Reading view

15:00 Ministri i Jashtëm turk: ​​Me vullnetin e Zotit, brenda ditës do të arrihet një marrëveshje për Ngushticën e Hormuzit

Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, deklaroi se ekziston mundësia që Irani dhe Shtetet e Bashkuara të arrijnë një marrëveshje të përkohshme për Ngushticën e Hormuzit edhe brenda një kohe shumë të shkurtër.

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me homologun sirian Asad al-Shaibani, Fidan tha se negociatat mes Teheranit dhe Uashingtonit mund të sjellin një rezultat pozitiv, por shtoi se çështja mbetet komplekse dhe kërkon zgjidhjen e disa detajeve teknike.

Sipas tij, roli i Omanit si ndërmjetësues është i rëndësishëm, ndërsa palët po shqyrtojnë mënyrën, kohëzgjatjen dhe mekanizmin që do të garantonte vazhdimin e lundrimit në një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të energjisë në botë.

Fidan bëri të ditur se në tryezë është një marrëveshje kalimtare 60-ditore, e cila do të mundësonte vazhdimin e qarkullimit të naftës dhe do të shmangte tronditjet në tregjet ndërkombëtare të energjisë, duke krijuar njëkohësisht hapësirë për një marrëveshje më afatgjatë.

Ministri turk tha gjithashtu se ka disa pika afrimi në lidhje me çështjen bërthamore iraniane dhe se një marrëveshje gjithëpërfshirëse mund të arrihet nëse palët tregojnë vullnet politik.

Duke folur për konfliktin në Lindjen e Mesme, Fidan kritikoi qeverinë izraelite të Benjamin Netanyahut, duke e akuzuar se po dëmton përpjekjet për paqe dhe po përpiqet të zhvendosë palestinezët nga Gaza.

Ai deklaroi se Turqia do të vijojë të mbështesë stabilitetin e Sirisë, duke theksuar se siguria e këtij vendi lidhet drejtpërdrejt me sigurinë e Turqisë. Ankara, sipas tij, do të forcojë bashkëpunimin me Damaskun në fushat e sigurisë, mbrojtjes dhe luftës kundër terrorizmit./ad

  •  

13:50 Nga Dubai në Greqi e Itali, lufta me Iranin po ndryshon zgjedhjet e pushuesve

Lufta mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit po ndryshon ndjeshëm hartën e udhëtimeve verore, duke detyruar mijëra turistë të rishikojnë planet e tyre për shkak të anulimeve të fluturimeve, ndryshimeve të itinerareve dhe pasigurisë në rajon.

Sipas një raporti të Al Jazeera, konflikti ka detyruar kompanitë ajrore të shmangin pjesë të mëdha të hapësirës ajrore të Lindjes së Mesme, duke sjellë fluturime më të gjata, kosto më të larta dhe vonesa të shumta për udhëtarët.

Një nga rastet e përshkruara është ai i Nadia Waleed nga Londra, e cila u përball me ndryshime të njëpasnjëshme të fluturimeve gjatë pushimeve familjare drejt Balit dhe Pakistanit. Ndalesa e saj në Dubai u zgjat nga tre në 18 orë, ndërsa një fluturim kthimi u shty deri në një muaj.

Operatorët turistikë në Britaninë e Madhe thonë se janë detyruar të riorganizojnë ose anulojnë mijëra rezervime, veçanërisht për destinacionet që kalojnë përmes Dubait, Katarit dhe Abu Dhabit. Megjithatë, kjo situatë ka favorizuar destinacionet evropiane.

Sipas kompanisë Trailfinders, Italia, Spanja, Greqia dhe Norvegjia janë ndër vendet që po përjetojnë rritjen më të madhe të kërkesës këtë verë, pasi turistët preferojnë destinacione më të afërta dhe më të sigurta.

Edhe operatori më i madh turistik në Evropë, TUI, konfirmon se këtë sezon po rritet ndjeshëm numri i rezervimeve për pushime brenda kontinentit, ndërsa turistët po orientohen gjithnjë e më shumë drejt paketave të organizuara që ofrojnë më shumë mbrojtje në rast ndryshimesh.

Ndërkohë, Agjencia Evropiane e Sigurisë së Aviacionit (EASA) ka zgjatur paralajmërimet për shmangien e hapësirës ajrore mbi disa vende të Lindjes së Mesme, ndërsa linja të mëdha ajrore si British Airways dhe Virgin Atlantic kanë pezulluar ose reduktuar fluturimet drejt destinacioneve në rajon.

Sipas pilotëve dhe ekspertëve të aviacionit, devijimet e detyruara shtojnë deri në dy orë kohë fluturimi dhe mijëra kilogramë karburant shtesë për çdo udhëtim, duke rritur kostot operative dhe vështirësitë logjistike.

Pasojat po ndihen edhe në destinacionet turistike që varen nga vizitorët ndërkombëtarë. Në Sri Lanka, rezervimet kanë rënë me 20 deri në 30 për qind, ndërsa operatorët turistikë e krahasojnë situatën me goditjen që industria pësoi gjatë pandemisë COVID-19.

  •  

13:46 Policia- herë si zot, herë si mallkim

Last Updated on 06/08/2026 by Anisa

Nga Frrok Çupi

Këto ditë, për shembull, Policia ka marrë hijen e zotit. Policia, por edhe Ushtria, forca civile, aktivistë, patronazhistë, qytetarë të preokupuar. Të gjithë që mund të ndihmojnë njeriun.

Sepse këto ditë bota jonë nuk pushtohet nga pushteti i brutales, por nga pushteti i kënaqësive turbulluese. Jemi në stinë pushimesh, stinë deti, stinë mali, shpellash, ujëvarash, thepisje, aventurash, çmendurie…

Aty ku aventura teprohet dhe rrezikohet njeriu, aty ndjehet një dorë ‘e kafshuar’ mijëra herë më parë. Kafshuar dhe mallkuar!

Shfaqja:

Vetëm para dy ditësh, në Malin e Çikës, tre turistë gjermanë, në moshë 18 vjeç, i hyjnë rrezikut më këmbë dhe rreziku u tregua i pamëshirshëm. Mëshira rronte në duar të njerëzve të Sigurisë. Nëpër linjat mes nesh, mbi qiejt tanë, ngado ku fluturojnë sinjalet që këtu deri në Berlin, u trondit ajri se ‘a mund të shpëtohen të rinjtë’. Gjermania falënderoi forcat shqiptare të Sigurisë, veçanërisht ‘ ekipet e Shpëtimit Alpin dhe Speleologët”, citoi ambasadori në emër të qeverisë gjermane.

Një ditë më parë, alarmi i ‘rrezikut të jetës’  kishte tundur Karaburunin. Dy të rinj po kaq të rinj sa tetëmbëdhjetëvjeçarët, humbën orientimin në gadishullin e Karaburunit. Po humbnin jetën ende pa filluar.

Në bjeshkët e Veriut lëshohen përditë alarme ‘ SOS’. Në ujërat e deteve tanë kënaqësia e stinës vë në rrezik jetë njerëzish. Zjarret që tentojnë të përpijnë jetën e njeriut e të tokës; kush përleshet me ta!

Kjo është stina e Policisë dhe Ushtrisë si zot. Stina e kënaqësisë së pafre të disave, është stina e sakrificës së dikujt.

Megjithatë, vetëm pak lajme të vogla, asgjë më shumë lexojmë në media. Lajmi i mirë nuk është lajm!, thotë teoria e të pavërtetës. As kur bie minatori në Bulqizë, nuk ka lajm sa një blogere në bulevard.

A ia njohim vetes të të keqen dhe vlerën? Nganjëherë nuk e kemi mendjen, ose mendjen e dëbojmë në një vend tjetër.

Ku e dinim se kishim Shpëtim Alpin apo Speleologjik?!, bie fjala.

Kush vjen nga shpellat (!) i dimë, sipas një ironie të përhapur, por kush shpëtohet nga shpellat- kjo ishte larg dijeve. Turma vulgare përhap ankesa vetëm për fatkeqësitë, për ato që ekzistojnë dhe për të tjera që as në ëndërr nuk janë.

Ka mes nesh forca të lavdërueshme që nuk na lënë ta shpërdorojmë jetën, edhe në momentin që ikën mendja. Ky është ‘ Zoti”.

Sa rrallë na shkon mendja te forcat shpëtimtare! Veçse thuren intriga për ‘fatkeqësinë’ që nuk ekziston. Vala e mashtrimit, e desinfomimit, e gënjeshtrës, e intrigës, këto janë fuqi e vetme e njeriut të dobët. Nuk ka spedeolog që i shpëton njerëzit e dobët nga humnera e vetvetes. As Policia dhe Ushtria. Ata janë kapluar nga kënaqësia e të mashtruarit, nga kënaqësia e ‘viktimës’, nga kapja me punët e kota, nga mohimi. Dikush e ka mendjen te fitimi, dikush te pushteti, dikush te vera, dikush shijon  në ekstazë dembelizmin.

Këta jetojnë vetëm një pjesë të vogël të jetës. Sepse nuk e shikojnë të vërtetën, as vlerën. Hahen me bishtin e tyre që nga studio publike deri në bulevard.

Policia, as ushtria, as NATO, as Evropa, nuk mund të dallohen me këta sy. Ato ‘nuk ekzistojnë’.

Derisa të vijë nevoja për Speleologjinë, por atëherë ke mbetur në ‘shpellë’.

  •  

13:40 Do të rikthehet në muzikë pas një pauze 10-vjeçare? ASAP Rocky: Rihanna është në studio, po gatuan

Rihanna mund të jetë gati të ndërpresë një pauzë dhjetëvjeçare nga muzika, sipas partnerit të saj ASAP Rocky.

“Ajo është në studio tani,” tha reperi në podkastin The Jason Lee të mërkurën.

Pak detaje rreth projektit u zbuluan, përveç një mohimi se dyshja do të bashkëpunonte në një album të dyfishtë. Megjithatë, në përgjigje të pyetjeve rreth një albumi të ri të mundshëm, ai shtoi “ajo po gatuan”.

Këngëtarja nuk ka publikuar një album të plotë që nga albumi “Anti” i vitit 2016.

“A je ti arsyeja që nuk kemi një album?” e pyeti podkasteri Jason Lee reperin në emisionin e tij, duke përmendur tre fëmijët që kanë të përbashkët çifti dhe udhëtimet e Rihannës.

Reperi e mohoi këtë, duke thënë në vend të kësaj se këngëtari në fakt po punonte për muzikë të re.

Në shkurt të vitit të kaluar , Rihanna tha se ndihej “shumë optimiste” për një album të ri.

“Nuk mund të ofroj asgjë mesatare. Pasi të kesh pritur tetë vjet, mund të presësh edhe pak”, i tha ajo një gazetari nga Harper’s Bazaar.

Që nga albumi i saj i fundit, Rihanna ka publikuar këngë të vogla, duke përfshirë disa të lidhura me projekte filmike, përfshirë këngën e vitit 2022 “Lift Me Up for Black Panther: Wakanda Forever”.

Ajo ka nisur gjithashtu disa biznese, duke përfshirë linjën e saj të njohur të kozmetikës Fenty Beauty dhe një kompani të brendshmesh. Pasuria neto e 38-vjeçares është vlerësuar nga Forbes në mbi një miliard dollarë./ad

  •  

13:30 Italia në “alarm të kuq” nga vala e të nxehtit, autoritetet lëshojnë paralajmërim urgjent

Italia do të vendosë të 27 qytetet e saj kryesore nën “alarm të kuq” për shkak të valës së katërt të të nxehtit që ka përfshirë vendin këtë verë, ndërsa temperaturat në disa zona pritet të afrohen me 40 gradë Celsius.

Sipas Ministrisë italiane të Shëndetësisë, është hera e parë gjatë këtij viti që të gjitha qytetet e monitoruara nga sistemi kombëtar i mbikëqyrjes së të nxehtit kalojnë në nivelin më të lartë të alarmit. Ky nivel sinjalizon rrezik të lartë për shëndetin e të gjithë popullsisë, jo vetëm për grupet më të ndjeshme.

Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin ekspozimin në diell nga ora 11:00 deri në 18:00, të qëndrojnë në ambiente të freskëta, të konsumojnë të paktën 1.5 litra ujë në ditë dhe të shmangin alkoolin, pijet me gaz dhe aktivitetin fizik gjatë orëve më të nxehta. Gjithashtu, është përsëritur apeli që fëmijët dhe kafshët të mos lihen asnjëherë brenda automjeteve.

Vala ekstreme e të nxehtit, që sipas shkencëtarëve lidhet me ndryshimet klimatike, pritet të vazhdojë të paktën edhe një javë. Evropa po ngrohet rreth dy herë më shpejt se mesatarja globale, duke i bërë episodet e nxehtësisë gjithnjë e më të shpeshta dhe më intensive.

Ditët e fundit, temperaturat e larta janë lidhur me të paktën katër viktima në Itali, mes tyre një 19-vjeçar që punonte në bujqësi dhe një punëtor 40-vjeçar në Lombardi. Një tjetër rast fatal u raportua në Bolonjë, ku një roje sigurie dyshohet se humbi jetën si pasojë e të nxehtit ekstrem.

Përveç rrezikut për shëndetin, vala e të nxehtit ka përkeqësuar edhe thatësirën në luginën e lumit Po. Mbi 100 qytete në rajonet Piemonte dhe Lombardi po përballen me mungesë uji, ndërsa fermerët raportojnë dëme në prodhimet bujqësore, përshpejtim të pjekjes së rrushit dhe ulje me rreth 10% të prodhimit të qumështit për shkak të stresit termik te bagëtitë.

Për të lehtësuar situatën, qytete si Roma kanë ofruar hyrje falas në kinema me ajër të kondicionuar dhe ambiente kulturore gjatë orëve më të nxehta të ditës, si edhe kanë zgjatur orarin e vizitave në monumente si Koloseu dhe Panteoni, duke u dhënë turistëve mundësinë t’i vizitojnë ato në mbrëmje./ad

  •  

13:26 Reforma Territoriale/ Këshillat Bashkiakë kundër draftit të qeverisë, Këlcyra “jo” bashkimit me Përmetin, Klosi kërkon zërin e qytetarëve

Last Updated on 06/08/2026 by Anisa

Drafti i qeverisë për riorganizimin territorial ka hasur kundërshtimin e parë nga disa bashki, teksa këshillat vendorë kanë nisur të shprehin qëndrimet e tyre për shkrirjen e njësive vendore.

Këshilli Bashkiak i Këlcyrës ka votuar kundër propozimit për shkrirjen e kësaj bashkie dhe bashkimin me Bashkinë e Përmetit. Në mbledhjen e jashtëzakonshme, të 15 anëtarët votuan unanimisht kundër draftit të qeverisë.

Vendimi erdhi pas reagimeve dhe protestave të banorëve të zonës, të cilët kanë kundërshtuar humbjen e statusit të bashkisë dhe kanë kërkuar që Këlcyra të vijojë të funksionojë si njësi më vete.

Këshilltarët bashkiakë, si nga mazhoranca ashtu edhe nga opozita, i bënë thirrje edhe Këshillit Bashkiak të Përmetit të mos miratojë propozimin për bashkimin e dy bashkive.

Ndërkohë, edhe në Klos ka nisur diskutimi për ndarjen e re territoriale, ku drafti i qeverisë parashikon shkrirjen e Bashkisë Klos dhe bashkimin e saj me Bashkinë Mat.

Kryetarja e Bashkisë Klos, Valbona Kola, deklaroi se përpara çdo vendimmarrjeje do të zhvillohen dëgjesa publike me banorët në të gjitha njësitë e zonës.

Ajo tha se qëndrimi i saj do të jetë në përputhje me vullnetin e qytetarëve. “Nëse qytetarët do të jenë pro, do të jem pro. Nëse qytetarët do të jenë kundër, edhe unë do të jem kundër”, u shpreh Kola.

Procesi i riorganizimit territorial pritet të shoqërohet me debate edhe në bashki të tjera, ndërsa propozimet për bashkimet e reja kanë nisur të përballen me kundërshtime nga komunitetet lokale dhe përfaqësuesit vendorë./ad

  •  

13:20 Një tjetër lëvizje e qeverisë Trump, SHBA planifikon mbylljen e pesë konsullatave diplomatike, mes tyre Kanadaja

Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar Kongresin për planin e mbylljes së pesë konsullatave diplomatike në Kanada, Grenadë, Japoni, Indonezi dhe Kamerun, në kuadër të një programi për uljen e kostove dhe ristrukturimin e pranisë diplomatike amerikane jashtë vendit.

Sipas njoftimit, do të mbyllen misionet në St. George’s (Grenadë), Nagoya (Japoni), Medan (Indonezi), Douala (Kamerun) dhe Winnipeg (Kanada).

Vendimi vjen si pjesë e reformave të ndërmarra nga Departamenti i Shtetit nën drejtimin e Sekretarit të Shtetit Marco Rubio, pas rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë në janar 2025.

Masa ka ngjallur kritika nga demokratët, të cilët paralajmërojnë se tërheqja e SHBA-së nga këto vende mund të krijojë hapësirë për zgjerimin e ndikimit diplomatik të Kinës.

Senatorja Jeanne Shaheen deklaroi se Pekini tashmë ka prani diplomatike në disa prej vendeve ku SHBA po mbyll misionet dhe se boshllëku mund të shfrytëzohet për të minuar interesat amerikane.

Vendimi është kundërshtuar edhe në Kanada, ku mbyllja e konsullatës në Winnipeg konsiderohet si një goditje për bashkëpunimin ekonomik dhe diplomatik mes dy vendeve.

Ish-zyrtari i konsullatës, Brad Kirbyson, tha se mungesa e një pranie diplomatike në qendër të Kanadasë do ta bëjë më të vështirë ruajtjen e marrëdhënieve me rajonin.

Departamenti Amerikan i Shtetit mbrojti vendimin, duke deklaruar se synon të krijojë një rrjet diplomatik më efikas dhe më funksional, duke respektuar procedurat ligjore të njoftimit të Kongresit.

Mbylljet janë pjesë e një procesi më të gjerë reduktimi të operacioneve diplomatike amerikane. Gjatë vitit të kaluar, Departamenti i Shtetit shkurtoi më shumë se 1,300 vende pune, ndërsa mbi gjysma e posteve të ambasadorëve amerikanë në botë mbeten ende të paplotësuara, përfshirë në vende strategjike si Gjermania, Egjipti, Arabia Saudite dhe Pakistani./ad

  •  

13:13 Ndahet nga jeta këngëtari dhe kantautori legjendar italian Francesco Guccini në moshën 86-vjeçare

Last Updated on 06/08/2026 by Anisa

Kantautori, shkrimtari dhe një nga figurat më të rëndësishme të muzikës italiane, Francesco Guccini, është ndarë nga jeta këtë të enjte në moshën 86-vjeçare, në Pavana të Italisë.

Lajmi u bë i ditur nga familja e tij, e cila njoftoi se artisti ndërroi jetë i rrethuar nga bashkëshortja Raffaella, vajza Teresa dhe të afërmit. Sipas dëshirës së tij, ceremonia mortore do të zhvillohet në privatësi të plotë, ndërsa në muajin shtator do të organizohet një homazh publik në nder të jetës dhe veprës së tij.

I lindur më 14 qershor 1940 në Modena, Guccini ishte i lidhur ngushtë me rrënjët e tij dhe me zonën e Apenineve Toskano-Emiliane, që frymëzoi një pjesë të madhe të krijimtarisë së tij.

Karrierën muzikore e nisi zyrtarisht në vitin 1967 me albumin Folk beat n. 1, duke u shndërruar në një nga zërat më të rëndësishëm të muzikës së autorit në Itali. Ndër këngët e tij më të njohura janë Auschwitz, Dio è morto, Canzone per un’amica, Radici, Piccola città dhe Amerigo, disa prej të cilave u interpretuan me sukses edhe nga grupet historike Nomadi dhe Équipe 84.

Përveç muzikës, Guccini ishte edhe autor romanesh dhe esesh, skenarist i librave me ilustrime, aktor dhe studiues i dialekteve. Për disa vite ai dha mësim gjuhë italiane në kampusin e Dickinson College në Bolonjë.
Gjatë karrierës së tij u vlerësua me çmime të shumta, përfshirë disa Targa Tenco dhe Premio Tenco, ndërsa në vitin 2002 Universiteti i Bolonjës i akordoi diplomën e nderit në Shkencat e Edukimit. Vdekja e tij shënon humbjen e një prej ikonave më të mëdha të kulturës dhe muzikës italiane.

  •  

13:10 Vapa mund të rrisë dhimbjen fizike, ja çfarë i ndodh trupit në temperatura të larta

Nëse gjatë javëve të fundit keni ndjerë se dhimbjet e trupit janë bërë më të forta, nuk është thjesht përshtypje. Temperaturat e larta mund të shtojnë ndjeshmërinë ndaj dhimbjes, duke ndikuar në mënyrën se si trupi e percepton atë. Një analizë e publikuar në muajin mars nga studiues të Universitetit Teknologjik Nanyang në Singapor dhe City St George’s, University of London, bazuar në të dhënat e rreth dy milionë qytetarëve amerikanë, zbuloi se në ditët me temperatura 32°C ose më të larta, gjasat që njerëzit të raportonin dhimbje fizike rriteshin me 1.9% krahasuar me mesataren.

Sipas studiuesve, temperaturat e larta e vendosin organizmin nën stres dhe ndikojnë në disa procese fiziologjike. Dehidratimi, rritja e inflamacionit në trup dhe ndryshimet e presionit të gjakut mund ta bëjnë dhimbjen të ndihet më e fortë. Ndikimi nuk është vetëm i drejtpërdrejtë. Vapa e tepërt shpesh prish cilësinë e gjumit, përkeqëson humorin, ul aktivitetin fizik dhe ndryshon zakonet ushqimore. Të gjithë këta faktorë mund të rrisin perceptimin e dhimbjes dhe të krijojnë një rreth vicioz. Për shembull, netët tropikale e bëjnë më të vështirë gjumin, ndërsa mungesa e gjumit e rrit ndjeshmërinë ndaj dhimbjes. Nga ana tjetër, vetë dhimbja e bën edhe më të vështirë pushimin e mirë, duke përkeqësuar situatën.

Ekspertët theksojnë se, nëse kjo gjendje zgjat, mund të ndikojë jo vetëm në mirëqenien fizike dhe mendore, por edhe në përqendrimin, aftësinë për të marrë vendime dhe produktivitetin në punë, duke sjellë pasoja edhe në aspektin ekonomik.

  •  

13:07 “Kam luajtur golf me Trump, kam pasur shok Blinkenin”, Pilinçi: Nuk pyes as Berishën, as Ramën

Last Updated on 06/08/2026 by Anisa

Profesori shqiptaro-amerikan, i cili prej më shumë se një viti ka paralajmëruar me zë të lartë se do të rrëzojë qeverinë e Edi Ramës, duket se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga misioni i tij politik. Madje sipas tij, jo vetëm që plani është gati, por edhe “kabineti qeveritar” pret vetëm momentin për të marrë drejtimin e një qeverie teknike.

Në një intervistë të fundit për CNA, Pëllumb Pilinçi shpalosi me të njëjtën siguri ambiciet e tij politike, por edhe lidhjet që pretendon se ka pasur ndër vite me emra të njohur të politikës amerikane. Nga Donald Trump te Anthony Blinken, profesori tha se ai lëviz lirshëm në korridoret e politikës amerikane, ndërsa në Shqipëri e sheh veten si njeriun që mund të drejtojë një qeveri teknike për të larguar Edi Ramën nga pushteti.

“Unë jo e njoh, por e kam pasur shok Blinkenin. Unë po e them shkurt, troç dhe shqip, Pilinçi ka 50 e ca vjet në Amerikë, që në 74. Pilinçi ka punën e tij dhe kjo do të thotë një fjalë si mburrje, unë nuk pyes as presidentin e Amerikës. Në Amerikë janë të ndara gjërat. Unë kam lujtuar me Trump golf , por unë jam republikan dhe jam puro dhe presidenti që ndodhet sot nuk është republikan, ka qenë demokrat. Ka rëndësi që Pilinçi ka kompetenca”, tha ai ndër të tjera, duke shtuar më tej se nuk i jep llogari askujt, as Sali Berishës dhe as Edi Ramës, madje as ndonjë figure tjetër politike.

Ai e konsideron të drejtë legjitime të çdo shqiptari ngritjen e një alternative qeverisëse, duke këmbëngulur se struktura e qeverisë teknike që ai promovon është ndërtuar pikërisht me objektivin për të rrëzuar kryeministrin.

“Unë nuk pyes as Berishë, as Edi Ramën dhe asnjë njeri. Unë kam të drejtë, çdo shqiptar ka të drejtë, nëse shqiptarët e duan diçka unë kam të drejtë të ndërtoj qeveri teknike. Qeveria teknike është ndërtuar me qëllimin për të rrëzuar Edi Ramën”, tha ndër të tjera./ad

  •  

13:03 “Besim, empati, shërbim dhe angazhim”, mesazhi i Ramës në rrjetet sociale

Last Updated on 06/08/2026 by Anisa

Kryeministri Edi Rama ka ndarë një postim në rrjetet sociale, ku ka publikuar një fotografi me një mesazh të shkruar me dorë.

Në letër janë renditur katër fjalë: “Besim, empati, shërbim dhe angazhim”, të cilat shoqërohen në postim me flamurin shqiptar dhe një zemër të kuqe.

Edhe pse kryeministri nuk ka dhënë shpjegime shtesë për postimin, mesazhi është interpretuar si një theksim i vlerave që, sipas tij, duhet të udhëheqin qeverisjen dhe shërbimin ndaj qytetarëve.

Postimi vjen në një kohë kur qeveria ka vendosur në fokus forcimin e administratës publike, përmirësimin e shërbimeve për qytetarët dhe vijimin e reformave në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian./ad

  •  

12:00 Ngjarje e rëndë në qendër të Londrës, një grua ther me thikë katër burra

Last Updated on 06/08/2026 by Anisa

Policia e Londrës raportoi se të mërkurën një grua u arrestua pasi theri katër persona me thikë në Covent Garden, një zonë qendrore e kryeqytetit që është e njohur për vizitorët.

Policia Metropolitane tha se indikacionet e hershme sugjerojnë se ishte një incident i lidhur me shëndetin mendor dhe se thika u gjetën në vendngjarje. Policia tha se katër burra të moshës 34, 39, 42 dhe 52 vjeç u gjetën me plagë thike dhe një grua 47-vjeçare u arrestua me dyshimin për posedim të një thike.

Të plagosurit u dërguan në qendrën e traumë pas incidentit në Rrugën Endell. Dy persona u liruan nga spitali dhe dy të tjerë mbetën me lëndime që nuk besohet se janë kërcënuese për jetën.

“Ndërsa jemi ende në një fazë të hershme të hetimit, dëshirojmë të sigurojmë komunitetin se aktualisht besojmë se ky është një incident që lidhet me shëndetin mendor”, tha Kryeinspektori Jason Stewart.

Një menaxher i një dyqani pranë vendit të ngjarjes tha se njerëz të rastësishëm u goditën me thikë.

“Nuk pashë asnjë thikë, por dëgjova se ishte me thikë dhe se policia reagoi menjëherë”, tha Arjan Gjorga, menaxheri i dyqanit.

  •  

11:58 Mbyllet seanca e Kuvendit të Kosovës, Kurti nuk ka emër për kryeparlamentarin, kërkon kohë për Presidentin

Last Updated on 06/08/2026 by Anisa

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, kërkoi kohë shtesë për të vijuar bisedimet me partitë politike, duke mos paraqitur një emër për postin e kryeparlamentarit.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Kurti tha se pas certifikimit të rezultateve kanë nisur takimet me subjektet politike dhe se nevojitet më shumë kohë për arritjen e marrëveshjeve.

Ai u shpreh se diskutimet lidhen jo vetëm me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, por edhe me çështje të tjera institucionale, përfshirë zgjedhjen e Presidentit të ardhshëm.

Urime detyra e përfaqësuesve të popullit. Ju dëshiroj punë të mbarë dhe suksese në legjislaturën e 11. Menjëherë pas certifikimit të rezultateve filluam takimet, e falënderoj Bedri Hamzën e PDK-së për takimin, e falënderoj Lumir Abdixhikun e LDK-së për takimet. Zgjedhjet e shtatë qershorit na u shkaktuan si rezultat i mungesës së marrëveshjes… Nuk duhet të shkaktohen zgjedhjet e tjera“, u shpreh Kurti.

Seanca u zhvillua me tensione dhe reagime nga radhët e opozitës, ndërsa miratoi më herët raportin e Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve, duke konfirmuar vlefshmërinë e mandateve të 120 deputetëve./ad

  •  

11:50 Barcelona i hap “luftë” Realit, nis kontaktet e para për transferimin e fituesit të Topit të Artë

Barcelona ka nisur lëvizjet për një nga mesfushorët më të mirë në botë, Rodri.

Sipas raportimeve të gazetarit Mario Cortegana të The Athletic, klubi katalanas ka zhvilluar kontakte me kampin e lojtarit për të mësuar mundësinë e një transferimi të mundshëm.

Projekti i Barcelonës thuhet se i pëlqen shumë mesfushorit spanjoll, sidomos për shkak të përshtatjes me filozofinë e lojës së klubit. Stili i pasimeve, kontrolli i topit dhe roli i rëndësishëm që mesfusha ka në sistemin katalanas konsiderohen faktorë që mund ta bindin Rodrin për një lëvizje drejt “Camp Nou”.

Një tjetër element që mund të ndikojë në këtë ide është ambienti i njohur për të te Barcelona. Nëse transferimi do të realizohej, Rodri do të gjente në skuadër disa prej shokëve të tij nga kombëtarja spanjolle, me të cilët ka ndarë suksesin në skenën ndërkombëtare.

Megjithatë, Barcelona nuk është e vetme në garën për firmën e tij. Real Madridi e ka ndjekur Rodrin gjatë gjithë verës dhe vazhdon ta konsiderojë një objektiv madhor për përforcimin e mesfushës. Klubi madrilen e sheh spanjollin si një profil ideal për të udhëhequr repartin në vitet e ardhshme.

Rodri, i cili aktualisht është pjesë e Manchester Cityt, mbetet një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës angleze dhe një nga mesfushorët më të kompletuar në futbollin modern.

Për momentin nuk ka një marrëveshje konkrete, por interesimi i dy gjigantëve të La Ligës e bën situatën e Rodrit një nga historitë më të nxehta të merkatos./ad

  •  

11:40 Të gjithë duhet të fillojmë të kujdesemi për shëndetin e kockave. Ja çfarë duhet të hamë

Shëndeti i kockave nis të vihet në provë shumë më herët nga sa mendojmë. Por një dietë e pasur me lëndët ushqyese të duhura mund të ndihmojë në ruajtjen e një skeleti të fortë.

“Pi qumësht që të rritesh me kocka të forta.” Kjo është një nga këshillat e para për shëndetin që shumë prej nesh kanë dëgjuar që në fëmijëri. Shumë fëmijë janë nxitur të pinë qumështin me idenë se kalciumi do t’i ndihmojë të ndërtojnë një skelet të fortë dhe të shëndetshëm.

Megjithatë, ndërsa ky mesazh është rrënjosur në kujtesën tonë që herët, shumë më pak flitet për faktin se sa të zakonshme bëhen kockat e brishta në moshë të rritur. Nëse nuk kujdesemi për shëndetin e kockave që në vitet e para të jetës, rreziku për fraktura rritet ndjeshëm më vonë.

Lajmi i mirë është se mund të bëjmë diçka për ta parandaluar këtë, pavarësisht moshës. Një regjim ushqimor i pasur me lëndë ushqyese të rëndësishme, i kombinuar me aktivitet fizik të rregullt, mund të ndihmojë në ruajtjen e kockave të forta. Dhe jo, nuk bëhet fjalë vetëm për të pirë më shumë qumësht.

Shëndeti i kockave formësohet dekada përpara se të shfaqen shenjat e para të dobësimit. Skeleti që kemi në pleqëri varet nga “rezerva” e masës kockore që ndërtojmë gjatë fëmijërisë dhe moshës së re, periudhë kur kockat rriten, forcohen dhe arrijnë densitetin maksimal në fillim të moshës madhore, shpjegon profesorja Kate Ward nga Universiteti i Southampton në Mbretërinë e Bashkuar.

Pas kësaj faze, densiteti i kockave fillon të bjerë gradualisht me kalimin e viteve.

Në mbarë botën, rreth 500 milionë njerëz vuajnë nga osteoporoza – një sëmundje që dobëson kockat, duke i bërë ato më të holla dhe më të brishta. Si osteopenia, ashtu edhe osteoporoza konsiderohen sëmundje “të heshtura”, pasi zakonisht nuk japin simptoma derisa të ndodhë një frakturë që mund të ndryshojë jetën, shpjegon Julie Thompson nga Shoqata Mbretërore e Osteoporozës në Britaninë e Madhe.

Kjo është veçanërisht e vërtetë për frakturat e ijeve. Çdo vit, në botë regjistrohen më shumë se 10 milionë fraktura të ijeve tek personat mbi 55 vjeç. Pasojat mund të jenë shumë serioze, pasi këto dëmtime shpesh shoqërohen me komplikacione si pneumonia apo infarkti i zemrës.

Në total, rreth 30% e pacientëve mbi 60 vjeç humbasin jetën brenda një viti pas një frakture të ijeve, edhe pse në këtë ndikojnë edhe faktorë të tjerë si mosha dhe sëmundjet shoqëruese.

Gratë janë veçanërisht të rrezikuara nga humbja e densitetit kockor me kalimin e moshës, sidomos gjatë menopauzës, dhe për këtë arsye kanë një përhapje më të lartë të osteoporozës. Megjithatë, edhe burrat preken nga kjo sëmundje.

“Historikisht, osteoporoza është konsideruar si një sëmundje e grave. Kjo ndodhte sepse shumë burra vdisnin në të 60-at nga sëmundjet e zemrës. Sot ata jetojnë më gjatë dhe, si rrjedhojë, shfaqin më shpesh edhe osteoporozën,” thotë profesorja e mjekësisë Bess Dawson-Hughes nga Universiteti Tufts, e specializuar në shëndetin e kockave dhe muskujve.

Pra, cilat janë ushqimet që duhet të konsumojmë për t’i mbajtur kockat të forta?

Ekspertët theksojnë se një ushqyerje e pasur me kalcium, vitaminë D, proteina, magnez, vitaminë K, zink dhe fosfor është thelbësore për ruajtjen e një skeleti të fortë. Po aq i rëndësishëm është edhe aktiviteti fizik, veçanërisht ushtrimet që ngarkojnë kockat, si ecja, vrapi apo stërvitja me pesha.

Qumështi, kosi dhe djathi mbeten burimet më të njohura të kalciumit. Një gotë qumësht prej 200 ml përmban rreth 260 mg kalcium. Studime të kryera tek të moshuarit kanë treguar se konsumimi i rregullt i produkteve të bulmetit, i kombinuar me marrje të mjaftueshme proteinash, ul rrezikun e rrëzimeve dhe të frakturave të legenit. Nevojat ditore për kalcium ndryshojnë sipas moshës dhe gjinisë, por për shumicën e të rriturve rekomandohen 700 deri në 1.200 mg në ditë.

Për ata që nuk konsumojnë produkte bulmeti, soja është një alternativë e mirë. Për më tepër, soja përmban izoflavone, përbërës bimorë që ngjajnë me estrogjenin dhe mund të ndihmojnë në ruajtjen e densitetit kockor, veçanërisht tek gratë pas menopauzës. Studimet kanë treguar se suplementet me izoflavone mund të përmirësojnë lehtësisht densitetin mineral të kockave, megjithëse nevojiten kërkime të mëtejshme për të konfirmuar efektin e konsumit të zakonshëm të sojës.

Edhe farat chia konsiderohen një ushqim i vlefshëm për shëndetin e kockave. Vetëm një lugë gjelle përmban rreth 95 mg kalcium, si edhe magnez, fosfor dhe acide yndyrore omega-3, të cilat ndihmojnë në uljen e inflamacionit kronik. Megjithëse studimet tek kafshët kanë dhënë rezultate premtuese, ende nuk është vërtetuar plotësisht nëse i njëjti efekt ndodh edhe tek njerëzit.

Frutat e thata, si kumbullat e thata, fiqtë dhe kajsitë e thata, janë gjithashtu të pasura me kalcium dhe magnez. Dy fiq të thatë përmbajnë rreth 100 mg kalcium. Këto fruta janë të pasura edhe me polifenole, substanca me veti antioksiduese dhe anti-inflamatore që mund të ngadalësojnë humbjen e masës kockore. Një studim zbuloi se gratë që konsumonin çdo ditë 50 gramë kumbulla të thata humbnin më pak masë kockore gjatë një viti krahasuar me ato që nuk i konsumonin.

Peshqit e konservuar, veçanërisht sardelet dhe salmoni me kocka, janë një tjetër burim i rëndësishëm kalciumi. Një konservë e vogël sardelesh mund të sigurojë rreth 30% të nevojës ditore për kalcium. Përveç kësaj, këta peshq janë të pasur me proteina dhe vitaminë D, e cila ndihmon organizmin të përthithë kalciumin dhe të mbajë muskujt të fortë, duke ulur rrezikun e rrëzimeve.

Ekspertët kujtojnë se muskujt dhe kockat funksionojnë si një sistem i vetëm. Sa më e mirë të jetë forca muskulore, aq më i vogël është rreziku i rrëzimeve dhe, rrjedhimisht, edhe i frakturave.

Sa u përket suplementeve, specialistët këshillojnë kujdes. Studimet nuk kanë arritur në një përfundim të qartë se suplementet me vitaminë D ose kalcium janë të nevojshme për të gjithë. Ato rekomandohen kryesisht për personat që nuk arrijnë të marrin mjaftueshëm lëndë ushqyese përmes dietës ose për grupet me rrezik të lartë, si të moshuarit apo ata që ekspozohen pak në diell. Marrja e tepërt e vitaminës D mund të ketë efekte të padëshiruara, ndaj suplementet duhet të përdoren vetëm sipas këshillës së mjekut.

Në përgjithësi, specialistët bien dakord se mënyra më e mirë për të mbrojtur kockat është një dietë e larmishme dhe e ekuilibruar, e pasur me kalcium, vitaminë D, proteina dhe minerale të tjera, e kombinuar me aktivitet fizik të rregullt. Këto zakone, të nisura që në moshë të re, mund të ndihmojnë në ruajtjen e kockave të forta dhe në uljen e rrezikut të osteoporozës dhe frakturave në vitet e mëvonshme./ad

  •  

11:30 Shqiptarëve u duhen 28 mijë usd në vit për të arritur “pragun e lumturisë”, nga 10 mijë që kanë sot

Një individ në Shqipëri do të duhej të siguronte rreth 28,000 dollarë të ardhura në vit për të arritur të ashtuquajturin “prag të lumturisë”, nivel pas të cilit rritja e mëtejshme e të ardhurave nuk sjell përmirësim domethënës të kënaqësisë nga jeta.

Sipas renditjes së publikuar nga Visual Capitalist, bazuar në një analizë të Remitly, paga mesatare vjetore në Shqipëri vlerësohet në rreth 10 mijë dollarë. Kjo do të thotë se të ardhurat e një punonjësi mesatar mbulojnë vetëm 34.8% të nivelit të vlerësuar si i nevojshëm për “lumturinë”, duke lënë një diferencë prej më shumë se 18 mijë dollarësh në vit.

Në terma mujorë, pragu i llogaritur për Shqipërinë është rreth 2,316 dollarë, ndërsa paga mesatare e përdorur në renditje është afërsisht 830 dollarë në muaj.

Treguesi nuk përfaqëson shumën minimale që nevojitet për të mbuluar ushqimin, banesën dhe shpenzimet bazë. Ai mat nivelin ku, sipas studimit mbi të ardhurat dhe mirëqenien subjektive, rritja e mëtejshme e pagës nuk shoqërohet më me një përmirësim të ndjeshëm të vlerësimit që njerëzit i bëjnë jetës së tyre.

Shqipëria me pagat më të ulëta në rajon dhe Europë

Hendeku i lartë mes pagave reale dhe “çmimit të lumturisë” lidhet me nivelin e ulët të të ardhurave nga puna në Shqipëri.

Sipas të dhënave të tjera INSTAT-it, Eurostat dhe OECD, të përpunuara nga “Monitor”, paga mesatare mujore bruto në Shqipëri ishte 84.1 mijë lekë në vitin 2025, ose rreth 10,300 euro në vit. Në këto nivele, Shqipëria renditej e fundit në Ballkanin Perëndimor, duke përjashtuar Kosovën.

Paga mesatare vjetore bruto arrinte në rreth 15,500 euro në Serbi, afro 15 mijë euro në Bosnjë-Hercegovinë, 14,500 euro në Mal të Zi dhe 13,200 euro në Maqedoninë e Veriut. Krahasuar me Bashkimin Europian, diferenca është edhe më e madhe. Paga mesatare vjetore bruto në vendet e BE-së llogaritet në rreth 50 mijë euro, ose pothuajse pesë herë më shumë se në Shqipëri. Në Gjermani, një nga destinacionet kryesore të emigracionit shqiptar, paga mesatare arrin në rreth 66,700 euro në vit, më shumë se gjashtëfishi i nivelit shqiptar. Në Itali është rreth 36,600 euro dhe në Greqi 26,600 euro në vit. Këto shifra nuk janë plotësisht të njëjta me pagën prej 9,670 dollarësh që përdoret në renditjen e Visual Capitalist, pasi burimet dhe metodologjitë ndryshojnë. Renditja ndërkombëtare mbështetet te të dhënat e Organizatës Ndërkombëtare të Punës, ndërsa krahasimi i “Monitor” përdor pagën mesatare bruto të raportuar nga INSTAT dhe institutet statistikore të vendeve të rajonit.

Çfarë mat “çmimi i lumturisë”

Përllogaritja mbështetet në një studim të Universitetit Purdue mbi marrëdhënien ndërmjet të ardhurave dhe mirëqenies subjektive. Studiuesit përcaktuan një nivel “ngopjeje të të ardhurave”, pas të cilit më shumë para nuk përmirësojnë më në mënyrë të ndjeshme vlerësimin që individët i bëjnë jetës së tyre.

Vlerat fillestare janë përshtatur sipas fuqisë blerëse dhe inflacionit në secilin vend. Pagat mesatare janë marrë nga Organizata Ndërkombëtare e Punës, ndërsa të dhënat janë përditësuar deri në mars 2026.

Pragu nuk duhet interpretuar si një garanci se një person që fiton këtë shumë do të jetë i lumtur. Mirëqenia ndikohet gjithashtu nga shëndeti, marrëdhëniet familjare, siguria, kushtet e punës, arsimi dhe mbështetja sociale.

Nga vendet e analizuara, Sllovenia ishte e vetmja ku paga mesatare rezultonte më e lartë se “çmimi i lumturisë”. Paga mesatare vjetore prej rreth 42,800 dollarësh ishte 16.3% mbi pragun e vlerësuar prej rreth 36,800 dollarësh.

Në Letoni, paga mesatare mbulonte rreth 84.7% të pragut, ndërsa në Poloni 74.5%.

Megjithatë raporti thekson se pagat e larta nuk garantojnë një hendek më të vogël. Shtetet e Bashkuara kanë pagën e tretë mesatare më të lartë në studim, prej 75,300 dollarësh në vit, por njëkohësisht kanë edhe një nga “çmimet e lumturisë” më të larta, prej 134,800 dollarësh. Si rrjedhojë, paga mesatare mbulon vetëm 55.8% të këtij pragu.

Australia ka “çmimin e lumturisë” më të lartë në renditje, në 161,300 dollarë, më shumë se dyfishi i pagës mesatare prej 59 mijë dollarësh. Me të ardhurat që mbulojnë vetëm 36.6% të pragut, vendi renditet në vendin e 39-të.

Një prirje e ngjashme vërehet edhe në Mbretërinë e Bashkuar, ku paga mesatare mbulon 35.9% të pragut, në Kanada me 44.4% dhe në Zelandën e Re me 34%.

Megjithëse këto vende kanë paga relativisht të larta, punonjësit e tyre mbeten më larg nivelit të të ardhurave që lidhet me mirëqenien maksimale sesa punonjësit në disa ekonomi me paga më të ulëta të Europës Qendrore dhe Lindore.

Ekuadori renditet i fundit mes 50 vendeve të analizuara. Paga mesatare prej 6,500 dollarësh mbulon vetëm 32.9% të “çmimit të lumturisë”, të vlerësuar në 19,700 dollarë./monitor-ad

  •  

11:20 Frikë për një dimër të ri bombardimesh, NATO punon për të furnizuar Ukrainën me Patriot

NATO po punon për të siguruar mbrojtjen ajrore që Ukraina “ka nevojë urgjente”, pas rritjes së sulmeve ruse me raketa balistike dhe mungesës së interceptorëve Patriot.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s ka deklaruar se aleatët po punojnë për forcimin e mbrojtjes së Ukrainës, ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky paralajmëroi se Rusia po përgatitet të rrisë ndjeshëm prodhimin e raketave përpara dimrit.

Paralajmërimet vijnë pas një sulmi rus gjatë natës të së mërkurës, ku Moska lëshoi 24 raketa balistike ndaj Ukrainës. Sipas forcave ajrore ukrainase, mbrojtja ajrore arriti të rrëzonte dhjetëra dronë, por nuk mundi të ndalonte asnjë prej raketave balistike.

Zelensky u ka bërë thirrje aleatëve perëndimorë të rrisin furnizimet me raketa interceptuese Patriot, të cilat janë ndër sistemet e pakta të afta për të ndaluar raketat ruse si Iskander-M, S-400 dhe Zircon.

Presidenti ukrainas tha se furnizimet me raketa të mbrojtjes ajrore nga aleatët kanë rënë ndjeshëm krahasuar me vitin e kaluar, duke paralajmëruar se Rusia mund të nisë një fushatë të re sulmesh ndaj infrastrukturës energjetike gjatë dimrit.

Sipas këshilltarëve ukrainas për teknologjinë e mbrojtjes, Rusia mund të arrijë të prodhojë deri në 100 raketa balistike në muaj, të cilat mund të përdoren kundër qendrave logjistike, objekteve industriale dhe infrastrukturës kritike.

Mungesa e raketave Patriot është bërë më e theksuar pas konsumimit të një numri të madh interceptorësh në konfliktin SHBA-Izrael me Iranin. Ndërkohë, prodhimi i ri kërkon kohë dhe nuk pritet të zgjidhë menjëherë mungesën aktuale.

NATO ka bërë të ditur se objekti i parë evropian për prodhimin e raketave Patriot pritet të hapet në Gjermani në muajt e ardhshëm, ndërsa SHBA dhe Ukraina po diskutojnë mundësinë që Kievi të prodhojë vetë disa komponentë të këtyre sistemeve në të ardhmen./ad

  •  

11:10 Sikur të na drejtonin thjesht, aq sa meritonim?!

Nga Ben Andoni

Teorikisht, një sistem politik modern mbështetet në tre kolona: shtet i fortë, rendi ligjor dhe llogaridhënia, të paktën në pohimin e Francis Fukujamës që e konfirmon qysh në fillimin e studimit të tij “Fillesat e Rendit Politik” (Ardhur në shqip nga AIIS). Falë tyre, vendet perëndimore, sot, kanë pse të krenohen sepse kombinimi me sukses i të trejave i bëri që të krijonin dhe të kultivonin një ekonomi kapitaliste të fuqishme me një model jetese, e cila ëndërrohet në masë ndër vendet në zhvillim dhe ato të varfra. Vendi ynë është njëri syresh. Shqipëria, e cila ka nisur rrugëtimin evropian, madje me objektiva afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë, ka hapur tashmë të gjithë kapitujt e integrimit dhe ka arritur të mbylli dy syresh. Megjithatë Shqipërisë i mungojnë rezultate të dukshme në të tre komponentët, përveç një problemi tejet madhor që lidhet me pronën dhe që është i pazgjidhshëm!!!

Kemi një shtet të dobët, me probleme tejet të mëdha të funksionimit të institucioneve dhe administratës, madje të pranuara së fundmi edhe nga kryeministri; ligji është shumë selektiv dhe nga Kali i Betejës së dikurshme të autoriteteve, tashmë është kthyer në makthin e shqiptarëve për zgjatjet e frikshme, mosdhënien e të drejtës, profesionalizmin dhe dosjet e mbartura; kurse llogaridhënia lë jashtëzakonisht shumë për të dëshiruar. Kryeministri Rama dhe qeveria e tij janë gjithnjë e më larg problematikave të shqiptarit të thjeshtë dhe shpesh tregohen cinikë në parlament, kur duhet të shpjegojnë, të japin llogari dhe të jenë transparentë. Ndërsa ministrat dhe zyrtarët e tij shpërfaqen po kaq të ftohtë dhe cinikë, tashmë duke shkuar me këtë logjikë edhe në rendin e drejtorëve e zyrtarëve të tij. “Besa” e tij e tregoi indirekt këtë gjendje, por jo realitetin që është gati kanonik për brishtësinë dhe që e nxjerr shtetin e sotëm tejet larg kërkesave të qytetarit të thjeshtë.

Pyetja që lind natyrshëm me këtë rast është se: Çfarë lloj demokracie është një e tillë, ku balanca shtet- shoqëri anon krejt nga e para dhe ku Rama e forca e tij politike (PS identifikohet me të) janë dhe identifikohen me shtetin. Dhe, më tej: Si mund të mbajë Shqipëria stabilitetin politik, tashmë të trandur jo pak nga Flamingot, pa pasur as rend ligjor dhe as llogaridhënie?! Dhe, sërish, a mund të vazhdoj ky model i shpërfytyruar, i cili megjithatë po na integron, të jetë modeli ynë i suksesit pa standarte?!

Nëse legjitimiteti i demokracisë liberale që ka të adaptuar de jure Shqipëria matet nga rezultatet, atëherë çfarë lloj demokracie moderne jemi?! Për Fukujamën, dështimi i demokracive në shekullin XXI lidhet me dobësinë e shtetit, atë që për çdo ditë një pjesë bajagi e madhe e shqiptarëve, që vërtetë nuk dalin në protesta por e shprehin, është se shteti ynë është tejet i dobët dhe mbi të gjitha i pabarabartë me një korrupsion të frikshëm dhe në funksion të pak vetëve.

Edhe pse të ardhurat për frymë janë rritur në rreth 12,500 dollarë dhe PBB-ja është zgjeruar ndjeshëm, ende 19.7% e popullsisë shqiptare mbetet në varfëri, me mbi 42% në rrezik varfërie ose përjashtimi social sipas treguesve të të dhënave rajonale. Kjo e bën shqetësimin e Flamingove real, jo vetëm si reagim të sotëm por për Shqipërinë e të ardhmes që të paktën të drejtohemi, aq sa mundemi ose si e thoshte Xhorxh Bernard Shou me cinizmin e tij të drejtpërdrejtë: “Demokracia është një mjet që siguron që ne të qeverisemi jo më shumë sesa meritojmë”. Kaq i mjafton shqiptarit të shekullit XXI.

  •  

15:00 IGJEUM ngre alarmin: Rrezik i lartë për zjarre në pjesën më të madhe të vendit

Instituti i Gjeoshkencave (IGJEUM) ka paralajmëruar se rreziku i zjarreve në Shqipëri do të mbetet i lartë gjatë ditës së mërkurë, si pasojë e temperaturave të larta dhe mungesës së reshjeve.

Sipas parashikimit, niveli i rrezikut do të jetë i lartë në qarqet Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër.

Ndërkohë, në qarqet Shkodër, Kukës dhe Dibër rreziku parashikohet të jetë i moderuar, megjithëse në disa zona të këtyre qarqeve ai mbetet i lartë, konkretisht në perëndim të Shkodrës, verilindje të Kukësit dhe perëndim të Dibrës.

IGJEUM bën të ditur se gjatë pasdites së sotme dhe ditës së nesërme nuk priten reshje shiu në të gjithë territorin e vendit. Temperaturat maksimale do të arrijnë deri në 37°C në zonat e ulëta, 34°C në bregdet dhe 33°C në zonat malore, duke krijuar kushte të favorshme për përhapjen e zjarreve.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal, të shmangin ndezjen e zjarreve në ambiente të hapura dhe çdo veprim që mund të shkaktojë përhapjen e flakëve./ad

  •  

14:50 Kina vendos një sërë kufizimesh ndaj agjencive amerikane dhe disa subjekteve

Pekini të mërkurën vendosi kufizime biznesi për shtatë njësi amerikane, shtrëngoi shqyrtimet e eksportit për dronët e dërguar në Shtetet e Bashkuara dhe ndaloi përdorimin e agjencive me bazë në SHBA për disa inspektime fabrikash të kërkuara sipas sistemit të certifikimit të produkteve të Kinës.

Sipas tyre ky veprim ishte në përgjigje të masave të fundit të SHBA-së që përfshijnë operatorët kinezë të telekomunikacionit, laboratorët e testimit, dronët dhe artikuj të tjerë teknologjikë.

Veprimet shënojnë përshkallëzimin e fundit në një cikël më të gjerë tensionesh tregtare dhe teknologjike SHBA-Kinë, në të cilin Uashingtoni ka shtrënguar kufizimet për aksesin kinez në teknologjinë amerikane dhe tregun amerikan për arsye të sigurisë kombëtare dhe të të drejtave të njeriut.

Ndër masat, Ministria e Tregtisë e Kinës tha se e kishte futur Testimin e Pajtueshmërisë me seli në Mesa të Arizonës në listën e saj të kundërmasave, duke u ndaluar organizatave dhe individëve kinezë të kryejnë transaksione ose të bashkëpunojnë me kompaninë.

Testimi i Pajtueshmërisë është një firmë laboratorike dhe shërbimesh certifikimi. Firma të tilla testojnë produkte duke përfshirë pajisjet pa tel, pajisjet elektronike dhe të telekomunikacionit për të përcaktuar nëse ato përmbushin standardet teknike, të sigurisë dhe rregullatore përpara se të shiten.

Kina tha se kompania kishte ndihmuar dhe mbështetur masat e Komisionit Federal të Komunikimeve të SHBA-së, ose FCC, të cilat dëmtuan interesat e Kinës.

Në një urdhër të veçantë, Kina vendosi të njëjtin ndalim për marrëveshjet me gjashtë subjekte të tjera amerikane: Applied DNA Sciences, Stratum Reservoir, Altana Technologies, the Responsible Business Alliance, Verité Group dhe Human Rights in China.

Pekini akuzoi gjashtëshin se mbështesin sanksionet e SHBA-së në lidhje me rajonin e largët perëndimor të Kinës, Xinjiang, ku Uashingtoni dhe grupet e avokatisë pretendojnë se ka abuzime të përhapura të të drejtave të njeriut dhe të punës. Disa nga organizatat punojnë në gjurmimin e zinxhirit të furnizimit ose vlerësimet e rrezikut të punës.

Urdhrat e publikuara kineze nuk specifikojnë ngrirje të aseteve, ndalime udhëtimi apo dënime të tjera kundër shtatë subjekteve. Ato thonë se organizatave dhe individëve në Kinë u ndalohet të kryejnë transaksione ose të bashkëpunojnë me to.

Kina njoftoi gjithashtu se eksportet drejt Shteteve të Bashkuara të dronëve të kontrolluar, komponentëve kryesorë të dronëve dhe teknologjisë përkatëse do të rishikohen në mënyrë strikte rast pas rasti, pa qasje në lehtësitë e licencimit./ad

  •  
❌