.

  •  

Vrasja e turistit portugez në Ksamil, S.V dhe 10 të arrestuarit e tjerë dalin para gjykatës



S.V dhe 10 persona të tjerë të përfshirë në hetimin për vrasjen e turistit portugez Luis Miguel Varela Mendes janë paraqitur këtë të enjte në Gjykatën e Sarandës.

Të arrestuarit do të njihen me masat e sigurisë të kërkuara nga Prokuroria, në kuadër të hetimeve për ngjarjen e rëndë që tronditi Ksamilin dhe mbarë opinionin publik.

20-vjeçari, i cili po kalonte pushimet në Ksamil, humbi jetën në orët e para të mëngjesit të së martës, pas një përleshjeje të dyshuar me mjete prerëse.

Policia ka arrestuar 11 persona në lidhje me vrasjen e të riut portugez. I dyshuari kryesor për goditjen me thikë është një 29-vjeçar, Sokrat Lipan, alias Sokrat Vata, i cili ka precedentë penalë në Mbretërinë e Bashkuar për vepra të lidhura me trafikun e drogës, mbajtjen e armëve dhe drejtimin e rrezikshëm të automjetit. /A2cnn.al/

  •  

Statistikat e reja në Zvicër: Popullsia po rritet dhe po plaket



Zvicra po përjeton një rritje të vazhdueshme të popullsisë, e cila tashmë ka kaluar pragun e 9 milionë banorëve.

Sipas të dhënave më të fundit demografike të Entit Federal të Statistikave, ky zgjerim i popullsisë është kryesisht rrjedhojë nga imigrimi si dhe rritja e jetëgjatësisë, ndërkohë që vendi përballet me sfida të reja sa i përket plakjes së shoqërisë.

Faktori kryesor i rritjes mbetet imigrimi i fuqisë punëtore të kualifikuar nga vendet e Bashkimit Evropian dhe më gjerë.

Pa ardhjen e banorëve të rinj nga jashtë, popullsia zvicerane do të shënonte rënie, pasi shkalla e lindshmërisë tek gratë vendase mbetet në nivele të ulëta dhe nuk mjafton për të zëvendësuar brezat.

Një tjetër zhvillim i rëndësishëm lidhet me strukturën e moshës.

Zvicra po plaket me ritme të shpejta: brezi i të ashtuquajturve “baby boomers” (të lindur në vitet '50 dhe '60) po del gradualisht në pension.

Kjo bën që përqindja e personave mbi 65 vjeç të rritet ndjeshëm, ndërsa numri i personave në moshë pune po pëson tkurrje relative.

Sipas projeksioneve zyrtare për dekadat e ardhshme, nëse këto tendenca vazhdojnë, popullsia e Zvicrës mund të arrijë deri në 10 milionë banorë rreth mesit të këtij shekulli.

Kjo rritje sjell me vete sfida të mëdha praktike për vendin, veçanërisht në menaxhimin e infrastrukturës, hapësirave të banimit, transportit publik si dhe financimin afatgjatë të sistemit të pensioneve dhe kujdesit shëndetësor. /Telegrafi/

  •  

Islami: Reagimi i Petkoviqit pjesë e luftës hibride për kontrollin e narrativës



Analisti i sigurisë, Avni Islami ka reaguar lidhur me deklaratat e drejtorit të Zyrës për Kosovë dhe Metohi në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, pas operacionit të institucioneve të Kosovës në veri të vendit, ku u zbulua dhe konfiskua një sasi e konsiderueshme armatimi.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Islami ka vlerësuar se reagimi i Petkoviqit ndaj ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla është pjesë e një përpjekjeje për ta minimizuar rëndësinë e aksionit të institucioneve të sigurisë.

Sipas Islamit, pretendimi i Petkoviqit se konferenca e Sveçlës në Zubin Potok ishte “sajim” synon të zhvendosë vëmendjen nga konfiskimi i arsenalit të armëve dhe ta kthejë debatin te akuzat e Beogradit ndaj Policisë së Kosovës për keqtrajtime dhe arrestime të pjesëtarëve të komunitetit serb.

“Ky reagim erdhi menjëherë pas goditjes që mori Beogradi zyrtar nga zbulimi dhe konfiskimi i një arsenali të madh armatimi në veri të vendit”, ka shkruar Islami.

Ai e ka cilësuar këtë qasje si pjesë të asaj që e quan “luftë asimetrike hibride” për kontrollin e narrativës ndërkombëtare.

Sipas tij, ndërsa institucionet e Kosovës veprojnë në kuadër të luftës kundër kriminalitetit të organizuar dhe zbatimit të ligjit, Beogradi përpiqet që aksionet e tilla t’i paraqesë si presion ndaj komunitetit serb.

Islami ka thënë se incidentet dhe operacionet e sigurisë shpesh shndërrohen në mjete të përplasjeve politike dhe diplomatike mes Kosovës dhe Serbisë.

Në fund të reagimit të tij, analisti ka vlerësuar se, sipas tij, narrativat dhe deklaratat e pushtetit në Beograd po humbin besueshmërinë në sytë e bashkësisë ndërkombëtare, duke pretenduar se strategjia e dezinformimit po njihet gjithnjë e më shumë.

“Kosova mbetet e palëkundur në mbrojtjen e sovranitetit dhe sigurisë kombëtare”, ka përfunduar Islami. /Telegrafi/


  •  

Konkurset e javës në Telegrafi Jobs: Mundësi të reja në disa fusha profesionale



Tregu i punës në Kosovë vazhdon të lëvizë dhe kjo javë solli në Telegrafi Jobs disa konkurse që mbulojnë fusha mjaft të ndryshme nga njëra tjetra. Nga marketingu digjital e deri te zejet teknike, nga pozitat në menaxhim e deri te ato në shërbim ndaj klientëve, oferta është e larmishme dhe u drejtohet profileve të ndryshme profesionale.

Kjo javë solli një sërë ofertash pune në pozita kryesore nga sektorë të ndryshëm, të cilat po i paraqesim më poshtë për të gjithë ata që janë të interesuar për një mundësi të re karriere.

Nëse jeni duke kërkuar një pozitë në fushën e marketingut dhe krijimit të përmbajtjes, WONDGROUP LLC ka hapur konkurs për Real Estate Content & Marketing Assistant në Prishtinë, pozitë e përshtatshme për kandidatë me shkathtësi në krijim përmbajtjeje dhe marketing digjital.

Po ashtu, për ata me prirje nga puna teknike, Elkos Group po kërkon Mjeshtër/Servisim i Pirunjerëve në Pejë, pozitë që kërkon përvojë praktike në mirëmbajtjen e pajisjeve.

Vende pune ka edhe në fushën e menaxhimit dhe burimeve njerëzore. Hebs Kosova ka hapur njëherësh tre konkurse: Koordinator/e i/e Burimeve Njerëzore në Çagllavicë, Menaxher/e i/e Departamentit Teknik – Teknik për Pajisje Profesionale në Prishtinë, dhe Menaxher/e për Marketing në Çagllavicë.

Nëse preferoni një angazhim në shërbim ndaj klientëve ose gastronomi, po kërkohet Arkatare/Kuzhiniere në disa lokacione, përfshirë Prishtinë dhe Fushë Kosovë, si dhe Podujevë. Mund të aplikoni edhe për pozitën Staf Restoranti në Ferizaj, ose Shofer Delivery/Motorrist Delivery në Gjilan, të dyja gjithashtu nga Hebs Kosova.

Apliko sot

Gjeni pozitën që ju përshtatet dhe aplikoni direkt në Telegrafi Jobs - konkurset kanë afate të kufizuara, mos e humbisni mundësinë.


Mjeshtër/Servisim i Pirunjerëve


Apliko Tani!

Real Estate Content & Marketing Assistant


Apliko Tani!

Koordinator i Burimeve Njerezore


Apliko Tani!

Arkatare, Kuzhiniere


Apliko Tani!

Menaxher i Departamentit Teknik , Teknik per Pajisje Profesionale


Apliko Tani!

Shofer Delivery, Motorrist Delivery


Apliko Tani!

Staf Restoranti


Apliko Tani!

Arkatare,Kuzhiniere


Apliko Tani!

Menaxher/e per Marketing


Apliko Tani!

  •  

Frutex bëhet pronare e objektit historik "Nestor Hotel" në Ludwigsburg të Gjermanisë



Kompania kosovare Frutex vazhdon të shënojë arritje të reja edhe në arenën ndërkombëtare, duke konfirmuar se është bërë pronare e kompleksit historik "Nestor Hotel", i vendosur në qytetin gjerman të Ludwigsburgut.

Objekti ikonik, i ndërtuar në vitin 1874, përfaqëson një nga ndërtesat më të njohura të qytetit dhe shtrihet në një sipërfaqe ndërtimore prej 13,500 metrash katrorë, mbi një parcelë me sipërfaqe totale prej 1.35 hektarësh. Kompleksi përfshin 179 dhoma hoteli, restorant, salla për evente, si dhe objekte të tjera përcjellëse që plotësojnë ofertën e tij.

''Një pjesë e këtij kompleksi do të shërbejë si qendër për koordinimin e aktiviteteve të shitjes dhe zhvillimin e biznesit të produkteve Frutex në Gjermani dhe në tregjet evropiane, duke forcuar më tej praninë tonë dhe mbështetjen për partnerët në rajon

Sipas njoftimit të kompanisë, një pjesë e këtij kompleksi do të shndërrohet në qendër koordinuese për aktivitetet e shitjes dhe zhvillimin e biznesit të produkteve Frutex në Gjermani dhe në tregjet evropiane. Ky hap synon të forcojë praninë e kompanisë në rajon, duke ofruar njëkohësisht mbështetje më të madhe për partnerët e saj në Evropë'', theksohet në njoftim.

Ky investim vjen si dëshmi e rradhës e ambicieve në rritje të Frutex-it për t'u pozicionuar fuqishëm në tregjet ndërkombëtare, duke bashkuar traditën e një objekti historik gjerman me vizionin modern të zhvillimit të biznesit kosovar jashtë vendit.

Me këtë hap, Frutex shton edhe një sukses tjetër në listën e arritjeve të saj, duke dëshmuar se kompanitë kosovare janë të gatshme dhe të afta të konkurrojnë e të investojnë me sukses edhe në tregjet evropiane.

  •  

Këta janë emrat më të popullarizuar për foshnjat në Zvicër - mes tyre edhe dy emra shqiptarë



Enti Federal i Statistikave në Zvicër ka publikuar klasifikimin zyrtar të emrave më të përhapur për foshnjat e lindura gjatë vitit 2025.

Në kategorinë e djemve, emri Noah vazhdon të ruajë kryesimin e listës, i ndjekur nga Liam dhe Gabriel.

Ndërkaq, te vajzat vendin e parë e zë emri Sofia, ndërsa pozicionet vijuese i mbajnë emrat Emma dhe Mia.

Emri Noah konfirmon edhe një herë dominimin e tij afatgjatë në vend.

Ai ka qenë më i preferuari për prindërit zviceranë në vitet 2010 e 2011, përgjatë periudhës nga viti 2013 deri më 2017, si dhe pa ndërprerje nga viti 2021 deri më 2024, duke e ruajtur sërish pozitën e parë gjatë vitit 2025.

Në anën tjetër, Sofia ngjitet në majë të klasifikimit për vajzat, pasi ka qenë vazhdimisht mes tre emrave më të pëlqyer gjatë periudhave 2017-2019 dhe 2022-2024.

Përtej kryesuesve, të dhënat e reja statistikore shfaqin edhe lëvizje të dukshme në preferenca.

Ngritjen më të madhe në ranglistë e shënuan emrat Liyana te vajzat dhe Arno te djemtë, të cilët mes viteve 2024 dhe 2025 u ngjitën përkatësisht me 279 dhe 199 pozicione.

Në krahun tjetër, rënien më të madhe e pësuan emri Linda, i cili humbi 69 vende te vajzat, si dhe emri Milan, i cili ra me 76 pozicione te djemtë.

Ndërkaq, pjesë e listës së 100 emrave më të përhapur për të porsalindurit u bënë për herë të parë edhe emrat Mina dhe Maleo. Në vendin e 23-të është emri Luan. Te vajzat emri Dua është në vendin e 65-të. /Telegrafi/

  •  
❌