Edhe pse është e qartë se Samsung do të prezantojë serinë Galaxy S26 më 25 shkurt, ende nuk ka konfirmim zyrtar nga kompania koreano-jugore. Megjithatë, kanë dalë videot e shkurta zyrtare që paralajmërojnë pajisjet e ardhshme.
Samsung ka njoftuar për përmirësime në zmadhimin dhe kapacitetet e regjistrimit të videos në kushte me dritë të dobët për serinë Galaxy S26. Në videon e parë, përdoruesi zmadhon një qen që qëndron në veturë dhe regjistrimi sugjeron nivele zmadhimi shumë mbi 10x.
Thuhet se Galaxy S26 Ultra do të ketë një lente telefoto periskopike 50 MP me zmadhim optik 5x dhe një lente tjetër telefoto 10 MP me zmadhim optik 3x. Nga ana tjetër, spekulimet thonë se Galaxy S26 dhe Galaxy S26+ ose do të marrin një kamerë telefoto të përmirësuar 12 MP me zmadhim optik 3x, ose do të ruajnë njësinë telefoto 10 MP nga seria Galaxy S25.
Në dy videot e tjera promovuese, duket se Samsung thekson performancën e përmirësuar të regjistrimit të videos në kushte me dritë të dobët.
Është e rëndësishme të përmendet se supozohet se Galaxy S26 Ultra do të ketë një kamerë kryesore të përmirësuar pasme 200 MP me diafragmë f/1.4.
Galaxy S26, Galaxy S26+ dhe Galaxy S26 Ultra pritet të prezantohen më 25 shkurt, ndërsa shitja pritet të nisë në mars. Varësisht nga rajoni, pajisjet e Samsung mund të funksionojnë me procesorin Snapdragon 8 Elite Gen 5 ose Exynos 2600. /Telegrafi/
Një ngjarje e pazakontë dhe e rrezikshme është regjistruar në Indi, ku një burrë pësoi lëndime të rënda pasi një bateri shpërtheu brenda gojës së tij.
Sipas raportimeve lokale, incidenti ndodhi teksa burri po qëndronte në një dyqan dhe po kalonte kohën.
Në rrethana ende të paqarta, ai kafshoi një bateri, duke shkaktuar menjëherë një reagim të dhunshëm. Bateria shpërtheu dhe mori flakë brenda gojës së tij, duke i shkaktuar djegie serioze.
I lënduari u transportua me urgjencë në spital, ku mori ndihmën mjekësore të nevojshme. Burimet bëjnë me dije se gjendja e tij është stabilizuar dhe se ai i shpëtoi për pak pasojave fatale.
Autoritetet kanë përdorur rastin për të apeluar për kujdes maksimal në përdorimin dhe trajtimin e baterive, duke theksuar se ato përmbajnë substanca shumë të rrezikshme dhe nuk duhet të manipulohen në asnjë rrethanë.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale, ku përdoruesit e kanë cilësuar incidentin si një shembull ekstrem të pakujdesisë njerëzore. /Telegrafi/
Ryan Routh u dënua të mërkurën nga një gjykatë federale në Fort Pierce, Florida, me burgim të përjetshëm, për përpjekjen e tij për të vrarë presidentin amerikan, Donald Trump, gjatë një incidenti që ndodhi në një teren golfi në Florida në vitin 2024.
Ky rast ka tërhequr vëmendje të madhe, duke nxitur shqetësime për sigurinë e figurave publike dhe masat e rrepta që autoritetet marrin ndaj kërcënimeve të tilla.
Sipas aktakuzës dhe provave të paraqitura në gjykatë, Routh kishte kaluar javë të tëra duke planifikuar atentatin.
Ai u fsheh në gjelbërim me një armë gjysmëautomatike, duke qëndruar i papërfillshëm për të kapur momentin kur Trump do të ishte i dukshëm në fushën e golfit. Ngjarja ndodhi më 15 shtator 2024, në klubin e tij të golfit në West Palm Beach, Florida, ku Trump po luante si pjesë e rutinës së tij publike dhe aktiviteteve sportive.
Një agjent i Shërbimit Sekret vuri re Routhin para se Trump të bëhej i dukshëm dhe veproi menjëherë.
Agjenti hapi zjarr, duke e detyruar Routhin të linte armën dhe të largohej pa pasur mundësi të shkaktonte ndonjë dëm. Ky veprim shpëtoi jetën e presidentit dhe nxori në pah rëndësinë e pranisë dhe vigjilencës së shërbimeve të sigurisë në mbrojtjen e figurave publike.
Routh u gjet fajtor për pesë akuza federale, përfshirë tentativën për vrasje të një kandidati presidencial dhe shkelje të ndryshme të ligjit mbi armët. Gjykata vendosi që ai të kalojë pjesën tjetër të jetës në burg, duke dhënë një mesazh të qartë kundër akteve të dhunshme kundër liderëve politikë.
Rasti ka nxitur debat në publik për sigurinë e figurave politike dhe për mënyrën se si përgatiten dhe zbatojnë autoritetet federale strategjitë mbrojtëse ndaj kërcënimeve të mundshme.
Përveç aspektit ligjor, ngjarja thekson edhe rreziqet me të cilat përballen politikanët në aktivitetet e përditshme publike dhe rëndësinë e masave parandaluese për të parandaluar tragjedi të mundshme. /Telegrafi/
Çmimi i arit u rikthye mbi 5,000 dollarë për ons të mërkurën, pasi investitorët që përfitojnë nga rëniet e tregut filluan të blejnë sasi më të mëdha të metalit të çmuar pas humbjes historike të javës së kaluar.
Gjatë orëve të para të tregtimit, ari arriti të tregtohej deri në 5,091.89 dollarë për ounce, përpara se të binte paksa.
Edhe çmimi i argjendit u rrit, duke arritur rreth 92 dollarë për ounce, para se të stabilizohej, raportojnë mediat.
Bullioni ka rikuperuar pothuajse gjysmën e humbjeve nga rënia e papritur e së premtes, kur çmimet ranë deri në 12 për qind, humbja më e madhe që prej vitit 1980.
Para kësaj rënie, çmimi i arit ishte rritur vazhdimisht, duke shënuar fitime të konsiderueshme gjatë vitit.
Analistët theksojnë se, me gjithë luhatjet afatshkurtra, faktorët themelorë që mbështesin çmimin e arit - si kërkesa e lartë e investitorëve dhe pasiguria globale - mbeten të fortë.
Disa banka të mëdha parashikojnë se çmimi mund të arrijë edhe nivele më të larta gjatë vitit. /Telegrafi/
Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur në rajonin Tambov të Rusisë, pasi disa vagonë transportues të karburantit u rrëshqitën nga shinat.
Autoritetet lokale kanë njoftuar se shpërthimi shkaktoi dëme të konsiderueshme dhe po punohet për të siguruar zonën dhe për të shmangur rreziqe të tjera.
Shkaqet e rrëshqitjes dhe të shpërthimit po hetohen, ndërsa ekipet e emergjencës janë duke punuar për të menaxhuar situatën dhe për të ndihmuar të prekurit.
Ndërkohë, kanë përfunduar për sot bisedimet trepalëshe mes SHBA-së, Ukrainës dhe Rusisë në Abu Dhabi.
Kështu ka deklaruar zëdhënësi i sekretarit të sigurisë kombëtare ukrainase, Rustem Umerov.
Diana Davitian shtoi se ato do të rifillojnë gjatë ditës së nesërme. /Telegrafi/
Programet arsimore të Pekinit po riformësojnë perceptimet te të rinjtë e Ballkanit, përderisa fuqia e butë shtrihet përtej infrastrukturës.
Përderisa investimet e mëdha të Kinës po vihen nën vëzhgim në mbarë Evropën, Pekini po i drejtohet një forme më të butë ndikimi në Ballkan: bursa, shkëmbime universitare dhe studentë të rinj që ndajnë jetën në Kinë me audiencat në vendet e tyre.
Kjo përfshin mundësi studimi të financuara nga Kina, e cila ofron bursa për shkollim, pagesa mujore dhe qasje në universitete me rritje të shpejtë. Shumë prej këtyre studentëve kanë ndarë, gjithashtu, përvojat e tyre në rrjetet sociale, ku kanë një numër të konsideruar ndjekësish, ndërsa të tjerë janë paraqitur në media ose në institucione zyrtare kineze.
“Aplikova për qejf [në kursin e gjuhës kineze], ngaqë ishte një gjuhë e re që nuk e kam mësuar asnjëherë", i tha Radios Evropa e Lirë (REL), Era Kërnaja, një 24-vjeçare nga veriu i Shqipërisë që tani studion shkenca kompjuterike në Universitetin e Shkencës dhe Teknologjisë Kunming, në provincën Yunnan të Kinës.
“Nëse dikush do ta ma bënte një pyetje para tre vjetësh, unë do të thosha që Kina është komunizëm, vend i mbyllur, kaq. Por, tani më ka ndryshuar [mendimi] 360 shkallë”, tha ajo.
Derisa Pekini njihet më së shumti në rajon për projekte infrastrukturore në vlera miliarda dollarëshe, kredi dhe partneritete teknologjike, arsimi është shfaqur si një kanal më i butë përmes të cilit Kina po i formëson perceptimet.
Kjo është veçanërisht e theksuar te brezat më të rinj, për të cilët sondazhet tregojnë se janë më të hapur ndaj portretizimit që Pekini i bën vetes si një fuqi e mirë dhe e përgjegjshme.
“Doja t’ua ndryshoja mendimin që kanë shqiptarët për Kinën dhe t’ju tregoja që mos besoni në çdo gjë që shikoni", tha Kërnaja, e cila që nga viti 2023 - kur nisi të jetonte në Kinë - ka filluar të postojë për përvojën e saj në llogarinë e saj në TikTok dhe tani ka më shumë se 8 mijë ndjekës.
Për Pekinin, thonë analistët, këto programe i shërbejnë një qëllimi afatgjatë: kultivimin e rrjeteve personale, narrativave të favorshme dhe profesionistëve të ardhshëm që kanë përvojë të drejtpërdrejtë nga Kina dhe janë të gatshëm ta ndajnë atë në vendet e tyre.
Kjo shtytje e fuqisë së butë përbën një plotësim të rëndësishëm të ndikimit politik dhe ekonomik në rritje të Kinës në Ballkan dhe mund të sjellë audienca më të hapura ndaj përpjekjeve të Kinës për të zgjeruar shtrirjen e saj ekonomike dhe për t'i shtyrë interesat e saj.
“Pekini ka interes të dërgojë sa më shumë studentë dhe shkencëtarë ndërkombëtarë në Kinë", i tha REL-it Stefan Vlladisavljev, ekspert për rolin e Pekinit në Ballkan pranë Fondacionit BFPE, një institut kërkimor me seli në Beograd.
“Ajo [Kina] po përpiqet të pozicionohet si një ofruese e zhvillimit [dhe] të qenit e pranishme në Evropë është një aspekt shumë i rëndësishëm i shtrirjes globale".
Përvoja e Kërnajës pasqyron një prirje më të gjerë që po zhvillohet në Ballkan, ku mundësitë arsimore kineze kanë ngjallur interes edhe në vende si Shqipëria dhe Kosova, të cilat mbeten fuqishëm pro perëndimore në orientimin e tyre politik, për shkak të mbështetjes historike amerikane për shtetësinë dhe demokracinë e tyre.
Shqipëria dhe Kosova – të lidhura nga lidhje të përbashkëta politike, gjuhësore dhe kulturore – janë vende më të vështira për depërtimin kinez në Ballkan.
Ndikimi rajonal i Pekinit është zgjeruar përgjithësisht nga Serbia, ku Beogradi ka joshur miliarda dollarë investime dhe ka ndërtuar lidhje të thella politike.
Serbia dallohet si partneri më i avancuar arsimor i Kinës në rajon, ku janë vendosur tri institute Konfuci që mbështesin mësimin e gjuhës kineze në dhjetëra shkolla. Në historinë 20-vjeçare të Institutit në Serbi, numri i pjesëmarrësve është rritur nga disa dhjetëra në disa qindra çdo vit dhe bashkëpunimi arsimor është forcuar nga disa marrëveshje të reja mes dy shteteve të nënshkruara në vitin 2018.
“Nëse Kina ka një bastion në Ballkanin Perëndimor, ajo ka edhe një bastion në Evropë", tha Vlladisavljev.
Por, fuqia e butë kineze, kryesisht përmes programeve arsimore dhe përhapjes në rrjetet sociale, po shënon gjithashtu disa suksese të hershme edhe gjetkë në rajon.
Instituti Konfuci në Shqipëri, ku Kërnaja mësoi gjuhën kineze dhe mori udhëzime për të aplikuar për bursën e saj, është një nga kanalet më të dukshme të shkëmbimit arsimor brenda Universitetit të Tiranës.
Ai e përshkruan veten si një “institut arsimor joqeveritar, jofitimprurës", i bashkorganizuar me Universitetin e Studimeve të Huaja të Pekinit, që ofron mësime të gjuhës kineze dhe programe kulturore. Gjithashtu ofron bursa dhe ndihmon studentët të aplikojnë në nivele të ndryshme, përfshirë në universitete individuale ose në nivel federal dhe kombëtar brenda Kinës.
Këto institute ekzistojnë kudo në Ballkanin Perëndimor, përveç Kosovës, pavarësia e së cilës nuk njihet nga Kina dhe si rrjedhojë nuk ka përfaqësim zyrtar nga Pekini.
Institutet Konfuci janë nën vëzhgim gjithnjë e më të madh në të gjithë Evropën, derisa disa qeveri i kanë mbyllur ato për shkak të shqetësimeve lidhur me lirinë akademike dhe ndikimin politik.
Por, në pjesën më të madhe të Ballkanit, ato po shihen gjithnjë e më shumë nga të rinjtë si platforma të vlefshme fillestare për të ndjekur mundësi ekonomike dhe arsimore.
Ekspertët që ndjekin angazhimin kinez në rajon thonë se historitë dhe përvojat personale të ndara nga studentë vendas që studiojnë në Kinë kanë ndikim dhe duket se po ndjekin një model të kopjuar nga vende të tjera perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara.
“Kina po merr një faqe nga libri i vendit që e ka bërë më së miri fuqinë e butë – Shtetet e Bashkuara", tha Vlladisavljev.
Bursa, shkëmbime dhe të dhëna të kufizuara
Angazhimi arsimor i Kinës në Ballkan ndërtohet mbi një mozaik programesh: bursa të Qeverisë kineze, grante të lidhura me institutet Konfuci, marrëveshje në nivel universitetesh dhe kurse trajnimi afatshkurtra.
Meqë programet ndryshojnë shumë sipas vendit dhe vitit — dhe meqë institucionet kineze dhe ato ballkanike nuk publikojnë të dhëna gjithëpërfshirëse — nuk ka një regjistër të qartë publik që të tregojë se sa studentë ballkanikë kanë studiuar në Kinë ndër vite.
Radio Evropa e Lirë gjeti se disa studentë shqiptarë që studiojnë në Kinë janë shfaqur gjithashtu në mediat shtetërore kineze, përfshirë Radio Kina Ndërkombëtare (CRI), që është botimi shqip i transmetuesit kryesor shtetëror kinez (CGTN), ku kanë ndarë rrëfime shumë pozitive për përvojat e tyre.
Sondazhet e opinionit publik në Shqipëri, përfshirë Barometrin e Sigurisë së Shqipërisë, tregojnë se pikëpamjet ndaj Kinës mbeten kryesisht neutrale, megjithëse perceptimet pozitive janë rritur lehtë vitet e fundit.
Ndërkohë, pavarësisht mungesës së bashkëpunimit institucional në Kosovë, studentë individualë – shpesh nga diaspora e shpërndarë në Evropë dhe Amerikën e Veriut – kanë gjetur rrugën drejt Kinës dhe ndajnë përvojat e tyre me popullsinë e re në vend.
Vlera Kelmendi, e lindur në Kosovë dhe e migruar në Norvegji, i tha televizionit lokal kosovar ATV, në një intervistë në vitin 2025, se zgjodhi Kinën nga kureshtja, duke përshkruar një përvojë shumë pozitive atje.
Kelmendi, e cila refuzoi të fliste për REL-in, dokumenton jetën e saj në Kinë në llogarinë e saj publike në TikTok me më shumë se 16 mijë ndjekës, duke arritur audienca në Kosovë, ku opinioni publik ndaj Kinës mbetet kryesisht negativ.
Në anën tjetër, ndonëse nuk ka kurse zyrtare kineze në Kosovë, zyrtarët në Institutin Konfuci në Tiranë thanë se kanë vërejtur interes në rritje nga studentët e Kosovës.
“Do të donim shumë të shihnim studentë nga Kosova që të mësojnë gjuhën kineze", i tha Radios Evropa e Lirë, Zheng Baoguo, drejtori i Institutit Konfuci në Tiranë.
“Do të përpiqemi maksimalisht të krijojmë mundësi për ta, nëse ata janë të gatshëm.”
Kur studimi jashtë vendit bëhet komunikim digjital
Më pak se dy orë larg Kosovës, Kadir Ismajli, një student 26-vjeçar nga Maqedonia e Veriut, pati një rrugë shumë më të drejtpërdrejtë drejt Kinës.
Ndërsa fillimisht po kërkonte të studionte diku tjetër, studenti me nacionalitet shqiptar tha se mori një bursë shtetërore kineze për një diplomë master në provincën Yunnan, ku mori ndihmë edhe nga ambasada në procesin e aplikimit.
Ashtu si të tjerët, Ismajli ka ndërtuar një numër ndjekësish në TikTok me më shumë se 31 mijë persona, ku veç tjerash, poston edhe për jetën e tij në Kinë.
“E fillova TikTok-un për biznes, por kur shoh diçka interesante këtu, e postoj", tha ai.
“Në shtëpi njerëzit më thonë se nuk e kemi ditur si ishte në të vërtetë Kina".
Gjatë dekadës së fundit, rreth 100 studentë maqedonas kanë studiuar në Kinë përmes programeve gjuhësore dhe programeve të plota të studimit.
Një studim mbi ndikimin kinez në Maqedoninë e Veriut, i kryer nga organizata Estima me seli në Shkup, zbuloi se “perceptimi i reputacionit të Kinës në Maqedoninë e Veriut është një tablo e përzier që ka tendencë të jetë më pozitive te njerëzit që kanë pasur përvojë dhe ndërveprim të drejtpërdrejtë me Kinën dhe aktorët kinezë".
Sipas të dhënave të Estima-s nga viti 2005, numri i bursave kineze për studentët e Maqedonisë së Veriut ka qenë në rritje.
Programet e edukimit të gjuhës kineze po depërtojnë gjithashtu edhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Mali i Zi ka pasur një institut Konfuci që nga viti 2015 dhe ka dërguar më shumë se 100 studentë në Kinë gjatë kësaj periudhe, sipas një raporti nga Qendra për Analiza të Politikave Evropiane (CEPA).
Në Bosnje-Hercegovinë ekziston një marrëveshje formale për shkëmbime arsimore me Kinën dhe programet e financuara nga Kina vazhdojnë të rriten, veçanërisht përmes Universitetit të Sarajevës Lindore, ku më shumë se 170 studentë kanë marrë pjesë në programe shkëmbimi në Kinë.
Mes këtij grupi është edhe Ana Jasarevic, një 23-vjeçare që studionte në departamentin e gjuhës kineze të Universitetit të Sarajevës Lindore.
Ajo kaloi vitin e kaluar në Universitetin e Vuhanit me disa kolegë të tjerë nga fakulteti.
“Kur mbërritëm, ishte pak tronditje kulturore sepse është krejtësisht ndryshe", tha ajo.
Pas diplomimit, ajo tani thotë se planifikon të regjistrohet në një program të nivelit master në Kinë.
“Më pëlqeu atje, megjithëse e kuptoj që shumë njerëz nuk e pëlqejnë mënyrën se si funksionojnë", tha ajo. “Kam qenë në shumë qytete, kam udhëtuar nëpër vend dhe jam ndier e sigurt kudo".
Dy raporte të deklasifikuara të FBI-së mbi vdekjen e Jeffrey Epstein në burg janë bërë publike së fundmi, duke hedhur dritë mbi rrethanat e fundit të jetës së tij.
Dokumentet, mbi 500 faqe, përfshijnë raportet e hetimit, regjistrat e mbikëqyrjes për vetëvrasje, vlerësimet psikologjike, regjistrat dentarë dhe fotot nga vendi i ngjarjes.
Sipas raportit kryesor, Epstein u shpall i vdekur në orën 7:36 të mëngjesit më 10 gusht 2019, në spitalin New York Presbyterian Lower Manhattan, i njohur si Beekman.
Ai ishte gjetur i pajetë në qelinë e tij të burgut, shkruan skynews.
Raporti tjetër i FBI-së përfshin foto që tregojnë stafin mjekësor dhe punonjësit e burgut duke i dhënë ndihmë trupit të Epstein menjëherë pas vdekjes, duke përfshirë përpjekje për CPR.
Sipas dokumenteve, këto foto janë bërë më shumë se 40 minuta para shpalljes zyrtare të vdekjes së tij.
Disa nga imazhet shfaqen gjithashtu në raportet e tjera zyrtare, përfshirë ato nga Zyra e Mjekut Kryesor Ekzekutiv në New York dhe Byroja Federale e Burgjeve.
Publikimi i këtyre dosjeve vjen ndërkohë që teori të ndryshme mbi rrethanat e vdekjes së Epstein vazhdojnë të jenë subjekt diskutimi dhe spekulimi në opinionin publik. /Telegrafi/
Kanë përfunduar për sot bisedimet trepalëshe mes SHBA-së, Ukrainës dhe Rusisë në Abu Dhabi.
Këtë e njoftoi për gazetarët Diana Davitian, sekretarja për shtyp e shefit të delegacionit ukrainas.
“Bisedimet për sot kanë përfunduar,” tha Davitian, raporton Ukrinform.
Ndërkohë, shefi i delegacionit ukrainas, Sekretari i Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare, Rustem Umerov ka deklaruar se “puna ishte e thelluar dhe produktive, e fokusuar në hapat konkret dhe zgjidhje praktike” ndërsa nuk ka zbuluar se çfarë mund të jenë këto hapa.
Umerov pohoi se delegacioni amerikan përfshinte përfaqësuesin Steve Witkoff, dhëndrin e Donald Trumpit, Jared Kushner, Josh Gruenbaum, Daniel Driscoll dhe gjeneralin Alex Grynkewich.
Ai thotë se rusët ishin përfaqësuar në një nivel të lartë ushtarak.
Umerov thotë se po përgatit një raport për t’ia dërguar presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky. Parashikohet që negociatat të vazhdojnë nesër.
Siç raportoi më parë Ukrinform, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, miratoi kornizën e diskutimeve dhe objektivat specifike për ekipin ukrainas të negociatave para raundit të ri të takimeve trepalëshe në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Takimi i mëparshëm në Abu Dhabi mes Ukrainës, SHBA-së dhe Rusisë u zhvillua më 23–24 janar dhe u fokusua në parametrat për përfundimin e luftës. Përfaqësuesit ushtarakë gjithashtu paraqitën listën e çështjeve që do të trajtohen në takimet e ardhshme. /Telegrafi/
Më shumë se 160 persona u vranë në fshatin Woro në perëndim të Nigerisë nga sulmues të armatosur, duke u bërë sulmi më vdekjeprurës i këtij viti.
Banorët thanë se viktimat u mblodhën, iu lidhën duart dhe më pas u qëlluan. Sulmuesit dogjën edhe shtëpi dhe dyqane, raporton theguardian.
Disa banorë u arratisën në pyll me plagë nga armët, ndërsa disa, përfshirë sundimtarin e fshatit, janë të zhdukur. Banorët raportuan se sulmuesit ishin xhihadistë që kërkuan që ata të pranonin Sheriatin.
Kur banorët refuzuan, sulmuesit hapën zjarr gjatë predikimit. Policia konfirmoi sulmin, por nuk ka dhënë shifra të sakta, raporton theguardian.
Guvernatori i Kwara e dënoi si një akt frikacak të terrorizmit. Ushtria njoftoi se kishte neutralizuar 150 banditë dhe kishte pastruar strehimoret e tyre.
Nigeria po përballet me dhunë xhihadiste, grabitje dhe konflikte etnike në shumë rajone.
SHBA kanë dërguar një skuadër të vogël ushtarake për të ndihmuar në luftën kundër dhunës.
Siguria në vend mbetet e paqëndrueshme dhe komunitetet po përpiqen të rikuperohen nga dhuna. /Telegrafi/
Ministri serb i Kulturës, Nikola Selakoviq, dhe tre zyrtarë të tjerë janë përballur me gjykatën nën akuza për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh, me qëllim hapjen e rrugës për një projekt ndërtimi që duhej të financohej nga kompania e Jared Kushnerit, dhëndrit të presidentit amerikan, Donald Trump.
Projekti parashikonte ndërtimin e një kompleksi luksoz në vendin e ish-Shtabit të përgjithshëm të ushtrisë në qendër të Beogradit, por Kushner më pas u tërhoq nga investimi, raporton nova.rs.
Plani ishte mbështetur nga presidenti Aleksandar Vuçiq, i cili e paraqiti atë si një hap për forcimin e marrëdhënieve me SHBA-në, por ai u kundërshtua fuqishëm nga publiku dhe organizatat për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
Ndërtesa e Shtabit të Përgjithshëm, vepër e arkitektit Nikola Dobroviq, konsiderohet monument i arkitekturës moderniste dhe është e mbrojtur ligjërisht.
Të akuzuarit dyshohet se në vitin 2024 kanë hequr në mënyrë të paligjshme statusin e mbrojtjes së objektit.
Ata rrezikojnë deri në tre vjet burg dhe janë deklaruar të pafajshëm. Gjyqi zhvillohet në një klimë tensionesh politike, protestash masive dhe shqetësimesh për cenimin e pavarësisë së drejtësisë në Serbi. /Telegrafi/
Video të reja nga Irani tregojnë se forcat e sigurisë nuk janë mjaftuar vetëm me përdorimin e armëve të zjarrit për të shtypur protestat kundër regjimit, por kanë ushtruar dhunë ekstreme edhe duke i shtypur protestuesit me automjete.
Këto pamje tronditëse vijnë nga qyteti i Ardabilit dhe janë pjesë e një vale më të gjerë provash vizuale që dokumentojnë brutalitetin e autoriteteve iraniane ndaj qytetarëve të tyre.
Protestat në Iran shpërthyen si reagim ndaj represionit shtetëror, shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe kufizimeve të rënda ndaj lirive personale, veçanërisht ndaj grave dhe të rinjve.
Ato u përhapën shpejt në shumë qytete të vendit, duke përfshirë studentë, punëtorë dhe aktivistë civilë.
Përgjigjja e regjimit ka qenë e ashpër: arrestime masive, përdorim force vdekjeprurëse, mbyllje të internetit dhe censurë të mediave, me qëllim shtypjen e zërit kundërshtues.
Pamjet dhe dëshmitë që dalin nga Irani, pavarësisht përpjekjeve për t’i fshehur, kanë shkaktuar reagime të forta ndërkombëtare dhe kanë rritur thirrjet për llogaridhënie dhe hetime mbi krimet e kryera ndaj protestuesve paqësorë.
Në thelb, këto protesta përfaqësojnë një rezistencë të gjerë popullore kundër frikës dhe dhunës shtetërore, si dhe një kërkesë të qartë për dinjitet, liri dhe drejtësi. /Telegrafi/
Një ekip kinez ka prezantuar një robot humanoid me madhësi të plotë, i cili mund të vrapojë me shpejtësi deri në 10 metra në sekondë, më i shpejtë se shumica e njerëzve.
Roboti quhet “Bolt”, në nder të legjendës së sprintit, Usain Bolt, dhe është zhvilluar nga Instituti për Inovacionet Humanoide në Universitetin Zhejiang, në lindje të Kinës, në bashkëpunim me kompanitë Mirror Me dhe Kaierda nga qyteti Hangzhou.
Sipas krijuesve, ky është një hap i rëndësishëm për kontrollin e lëvizjes së robotëve, balancën dinamike dhe sistemet e fuqisë me performancë të lartë.
Në një video të publikuar në YouTube dhe platforma të tjera, themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i Mirror Me, Vang Hongtao, garon në tredmil me robotin e kuq “Bolt”.
Edhe pse robotit i nevojiten hapa më të shkurtër se Vangut, ai ndërmerr hapa më të shpeshtë dhe arrin të lëvizë më shpejt mbi tredmil.
Kinezët më parë kishin vendosur edhe rekordin e shpejtësisë për robotë katërkëmbësh, me modelin “Black Panther”, i cili ka arritur mbi 10 metra në sekondë.
Në gusht të kaluar në Pekin u mbajt kampionati i parë botëror për robotë humanoidë, ku modeli “Tien Kung” fitoi garën e 100 metrave me kohën 21.5 sekonda.
Sprinteri jamajkan Usain Bolt mban rekordet botërore në 100 metra (9.58 sekonda) dhe 200 metra (19.19 sekonda), vendosur në Kampionatin Botëror të Berlinit në vitin 2009. /Telegrafi/
Pse gratë janë më skeptike ndaj inteligjencës artificiale se burrat? Një studim i ri sugjeron se kjo mund të lidhet me aversionin ndaj rrezikut dhe nivelin e ekspozimit ndaj tij.
Që nga përshpejtimi i përdorimit të inteligjencës artificiale (AI) në mbarë botën, gratë shpesh janë përballur më shumë me pasojat e saj.
Që nga “deepfake” me përmbajtje seksuale deri te shkarkimet e nxitura nga AI në vendin e punës, disa nga efektet më të dëmshme të inteligjencës artificiale kanë ndikuar në mënyrë disproporcionale tek gratë.
Nuk është befasi që gratë janë më skeptike ndaj teknologjisë së re se burrat, raporton euronews.
Hulumtimet tregojnë se gratë adoptojnë mjetet e inteligjencës artificiale (IA) me një ritëm 25 për qind më të ulët se burrat, dhe përbëjnë më pak se 1 në 4 profesionistë të IA-së në mbarë botën.
Por një studim i ri nga Universiteti Northeastern në Boston përpiqet të shpjegojë se çfarë shqetëson saktësisht gratë për AI – dhe studiuesit zbuluan se kjo lidhet kryesisht me rrezikun.
Duke analizuar sondazhe të rreth 3,000 kanadezëve dhe amerikanëve, studiuesit zbuluan se ekzistojnë dy faktorë kryesorë që ndikojnë në qëndrimet e ndryshme të burrave dhe grave ndaj inteligjencës artificiale në punë: toleranca ndaj rrezikut dhe ekspozimi ndaj tij.
Gjetjet e tyre u botuan këtë muaj në revistën PNAS Nexus, transmeton Telegrafi.
Përgjigjësit gra ishin përgjithësisht më “të kujdesshme ndaj rrezikut” se burrat – ato kishin më shumë gjasa të zgjidhnin një shumë të garantuar prej 1000 dollarësh (842 euro) sesa të merrnin një shans 50 për qind për të fituar 2000 dollarë (1,684 euro) ose të mos merrnin asgjë.
Ky hendek gjinor u shfaq edhe në qëndrimet ndaj AI-së – gratë ishin rreth 11 për qind më të prirura se burrat të thoshin se rreziqet e IA-së tejkalojnë përfitimet e saj.
Kur u pyetën me pyetje të hapura për rreziqet dhe përfitimet e AI-së, gratë kishin më shumë gjasa se burrat të shpreheshin me pasiguri dhe skepticizëm.
Megjithatë, studiuesit zbuluan se ky hendek gjinor zhdukej kur eleminohet elementi i pasigurisë.
Nëse fitimet nga punësimi i drejtuar nga AI do të ishin të garantuara, gratë dhe burrat reaguan pozitivisht në mënyrë të barabartë.
Gratë që ishin më pak të kujdesshme ndaj rrezikut në sondazh gjithashtu shprehën një nivel skepticizmi të ngjashëm me burrat kur bëhej fjalë për AI-në.
“Në thelb, kur gratë janë të sigurta për efektet në punësim, hendeku gjinor në mbështetje për AI-në zhduket,” tha Beatrice Magistro, profesoreshë asistente e qeverisjes së AI-së në Universitetin Northeastern dhe bashkëautore e studimit.
“Pra, duket se gjithçka ka të bëjë me aversionin ndaj pasigurisë”, shtoi ajo.
Studiuesit thanë se ky skepticizëm lidhet pjesërisht me faktin që gratë janë më të ekspozuara ndaj rreziqeve ekonomike që sjell AI-ja.
“Gratë përballen me një ekspozim më të lartë ndaj AI-së, si në rolet me përputhshmëri të lartë që mund të përfitojnë nga AI-ja, ashtu edhe në rolet me rrezik të lartë zhvendosjeje, megjithëse pasojat afatgjata të AI-së mbeten thelbësisht të pasigurta,” shkruajnë studiuesit.
Ata sugjeruan që politikanët të marrin parasysh këto qëndrime kur hartojnë rregulloret për AI-në, për të siguruar që AI-ja të mos lërë gratë pas.
“Kjo mund të përfshijë zbatimin e politikave që ulin rreziqet e lidhura me AI-në, si mbrojtje më të forta kundër humbjes së vendeve të punës, skema kompensimi dhe masa për të reduktuar paragjykimet gjinore në sistemet e AI-së,” thanë studiuesit. /Telegrafi/
Zyrtarë të lartë izraelitë, përfshirë kreun e Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), Eyal Zamir, i cili vizitoi Uashingtonin gjatë fundjavës, kanë shtyrë SHBA-të për të goditur Iranin, por presidenti amerikan, Donald Trump është i rezervuar.
Raporti thotë se Zamir i ka dhënë një informim Kryetarit të Shefave të Shtabit të Përbashkët, gjeneralit Dan Caine, mbi planet sulmuese dhe mbrojtëse të Izraelit në rast të një lufte me Iranin.
“Është e sigurt të thuhet se asgjë nuk doli nga ajo takim që të ndryshojë mendimin e tij ose të presidentit për sulmin ndaj Iranit”, citohet të ketë thënë një zyrtar amerikan, duke iu referuar Caine dhe Trump.
“Janë vërtet izraelitët ata që duan një sulm. Presidenti thjesht nuk është aty”, thotë zyrtari.
Një tjetër zyrtar i lartë amerikan thotë se Trump “nuk dëshiron ta bëjë këtë vërtet”.
Raporti citon tre këshilltarë të lartë të Trumpit që thonë se, ndërsa presidenti fillimisht preferonte sulmet gjatë protestave masive në Iran, tani ndjen se nisja e një veprimi ushtarak nuk do të ishte rruga e duhur. Njëri prej tyre thotë se skepticizmi qëndron për shumë në rrethin e ngushtë të Trump.
Megjithatë, një zyrtar i lartë nga një nga vendet ndërmjetësuese i thotë Axios se qëndrimi i Trump mund të ndryshojë nëse Irani nuk tregon gatishmëri për të plotësuar kërkesat e SHBA-së.
“Nëse Irani nuk vijon në bisedimet të premten me gjëra konkrete, ai mund të gjejë veten shumë shpejt në një situatë shumë të keqe”, thotë zyrtari. /Telegrafi/
Departamenti amerikan i Drejtësisë (DOJ) hoqi mijëra dokumente lidhur me Jeffrey Epstein nga faqja e tij pas ankesave të viktimave për komprometim identitetesh.
Avokatët thanë se mungesa e redaktimeve kishte dëmtuar jetën e gati 100 mbijetuesve, duke përfshirë adresa email dhe foto ku viktimat mund të identifikoheshin.
Në një letër për një gjykatës federal, DOJ tha se dokumentet e kërkuara për heqje ishin tërhequr për redaktim të mëtejshëm dhe po shqyrtoheshin kërkesa të reja.
Viktimat e quajtën publikimin “të papranueshëm” dhe kërcënuan me veprime ligjore, duke përfshirë kërcënime me jetë dhe ekspozim të detajeve bankare private, raporton bbc.
Avokatët dhe mbijetuesit thanë se DOJ kishte dështuar në redaktimin e emrave dhe të dhënave personale në mijëra raste.
Gloria Allred, avokate për viktimat, konfirmoi se emra dhe foto të mbijetuesve ishin publikuar pa leje.
DOJ tha se merr mbrojtjen e viktimave seriozisht dhe po punonte për të korrigjuar gabimet.
Nuk ka dyshim se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka nisur sërish fushatën për të siguruar karrigen e kryeministrit.
Vuçiq ka njoftuar planin “Serbia 2035”, të cilin pritet ta prezantojë në një tubim të madh gjatë muajit mars.
Edhe pse përmbajtja e këtij plani ende nuk është bërë e ditur, fakti që Vuçiq planifikon hapur të qëndrojë në pushtet për gati edhe një dekadë tjetër, sipas Nova.rs, tregon një lloj “operacioni bjellorus” dhe ekspozon ambicien e tij për t’u shndërruar në një Aleksandar Lukashenko të ri.
Meqenëse, sipas Kushtetutës, ai nuk mund të vazhdojë më si president, Vuçiq ka vendosur të synojë edhe postin e kryeministrit.
Megjithatë, problemi kryesor mbetet pyetja se kush do të jetë kandidati i ri i Partisë Progresive Serbe (SNS) në zgjedhjet presidenciale.
Është e qartë se asnjë nga emrat që janë përmendur deri më tani në publik si kandidatë të mundshëm nuk garanton një fitore të sigurt.
Për këtë arsye, nuk do të ishte befasi nëse qeveria do të përdorte një manovër, të ngjashme me atë që udhëheqësi i radikalëve, Vojislav Sheshel, po e promovon së fundmi.
Konkretisht, ai ka propozuar një ndryshim të Kushtetutës që do t’i mundësonte pasardhësit të Vuçiqit të zgjidhej jo më përmes zgjedhjeve presidenciale, por nga Kuvendi.
Kjo do të ishte një strategji ideale daljeje për progresivët, duke pasur parasysh se ata disponojnë një shumicë prej dy të tretash në Kuvend, çka do t’u mundësonte ndryshimin e aktit më të lartë ligjor të shtetit.
Prej muajsh tashmë, ka pasur spekulime se kush do të jetë kandidati i Partisë Progresive Serbe në zgjedhjet presidenciale, pasi është më se e qartë se presidenti aktual i Serbisë ka zgjedhur të synojë postin e kryeministrit.
Deri më tani, në media janë përmendur vetëm disa emra si pasardhës të mundshëm të Vuçiqit, përfshirë Tomislav Nikoliqin, Ana Brnabiqin dhe Miloš Vuçeviqin.
Megjithatë, duke marrë parasysh rënien e ndjeshme të mbështetjes për SNS-në, e cila është evidentuar në shumë sondazhe të opinionit publik gjatë muajve të fundit, mbetet e pasigurt nëse ndonjëri nga bashkëpunëtorët e Vuçiqit do të ishte në gjendje të siguronte fitoren.
Është gjithashtu e qartë se humbja e presidencës do të ishte një goditje e madhe për Partinë Progresive Serbe, ndaj ata po bëjnë gjithçka që është në fuqinë e tyre për ta parandaluar një gjë të tillë. Kështu, për ta lind një enigmë e madhe, zgjidhja e së cilës u bë publike nga udhëheqësi radikal dhe mentor politik i Aleksandar Vuçiqit, Vojislav Sheshel.
Këtë javë, Shesheli deklaroi se Kushtetuta e Serbisë duhet të ndryshohet në mënyrë që Kuvendi të ketë të drejtën të zgjedhë Presidentin e Republikës dhe, nëse është e nevojshme, ta zëvendësojë atë.
"Kushtetuta duhet të ndryshohet dhe presidenti duhet të zgjidhet në Asamblenë Kombëtare; kjo është më demokratike. Njerëzit mendojnë se është më demokratike kur populli zgjedh, por jo – presidenti nuk mund të zëvendësohet në atë mënyrë", tha Shesheli.
Duke folur për zgjedhjet e ardhshme, ai shtoi se SRS është në një koalicion me Partinë Progresive Serbe në pushtet dhe nuk do t'u "imponohet" koalicioneve të tjera para zgjedhjeve.
"Sa i përket zgjedhjeve parlamentare, jam i bindur se nëse partitë patriotike formojnë një koalicion të unifikuar, nuk ka koalicion kundërshtar që mund të na mposhtë", vlerësoi ai.
Vuçiq: Do të paraqesim programin që do të bëjmë
Vuçiq njoftoi javën e kaluar se rreth datës 20 mars do të organizohet një tubim i madh para Asamblesë Kombëtare ose në “Trg Republike” në Beograd. Gjatë këtij eventi do të prezantohet plani “Serbia 2035”, që sipas Nova.rs tregon se Vuçiç planifikon të qëndrojë në pushtet për të paktën një dekadë tjetër.
"Ja një lajm ekskluziv për ju. Do të presim që të kalojnë të gjithë përvjetorët e tyre dhe diku më 20, 21 ose 22 mars, do t'ua prezantojmë programin 'Serbia 2035' para një numri të madh qytetarësh, për t'u treguar njerëzve se sa shumë i respektojmë dhe i duam ata, dhe atë që kemi bërë, për të paraqitur llogari, raporte dhe për të prezantuar programin e asaj që do të bëjmë", tha ai.
Më parë, lideri i SNS-it kishte bërë të ditur se plani “Serbia 2035” është punuar për një kohë të gjatë dhe se synojnë ta prezantojnë para qytetarëve deri më 1 mars, shkruan index.hr.
Një goditje për prokurorinë
Nova.rs kujton se aspiratat e presidentit serb për të qëndruar në pushtet për dekada nuk janë të reja. Sipas këtij portali, kjo shihet qartë nga lidhjet e ngushta të Vuçiqit me autokratë të shumtë evropianë dhe botërorë. Shembulli më i dukshëm është marrëdhënia midis Vuçiqit dhe presidentit bjellorus, Aleksandar Lukashenko, i cili ka qenë në pushtet për 31 vjet.
Kjo është arsyeja pse, siç shkruan Nova.rs, lind pyetja nëse Vuçiq planifikon të përfshijë një skemë për transformimin e Serbisë në një “Bjellorusi të tij” në atë që portali e quan “ekspozita para-kryeministrore”, e cila ndoshta do të prezantohet para mbështetësve të tij në mars.
Portali thekson se, ndërkohë që pritet kjo, sulmi i paprecedentë i regjimit ndaj prokurorisë tashmë po bëhet i dukshëm. Sipas disa ekspertëve, ndryshimet ligjore që janë miratuar ndryshojnë rrënjësisht kompetencat dhe strukturën e prokurorisë në Serbi dhe paralizojnë punën e Prokurorisë Publike për Krimin e Organizuar.
Amendamentet ligjore, të miratuara nga Parlamenti disa ditë më parë dhe më pas të nënshkruara nga Vuçiq, ndryshojnë gjithashtu kompetencat e Këshillit të Lartë të Prokurorëve. Sipas Nova.rs, fituesi më i madh i këtyre ndryshimeve do të jetë Nenad Stefanoviq, kryeprokurori i Zyrës së Prokurorit të Lartë Publik në Beograd, i cili do të ketë mundësinë të veprojë pa kontroll real dhe që tashmë ka treguar një prirje të qartë pro-regjimit.
"Pushteti absolut nuk braktiset kurrë vullnetarisht dhe pa arsye"
Redaktori i “New Serbian Political Thought”, Gjorgje Vukadinoviq, i tha Nova.rs se ambicia e Vuçiqit për të “sunduar për jetë” nuk është aspak befasi.
"Kjo ishte e qartë për këdo që donte ta shihte kur Vuçiq erdhi në pushtet. Tani kjo vetëm sa është thelluar. Të gjitha njoftimet dhe deklaratat se ai po tërhiqej nga politika mashtronin dhe i qetësonin kundërshtarët e tij, ndërsa mbillnin shpresa të rreme. Pushteti absolut nuk lihet kurrë vullnetarisht dhe pa arsye", pohoi Vukadinoviq.
Ai shtoi se njoftimi i planit “Serbia 2035” mund të ketë habitur disa, por në fakt Vuçiq i ka deklaruar qëllimet e tij pothuajse hapur.
"Ai mund të thotë se ky plan nuk ka të bëjë fare me të, por me Serbinë, e cila ‘duhet të përparojë’. Është e qartë se tani planifikon të jetë kryeministër dhe të ndryshojë pozicionin me rotacion, por do të ruajë pushtetin absolut që kishte si president, për të cilin nuk kishte autoritet kushtetues. Është krejtësisht e parëndësishme se si quhet pozicioni i tij; ai mund të jetë një hajdut në qeveri, por shkopi do të jetë me të", vuri në dukje Vukadinoviq.
Planet dhe vizionet afatgjata të paraqitura tashmë
Srgjan Cvijiq, ish-diplomat dhe president i Bordit Këshillimor Ndërkombëtar të Qendrës së Beogradit për Politikat e Sigurisë, gjithashtu beson se Vuçiq nuk ka ndërmend të largohet nga pushteti.
"Ata kanë frikë dhe janë të vetëdijshëm se largimi nga pushteti nuk do të thotë vetëm pension politik, por edhe procedura penale. Kjo është një lojë gjithçka ose asgjë, dhe presidenti synon të qëndrojë në pushtet për gjithë jetën", theksoi Cvijiq.
Ai shtoi se deri më tani, planet janë paraqitur si pjesë e një fushate të vazhdueshme që ka filluar që nga viti 2012.
"Është diçka që i shërben publikut, duke ditur se cila është situata në thesarin e shtetit. Ato plane nuk janë të rëndësishme për një analizë serioze; ato shërbejnë vetëm për të zgjatur qeverinë sa më gjatë të jetë e mundur", tha Cvijiq.
Bashkëbiseduesi i Nova.rs arriti në përfundimin se ka frikë se kjo qeveri nuk do të lejojë që të humbasë zgjedhjet.
Portali kujton se Serbia ka parë prezantimin e planeve dhe vizioneve afatgjata disa herë gjatë qeverisjes së Vuçiqit. Në fund të vitit 2019, u prezantua plani “Serbia 2025”, i cili, sipas deklaratave të Vuçiqit në atë kohë, kishte një vlerë totale prej 14 miliardë eurosh.
Më pas u prezantua një plan i ri, i cili shtrihej deri në vitin 2027 dhe kishte një vlerë prej 17.8 miliardë eurosh, vit në të cilin mbahet edhe ekspozita EXPO. /Telegrafi/
ChatGPT është rikthyer në funksionim normal pas një ndërprerjeje të përkohshme që preku një numër përdoruesish.
Gjatë kësaj kohe, shërbimi hasi vështirësi teknike, duke shkaktuar vonesa dhe pamundësi qasje.
Ekipi teknik punoi për zgjidhjen e problemit dhe ka konfirmuar "se platforma tashmë funksionon normalisht. Përdoruesit mund të vazhdojnë ta përdorin shërbimin pa kufizime".
Pse kishte rënë për ca kohë?
ChatGPT aktualisht po përjeton një ndërprerje të konsiderueshme, duke lënë mijëra përdorues të mos kenë qasje në inteligjencën artificiale në të gjitha platformat.
Sipas të dhënave të gjurmimit nga Down Detector, problemet filluan të shfaqen rreth orës 3:00 pasdite ET.
“Ne kemi identifikuar problemin, kemi zbatuar masat e nevojshme zbutëse dhe po monitorojmë rikuperimin. Ne kemi identifikuar se përdoruesit po përjetojnë gabime të shumta gjatë marrjes së shërbimeve”, thuhet në njoftimin e ChatGPT.
Ndryshe, shkalla e problemit u përshkallëzua me shpejtësi, ku problemet e raportuara u rritën në mbi 10 mijë raste brenda vetëm pesëmbëdhjetë minutash.
Përdoruesit që përpiqen të përdorin shërbimin aktualisht po përballen me probleme të lidhjes ose kërkesa të dështuara pasi platforma mbetet e paqëndrueshme. /Telegrafi/
Një sistem i mbrojtjes ajrore Patriot, i njohur për aftësitë e avancuara për të interceptuar raketat balistike, raketat kryqëzuese dhe aeroplanët, ka arritur me sukses ta kap një raketë hipersonike ruse ‘Zircon’ mbi Kiev.
Pamjet janë publikuar në rrjetet sociale dhe janë shpërndarë më gjerë.
Sistemi Patriot, i zhvilluar nga kompania amerikane Raytheon, përdor radarin e avancuar dhe raketat e tij PAC-3 për të identifikuar, ndjekur dhe shkatërruar objektet që paraqesin kërcënim nga ajri.
Kjo kapje tregon efektivitetin e sistemeve moderne të mbrojtjes ajrore në mbrojtjen e qyteteve kundër kërcënimeve të sofistikuara si raketat hipersonike.
Ndërkohë, sulmi vjen në një kohë kur pritet të vazhdojnë bisedimet trepalëshe mes Shteteve të Bashkuara, Ukrainës dhe Rusisë, me synimin për të ulur tensionet dhe për të gjetur një rrugë drejt armëpushimit.
Ndryshe, Rusia gjatë fundjavës së kaluar kishte pranuar një armëpushim disa ditor duke u zotuar se nuk do të sulmojë vetëm infrastrukturën energjetike. /Telegrafi/
Çmimet e arit dhe të argjendit kanë pësuar luhatje të mëdha në ditët e fundit.
Pas një periudhe rritjeje të jashtëzakonshme gjatë vitit të kaluar, të dy metalet e çmuara ranë ndjeshëm të premten dhe të hënën e kaluar.
Pse u rritën kaq shumë më parë? Çmimet u nxitën nga kërkesa e investitorëve për “asetet e strehimit të sigurt” gjatë periudhave të pasigurisë ekonomike dhe trazirave gjeopolitike, shkruan aljazeera.
Tensionet globale, pasiguria për sistemet ekonomike dhe rritja e blerjeve nga bankat qendrore i shtynë çmimet në nivele rekorde, me ari që arriti afër niveleve shumë të larta para se të binte.
Pse ranë çmimet? Shumë analistë thonë se rënia filloi kur Presidenti i SHBA-së njoftoi nominimin e Kevin Warsh si kryetar të ardhshëm të Rezervës Federale, një vendim që çoi në forcimin e dollarit amerikan dhe uljen e nevojës për “vlera të sigurta”. Kjo ulje e kërkesës solli shitje të mëdha dhe një rënie të shpejtë të çmimeve.
Përveç kësaj, disa theksojnë se çmimet ishin rritur shumë shpejt dhe shumë investitorë nxituan të realizonin fitimet e tyre (“profit-taking”), duke shkaktuar një korrigjim të mprehtë në tregje.
Çfarë ndodhi më pas? Pas rënies së fortë, çmimet u stabilizuan pak dhe filluan të rimëkëmben, me ari dhe argjend që tregtonin rritje të vogla ditët pas rënies kryesore. Megjithatë, ato mbeten nën nivelet më të larta që ishin arritur më parë.
Si e shohin analistët të ardhmen? Shumë ekspertë besojnë se kjo luhatje është pjesë e një korrigjimi normal pas rritjes së shpejtë dhe se trendi afatgjatë i çmimeve mund të mbetet pozitiv për arin dhe argjendin, ndërsa disa banka të mëdha parashikojnë nivele edhe më të larta deri në fund të vitit. /Telegrafi/