Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 8 February 2026Main stream

Ndjekje dramatike nga Obiliqi në Mitrovicë, arrestohet shoferi që tentoi t’i ikte policisë

7 February 2026 at 23:32


Një ndjekje e gjatë policore, që filloi në zonën e Obiliqit dhe përfundoi në Mitrovicë, ka rezultuar me arrestimin e një shoferi dhe tre pasagjerëve të tij, të cilët tentuan t’i shmangeshin Policisë gjatë natës së 7 shkurtit.

Sipas Policisë, një njësi patrulluese kishte tentuar ta ndalonte automjetin e dyshuar, por shoferi nuk iu ishte bindur sinjalizimeve, duke rrezikuar zyrtarin policor dhe duke vazhduar arratinë drejt Vushtrrisë e më pas Mitrovicës.

Ndjekja u koordinua mes Njësisë së Trafikut të Stacionit Policor të Obiliqit dhe Njësive të Trafikut të Mitrovicës së Jugut, të cilat vazhdimisht përdorën sinjalizimet zyrtare për ndalim. Gjatë arratisë, shoferi rrezikoi edhe pjesëmarrësit e tjerë në trafik, ndërsa në zonën e Mitrovicës goditi tri herë veturën policore që ishte në ndjekje.

Falë shkathtësisë dhe profesionalizmit të zyrtarëve policorë, të cilët vepruan me maturi për të mos rrezikuar qytetarët, automjeti u ndal në një lokacion të përshtatshëm në rrugën nacionale Mitrovicë–Zubin Potok, në fshatin Zupç. Aty u arrestua shoferi, ndërsa u shoqëruan edhe tre pasagjerët.

Dy zyrtarë policorë të lënduar gjatë ndjekjes morën trajtim mjekësor.

Me vendim të prokurorit kompetent, shoferit i është caktuar masa e ndalimit policor. Rasti po hetohet për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare”./Telegrafi/


Before yesterdayMain stream

NPL “Kastrioti” vijon aksionet për pastrimin dhe mirëmbajtjen e hapësirave publike

4 February 2026 at 15:37


NPL “Kastrioti” ka vazhduar me aktivitete intensive të operativës për pastrimin dhe mirëmbajtjen e hapësirave publike në territorin e komunës. Punëtorët e ndërmarrjes janë angazhuar në grumbullimin e mbeturinave, pastrimin e shesheve, parqeve, rrugëve dhe hapësirave të tjera publike në Obiliq, duke kontribuar në ruajtjen e pastërtisë, rendit dhe mjedisit të shëndetshëm për qytetarët.

“Në bazë të planit tonë operativ, punëtorët e operativës angazhohen çdo ditë për të siguruar një ambient të pastër dhe të shëndetshëm, duke grumbulluar mbeturinat dhe duke pastruar sipërfaqet publike në përputhje me standardet e përcaktuara”, thuhet në njoftimin e NPL “Kastrioti”.

Ndërmarrja i bën thirrje qytetarëve që të kontribuojnë në ruajtjen e pastërtisë duke mos hedhur mbeturina në hapësira publike dhe duke respektuar mjedisin përreth, pasi vetëm me bashkëpunim mund të sigurohet një ambient më i pastër dhe më i shëndetshëm për të gjithë.

Aktivitetet e kryera gjatë ditëve të fundit përfshijnë:

  • Sheshi "Dëshmorët e Kombit"
  • "Brezi i Gjelbër"
  • Rruga "Hasan Prishtina"
  • Parkingu i qytetit
  • Parku te Hashant
  • Parku te Palojt
  • Parku nën Hekurudh
  • Pastrimi te Biblioteka

NPL “Kastrioti” vijon me punën e përditshme për të garantuar pastërti dhe rend në hapësirat publike të komunës. /Telegrafi/

NPL “Kastrioti” me apel për qytetarët për ruajtjen e pastërtisë në Obiliq

27 January 2026 at 15:06


Ndërmarrja Publike Lokale “Kastrioti” njofton se punëtorët e operativës nisin punën çdo ditë në orët e hershme të mëngjesit, duke u angazhuar në pastrimin e rrugëve dhe shesheve publike.

Sipas njoftimit, përmes këtij angazhimi të vazhdueshëm synohet krijimi i një ambienti më të pastër, më të rregullt dhe më tërheqës për qytetarët.

Nga NPL “Kastrioti” u bëhet thirrje të gjithë qytetarëve që të tregojnë kujdes në hedhjen e mbeturinave dhe të kontribuojnë në ruajtjen e pastërtisë së mjedisit të përbashkët, duke respektuar rregullat dhe standardet e pastrimit urban. /Telegrafi/


Obiliqi ashpërson masat ndaj ndotjes, gjoba deri në njëmijë euro

26 January 2026 at 17:05


Kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, ka njoftuar se sot ka marrë vendim për ashpërsimin e masave ndaj ndotjes së hapësirave publike, me qëllim të rritjes së vetëdijesimit dhe përmirësimit të menaxhimit të mbeturinave.

Sipas vendimit, çdo person fizik që ndot hapësirat publike ose zonën para pronës së tij do të gjobitet me 200 euro, ndërsa çdo biznes apo subjekt afarist që ndot hapësirat publike ose zonën para objektit të tij do të gjobitet me 1000 euro.

“Sot kam marrë vendim që, me qëllim të rritjes së vetëdijesimit dhe përmirësimit të menaxhimit të mbeturinave: Çdo person fizik që ndot hapësirat publike apo zonën para pronës së tij do të gjobitet me 200 euro. Çdo biznes apo subjekt afarist që ndot hapësirat publike apo zonën para objektit të tij do të gjobitet me 1000 euro”, shkruan Thaçi në Facebook.

Zbatimi i vendimit do të realizohet nga Inspektorati Komunal.

Vendimi hyn në fuqi më 15 shkurt 2026.

Punëtori lëndohet nga vinçi gjatë punës në Obiliq, arrestohet i dyshuari

25 January 2026 at 08:49


Një incident ka ndodhur të shtunën në Shkabaj, Obiliq, ku një punëtor ka pësuar lëndime pasi vinçi që po përdorte një tjetër person i doli jashtë kontrollit.

Sipas raportit të policisë, i dyshuari shtetasi i Shqipërisë gjatë punës pranë një objekti në ndërtim duke vozitur një kamion ka manipuluar vinçin në mënyrë të pa kontrolluar.

Si pasojë, vinçi është këputur dhe ka rënë duke lënduar viktimën, gjithashtu shtetas i Shqipërisë.

Viktima u dërgua menjëherë për tretman mjekësor. Ndërkohë, i dyshuari u arrestua, por pas intervistimit dhe vendimit të prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt.

Policia ka nisur hetimet për asgjësim, dëmtim ose heqje të pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikim të sigurisë në vendin e punës, si dhe për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm. /Telegrafi/

Një pjesë e qytetit e disa fshatra të Obiliqit pa ujë, shkak dëmtimi i gypit

24 January 2026 at 16:21


Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se si pasojë e dëmtimit të një gypi nga disa kontraktorë privatë të cilët, thonë se, për dëmin e shkaktuar nuk kanë raportuar, është ndërprerë furnizimi me ujë të pijshëm për një pjesë të qytetit të Obiliqit dhe disa fshatra.

“Ju njoftojmë se, si pasojë e dëmtimit të gypit Ø200 ACC nga kontraktorë privatë, të cilët kanë shkaktuar dëmin dhe nuk e kanë raportuar atë, është ndërprerë furnizimi me ujë të pijshëm. Pa furnizim me ujë të pijshëm kanë mbetur: një pjesë e qytetit të Obiliqit (lagjja kah Kosova B ), fshati Plemetin, fshatrat Prelluzhë dhe Hamidi”, thotë KRU “Prishtina”.

Ata kanë bërë të ditur se furnizimi me ujë të pijshëm do të rikthehet pas sanimit të plotë të dëmit derisa u kanë bërë thirrje konsumatorëve të këtyre zonave që ujin të mos e përdorin për pije deri të jetë i kthjellët plotësisht.


Ngacmohet seksualisht një grua në Obiliq

23 January 2026 at 08:49


Një grua ka raportuar se është ngacmuar seksualisht nga një person.

Sipas raportit të policisë bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur të mërkurën rreth orës 22:00, në Obiliq.

Tutje bëhet e ditur se me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar.

“Është raportuar se viktima femër kosovare është ngacmuar seksualisht nga i dyshuari mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar, rasti vazhdon të trajtohet në procedurë të rregullt”, thuhet në raport. /Telegrafi/

Obiliq, katër të arrestuar për vjedhje, tre prej tyre të mitur

21 January 2026 at 22:31


Katër persona kanë përfunduar në prangat e Policisë së Kosovës si të dyshuar për vjedhje të rënda në zonën e Obiliqit.

Policia ka njoftuar se tre nga të arrestuarit janë të mitur.

Katër të arrestuarit dyshohet se janë përfshirë në së paku tri raste të vjedhjeve të rënda që kanë ndodhë gjatë muajit janar 2025, në shtëpi private dhe lokale në zonën e Obiliqit.

Me vendim të prokurorit të shtetit ata janë dërguar në qendrën e mbajtjes.

Aktualisht hetuesit policorë të stacionit të Obiliqit janë në koordinim me stacionet e të gjitha regjioneve, pasi që është ngritur dyshimi se të njëjtit persona janë të përfshirë edhe në raste të tjera.

Komuna e Obiliqit liron pas 25 vitesh pronën e uzurpuar në Plemetin

20 January 2026 at 15:30


Në një aksion të ndërmarrë sot nga Drejtoria e Inspekcionit dhe trupa inspektuese e Komunës së Obiliqit, është liruar prona e uzurpuar në fshatin Plemetin, konkretisht objekti i Shtëpisë së Kulturës, i cili ishte në shfrytëzim pa bazë ligjore për më shumë se 25 vjet.

Sipas njoftimit të komunës, ky veprim shënon një hap të rëndësishëm drejt rikthimit të rendit ligjor dhe respektimit të së drejtës së pronës.

Aksioni është realizuar në përputhje të plotë me ligjet në fuqi, duke dëshmuar angazhimin e institucioneve komunale për zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e interesit publik.

Drejtoria e Inspekcionit thekson se do të vazhdojë trajtimin e të gjitha rasteve të uzurpimit të pronës, pa dallim, duke respektuar parimet e barazisë dhe sundimit të ligjit.

Ky aksion tregon përkushtimin institucional të Komunës së Obiliqit për forcimin e rendit juridik dhe garantimin e të drejtave pronësore për qytetarët. /Telegrafi/


Komuna e Obiliqit cakton afatin për evidentimin e dëmeve nga vërshimet

16 January 2026 at 09:45


Komuna e Obiliqit ka njoftuar qytetarët se afati për evidentimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet është i hapur deri më 23 janar 2026, në ora 16:00.

Sipas njoftimit zyrtar, të gjithë qytetarët e prekur nga vërshimet ftohen që brenda këtij afati të paraqesin dëmet e shkaktuara, në mënyrë që ato të përfshihen në procesin e verifikimit nga komisioni përgjegjës i Komunës.

Nga Komuna e Obiliqit bëhet e ditur se komisioni i caktuar po vazhdon punën në terren për verifikimin e dëmeve, me qëllim që procesi të zhvillohet në mënyrë të drejtë dhe transparente për të gjithë qytetarët e prekur.

Komuna ka apeluar te qytetarët që ende nuk i kanë paraqitur dëmet, që ta bëjnë këtë brenda afatit të përcaktuar, në mënyrë që të mos mbesin jashtë procesit të vlerësimit dhe verifikimit. /Telegrafi/


Komuna e Obiliqit do t'i mbështetë familjet strehuese me 350 euro në muaj

15 January 2026 at 09:02


Kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, ka njoftuar se ka nënshkruar vendimin për mbështetje financiare mujore për familjet strehuese që kujdesen për fëmijët pa përkujdesje prindërore.

Në një postim në Facebook, Thaçi ka bërë të ditur se kjo mbështetje do të jetë në vlerë prej 350 euro në muaj për secilën familje strehuese në komunë.

“Sot kam nënshkruar vendimin që familjet strehuese në Komunën e Obiliqit, ato që hapin derën dhe zemrën për fëmijët pa përkujdesje prindërore, të mbështeten me 350 euro në muaj”, ka shkruar ai.

Kryetari i Obiliqit ka theksuar se kujdesi ndaj fëmijëve pa përkujdesje prindërore është obligim institucional dhe jo akt bamirësie. “Kujdesi për fëmijët nuk është bamirësi, por përgjegjësi institucionale”, ka deklaruar Thaçi.

Ai ka siguruar se Komuna e Obiliqit do të vazhdojë të mbështesë familjet që kontribuojnë në mirëqenien sociale dhe në ndërtimin e një shoqërie më të përgjegjshme.

“Komuna do të jetë pranë atyre që bëjnë më shumë për shoqërinë”, ka përfunduar kryetari Thaçi. /Telegrafi/


Komuna e Obiliqit formon komisionin për verifikimin e dëmeve nga vërshimet

13 January 2026 at 08:42


Komuna e Obiliqit ka miratuar vendimin për emërimin e komisionit për verifikimin e dëmeve të shkaktuara gjatë vërshimeve të fundit, të cilat kanë ndodhur në javën e parë dhe të dytë të muajit janar 2026.

Sipas vendimit, Komisioni do të ketë këtë përbërje: Arif Plana është emëruar kryetar i Komisionit, ndërsa anëtarë janë Naim Qerkezi, Muhamet Ismaili, Zejnullah Krasniqi dhe Naim Graiçevci.

Komisioni do të angazhohet në verifikimin e dëmeve të evidentuara në terren dhe, pas përfundimit të punës, do të përpilojë një raport me shkrim, përmes të cilit do ta njoftojë Kryetarin e Komunës lidhur me gjetjet dhe vlerësimin e dëmeve.

Ky hap synon krijimin e një pasqyre të saktë të dëmeve të shkaktuara nga vërshimet, në mënyrë që të merren masat e nevojshme institucionale për trajtimin e tyre. /Telegrafi/


Rruga Siboc–Palaj–Obiliq e hapur për qarkullim

12 January 2026 at 09:45


Komuna e Obiliqit ka njoftuar se rruga Siboc–Palaj–Obiliq aktualisht është e kalueshme për qarkullimin e automjeteve.

Sipas njoftimit zyrtar të komunës, ekipet përkatëse ndodhen në terren dhe po e monitorojnë situatën në mënyrë të vazhdueshme, për të garantuar sigurinë e qarkullimit.

“Rruga Siboc–Palaj–Obiliq është e kalueshme për automjete, ndërsa ekipet janë në terren dhe situata po përcillet vazhdimisht”, thuhet në njoftimin e Komunës së Obiliqit.

Nga komuna u bëhet thirrje qytetarëve që të vozisin me kujdes dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore, ndërsa për çdo ndryshim eventual, autoritetet komunale kanë paralajmëruar se do të njoftojnë me kohë. /Telegrafi/


Intervenime në Obiliq për menaxhimin e pasojave nga moti i rëndë

12 January 2026 at 08:43


Ndërmarrja Publike Lokale “Kastrioti” në Obiliq ka njoftuar se ekipet e saj kanë qenë të angazhuara në terren edhe gjatë ditëve me kushte të rënda atmosferike dhe gjatë fundjavës, duke realizuar disa intervenime në funksion të sigurisë dhe shërbimeve publike.

Sipas njoftimit, gjatë ditës së djeshme janë hapur pusetat dhe janë vendosur pengesa në rrugët e përmbytura nga uji, me qëllim të rritjes së sigurisë për qytetarët dhe pjesëmarrësit në trafik.

Po ashtu, gjatë ditës së sotme, me kërkesë të Komunës së Obiliqit, punëtorët e NPL “Kastrioti” kanë kryer pastrimin e trotuareve dhe shesheve nga bora, për të lehtësuar qarkullimin e këmbësorëve.

Në kuadër të angazhimeve, ndërmarrja ka bërë të ditur se është realizuar edhe përgatitja e lëndëve djegëse në shkollat e komunës, në mënyrë që procesi mësimor të nisë në kushte të përshtatshme ngrohjeje.

Nga NPL “Kastrioti” theksojnë se ekipet do të vazhdojnë të jenë në gatishmëri për përmbushjen e obligimeve, sipas nevojave dhe kërkesave të institucioneve komunale. /Telegrafi/


Komuna e Obiliqit apelon për kujdes të shtuar për shkak të rrugëve të ngrira dhe të rrëshqitshme

8 January 2026 at 08:21


Komuna e Obiliqit ka njoftuar qytetarët se, si pasojë e reshjeve intensive të borës dhe temperaturave të ulëta, të gjitha rrugët në territorin e komunës janë të ngrira dhe të rrëshqitshme, duke vështirësuar ndjeshëm qarkullimin e automjeteve.

“Në territorin e komunës sonë, për shkak të reshjeve intensive të borës dhe temperaturave të ulëta, rrugët janë të ngrira dhe të rrëshqitshme, çka po e vështirëson qarkullimin”, thuhet në njoftimin e komunës.

Autoritetet komunale u kanë bërë thirrje qytetarëve që të shmangin lëvizjet e panevojshme, të përdorin pajisje dimërore dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit.

Sipas njoftimit, ekipet kompetente komunale janë në terren dhe po punojnë në pastrimin e rrugëve, si dhe në trajtimin e tyre me materiale kundër ngrirjes.

“Ekipet janë në terren dhe po ndërhyjnë vazhdimisht për pastrimin dhe trajtimin e rrugëve”, thuhet më tej.

Komuna ka bërë të ditur se për çdo emergjencë apo problem, qytetarët mund të kontaktojnë Policinë e Kosovës ose zyrtarët përgjegjës të shërbimeve komunale.

Në njoftim janë publikuar edhe kontaktet direkte të zyrtarëve komunalë: Valon Svirca, Drejtor i DSHPE-së (044 990 239), Sami Haziri, Shef i Emergjencave (044 402 842) dhe Hamit Mjeku, Shef i Shërbimeve Publike (044 770 775). /Telegrafi/


Rruga Graboc i Epërm – Drenas e pakalueshme për shkak të daljes nga shtrati të lumit Drenica

6 January 2026 at 15:46


Komuna e Obiliqit ka njoftuar qytetarët për situatën e vështirë në rrugën që lidh fshatin Graboc i Epërm me Drenasin, për shkak të daljes nga shtrati të lumit Drenica në segmentin rrugor Guri i Plakës.

“Rruga është e pakalueshme dhe qarkullimi është i rrezikuar”, thuhet në njoftimin e komunës, ku qytetarët ftohen të përdorin rrugë alternative deri në përmirësimin e gjendjes.

Institucionet përkatëse janë në terren dhe po e monitorojnë situatën, duke ndërmarrë të gjitha masat për të mbajtur nën kontroll rrezikun për qytetarët.

“Luten qytetarët të shfrytëzojnë rrugë alternative deri në përmirësimin e gjendjes”, theksohet në njoftim.

Komuna falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin në këtë situatë. /Telegrafi/


Komuna e Obiliqit me intervenime në terren për përmirësimin e sigurisë së qytetarëve nga vërshimet

6 January 2026 at 13:45


Nënkryetari i Komunës së Obiliqit, Berat Gashi, së bashku me Drejtorin e Shërbimeve Publike, Valon Svirca, dhe Drejtorin e Mjedisit, Rinor Kurteshi, kanë dalë në terren për të vlerësuar nga afër rastet e evidentuara në disa zona të komunës.

Sipas njoftimit të Komunës së Obiliqit, pas inspektimit në terren janë ndërmarrë intervenime konkrete me qëllim të eliminimit të problemeve në prona të caktuara, duke synuar përmirësimin e gjendjes mjedisore dhe rritjen e nivelit të sigurisë për qytetarët.

“Pas vizitës në terren, janë ndërmarrë intervenime konkrete për eliminimin e problemeve në prona, duke synuar përmirësimin e mjedisit dhe rritjen e sigurisë për qytetarët”, thuhet në reagimin e komunës.

Po ashtu, nga Komuna e Obiliqit është bërë e ditur se institucionet komunale mbeten të përkushtuara për trajtimin e çdo shqetësimi të qytetarëve.

“Komuna mbetet e përkushtuar që çdo shqetësim i qytetarëve të trajtohet me seriozitet dhe të gjendet zgjidhje në kohë”, theksohet në njoftim. /Telegrafi/


Inspektohen kushtet mësimore në shkollat e komunës së Obiliqit

22 December 2025 at 15:40


Drejtoresha e Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Obiliqit, Sevdije Berisha Krasniqi, së bashku me drejtorin e Drejtorisë së Inspekcionit, Arif Pllana, kanë realizuar vizita inspektuese në disa shkolla të territorit të kësaj komune.

Gjatë vizitave, drejtuesit komunalë kanë parë nga afër kushtet në të cilat zhvillohet procesi mësimor, duke identifikuar nevojat për ndërhyrje me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës shkollore dhe krijimit të një ambienti më të sigurt dhe më të përshtatshëm për nxënësit.

Nga Komuna e Obiliqit është bërë e ditur se këto vizita janë pjesë e angazhimeve të vazhdueshme për rritjen e cilësisë së arsimit dhe adresimin e problematikave që ndikojnë në mbarëvajtjen e procesit edukativo-arsimor. /Telegrafi/


Konjufca: Qytetarët anembanë Kosovës të angazhuar për fitoren e Vetëvendosjes

21 December 2025 at 17:30


Kandidati për deputet nga LVV, Glauk Konjufca ishte në konakun e familjes Grajqevci, nga të cilët u prit ngrohtësisht.

Ai tha se vullneti dhe angazhimi për zhvillim e mirëqenie, do të vazhdojë edhe në qeverisjen e ardhshme të Lëvizjes Vetëvendosje, për çka sipas tij mbështetja qytetare është e qartë.



Ndërsa në Obiliq, bashkë me kryetarin Halil Thaqi, takoi vullnetarët e angazhuar atje.

Konjufca e cilësoi angazhimin e tyre vullnetar, si shtyllë të fitores së 28 dhjetorit.

Bashkë me ta ai bisedoi për politikat qeverisëse për rininë, si dhe për synimet e së ardhmes.

Konjufca ishte edhe në Bardhosh, ku tha se rruga e nisur tashmë, do të fuqizohet duke mos lëshuar pe e duke mbështetur numrin 116.


Abdixhiku nga Obiliqi: Investime në energji të pastër, pa sakrifikuar shëndetin

19 December 2025 at 18:52


Lidhja Demokratike e Kosovës ka nisur sot tubimin e parë në qytetin e Obiliqit.

Nga këtu, kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku u premtoi atyre 5 miliardë euro investime në infrastrukturë, energji, ujë, hekurudha, sport e po ashtu edhe në kulturë, si dhe central të ri me gaz për pavarësi energjetike.

“5 miliardë euro investime në infrastrukturë, energji, ujë, hekurudha, sport dhe kulturë. Centrali i ri me gaz për pavarësi energjetike. Rrugë që lidhin rajonet. Projekte që hapin vende pune”, tha Abdixhiku gjatë tubimit.

Abdixhiku theksoi se LDK beson që zhvillimi ekonomik nuk mund të vijë duke sakrifikuar shëndetin e njerëzve dhe se energjia nuk mund të prodhohet pa standarde mjedisore.

“Nuk mund të ekzistojë pa përgjegjësi sociale. Dhe se Obiliqi nuk mund të mbetet zonë flijimi për rehati politike. Prandaj programi ynë parasheh investime serioze në energji të pastër, në modernizim të kapaciteteve ekzistuese dhe në mbrojtje reale të mjedisit”, deklaroi Abdixhiku.

❌
❌