Një nga të pandehurit e dosjes së bujshme “Plumbi i artë”, Henrik Hoxhaj, që cilësohet edhe si ushtari i grupit të vrasësve me pagesë të të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani, ka rrëfyer sot në Gjykatën e Posaçme edhe për porosinë e vrasjes së Sokol Sanxhaktarit, dhëndrit të ish-kryebashkiakut të ndjerë të Elbasanit, Qazim Sejdini.
“Ndërsa po përgatitesha për vrasjen e vëllezërve Haxhia, diskutuam me Nuredin Dumanin për një punë tjetër. Ai fliste në telefon gjithë kohën. Kishte ditëlindjen atë dite. Nuk e di me kë. Më tha për Sokol Sanxhaktarin”, dëshmoi i akuzuari teksa pyetej nga prokurorët e SPAK për rrethanat dhe dinamikën.
Prokurori e pyeti se “kush ishte i interesuar për të goditur Sokol Sanxhaktarin?”.
Hoxhaj u përgjigj:
“Unë kam marrë një ofertë, tha Nuredin Dumani, për Sokol Sanxhaktarin. Më tha se do bënim takim. Jepeshin 200 mijë euro. Më pyeti nëse isha i interesuar. Por mbeti këtu, nuk u bë më shumë muhabet. Nuk më tha kush ishte investitori. Nuk më është përmendur Suel Çela. Më tha se është dhëndri i kryetarit të Bashkisë së Elbasanit. Nuk më tha pse, o prokuror. Nuk mbaj mend të jetë përmendur më”.
“Një Bledar Muça, a ju ka thënë ndonjë gjë Nuredini?”, vijoi ta pyeste përfaqësuesi i akuzës.
Henrik Hoxhaj tha me formë mohuese:
“Jo. Nuk kam qenë i interesuar. Nuk u morëm më me Sokolin, se u morëm me atë çfarë ishim aty. Ditën e arrestimit të Sokolit nuk e di a kam biseduar apo jo, se nuk më ka interesuar”.
Prokurori e pyeti edhe në lidhje me një detaj tjetër:
“Në 30 korrik 2020, kur Sokol Sanxhaktari vrau Florian Lamçen, Nuredini të ka shkruar ty: “Na humbën 200 mijë euro”, tha ai.
Hoxhaj e pohoi, duke shpjeguar se shkak ishte mosmbarimi i punës së eliminimit të Sanxhaktarit, sepse u arrestua për vrasjen e ndodhur:
“Po, se nuk u mbarua puna, pra…”, tha ai.
Kush është Sokol Sanxhaktari?
Sokol Sanxhaktari është dënuar me 18 vite burg nga Gjykata e Elbasanit. Ai është dhëndri i ish-kryebashkiakut të Elbasanit, Qazim Sejdini.
Sanxhaktari u dënua për vrasjen e Florian Lamçe në Elbasan me datë 30 korrik të vitit 2020. Për të dy është vendosur që të vuajnë dënimin e plotë dhe të mos përfitojë Lirim me kusht.
Ngjarja e rëndë ndodhi në 30 korrik të viti 2020 në orën 4 të mëngjesit, kur Sanxhaktari, Hajdari dhe Florian Lamçja ndodheshin në një lokal në Elbasan duke konsumuar pije alkoolike dhe nargjile.
Florian Lamçja gjeti vdekjen si pasojë e goditjeve të shumta me karrige në kokë. Veç dëmtimeve të shumta në fytyrë, kishte një të çarë me mjet prerës në parakrahun e dorës së djathtë. Dy të akuzuarit pas arrestimit nga policia kanë thënë se ishin të dehur dhe nuk mbajnë mend çfarë ndodhur.
Sokol Sanxhaktari ka mbi supe një histori të gjatë kriminale.
Ai dyshohet se është i përfshirë në grupin e bandës së Suel Çelës, një emër edhe ky jo pak i njohur për profilin e tij kriminal. Suel Çela akuzohet si i përfshirë në ngjarjen që ndodhi mesnatën e 18 shtatorit kur një automjet i blinduar tip “Audi A8” goditi makinën e patrullës së Policisë, brenda të cilit ishte ish-zv.drejtori i Policisë, Gjergji Oshafi.
Sokol Sanxhaktari është vënë disa herë në prangat e policisë për vepra të ndryshme penale, por që gjithmonë ‘ia ka hedhur paq’, duke fituar lirinë shumë shpejt, qoftë edhe pas dënimeve që i janë dhënë nga gjyqtarët.
Sanxhaktari njihet për profilin e tij kriminal, duke pasur parasysh faktin se në shumë raste ishin viktimat të tërhiqeshin nga akuzat, ose prokurori detyrohej të largohej nga çështja e hetimit.
Dënimet ndër vite për Sokol Sanxhaktarin:
1. Më 9 qershor 2008, Sokol Sanxhaktari është dënuar nga gjykata e Elbasanit për veprat penale të “Shkatërimit të pronës” dhe “Prishjes së rendit dhe sigurisë publike”.
2. Më 1 korrik 2008, Sanxhaktari është dënuar nga gjykata e rrethit Elbasan me 3.4 milion lekë gjobë, për akuzën e kundërshtimit të forcave të rendit. Së bashku me të u dënua dhe shoku i tij, Altin Mehja.
3. Më 29 qershor 2010 Sanxhaktari është dënuar me 3 muaj e 10 ditë burg për armëmbajtje pa lejë dhe plagosje të lehtë në dëm të shtetasit Ervis Daka.
4. Më datën 31 tetor 2010 është dënuar me 6 muaj burg për akuzën e “Armëmbajtjes pa lejë” dhe “Kundërshtim të forcave të rendit”.
5. Më datën 4 prill 2016 Sanxhaktari është dënuar me 1 vit burgim, pasi është arrestuar me pistoletë pa lejë dhe kundërshtim të forcave të rendit.
Plagosjet ku rezulton i përfshirë Sokol Sanxhaktari:
- Në mëngjesin e datës 2 shtator 2008, dy persona u plagosën në lagjen “Qemal Stafa”, në afërsi të televizionit “Dardan”. Objektiv i atentatit ishte Endri Biçoku, 25 vjeç. Ai ishte duke dalë nga lokali në pronësi të shtetasit Ardjan Veci, i cili mësohet se edhe ky ngeli i plagosur. Policia identifikoi si autor të kësaj plagosje të dyfishtë Sokol Sanxhaktarin.
2. Një vit më pas Sokol Sanxhaktari është sërish protagonist i një tjetër plagosje. Në orët e para të mëngjesit të datës 26 dhjetor 2009, pranë ish-kinema “Metalurgu”, në lagjen “Brigada e 17 Sulmuese”, mbeti i plagosur me armë zjarri, 27 vjeçari Julian Piu. Menjëherë në vendin e ngjarjes shkoi policia e cila identifikoi dhe shpalli në kërkim tre të rinjtë Sokol Sanxhaktari, Gjergji Verushi dhe Mirjam Dedja, si autorë të plagosjes së Julian Piut.
3. Po kështu, në fillim të vitit 2010, Sokol Sanxhaktari akuzohet për plagosjen e një tjetër personi, në Elbasan. Këtë herë, viktimë e plagosjes ishte i riu Elvis Bako.