Reading view

Rooney kritikon Tuchelin pas eliminimit të Anglisë: Kundër kampionëve të botës nuk mund të jesh kaq pasiv



Anglia u eliminua në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2026, pasi u mposht me rezultat 2-1 nga Argjentina, ndërsa paraqitja e "Tre Luanëve" ka sjellë kritika të forta ndaj përzgjedhësit Thomas Tuchel.

Legjenda e futbollit anglez, Wayne Rooney, vlerësoi se trajneri gjerman gaboi me qasjen taktike, duke mos reaguar në momentin kur Argjentina mori kontrollin e lojës.

"Ishte shumë pasiv. Thomas Tuchel nuk ndryshoi asgjë, ndërsa Argjentina filloi të na sulmonte", deklaroi Rooney.

Sipas ish-sulmuesit të Manchester United dhe Anglisë, trajnerët më të mëdhenj duhet të jenë në gjendje të ndryshojnë rrjedhën e ndeshjes dhe jo të tërhiqen edhe më shumë në mbrojtje.

"Menaxherët kryesorë kundërveprojnë ndaj asaj që po ndodh dhe nuk shkojnë edhe më thellë. Ajo që bëjnë është të dalin më përpara dhe të përpiqen të ndryshojnë tempin dhe ritmin e lojës. Mendoj se ai e bëri gabim", shtoi Rooney.

Në fund, 39-vjeçari pranoi se Anglia nuk e kaloi testin më të madh të turneut, duke theksuar cilësinë e kampionëve në fuqi.

"Kundër këtij ekipi, kampionëve të botës, nuk do t'ia dalësh pa u ndëshkuar. Ky ka qenë testi ynë më i madh dhe ne kemi dështuar", përfundoi Rooney.

Argjentina do të përballet me Spanjën në finalen e Kupës së Botës 2026, ndërsa Anglia do të luajë ndeshjen për vendin e tretë. /Telegrafi/

  •  

Harry Kane i shkatërruar pas eliminimit: Na mungon ende pjesa e fundit e enigmës



Anglia u eliminua në mënyrë dramatike nga Kupa e Botës 2026, pasi humbi 2-1 ndaj Argjentinës në gjysmëfinale, pavarësisht se ishte në epërsi deri në minutat e fundit të takimit.

"Tre Luanët" kaluan në avantazh në minutën e 55-të me golin e Anthony Gordon, por Argjentina përmbysi gjithçka me golat e Enzo Fernandez në minutën e 86-të dhe Lautaro Martinez në minutën e dytë të kohës shtesë.

Pas ndeshjes, kapiteni i Anglisë, Harry Kane, nuk e fshehu zhgënjimin për mënyrën se si skuadra e tij e humbi mundësinë për të luajtur në finalen e madhe.

"Jam i shkatërruar për lojtarët, për stafin dhe për tifozët. Luajtëm një ndeshje të mirë dhe për pjesën më të madhe ishim skuadra më e mirë. Por sapo kaluam në epërsi, dukej sikur u përpoqëm vetëm ta mbronim rezultatin dhe kjo nuk mjafton në këtë nivel", tha Kane.

Sulmuesi anglez vlerësoi përkushtimin e bashkëlojtarëve, por pranoi se në fund nuk ishte e mjaftueshme.

"Punuan jashtëzakonisht shumë për të arritur deri këtu. Djemtë derdhën gjak, djersë dhe lot, por në fund nuk mjaftoi."

Kane analizoi edhe rënien e skuadrës pas golit të shënuar, duke theksuar se Anglia humbi kontrollin e lojës.

"E patëm të vështirë të ushtronim presion ndaj topit. Në pjesën e parë dhe në fillim të së dytës e bëmë këtë shumë mirë dhe kontrolluam ndeshjen. Por pas golit tonë, ata shtynë më shumë lojtarë përpara dhe ne nuk arritëm t'i përballonim. Bllokuam shumë gjuajtje, por në fund kjo nuk mjaftoi."

Kapiteni anglez zbuloi se mesazhi nga stafi teknik pas golit ishte që skuadra të vazhdonte të sulmonte, por kjo nuk u reflektua në fushë.

"Qëllimi ishte të vazhdonim të sulmonim dhe të kërkonim golin e dytë. Kur ata shënuan dy golat, u përpoqëm të reagonim, por nuk mundëm të riktheheshim."

Në fund, Kane pranoi se Anglia vazhdon të jetë pranë suksesit të madh, por ende nuk po arrin ta kapërcejë hapin e fundit.

"Kishim momente shumë të mira në këtë Botëror. Arritëm edhe një herë në gjysmëfinale. Jemi afër, po trokasim në derë, por ende nuk po arrijmë ta kalojmë pragun. Na mungon ajo pjesa e fundit e enigmës", përfundoi kapiteni i Anglisë./Telegrafi/

  •  

Goditje e madhe për Arsenalin, Saliba mund të mungojë deri në pesë muaj pas operacionit



Mbrojtësi i Arsenalit, William Saliba, pritet t’i nënshtrohet një operacioni në shpinë, i cili mund ta mbajë jashtë fushave për rreth katër deri në pesë muaj, raporton L’Equipe.

Futbollisti francez pësoi një dëmtim serioz gjatë gjysmëfinales së Kupës së Botës ndaj Spanjës, ku u detyrua të largohej nga fusha pasi ndjeu dhimbje të forta në shpinë.

Sipas raportimeve, problemi nuk ishte i ri për Saliban, pasi ai kishte vuajtur nga shqetësime në këtë pjesë të trupit për disa muaj para lëndimit.

Mbrojtësi 25-vjeçar kishte arritur ta menaxhonte situatën përmes përdorimit të qetësuesve dhe një programi të përshtatur stërvitor, ndërsa ekipet mjekësore të Arsenalit dhe Kombëtares së Francës kishin ndjekur një plan të ngjashëm për ta mbajtur atë në dispozicion.

Pavarësisht dhimbjeve, Saliba vazhdoi të luante gjatë gjithë Kupës së Botës, duke treguar një përkushtim të madh për skuadrën.

Megjithatë, pas përkeqësimit të gjendjes së tij, operacioni është tashmë opsioni më i mundshëm. Arsenali po përgatitet për një mungesë të gjatë të njërit prej mbrojtësve më të rëndësishëm të skuadrës.

Lëndimi i Salibas vjen në një moment të vështirë për "Topçinjtë", të cilët do të duhet të gjejnë zgjidhje për të mbuluar mungesën e një prej shtyllave të repartit defensivë. /Telegrafi/

  •  

Finale historike në Kupën e Botës: Për herë të parë përballen kampionët e Evropës dhe të Amerikës së Jugut



Argjentina ka siguruar një vend në finalen e Kupës së Botës 2026, pasi mposhti Anglinë me rezultat 2-1 në një gjysmëfinale dramatike të zhvilluar në Atlanta.

Anglezët kaluan në epërsi në minutën e 55-të me Anthony Gordon, por kampionët në fuqi përmbysën gjithçka në fund të ndeshjes falë golave të Enzo Fernandez në minutën e 86-të dhe Lautaro Martinez në minutën e dytë të kohës shtesë. Lionel Messi ishte vendimtar edhe një herë, duke regjistruar dy asistime.

Në finale, Argjentina do të përballet me Spanjën, e cila siguroi kualifikimin pas fitores 2-0 ndaj Francës. Ndeshja për trofeun e Kupës së Botës do të zhvillohet të dielën, më 19 korrik, duke filluar nga ora 21:00.

Përveç luftës për titullin botëror, kjo finale do të hyjë në histori edhe për një arsye tjetër.

Për herë të parë ndonjëherë në një finale të Kupës së Botës do të përballen kampioni në fuqi i Evropës dhe kampioni në fuqi i Amerikës së Jugut. Spanja hyn në këtë duel si fituese e Kampionatit Evropian, ndërsa Argjentina mban titullin e Kupës së Amerikës.

Dy kombëtaret janë përballur vetëm një herë më parë në Kupën e Botës. Kjo ndodhi në edicionin e vitit 1966, në fazën e dytë të grupeve, kur Argjentina triumfoi me rezultat 2-1.

Tani, pas gati gjashtë dekadash, dy superfuqitë e futbollit botëror do të përballen sërish, këtë herë në ndeshjen më të madhe të mundshme – finalen e Kupës së Botës.

  •  

Legjenda e Realit kritikon Anglinë dhe Tuchelin: Qasje frikacake



Legjenda e futbollit spanjoll dhe e Real Madridit, Iker Casillas, ka kritikuar ashpër paraqitjen taktike të Anglisë pas humbjes 2-1 ndaj Argjentinës në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2026.

Casillas reagoi menjëherë pas ndeshjes me një postim në rrjetin social X, ku vlerësoi se anglezët gabuan duke u tërhequr në mbrojtje pas golit të epërsisë.

"Shënon një gol dhe pastaj rri duarkryq. Qasje frikacake", shkroi Casillas.

Më tej, ish-portieri spanjoll shtoi se Anglia ia dorëzoi plotësisht iniciativën kampionëve në fuqi.

"Ata nuk e kanë lënë zonën e tyre dhe e kanë lejuar Argjentinën të dalë më përpara. Rezultati logjik ndodh", përfundoi ai.

Anglia kaloi në epërsi në minutën e 55-të me golin e Anthony Gordon, por më pas u tërhoq në mbrojtje me pesë lojtarë, duke i lënë iniciativën Argjentinës.

Kampionët në fuqi e shfrytëzuan këtë qasje, duke përmbysur rezultatin me golat e Enzo Fernandez dhe Lautaro Martinez për të siguruar fitoren 2-1 dhe kualifikimin në finalen e madhe.

Argjentina do të përballet me Spanjën në finalen e Kupës së Botës, e cila zhvillohet të dielën. /Telegrafi/

  •  

Pas fitores ndaj Anglisë, lojtarët e Argjentinës shpalosin flamurin: “Malvinat janë argjentinase”



Argjentina siguroi kualifikimin në finalen e Kupës së Botës 2026, pasi mposhti Anglinë me rezultat 2-1 në një gjysmëfinale dramatike të zhvilluar në Atlanta.

Megjithatë, festimet e kampionëve në fuqi nuk mbetën vetëm te suksesi sportiv. Pak minuta pas përfundimit të ndeshjes, disa nga futbollistët argjentinas shpalosën në fushë një flamur me mbishkrimin “Las Malvinas son Argentinas” (“Malvinat janë argjentinase”), duke rikthyer në vëmendje një nga mosmarrëveshjet më të ndjeshme historike mes Argjentinës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Në mesin e lojtarëve që mbajtën flamurin ishin Giovani Lo Celso dhe Lisandro Martínez, ndërsa pjesa tjetër e ekipit u mblodh rreth tij gjatë festimeve në stadiumin e Atlantës.

Përplasjet mes Argjentinës dhe Anglisë kanë shpesh një dimension që shkon përtej futbollit. Mosmarrëveshja për sovranitetin mbi Ishujt Falkland, të cilët Argjentina i quan Ishujt Malvinas, mbetet një çështje e ndjeshme që prej luftës së vitit 1982.

Para ndeshjes, trajneri Lionel Scaloni kishte bërë thirrje që dueli të shihej vetëm si një ndeshje futbolli. Megjithatë, gjesti i futbollistëve tregoi se fitorja ndaj Anglisë kishte edhe një domethënie simbolike për ta.

Për shkak të ndjeshmërisë së sfidës, autoritetet amerikane kishin organizuar masa të rrepta sigurie me më shumë se 1.600 efektivë policie, ndërsa FIFA kishte paralajmëruar se nuk do të toleroheshin mesazhe politike apo provokuese gjatë ndeshjes.

Ministrja e Sigurisë e Argjentinës, Alejandra Monteoliva, kishte deklaruar para takimit se tifozët nuk do të lejoheshin të hynin në stadium me flamuj apo simbole që përmbanin mesazhe politike ose provokuese, duke përfshirë edhe ato që lidhen me çështjen e Malvinave. Sipas raportimit të Reuters, kufizimet përfshinin edhe simbolet që lidhen me luftën e vitit 1982.

Pavarësisht kësaj, pas festimit të lojtarëve në fushë, në tribunat e stadiumit u panë gjithashtu disa banderola me të njëjtin mesazh.

Lufta e Falklandit (Malvinave) u zhvillua nga 2 prilli deri më 14 qershor 1982, pasi Argjentina pushtoi ishujt që administrohen nga Mbretëria e Bashkuar. Konflikti përfundoi me fitoren britanike pas 74 ditësh luftime, ku humbën jetën 649 ushtarë argjentinas dhe 255 ushtarë britanikë.

Edhe sot, sovraniteti mbi Ishujt Falkland/Malvinas mbetet objekt mosmarrëveshjeje mes Argjentinës dhe Mbretërisë së Bashkuar, ndërsa ndeshjet mes dy vendeve vazhdojnë të mbartin një ngarkesë të veçantë historike dhe emocionale. /Telegrafi/

  •  

Scaloni pasi shkuan në finale: Ende nuk e kemi kuptuar çfarë kemi bërë



Argjentina është kualifikuar në finalen e Kupës së Botës 2026, pasi mposhti Anglinë me rezultat 2-1 në një gjysmëfinale dramatike të zhvilluar në Atlanta.

Kampionët në fuqi përmbysën rezultatin dhe siguruan për të dytën herë radhazi një vend në finalen e Botërorit, ku të dielën do të përballen me Spanjën në stadiumin MetLife në New Jersey.

Pas ndeshjes, përzgjedhësi i Argjentinës, Lionel Scaloni, nuk e fshehu emocionin për arritjen e skuadrës së tij.

"Jam shumë i lumtur për këtë. Fanella e Argjentinës meriton të sakrifikohet për çdo pikë djerse të fundit. Është e pamundur të përshkruaj atë që ndiej në këtë moment, veçanërisht për njerëzit që kanë mundësinë të festojnë diçka kaq të madhe", deklaroi Scaloni.

Tekniku argjentinas theksoi se skuadra ende nuk e ka kuptuar plotësisht madhështinë e asaj që ka arritur, por tani fokusi është vetëm te finalja.

"Ende nuk e kemi kuptuar se çfarë kemi bërë. Do të përpiqemi ta fitojmë titullin për herë të dytë", shtoi ai.

Argjentina do të kërkojë të mbrojë titullin e fituar katër vjet më parë, ndërsa përballë do të ketë Spanjën në finalen e madhe që zhvillohet të dielën, duke filluar nga ora 21:00. /Telegrafi/

  •  

Vetëm dy kombëtare e kanë bërë më parë: Franca dështoi të shkruajë historinë ndaj Spanjës



Franca nuk arriti të bëhej kombëtarja e tretë në histori që përmbys një disavantazh të pësuar në pjesën e parë të një gjysmëfinaleje të Kupës së Botës. “Les Bleus” u mposhtën 2-0 nga Spanja, e cila dominoi ndeshjen dhe siguroi me meritë kualifikimin në finalen e Botërorit 2026.

Spanja kaloi në epërsi në minutën e 22-të me penalltinë e realizuar nga Mikel Oyarzabal, ndërsa Pedro Porro vulosi fitoren në minutën e 58-të. Skuadra e Didier Deschamps nuk arriti të gjente forcën për t'u rikthyer dhe u eliminua nga turneu.

Historia tregon se rikthime të tilla janë jashtëzakonisht të rralla. Deri më sot, vetëm dy kombëtare kanë arritur të kualifikohen në finale pasi kanë qenë në disavantazh në fund të pjesës së parë të një gjysmëfinaleje të Kupës së Botës.

2 - Only two sides have progressed from a FIFA World Cup semi-final having trailed at half time:

Argentina v Italy - 1990
Croatia v England - 2018

Uphill. pic.twitter.com/3z5fkurDXP
— OptaJoe (@OptaJoe) July 14, 2026


E para ishte Argjentina në Botërorin e vitit 1990, kur eliminoi Italinë me penallti pas barazimit 1-1. Më pas, Kroacia e përsëriti këtë arritje në vitin 2018, duke përmbysur Anglinë me rezultat 2-1 pas vazhdimeve.

Franca shpresonte t'i bashkohej këtij grupi ekskluziv, por Spanja nuk lejoi asnjë surprizë. Me një paraqitje të disiplinuar dhe dominuese, “La Roja” ruajti avantazhin deri në fund dhe siguroi biletën për finalen, ndërsa rekordi historik mbeti i pandryshuar. /Telegrafi/

  •  

Mbappe flet pas eliminimit dhe tregon ku gabuan: Spanja ishte më e mirë, nuk luajtëm siç duhej



Kapiteni i Francës, Kylian Mbappe, nuk e fshehu zhgënjimin pas humbjes 2-0 ndaj Spanjës në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2026, duke pranuar se “Les Bleus” nuk ishin në nivelin e duhur për të siguruar një vend në finale.

Ylli i Real Madridit, i cili ishte një nga protagonistët kryesorë të turneut me tetë gola, tha se Franca dështoi si në aspektin taktik ashtu edhe në atë teknik.

“Nuk mendoj se luajtëm ndeshjen që donim të luanim – qoftë taktikisht, teknikisht apo për sa i përket nivelit të përgjithshëm të performancës sonë. Dhe kur nuk bën atë që duhet në një gjysmëfinale të Kupës së Botës, nuk fiton”, deklaroi Mbappe për M6.

Sulmuesi francez shpjegoi se plani ishte të ushtrohej presion i lartë ndaj Spanjës për të mos e lejuar të kontrollonte ritmin e lojës, por skuadra e tij nuk arriti ta zbatonte këtë ide.

“Qëllimi ynë ishte t’i shtynim lart në fushë për t’i penguar të vendoseshin në atë ritëm të ngadaltë dhe të kontrolluar, sepse kur bëhet fjalë për kontrollin e lojës, ata janë më të mirë se ne. Ne dështuam ta bënim këtë”, u shpreh ai.

Mbappe pranoi se Spanja dominoi edhe betejën në mesfushë, ku Rodri, Dani Olmo dhe Fabian Ruiz krijuan epërsi ndaj Adrien Rabiot dhe Aurelien Tchouamenit.

“Vazhdimisht gjendeshim në situata tre kundër dy në mesfushë. Dhe kundër Spanjës, ky është një problem i madh. Kur i bashkon të gjitha këto, rezultati është humbja. Është një zhgënjim i madh”, shtoi kapiteni francez.

Në fund, 27-vjeçari tha se Franca duhet ta pranojë eliminimin me dinjitet dhe të mësojë nga ky dështim.

“Ishte ëndrra jonë të arrinim në finale dhe t’i jepnim vendit tonë mundësinë të bënte histori. Tani duhet ta përballojmë këtë me kokën lart. Kur fiton, fiton me kokën lart, por edhe kur humbet, duhet të humbasësh me kokën lart. Tani ka një zhgënjim të madh, por duhet ta marrim veten, të shkojmë me pushime dhe të fillojmë një kapitull të ri. Futbolli nuk pret askënd”, përfundoi Mbappe. /Telegrafi/

  •  

Deschamps e pranon se ishin inferiorë ndaj Spanjës, por ka akuza edhe për gjyqtarin: A ishte ai i aftë për një gjysmëfinale?



Trajneri i Francës, Didier Deschamps, nuk e fshehu zhgënjimin pas humbjes 2-0 ndaj Spanjës në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2026, duke pranuar se skuadra e tij ishte inferiore, por njëkohësisht ngriti pikëpyetje edhe për paraqitjen e gjyqtarit Ivan Barton.

Franca u eliminua pas golave të Mikel Oyarzabal dhe Pedro Porro, ndërsa Deschamps vlerësoi se skuadra e tij nuk ishte në nivelin e duhur.

“Lojtarët janë të shkatërruar, por duhet të jemi realistë, ishim teknikisht inferiorë. Është faji ynë. Por unë do të bëj një pyetje: a ishte gjyqtari në nivelin e arbitrimit për një gjysmëfinale? Nuk do t’i përgjigjem vetë kësaj pyetjeje. Kishte shumë situata të dyshimta. Por arsyeja kryesore është se ishim thjesht nën mesataren, me disa gabime teknike dhe pasime të këqija që mund të kishin çuar në raste”, deklaroi Deschamps.

Trajneri francez theksoi se, pavarësisht eliminimit, nuk dëshiron të zhvlerësojë rrugëtimin e skuadrës së tij në turne.

“Ky është niveli më i lartë, edhe nëse dhemb. Do ta luajmë ndeshjen për vendin e tretë. Nuk dua të shpërfill gjithçka që është bërë, por në këtë ndeshje Spanja tregoi diçka më shumë”, u shpreh ai.

Deschamps nuk kurseu elozhet për kundërshtarin, duke pranuar se Spanja e kontrolloi ndeshjen.

“Na mungonte saktësia teknike dhe energjia. Spanjollët janë shumë të mirë në ndërprerjen e sulmeve me parashikime dhe pasime. Do të kishim dashur t’u kishim krijuar më shumë probleme në sulm”, tha tekniku i “Les Bleus”.

Në fund, ai u rikthye edhe një herë te arbitri Ivan Barton, por pa e akuzuar drejtpërdrejt.

“Arbitri? Nëse them diçka, do të dukem si një fëmijë që qan sepse humbëm. Por po ju pyes nëse arbitri është i aftë për detyrën e arbitrimit të një gjysmëfinaleje. Pati ajo situatë e penalltisë, por nuk është vetëm kaq, është përtej çdo gjëje tjetër. Nuk kam asgjë kundër arbitrit sonte, por bëjini vetes këtë pyetje”, përfundoi Deschamps.

  •  

Kroos flet për përplasjen Tuchel - Bellingham: Ai kishte plotësisht të drejtë



Deklaratat e Jude Bellingham pas fitores së Anglisë ndaj Norvegjisë në çerekfinalen e Kupës së Botës 2026 vazhdojnë të shkaktojnë reagime. Mesfushori anglez nuk u pajtua me kritikat e trajnerit Thomas Tuchel, por tani në mbështetje të teknikut gjerman ka dalë ish-mesfushori i Real Madridit, Toni Kroos.

Pas triumfit 2-1 pas vazhdimeve, Tuchel e cilësoi paraqitjen e Anglisë si "të pakujdesshme" dhe pranoi se skuadra e tij pati edhe fat. Bellingham reagoi duke deklaruar se trajneri "nuk e di se çfarë do të thotë të luash kundër një skuadre të fortë si Norvegjia".

Kroos, duke folur në TikTok, mbrojti qartë Tuchelin dhe theksoi se trajneri ka të drejtë të analizojë paraqitjen e ekipit të tij.

“Kush, nëse jo trajneri, ka të drejtë të thotë se çfarë nuk funksionoi? Sidomos kur ai kishte kaluar vetëm dy minuta duke folur për mentalitetin e jashtëzakonshëm të ekipit”, tha Kroos.

Legjenda gjermane shtoi se kritikat e Tuchelit ishin plotësisht të justifikuara.

“Thomas Tuchel kishte absolutisht të drejtë pas ndeshjes kur tha se nuk luajtën mirë. Tani do të përballeni me Argjentinën dhe më pas me Spanjën. Nuk do të fitosh edhe dy ndeshje vetëm me fat ose vetëm me mentalitet. Ke një trajner që di si fitohen ndeshjet eliminatore, sepse e ka dëshmuar këtë vazhdimisht në futbollin e klubeve”, u shpreh ai.

Në fund, Kroos foli edhe për kushtet e vështira atmosferike në Miami, ku u zhvillua sfida me Norvegjinë.

“Kam qenë disa herë në Miami, është një nga vendet më të pakëndshme. Lagështia është e padurueshme. Kur ke luajtur 120 minuta në ato kushte, do të dëgjosh gjithçka tjetër përveç se ke qenë katastrofë, veçanërisht nëse je kualifikuar. Prandaj është normale që acarohesh pak”, përfundoi Kroos. /Telegrafi/

  •  

Pedri e kishte parashikuar finalen e Kupës së Botës? Një postim i tij i para më shumë se një viti u bë realitet



Spanja siguroi një vend në finalen e Kupës së Botës 2026, pasi mposhti Francën me rezultat 2-0 në gjysmëfinale, duke konfirmuar formën e jashtëzakonshme që ka treguar gjatë gjithë turneut.

Skuadra e Luis de la Fuente tani është vetëm një fitore larg ngritjes së trofeut më prestigjioz në futboll.

Pas suksesit ndaj “Les Bleus”, tifozët rikthyen në vëmendje një postim të Pedrit në Instagram, i publikuar më shumë se një vit më parë.

Në fotografi, mesfushori i Barcelonës shfaqej së bashku me Lamine Yamalin dhe Nico Williamsin, ndërsa mbishkrimi përmbante vetëm një datë: “19.07.26”.

Kjo datë është pikërisht dita kur do të zhvillohet finalja e Kupës së Botës 2026. Në atë kohë, shumëkush nuk e kuptoi domethënien e postimit, por pas kualifikimit të Spanjës në finale, ai është bërë viral në rrjetet sociale dhe është interpretuar si një “parashikim” i rrugëtimit të “La Roja”.

Tani, Pedri, Yamal dhe Nico Williams do të kenë mundësinë ta bëjnë ëndrrën realitet edhe në fushë, pasi më 19 korrik Spanja do të luftojë për titullin e kampiones së botës, duke kërkuar të kurorëzojë një turne që deri më tani ka qenë pothuajse perfekt. /Telegrafi/

  •  

Po kritikohet loja e Argjentinës, De Paul përgjigjet: Jemi në mesin e katër më të mirave



Mesfushori i Argjentinës, Rodrigo De Paul, ka hedhur poshtë kritikat ndaj paraqitjeve të kampionëve të botës në Kupën e Botës 2026, duke theksuar se skuadra është plotësisht e kënaqur me rrugëtimin e saj deri në gjysmëfinale.

Argjentina do të përballet me Anglinë për një vend në finalen e madhe, ndërsa De Paul nuk i kushtoi rëndësi komenteve që kanë vënë në dyshim nivelin e lojës së “Albiceleste”.

“Sinqerisht, unë nuk komentoj për mendimet e të tjerëve. Futbolli është gjithashtu i bukur sepse krijon shumë debate”, deklaroi mesfushori.

Futbollisti i Inter Miamit theksoi se Argjentina ka treguar vazhdimësi në skenën më të madhe të futbollit dhe se rezultatet flasin vetë.

“Jemi shumë të lumtur dhe të qetë me paraqitjet tona në këtë Kupë Bote dhe me procesin tonë. Gjithmonë ka vend për përmirësim, por në një Kupë Bote me 48 ekipe kemi arritur mes katër më të mirave, ndërsa në edicionin e kaluar ishim kampionë”, u shpreh De Paul.

Argjentina synon të mbrojë titullin e fituar katër vite më parë dhe për ta bërë këtë duhet fillimisht të kalojë Anglinë në gjysmëfinale, në një nga ndeshjet më të shumëpritura të turneut. /Telegrafi/

  •  

Cubarsi zbulon sekretin e suksesit të Spanjës pas eliminimit të Francës



Pau Cubarsi ishte një nga protagonistët kryesorë në fitoren 2-0 të Spanjës ndaj Francës në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2026, ku qendërmbrojtësi i ri zhvilloi një paraqitje të jashtëzakonshme dhe neutralizoi Kylian Mbappen.

Pas ndeshjes, mbrojtësi spanjoll vlerësoi punën kolektive të skuadrës, duke theksuar se suksesi i “La Roja” nuk është meritë vetëm e lojtarëve që zbresin në fushë.

“Jemi në formë të mirë, por mendoj se të gjithë po na ndihmojnë. Edhe lojtarët që nuk kanë luajtur shumë po na ndihmojnë të përmirësohemi. Ata po na shtyjnë përpara”, deklaroi Cubarsi.

Qendërmbrojtësi i Barcelonës shtoi se konkurrenca e fortë brenda ekipit është një nga arsyet kryesore pse Spanja po zhvillon një Botëror kaq të suksesshëm.

“Ne e dimë që çdo lojtar mund të bëjë një hap përpara në çdo moment dhe të zërë vendin tonë. Konkurrenca brenda skuadrës na bën më të mirë”, u shpreh ai.

Spanja dominoi Francën në gjysmëfinale dhe siguroi një vend në finalen e madhe të Kupës së Botës, ndërsa pas kësaj paraqitjeje bindëse konsiderohet nga shumëkush si favoritja kryesore për të ngritur trofeun më 19 korrik. /Telegrafi/

  •  

Si po i refuzon Atletico të gjitha ofertat për Julian Alvarezin?



Transferimi i Julian Alvarez vazhdon të jetë një nga telenovelat më të mëdha të kësaj vere. Edhe pse Barcelona konsiderohej favoritja për nënshkrimin e sulmuesit argjentinas, në garë është futur fuqishëm edhe Arsenali.

Sipas The Independent, klubi londinez synon ta mbyllë sa më shpejt marrëveshjen, me trajnerin Mikel Arteta që e sheh Alvarezin si objektivin kryesor për repartin ofensiv. "Topçinjtë" dëshirojnë ta kenë 26-vjeçarin në dispozicion që në fillimin e fazës përgatitore më 20 korrik.

Megjithatë, operacioni pritet të jetë jashtëzakonisht i vështirë. Alvarez preferon të vazhdojë karrierën në Spanjë, ku prioritetet e tij mbeten Barcelona dhe Real Madridi.

Problemi më i madh për të gjitha klubet e interesuara është qëndrimi i Atletico Madridit. Klubi madrilen nuk ka ndërmend të shesë një nga yjet e skuadrës dhe vazhdon të refuzojë çdo ofertë.

Sipas raportimeve, Arsenali është i gatshëm të ofrojë deri në 105 milionë euro, ndërsa Real Madridi ka qenë i gatshëm të shkojë mbi 120 milionë euro.

Madje, sipas raportimeve, Atletico Madrid ka refuzuar së fundmi edhe një ofertë prej 150 milionë eurosh për Alvarezin, duke treguar qartë se nuk dëshiron ta humbasë sulmuesin argjentinas, i cili ka kontratë deri në verën e vitit 2030.

Edhe Barcelona mbetet në garë, por situata financiare e klubit katalanas e vështirëson operacionin. Presidenti Joan Laporta ka bërë të qartë se oferta e Barcelonës nuk do të qëndrojë e hapur pafundësisht.

“Oferta jonë e parë është ende në fuqi, por nuk do të mbetet e vlefshme për një kohë të pacaktuar”, citohet të ketë thënë Laporta nga Fabrizio Romano.

Me interesimin e Barcelonës, Real Madridit, Arsenalit dhe më herët edhe Paris Saint-Germainit, e ardhmja e Julian Alvarez pritet të mbetet një nga temat më të nxehta të merkatos verore. /Telegrafi/

  •  

Një nga misteret më të mëdha të Kupës së Botës i zgjidhur: Çfarë fshihet pas fotove të çuditshme të Olise dhe "hakmarrjes" së rreme kundër FIFA-s



Sulmuesi i Francës dhe Bayernit, Michael Olise, nuk ka bërë bujë vetëm me paraqitjet e tij në Kupën e Botës 2026, por edhe me mënyrën krejt të pazakontë se si ka përdorur rrjetet sociale.

24-vjeçari, i cili numëron 23 paraqitje dhe shtatë gola me kombëtaren franceze, fshiu të gjitha postimet e mëparshme në Instagram dhe e mbushi profilin e tij me fotografi artistike, të paqarta dhe të pikselizuara, duke habitur miliona ndjekës.

Në kulmin e Botërorit, profili i tij kishte rreth 9.6 milionë ndjekës dhe fotot misterioze u bënë shpejt virale, duke nxitur mijëra teori në rrjet.

Shumë përdorues besuan se autorja e tyre ishte fotografja franceze e sportit, Florence Pernet. Ajo nuk mori akreditim për Kupën e Botës në SHBA dhe nisi një projekt personal, duke fotografuar ndeshjet nga ekrani i televizorit. Stili i saj artistik ishte aq i ngjashëm me fotot e Olise, sa publiku e lidhi menjëherë me këtë projekt.


Le mystère des photos floues de Michael Olise sur Instagram résolu 👇https://t.co/hJPP0C0SKR
— RMC Sport (@RMCsport) July 13, 2026


Mbi 100 mijë komente u publikuan duke u përpjekur të zbulonin të vërtetën, ndërsa në rrjetet sociale u përhapën teori se bëhej fjalë për një protestë të heshtur ndaj FIFA-s.

Megjithatë, vetë Florence Pernet vendosi t'i japë fund spekulimeve pak para gjysmëfinales mes Francës dhe Spanjës.

“Nuk thashë kurrë që nuk kisha vizë. Thjesht thashë që nuk mora akreditim. Dhe unë nuk jam fotografja e Olise”, sqaroi ajo në rrjetet sociale.



Pas deklaratës së saj u zbulua edhe autori i vërtetë i fotografive. Bëhet fjalë për fotografin gjerman Lukas Korschan, i cili njihet për stilin e tij artistik dhe për fotografimin e shumë yjeve të sportit.

Korschan dhe Pernet kanë zhvilluar projekte të ndryshme, por me një estetikë pothuajse identike. Pikërisht kjo ngjashmëri krijoi konfuzionin që mbajti në ankth miliona tifozë gjatë ditëve të fundit, derisa misteri u zgjidh përfundimisht. /Telegrafi/

  •  

Ka klauzolë largimi nga Bayerni, skuadra arabe nis bisedimet me agjentët e Harry Kane



Al-Hilal është gati të tentojë një tjetër transferim të madh. Sipas gazetarit Sacha Tavolieri, klubi saudit ka nisur bisedimet e para me përfaqësuesit e Harry Kanes për një transferim të mundshëm gjatë kësaj vere.

Raportohet se diskutimet janë ende në fazën fillestare, ndërsa kapiteni i Anglisë nuk ka marrë ende një vendim për të ardhmen e tij.

Kane dëshiron fillimisht të njihet me projektin sportiv të Al-Hilalit, si dhe me ofertën financiare që klubi saudit është i gatshëm t'i paraqesë, përpara se të vendosë nëse do të largohet nga Bayern Munich.

Deri në këtë moment nuk ka pasur kontakte zyrtare mes Al-Hilalit dhe Bayernit.

Megjithatë, situata mund të ndryshojë shpejt, pasi kontrata e sulmuesit anglez përfshin një klauzolë lirimi prej 65 milionë eurosh, e cila hyn në fuqi në sezonin e tretë të marrëveshjes së tij me klubin bavarez.

telegrafi.com

Nëse Al-Hilal aktivizon këtë klauzolë dhe arrin marrëveshje me Kanen për kushtet personale, Bayern nuk do të ketë mundësi ta bllokojë transferimin.

Sipas raportit, negociatat mund të marrin ritëm në ditët në vijim nëse klubi saudit paraqet një ofertë zyrtare që bind sulmuesin dhe stafin e tij.

Kane iu bashkua Bayernit nga Tottenhami në vitin 2023 dhe që atëherë është shndërruar në një nga sulmuesit më produktivë në futbollin evropian, duke vazhduar të jetë objektiv i klubeve me buxhetin më të madh në botë. /Telegrafi/

  •  

Pirlo befason në garën për Italinë, Maldini e sheh si favorit për stolin e “Azzurrëve”



Andrea Pirlo është shfaqur si kandidati kryesor për të marrë drejtimin e Kombëtares së Italisë, pas emërimit të Paolo Maldinit në rolin e drejtorit teknik të Federatës Italiane të Futbollit (FIGC).

Sipas La Gazzetta dello Sport, Maldini, i ndihmuar nga Leonardo, ka nisur procesin e përzgjedhjes së trajnerit të ri të “Azzurrëve” përpara fillimit të Ligës së Kombeve në shtator.

Fillimisht, favoritë për këtë post konsideroheshin Antonio Conte dhe Roberto Mancini, ndërsa në media u përfol edhe emri i Pep Guardiolës. Megjithatë, raportimet e fundit bëjnë të ditur se Pirlo ka kaluar në krye të listës së kandidatëve.

47-vjeçari është një nga legjendat e futbollit italian, pjesë e ekipit që fitoi Kupën e Botës në vitin 2006. Ai gëzon gjithashtu një raport të shkëlqyer me Maldinin dhe Leonardon, me të cilët ndau vite të suksesshme te Milani.

Aktualisht, Pirlo është trajner i United FC në Dubai. Më herët ai ka drejtuar Juventusin, me të cilin fitoi Kupën e Italisë në sezonin 2020/21, si dhe ka qenë trajner i Fatih Karagümrük në Turqi dhe Sampdorias.

Sipas raportit, Maldini kishte menduar ta emëronte Pirlon edhe në stolin e Milanit gjatë vitit 2023, ndërsa tani mund t'i besojë drejtimin e Kombëtares italiane.

Një tjetër faktor që favorizon Pirlon është edhe ana financiare. Paga që ai kërkon është dukshëm më e ulët se ajo e kandidatëve të tjerë, gjë që e bën një alternativë shumë tërheqëse për FIGC-në. /Telegrafi/

  •  

Liverpooli befason me veprimin ndaj Slotit: Do ta ndihmojë të bëhet trajner i Holandës



Liverpooli është i gatshëm ta ndihmojë Arne Slotin të marrë drejtimin e Kombëtares së Holandës, duke mbuluar një pjesë të pagës së tij, raporton mediumi holandez De Telegraaf.

Pavarësisht ndarjes së rrugëve me trajnerin holandez, drejtuesit e Liverpoolit kanë ruajtur marrëdhënie të mira me të dhe janë të gatshëm të lehtësojnë kalimin e tij te Kombëtarja e Holandës.

Slot kishte nënshkruar një kontratë trevjeçare me Liverpoolin në vitin 2024, me një pagë fillestare prej rreth tetë milionë eurosh në sezon. Pas fitimit të titullit të Ligës Premier në sezonin e tij të parë, paga e tij u rrit për dy vitet e mbetura të kontratës, duke e çuar vlerën totale të marrëveshjes në rreth 30 milionë euro.

Sipas rregullave që zbatohen shpesh në futbollin anglez, klubet vazhdojnë t'i paguajnë trajnerët edhe pas shkarkimit deri në skadimin e kontratës, përveç rasteve kur ata pranojnë një punë të re. Në situata të tilla, zakonisht punëdhënësi i ri mbulon diferencën e pagës.

Megjithatë, Liverpooli është i gatshëm të bëjë një përjashtim. Sipas raportimit, klubi anglez do të paguajë diferencën mes pagës që Slot përfitonte në "Anfield" dhe asaj që do t'i ofrojë Federata Holandeze e Futbollit (KNVB), duke e bërë më të lehtë arritjen e marrëveshjes.

Ky vendim lidhet edhe me respektin që Liverpooli vazhdon të ketë për trajnerin holandez. Edhe pse u largua nga posti, Slot vlerësohet për mënyrën profesionale si e menaxhoi periudhën e tij në klub dhe për faktin se e udhëhoqi Liverpoolin drejt titullit të Ligës Premier në sezonin e tij të parë. /Telegrafi/

  •  

John Terry e krahason Bellinghamin me Zidanen: Ai po e mban këtë Angli



Legjenda e Anglisë, John Terry, ka bërë një krahasim të madh për Jude Bellinghamin, duke thënë se mesfushori i Real Madridit po ka të njëjtin ndikim te Anglia siç kishte Zinedine Zidane te Franca në Kupat e Botës 1998 dhe 2006.

Sipas ish-kapitenit të “Tre Luanëve”, Bellingham është shndërruar në liderin e vërtetë të skuadrës së Thomas Tuchelit dhe po e udhëheq Anglinë drejt suksesit në Botërorin 2026.

“E thashë në fillim të këtij Botërori se ai më kujton Zidanen. Tani për tani, ai po e mban këtë ekip. Mendoj se është një lojtar i klasit botëror. Dhe kur e dëgjon jashtë fushës, ai ka një ndjesi të vërtetë qetësie edhe te vetja”, deklaroi Terry.

Bellingham ka qenë vendimtar në rrugëtimin e Anglisë deri në gjysmëfinale, ku dy golat e tij ndaj Norvegjisë siguruan kualifikimin e “Tre Luanëve” përballë Argjentinës.

Terry e krahasoi 22-vjeçarin me Zinedine Zidanen, i cili udhëhoqi Francën drejt triumfit në Kupën e Botës 1998 duke realizuar dy gola në finalen ndaj Brazilit, ndërsa në vitin 2006 i çoi “Les Bleus” në një tjetër finale, ku shënoi ndaj Italisë përpara se të përjashtohej në kohën shtesë pas incidentit të famshëm me Marco Materazzin.

Me Anglinë vetëm një hap larg finales, Terry beson se Bellingham mund të jetë lojtari që do ta udhëheqë skuadrën drejt trofeut të shumëpritur botëror. /Telegrafi/

  •  
❌