Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Ruaje dosjen për 20 Shkurt se do jem në shesh… –

✇27.al
By: 27

Deputeti demokrat, Belind Këlliçi  ka reaguar lidhur me protestën  e organizuar  një ditë më parë para ambienteve të Kryeministrisë, ndërsa thekson se është proceduar nga Policia e Shtetit dhe marrë nën hetim për organizimin e protestës dhe udhëheqjen e përplasjes me efektivët.

Këlliçi sqaron se këtë lajm e ka marrë vesh ndërsa ishte në një takim në Miçigan, me Robert Lulgjuraj në Qendrën Kulturore “Nënë Tereza”.

Sipas Këlliçit, kjo dëshmon tragetin politik që e ka gati, “shërbëtori i bandave” Ilir Proda.

Reagimi 

Ndërkohë që takoja mikun tim Robert Lulgjuraj në Qendrën Kulturore “Nënë Tereza” në Miçigan, prokurorin shqiptaro-amerikan që garon për në Kongresin e SHBA nën rradhët e Partisë Republikane, mësoj se Policia e Shtetit në Tiranë, e drejtuar nga ushtari i krimit të organizuar Ilir Proda, më paska proçeduar dhe marë nën hetim për organizimin e protestës dhe udhëheqjen e përplasjes me efektivët e rendit!!!

Kjo dëshmon targetin politik që e ka gati narkodrejtuesi dhe shërbëtori i bandave, Proda, i cili pavarësisht se ndodhem jashtë vendit dhe një oqean larg, më bën letrat për prokurori.

I them Prodës dhe shefit të tij, kreut të narkoshtetit Edi Rama, ta ruajë dosjen për protestën e 20 shkurtit, pasi do jem aty, në vijën e parë, bashkë me demokratët dhe qytetarët që nuk pranojnë korrupsionin e krimin si normë, si rregull, si rend.

Krenar për secilin demokrat e qytetar që dje u përball me dhunën e paprecedentë policore dhe i bëj thirrje çdo shqiptari, që më datë 20 shkurt, të dalë në shesh, jo për partitë politike, por për atdheun, për flamurin tonë kombëtar🇦🇱

PS: Përtej banalitetit që prodhon shteti i drejtuar nga Edi Rama, gjej rastin të ftoj çdo shqiptar në shtetin e Miçiganit dhe kudo tjetër, të mbështesë me çdo mundësi Robert Lulgjurajn, në këtë shans historik, që një shqiptar të ulet në Kongresin Amerikan.

Asnjë dhunë nuk i ndal protestat e qytetarëve, koha e Ramës ka mbaruar –

✇27.al
By: 27

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, denoncoi sot dhunën e ushtruar nga qeveria dhe policia, duke akuzuar Edi Ramën se po përpiqet të mbajë pushtetin me frikë dhe terror.

Bardhi theksoi se sulmet ndaj qytetarëve, deputetëve dhe të miturve tregojnë panikun e kryeministrit për humbjen e pushtetit dhe paralajmëroi se vendosmëria e opozitës dhe e qytetarëve të lirë nuk do të shuhet nga asnjë dhunë.

Protestat, sipas tij, do të vazhdojnë, sepse ndryshimi nuk mund të ndalet nga shkopinj gome, gaz lotsjellës apo dhunë barbare.

Reagimi

Edi Rama sot foli si të gjithë diktatorët që duan ta mbajnë pushtetin me dhunë. Qetësia dhe siguria e tij janë zhdukur nga frika dhe paniku. Edhe reagimi sadist i policisë mbrëmë kundër njerëzve të lirë, qytetarëve, deputetëve, të miturve, reflektoi frikën e Edi Ramës për humbjen e pushtetit.

Edi Rama ka frikë. Frikë se njerëzit nuk heshtin më. Frikë se ata nuk tërhiqen. Frikë se opozita nuk zmbrapset.

Është një aksiomë e pashkruar: kur pushteti fillon të veprojë me mllef, urrejtje dhe armiqësi ndaj kundërshtarëve politikë, ai po ndien fundin. Por e siguroj Edi Ramën se vendosmëria e njerëzve të lirë dhe e opozitës nuk shuhet as me ujë me piper, as me gaz lotësjellës, as me shkopinj gome.

Protestat do të vazhdojnë, sepse asgjë nuk e ndal dot më ndryshimin.

Gazi lotsjellës, skafandrat e policisë, shkopinjtë e gomës, dhuna barbare e Edi Ramës nuk mund ta ndalin kohën. Koha e tij po mbaron.

Abuzimet me tenderat/ Ish-kryebashkiaku socialist i Memaliajt, Gjolek Guci merret i pandehur nga SPAK –

✇27.al
By: 27

Ish-kryetari i Bashkisë Memaliaj, Gjolek Guci, është marrë i pandehur nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për veprën penale “shkelje e barazisë në tendera”.

Sipas burimeve, bashkë me të janë marrë të pandehur edhe shtetasit Edmonda Harizi, Bersant Ylli dhe Feta Hoxha, të cilët dyshohet se janë përfshirë në të njëjtën procedurë të kundërligjshme.

Burime bëjnë me dije se hetimet kanë evidentuar shkelje në një procedurë prokurimi që lidhet me një projekt për ujësjellësin në 8 fshatra të zonës.

Gjolek Guci ka drejtuar Bashkinë e Memaliajt për disa mandate, deri në zgjedhjet e fundit vendore, kur kandidati i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, Albert Malaj, fitoi me një diferencë prej 312 votash.

Ndaj Gucit, sipas raportimeve, ka pasur edhe denoncime të tjera nga qytetarë dhe nga Partia Demokratike, ndërsa hetimet për çështjen vijojnë.

Thaçi është i pafajshëm, prokuroria po hedh poshtë dëshmitë e ndërkombëtarëve –

✇27.al
By: 27

Sot ka nisur dita e tretë e deklaratave përmbyllëse në gjyqin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi në Gjykatën Speciale, me seli në Hagë.

Luka Misetic, avokat i Hashim Thaçit, tha në fillim të deklaratës së tij përmbyllëse në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë se klienti i tij është i pafajshëm.

Avokati kritikoi mënyrën e mendimit të Prokurorisë së Specializuar, që kërkoi 45 vjet burgim për secilin prej katër të akuzuarve.

“Hashim Thaçi është i pafajshëm”, tha fillimisht Misetic. “Para jush keni katër burra, për të cilët ligji thotë që duhet t’i prezumoni të pafajshëm”, shtoi ai.

Misetic tha se në këtë pikë trupi gjykues duhet të nisë argumentimin për marrjen e vendimit në këtë rast gjyqësor.

“Kjo është pikënisja juaj kur të filloni argumentimet për marrjen e vendimit. Ne e dimë që në këtë pikë të procedurës ai është i pafajshëm, pasi ligji ju kërkon juve që ta prezumoni atë të pafajshëm”.

Avokati i Thaçit u ka thënë gjykatësve se e sheh problematik faktin që në gjithë dosjen e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) janë shpërfillur të gjitha provat të cilat diskreditojnë provat dhe pretendimet e saj.

Në fjalën përmbyllëse në Gjykatën Speciale të Hagës, ai theksoi se akuza ka shpërfillur provat dhe dëshmitë.

Avokat nënvizoi se, Thaçi nuk ishte person që mund të kryente dhunë.

“Kur analizohen dhe shqyrtohen parashtrimet përfundimtare të ZPS-së është sikur të lexohet një kronikë apo analizë e një filmi të shkruar nga dikush që nuk e ka parë filmin.

Kur t’i filloni kuvendimet tuaja, ju do të filloni nga qëndrimi se Hashim Thaçi është i pafajshëm dhe më pas ju do të vlerësoni nëse provat e paraqitura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ju kanë bindur juve, jashtë dyshimit të arsyeshëm, se Hashim Thaçi është fajtor. Thaçi nuk ishte person që mund të kryente dhunë.

Pretendimet e ZPS-së se ndërkombëtarët nuk ishin të informuar saktë, është karakteristikë e veçantë duke marrë parasysh mënyrën e centralizuar të komunikatave të UÇK-së dhe intervistat në televizione. Provat dhe dëshmitë e këtyre dëshmitarëve ndërkombëtarë, rikonfirmohen fuqishëm nga zyrtarë të lartë të UÇK-së”, u shpreh avokati i Thaçit

Pasi të jepen të gjitha deklaratat përmbyllëse, që parashihet të kryhen deri më 18 shkurt, çështja do t’i kalojë trupit gjykues, që ka tre muaj kohë për shpalljen e një aktgjykimi.

Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi po qëndrojnë në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë prej fillimit të nëntorit të vitit 2020, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Prokuroria e Specializuar i akuzon ata se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve.

 

 

Dosja ‘Buka’/ GJKKO pranon që Arben Ahmetaj të dëshmojë përmes video-konferencave –

✇27.al
By: 27

Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e avokatëve të Arben Ahmetajt për të dëshmuar në seancë me audio ose videokonferencë.

Kërkesë e bërë për shkak se ish-zëvendëskryeminsitri nuk ndodhet dhe nuk mund të paraqitet fizikisht në Shqipëri.

Gjatë seancës së parë, përfaqësuesit e Prokurorisë së Posaçme paraqitën edhe listën e dëshmitarëve që pritet të thirren në këtë proces.

Sipas burimeve nga salla e gjyqit, dëshmitari i parë që do të dëgjohet është Lirim Fejzollari.

Seanca e radhës për këtë çështje është caktuar të mbahet më 24 shkurt, në orën 14:00, kur pritet të vijojë administrimi i provave dhe dëgjimi i dëshmitarëve.

 Dosja “Buka”

Hetimet lidhen me një transfertë prej 3 milionë eurosh nga Shqipëria drejt Austrisë. Këto para dyshohet se janë përfituar nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, pas privatizimit të ndërmarrjes shtetërore “Buka” në vitin 2014.

Privatizimi i kësaj shoqërie, sipas SPAK, i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej rreth 7 miliardë lekësh. Transferta është kryer nga biznesmeni Lirim Fejzullai, i cili ka qenë i përfshirë në procesin e privatizimit .

Ahmetaj akuzohet për shpërdorim detyre, duke favorizuar privatizimin e shoqërisë “Buka sha” nga biznesmeni Lirim Fezollari. Pas privatizimit, në pronën e shoqërisë është ndërtuar kompleksi “Emerald” në zonën e Medresesë në Tiranë.

Familja Myderizi, e cila kishte interesa në këtë shoqëri, ka ngritur padi ndaj Ahmetajt duke e akuzuar se u ka shkaktuar dëm financiar. Gjykatat kanë pranuar kërkesat e familjes, duke konfirmuar se dëmi i shkaktuar arrin në 7 miliardë lekë .

 

“Marubi”, në 10-vjetorin e themelimit

TIRANË, 11 shkurt/ATSH/ Viti 2026 shënon 200-vjetorin e fotografisë, si dhe 10-vjetorin e Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”.

Këtë përvjetor të dyfishtë, “Marubi” e konsideron jo vetëm si një akt përkujtimor formal, por një moment reflektimi mbi rolin e fotografisë si formë dijeje dhe mbi muzeun si institucion kritik, që ndërmjetëson marrëdhënien midis kujtesës, historisë dhe së tashmes.

Muzeu “Marubi” u themelua si një nevojë kulturore dhe etike: për të ruajtur, studiuar dhe aktivizuar arkivin fotografik të dinastisë Marubi dhe të fotografëve të tjerë të Shkodrës, një korpus imazhesh që artikulon, përmes dritës, transformimet shoqërore, politike dhe kulturore të një vendi.

Në themel të kësaj trashëgimie qëndron Pietro Marubbi, i cili solli fotografinë në Shqipëri jo vetëm si teknikë, por si mënyrë të re të të parit dhe të të kuptuarit të realitetit.

Hapja e muzeut shënoi kalimin nga arkivi i mbyllur drejt institucionit të hapur, nga ruajtja pasive drejt interpretimit kritik. “Marubi” eshte konceptuar nga studioja Casanova + Hernandez dhe eshte vendosur në ndërtesën historike të projektuar nga Kolë Idromeno.

Gjatë dhjetë viteve të para, muzeu ka kontribuar në riformulimin e mënyrës se si fotografia lexohet dhe kuptohet në Shqipëri. Përmes ekspozitave kuratoriale, ndërthurjes me praktikat bashkëkohore artistike, programeve edukative, botimeve dhe kërkimit shkencor, ai ka ndërtuar ura konceptuale mes arkivit dhe aktualitetit, mes historisë dhe kritikës së saj.

Në vitin 2017 muzeu u përzgjodh finalist për European Museum of the Year Award, ndërsa në vitin 2025 arkivi i negativëve, objekteve dhe dokumenteve të Pietro dhe Kel Marubit u shpall zyrtarisht pjesë e Regjistrit Ndërkombëtar “Memory of the World” nga UNESCO. /j.p/

The post “Marubi”, në 10-vjetorin e themelimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mbahet takimi trepalësh Shqipëri-Kosovë-Kroaci për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes

TIRANË, 11 shkurt/ATSH/ Në Shkodër u mbajt takimi trepalësh për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes midis Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjenerallejtënant, Arben Kingji kryeson takimin së bashku me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Kroacisë dhe Komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Takimi ka në fokus thellimin e bashkëpunimit ushtarak përmes planeve konkrete.

“Qëllimi i këtij takimi është forcimi i angazhimit dhe bashkërendimit ushtarak, në përputhje me marrëveshjen trilaterale të mbrojtjes mes vendeve tona”, u shpreh gjenerallejtënant Kingji në një postim në rrjetet sociale ku solli momente nga takimi.

Kosova, Shqipëria dhe Kroacia në këtë mënyrë po konkretizojnë në praktikë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes për të cilin u dakordësuan kur ministrat e Mbrojtjes nënshkruan një deklaratë të përbashkët më 18 mars në Tiranë.

Në deklaratën që u nënshkrua nga ministri në detyrë i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ai i Shqipërisë, Pirro Vengu, dhe i Kroacisë, Ivan Anushiq, u vendosën katër pika bashkëpunimi: Promovimi i kapaciteteve mbrojtëse dhe bashkëpunimi për industrinë përkatëse; Rritja e ndërveprueshmërisë nëpërmjet edukimit, trajnimeve dhe stërvitjeve; Kundërpërgjigja ndaj kërcënimeve hibride dhe rritja e qëndrueshmërisë; Ofrimi i mbështetjes së plotë për integrimin euroatlantik.

Në tekstin e deklaratës u tha se ky bashkëpunim është për të siguruar pozicionim të mirë për t’u bërë ballë kërcënimeve dhe për të arritur objektivat e mbrojtjes dhe sigurisë.

The post Mbahet takimi trepalësh Shqipëri-Kosovë-Kroaci për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TEHERAN – Irani: Gati të ofrojmë garanci vetëm për përdorim paqësor të energjisë bërthamore

TEHERAN, 11 shkurt /ATSH-ANSA/ – Si pjesë e negociatave me Shtetet e Bashkuara, Irani është gati të ofrojë garanci se nuk do të ndjekë përdorimin e armëve bërthamore dhe, në të njëjtën kohë, kërkon që pala tjetër të garantojë të drejtën e Iranit për teknologji bërthamore paqësore për prodhimin e energjisë elektrike.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, e deklaroi këtë në një intervistë me Russia Today, të raportuar nga agjencia e lajmeve IRNA, duke shtuar se garanci të tilla janë “të realizueshme dhe të arritshme” nëse ka vullnet të mirë nga të dyja palët.

“Ne ende nuk kemi besim të plotë tek amerikanët”, por nuk ka zgjidhje tjetër përveç një zgjidhjeje diplomatike”, shtoi ai.   /os/

 

The post TEHERAN – Irani: Gati të ofrojmë garanci vetëm për përdorim paqësor të energjisë bërthamore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IRAN – Miliona pjesëmarrës në përvjetorin e Revolucionit Islamik të vitit 1979

TEHERAN, 11 shkurt /ATSH-DPA/- Miliona njerëz në Iran dolën sot në rrugë me rastin e përvjetorit të Revolucionit Islamik të vitit 1979, raportuan mediat shtetërore.

Televizioni shtetëror tregoi mbështetës të qeverisë në rrugët kryesore në qendër të kryeqytetit, Teheran.

“Miliona iranianë morën pjesë në festimet në më shumë se 1 400 qytete dhe rreth 40 000 fshatra”, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve IRNA.

Gjithashtu, u shfaqën pajisje ushtarake siç është tradicionale në festimet e përvjetorit, duke përfshirë lëshues kamionësh të lëvizshëm të raketave balistike.

Ministra dhe oficerë ushtarakë morën pjesë gjithashtu në festime.

Presidenti Masoud Pezeshkian bëri thirrje për unitet kombëtar.

“Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë për unitet përballë kërcënimeve, komploteve, zhvillimeve të gabuara ose dezinformatave që ndonjëherë mashtrojnë të rinjtë tanë”, tha ai në një fjalim.

“I kërkoj falje popullit fisnik për mangësitë që ekzistojnë”, shtoi Pezeshkian.

Dje në mbrëmje, mbështetësit e Republikës Islamike bërtitën “Allahu Ekber” (Zoti është më i madhi) mbi çatitë e metropolit të Teheranit. Shprehja u bë thirrja simbolike e revolucionit kundër sundimit të monarkut (Shahut) në vitin 1979.

Përvjetori i këtij viti është në hijen e shtypjes brutale të protestave masive në fillim të janarit.

“Vdekje diktatorit” jehoi gjithashtu një thirrje nga banesat, një referencë për udhëheqësin fetar të Iranit dhe kreun e shtetit, Ajatollah Ali Khamenei.

Mijëra të vrarë u raportuan në valën e fundit të protestave – e cila u shkaktua nga kriza e rëndë ekonomike në Iran.

Ndërsa fillimisht tregtarët dolën në rrugë, protestat u zhvilluan shpejt në një kryengritje mbarëkombëtare kundër sistemit të ashpër islamik të qeverisjes.

Natën e 8-9 janarit, forcat e sigurisë vranë gati 6 500 demonstrues, sipas hetimeve nga agjencia e lajmeve e Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut në Iran (HRANA) me seli në SHBA.

Besohet se më shumë se 50 000 njerëz janë arrestuar.

Protestat tani janë qetësuar, por situata e vështirë ekonomike dhe rritjet ekstreme të çmimeve vazhdojnë të ndikojnë në jetën e përditshme të shumë familjeve.

Monedha kombëtare, riali – për shumë iranianë një matës i menjëhershëm i gjendjes së tyre financiare – ka rënë në nivele rekord që nga fillimi i vitit. //a.i/

The post IRAN – Miliona pjesëmarrës në përvjetorin e Revolucionit Islamik të vitit 1979 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu: Drejtësia t’i trajtojë me përgjegjësi sulmet barbare ndaj policisë, urdhëruesit fshihen pas imunitetit

TIRANË, 11 shkurt /ATSh/ Ministrja për Punët e Brendshme, Albana Koçiu reagoi sot në lidhje me protestën e opozitës, ku theksoi sot se e drejta për të protestuar është e paprekshme, por dhuna është e pafalshme.

Në një deklaratë për mediet, Koçiu theksoi se kush sulmon uniformën e Policisë së Shtetit dhe tenton të destabilizojë rendin kushtetues, do të përballet me ligjin dhe se ndaj tyre nuk ka asnjë mburojë politike.

Koçiu u shpreh se “përpjekja e dështuar për të ardhur në pushtet duke goditur punonjësit e rendit, duke djegur institucionet, e për më tepër duke përdorur të miturit për të hedhur molotovë apo sende të forta mbi punonjësit e Policisë, që të mos ndiqen penalisht autorët e vërtetë, është një akt i turpshëm dhe i dënueshëm”.

Sipas saj, keqpërdorimi i të miturve për të kryer akte dhune është vepër penale, por është gjithashtu një shkelje e rëndë morale.

“E këtu një rol të posaçëm mund dhe duhet të luajnë institucionet, shoqëria civile dhe vetë familja, për t’i mbrojtur këta ta mitur nga përdorimi dhe instrumentalizimi me qëllime të errëta të politikës kriminale”, theksoi Koçiu.

Ministrja tha se është pikërisht kjo arsyeja, përse protestat e Partisë Demokratike janë braktisur masivisht nga qytetarët duke përfunduar tek një grusht militantësh, apo elementë të paguar për të krijuar skenarë imagjinarë të një revolte popullore.

“Kjo është e papranueshme”, tha ministrja e Brendshme.

E drejta për të protestuar, shtoi Koçiu, nuk është e drejtë për të dhunuar, për të shkatërruar, apo aq më pak, për të tentuar gjymtimin apo vrasjen e efektivëve të Policisë.

“Ndaj, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit nuk do të qëndrojnë duarkryq. Autorët e këtyre akteve barbare do të ndëshkohen maksimalisht, sipas ligjit”, tha ajo.

Koçiu u bëri thirrje organeve të drejtësisë, t’i trajtojnë me përgjegjësinë maksimale dhe ligjore këto sulme barbare ndaj uniformës, pas të cilave qëndrojnë padyshim urdhëruesit e fshehur pas imunitetit, nën drejtimin e Sali Berishës; një dhunues përsëritës i sulmeve ndaj institucioneve dhe rendit kushtetues.

“Personat përgjegjës, duhet të kuptojnë se nuk kanë asnjë mburojë politike mbi kokën e tyre. Kush tenton të vrasë policin, kush tenton të djegë institucionet, nuk merr as çmimin si terroristi më i mirë, as mirënjohjen e partisë së tij, por shkon në burg dhe merr ndëshkimin e parashikuar nga ligji”, tha Koçiu.

Koçiu shprehu solidaritetin maksimal “për të gjithë punonjësit e policisë të plagosur, si dhe për të gjithë kolegët e tyre, që edhe një herë më shumë kryen me profesionalizëm detyrën, duke mos rënë pre e një strategjie të qartë terrori, përmes provokimit të përsëritur dhunës e të gjakderdhjes.

“Vetëpërmbajtja e forcave të rendit, në kushtet më ekstreme, është një garanci e jashtëzakonshme për të gjithë qytetarët e ndershëm, që pavarësisht bindjeve të tyre politike, janë të bashkuar në dëshirën për të mos parë dhunë e aq më pak, ripërsëritjen e ngjarjeve të mbrapshta përpara syve të tyre”, tha Koçiu.

Ministrja nënvizoi se nuk ka asnjë tërheqje përballë akteve kriminale, të një minorance të dhunshme me maska, që fshehin fytyrën, por nuk mbulojnë dot qëllimin e tyre.

“Do të jemi përherë në krah të punonjësve me uniformë, gazetarëve dhe njerëzve të medias në krye të detyrës, dhe të gjithë atyre, që e ushtrojnë të drejtën kushtetuese të tubimit, në respekt të ligjit dhe bashkëjetesës në një shoqëri demokratike”, tha ajo. /j.p/

 

The post Koçiu: Drejtësia t’i trajtojë me përgjegjësi sulmet barbare ndaj policisë, urdhëruesit fshihen pas imunitetit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: 65 mijë individë përfitojnë nga shërbimet sociale, të angazhohen edhe familjet në sistemin e përkujdesjes

TIRANË, 11 shkurt /ATSh/ Kryeministri Edi Rama ishte sot i pranishëm në eventin “Fondi Social 2026 – Garanci për Qëndrueshmërinë e Shërbimeve për Mirëqenien e Qytetarëve”, ku u prezantuan 14 shërbime të reja sociale për fëmijët dhe nënat në nevojë, për fëmijë dhe të rritur me aftësi ndryshe, për të moshuarit, për gra dhe vajza viktima të dhunës, si dhe për fëmijë pa kujdes prindëror.

Në fjalën e tij, Rama theksoi se risi kyçe e këtij procesi është përfshirja e pushtetit vendor.

“Risia vendimtare e këtij procesi ka qenë shtrirja e shërbimeve në nivelin vendor dhe përfshirja e nivelit vendor në mënyrë aktive, gjë që është në hapat e para, por që në hapat e para na ka dhënë të gjitha arsyet për të besuar se kjo është rruga e drejtë,” u shpreh ai, duke shtuar se beson në krijimin e një “sinergjie shumë të domosdoshme me kryetarët e bashkive për ta çuar këtë proces para”.

Kreu i qeverisë nënvizoi se aktualisht 65 mijë individë përfitojnë nga ky sistem.

“Që sot Shqipëria të kujdeset në mënyrë të posaçme për 65 mijë individë, është diçka shumë domethënëse. Nuk janë 65 mijë individë që i prek një sistem financimi, por i prek një sistem i organizuar institucionesh, pikash shërbimi, kujdestarësh dhe kështu me radhë,” tha Rama.

Rama theksoi gjithashtu rëndësinë e përfshirjes së familjeve në sistemin e përkujdesjes sociale, veçanërisht për fëmijët pa kujdes prindëror.

“Nga ana tjetër bazuar dhe në mënyrën se si funksionon shoqëria shqiptare, është e rëndësishme që me bashkitë të shtyjmë shumë më tepër familjet në këtë sistem përkujdesje sociale. Të kërkojmë më shumë familje që janë ta gatshme të marrin pjesë në këtë përpjekje sociale dhe të kujdesen për fëmijë që kanë nevojë jo thjesht për në strehë, por për një strehë që ka ngrohësi familjare.

“Në këtë pikë pushteti vendor është kyç dhe kryetarët e bashkive janë aktorët kryesor për të arritur të përcjellin sensin e kësaj qasje dhe të bëjë punën e nevojshme bindëse për familjet që mund t’i bashkohen kësaj qasje për të cilat duhet të dedikojmë një fond të veçantë”, tha Rama.

Sa i përket buxhetit, Rama bëri të ditur se “buxheti është rritur 6 herë nga momenti kur ne e kemi nisur këtë përpjekje”.

“Është 17% më i lartë këtë vit se vitin e shkuar, por buxheti nuk është e gjitha. Kështu që për këtë arsye, na duhet që këtë proces decentralizmi ta thellojmë, ta bëjmë më të konsoliduar dhe të rrisim patjetër edhe cilësinë e jetës nën strehët e kujdesit shoqëror”, tha Rama.

Rama gjithashtu përmendi edhe transformimin e Shtëpisë së Përkujdesjes për Fëmijët “Zyber Hallulli” në Tiranë, duke theksuar se në bashkëpunim me bashkitë e tjera do të shqyrtohen mundësi për krijimin e hapësirave komunitare me standarde dhe cilësi.

“Ne kemi nisur një proces në Tiranë me transformimin e kushteve për jetimoren e famshme, Shtëpinë e Përkujdesje për Fëmijët “Zyber Hallulli”, në një fshat të përkujdesjes brenda qytetit, natyrisht dhe në këtë frymë është mirë që të shohim me bashkitë të tjera mundësi për të krijuar hapësira komunitare të rëndësishme nga pikëpamja e kushteve dhe e cilësisë”, tha Rama.

/m.q/j.p/

The post Rama: 65 mijë individë përfitojnë nga shërbimet sociale, të angazhohen edhe familjet në sistemin e përkujdesjes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bardhi: Protestat do të vazhdojnë, asgjë nuk e ndal dot më ndryshimin

TIRANË, 11 shkurt /ATSh/ Kryetari i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi, tha sot se reagimi i kryeministrit Edi Rama për protestën e opozitës ishte si “të gjithë diktatorët që duan ta mbajnë pushtetin me dhunë”.

Sipas tij, qetësia dhe siguria e tij janë zhdukur nga frika dhe paniku.

“Edhe reagimi sadist i policisë mbrëmë kundër njerëzve të lirë, qytetarëve, deputetëve, të miturve, reflektoi frikën e Edi Ramës për humbjen e pushtetit”, shtoi Bardhi.

Bardhi nënvizoi më tej se është një aksiomë e pashkruar: kur pushteti fillon të veprojë me mllef, urrejtje dhe armiqësi ndaj kundërshtarëve politikë, ai po ndien fundin.

“Por e siguroj Edi Ramën se vendosmëria e njerëzve të lirë dhe e opozitës nuk shuhet as me ujë me piper, as me gaz lotësjellës, as me shkopinj gome”, shkroi Bardhi në reagim.

Deputeti demokrat shtoi se “protestat do të vazhdojnë, sepse asgjë nuk e ndal dot më ndryshimin”.

Sipas Bardhit, gazi lotsjellës, skafandrat e policisë, shkopinjtë e gomës, dhuna barbare e Edi Ramës nuk mund ta ndalin kohën pasi koha e tij po mbaron.

/m.q/j.p/

The post Bardhi: Protestat do të vazhdojnë, asgjë nuk e ndal dot më ndryshimin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Begaj përcjell ngushëllime për viktimat e sulmit me armë në shkollë: Solidaritet me popullin e Kanadasë

TIRANË, 11 shkurt/ATSH/ Presidenti Bajram Begaj u shpreh sot i tronditur nga ngjarja tragjike e vrasjeve në shkollë në British Columbia në Kanada.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, kreu i shtetit shprehu ngushëllimet më të thella për familjet e viktimave dhe uroi shërim të shpejtë për të plagosurit.

“Shqipëria qëndron në solidaritet me popullin kanadez dhe dënon çdo akt dhunë që merr jetë njerëzore”, u shpreh Begaj.

Dhjetë persona, përfshirë të dyshuarin për sulm, u vranë të martën në një sulm me armë në qytetin Tumbler Ridge në provincën perëndimore të Kolumbisë Britanike të Kanadasë.

The post Begaj përcjell ngushëllime për viktimat e sulmit me armë në shkollë: Solidaritet me popullin e Kanadasë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SPORT – Probleme me hapjen e parashutës, vdes Pierre Wolnik kampioni botëror i rënies të lirë

GJENEVË, 11 shkurt /ATSH/ – Pierre Wolnik, dy herë kampioni botëror francez i rënies së lirë, vdiq të shtunën e kaluar pasi u hodh nga një helikopter në Mont Blanc, shkruan il messaggero.it.

Parashuta e Wolnikut nuk u hap, duke rezultuar në një aksident fatal të pashmangshëm.

Francezi kishte zgjedhur masivin Mont Blanc në Haute-Savoie për të ndërmarrë sfidën e tij.

Pierre Wolnik ishte hedhur nga Mont Blanc me një kostum me krahë, por diçka shkoi keq në mënyrë dramatike për 37-vjeçarin dhe ai u rrëzua në fshatin Bossons.

Ekipet e shpëtimit nxituan në vendngjarje, por nuk arritën ta shpëtonin. Trupi i tij u gjet më vonë dhe u transportua me helikopter.

Një anëtar i ekipit francez, Pierre ishte planifikuar të garonte në Kampionatin Botëror 2026 këtë verë.

Vdekja e tij u njoftua në faqen e tij në Facebook nga Yves-Marie Guillaud, president i Federatës Franceze të Parashutizmit, i cili e përshkroi atë si “një të ri të talentuar me një buzëqeshje kaq miqësore” dhe “një parashutist të jashtëzakonshëm”.   /os/

 

The post SPORT – Probleme me hapjen e parashutës, vdes Pierre Wolnik kampioni botëror i rënies të lirë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Getinjo në një lidhje të re? Një përqafim (s)na bëri lëmsh!

Në universin e showbiz-it shqiptar, ku çdo lëvizje lexohet me lupë, një postim i vetëm ka mjaftuar për të ndezur spekulimet. Getinjo, i njohur për energjinë e tij të drejtpërdrejtë dhe shpesh provokuese në muzikë, këtë herë ka zgjedhur një gjuhë krejt tjetër, atë të simbolikës.   Në një “story” të publikuar në Instagram, reperi […]

Së shpejti baba, Ardian Bujupi dhe pritja më e bukur e jetës

Në një njoftim të rrallë, të përmbajtur dhe thellësisht emocional, Ardian Bujupi dhe partnerja e tij Fjolla Fetinci kanë ndarë me publikun lajmin se presin të bëhen prindër për herë të parë. Pa zhurmë, pa deklarata të gjata, por me një estetikë të menduar dhe një ndjeshmëri që flet vetë, çifti zgjodhi Instagramin për të […]

U dënua me një vit burg/ Ish-kryebashkiaku i Rrogozhinës: Lufta ime nuk mbaron këtu

Ish-kryebashkiaku i Rrogozhinës, Edison Memolla, u dënua me një vit burg nga GJKKO.

Pas vendimit të dhënë, ai u vetëdorzua në policinë e Durrësit, me këtë të fundit që ekzekutoi masën e arrestit.

Ai ka reaguar në një postim në rrjetet sociale, “ku shkruan se tentakulat e gjyqtarëve kundërshtarë politik, shtrihen më gjerë sesa besimi dhe forca që ka drejtësia e re” dhe shton se lufta nuk mbaron këtu.

Postimi i plotë i Memollës:

Miqtë e mi, t’ju flas tashmë në cilësinë e një ish kryetari është normale por në cilësinë e një të burgosuri politik me apo pa të drejtë sigurisht që është e rëndë.

Së pari, falënderoj me zemër çdo mik/e, shok/shoqe, koleg/e, mbështetës/e, qytetar/e dhe familjarë për mbështetjen e pakufijshme që më keni dhënë nga dhjetori i vitit 2020 e deri më sot, bashkë kaluam sfida përtej asaj çfarë mendonim se ishim të aftë të përballonim por sot fjalët për të përmendur arritjet tona mendoj që janë të tepërta pasi kush ka pasur sadopak besim dhe dëshirën e mirë, ka parë transformimin dhe ‘luftën’ e pastër që të gjithë bashkë kemi bërë krah për krah për të bërë më të mirën për qytetin tonë.

Së dyti, kushtet në të cilat flas nuk janë absolutisht ato që prisja nga vetja ime dhe nga drejtësia për të cilën kam luftuar fort, por mesa duket tentakulat e gjyqtarëve kundërshtarë politik, shtrihen më gjerë sesa besimi dhe forca që ka drejtësia e re, ama lufta ime nuk mbaron këtu, do përdor çdo mundësi ta fitoj të drejtën time deri në Strasburg.

Së treti, fjala merr dhenë më shpejt se era dhe përveçse flitet se këtë situatë e kam “peshqesh” nga kundërshtarë politik, nuk më pëlqen aspak ideja që diskutimi zgjerohet duke thënë që “peshqeshi” vjen nga radhët e partisë socialiste qoftë brenda qytetit apo më lart.

Miqtë e mi, me Partinë Socialiste dhe kryeministrin Edi Rama në krye, në Rrogozhinë, kemi fituar pesë palë zgjedhje, qytetarët na besuan plot pesë herë për aq kohë sa kam qenë drejtues apo kandidat, nëse do kishte sulme personale, askush s’do më kishte lejuar të ushtroja këtë “pushtet” me të gjithë ju përkrah nëse punët do ishin ndryshe nga çfarë janë, unë jam socialist dhe i tillë do mbetem dhe ju duhet të siguroheni që me ose pa mua të qëndroni të bashkuar, mos lejoni as kundërshtarët politik dhe as njëri tjetrin që t’ju distancojë nga qëllimi final, këto s’janë vetëm fjalët e një të burgosuri por janë fjalët e dikujt që njeh çdo rrënjë, degë apo gjethe të familjes së madhe socialiste.

Së katërti, sulmet personale, politike madje edhe familjare kanë qenë të njëpasnjëshme që në momentin që kam futur këmbët në zyrën e kryetarit të bashkisë Rrogozhinë dhe kam pasur bindjen që janë normale por të sulmohem dhe të burgosem sa kam ndihmuar dikë në nevojë, e kam shprehur dhe do ta them sërish…sa herë të kem mundësi t’i qëndroj pranë dikujt në vend që ta “gjunjëzoj” përballë vështirësive të jetës, çdo herë do kisha bërë të njëjtën sjellje për ta ndihmuar, qoftë kjo për energjinë elektrike apo nevoja të tjera jetësore. Kryetarllëku ikën e vjen po dashtë zoti jeta do të jetë shumë më e gjatë sesa kaq.

Së pesti, do ketë plot që do mërziten sikundër do jenë të shumtë dhe ata që janë gëzuar për gjendjen ku ndodhem, kam dy fjalë edhe për këtë…ndoshta do quhem i korruptuar, ndoshta hajdut, ndoshta i pabesë, ndoshta zaptues i asaj karrigeje, ndoshta do përflitem që mora apo lash stafetë kur ndërkoh aty vendoset ai që populli dhe drejtuesit mendojnë të aftë, ndoshta quhem si dikush që i ka rënë dikujt kot në qafë, mund të hidhet vrer mbi mua apo dhe ndaj familjes time, këto janë fjalë që do thuhen qofsha un më i miri apo më i keqi drejtues që ka qenë në krye të atij institucioni por dëshira e mirë dhe të kem dinjitetin tim të paprekur kanë qenë gjithnjë udhëheqësit e mi kryesor.

Së fundmi, qytetarëve i uroj përzemërsisht të kenë shëndet, mbarësi dhe dashuri në familjet e tyre.

Mbështetësve i them besojnë fort që më e mira është përpara, fati bëri një lojë tjetër me mua dhe vendosi që të vuaj dënimin në një institucion për të cilin u bë “molla e sherrit” në “kulmin” e karrierës sime por siç kuptuam edhe atëherë, fundi mund të jetë afër por shpresa për më mirë nuk ka asnjëherë fund. Vazhdoni të besoni dhe të luftoni për idealet tuaja, pavarësisht pengesave që do dalin para.

Dhe e fundit edhe më e rëndësishme, i them familjes dhe të afërmve të mi që të rrinë me kokën lart, Edisoni juaj është i burgosur por nuk është kriminel, Edi juaj as nuk ka vrarë, as nuk ka prerë dhe as nuk ka vjedhur, ju s’keni gabuar askund ndaj mos u mërzisni, është thjeshtë një sfidë tjetër të cilën do ta kalojmë të gjithë bashkë me miq e shokë zemre pranë.

Për të gjithë…nuk është një lamtumirë por vetëm një mirupafshim për një kohë të caktuar, zoti ju bekoftë!

Me respekt, Edison Memolla!

Turqi/ Mori leje nga burgu, 35-vjeçari vret vajzën, nënën dhe bashkëshorten

Një i burgosur, i cili mori leje të përkohshme nga një burg në Turqi, ka vrarë bashkëshorten, vajzën 8-vjeçare dhe nënën e tij, përpara se t’i japë fund jetës.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Ankara dhe ka shkaktuar reagime të forta në vend.

Sipas mediave, Recep Cengiz, 35 vjeç, po kryente një dënim katërvjeçar për mashtrim dhe kërcënime me armë. Ai ndodhej në një periudhë lejeje 11-ditore nga burgu në Ankara.

Pas lirimit të përkohshëm, ai udhëtoi drejt lagjes “Kuşcağız” në kryeqytet, ku u përball me nënën e tij, Azize Cengiz, 57 vjeç, dhe vajzën e tij 8-vjeçare, Azra. Pas një debati, ai dyshohet se i qëlloi për vdekje dhe më pas futi trupat e tyre në bagazhin e makinës.

Më pas, Cengiz shkoi në banesën e ish-bashkëshortes së tij, të cilët ishin të divorcuar, Beyzanur Uçan Cengiz. I maskuar si korrier, ai e qëlloi për vdekje në pragun e derës së saj. Sipas raportimeve, 35-vjeçari më pas e drejtoi armën nga vetja dhe kreu vetëvrasje.

Motivet e kësaj tragjedie mbeten ende të paqarta, ndërsa policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Pas krimit u bë e ditur se Cengiz fillimisht mbahej në një burg të mbyllur, por më pas ishte transferuar në një burg të hapur. Gjithashtu, dyshohet se ai kishte dëmtuar instalimet elektrike në banesën e bashkëshortes, në përpjekje për të shmangur identifikimin nga kamerat e sigurisë.

Protesta e PD, Rama: E vetmja parti politike në botën demokratike që ushtron dhunë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në platformën “X” për protestën e djeshme të opozitës.

Sipas tij, PD-ja është “e vetmja parti politike në botën demokratike që ushtron dhunë dhe e dyta në historinë e botës së tërë – pas asaj të famëkeqit Robert Mugabhe të Zimbabves – që i shkon mbrapa një tetëdhjetë e kusur vjeçari të damkosur e të lajthitur”.

“Këto janë bombat artizanale me të cilat janë sulmuar dhe djegur e plagosur mbrëmë punonjësit e policisë, nga e vetmja parti politike në botën demokratike që ushtron dhunë dhe e dyta në historinë e botës së tërë – pas asaj të famëkeqit Robert Mugabhe të Zimbabves – që i shkon mbrapa një tetëdhjetë e kusur vjeçari të damkosur e të lajthitur! Uroj që drejtësia të bëjë drejtësi për policët e plagosur dhe të ndëshkojë pa ngurrim bartësit e këtyre armëve me kapacitet vdekjeprurës! Sa për fatin politik të këtij cikli të ri jashtënxjerrjesh në bulevard, ai do të shkruhet si zakonisht në zgjedhjet e vitit të ardhshëm me një disfatë ende më shembullore se sa të mëparshmet, ndërkohë që ne do të vazhdojmë pa u ndalur rrugën drejt Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian”, shkruan Rama.

❌