Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 7 February 2026Main stream

Arrestimet dhe keqtrajtimet në kufi të qytetarëve të Kosovës, Serbia sfidon normat ndërkombëtare

7 February 2026 at 21:30


Për shtetasit e Kosovës, kalimi transit nga Serbia edhe më tej po vazhdon të jetë i pasigurt. Ditë më parë, autoritetet serbe arrestuan Mit'hat Llozhanin. Rasti nxiti reagimin e institucioneve vendore. Duke e parë këtë praktikë të Serbisë, nga Organizata e Veteranëve të Luftës bëjnë thirrje që mos të udhëtohet nëpërmjet shtetit serb. Ndërkaq, bashkësisë ndërkombëtare iu kërkua të jetë më e ashpër me Serbinë.

Udhëtimi transit përmes Serbisë vazhdon të mbetet i pasigurt për shumë shqiptarë të Kosovës, veçanërisht ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Një pasaportë e Republikës së Kosovës, një emër në listat serbe, apo ndonjë simbol kombëtar, kanë mjaftuar që shqiptarët e Kosovës, të bien në prangat e autoriteteve serbe.

Me të hyrë në Serbi, në kufi me Kroacinë ditë më parë u arrestua edhe shtetasi Mit'hat Llozhani, veprim ky që vulos faktin se Serbia po vazhdon me praktikën e keqtrajtimit dhe arrestimit.

Ministria e Punëve të Jashtme ka thënë se Serbia po cenon normat dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, për çka ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të ushtroj presion ndaj saj.

Organizatat e dala nga lufta, vazhdojnë të bëjnë thirrje që veteranët e luftës mos të udhëtojnë nga shteti serb.

“Ju kemi bërë thirrje veteranëve që mos të kalojnë nga Serbia sepse Serbia ka lista dhe i ndalon njerëzit. Për ne është e papranueshme për shkak se lëvizja është e lirë në gjithë Evropën. Por ne e dimë mentalitetin e Serbisë. I ftoj veteranët e UÇK-së që mos të kalojnë nga Serbia duke e ditur se Serbia është duke i ndaluar dhe mbajtur nga 2-3 vite në burg”, tha Hysni Gucati, kryetar i OVL-UÇK-së

Ndërkohë njohës të sigurisë kërkojnë nga bashkësia ndërkombëtare të jetë më e ashpër me Serbinë.

“Duhet një herë e përgjithmonë të mendoj dhe të filloj tashmë me sankisone ose me një qasje shumë reale dhe shumë të ashpër që t'ju mundësohet të gjithëve në Ballkan që të udhëtojnë të lirë”, thotë Arben Dashevci, njohës i sigurisë.

Nën arsyetimet për krime të lufte, shtetas të Kosovës vit pas viti ndalen në pikat kufitare nga autoritetet serbe, në disa raste edhe keqtrajtohen e mbahen në paraburgim./RTK

Problemet e Kosovës B shkaktojnë çekuilibra, KOSTT nën presion evropian

7 February 2026 at 19:55


Rrjeti Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë Elektrike, ENTSO-e, nuk përjashtoi mundësinë e ndëshkimeve financiare ndaj KOSTT-it, si pasojë e devijimeve që rezultuan me jo-balanca apo çekuilibrime në zonën e sinkronizuar të Evropës Kontinentale, muajin e kaluar.

Referuar Marrëveshjes së Kyçjes, në një përgjigje për televizionin Dukagjini në pyetjet e dërguara më 15 Janar, këtë e konfirmoi vetë ENSTO-e.

“Aktualisht, OST-të e Evropës Kontinentale kanë një marrëveshje me KOSTT-in (“Marrëveshja e Kyçjes) që synon të sigurojë funksionimin e sigurt të sistemit energjetik të Kosovës*, duke ruajtur sigurinë në Zonën e Sinkronizuar të Evropës Kontinentale. Në këtë frymë, bazuar në Marrëveshje, KOSTT-i ka detyrimin të balancojë në mënyrë efektive sistemin e tij. Në rast të mosrespektimit të këtij detyrimi, Palët në Marrëveshje kanë në dispozicion një sërë masash, përfshirë vendosjen e ndëshkimit financiar, e cila mund të zbatohet në varësi të natyrës dhe nivelit të shkeljes së detyrimeve nga KOSTT. Në këtë pikë, Operatorët e Sistemit të Transmisionit të Grupit Rajonal të Evropës Kontinentale po e monitorojnë nga afër situatën dhe po vlerësojnë vazhdimisht nevojën për miratimin e masave të disponueshme, kur është e nevojshme”, thuhet në reagimin e ENTSO-E.

Në përgjigje, ENTSO-e shpjegoi se rënia e bllokut B1 të Termocentralit “Kosova B” u kishte shkaktuar probleme Operatorëve të Sistemit të Transmisionit apo OST-ve në rrjetin evropian.

“Në dritën e kësaj, më 12 janar 2026, një nga njësitë e gjenerimit të energjisë (e quajtur TC Kosova B1) në perimetrin e KOSTT doli jashtë funksionit, duke rezultuar në mungesë të prodhimit. Si rezultat, të nesërmen, KOSTT-i nuk ishte në gjendje të ruante ekuilibrin brenda rrjetit të tij, duke shkaktuar çekuilibrim të energjisë në sistem, gjë që ndikoi negativisht në interkonjeksionin e OST-ve evropiane, duke i detyruar ato të rikuperonin këto devijime”, vijon reagimi.

Deri në kthimin në prodhim të bllokut B1, më 14 Janar, për të shmangur pasojat eventuale nga devijimet e mëtejme KOSTT-i aplikoi regjim të reduktimeve në furnizimin e qytetarëve me energji elektrike.

Problemi i devijimeve dhe çekuilibrimit u përsërit edhe më 20 Janar për shkak se KESCO-ja kishte nominuar 26% më pak energji sesa kërkesa reale për konsum – duke bërë që KOSTT-i të aplikojë sërish reduktime.

Megjithëkëtë, deri tani nuk ka ndonjë njoftim zyrtar për ndëshkim ndaj KOSTT-it./TV Dukagjini/

- YouTube youtu.be

A do ta njohë Greqia Kosovën? Gazetari nga Athina: Një çështje historike dhe diplomatike e ndërlikuar

7 February 2026 at 19:37


Gazetari shqiptar në Athinë, Etmond Guri, ka folur rreth qëndrimit të Greqisë ndaj njohjes së pavarësisë së Kosovës, duke thënë se një hap i tillë është shumë i vështirë dhe pothuajse i pamundur në rrethana aktuale.

Sipas tij, një nga arsyet kryesore mbetet çështja e Qipros.

“Është padyshim Qipro. Fakti që është një shtet i ndarë mes pjesës europiane dhe asaj të pushtuar nga Turqia e vendos Greqinë në një pozitë shumë delikate. Njohja e Kosovës do të krijonte një sfidë të madhe politike, diplomatike dhe historike për Athinën”, tha Guri në emisionin “Balkan Talks” me gazetarin Franko Egro.

Ai përmendi gjithashtu edhe zhvillime të fundit ndërkombëtare, duke theksuar se shumë liderë botërorë janë rreshtuar hapur në krah të Shteteve të Bashkuara pas operacionit të fundit kundër Nicolas Maduros.

Guri kujtoi edhe deklaratat e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis, të cilat kanë shkaktuar reagime të brendshme dhe kanë ndezur debat diplomatik. “Deklarata e tij u interpretua sikur Greqia po legjitimonte veprimet e Turqisë në Qipro në vitet ’70. Kjo krijoi shqetësim të madh, aq sa u deshën sqarime të menjëhershme nga figura të rëndësishme greke”, u shpreh ai.

Në kontekstin e marrëdhënieve me Kosovën, Guri theksoi se presioni ndërkombëtar dhe interesat ekonomike mund të krijojnë një format të ri bashkëpunimi, por jo domosdoshmërisht njohje të plotë.

“Njohja e Kosovës nga Greqia mbetet shumë e vështirë, nëse jo e pamundur. Çdo hap i tillë do të kishte ndikim të madh në gjithë balancat politike të Ballkanit”, përfundoi ai./Euronews Albania

- YouTube youtu.be

Prindërit në Shqipëri rikthejnë emrat shqiptarë për fëmijët! Ja cilët kryesojnë

7 February 2026 at 19:19


Prindërit e rinj gjithnjë e më shumë po zgjedhin emra shqiptarë për fëmijët e tyre, duke u rikthyer tek rrënjët, teksa për dekada me radhë ishin emrat e huaj ata që mbizotëronin. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, Edua tek vajzat dhe Kren tek djemtë janë dy emrat shqiptarë më të përhapur.

Janë një sërë emrash të tjerë, kryesisht me kuptime të ndryshme në gjuhën shqipe, që po gjejnë përdorim të gjerë.

“Sidomos emra nga gegnishtja sepse tingëllojnë më bukur. Ndërsa emrat më modernë, por që janë shqiptarë: Edua, Ajër. Më parë e vendosnin Ajra sipas italishtes, tani preferojnë Ajër, emër shqiptar. Bora që simbolizon bardhësinë. Për meshkujt, më shumë janë emrat e lumenjve. Vazhdojnë të vendosin Drin, është shumë i përhapur. Ndërsa pjesa e veriut vendos emra si Flamur, Dren, Kroi. Trendi është edhe bashkimi i dy emrave: Sihana, Sidrita, Siar. Bashkojnë emrin me një lidhëse”, thotë Dolores Rrapollari, Specialiste pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile.

Sociologët e cilësojnë këtë fenomen të ri si rikthim tek identiteti, pas dëshirës për emra të huaj, shpesh pa ia ditur kuptimin, që ka mbizotëruar që pas viteve ’90.

“Ka ardhur koha të vinte dhe si duket ka filluar. Brezi i ri, ndoshta i tejngopur pak vetë nga këto emrat e huaj, po kërkon vetveten. Nëse prindërit e këtyre prindërve të rinj u kanë vendosur emra të huaj, kjo vinte pas një izolimi dhe mbylljeje, nga dëshira për integrim dhe përshtatje. Dëshira për modernitet ka qenë dëshira për Perëndimin. Një rol kanë luajtur edhe filmat në periudha të ndryshme”, thotë sociologia Entela Binjaku.

Pavarësisht ndryshimit të preferencave, në zyrat e gjendjes civile ekziston ende një listë me emrat e ndaluar.

“Varreze, Govate, Groshë, Mbarime… sepse kur lindnin shumë vajza, të mbaronin”, thotë specialistja Rrapollari.

Me ndryshimin e legjislacionit në Shqipëri është i ndaluar ndërrimi i emrit./ Tv Klan


U vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj katër të dyshuarve për dyshimet për zhvatjen e mbi 1 milionë euro ndaj BSK-së

7 February 2026 at 19:02


Gjykata ia ka vazhduar paraburgimint 4 të dyshuarve në rastin e keqpërdorimeve në Byronë Kosovare të Sigurimeve.

Për të dyshuarit, Sami Mazreku, Valon Berisha, Florent Sylejmani dhe Ylli Çollaku, gjykata ka vlerësuar se ende ekzistojnë arsyet ligjore për vazhdimin e paraburgimit, duke u bazuar në rrezikun e pengimit të procedurës penale dhe rrethana të tjera të parashikuara me Kodin e Procedurës Penale, ia ka vazhduar paraburgimin edhe për dy muaj tjerë.

Ata po dyshohen se janë të përfshirë në keqpërdorimin e 1 milion euro nga BSK.

Përveç paraburgimit, gjykata ka vendosur edhe masa alternative si obligimin për paraqitje të rregullt në stacion policor dhe ndalimin për t’iu afruar vendit apo personave të caktuar, me qëllim të parandalimit të ndikimit në procesin gjyqësor.

Në aktvendim e publikuar më 06.02.2026, thuhet se këto masa janë të domosdoshme dhe proporcionale për sigurimin e mbarëvajtjes së procedurës penale, derisa çështja të marrë epilog gjyqësor.

“Kundër këtij aktvendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në afat prej 48 orëve, përmes kësaj gjykate, Gjykatës së Apelit të Kosovës, në Prishtinë”- thueht në aktvendimin e gjykatës.

Më 09.1.2026, është mbajtur seanca dëgjimore në rastin e 39 të arrestuarve nën dyshimin për ‘zhvatjen’ e mbi 1 milion eurove të Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BSK) në Gjykatën e Prizrenit.

Për katër të dyshuar u kërkua masa e paraburgimit e për të tjerët masa e paraqitjes në stacion policor si dhe mosafrimi te objekti i BKS-së.

Ndryshe, informacione për keqpërdorime, mijëra euro të cilat qarkullonin nëpër xhirollogari bankare të qytetarëve të Kosovës, si kompensim për aksidente trafiku edhe në raste kur nuk kishte fare aksidente, ishin cak i një hetimi disamujor të cilin e kreu Prokuroria Themelore e Prizrenit gjatë ditës së djeshme, më 08.01.2026.

45 persona të identifikuar si të dyshuar, nga ta 39 janë arrestuar e shtatë të tjerë janë në kërkim – ky është bilanci i aksionit i cili u realizua më 08.01.2026 në disa regjione të Kosovës.

Dosja e BSK tashmë do të vazhdojë edhe tutje të trajtohet, ndërsa Prokuroria e Prizrenit ka ngrirë xhirollogaritë e të dyshuarve të cilët pretendohet se përfituan kundërligjshëm kompensime nga BKS, këtë siç thot Prokuroria e mundësuan Mazreku e Berisha.

Dëmi i përgjithshëm që i është shkaktuar Byrosë së Sigurimeve konsiderohet të jetë mbi 1 milion e 40 mijë euro./Kallxo.com

Punëtori humb jetën pasi ra nga një objekt në rrugën Ferizaj–Prishtinë

7 February 2026 at 18:27


Një person ka ndërruar jetë këtë pasdite si pasojë e rënies nga një objekt gjatë kohës sa ishte duke punuar.

Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka konfirmuar për Telegrafin se rasti ka ndodhur rreth orës 15:00.

“Sipas informatave të para, viktima mashkull, 43 vjeç, nuk ka arritur t’i përballojë plagët e marra dhe ka ndërruar jetë. Vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje”, deklaroi Ahmeti.

Ajo shtoi se policia, në koordinim me prokurorinë dhe Inspektoratin e Punës, ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e incidentit./Telegrafi/

Hapet qendra e urgjencës në Bogë

7 February 2026 at 18:18


Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Pejë ka njoftuar se nesër do të hapet zyrtarisht Qendra e Urgjencës në Bogë, e cila do t’u ofrojë shërbime shëndetësore urgjente dhe të mjekësisë familjare banorëve dhe vizitorëve të të gjitha fshatrave të Rugovës.

Kjo qendër e re pritet të përmirësojë ndjeshëm qasjen në shërbime mjekësore, duke mundësuar intervenim më të shpejtë, kujdes profesional dhe siguri më të lartë për komunitetin lokal, veçanërisht gjatë sezonit turistik.

Sipas njoftimit, Qendra e Urgjencës 194 do të jetë funksionale 7 ditë të javës, nga ora 08:00 deri në 18:00, duke siguruar mbulim të vazhdueshëm shëndetësor në zonën malore të Rugovës.


Pretendime pa prova nga Serbia, aludojnë për “sulm shqiptarësh” ndaj policisë serbe, pa asnjë konfirmim zyrtar

7 February 2026 at 17:59


Propaganda e Beogradit s'ka të ndalur. Me motive etnike e propagandë politike regjimi serb pa prova synon të paraqes shqiptarët si autorë të sulmeve ndaj policisë serbe.

Mediumi serb Blic të enjten e 6 shkurtit ka raportuar se dy ditë më parë një grup shqiptarësh ka qëlluar mbi policinë serbe me më shumë se 100 plumba në një fshatë të Kurshumlisë.

Sipas medimit serb, pas sulmit në fshatin Parada, sulmuesit janë larguar në drejtim të Kosovës.

Ngjarja sipas këtij mediumi kishte ndodhur kur forcat policore serbe gjetën drunjë që kishin bllokuar rrugën ku edhe u përballën me zjarr të hapur nga sulmuesit në mënyrë të papritur.

Lidhur me këtë pretendim si sulm ndaj personelit zyrtar serb nuk ka asnjë konfirmim nga autoritetet.

Dukagjini ka dërguar pyetje për këtë pretendim te Policia e Kosovës dhe te forcat e KFOR-it se a kanë ndonjë informacion lidhur me këtë apo edhe kalime ilegale të kufirit, por deri në publikimin e këtij lajmi nuk ka marrë asnjë përgjigje zyrtare.

Nuk është hera e parë që mediat e dirixhuara nga Beogradi, propagandojnë në raport me Republikën e Kosovës dhe shqiptarët./Tv Dukagjini/

80 xhandarë për të kapur 8 shqiptarë! Droga porositej online dhe transportohej me “Uber” nëpër Francë

7 February 2026 at 17:37


Autoritetet franceze kanë çmontuar një rrjet të organizuar trafiku droge të drejtuar nga shtetas shqiptarë në rajonin Pays de Gex, pranë kufirit me Zvicrën.

Siç raportojnë mediat franceze, operacioni u zhvillua në fillim të shkurtit dhe përfshiu më shumë se 80 xhandarë dhe u finalizua me arrestimin e tetë të rinjve, të moshës 22 deri në 32 vjeç, të gjithë shqiptarë, të cilët u vendosën në paraburgim të përkohshëm.

Prokurorja Karine Malara, thotë se grupi i të rinjve përdorin një model transporti të tipit “Uber”, që konsistonte në kryerjen e dërgesave shtatë ditë në javë të drogës (kokainë dhe heroinë) së porositur “përmes rrjeteve sociale”, nga një “rrjet shumë i organizuar” brenda “komunitetit shqiptar”. Për të fshehur lëvizjet e tyre të përditshme, grupi përdorte “shumë automjete të cilat ndërroheshin vazhdimisht”, shkruan Le Parisien.

Hetimet kishin nisur në fund të vitit 2025, pasi xhandarmëria zbuloi një strukturë të organizuar magazinimi dhe transporti droge. Më 4 shkurt, forcat e rendit ndërhynë njëkohësisht në disa lokacione, duke angazhuar njësi speciale ndërhyrjeje, ekipe me qen nuhatës dhe dhjetëra hetues.

Gjatë kontrolleve u sekuestruan rreth 3.8 kilogramë heroinë, mbi 3 kilogramë kokainë, 46 kilogramë substanca për përzierje të drogës, 12 automjete, dy armë zjarri, si dhe shuma të konsiderueshme parash në euro dhe franga zvicerane. Autoritetet vlerësojnë se fitimi i përgjithshëm nga aktiviteti kriminal arrinte në rreth 1 milion euro.

Tetë persona, të moshës 22 deri në 32 vjeç, të gjithë shtetas shqiptarë, u arrestuan dhe u vendosën në paraburgim. Ata janë vënë nën akuzë për transport, posedim dhe shitje të lëndëve narkotike, si edhe për mbajtje të paligjshme të armëve. Sipas autoriteteve franceze, të dyshuarit nuk kishin precedentë penalë të njohur më parë në Francë.

Hetimet vijojnë për të zbuluar lidhje të mundshme të rrjetit përtej kufirit francez, veçanërisht drejt Zvicrës./Tv Klan

Shqipëria, mbi mesataren e BE për energjinë e pastër

7 February 2026 at 17:33


Shqipëria renditet mbi mesataren europiane për përdorimin e energjisë së rinovueshme. Sipas të dhënave të Eurostat, 43.1% e energjisë totale të konsumuar në vend vjen nga burime të pastra, ndërsa mesatarja e Bashkimit Europian është 25.2%.

Në krye të renditjes në Bashkimin Europian qëndrojnë vendet nordike. Suedia kryeson me 66%, e ndjekur nga Finlanda me 47%, Letonia me 45%, Danimarka me 44% dhe Estonia me 43% energji nga burime të rinovueshme në total.

Në fund të listës janë disa shtete të Europës Perëndimore. Irlanda renditet e fundit me 13%, e ndjekur nga Malta me 14%, Belgjika me 14.5%, Luksemburgu me 15% dhe Holanda me 16%.

Kur flasim vetëm për energjinë elektrike, panorama ndryshon. Në Bashkimin Europian, 47.5% e energjisë elektrike prodhohet nga burime të rinovueshme, ndërsa vende si Austria dhe Suedia afrohen ose kalojnë 90%, duke u mbështetur te uji dhe era.

Objektivi i Bashkimit Europian është ambicioz. Deri në vitin 2030, BE synon që 42.5% e energjisë totale të vijë nga burime të rinovueshme, një sfidë që kërkon investime të mëdha, sidomos në transport dhe ngrohje.

Të dhënat tregojnë se ndërsa Europa po ecën drejt energjisë së pastër, ritmet mbeten të ndryshme. Shqipëria përfiton nga burimet natyrore, por sfida e radhës është diversifikimi dhe ulja e varësisë nga karburantet fosile./Tv Klan

Kompleksi “Adem Jashari”: Kujtesa kolektive që pret restaurimin

7 February 2026 at 17:00


Shenjat e plumbave dhe mure të çara nga artileria e deri te mjetet e punës e transportit, kanë mbetur të ngrira në kohë në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz të Skenderajt.

Ky kompleks përkujton ngjarjet e 5, 6 dhe 7 marsit të vitit 1998, kur forcat serbe vranë 59 persona, ndër ta anëtarë të familjes së ngushtë të Adem Jasharit, përfshirë gra dhe fëmijë.

Tash e afër 30 vjet në vazhdimësi janë bërë premtime dhe plane për restaurimin dhe konservimin e këtij kompleksi.

I fundit dhe më konkreti u prezantua në fund të vitit 2024, si një masterplan për renovimin e tërësishëm të kompleksit, për të cilin nuk dihet se kur do të përfundojë tërësisht.

Një traktor i familjes Jashari ka mbetur në mes të njërës nga shtëpive ku ata u vranë dhe skelave mbrojtëse që i janë vendosur shtëpisë pak kohë pas ngjarjes të vitit 1998.Një traktor i familjes Jashari ka mbetur në mes të njërës nga shtëpive ku ata u vranë dhe skelave mbrojtëse që i janë vendosur shtëpisë pak kohë pas ngjarjes të vitit 1998.Skelat dhe streha mbrojtëse të metalta ishin paraparë të jenë zgjidhje e përkohshme për ruajtjen e shtëpive deri në restaurimin e plotë, por ato kanë mbetur të vendosura edhe sot e kësaj dite.Skelat dhe streha mbrojtëse të metalta ishin paraparë të jenë zgjidhje e përkohshme për ruajtjen e shtëpive deri në restaurimin e plotë, por ato kanë mbetur të vendosura edhe sot e kësaj dite.Nëpër kompleks shihen ende rrënoja të strukturave të shkatërruara në atë kohë. Nëpër kompleks shihen ende rrënoja të strukturave të shkatërruara në atë kohë.Adem Jashari ishte një ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që i rezistoi regjimit serb në Kosovë.Adem Jashari ishte një ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që i rezistoi regjimit serb në Kosovë.Familja Jashari u përball me disa ofensiva para marsit të vitit 1998. Ndërsa, në sulmin e fundit, familja ishte e rrethuar për tre ditë rresht. Mbijetoi vetëm Besarta Jashari.Familja Jashari u përball me disa ofensiva para marsit të vitit 1998. Ndërsa, në sulmin e fundit, familja ishte e rrethuar për tre ditë rresht. Mbijetoi vetëm Besarta Jashari.Brenda kompleksit janë rregulluar varrezat e 59 të vrarëve. Aty qëndrojnë vazhdimisht ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).Brenda kompleksit janë rregulluar varrezat e 59 të vrarëve. Aty qëndrojnë vazhdimisht ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).Shenjat e djegies po ashtu janë të dukshme nëpër trarët e njërës nga shtëpitë.Shenjat e djegies po ashtu janë të dukshme nëpër trarët e njërës nga shtëpitë.Aktualisht në kompleks gjendet edhe një mini-muze që ka ekspozuar gjësendet e familjes si dhe një ciceron.Aktualisht në kompleks gjendet edhe një mini-muze që ka ekspozuar gjësendet e familjes si dhe një ciceron.Gjurmët e plumbave dhe artilerive shihen kudo nëpër muret e shtëpive.Gjurmët e plumbave dhe artilerive shihen kudo nëpër muret e shtëpive.Sot, Adem Jashari dhe familja e tij janë nderuar me titullin “Hero i Kosovës”. Çdo vit, më 5, 6 dhe 7 mars, Kosova përkujton Epopenë e Jasharëve.Sot, Adem Jashari dhe familja e tij janë nderuar me titullin “Hero i Kosovës”. Çdo vit, më 5, 6 dhe 7 mars, Kosova përkujton Epopenë e Jasharëve.Statuja e Adem Jasharit, e cila po ashtu ka filluar të dëmtohet nga koha, është e vendosur përpara shtëpisë ku ai u vra.Statuja e Adem Jasharit, e cila po ashtu ka filluar të dëmtohet nga koha, është e vendosur përpara shtëpisë ku ai u vra.

/Radio Evropa e Lirë/

MAPL: Ndryshimi i logove të komunave në E-Komunat është çështje teknike, jo politike

7 February 2026 at 16:43


Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka sqaruar se paraqitja e logove të komunave në platformën digjitale E-Komunat është çështje teknike dhe administrative, që nuk lidhet me ndryshime politike apo institucionale.

Reagimi i MAPL-së vjen pasi komunat veriore ndryshuan logot e tyre në të tilla me motive serbe.

Sipas MAPL-së, gjatë fazës së parë të funksionalizimit të platformës në vitin 2023, të gjitha komunat e Republikës së Kosovës janë paraqitur me logot zyrtare që kanë qenë në fuqi në atë kohë, përfshirë edhe komunat Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Ministria bën të ditur se këto katër komuna kanë miratuar logo të reja gjatë vitit 2025, dhe për këtë arsye është duke u zhvilluar procesi i përditësimit të tyre në platformë, në koordinim me Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit (ASHI).

“Për qëllim sqarimi, njoftojmë publikun se të gjitha logot zyrtare të komunave do të përditësohen dhe pasqyrohen në profilet përkatëse të secilës komunë, në përputhje me vendimet zyrtare dhe standardet institucionale” deklaron MAPL-ja.

​Odës së Inxhinierëve i dështon kuvendi për shkak të kuorumit

7 February 2026 at 16:15


Oda e Inxhinierëve të Kosovës nuk ka mundur ta mbaj kuvendin e rregullt të saj për shkak të mungesës së kuorumit.

Kryetari i Odës së Inxhinierëve të Republikës së Kosovës, Arsim Rapuca, njoftoi se forumi nuk mund të vazhdojë për shkak të mosplotësimit të numrit të nevojshëm të anëtarëve sipas kërkesave ligjore.

“Kuvendi ka kuorum kur në mbledhje marrin pjesë më shumë se gjysma e anëtarëve, kjo do të thotë që sipas ligjit të urdhrave neni 12 paragrafi 1 Për me pas kuorum me vazhdu punimin duhet ti kemi në sallë 427 anëtarë, në bazë të numrit të identifikimit nga administrata del që ne kemi 348 anëtarë, nuk kemi kuorum për vazhdim, ne nuk mundemi me vazhdu, në bazë të ligjit do të shohim mënyrën e organizimit herën tjetër, ose pas një kohe do ju thërrasim edhe një herë. Këtu kush e ka marrë ligjin që të gjithë anëtarët e licensum me qenë pjesë e kuvendit, do të shohim të punojmë me një mënyrë që ta ndryshojmë ligjin”, theksoi Rapuca.

Përndryshe, në këtë kuvendi ishte paraparë të prezantohet raporti vjetor, si dhe të diskutohet për zbatimin e planit vjetor të punës, ngritjen e kapaciteteve institucionale të odës, licencimin dhe rregullimin e profesionit në fushën e ndërtimit, digjitalizimin e shërbimeve dhe bashkëpunimet ndërinstitucionale dhe përgatitjen e akteve të brendshme.

Vendimtare në krizën politike, por Kushtetuesja përballet me mungesë gjyqtarësh

6 February 2026 at 23:27


Mbi 1 vit kohë do kenë në dispozicion deputetët e legjislaturës së dhjetë, për përzgjedhen e 5 gjyqtarëve të Kushtetueses, meqë u skadon mandati vitin e ardhshëm. Por, fillimisht duhet zgjedhur dy anëtarët që nuk i zgjodhën ndër vite. Procedurat duhet nisur më së paku 3 muaj para se tu skadojë mandati, për të mos e bllokuar vendimmarrjen në Kushtetuese.

Vendimet e saj ishin përcaktuese në daljen nga kriza e pafundme politike të vitit të kaluar.

Gjykata Kushtetuese, si autoriteti më i lartë për interpretimin e Kushtetutës dhe përputhshmerisë së ligjeve me të, aktualisht ka 7 gjyqtarë që marrin vendime.

Por 5 prej kanë mandat vetëm deri në muajin gusht të vitit të ardhshëm.

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Nexhmi Rexhepi, zëvendësi i tij Safet Hoxha dhe gjyqtarët Bajram Ljatifi, Radomir Laban e Remzije Istrefi Peci, janë dekretuar më 9 gusht 2018 dhe mandati i tyre është 9 vjecar.

Ndërkohë që Enver Peci si gjyqtar i kësaj gjykate kishte ardhur në dhjetor të 2022 e Jeton Bytyqi gjatë 2024.

Në një përgjigje të Gjykatës Kushtetuese, ku edhe janë ofruar këto të dhëna thuhet se nëse Kuvendi dështon të zgjedhë gjyqtarët e rinj, Gjykata nuk do të ketë mundësi të marrë vendime.

“Në rast të dështimit të zgjedhjes së gjyqtarëve kushtetues nga Kuvendi i Kosovës sipas afateve të parashikuara, Gjykata mund të humb kuorumin për vendimmarrje në gusht të vitit 2027, kur edhe skadon mandati i (5) pesë gjyqtarëve aktualisht në detyrë”, thuhet nga Gjykata Kushtetuese.

Sipas ligjit për Gjykatën Kushtetuese, procedura për emërimin e gjyqtarit të ri, fillon të paktën tre (3) muaj para përfundimit të mandatit të rregullt të gjyqtarit paraprak, por kryetari i Kushtetueses duhet të e njoftoj Kuvendin gjashtë muaj para përfundimit të mandatit të gjyqtarit.

Por, në Institutin e Kosovës për Drejtësi thonë se Kuvendi fillimisht duhet të zgjedhë 2 gjyqtarët që nuk arritën të zgjidhen vite më parë e pastaj të nisin procedurat për të tjerët.

“Gjykata Kushtetuese aktualisht është në mungesë të dy gjytqarëve të zgjedhur dhe për këtë arsye ndër veprimet e para të Kuvendit të Kosovës është zgjedhja e dy gjyqtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese dhe që procesi në rastin konkret bazuar në Kushtetutën dhe ligjin për gjykatën Kushtetuese duhet të jetë një proces i drejtë dhe të mos vijnë persona që janë politikisht të përfshirë dhe që janë profesionist”, u shpreh hulumtues i IKD-së, Gëzim Shala.

Gjyqtarët e Kushtetueses, shpesh kanë qenë cak i kritikave nga ana e partisë në pushtet, për shkak të rrëzimit të ligjeve, duke i shpallur të kundërligjshme.

Kushtetuesja, përbëhet nga 9 anëtarë, por 2 nga ta ende nuk kanë arritur të zgjidhen, meqë nuk morën votat e mjaftueshme të deputetëve kur u hodhën në votim në Kuvend./Tv Dukagjini

- YouTube youtu.be

Apeli lë në paraburgim 8 të dyshuar për manipulim me vota në Prizren

6 February 2026 at 23:02


Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesat e mbrojtjes dhe ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prizren, me të cilin është caktuar masa e paraburgimit ndaj B.B., A.A., A.K., Gj.Sh., L.K., B.Xh., E.G., I.P., nën dyshimin për manipulim me vota në Prizren.

Sipas vendimit të 3 shkurtit 2026, janë refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtjes së tetë të dyshuarve, ndërkaq është vërtetuar aktvendimi i Themelores, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Kundër aktvendimit të Themelores, ankesë kishte parashtruar mbrojtësi i I.P., avokati Refki Piraj, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, duke propozuar që mbrojtësit të tij t’i caktohet arrest shtëpiak.

Kurse, mbrojtësi i të pandehurit B.Gj., avokati Hasan Biraj, ka ushtruar ankesë për shkak të vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, duke kërkuar që rasti të kthehet në rivendosje.

Avokati i E.G., Naim Cahanaj ka ushtruar ankesë për shkak të shkeljeve thelbësore të dispozitave të procedurës penale, për arsye të vlerësimit të gabuar ose jo të plotë të gjendjes faktike, mbi të cilat është nxjerrë aktvendimi i Themelores. Ka propozuar t’i caktohet ndonjë masë më e butë të mbrojturit të tij apo rasti të kthehet në rivendosje.

Mbrojtësi i Gj.Sh., avokati Arben Ramadani ka ushtruar ankesë me propozimin që të mbrojturit të tij t’i ndërpritet paraburgimi dhe t’i caktohet masa e paraqitjes në stacion policor.

Mbrojtësi i L.K., avokati Fatmir Jelliqi ka ushtruar ankesë për shkak të shkeljes së dispozitave të Kodit të Procedudrës Penale, duke propozuar që të mbrojturit të tij t’i caktohet arresti shtëpiak.

Mbrojtësi i A.K., avokati Klodian Krasniqi ka parashtuar ankesë për shkak të mos-ekzistimit të kushtit ligjor nga neni 184 i KPPK-së, duke propozuar që të mbrojturit të tij t’i caktohet arresti shtëpiak ose masa e ndalimit të afrimit vendit apo personave të caktuar.

Edhe mbrojtësi i A.H., avokati Anton Çuperjani ka parashtruar ankesë për të gjitha bazat për ankimim, duke propozua që A.H., t’i shqiptohet arrest shtëpiak amo masa e ndalimi të afrimit vendit apo personave të caktuar.

Po ashtu, ankesë kishte parashtruar mbrojtësja e B.B., avokatja Fatbardha Elezkurtaj, për shkak të shkeljes së dispozitave të KPPK-së dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike. Kishte kërkuar që t’i ndërpritet paraburgimi të mbrojturit të saj dhe t’i caktohet një masë më e butë.

Kurse, Prokuroria e Apelit me parashtresë ka propozuar që ankesat e mbrojtjes të refuzohen si të pabazuara dhe të vërtetohet aktvendimi i Themelores.

Sipas Apelit, mbrojtësi i I.P., avokati Refki Piraj, me ankesë ka thënë se masa e paraburgimit në raport me veprën penale është tejet e rëndë, andaj ka kërkuar t’i zëvendësohet me një masë tjetër, duke thënë se hetimet mund të kryhen edhe me masën e arrestit shtëpiak. Edhe mbrojtësi i B.Xh., avokati Hasan Biraj përmes ankesës ka kërkuar që të mbrojturit të tij t’i caktohet ndonjë masë alternative.

Mbrojtësi i E.G., avokati N.C., në vendim thuhet se ka pretenduar në ankesë se dyshimi i bazuar nuk mund të mbështetet vetëm në supozime dhe interpretime, por të jetë konkret, i individualizuar dhe i mbështetur në prova të forta materiale.

Më tej, thuhet se mbrojtësi i Gj.Sh., avokati Arben Ramadani ka pretenduar në ankesë se klienti i tij nuk e ka pasur pozitën e kryesuesit por vetëm të anëtarit. E mbrojtësi i L.K., avokati Fatmir Jelliqi me ankesë ka kërkuar po ashtu që t’i ndryshohet masa të mbrojturit të tij dhe t’i caktohet një masë më e butë, pasi ka vlerësuar se masa e paraburgimit është masë tejet rigoroze.

Kurse, mbrojtësi i A.K., avokati Klodian Krasniqi, ka thënë se i mbrojturi i tij është i moshës së re, është hera e parë që po dyshohet për vepër penale, duke propozuar kështu caktimin e një mase alternative. E mbrojtësi i A.H., avokati Anton Çuperjani, ka theksuar në ankesë se pretendimet mbi të cilat është mbështetur vendimi për caktimin e paraburgimit, mund të trajtohen vetëm gjatë shqiptimit të dënimit. Ai ka thënë se gjykata nuk ka marrë parsysh moshën e klientit të tij dhe nuk ka asnjë precedent penal.

Ndërkaq, mbrojtësja e B.B., avokatja Fatbardha Elezkurtaj ka pretendua në ankesë që nuk janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit ndaj të mbrojturit të saj.

Specialja: Interesim i lartë për seancat përmbyllëse në rastin Thaçi dhe të tjerët

6 February 2026 at 22:35


Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë bërë të ditur se kanë përfunduar procesin e dërgimit të konfirmimeve për të gjithë personat që do të ndjekin nga afër seancat e deklaratave përmbyllëse në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Sipas njoftimit, konfirmimet janë dërguar për të gjithë ata që do të jenë të pranishëm në objektin e DHSK-së gjatë seancave përmbyllëse, të cilat janë planifikuar të mbahen nga 9 deri më 13 shkurt teksa theksohet se janë bërë përpjekje që të plotësojnë sa më shumë kërkesa për pjesëmarrje në galerinë për publikun, por për shkak të interesimit të madh, numri i vendeve ka qenë i kufizuar.

DHSK sqaron se personat që nuk kanë marrë një email konfirmues nuk kanë mundur të akomodohen për mungesë të vendeve të lira.

Po ashtu, nga Dhomat e Specializuara rikujtohet se seancat mund të ndiqen edhe online nga publiku i gjerë, përmes transmetimit në faqen zyrtare të institucionit, në tri gjuhët zyrtare të gjykatës – shqip, anglisht dhe serbisht – me një vonesë prej 45 minutash.

“Të gjitha konfirmimet i janë dërguar personave që do të ndjekin seancën e deklaratave përmbyllëse në objektin e DHSK-së në gjykimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, që është caktuar të mbahet më 9-13 shkurt. Jemi përpjekur që t’i përgjigjemi të gjitha kërkesave për t’u ulur në galerinë për publikun sa më shumë që ishte e mundshme, megjithatë, interesimi për të ndjekur seancat ishte i lartë, dhe prandaj vendet në galerinë për publikun ishin të kufizuara, që do të thotë se nuk kishte vende në dispozicion për të gjithë ata që kishin bërë kërkesë".

"Në qoftë se nuk keni marrë email konfirmues, atëherë fatkeqësisht nuk kishte vende të mjaftueshme për t’iu përgjigjur pozitivisht kërkesës suaj. Ju kujtojmë se seancat gjithashtu mund të përcillen nga çdokush në internet në të tri gjuhët e gjykatës, shqipe, anglishte dhe serbishte, përmes transmetimit në faqen e internetit të DHSK-së, me 45 minuta vonesë”, thuhet në njoftim.

“Kosova vijë e kuqe për Serbinë”, Gjenerali: SHBA e ka mbyllur mundësinë e një konflikti të ri

6 February 2026 at 22:19


Gjenerali Ded Prenga komentoi zhvillimet e fundit në rajon dhe rolin e administratës amerikane në stabilitetin e Ballkanit.

Ai vlerësoi se tani është siguruar stabiliteti pasi sipas tij administrata amerikane ka vendosur kufij të qartë për Beogradin dhe ka shmangur çdo mundësi për hapjen e një konflikti të ri në rajon edhe pse provokimet e vogla mbeten të mundshme.

“Unë e shoh që ky realitet e ka detyruar administratën e Trumpit të nxjerrë një deklaratë të tillë, ku është përcaktuar me pika sesi duhet të lëvizë Serbia. Është garantuar që konfliktet dhe hapja e një fronti të ri lufte janë të mbyllura. Deklarata e administratës amerikane ka shërbyer si një alarm për Beogradin, duke detyruar qeverinë serbe të ndjekë një vijë të qartë politike dhe të shmangë çdo provokim që mund të destabilizojë rajonin”, tha ai në Euronews Albania.

Prenga nënvizoi gjithashtu rëndësinë e njohjes reciproke mes Serbisë dhe Kosovës, duke theksuar se procesi politik dhe opinioni publik në Serbi nuk janë ende të gatshëm për të pranuar plotësisht këtë realitet. Gjenerali theksoi se situata e tensionuar në Ballkan kërkon një qasje të kujdesshme dhe se veprimet e Beogradit janë nën vëzhgim të vazhdueshëm nga administrata amerikane dhe komuniteti ndërkombëtar.

“Çështja e njohjeve reciproke nuk është ende e përgatitur në aspektin politik dhe nga opinioni publik në Serbi. Ekzistojnë rryma të ashpra dhe reagime që e bëjnë të vështirë pranimin e shpejtë, por jam i bindur se momenti i pranimit do të vijë,” shtoi ai.

- YouTube youtu.be

Kushtetuesja rrëzon ankimin e qeverisë për Ballukun, rikthehet masa e pezullimit

6 February 2026 at 22:02


Pas rreth 2 muajve e gjysmë, Gjykata Kushtetuese u shpreh sot, 6 shkurt, pas kërkesës së paraqitur nga qeveria lidhur me vendimin e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), e cila në muajin nëntor 2025 vendosi pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut, në cilësinë e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Pas mbledhjes që nisi që prej orës 11:00, është vendosur që të rrëzohet ankimimi i qeverisë, pasi gjyqtarët kanë votuar 4 pro dhe 4 kundër. Kështu, mbetet në fuqi masa e pezullimit nga detyra të Belinda Ballukut.

Kushtetuesja vlerësoi njëzëri se edhe ministrat i nënshtrohen ligjit dhe duhet të mbajnë përgjegjësi ligjore.

Kujtojmë se vendimi i GJKKO-së për pezullimin e Ballukut u mor me kërkesë të SPAK, pasi ajo u mor zyrtarisht e pandehur për dyshime mbi shkelje ligjore në procedurat e tenderimit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë.

Kryeministri Edi Rama reagoi menjëherë ndaj këtij vendimi, duke e konsideruar atë si një tejkalim të kompetencave dhe ndërhyrje në pushtetin ekzekutiv./Tv Klan

Sportistët shqiptarë në Lojërat Olimpike, Begaj: Moment krenarie për Shqipërinë

6 February 2026 at 21:57


Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka marrë pjesë në ceremonitë zyrtare të hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore 2026, ku është pritur me mikpritje nga Presidenti i Republikës Italiane, Sergio Mattarella.

Begaj ka theksuar se ky është një moment krenarie dhe përfaqësimi dinjitoz për Shqipërinë.

Ai ka uruar sportistët shqiptarë Lara Colturi, Lisa Brunga, Semire Dauti dhe Denni Xhepa – që të japin më të mirën e tyre dhe të bëjnë krenar vendin me performancat e tyre dhe shpirtin garues.

Presidenti ka përfunduar mesazhin me moton frymëzuese: “Forca Shqipëri!”


Yesterday — 6 February 2026Main stream

Shefi i Misionit të Luksemburgut viziton fabrikën FASAL

6 February 2026 at 21:37


Fabrika FASAL është vizituar sot nga shefi i Misionit të Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, nga Ambasada e Dukatit të Madh të Luksemburgut në Prishtinë.

Gjatë vizitës, përfaqësuesit e FASAL i prezantuan nga afër diplomatit nga Luksemburgu proceset e prodhimit, standardet e cilësisë që aplikohen në fabrikë, si dhe projektet aktuale që po zhvillohen për tregun vendor dhe atë ndërkombëtar.

Vizita u cilësua si një mundësi e rëndësishme për shkëmbim idesh dhe diskutime mbi potencialin e bashkëpunimit dhe zhvillimit të mëtejmë të sektorit të prodhimit dhe eksportit.

Nga FASAL u theksua rëndësia e investimeve në prodhim dhe rritjes së kapaciteteve eksportuese, duke vlerësuar interesimin e treguar nga përfaqësuesit diplomatikë për zhvillimin ekonomik dhe industrial në Kosovë.

Në fund të vizitës, drejtuesit e FASAL shprehën mirënjohje ndaj z. Eric Dietz për vizitën dhe interesimin e treguar për punën dhe investimet e kompanisë, duke theksuar gatishmërinë për bashkëpunime të ardhshme që do të kontribuonin në forcimin e sektorit prodhues dhe eksportues të vendit.

Ndryshe, kompania FASAL si veprimtari kryesore e ka prodhimin e dyerve, dritareve dhe fasadave të jashtme strukturale dhe gjysmë-strukturale.

❌
❌