Gazeta “SI”- Cinema Paradiso është një nga filmat italianë më të bukur të të gjitha kohërave, i cili ka fituar pothuajse të gjitha çmimet e mundshme, nga Oscar, Golden Globe deri te Festivali i Kanës.
Por çfarë lidhjeje ka ky film me arbëreshët?
Aktorët nuk janë arbëreshë, por filmi është xhiruar në Palazzo Adriano, një komunë arbëreshe pranë Sicilisë. Arbëreshi Franco Calima e ka shpjeguar këtë lidhje në rrjetin e tij social Facebook, duke treguar se si ky fshat u bë pjesë e pandashme e historisë së filmit.
Filmi rrëfen historinë e Totos dhe Alfredos, ndërkohë që një nga boshtet kryesore të tij është dashuria mes Totos dhe Elenës. Ai është xhiruar në Palazzo Adriano, me regji të Giuseppe Tornatores dhe me muzikë të pavdekshme nga Ennio Morricone.
Nëse e vizitojmë sot Palazzo Adrianon, aty do të gjejmë ende të gjithë skenografinë e filmit. Duke filluar nga sheshi me shatërvanin në mes, i cili gjatë xhirimeve u përshtat si një nga skenat më ikonike të filmit. Ky shesh është edhe sot qendra e fshatit, me dy kishat që përfshihen në film: një kishë bizantine dhe një kishë latine.
Në fshat ndodhet gjithashtu edhe Muzeu i filmit “Cinema Paradiso”. Nëse hyn në këtë muze, në fakt hyn brenda vetë filmit. Aty gjenden biçikleta e Alfredos, projektori me të cilin shfaqeshin filmat në kinemanë Paradiso, si dhe shumë objekte dhe fotografi origjinale nga seti i xhirimit.
Nëse shëtisim nëpër fshat, gjejmë edhe shtëpinë e Alfredos dhe shtëpinë e Totos, i cili është protagonisti i filmit.
Kështu, ky fshat arbëresh u shndërrua në skenën e një prej filmave më të vlerësuar në historinë e kinematografisë botërore, duke u bërë një pjesë e pandashme e këtij prodhimi gjigant. Në nderim të filmit, sot në fshatin Palazzo Adriano organizohet edhe festivali i filmit “Paradiso Film Festival”.
Gazeta “SI”- Një ekip studiuesish nga University College London dhe Muzeu i Historisë Natyrore i Londrës ka zbuluar se një mjet i lashtë prej kocke elefanti ose mamuthi, i gjetur në vendin paleolitik të Boxgrove në jug të Anglisë në vitin 1990, daton rreth 500,000 vjet më parë. Ky zbulim i ri është rezultat i një rishikimi të hollësishëm të materialeve nga Simon Parfitt dhe kolegët e tij, duke përdorur teknologji moderne, përfshirë skanime 3D dhe mikroskopë elektronikë.
Shtresa e jashtme e kockës së elefantit, më e butë se guri por më e fortë se kockat e tjera të kafshëve, e bënte këtë material një burim të rrallë dhe shumë të dobishëm për njerëzit e lashtë.
“Kocka e elefantit do të kishte qenë një burim i rrallë, por me shumë vlerë, dhe është shumë e mundshme që ky mjet të ketë pasur një rëndësi të madhe,” tha Parfitt.
Analizat e detajuara zbuluan gërvishtje dhe shenja goditjeje në kockë, ndërkohë që në disa prej tyre u gjetën edhe fragmente të flintit. Këto tregojnë se mjeti është përdorur si një “riparues” për të mprehur dhe restauruar mjetet prej guri pas përdorimit. Sipas studiuesve, kjo tregon se mjetin mund ta kenë përdorur Neandertalët ose Homo heidelbergensis, dy specie të hershme njerëzore që kanë banuar në këtë rajon.
Ky zbulim është një dëshmi e rëndësishme e aftësive teknologjike dhe kreativitetit të njerëzve të lashtë, duke treguar se ata nuk përdornin vetëm gurin për mjetet e tyre, por gjithashtu shfrytëzonin edhe materiale të tjera, si kockat e kafshëve të mëdha, për të përmirësuar efikasitetin e mjeteve të tyre.
Gazeta “SI”- Jeta e Boualem Sansal ndryshoi në mënyrë dramatike më 16 nëntor 2024. Shkrimtari franko-algjerian u arrestua në Algjer sapo mbërriti në aeroport. I gjithë komuniteti i shkrimtarëve, dhe jo vetëm, u shqetësua për ish-zyrtarin algjerian, i cili u bë i famshëm në Francë me romanin e tij “Betimi i barbarëve”. Kritik i ashpër i islamizmit, Boualem Sansal u arrestua në Algjeri për deklarata publike ku vuri në diskutim historinë dhe integritetin territorial të vendit, gjë që autoritetet e cilësuan si “cenim të unitetit kombëtar”. Rasti u konsiderua gjerësisht politik dhe u kritikua ndërkombëtarisht si shkelje e lirisë së shprehjes. Për këtë deklaratë ai u dënua në mungesë me 5 vite burgim. Arrestimi i tij shkaktoi një valë protestash. Shkrimtari u kthye edhe në një ngërç diplomatik mes Algjerisë dhe Francës. Ishte Gjermania ajo që u ofrua si ndërmjetëse mes Francës dhe Algjerisë për lirimin e Sansal. Lirimi i tij u arrit me sukses dhe Boualem Sansal është tashmë njeri i lirë. Në një intervistë dhënë për FranceInfoTv , ai flet për periudhën e kaluar në burg, mënyrën e arrestimit dhe deri te lirimi i tij me ndërmjetësimin e Gjermanisë.
Si ndiheni pas lirimit nga burgosja 10-mujore?
Pas 10 muajsh burgim rigjej jetën, aromat, pëshpëritjet. Mendoj se do të më duhen disa ditë sa të sistemoj mendimet dhe reagimet. Ka gjëra që më emocionojnë, si për shembull aroma e kafesë, më çmend. Problemi tjetër është se pas disa kohësh burgim, njeriu humbet edhe fjalorin e tij, të folurën. Besoj po e vini re që unë po vuaj të gjej edhe fjalët e duhura.
Ju keni qenë edhe i sëmurë. Si ndiheni tani?
Unë jam diagnostikuar me kancer të prostatës. Nuk jam keq. U trajtova për këtë edhe në burg nga mjekë që ishin profesionistë dhe shumë të sjellshëm. Tani do të më duhet të bëj një vizitë në Paris dhe të shoh çfarë po ndodh. Unë jam edhe anemik, pra kam qeliza gjaku më pak se një njeri normal.
Si ishin kushtet në burg? Si ishte të jetonit i mbyllur?
Kushtet në burg ishin si në çdo burg tjetër. Mure të vegjël, hapësirë e ngushtë dhe asnjë kontakt me të burgosurit e tjerë. Unë nuk kisha as avokat dhe në këtë mënyrë jeta u bë e vështirë në burg. Koha aty rrjedh ngadalë; pas pak muajsh humbet edhe masë muskulare, të duket sikur do vdesësh. Ata janë shumë profesionistë: të arrestojnë, nuk flasin fare dhe pastaj dëgjohen vetëm krismat e dyerve dhe hekurave. Ka një ndjeshmëri mes të burgosurve, edhe pse aty ka vrasës dhe trafikantë.
A keni lexuar gjatë kësaj periudhe?
Aty kishte një bibliotekë, por për çdo gjë duhej leje nga drejtori me shkrim. Ma dha lejen vetëm pas katër muajsh, por ajo që gjeta atje ishin vetëm libra fetarë dhe libra me skica si piqet mishi. As nuk ia dola të shkruaj. Nuk isha gati psikologjikisht. Vetëm kam menduar se si do të shkruaj librin e radhës dhe në ç’mënyrë do ta trajtoja periudhën e burgut: a do të jetë një libër politik apo një libër i të burgosurve.
Rikthehemi te 16 nëntori i vitit 2024, kur edhe ju u arrestuat.
Në fakt është tronditëse. Nuk mendon për asgjë. Kalon në sportel, jep pasaportën dhe polici e kontrollon. Pastaj sportelisti më tha të ulesha dhe të prisja në stol. Prita për një orë. Një oficer policie erdhi, më mori dhe pastaj më vendosën prangat dhe një kapuç në kokë. Unë nuk e dija se ku isha. Thjesht u thosha se, nëse donin përgjigje, të identifikoheshin se kush ishin dhe çfarë donin.
E keni një ide tashmë pse u arrestuat? Një arsye? Një akuzë?
E gjitha thonë se ndodhi për shkak të deklaratës sime për identitetin e territoreve marokene, një tension i cili nisi nga presidenti Macron. Jam arrestuar se kam thënë gjëra që nuk duheshin thënë, por unë e kontrolloj çdo fjalë që them. Tani kam frikë se, nëse shkoj sërish atje me gruan, do të më arrestojnë bashkë me të, ose do të arrestojnë miqtë e mi në Algjeri për t’i pyetur.
Po dita e lirimit? Kush ua dha lajmin? Si ndodhi?
Nuk kam pasur asnjë paralajmërim as nga shërbimet e inteligjencës dhe as nga presidenti Macron, të cilin e takova. Atje, sapo më arrestuan, më thanë se do të lirohesha për një javë ose ndoshta për një muaj, dhe kështu kalova 10 muaj në burg. Vetëm një ditë erdhën dhe më thanë: “Mblidh gjërat e tua, sepse do të dalësh.” Më dërguan në një burg tjetër, më i pistë, më i mbyllur, më i tmerrshëm. Më morën sërish shenjat e gishtave, më morën gjak. Pastaj më dërguan në spital dhe të nesërmen më thanë sërish të mblidhja rrobat e mia. Më futën në një furgon dhe askush nuk më përgjigjej se ku po më çonin, derisa pashë nga dritarja e vogël e furgonit që ishim në aeroport dhe aty e besova se po më deportonin.
Pra, jeni ende i turbullt për atë që ka ndodhur?
Ende nuk e di saktë pse u arrestova. Librat e mi kanë qenë të ndaluar për një periudhë kohe në disa vende të Algjerisë, por ato vazhdojnë të shiten atje dhe të lexohen. Por Algjeria sheh me dyshim gjithçka që vjen nga Franca: nacionalizmi në njërën anë, islami politik në anën tjetër.
Do t’i riktheheni shkrimit?
Sigurisht që do të nis të shkruaj sërish. Shkrimi është jeta ime. Puna ime është dhe gjetja e fjalëve të duhura. Pa dyshim do të shkruaj përsëri.
Nga Liridon Mulaj- Ajo ka lindur në Shqipëri dhe i përket minoritetit grek. Në moshën 13-vjeçare viziton për herë të parë Greqinë, në vendin amë për tu zhvendosur më pas atje. Është si ligji që herët a vonë gjithsecili kthehet në shtratin e vet. Por, siç duket, jeta e saj ishte e destinuar të ishte një udhëtim me disa stacione.
Greqishtja e saj vjen autentike, e gjallë, ashtu si edhe shqipja. Dhe nëse këto dy vende lidhen me kujtimet dhe formimin e saj, Brukseli është qyteti dhe vendi që i ka falur qetësinë dhe paqen. Për një ballkanase, paqja mbetet gjithmonë një utopi, por, siç duket, ajo, edhe pse me “tensione” të brendshme të mbartura ndër vite ka arritur t’i afrohet kësaj paqeje.
Eleana Zhako është diplomuar për Studime Europiane e Ndërkombëtare në Universitetin Panteion të Shkencave Sociale e Politike të Athinës dhe për Gjuhë shqipe e Letërsi në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë, në Universitetin e Tiranës. Ajo është specializuar për të Drejtën e Mjedisit e të Energjisë nga Universiteti Katolik i Leuven-it në Belgjikë dhe për Pedagogji Teatri nga Universiteti i Hapur i Qipros.
Ajo është përkthyese e dhjetëra librave nga shqipja në greqisht dhe anasjelltas. Gjithashtu shkruan poezi dhe prozë. Së fundmi, në Greqi është botuar libri i saj me poezi “Ekstromitrio”, çka në njëfarë mënyre vërteton edhe atë që ajo vetë shpreh: se Greqia është vendi i saj, vendi amë.
Në këtë intervistë për GazetaSi.al, Eleana Zhako rrëfen gjithçka: për “statusin” e të qenit minoritare në një vend si Shqipëria, por edhe për rikthimin e saj në Greqi, fillimisht ende si e huaj. Flet për përkthimet e saj që kanë lënë gjurmë te lexuesi, për përkatësinë kombëtare, por mbi të gjitha për atë shpirtërore, e cila për një poete dhe përkthyese të letërsisë është vendprehja , pasaporta e saj shpirtërore.
Ju keni lindur në Shqipëri, jeni nga minoriteti grek i Shqipërisë, ndërkohë jeta juaj ndahet mes Brukselit, Athinës dhe Tiranës. Gjithmonë kozmopolitizmi është avantazh, por në aspektin e shtëpisë dhe vendit , pra vendi që ju i përkisni, ku riktheheni gjithmonë kur kërkoni të gjeni veten, të sistemoni veten për një rinisje të re?
Po të ma drejtonit këtë pyetje vite më parë, do të thosha Athina, por pas 16 vitesh qëndrimi në Bruksel, besoj se i përkas më tepër Brukselit, jo vetëm në aspektin e kohëzgjatjes, por ngaqë gjithmonë kur kthehem nga aeroporti për në Bruksel, sapo i afrohem qytetit, gjithçka për mua merr trajta shumë familjare. Në çdo stinë. Por, besoj se kjo lidhet edhe me faktin, që asnjëra nga shtëpitë, as shtëpia ku banoj në Athinë dhe as shtëpia e mëvonshme e prindërve në Shqipëri, nuk kam mundur t’i jetoj gjatë dhe t’i ndiej plotësisht si të miat. Për sa kohë jetoja në Shqipëri, më shoqëronte gjithmonë ndjenja e përkohshmërisë në qytetin ku banonim dhe, që e vogël isha e ndarë mes dy botëve, asaj shqipfolëse dhe greqishtfolëse të Dropullit, ku kalova fëmijërinë dhe krejt pushimet shkollore. Për më tepër në Bruksel, lindi ime bijë, ajo tani është në klasë të gjashtë, dhe kam përvoja dhe ndijime më të prekshme. Ndonëse frëngjishten nuk e zotëroj si vendasit, kam shumë pak miq mirëfilli belgj, nuk i ndjek rregullisht lajmet dhe shtypin belg, kjo përkatësi brenda mospërkatësisë, më ndihmon të zbuloj anë të ndryshme të vetvetes dhe të njoh njerëz e gjuhë, që në Shqipëri e Greqi do ta kisha të pamundur.
Eleana Zhako
Në Bruksel zbulova bukurinë e natyrës brenda në qytet, të shëtitjeve kuturu, të ndërtesave dhe shtëpive thuajse pa perde, ku mund të depërtosh me sy e mendje brenda dekorit të salloneve, gati si te filmi “Rear window” i Hitckock. Në Shqipëri dhe në Greqi ngarkesa psikologjike dhe emocionale që ndiej është shumëfish më e madhe, ndaj dhe për mua Brukseli është një lloj arratisjeje nga “rëndesa e papërballueshme e qenies”. Te njëra nga poezitë e mia, Itaka kthehet në numrin shumës dhe bëhet Itakat, por se cila Itakë do të mbizotërojë, këtë do ta tregojë koha dhe rrethanat.
Në ç’gjuhë ju ka ardhur të shkruani vargjet tuaja të para? Dhe kur them vargjet e para, kam parasysh mendimin tuaj të parë që doje ta shkruaje, ato vargje që lindën në nënvetëdije dhe më pas u konkretizuan.
Përçapjet e para në prozën e shkurtër, diku rreth të gjashtëmbëdhjetave, i kam bërë në shqip, por edhe ajo ishte më afër prozës poetike, jo tregimit të mirëfilltë. Ndërkohë që shoqet e mia shkruanin poezi, dhe poezi mjaft të mira, unë kisha bindjen absolute që s’më jepej për poezi. Poezi fillova të shkruaj krejt papritmas, dy vjet pas lindjes së vajzës në Bruksel, dhe vargjet e para që më erdhën, qenë në greqisht. Poezia e parë është autobiografike, nisur nga një përvojë personale dhe i kushtohet Gjigantit të Madh të Mirë të Roald Dahl, që në poezi shndërrohet në heroin e një djaloshi nëntëvjeçar. Është ndër të paktat libra që kanë mbijetuar nga fëmijëria ime dhe ka qenë dhuratë e gjyshit tim të ndjerë. Një pjesë e madhe e poezive të mia u kushtohet gjyshërve dhe në veçanti gjyshes, sepse ajo jetoi më gjatë dhe e jetova edhe si e rritur, edhe si nënë me fëmijë. Isha mbesa e fundit që arrita ta bëja stërgjyshe të një stërmbese më tepër. Jo më kot iu referova gjyshërve, pasi besoj që “mikrobin e letërsisë” e kam fituar falë viteve të fëmijërisë me ta, që në përfytyrimin tim ishin të magjishme.
Ka një raport të tendosur mes shoqërive tona, perceptimeve, mendimeve, retorikave, dogmatizmave, të cilat shpesh krijojnë një amulli mes marrëdhënieve Shqipëri–Greqi dhe anasjelltas. Si ndihet dikush që në gjak ka helenizimin, por në kujtimet e saj ka edhe Shqipërinë, të cilën e bart jo vetëm si vendlindje, por edhe si gjuhë?
Një pjesë e madhe e njerëzve që jetojnë jashtë apo që prindërit e tyre kanë kombësi të ndryshme, gati automatikisht kalojnë nga një vetëdije kombëtare e gjuhësore në tjetrën, duke i parë si plotësuese mes tyre, jo si përjashtuese. Kur jetoja në Shqipëri, e kisha më të lehtë të mbartja helenizmin si diçka të dallueshme, sepse në qytetin ku jetoja, njerëzit si unë përbënin pakicë. Asokohe helenizmi për mua reduktohej kryesisht në pjesën gjuhësore të të folurit greqisht në shtëpi dhe me të afërmit. Por, ama kur ndodhesha jashtë isha njësoj me gjithë të tjerët. Me largimin në Athinë, kjo ndryshoi kryekëput, sepse aty shumica e shqiptarëve të brezave të rinj, duke përfshirë edhe minoritarët, e flisnin greqishten më mirë se unë, aq sa nuk dalloheshin nga grekët. Lehtësimi më i madh për mua dhe familjet e tjera minoritare ka qenë fakti, që nuk na u desh të kalonim nga e njëjta procedurë dokumentash si shqiptarët që s’kishin kombësi greke, përndryshe për grekun e zakonshëm nuk kishte ndonjë rëndësi ndryshimi shqiptar-minoritar grek. Të gjithë i përkisnim një kategorie – asaj të emigrantit ekonomik. Nuk e di si do të ishte po të kisha jetuar në Janinë, ku ndryshimet janë më të vogla mes minoritarëve dhe janjiotëve në aspektin gjuhësor dhe zakonor, por në shumë raste sa më të mëdha janë ngjashmëritë, aq më e madhe është prirja diferencuese. Si konstrukt social ndihem më afër shqiptarëve, por në një kuptim më vetjak, jam më tepër greke, kjo për faktin se greqishtja dhe të vetëndjerit greke nuk janë të përftuara nga rrethana, si emigrimi i detyruar apo vullnetar, por janë pjesë e trashëgimisë familjare.
Krejt ndryshe nga reagimi masiv, kultura është një korsi që është krejt më vete. Këngët dhe letërsia greke janë adhuruar nga shqiptarët shumë e shumë vite më parë, e deri në ditët e sotme, ku edhe arti komercial grek i sotëm e gjen publikun shqiptar krahëhapur. Si mendoni se qëndrojnë këto dy vende në këtë raport? A është, sipas jush, arti ende në një gjendje transi në shoqëri, e cila na bën të harrojmë mëritë?
Arti na bën të harrojmë mëritë përkohësisht, funksionon si pompa e zjarrëfikëses. Shuhet një zjarr, ndizet një tjetër, rreziku i zjarrit është përherë aty. Në Shqipëri, arti dhe letërsia greke janë pritur me entuziazëm, pavarësisht se grekët shumë herë perceptohen si europianë të kategorisë së dytë në krahasim me vendet e tjera të Europës komunitare. Në Greqi, dekadën e fundit kryesisht, shumë artistë dhe më pak shkrimtarë me origjinë nga Shqipëria kanë bërë emër, çka solli një ndryshim të ndjeshëm në perceptimin kolektiv të imazhit të shqiptarit. Këta artistë e shkrimtarë, kanë mundur të afirmohen jo thjesht si individë me origjinë shqiptare, por përmes veprës së tyre kanë nxjerrë në pah tiparet, vlerat dhe origjinalitetin e kulturës shqiptare, kanë nxitur reagimin dhe pjesëmarrjen aktive të shoqërisë greke në problematikat e tyre. Në fushën e letërsisë, për shkak të natyrës më specifike të saj, sepse nuk bën pjesë në kategorinë e arteve vizuale dhe performative, ky dallim cilësor bëhet më i vështirë, por edhe në letërsi, shkrimtarë të brezit të dytë të shqiptarëve, bashkërenditen krahas emrave të njohur grekë të brezit të ri. Për shkrimtarët shqiptarë që përkthehen në greqisht, vështirësia është më e madhe, sepse mekanizmat aktualë të promovimit të tyre nuk mjaftojnë, duhet një përpjekje e shumëfishtë.
Nuk është vetëm çështje steriotipesh, por lidhet kryesisht me mënyrën e funksionimit të tregut të librit. Në Greqi ka një prodhimtari shumë të lartë shkrimtarësh e studiuesish vendas dhe përkthimesh autorësh të huaj, ku sikurse edhe në Shqipëri përparësi kanë veprat e nominuara dhe ato që janë bërë të njohura ndërkombëtarisht.
Jam kurioz, duke qenë se ju i përkisni minoritetit grek në Shqipëri. Kjo pjesë e shoqërisë greke e mbetur jashtë kufijve, si është parë dhe gjykuar në Greqi, në shoqërinë atje? Cilat ishin mbresat tuaja të para kur shkuat për të studiuar në vendin amë?
Minoritarëve sikurse edhe shqiptarëve, u është dashur të minimizojnë lidhjen e tyre me Shqipërinë, sepse as greqishtja e tyre, as vetëdija e tyre greke ishin të mjaftueshme për t’u pranuar si të njëjtë nga shoqëria greke. Për më tepër, edhe ata i përkisnin kategorisë së emigrantit ekonomik dhe kjo kategori ndesh vështirësi integrimi e pranimi qoftë dhe në vende me traditë më të konsoliduar politikash emigracioni, jo më në një vend si Greqia, që pavarësisht anës perëndimore, ka një karakter të theksuar ballkanik. Siç e përmenda dhe në një nga pyetjet më sipër, e vetmja anë pozitive për ne ishte pajisja me leje qëndrimi, diçka që ne e konsideronim si detyrim të atdheut apo mëmëdheut tonë ndaj nesh. Por, për shkak të mungesës së nënshtetësisë greke, mundësitë tona për një vend më të mirë pune në sektorin privat ishin shumë të kufizuara, ndërsa në administratën publike akoma më pak, gati inekzistente deri vonë. Në Greqi kam shkuar për herë të parë në moshën 13 vjeçare si vizitore, sepse për familjen time ishte e paimagjinueshme të emigronim në Greqi si punëtorë krahu. Rrethana të tjera na shtynë ta linim Shqipërinë. Selaniku ishte qyteti i parë që kam parë në Greqi, dhe jo Janina, siç do pritej për shkak të afërsisë. Atëherë kontrastet ekonomike mes dy vendeve ishin të jashtëzakonshme në të gjitha kuptimet. Mbaj mend që një gazetare më pyeti se po të fillonte lufta mes dy vendeve, cilën anë do të mbaja. Unë isha thuajse fëmijë, sa trashanike dhe jo-profesionale nga ana e saj! Athinën m’u desh kohë që ta ndieja timen, por tashmë ndihem shumë e lidhur shpirtërisht me Athinën. Kam pasur plot episode të pakëndshme, por për mua Greqia ishte vendi im, me të mirat dhe të këqijat e saj.
Ju së fundmi keni botuar në Greqi një libër me poezi. Pse keni preferuar të mos e prezantoni më shumë? Për këdo, një botim në Greqi, edhe për ju që jeni greke do të ishte një ngjarje për t’u gëzuar. Si vazhdon për lexuesin shqiptar tashmë ky konkretizim?
Nuk jam gati ende për një prezantim më të gjerë, kjo do vijë gradualisht. Vetë fakti që u botua nga një shtëpi me traditë të njohur në botimet poetike, më jep kënaqësi të brendshme. Për mua ka rëndësi në këtë fazë, që disa prej atyre që do e lexojnë librin, t’u shijojë poezia ime dhe ta vlerësojnë, qoftë në formë private, qoftë publike. Disa herë mbireklamimi mund të ketë efekt të kundërt, kur nuk mbështetet nga një grup i sprovuar lexuesish dhe kritikësh me ndikim në rrjetet sociale dhe në gazetat a revistat përkatëse. Duke qenë se jetoj në Bruksel prej shumë vitesh dhe qëndrimet e mia në Athinë janë të shkurtra, nuk kam mundësi që t’i ndjek nga afër zhvillimet letrare e kulturore të vendit.
Kjo vetvetiu më kufizon disi. Nuk mjaftojnë vetëm rrjetet sociale, janë një sërë faktorësh që duhet të bashkëveprojnë për të dalluar sadopak në morinë e poetëve vendas dhe atyre të përkthyer. Përsa i përket mundësisë së përkthimit e botimit të librit në shqip, vetëm një pjesë të tyre do mundesha të përktheja, sepse disa poezi janë language-poetry dhe më shumë se përkthimit, sjellja e tyre në shqip i shërben rikrijimit.
Pse “Ekstromitrio”? Çfarë nënkupton ky titull?
Eksomitrio është fjalë e përbërë dhe term mjekësor, që do të thotë “jashtë mitre”, “extra utero” në latinisht. Nuk kisha menduar këtë si titull fillestar, por tituj më të zakonshëm, si “Genesis” (që do të thotë lindje), “Terr i lagësht”, etj., por kur përpos titujve të tjerë, i dërgova “Eksomitrio” botuesit, ai zgjodhi këtë. I referohet shtatzanisë jashtë mitre, fetusi nuk zhvillohet brenda mitrës sipas procesit biologjik, dhe rrjedhimisht është e pamundur të mbijetojë, edhe ai, edhe nëna. Libri e merr titullin nga një poezi brenda librit me të njëjtin titull, ku flitet për poezinë e tretë të pashkruar të trilogjisë mbi një pemë, e cila dështoi, sepse u ngjiz jashtë mitrës (poetike). Kisha shkruar dy poezi paarardhëse mbi pemët në raport me njeriun, por që nuk i përfshiva në librin përfundimtar, ndaj dhe në njëfarë mënyre kjo poezi e pangjizur është homazh ndaj dy poezive të mëparshme të ngjizura. Libri përbëhet nga dyzetë e pesë poezi, të shkruara gjatë periudhës 2016- 2020 dhe shumë prej poezive të papërfshira mbetën në shënimet e mia ose humbën, por kjo nuk më trishton.
Edhe pse ju keni qenë krijuese që më herët, për ambientin publik shqiptar njiheni si përkthyese, mbase ndër të vetmet që kanë aftësinë të përkthejnë nga të dyja gjuhët. A ka qenë kjo që në krye të herës rruga që keni dashur të vini drejt lexuesit ose publikut për një masë më të gjerë?
Ndër të paktat tashmë, por jo ndër të vetmet sepse jam më e re në raport me përkthyes të tjerë, që prej shumë vitesh përkthejnë nga të dyja gjuhët, si: Arqile Garo, Andrea Zarballa, Petro Çerkezi, Telemak Koça, Niko Kacalidha, Stavri Dajo, Aristotel Spiro, Vangjel Zafirati, etj. E vërteta është se si profeson, përkthimi hyri disi aksidentalisht në jetën time, ngaqë studimet e mia bazë i përkasin disiplinave të tjera. Ishte nevoja për të mbajtur gjallë në formë aktive marrëdhënien time me letërsinë dhe të dyja vendet, Shqipërinë e Greqinë, që më shtyu drejt përkthimit. Ndoshta po të mos jetoja në Belgjikë dhe të vazhdoja të isha në Greqi, mos t’i isha futur rrugës së përkthimit dhe as të shkruaja poezi, të merresha më tepër me fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Megjithatë, gjatë kohës që isha studente në Athinë, kur studioja në bibliotekë, frymën e mbaja te letërsia; edhe kur blija gazeta, rubrika e parë që lexoja ishte ajo e kulturës. Herët a vonë, qoftë edhe si lexuese e ethshme, do drejtohesha kah letërsisë. Po të mos studioja disiplina të tjera dhe po të mos mbaja ndezur flakën e letërsisë, dyshoj se do isha bërë përkthyese në të dyja gjuhët.
Sa e vështirë është për një autor shqiptar të botojë në greqisht? Si është perceptimi i botuesve grekë për autorët shqiptarë? A ka një marrëdhënie metafizike që e krijon, deri diku, letërsia, apo ata e shohin ende si ekzotike?
Vështirësia nuk qëndron aq te botimi që mund të financohet edhe me mjete të pjesshme, sesa te promovimi i autorëve shqiptarë. Shumë botues grekë mund të jenë të interesuar të botojnë autorë shqiptarë, por duhet të marrin parasysh dështimin a suksesin relativ të kësaj ndërmarrjeje. Pyetja që shtrohet në këtë rast është a ia vlen të botohet një libër, qoftë edhe nëse e lexojnë njëzetë lexues? Roli i Institucioneve shtetërore dhe jo-shtetërore që mbështesin financiarisht kulturën, është shumë i rëndësishëm në këtë drejtim dhe nuk duhet të kufizohet vetëm në aspektin financiar, që është shumë modest në shumicën e rasteve, por në bashkëpunim me shtëpitë e huaja botuese dhe ambasadat përkatëse, të angazhohen edhe në promovimin e autorëve, të cilët kanë nevojë për mbështetje më të gjerë. Shumë autorë shqiptarë janë botuar në greqisht, por përtej ndonjë jehone sporadike, letërsia shqiptare në Greqi, vazhdon të jetë kryesisht kadareane.
Ndërkohë ju shkruani edhe prozë të shkurtër, edhe poezi, siç e cekëm. Gjithashtu përktheni. Keni studiuar edhe teatër. Zotëroni disa gjuhë. Ku gjendet Eleana e plotë dhe vetja ?
Për momentin do desha të përktheja më pak dhe të lexoja më shumë, e kam shumë nevojë. Shumë herë përfytyroj udhëtime të gjata me tren, shumorëshe, që të kem mundësi të lexoj e të përfundoj librat që dua dhe që janë bërë aq shumë sa më duket sikur do më zënë përposhtë. Sepse përkthyesi do s’do, është i detyruar t’u kthehet e t’u rikthehet disa herë librave që përkthen dhe ka detyrime kontraktuale dhe shumë herë nuk arrin të lexojë në kohë reale prurjet e reja apo pengje të vjetra. Bëhet lexuesi ideal i librave që përkthen, sepse duhet të përkujdeset për detajin më të vogë në lexim e përkthim. Idealisht do desha të eksploroja më shumë botën e teatrit, të ndiqja më tepër shfaqje dhe zhvillimet rreth teatrit, por më kufizon edhe koha, edhe detyrimet e tjera profesoniale dhe familjare. Poezitë në greqisht, i kam nisur gjatë kohës që fillova masterin e teatrit. Leximet dhe papers që duhej të dorëzonim gjatë vitit, krijuan një terren frymëzues dhe e kam shijuar shumë periudhën e fillimit. E plotë nuk gjendem askund, plotësohem nga bashkimi i interesave dhe angazhimeve të ndryshme. Por, tundimi t’i lë të gjitha e të merrem me diçka më neutrale, shumë herë ngre krye.
Gazeta “SI”- Pompei, qyteti i lashtë i mbuluar nga llava e Vezuvit në vitin 79 p.e.s., ka zbuluar një pasuri të re të historisë së tij të shkruar. Përveç grafiteve të mëdha që reklamonin kandidatë politikë, lojëra me gladiatorë ose dhoma me qira, studiuesit po dokumentojnë një mori shkrimesh më të fshehura, por po aq domethënëse, që kapin komunikimet midis banorëve të qytetit.
“Kushdo që ec përgjatë rrugëve të zëna të Pompeit nuk mund të mos vërejë shkronjat tërheqëse të pikturuara mbi shumë shtëpi, dyqane dhe hapësira publike,” thotë epigrafistja Rebecca Benefiel nga Universiteti Washington and Lee, drejtuese e Projektit të Grafiteve Antike.
“Nga shumica e grafiteve moderne, grafitet në Pompei-n e lashtë ishin një formë pozitive e shkëmbimit shoqëror.”
Një nga fjalët më të zakonshme që gjendet në këtë stil më informal të grafiteve është feliciter (me gëzim), e cila, kur shoqërohet me emra personalë, tregon urime të mira për miqtë, kolegët dhe madje për perandorin. Benefiel ka identifikuar gjithashtu shkrime që shërbenin për gjurmimin e inventarit në dyqane, dhe fjalët e klientëve të kënaqur që lavdëronin aftësitë seksuale të prostitutave në bordellon kryesore të qytetit. Në të gjitha këto mbishkrime, njerëzit shkëmbenin edhe citate poetike nga Ovidi dhe Properti, shpesh duke i adaptuar ato me efekt humoristik.
“Të shikosh grafitet në kontekst jep një ndjesi kaq të fortë për njerëzit që kanë banuar këto hapësira dhe kanë lënë gjurmët e tyre,” thotë Benefiel.
Së fundmi, studiuesit Louis Autin dhe Eloïse Letellier-Taillefer nga Universiteti Sorbonne, së bashku me Marie-Adeline Le Guennec nga Universiteti i Quebec, kanë përdorur një metodë fotografike kompjuterike të quajtur Reflectance Transformation Imaging (RTI) për të ekzaminuar muret e një korridori që lidhte teatrot e Pompeit me Via Stabiana. Këndet e shumta të ndriçimit zbuluan 79 mbishkrime të reja, të padukshme më parë për syrin e lirë.
Mbishkrimet e sapo zbuluara përfshijnë pendesa, fyerje, lamtumira, një imazh të dy gladiatorëve që luftojnë, dhe një deklaratë dashurie. Këto gjetje hedhën dritë mbi jetën e përditshme, marrëdhëniet shoqërore dhe humorin e banorëve të Pompeit, duke i dhënë studiuesve një pamje të jashtëzakonshme të qytetit para katastrofës së famshme.
Benefiel dhe ekipi i saj po dokumentojnë dhe analizojnë të gjitha grafitet ekzistuese në qytet, duke u përpjekur t’i ruajnë nga zbehja për shkak të kalimit të kohës dhe ekspozimit ndaj elementeve natyrore. “Këto shkrime janë një dritare drejt mendimeve, ndjenjave dhe jetës sociale të njerëzve që jetuan këtu para më shumë se dy mijë vjetësh,” përfundon Benefiel.
Gazeta “SI”- Lidhja e Lord Bajronit me Ballkanin, dhe veçanërisht me Shqipërinë, nis herët dhe zë një vend të rëndësishëm si në jetën, ashtu edhe në veprën e tij. Xhorxh Gordon Bajroni lindi në Londër më 22 janar 1788, në një familje aristokrate që kishte rënë në varfëri. Fati i tij ndryshoi kur ishte vetëm dhjetë vjeç: pas vdekjes së xhaxhait, ai trashëgoi titullin Lord, si edhe pallatin dhe çifligun Newstead Abbey, pronë që do të bëhej një simbol i jetës së tij të trazuar.
Arsimimi i Bajronit ishte i gjerë. Në Harrow ai studioi greqishten dhe latinishten, historinë dhe letërsinë angleze, duke treguar herët prirje për poezi dhe mendim kritik. Në moshën 18-vjeçare u regjistrua në Universitetin e Kembrixhit (Trinity College). Në vitin 1809, ai mori zyrtarisht vendin e tij në Dhomën e Lordëve, ku u dallua për qëndrime përparimtare dhe për mbrojtjen e lirive qytetare, veçanërisht në mbështetje të popujve të shtypur.
Po atë vit, Bajroni ndërmori një udhëtim të gjatë nëpër Evropë, një përvojë që do të linte gjurmë të pashlyeshme në krijimtarinë e tij. Ndalesat e tij në Spanjë, Greqi dhe veçanërisht në Shqipërinë e Jugut ishin vendimtare. Vizita në Janinë dhe kontaktet e drejtpërdrejta me shqiptarët e kohës e impresionuan thellë poetin. Si kujtim nga ato vise, Bajroni mori me vete një kostum tradicional shqiptar, që do të bëhej më vonë një nga simbolet më të njohura të lidhjes së tij me Shqipërinë.
Bukuria dhe veçantia e këtij kostumi e frymëzuan piktorin Thomas Philips që, në verën e vitit 1813, të realizonte portretin e famshëm të poetit me titull “Portrait of a Nobleman in the dress of an Albanian” (Portret i një fisniku me veshje shqiptare). Ky portret u ekspozua në Royal Academy dhe sot ndodhet në ambientet e Ambasadës Britanike në Athinë, duke mbetur një dëshmi vizuale e admirimit të Bajronit për kulturën shqiptare.
Lord Bajroni dhe Ali Pashë Tepelena
Këto përvoja u reflektuan drejtpërdrejt në veprën e tij. Një nga krijimet më të rëndësishme të Bajronit është poema epike “Shtegtimi i Çajld Haroldit” (Childe Harold’s Pilgrimage, 1812–1817), e ndërtuar mbi përshtypjet e udhëtimeve të tij në Spanjë, Greqi, Shqipëri, Zvicër dhe Itali. Poema përshkohet nga patosi i luftës për liri dhe nga ndjeshmëria romantike ndaj fatit të popujve të robëruar. Në vargjet e saj, Bajroni u këndon traditave burrërore të shqiptarëve, trimërisë së tyre dhe dashurisë së flaktë për lirinë, duke i paraqitur si një popull me dinjitet dhe guxim të rrallë.
Ja si shkruan vetë Bajroni:
“Kam disa petka shqiptare madhështore, e vetmja plaçkë e shtrenjtë në këtë vend. Kushtojnë 50 ginea secila, dhe kanë aq flori të qëndisur sa në Angli mund të kushtojnë 200 ginea. U njoha me Hysen Beun dhe Mahmud Pashën, të dy djem të vegjël, nipër të Ali Pashës në Janinë. Janë krejt ndryshe nga çunakët tanë, kanë fytyrë të kuqe si vejushat e lyera me të kuqe, kanë sy të zes, të mëdhenj dhe tipare fare të rregullt. Janë krijesat më të bukura që më ka zënë syri dhe të rrahur e të stërvitur që tani me ceremonira të Oborrit” shkruante Bajroni në shënimet e tij
Këtë admirim e dëshmojnë edhe letrat e tij personale. Muzeu Historik Kombëtar ruan një fragment nga një letër që Bajroni i dërgoi nënës së tij më 12 nëntor 1809, ku ai shkruan me entuziazëm për shqiptarët:
“…I dua shqiptarët shumë. Në udhëtimin që bëra, kam rojtur një herë dy ditë, dhe një herë tjetër tri ditë, në një kazermë shqiptarësh, dhe s’kam gjetur kurrë ushtarë aq të pëlqyer sa shqiptarët, ndonëse kam qenë në garnizonet e Gibraltarit e të Maltës, dhe kam parë shumica ushtarësh spanjollë, frengj, siçilianë dhe anglezë. Nuk më rodhën gjësendë, dhe më ftuan me gëzim të marr nga zahireja dhe nga qumështi i tyre…”
Vitet e fundit të jetës së tij i kushtoi një kauze tjetër që do ta kthente në hero përtej letërsisë. Në vitin 1823, Bajroni u nis për në Greqi, ku u bë një nga figurat frymëzuese të luftës për pavarësi kombëtare kundër Perandorisë Osmane. Ai kontribuoi jo vetëm me fjalë dhe poezi, por edhe me para dhe me përfshirje të drejtpërdrejtë në organizimin e forcave kryengritëse.
A ishte i “çmendur” Lord Bajroni?
Lord Bajroni mbetet një nga “eksportet” më të famshme të Mbretërisë së Bashkuar, por edhe një nga figurat më të trajtuara me hezitim, siklet e madje turp. Pse ndodh kjo? Ndoshta sepse ai gjykohet ende për pasionet e tij tronditëse , përfshirë lidhjen me Augustën, gjysmë-motrën e tij, si edhe marrëdhëniet e shumta me gra dhe burra. Ndoshta për shkak të sjelljeve të tij provokuese, ose sepse vepra e tij përbëhet nga mijëra faqe vargjesh të zjarrta, që herë-herë duken edhe të tepruara apo fëminore. Ose, ndoshta, sepse shumëkush i trembet idesë se Bajroni ,siç deklaroi dikur William Wordsworth, ishte “i çmendur”.
Biografitë e shumicës së poetëve ose mungojnë, ose janë të vështira për t’u lexuar. Me Bajronin ndodh e kundërta: ai ka dhjetëra biografi dhe pothuajse të gjitha janë tërheqëse. Çdo biograf, që nga Thomas Moore në vitin 1830, ka pasur dijeni për kujtimet intime dhe skandaloze të poetit. Këto kujtime u dogjën, por Moore i kishte shfrytëzuar më herët dhe falë tyre dimë për martesën e pafat me Annabella Milbanke dhe për vitet e jetës luksoze në Venecia, mes 1816-ës dhe 1819-ës. Letrat sugjerojnë se gjatë asaj kohe, të paktën 200 gra kaluan në shtratin e tij , disa prej tyre motra, shumica të paguara. Ajo që mungonte në këto kujtime ishte transformimi i fundit i Bajronit në një luftëtar relativisht të vetmuar.
Lord Bajron
Letrat e tij dhe ato drejtuar atij tregojnë qartë këtë ndryshim thelbësor. Pikërisht këtu bëhet e rëndësishme biografia e re e Andrew Stauffer, “Bajroni: Një jetë me dhjetë shkronja”, e cila e ndërton çdo kapitull duke u nisur nga një letër e poetit, duke cituar me ndjeshmëri edhe korrespondencën e grave që e rrethonin. Edhe pse kjo vepër është një shtesë në një fushë tashmë të mbushur, struktura e saj mozaike , ndonëse herë-herë e ngathët e trajton me kujdes evolucionin e Bajronit.
Një nga pretendimet e Staufferit është se dashuria më e madhe e Bajronit ishte kontesha Teresa Guiccioli. Ky pohim është i mundshëm, edhe pse i debatueshëm. Miku i tij John Hobhouse shkruante se marrëdhënia nuk ishte aspak e shëndetshme dhe se “[Bajroni] më tha krejt të kundërtën”. Megjithatë, Teresa ishte e dashura më e qëndrueshme e tij dhe, me shumë gjasë, e fundit. Fiona MacCarthy ofron një shpjegim bindës: “Bajroni lulëzonte në vështirësi”, duke mbajtur gjithmonë një distancë mbrojtëse nga ata që pretendonte se i donte. Meqë Teresa ishte e martuar, ai nuk ndjehej i kufizuar prej saj. Letra më e sinqertë e dashurisë që ai shkroi ndonjëherë iu drejtua asaj dhe u shkrua në anglisht. Megjithatë, ai refuzoi t’ia përkthente dhe, në fund, e braktisi edhe atë, kur u dashurua me Greqinë.
Stauffer e thekson gjithashtu personalitetin e Bajronit si një lloj “aktori metodik”. Sipas tij, Bajroni shpesh bënte dhe thoshte gjëra me tepri vetëm që të kishte material për të shkruar. Teksa përpilonte letra, ai joshte gruan e dikujt tjetër në mes të një feste, para syve të të gjithëve. Figura letrare që ushqyen imazhin e tij përfshijnë Kainin – sepse Bajroni e shihte veten si të shënjuar dhe të mallkuar nga trashëgimia – Adamin e Miltonit, që e ka “tërë botën përpara”, por që e dëbon veten nga një parajsë pas tjetrës, si dhe Paolon dhe Françeskën e Dantes, të dënuar në rrethin e dytë të Ferrit, të rrëmbyer nga stuhitë e epshit që nisi përmes letërsisë.
Letërsia ndikoi fuqishëm në jetën e tij. Por çështja se sa shumë jeta e tij pasqyrohet në veprën e tij mbetet komplekse. Siç shkroi Martin Amis në “Jeta e Kolerixhit”, shpesh shkrimtarët e kthejnë subjektin artistik në një “levë biografike”. Për shumicën e autorëve, kjo qasje është e dyshimtë: korrelacioni nuk është shkakësi. Me Bajronin, megjithatë, lidhja është më e drejtpërdrejtë. Kantoja e dytë e “Don Zhuanit”, ku heroi i mbijeton një mbytjeje anijeje, ishte sipas vetë Bajronit tërësisht e bazuar në fakte reale. Në një letër të vitit 1814, ai e përshkruan poezinë si “pasqyrë të botës”, ndërsa në ditarin e vitit 1821 e quan “ndjenjë e një bote dhe e një të ardhmeje tashmë të shkuar”. Siç shprehet kritiku Jerome McGann, Bajroni “gjysmën e percepton dhe gjysmën e krijon” ekzistencën e vet.
Në fund, sapo ai pushoi së shkruari, edhe shpirti i reflektimit dhe ai i veprimit u shuan. Në vitin 1824, mjekët u përpoqën të trajtonin malarien e tij përmes gjakderdhjes , një trajtim fatal. Veprat e mprehta dhe të fuqishme të Bajronit meritojnë një jetë të përtejme më madhështore. Por edhe nëse kjo mungon, ai vazhdon të ecë mes nesh, duke ushtruar ende magjepsjen e tij.
Lord Bajron me kostumin tradicional shqiptar. (Nga Thomas Phillips)
Miku dhe mjeku i tij, John Polidori, ishte me Bajronin dhe çiftin Shelley në Villa Diodati në vitin 1816, kur u konceptua “Frankeshtajni”. Polidori e bazoi novelën “Vampiri” (1819) në disa faqe ku Bajroni shkruante për një burrë që vdes në Greqi, por ringjallet nga të vdekurit përmes fuqisë së dashurisë. Sipas Staufferit, çdo vampir aristokratik, i rrezikshëm dhe joshës , nga Drakula i Bram Stokerit deri te Lestati i Anne Rice , mund ta gjurmojë origjinën e tij te Lord Bajroni.
Vdiq më 19 prill 1824 vetëm 36 vjeç në Mesollonjë, gjatë Luftës për Pavarësinë Greke, ku jo vetëm që mbështeti financiarisht kryengritjen, por edhe udhëhoqi fushata ushtarake.
Nga Michel Setboun- Në këtë moment, po ndjek lajmet si të gjithë të tjerët dhe po lexoj të gjitha këto histori mbi Iranin. Thjesht, kur shoh të gjithë ato asamble, takime, mbledhje ku ka njerëz që nuk kanë qenë kurrë atje, që nuk dinin asgjë për revolucionin, që madje nuk kishin lindur ende në atë kohë, që kanë jetuar pesëdhjetë vjet në Perëndim… sigurisht që kjo më nervozon pak. Sepse, është dëshpëruese. Dëgjoj të gjitha llojet e fjalimeve kontradiktore, nostalgjike, një idealizim të caktuar të kohës së Shahut. Atëherë, thjesht për informacion, për të freskuar kujtesën kolektive, po publikoj këto imazhe.
Iran – Teheran, 28/10/1978 – Burgu Kasr, lirimi i të burgosurve politikë
Sepse unë isha atje gjatë revolucionit të vitit 1979. E di mirë që sot është e lehtë të kritikosh këtë nostalgji për Shahun. Modernizimi i shpejtë, projektet e mëdha. Por nuk duhet të harrojmë se ky modernizim prekte vetëm dhjetë përqind të popullsisë, kryesisht qytetarët. Në fshatra, ishte vërtet mjerim. Dhe këtë modernizëm të imponuar nga lart, njerëzit nuk e donin domosdoshmërisht. Ishte shumë shpejt për ta.
Ne kemi tendencën ta paraqesim Shahun si modernistin par ekselencë, njeriun që donte të fuste Iranin në shekullin XX. Por kur shohim gjithçka që ndodhi, duhet të pyesim veten. Jo vetëm të mjaftohemi me tregimin simplist: moderniteti kundër arkaizmit të fesë. Realiteti ishte shumë më kompleks, dhe shumë më i dhunshëm gjithashtu.
Iran – 10/12/1978 – Ayatollah Taleghani – Demonstratë e madhe për ditën e parë të muajit të shenjtë Muharam
Kam qenë dëshmitar i hapjes së burgut Kasr kur Shahu i Iranit, përballë revoltës popullore, vendosi të hapë burgjet. Një moment historik, kaotik, i mbushur me shpresë dhe zemërim. Ndër të burgosurit e liruar atë ditë ishte edhe Ayatollah Taleghani, një figurë e respektuar e opozitës fetare, që kishte kaluar vite të tëra pas hekurave. Ai vdiq disa muaj më vonë, në shtator 1979.
Vite më vonë, u ktheva në Iran. Në muzeun e Savak-ut, kjo polici sekrete e Shahut, simbol i shtypjes. Në mure, imazhe të kohës së të gjithë atyre që ishin në burg. Atje gjenden fytyrat e atyre që i njohëm pas revolucionit: Rafsandjani dhe të tjerët. Më shoqëroi një burrë që kishte kaluar dekada në burg nën Shahun. Ai më rrëfeu historinë e tij, qeli pas qelie. Sepse sot është e rëndësishme të tregojmë, të mos harrojmë se cili ishte shkaku i kryengritjes së vitit 1979. Është e rëndësishme të kujtojmë pse miliona iranianë dolën në rrugë. Pse të gjitha këto tendenca politike kaq të ndryshme u bashkuan. Savak torturonte. Burgjet si Kasr dhe Evin ishin të mbushura. Të gjithë kundërshtarët burgoseshin në qeli ose përfundonin të ekzekutuar. Ky ishte një realitet konkret, i dokumentuar, i përjetuar nga qindra mijëra familje iraniane.
Këto fotografi janë dëshmi. Një provë materiale kundër harresës dhe kundër tundimit për të rindërtuar historinë sipas frustrimeve të së tashmes. E kaluara e idealizuar, nostalgjike e kohës së Shahut, fshin këtë realitet i cili ishte arsye të thella dhe të ligjshme për këtë kryengritje popullore.
Kjo është kujtesa që duhet të ruajmë. Jo si gjykim, por si dëshmi. Faktet ashtu siç ndodhën. Sepse kujtesa e shkurtër është ajo që lejon të harrohet pse historia ndryshoi.
Shenim: Michel Setboun është fotograf francez, i cili ka punuar për revista të njohura ndërkombëtare, si : “Geo”, “Figaro Magazine”, “New York Times”, “Life”, “Paris Match”, “Stern”. Filloi të punojë si fotograf në vitin 1978 duke mbuluar konflikte ndërkombëtare për agjencinë SIPA, si Revolucionin në Iran, Luftën për Pavarësi në Angola, Afganistan, Luftën Iran-Irak dhe me vone luftën civile në Liban. Ndersa në periudhën kohore 1985-1991, ai mbulon reportazhet per Korenë e Jugut, Shqipërine, Mongolinë dhe Rion për agjencinë RAPHO. Që nga viti 1991 punon si fotograf i pavarur.Ka marë çmimin e parë në World Press për reportazhin e tij për dy milionë refugjatët e dëbuar në Nigeri. Setboun është gjithashtu autor i librave të shumtë.
Nga Gazeta “SI” – Pedagogët e universiteteve duken sikur nuk kanë më të njëjtin rol si dikur, pasi gjithnjë e më shumë studentë po i drejtohen ChatGPT-së për të kërkuar informacione bazike mbi lëndë të ndryshme, si dhe për të ndërtuar e krijuar ese akademike apo edhe tema diplomash.
Shembulli i lëndës “Diplomacia Publike”, pjesë e fushës së studimit të komunikimit, ku me vetëm një kërkim të thjeshtë në ChatGPT mund të merren burimet kryesore të lëndës dhe shtjellime mbresëlënëse, nuk është i vetmi rast. Në ChatGPT, studentët mund të gjejnë informacione për pothuajse çdo temë, burime të cilat deri dje i merrnin vetëm nga tekstet akademike ose nga shpjegimi i pedagogut.
Pyetja që lind është: deri ku shkon ky ndikim dhe a e rrezikon realisht rolin e pedagogut?
1 në 3 nxënës të moshave 12–17 vjeç kanë përdorur ChatGPT për detyra shkollore, dhe gati gjysma e tyre e përdor pa udhëzime të qarta.
Një sondazh global zbuloi se rreth 82% e profesorëve universitarë janë të vetëdijshëm për ChatGPT dhe më shumë se 70% shqetësohen për ndikimin në mashtrim akademik.
Rreth 87% e studentëve përdorin AI për detyra akademike, dhe 90% e përdorin AI për detyra të tjera të jetës, sipas një studimi të fundit, por vetëm 34% ndihen të sigurt se e përdorin teknologjinë në mënyrë etike. Studimet tregojnë gjithashtu se universitetet shpesh nuk kanë politika të qarta rreth përdorimit të AI-së, ndërsa vetëm rreth 24–28% e institucioneve kanë udhëzime të qarta për përdorimin e ChatGPT.
Miranda Çili, pedagoge e shkencave të komunikimit në Tirana Business University, thotë për GazetaSi.al se hyrja e teknologjisë në arsim po dikton role të reja dhe përgjegjësi më të mëdha.
“Përtej debateve rreth dëmeve dhe përfitimeve të mundshme të saj, veçanërisht në fushën e arsimit, inteligjenca artificiale ka hyrë tashmë në procesin mësimor, duke u përdorur gjithnjë e më shumë si asistent digjital nga studentët, por edhe nga vetë pedagogët. Teknologjia është një ndihmesë e madhe për studentët, por edhe për pedagogët, të cilët duhet të përfitojnë nga shumëllojshmëria e burimeve dhe lehtësirave që ChatGPT-ja ofron në hartimin e kurikulave dhe detyrave që kultivojnë te studentët aftësi unike, përtej atyre që ofrojnë makinat.”
Miranda Çili
Sa i përket faktit nëse kjo metodë e re e rrezikon rolin e pedagogut tradicional, Çili vëren se gjithçka varet nga mënyra se si përdoret teknologjia.
“Po jetojmë në një kohë të drejtuar nga teknologjia, ku zhvillimet e fundit po nxisin një revolucion arsimor, duke sfiduar metodat tradicionale të mësimdhënies dhe të nxënies. Siç ka ndodhur shpesh në histori, risitë – si Google apo telefonat celularë – kanë frymëzuar njëkohësisht entuziazëm dhe skepticizëm. I tillë ishte edhe lançimi i ChatGPT-së. Ajo nuk është as e mirë, as e keqe, por mënyra se si ne zgjedhim ta përdorim përcakton nëse do të sjellë përfitime apo dëme.”
Megjithatë, ajo thekson se teknologjia po ndryshon mënyrën e të mësuarit, por jo domosdoshmërisht rolin e pedagogut.
“Fakti që ChatGPT ofron mundësi për të nxitur të nxënit e personalizuar nuk do të thotë që roli ynë bëhet i tepërt. Përkundrazi, na dikton role të reja dhe përgjegjësi më të mëdha. Rezultatet më të mira arrihen përmes një bashkëpunimi efektiv njeri–IA, duke e konsideruar atë si një mjet që shton inteligjencën njerëzore dhe jo si një zëvendësues.”
Nevoja për “prekjen njerëzore” nuk del kurrë nga funksioni
Pedagogia dhe ekspertja e komunikimit Irena Myzqeqari Hoxha shprehet për GazetaSI.al se platformat e inteligjencës artificiale kanë vënë në pikëpyetje nocionin e autentikes.
“Është e vërtetë që inteligjenca artificiale po ndryshon mënyrën se si merret dija dhe informacioni. Në pamje të parë, duket legjitime pyetja pse duhet shkolla ose pedagogu, kur informacioni mund të merret lehtësisht nga ChatGPT. Por e vërteta është më komplekse. Motorët e kërkimit dhe gjenerimit na japin informacione, por aftësia për t’i përshtatur ato në një kontekst real është ajo që e dallon individin.”
Ajo thekson se dija sot nuk është thjesht informacion, por kuptimi dhe struktura që i jepet atij.
Irena Myzeqari Hoxha
“Roli i pedagogut është pikërisht ai i përkthyesit të informacionit në kontekst. Informacioni gjendet kudo, por kjo e bën të vërtetën më të turbullt. Pedagogu nuk zhduket dhe nuk është në rrezik, sepse ne gjithmonë do të kemi nevojë për prekjen njerëzore, për formimin estetik dhe për lidhjen me realitetin institucional dhe social.”
Në përfundim, Myzqeqari Hoxha thekson se nevoja për njeriun si udhëheqës – në këtë rast pedagogun – do të jetë e përhershme.
“Motorët e kërkimit janë thjesht një tullë më shumë për ta bërë kërkimin më cilësor. Ata nuk mund të zëvendësojnë kurrë një pedagog. Kreativiteti dhe gjykimi njerëzor janë të pazëvendësueshëm.”
Përtej debateve që risitë teknologjike sjellin, pyetja kryesore mbetet nëse njeriu do të arrijë ta komandojë këtë proces apo do të kontrollohet prej tij. Edhe pse trendet aktuale anojnë drejt një varësie të tepruar nga ChatGPT, shpresa mbetet që njeriu të rikthehet te analiza dhe kërkimi individual, në mënyrë që paralajmërimi i famshëm i Ajnshtajnit për një “brez idiotësh” të mos bëhet realitet.
Gazeta “SI”- Një nga kryeveprat më të rëndësishme të Gioachino Rossinit, Petite Messe Solennelle, do të prezantohet për herë të parë në Shqipëri si premierë absolute më 25 janar, ora 19:00, në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, në bashkëpunim me Ansamblin Popullor.. Ky shënon një moment të veçantë për repertorin vokal-simfonik të institucionit dhe për jetën muzikore në vend.
E kompozuar në vitin 1863, Petite Messe Solennelle i përket periudhës së vonë krijuese të Rossinit dhe përfaqëson një vepër me karakter të theksuar sakral, por me një gjuhë muzikore të qartë dhe të përmbajtur. Struktura e saj ndjek formën tradicionale të meshës katolike, ndërsa muzika ruan tipare të stilit të autorit, pa iu larguar natyrës liturgjike të veprës. Edhe pse titulli i referohet një “meshe të vogël”, vepra ka një shtrirje të gjerë dhe kërkon një angazhim të konsiderueshëm interpretues.
Në këtë premierë marrin pjesë solistë të njohur: soprano Svetlana Aksenova, mezosoprano Enkeleida Shkoza, tenor Klodjan Kaçani dhe bas Rubén Amoretti, të cilët do të interpretojnë partet solistike të veprës. Interpretimi mbështetet gjithashtu në një bashkëpunim të rëndësishëm mes Korit të Filarmonisë së Kosovës dhe Korit të TKOBAP-së, nën drejtimin e dirigjentëve të korit Hajrullah Syla dhe Dritan Lumshi.
Në aspektin orkestral, vepra do të interpretohet nga Orkestra Simfonike e TKOBAP-së, nën drejtimin e maestros Facundo Agudin. Ky bashkëpunim mes solistëve, korit dhe orkestrës synon një lexim të qartë dhe të balancuar të veprës, duke respektuar karakterin e saj sakral dhe kërkesat stilistike të kompozitorit.
Kjo premierë absolute ofron për publikun shqiptar mundësinë për të njohur nga afër një vepër themelore të repertorit të shekullit të 19-të.
Gazeta “SI”- Publikimi online i Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe është pasuar nga një varg kritikash për mënyrën se si ky fjalor ka implementuar fjalët e reja, por kryesisht për mënyrën e shtjellimit të tyre.
Një ndër fjalët që krijoi një sërë reagimesh në rrjetet sociale ishte fjala “bythadritë”, e cila vinte si sinonim i xixëllonjës dhe që ka shkaktuar jo pak diskutim mes grupeve të interesit.
Po ashtu, fjala e huazuar nga italishtja “abandonim”, e përfshirë tashmë në fjalorin online, i cili përmban rreth 125 mijë fjalë, ka qenë objekt debatesh.
Kritika nga vetë akademikët
Përpos kritikave masive nga individë që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me fjalorin, ajo që bie në sy është reagimi i Ardian Ndrecës dhe Ardian Vehbiut, të dy tashmë pjesë e Akademisë së Shkencave, të cilët vënë në dukje mangësitë e këtij fjalori.
Në një reagim në rrjetin e tij social Facebook, profesori i filozofisë në Universitetin Urbaniana të Romës, Ardian Ndreca, vë në dukje varfërinë e shtjellimit të fjalëve që i përkasin kryesisht fjalorit të filozofisë.
“Ajo që më bën përshtypje është varfëria që karakterizon shtjellimet e skajeve me natyrë filozofike.
Sigurisht që fjalori i shqipes nuk është një fjalor filozofie, por për aq sa përmban skaje me ngjyrime apo me përdorim parësor filozofik, duhet të ishte strukturuar në mënyrë të qartë, me nuancat minimale disiplinore që i përkasin koncepteve në fjalë dhe me dallimet mes asaj që është shkencore dhe asaj që është ideologjike.
E keqja është se leksikografët tanë (por nuk është faji i tyre) ndër dekada kanë pasur vetëm një formim ideologjik dhe kanë pasqyruar nocionet filozofike në atë dritë në të cilën ata vetë janë formuar”, shkruan Ndreca.
Ndërkohë, ai merr në shqyrtim termin transhendencë, duke u shprehur se shtjellimi në fjalor është krejt i kundërt me kuptimin e saktë të tij.
Ardian Ndreca
“Transhendencë: ‘të qenët përtej kufijve të përvojës a të mendimit njerëzor’; në fakt është krejt e kundërta. Transhendenca nuk është përtej mendimit njerëzor, por përtej mundësisë së njohjes racionale të diçkaje që për ne nuk paraqitet si një fenomen që mund të kapet prej shqisave. Por, ndërkaq, transhendenca mbetet një objekt legjitim i mendimit njerëzor. Nuk them se mund ta kishin shpjeguar në detaj, do të mjaftonte të mos e kishin shpjeguar gabim.”
Po ashtu, Ndreca vijon me përcaktimin dhe shtjellimin e fjalës “person”, e cila sipas fjalorit të ri shpjegohet: “njeriu si individ, njeri, vetë”.
“Skaji individ shenjon një frymor të plotë (të pandashëm më tej) në këndvështrimin lëndor, kurse person është një qenie racionale e pajisur me vetëdije dhe me vullnet; personi është i aftë të krijojë objektiva që nuk ekzistojnë si të tilla në natyrë dhe t’i realizojë ato edhe me mjete jo natyrore. P.sh., po të marrim një kalorës mbi kalë: kemi dy individë dhe vetëm një person. Individët i numërojmë, kurse personat i trajtojmë si të tillë, u njohim dinjitetin, të drejtat, vullnetin, lirinë etj.”
Ai e mbyll reagimin e tij duke ironizuar edhe hartuesit e Fjalorit të Madh:
“Gjithsesi urime atyre që kanë punuar me seriozitet, sepse në fund të fundit, kur institucioni të jetë çliruar prej mediokritetit që e ka zaptuar, do të mund të punohet më mirë, duke pasur parasysh edhe këtë ‘fjalor të madh’, që ka në vetvete brumë të mirë, i cili nuk identifikohet tout court me institucionin e sotëm, por me gjenerata punëtorësh të leksikografisë sonë.”
Ardian Vehbiu: Një fjalor serioz nuk mund t’ia lejoje vetes inkonsistencën
Ndërkohë, një tjetër zë që i adreson kritikat ndaj fjalorit është gjuhëtari dhe shkrimtari Ardian Vehbiu, gjithashtu pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Vehbiu, në shtjellimin e tij të publikuar në “Peizazhe të fjalës”, merr si shembull shpjegimin dhe përcaktimin e veglave muzikore dhe vë në dukje mangësitë në shpjegimin terminologjik të tyre.
“Për violinën dhe violonçelin thuhet se janë ‘vegla me tela’ dhe që ‘u bihet me hark’; por kjo specifikë mungon për kontrabasin, i cili përkufizohet thjesht si violonçel më i madh. Për flautin thuhet se ka trajtën e një fyelli; madje edhe se ka katërmbëdhjetë vrima; ndërsa për oboen sqarohet se ‘fryhet përmes një fryrësi me dy kallama’, ‘që prodhon tinguj shumë shprehës, melodikë, të hollë dhe të mprehtë’.
Klarineta prezantohet si ‘e ngjashme me fyellin’. Saksofoni jepet si vegël frymore ‘prej tunxhi’, trumbeta si vegël muzikore frymore ‘prej bronzi’ dhe tromboni ‘vegël muzikore frymore prej metalit’. Kornoja franceze është dhënë si bri (zgjedhje e diskutueshme). Pjesa ku vihen buzët quhet sipas rastit pipëz dhe pipth. Në përkufizime jepen ndonjëherë hollësi të panevojshme për këtë lloj fjalori…”
Mospërfshirja e disa fjalëve apo futja e disa të tjerave në fjalor, sipas Vehbiut, nuk është kusht i domosdoshëm, së paku për sa i përket grupimit të veglave muzikore. Por kjo mënyrë, sipas tij, krijon një precedent që mund të ndikojë edhe në grupime fjalësh më të rëndësishme.
Ardian Vehbiu
“Gjithnjë në parim, nuk ka fjalë shqipe që duhet mbajtur me çdo kusht jashtë një fjalori, dhe po ashtu fjalë që duhet futur me çdo kusht. Por asnjë fjalor serioz nuk duhet t’ia lejojë vetes inkonsistencën, sepse kjo tregon, në rastin më të mirë, ngutje, dhe në rastin më të keq, bashkërendim të pamjaftueshëm të punës brenda ekipit.” shkruan Ardian Vehbiu
Fjalë të reja, shtjellime të “vjetra”
Ajo që kuptohet nga reagimet e dy personaliteteve të fushës, si Ardian Ndreca dhe Ardian Vehbiu, është se ky fjalor lë për të dëshiruar jo vetëm në përzgjedhjen e fjalëve, por veçanërisht në mënyrën se si ato janë shtjelluar në shpjegimet përkufizuese.
Shumë fjalë shpjegohen aq shkurt dhe në mënyrë kaq skematike, sa e humbet edhe misionin e tekstit shpjegues, i cili në vetvete duhet të shërbejë si “dekodues” i fjalës, edhe kur ajo është e panjohur për përdoruesin.
Gjuhëtarët nuk duhet domosdoshmërisht të jenë edhe shkrimtarë apo krijues, por në Shqipëri, për shkak edhe të një trashëgimie marksiste, Fakulteti i Gjuhë-Letërsisë nuk është parë vetëm si një institucion që formon gjuhëtarë apo studiues të letërsisë, por edhe shkrimtarë.
Për këtë arsye, shkrimtarët që kanë njohje të thella gjuhësore, si rasti i Ardian Vehbiut, janë të shumtë në Shqipëri. A nuk do të ishte e udhës që ky grup shkrimtarësh, të cilët janë edhe gjuhëtarë me formim akademik, të ishin pjesë e hartuesve, duke pasur si procedurë të veçantë vetëm pjesën shtjelluese të fjalëve?
Në këtë mënyrë, këto fjalë, edhe pse të reja dhe herë-herë të çuditshme, do t’i vinin lexuesit më të latuara, më lakonike, e jo kaq skematike dhe herë-herës edhe qesharake.
Gazeta “SI”- Përkthyesi dhe studiuesi i shquar Pashko Gjeçi u nda nga jeta si sot, 15 vite më parë, më 21 janar 2010. I njohur për përkthimet e tij skrupuloze të kryeveprave të letërsisë botërore, si “Komedia Hyjnore” e Dante Alighierit dhe “Odisea” e Homerit, Gjeçi mbetet një nga figurat më të rëndësishme të përkthimit letrar në shqip. Në këtë përvjetor të ndarjes së tij nga jeta, sjellim një dëshmi të rrallë nga Dashnor Kokonozi, marrë vetë nga Pashko Gjeçi pak vite përpara se të ndërronte jetë.
Historia e dhimbshme e Pashko Gjeçit
Nuk do të shpreheshim fare gabim po të thonim se janë të pakët ata intelektualë shqiptarë apo dhe njerëz të letrave të cilët e dinë se përkthyesi i famshëm i “Komedisë Hyjnore”, që përbën një prej kryeveprave të letërsisë botërore, apo më saktë njeriu i cili e bëri Dante Aligerin dhe Homerin të “flisnin shqip”, quhet Pashko Gjeçi. Gjithashtu nuk do ta tepronim aspak po të shtonim përsëri se janë të pakët ata shqiptarë që e dinë se ai njeri, është ende gjallë, sa vjeç është dhe se ku jeton.
Madje për t’i dhënë fund këtyre hamëndjeve dhe për t’i qëndruar asaj çka thamë më lart, flet dhe ky fakt: Profesorin e famshëm të lauruar për Filozofi e Letërsi në Universitetin e Romës, ish shokun e bankës të Qemal Stafës, nxënësin e Padër Gjergj Fishtës, kolegun e mikun e ngushtë të Eqerem Çbabejt, Henerik Lacajt, Mark Demës dhe Fejzi Dikës, nuk e njihnin as banorët e shkallës së tij, ndonëse prej më shumë se 20-vjeësh ai jeton së bashku me zonjën e tij në atë apartament fare të vogël, në katin e parë tek “Shallvaret”.
Të habitur nga portreti dhe fiziku që na u shfaq në aparencën e njeriut që na uroi mirseardhjen, as nuk e kishim menduar kurrë se ai për të cilin interesoheshim dhe kishim përfytyrime nga më të çuditëshmet, ishte vetë Pashko Gjeçi që po takohej me ne! Pas prezantimit dhe duke i treguar qëllimin e vizitës sonë, Pashko Gjeçi na u përgjigj jo pa humor: “Të jeni të sigurtë se do ju dëftoj çfarë më kujtohet”.
Në bankë me Qemal Stafën
Pashko Gjeçi u lind në vitin 1918 në qytetin e Shkodrës dhe familja e tij në atë kohë banonte tek “Arra e madhe”. Babai i Pashkos quhej Gaspër dhe në atë kohë ai kishte hapur një dyqan të vogël fare pranë shtëpisë së tij, me të cilin siguronte jetesën. Pas vdekjes së babait dhe një motre të vogël të quajtur Nikolina, Pashko mbeti vetëm me nënën e tij dhe motrën tjetër Margaritën. Pasi mbaroi shkollën fillore me rezultate shumë të mira, ai u regjistrua në Kolegjin e Jezuitëve, të cilën nuk arriti ta mbaronte pasi në atë kohë u mbyllën shkollat fetare. Lidhur me këtë, Pashko Gjeçi dëshmon: “Pas mbylljes së Kolegjit të Jezuitëve të gjithë ne vazhduam mësimet në gjimnazin klasik të shtetit po në qytetin tonë të Shkodrës.
Në atë kohë unë kisha shok të ngushtë Qemal Stafën me të cilin rrinim në një bankë. Po kështu përveç Qemalit, në klasën tonë kishim dhe Nikolla Shurbanin, Xhemal Brojën, Kol Ashtën, Arshi Pipën dhe Lazër Radin, me të cilët gjithashtu kam pasur një shoqëri të madhe. Qemal Stafa dhe Arshi Pipa dallonin nga të gjithë ne shokët e klasës për zgjuarsi dhe inteligjencë, e Qemali ka qenë nxënësi më i mirë që kam njohur në jetën time. Ndërsa unë shkëlqeja kryesisht në lëndën e letërsisë pasi që i vogël isha i dhënë pas sajë, isha shumë i dobët në vizatim të cilat m’i bënin të tjerët e unë i dorzoja si të miat. Në atë kohë mësuesi që kishim më përzemër unë dhe Qemali, ishte Pashko Geci, i cili na jepte greqishten e vjetër dhe latinishten.
Në fillim ai më kishte në patronazh vetëm mua për të më mësuar greqishten e vjetër, por më duke më pasur mua shok të ngushtë, dolën vullnetarë dhe Qemali me Nikolla Shurbanin e të tre arritëm ta mësonim atë gjuhë. Profesor Pashko Geci, m’i blinte librat dhe për të mos më ofenduar se nuk kisha lekë t’ia paguaja, m’i fiste në bankë. Pak kohë para mbarimit të Liceut, Qemali u largua nga klasa jonë se familja e tij u transferua në Tiranë”, kujton Pashko Gjeçi vitet e gjimnazit klasik të Shkodrës ku mësonte së bashku me Qemal Stafën.
Student i Filozofisë në Romë
Pas mbarimit të gjimnazit klasik të Shkodrës me rezultate shumë të mira, në vitin 1938 Pashko Gjeçi fitoi një të drejtë studimi për të ndjekur studimet e larata në Itali. Lidhur me këtë ai kujton:
” E drejta e studimit për në Itali m’u dha vetëm në sajë të rezultateve që kisha arritur në gjimnazin e shtetit dhe Ministria e Arsimit më akordoi vetëm një bursë shumë të vogël që mezi mund t’i përballoje nevojat e jetesës. Por unë nuk kisha rrugë tjetër dhe isha mjaft i kënaqur që do të shkoja të studjoja në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Romës. Këtë kënaqësi ma shtonte më tepër fakti se bashkë me mua ishin dhe Kol Ashta, Lazër Radi e Luigj Ljarja. Gjatë asaj periudhe që vazhdoja studimet në Romë, unë fillova përsëri të përktheja nga latinishtja apo të shkruaja ndonjë poezi të vogël.
Poezinë dhe përkthimet i kisha pasion që nga bankat e Liceut të Shkodrës dhe ato që shkruaja i botoja në revistën “Cirka” apo “Shkëndia”. Më kujtohet se asokohe unë pata shkruar dhe një artikull për Padër Gjergj Fishtën lidhur me “Lahutën e Malsisë”, të cilën ma botuan në “Hylli i Dritës”. Pasi doli revista unë së bashku me disa shokë të tjerë shkuam dhe ia çuam Padër Gjergjit në studion e tij. Pasi e pa artikullin, Padër Gjergji pyeti: “Kush është ky që paska shkruar për mua?” Ndërsa unë qëndroja pa folur dhe i turpshëm në fund të dhomës e shokët i treguan se isha unë, ai tha: “Ajo grimca atje paska shkruar gjithë këtë artikull?” Kështu dëshira dhe pasioni që kisha për poezinë e përkthimet, nuk mu shua as në Itali dhe ato që shkruaja i nisja për t’i botuar në Shqipëri.
Fakultetin e Filozofisë dhe Letërsisë e përfundova në vitin 1943 me rezultate të larta dhe mora gradën Doktor i Shkencave. Nisur nga ato rezultate mua më ofruan që të qëndroja si asistent profesor pranë atij Fakulteti, por unë refuzova dhe u ktheva në Shqipëri. Dëshirën për t’u kthyer në Shqipëri ma nxiti akoma dhe më shumë ish-Ministri i Arsimit, Ernest Koliqi, i cili në atë kohë kishte ardhur në Itali për të marrë pjesë në ceremoninë e dorzimit të diplomave tona. Koliqi më tha: “Kthehu në Shqipëri të japësh kontributin tënd”, kujton Pashko Gjeçi lidhur me diplomimin e tij në fakultetin e Filozofisë në Romë, ku i ofruan të qëndronte si asistent-profesor.
Kthimi në Shqipëri e burgosja
Pas diplomimit në Itali, në vitin 1943 Pashko Gjeçi u kthye në Shqipëri dhe Ministria e Arsimit e asaj kohe e emëroi si profesor të letërsisë dhe latinishtes në gjimnazin e Shkodrës, ku ai kishte qenë vetë nxënës pak vite më parë. Edhe gjatë kësaj periudhe e deri në mbarimin e luftës, përveç mësimdhënies në atë gjimnaz, Pashko u muar përsëri me përkthime të cilat i sillte dhe i botonte në Tiranë në revistën “Shkëndia”.
Pas ardhjes së komunistëve në pushtet, Pashko vazhdoi të jepte mësim pranë atij gjimnazi deri nga mesi i vitit 1945 dhe më pas ai u transferua në qytetin e Durrësit, ku do të fillonte dhe kalvari i vuajtjeve të tij. Lidhur me këtë, Pashko Gjeçi dëshmon: “Gjatë asaj kohe që punoja si mësues i letërsisë në qytetin e Durrësit, unë kisha miqësi të ngushtë vetëm me familjen e Jusuf Vrionit, të cilët si shumë familje të tjera nga Tirana i kishin internuar atje. Në atë kohë përveç mësimdhënies, isha zgjedhur dhe kryeja edhe funksionin e Kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve për degën e Durrësit.
Nuk e di se si ndodhi, por mbaj mënd se atje më arrestuan, gjoja si i implikuar në një organizatë e cila kishte për qëllim të përmbyste më dhunë pushtetin komunist në Shqipëri. Kjo gjë ishte e gjitha e sajuar nga Sigurimi i Shtetit, ashtu si dhe ajo organizatë për të cilën akuzohesha se bëja pjesë, pasi unë nuk isha marrë asnjëherë me politikë. Në atë kohë përpara meje arrestuan dhe Arshi Pipën po me të njëjtën akuzë siç më kishin arrestuar mua. Gjyqi më dënoi me pesë vjet burg të cilat i bëra kryesisht në Durrës dhe në kënetën e Maliqit ku na dërgonin muajt e verës. Puna atje ishte tepër e rëndë dhe cfilitëse, por unë munda ta përballoja atë dhe gjithë burgun, pasi isha i ri”, dëshmon Pashko Gjeçi, lidhur me arrestimin e tij dhe dënimin me pesë vjet burg, akuzë e cila ishte krejtësisht e sajuar nga Sigurimi i Shtetit.
Përkthimi i Dantes e Homerit
Pas lirimit nga burgu, Pashko Gjeçi u kthye në qytetin e tij të lindjes në Shkodër, ku e priste nëna dhe motra. Lidhur me këtë periudhë ai dëshmon: “Si ish i burgosur politik e kisha të pamundur që të filloja punë si mësues dhe në atë kohë mezi u rregullova në një punë krahu. Pas dy tre vjetëve në atë punë, më lejuan që të largohesha nga vëndlindja ime dhe më sollën në qytezën e vogël të Fushë-Krujës, ku u emërova si mësues në shkollën shtatëvjeçare. Në atë shkollë ku unë dhashë mësim për tre vjet me rradhë, ishim gjithsej katër mësues dhe aty unë vendosa që të përktheja poetin e famshëm italian Dante Aligerin, poezitë e të cilit unë kisha filluar që t’i përktheja që kur isha 17-vjeç në bankat e Liceut të Shkodrës. Që nga ajo kohë përveç Dantes, unë kisha dobësi edhe për Leopradin dhe Safon, poezitë e të cilëve i mbaja gjithnjë me vete. Përkthimin e “Komedisë Hyjnore” të Dantes, unë e mora përsipër për arsye se ai ishte përkthyer edhe në Bashkimin Sovjetik, e përkthyesit të saj i ishte dhënë çmimi “Stalin”.
Për përkthimin e saj unë shfrytëzoja orët e para të mëgjezit para se të fillonte mësimi dhe çdo ditë hidhja në letër nga katër vargje në gjuhën shqipe. Disa prej këtyre vargjeve, në mos gaboj ato të “Ferrit”, unë ia tregova mikut tim të ngushtë Llazar Siliqit, i cili i botoi menjëherë në revistën “Nëntori”. Ndonëse ato u pëlqyen mjaft dhe u vlersuan nga shumë njerëz dashamirë, kritika e asaj kohe heshti, sepse nuk mund të shkruante për një ish të burgosur politik. Meqënse i kisha vënë detyrë vetes që ta përktheja me çdo kusht Danten, vazhdoja të punoja çdo ditë dhe kishte raste që për një varg më duhej tre katër ditë punë. Pasi kisha përkthyer mijra vargje në ato tre vjet, katër vargjet e fundit i kam përkthyer një ditë të shtunë kur tre kolegët e mi kishin shkuar në Tiranë. Ato i mbarova aty rreth orës katër të mëgjezit dhe kur i mbarova, mu duk se u hap dera e prej aty doli Dantja e më la vetëm”, kujton Pashko Gjeçi atë çast kur mbaroi së shkruari në shqip një nga kryeveprat e letërsisë botërore, “Komedinë Hyjnore” të Dante Aligerit.
Vlerësimi nga Enver Hoxha
Pasi e mbaroi së përkthyeri poetin e famshëm italian, Pashko Gjeçi u konsultua me mikun e tij të ngushtë Llazar Siliqi, i cili i sugjeroi që t’i bënte një letër Enver Hoxhës, ku t’i parashtronte të gjitha problemet që kishte. Për këtë Pashko Gjeçi kujton: “Në atë kohë i shkrova një letër Enver Hoxhës, ku i bëja të ditur se kisha në dorë përkthimin e “Komedisë Hyjnore” të Dante Aligerit dhe se për përfundimin e saj kisha nevojë që të studjoja në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë dhe të konsultohesha me kolegë e studjues, për t’u marrë mendimet. Pas asaj letre Enver Hoxha dha urdhër që unë të transferohesha në Tiranë, ku të më bëhej dhe pashaportizimi. Kur erdha në Tiranë, në fillim qëndrova tek familja e djalit të xhaxhait, Ernest Gjeçit dhe më pas mora një dyqan të vogël me qera aty prapa Lidhjes së Shkrimtarëve, të cilin e adaptova për banesë. Në atë kohë me ndihmën e Llazar Siliqit, Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” e botoi të plotë përkthimin tim “Komedia Hyjnore”.
Pas asaj pata përgëzime të shumta nga miq e shokë, siç ishin profesori im Pashko Geci, Mark Dema, Henerik Lacaj dhe sidomos nga profesor Eqerem Çabej, i cili më vinte shpesh në shtëpi”, kujton Pashko Gjeçi lidhur me peripecitë që kaloi për të botuar përkthimin e Dantes, që u bë i mundur vetëm në sajë të ndërhyrjes së Enver Hoxhës. Pasi “Komedia Hyjnore” pa dritën e botimit në gjuhën shqipe, Pashkon e sistemuan me punë si profesor në Universitetin e Tiranës, ku ai dha lëndën e latinishtes deri sa ajo u hoq nga programi mësimor në fillimin e viteve 70-të. Në atë kohë Pashkon e dërguan si redaktor në Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor, ku ai dhe doli në pension në vitin 1977. Nga ajo kohë ai kujton me respekt miqësinë me kolegun Llazar Siliqi, por dhe atë me nxënësin e tij Pëllumb Xhufi, për të cilin shprehet: “Ka kenë një nga nxënësit më të mirë dhe më të sjellshëm që kam pasur”.
Për kontributin që Pashko Gjeçi kishte dhënë në përkthimin në gjuhën shqipe të dy prej kryeveprave të letërsisë botërore, në vitin 1979 me porosoi nga lart u urdhërua Komiteti Ekzekutiv, që t’i jepte atij një apartament banimi. Por gabimisht autorizimi i shtëpisë iu dërgua Pashko Gecit, i cili hyri në shtëpinë e re. Kur shkuan për t’i kërkua falje Pashkos për gabimin e bërë, ai iu tha: “Le ta gëzojë Pashko Geci atë shtëpi dhe nuk bën me ia marrë, sepse ai ka kenë profesori im ma i mirë”. Që nga ajo kohë, kur Pashko Gjeçi refuzoi të merrte shtëpinë, që gabimisht ia kishin dhënë ish-profesorit të tij, ai banon aty në atë apartament të vogël, (tip bodrumi) tek “Shallvaret” dhe pret që të shohin dritën e botimit disa nga përkthimet e tij, si “Fausti” i Gëtes, “Hamleti” i Shekspirit, “Andromaka” e “Atalia” të Rasinit, të cilat ai nuk i kujton se kujt ia ka dhënë për botim.
Ferrparajsa e Pashko Gjeçit
Përkthimi ka qënë kurdoherë ai i thjeshti, që s’i gjendej muzë në Parnas që t’i bëhej krah. Në këtë formë ka ardhur dhe Dantja në gjuhën shqipe. Me sa duket çdo njeri që pas lë një emër të mirë ka një fat të çiditshëm. Kur e arrestuan më 4 shtator të vitit 1947, ” për fajin pjesëmarrje në grup kundër pushteti”, Pashko Gjeçin e kyçën për tre muaj në një dhomë izolimi. Me tu mbyllur porta metalike, pas shpinës së tij drita mbeti përjashta. Në ditët e para, i mbështjellë nga kundërmimi i lagështirës nuk arrinte të përceptonte hapësirën. Kurr terri nisi ta mbështjellë, endi me emër shpirtërat e ferrit. Edhe pse jo plotësisht e botur, vepra e përkthyer e Pashko Gjeçit nuk shkohet lehtë nëpër duar. Madje edhe vetë Noli nuk mori përsipër të përkthente Danten. Nasho Jorgaqi thotë se “i bërë propozim Nolit por ai nuk e mori përsipër”. E ndërsa Pashko Gjeçi e shqipëroi nga qelitë e ferrit të diktaturës komuniste.
Gazeta “SI”- Festivali Folklorik Kombëtar i cili tradicionalisht është mbajtur në Gjirokastër, pati një vit i cili ndryshoi destinacion. Në vitin 1995 ai u zhvillua në qytetin e Beratit në vitin 1995 për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme historike dhe shoqërore në Shqipëri në atë periudhë.
Arsyeja kryesore për zhvendosjen në Berat ishte periudha pas përfundimit të regjimit komunist dhe transformimet revolucionare në vend. Pas rënies së monizmit dhe ndryshimeve të thella politike dhe sociale në Shqipëri në fillim të viteve ’90, festivali që zakonisht mbahej në Kalane e Gjirokastrës u zhvendos për një edicion në kalanë e qytetit të Beratit në vitin 1995.
Berati u zgjodh si një tjetër qytet me vlera historike dhe arkitektonike të theksuara edhe ai i përfshirë në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, sikurse Gjirokastra, duke i dhënë festivalit një ambient të përshtatshëm kulturor për të vazhduar traditën folklorike në një kohë ndryshimesh të mëdha në vend.
Deri në vitin 1991, Shqipëria ishte një shtet komunist totalitar nën drejtimin e PPSH-së dhe më parë të Enver Hoxhës. Kultura, arti dhe veprimtaria folklorike shpesh shërbenin si mjet ideologjik i shtetit për të promovuar “vlerat popullore” brenda kuadrit të ideologjisë socialiste. Festivali i Gjirokastrës u krijua dhe u zhvillua si pjesë e këtij sistemi kulturor-politik, duke synuar jo vetëm ruajtjen e folklorit, por edhe përforcimin e identitetit të shtetit socialist dhe një narrative kombëtare që lidhej me figurën e Enver Hoxhës. Pas shembjes së komunizmit në Shqipëri në vitin 1991, vendi hyri në një periudhë të gjatë tranzicioni politik, ekonomik dhe shoqëror, ku transformime të mëdha ndodhën në institucionet publike, financimin kulturor, marrëdhëniet me botën e jashtme dhe identitetet kombëtare.
Festivali folklorik, si një nga ngjarjet më të mëdha kulturore në vend, u ndikua nga këto ndryshime të thella, dhe kjo ndikoi drejtpërdrejt vendin dhe mënyrën e organizimit të tij.
Për herë të parë në Kalanë e Beratit, nga 20 deri më 25 shtator të vitit 1995, u zhvillua Festivali Folklorik Kombëtar. Pas pothuajse shtatë vjetësh nga festivali folklorik i mëparshëm, edicioni i Beratit nuk ishte vetëm një festival i rradhës. Akumulimi dhe paraqitja e lëndës folklorike tejkaloi pritshmëritë më entuziaste dhe përligji interesin e madh popullor rreth tij. Në këtë edicion theksohet pjesëmarrja për herë të parë, krahas grupeve shtetërore të shtëpive të kulturës në rrethe, edhe e grupeve folklorike joshtetërore, të cilat nisën rrugën e tyre në skenë si të tilla. Ndër to përmenden shoqëria kulturore “Elena Gjika” nga Përmeti dhe grupi folklorik “Çamëria”, duke i dhënë festivalit një dimension më të gjerë dhe duke shënuar një hap të rëndësishëm në zhvillimin e folklorit shqiptar jashtë strukturave shtetërore.
Zgjedhja e Beratit si vend i Festivalit ishte një përpjekje për të ruajtur ngjarjen në një ambient historik dhe kulturor të rëndësishëm, duke reflektuar nevojën për përshtatje me një mjedis të ri demokratik dhe ekonomik.
Ky ndryshim destinacioni ishte gjithashtu një përpjekje e qeverisë së djathtë të asaj kohe për të zhvendosur vëmendjen nga Gjirokastra, e cila kishte qenë më parë zgjedhur si vendmbajtës i festivalit për arsye se Enver Hoxha ishte nga ky qytet. Ishte një shkëputje nga ideologjia komuniste dhe një përpjekje për të krijuar një qendrim më të pavarur dhe demokratik, duke i hequr Gjirokastrës të drejtën ekskluzive për organizimin e festivalit.
Festivali i vitit 1995 shënoi gjithashtu një shkëputje nga kalendari tradicional, duke u zhvilluar në vitin 1995 në vend të vitit 1993, siç do të pritej.
Pas këtij edicioni të veçantë, festivali u rikthye në Gjirokastër në vitin 2000, ku mbahet kryesisht çdo pesë vjet, duke ruajtur lidhjen e tij me qytetin muze të Gjirokastrës dhe duke u bërë sërish simbol i trashëgimisë kulturore shqiptare.
Gazeta “SI”- Më 19 janar 1732, Kisha Arbëreshe në Kalabri çeli dyert e Kolegjit të Shën Adrianit, një institucion me rëndësi të jashtëzakonshme për ruajtjen e identitetit dhe kultivimin e vlerave shpirtërore, kulturore dhe etnike të arbëreshëve. Ky kolegj u themelua me mbështetjen e drejtpërdrejtë të Papa Klementit XII dhe pati si mision përgatitjen e klerit shqiptar të ritit lindor bizantin, që do të shërbente në kishat arbëreshe dhe, në mënyrë ideale, edhe në Shqipëri.
Kolegji u bë shpejt vatër shpirtërore dhe kulturore, ku ruhej dhe kultivohej gjuha, feja dhe identiteti arbëresh. Ai luajti një rol vendimtar në përgatitjen e intelektualëve që më vonë do të lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë, letërsinë dhe kulturën shqiptare. Midis emrave më të shquar që studiuan dhe u formuan aty janë Jeronim De Rada, Jul Variboba, Zef Serembe, Domenico Mauro, si dhe Markianò, Luigj Gurakuqi, Aleksandër Xhuvani, Kolë Kamsi dhe shumë të tjerë.
Një moment i rëndësishëm në jetën akademike të kolegjit ishte krijimi i katedrës së parë të gjuhës shqipe më 1849, nën drejtimin e Jeronim De Radës, që shënoi institucionalizimin e studimit të shqipes jashtë Shqipërisë dhe thellimin e lidhjeve kulturore midis arbëreshëve dhe atdheut të tyre. Kjo katedër bëri që gjuha shqipe të trajtohej me seriozitet akademik dhe të kultivohej ndër breza, duke ruajtur trashëgiminë gjuhësore të komunitetit.
Jeronim De Rada
Biblioteka e pasur e kolegjit dhe aktiviteti pedagogjik i vazhdueshëm e bënë këtë institucion një urë lidhëse mes kulturës shqiptare dhe italiane. Për më shumë se dy shekuj, deri në mbylljen e tij përfundimtare në vitin 1919, Kolegji i Shën Adrianit përgatiti mbi 100 intelektualë dhe klerikë shqiptarë, duke u konfirmuar si një nga institucionet më të rëndësishme për emancipimin kulturor dhe arsimor të diasporës shqiptare.
Zef Serembe
Rëndësia e këtij kolegji nuk qëndron vetëm tek edukimi i brezave të rinj, por edhe tek roli i tij në ruajtjen e një identiteti të veçantë, në promovimin e arsimit dhe kulturës, dhe në mbajtjen gjallë të frymës arbëreshe në shekuj. Ai përfaqëson një shembull të shkëlqyer të lidhjes së edukimit me kulturën dhe me dashurinë për atdheun, duke mbetur një pikë referimi për të gjithë historinë e arbëreshëve në Itali.
Gazeta “SI”- Më 19 janar përkujtohet poeti arbëresh Luigj Petrosi, një figurë kyçe e letërsisë dhe folklorit arbëresh, i njohur kryesisht për publikimin e këngës së njohur “O e bukura more”. Petrosi jetoi në një kohë kur komunitetet arbëreshe në Itali ruanin me fanatizëm gjuhën, traditat dhe këngët e tyre, si lidhje të ngushtë me atdheun e largët. Ai e kuptoi rëndësinë e ruajtjes së këngëve popullore jo vetëm si dokumente folklorike, por si pjesë të identitetit kulturor dhe historik të arbëreshëve. Përmes punës së tij, kënga “O e bukura more” mori jetë , duke kaluar nga tradita gojore në literaturë dhe duke u bërë një dokument i qëndrueshëm kulturor.
Kënga “O e bukura more” ka rrënjë të thella historike. Sipas filologut arbëresh Dhimitër Kamarda, kjo këngë ka origjinën tek arbëreshët e Italisë, të cilët u detyruan të largohen nga trojet e tyre në atë që njihet si Morea, sot pjesë e Peloponezit të Greqisë. Kamarda shpjegon se emri “More” nuk i referohet një personi apo vajze të bukur, por është toponimi i një treve të madhe historike nga ku u larguan shumica e arbëreshëve që sot jetojnë në Itali. Ai e dokumentoi për herë të parë tekstin e këngës në librin e tij të botuar në vitin 1866, “Appendice al Saggio di Grammatologia Comparata sulla Lingua Albanese”, duke ruajtur versionin origjinal popullor me ritëm tresh, që deri atëherë ishte transmetuar vetëm gojarisht ndër breza.
Kjo këngë nuk është thjesht një krijim muzikor; ajo memorizon kujtesën e madhe të një atdheu të humbur dhe ka kënduar për më shumë se 600 vjet si një këngë e mërgimtarëve. Përmes saj, arbëreshët dhe arvanitasit e Greqisë ruajnë lidhjen shpirtërore me trojet e tyre të dikurshme. Interpretimi i jashtëzakonshëm i artistëve italianë si Lavinia Mancusi dhe Gabriele Gagliarini e ka bërë këtë këngë të njohur dhe të dashur për publikun edhe jashtë komunitetit arbëresh.
Merita e Luigj Petrosit qëndron në faktin se ai e publikoi këngën duke e shkruar dhe duke ruajtur emocionet dhe ndjeshmërinë e saj, dhe kështu i siguroi një jetë të përjetshme në letërsinë e shkruar.
Kujtimi i Petrosit është një kujtim i të gjithë komunitetit arbëresh, i cili përmes “O e bukura more” gjen një zë të përbashkët për mallin, dashurinë dhe krenarinë për origjinën e tyre. Kënga është bërë simbol i identitetit arbëresh dhe i trashëgimisë kulturore që ka kaluar brez pas brezi, duke lidhur historinë, ndjenjën dhe artin në një krijim të përjetshëm
Gazeta “SI” – Në një njoftim zyrtar në rrjetin social Facebook, ministri i kulturës Blendi Gonxhja vuri në dukje rëndësinë e një artefakti të jashtëzakonshëm me vlerë kombëtare dhe europiane, i cili u shtua në koleksionin e Muzeut Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë.
Bëhet fjalë për hartën origjinale të Bartolomeo Paretos të vitit 1455, një nga dëshmitë më të rralla të hartografisë evropiane të shekullit XV, e cila ka vlerë të madhe jo vetëm për saktësinë e saj gjeografike, por edhe për rëndësinë historike dhe kulturore që mbart.
Kush ishte Bartolomeo Pareto dhe çfarë përmban kjo hartë e vitit 1455?
Harta e vitit 1455, e njohur si portolano, është një dokument i dekoruar me detaje të hollësishme, që përfshin pjesën më të madhe të Evropës, Afrikës Veriore dhe Lindjes së Mesme. Ajo është krijuar me kujdes të madh dhe tregon ndikimet e modeleve kartografike të Battista Beccario-s nga Gjenova dhe të Angelino Dulcert-it nga Spanja.
Përveç detajeve të bregdetit dhe porteve, harta përmban edhe elemente artistike dhe simbolike që i japin asaj një vlerë të dyfishtë: si mjet navigimi dhe si vepër arti. Një nga detajet më të veçanta është paraqitja e ishullit fantazmë Antilia në Oqeanin Atlantik, një element i njohur nga mitet dhe hartat e kohës, i cili u zhduk nga hartat e shekullit XVI.
Portolani përmban gjithashtu të dhëna të rëndësishme historike dhe kulturore për Ballkanin dhe Evropën e Mesme. Shënimet e tij vendosin në hartë jo vetëm qytete dhe porte, por edhe emra të figurave të shquara. Një nga veçantitë e kësaj harte është se vendos emrin e Skënderbeut si toponim në qendër të Ballkanit, duke dëshmuar se figura e heroit shqiptar ishte e njohur dhe e respektuar nga oborret mbretërore të Europës dhe të botës së krishterë. Kjo e bën hartën një burim unik për historianët dhe studiuesit e marrëdhënieve politike dhe kulturore në Europën e shekullit XV.
Pas vdekjes së jezuitit valencian Juan Andrés në vitin 1817, gjurmët e hartës humbën përkohësisht, por ajo u rizbulua në vitin 1877 në një depo të asaj që atëherë quhej Biblioteka Vittorio Emanuele, pranë Kolegjit Romak, nga gjeografi italian Pietro Amat di San Filippo. Ky zbulim u dokumentua në revistën shkencore “Memorie della Società Geografica Italiana” në vitin 1878, duke rikthyer kështu në vëmendje një nga hartat më të rëndësishme të shekullit XV dhe duke e bërë të aksesueshme për studiuesit dhe koleksionistët. Sot, kjo hartë jo vetëm që është një pjesë e vyer e koleksioneve europiane, por përbën edhe një urë lidhjeje midis historisë shqiptare dhe asaj evropiane, duke treguar se Shqipëria dhe heronjtë e saj ishin pjesë e kulturës dhe politikës ndërkombëtare shumë shekuj më parë.
Kush ishte Bartolomeu Pareto?
Krijuesi i kësaj harte, Bartolomeo Pareto, ishte një prift dhe kartograf gjenovez, i njohur për mjeshtërinë e tij në hartografinë nautike. Nuk dihet shumë për jetën e tij të hershme, por është e dokumentuar se ai jetoi dhe punoi në Gjenova, ku u shugurua prift në vitin 1455, pas shërbimit si akolit papnor. Ky funksion sugjeron kontakte me oborrin papnor në Romë, megjithëse titulli ishte më shumë një nder sesa një detyrë aktive. Në vitin 1453, një mbledhje e Këshillit të Shën Gjergjit e përshkroi si “i vetmi gjenovez ekspert në artin e hartimit të hartave nautike” dhe i dha një përjashtim fiskal deri në 12 libra, duke njohur rëndësinë e veçantë të punës së tij për navigatorët gjenovezë. Para vitit 1455, Pareto ndërmori një udhëtim të gjatë detar, gjatë të cilit kaloi Detin e Alboranit, dhe që nga viti 1460 shërbeu si famullitar i kishës së Shën Gjergjit në Gjenova.
Përveç hartës së vitit 1455, nga Pareto kanë mbijetuar disa fragmente të një harte të Gadishullit Italian të vitit 1457 dhe një fragment i një mappamundi, i ruajtur në Muzeun e Pallatit Topkapı. Ai vdiq para datës 9 nëntor 1464, kur drejtimi i kishës së Shën Gjergjit iu caktua kanonikut Pietro de’ Carderini. Përmes veprës së tij, dhe veçanërisht hartës së vitit 1455, Bartolomeo Pareto la një trashëgimi të paharrueshme në hartografinë evropiane dhe një dëshmi të rëndësishme të lidhjeve kulturore dhe politike midis Gjenovës, Vatikanit dhe Europës së shekullit XV, duke bërë që emri i tij të mbetet një pikë referimi për studiuesit e historisë së hartografisë dhe kulturës evropiane.
Një kopje hartës e certifikuar sipas standardeve shkencore u soll për herë të parë në Shqipëri nga kartografi shqiptar Artan Shkreli në vitin 2017 dhe sot ruhet në Muzeun Kombëtar të Shqipërisë, ku është ekspozuar dhe e aksesueshme për publikun, studiuesit.
Gazeta “Si” -Artisti, shpikësi dhe anatomisti Leonardo da Vinçi ishte shembulli i “njeriut të Rilindjes” dhe shkencëtarët synojnë të zbulojnë sekretet e gjeniut të tij në një nivel gjenetik. Por ka një problem: Më shumë se 500 vjet pas vdekjes së tij në 1519, ADN-ja e Leonardos ka rezultuar thuajse e pamundur për t’u gjetur.Ai nuk pati fëmijë, dhe vendvarrimi i tij në Kapelën e Shën Florentit në Amboise, Francë, u shkatërrua gjatë Revolucionit Francez në fund të viteve 1700.
Disa kocka thuhet se janë rimarrë nga rrënojat dhe janë varrosur përsëri, por identiteti dhe autenticiteti i tyre ka qenë i debatueshëm.Në mungesë të mbetjeve të verifikuara, shkencëtarët që marrin pjesë në Leonardo da Vinci Project kanë zgjedhur një qasje të zgjuar: marrjen e mostrave nga artefakte të lidhura me polimatikun italian për ADN. Leonardo la pas një pasuri të madhe pikturash, vizatimesh dhe letrash, gjëra që ai ka prekur dhe që mund të përmbajnë gjurmë të materialit gjenetik edhe sot.
Ekipi i projektit mori mostra nga letra të shkruara nga një i afërm i largët i Leonardos, si dhe nga një vizatim i quajtur “Holy Child”, që mund të jetë krijuar nga vetë artisti. Tregtari i artit, i ndjeri Fred Kline ia atribuoi veprën Leonardos, por ekspertë të tjerë kanë kundërshtuar autenticitetin e saj. Ekipi gjeti një sasi të madhe ADN-je në vizatim dhe në një nga letrat, përfshirë bakteret, bimët dhe një sekuencë që përputhej me kromozomin Y të një mashkulli. Gjetjet u publikuan më 6 janar në një studim që nuk është rishikuar ende nga kolegët shkencëtarë.
“Ka shumë material biologjik që vjen nga individi dhe mund të gjurmohet në një copë letre ose kanavacë që e thith atë,” tha bashkautori i studimit, dr. Norberto Gonzalez-Juarbe, profesor i asistencës në departamentin e biologjisë qelizore dhe gjenetikës molekulare në Universitetin e Maryland, College Park.
“Dhe nëse e mbulon me ngjyrë, ka një lloj shtrese mbrojtëse mbi të.”
Marrja e mostrave nga objektet për ADN mund të jetë një proces shkatërrues. Anëtarët e projektit, të vetëdijshëm për vlerën e paprekshme të këtyre objekteve, fillimisht synuan të identifikojnë një teknikë minimale invazive që mund të kapë gjurmë të mbetura gjenetike nga veprat dhe dokumentet. Pas testimeve, ekipi vendosi që swab-i i thatë (copë materiali thithës, shpesh shkop ose shufër, që përdoret në kirurgji dhe mjekësi për pastrimin e plagëve, aplikimin e ilaçeve ose marrjen e mostrave) mund të mblidhte ADN të mjaftueshme pa dëmtuar veprën.
“Materiali gjenetik nga “Holy Child” ofroi një pamje të përbërë të mjedisit ku u krijua dhe ruajt vepra gjatë 500 viteve të fundit” tha Gonzalez-Juarbe. Pas përjashtimit të mundësisë së kontaminimit mjedisor, si pluhuri, ekipi identifikoi shenja specifike bimësh, kafshësh dhe organizmave që sugjeronin se vepra kishte origjinë në Itali. Gonzalez-Juarbe dhe bashkëautorët gjetën ADN të pemës së portokallit në vizatimin e shekullit 15, që ata besojnë se mund të ketë ardhur nga kopshtet e familjes Medici , të famshme për pemët e rralla të agrumeve në rajonin e Toskanës në Itali. Ekipi gjithashtu detektoi ADN të derrave të egër. Furçat e pikturës të bëra nga qimet e këtyre kafshëve ishin të zakonshme gjatë Rilindjes dhe krijonin një teksturë të veçantë për pikturat me vaj.
“Jemi 100% të sigurt që kjo ADN e derrit vjen nga furça e pikturës. Përputhet me atë që dimë nga historia e artit,” tha Lee.
Pista e kromozomit Y
Lee dhe ekipi i tij analizuan sekuencat e kromozomit Y në një nga letrat dhe vizatimi dhe zbuluan se ato ishin gjenetikisht të lidhura. Ata krahasuan këto shenja me një panel prej rreth 90,000 shenjash të njohura në kromozomin Y, që ndihmoi për të përcaktuar se ADN-ja i përkiste haplogrupit E1b1. Haplogrupet kategorizojnë njerëzit që kanë një paraardhës të përbashkët, të identifikuar nga variacionet gjenetike të gjurmueshme përmes linjës paterne (kromozomi Y) ose linjës materne (ADN mitokondriale). ADN-ja e kromozomit Y është nga rajoni i Toskanës, duke u përputhur me vendin ku Leonardo lindi dhe jetoi. Para këtij studimi, Leonardo nuk ishte lidhur me ndonjë haplogrup të njohur. Identifikimi i të njëjtit kromozom Y në objekte të tjera mund të përdoret gjithashtu për të vendosur nëse “Holy Child” është vërtet vizatim i Leonardos për të zgjidhur debatin mbi autenticitetin.
Megjithatë, disa ekspertë dyshojnë për materialet që duhen përdorur në kërkimin e ADN-së së Leonardos. Francesca Fiorani, profesoreshë e historisë së artit në Universitetin e Virginisë, tha se materialet e zgjedhura nuk ishin më të përshtatshmet për përpjekjen për rindërtimin e ADN-së së Leonardos. Megjithatë, metodologjia e përdorur mund të çojë në marrjen e suksesshme të ADN-së së Leonardos në të ardhmen, tha S. Blair Hedges, profesor i biologjisë dhe drejtues i Qendrës për Biodiversitetin në Universitetin Temple. Asamblimi dhe përfundimi i gjetjes së gjenetikës së Leonardos do të kërkonte verifikimin e ADN-së nga pasardhësit dhe ndoshta nga vetë mbetjet e tij, për t’u krahasuar me fragmentet gjenetike të marra nga artefaktet.
Kërkimi i gjeniut
Grupet e ndryshme të kërkimit po vazhdojnë punën për projektin Leonardo da Vinçi. Ekipi i Gonzalez-Juarbe po punon me qeverinë franceze për të marrë mostra nga artefakte të Leonardos të ruajtura në Francë, duke u përqendruar më shumë tek vizatimet dhe shënimet e tij më pak të njohura. Lee dhe Gonzalez-Juarbe shpresojnë që të gjitha studimet e ndara të bashkohen në një pikë.
“Dhe nëse të gjitha tregojnë se E1b1 shfaqet vazhdimisht në këto rrugë të ndryshme, atëherë mund të kontrollojmë ato kocka dhe të shohim nëse përmbajnë E1b1,” tha Lee.
“Dhe nëse e bëjnë, atëherë mund të themi me një probabilitet të lartë se Leonardo e mbante kromozomin Y E1b1.”Puna për të kuptuar se cilat shenja gjenetike kishte Leonardo mund të përdoret më pas për të kuptuar aftësitë e tij të vizionit. Megjithatë, objektet e lidhura me Leonardon ruhen shumë nga konservatorët, dhe bindja e pronarëve privatë është gjithashtu një sfidë, tha Lee. Për momentin, ekipi nuk di se çfarë do të gjejë, ose nëse do të çojë në zbulimin përfundimtar të ADN-së së Leonardos.
“Është si të shikosh një film. Nëse e di fundin, nuk ka kënaqësi. Por kur të befasohesh, nuk e di çfarë do të ndodhë. Kjo e bën udhëtimin më të kënaqshëm,” tha Lee.
Gazeta “SI”-Live Science raporton se studiuesit kanë përfunduar analizën e fosileve dy milionë vjeçare të Homo habilis, të zbuluara në vitin 2012 në brigjet e Liqenit Turkana në Kenian veriore. Fosilet, të njohura si KNM-ER 64061, përfshijnë një komplet të plotë të dhëmbëve të poshtëm, klavikula, pjesë të shpatullave, të gjitha kockat e krahëve të sipërm dhe të poshtëm, si dhe fragmente të një vertebre, një brinje, një kocke të kofshës dhe legenit.
“Ekzistojnë vetëm tre skelete të tjera pjesërisht të ruajtura, shumë fragmentare dhe jo të plota, për këtë specie të rëndësishme,” tha Fred Grine nga Universiteti Stony Brook.
Grine dhe kolegët e tij sugjerojnë se ky individ ishte një i rritur i ri, rreth 1.60 metra i gjatë dhe me peshë afërsisht 31 kilogramë.
Ata gjithashtu përcaktuan se kockat e krahëve të këtij individi të Homo habilis ishin të rënda dhe të trasha, të ngjashme me ato të australopitecinëve më të hershëm, dhe se parakrahu ishte më i gjatë sesa te Homo erectus i mëvonshëm. Kjo sugjeron se Homo habilis mund të ketë lëvizur më lehtë nëpër pemë sesa Homo erectus, megjithëse kjo mbetet e paqartë.
Ndërkohë, fragmentet e legenit sugjerojnë se ky individ mund të ketë ecur në mënyrë më të ngjashme me Homo erectus.
“Në vijim, na duhen fosile të gjymtyrëve të poshtme të Homo habilis, të cilat mund të ndryshojnë më tej perspektivën tonë mbi këtë specie kyçe,” tha anëtarja e ekipit Ashley Hammond nga Instituti Katalanas i Paleontologjisë Miquel Crusafont.
Nga Gazeta “SI”- Fatmir Pjetri, i dënuar si pjesë e bandës së “Babagjyshëve”, ka tërhequr vëmendjen e publikut pasi publikoi në profilin e tij në Instagram një audioregjistrim, në të cilin akuzon Drejtorinë e Burgjeve se i ka mohuar lejen për të promovuar një roman të shkruar prej tij, me pretendimin se përmbajtja e tij përfshin skena dhune dhe del kundër institucioneve shtetërore.
I indinjuar për diskriminimin që i është bërë, ai shpreh në këtë audioregjistrim pakënaqësinë e tij për ndalimin e promovimit të librit përpara bashkëvuajtësve të tij.
Në një rrëfim ekskluziv për GazetaSi.al, Fatmir Pjetri ka sqaruar në detaje jo vetëm arsyen e ndalimit të romanit, por edhe procesin e gjatë të krijimit të tij, që nga koha kur është shkruar e deri te botimi. Sipas tij, romani “Jetë e guximshme” është kryevepra e tij.
“Romani im me titull ‘Jetë e guximshme’ është krijuar në kushte izolimi ekstrem, pasi isha i mbyllur në regjimin 41 bis në Burgun e Burrelit për dy vite. Aty është burg brenda burgut. Nuk ke asnjë kontakt me botën e jashtme, nuk ka gazeta as televizor, je i vetëm brenda katër mureve. E vetmja mënyrë argëtimi për mua ishte leximi. Dostojevski thoshte: ‘Më jepni një dramë dhe do t’ju jap një kryevepër’. Në këtë dramë dyvjeçare krijova veprën time, një roman me shumë personazhe, pa censurë, me skena aksioni dhe erotike, duke thyer tabutë. Kam folur për një realitet që ekziston, por që shumë pak persona e njohin.”
Pjetri thotë se arsyeja e ndalimit nga Drejtoria e Burgjeve të promovimit të romanit është absurde dhe diskriminuese.
“Të gjithë të tjerët që kanë vuajtur dënimin e tyre në këtë institucion i kanë promovuar librat e tyre pa asnjë problem. Edhe romani im ishte programuar të promovohej te bashkëvuajtësit e mi në datë 14 janar, por Drejtoria e Burgjeve e anuloi prezantimin më 12 janar, me arsyetimin se romani promovon dhunën, përmban skena erotike dhe flet kundër institucioneve qeveritare. Ata e paragjykuan librin vetëm nga kopertina, pa e lexuar fare.”shprehet Pjetri
Sipas tij romani “Jetë e guximshme”, sipas tij, është një roman i shkruar pa komplekse, duke tentuar të thyejë tabu, ndërsa ai shpjegon edhe procesin e krijimit të tij nga faza fillestare deri në botim fizik.
“Për t’u arratisur nga dhuna psikologjike që përjetojnë të burgosurit në regjimin 41 bis, fillova të shkruaj nga 8 deri në 10 orë në ditë. Kur përfundova bis-in, kisha shkruar 1200 faqe A4 vetëm vitin e fundit. Në këto faqe është shkruar edhe një ditar për të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur në periudhën e izolimit. Në romanin “Jetë e guximshme” bëhet fjalë për një ngjarje që zhvillohet në zemër të Europës, në një hark të shkurtër kohor, dhe që përfshin kapërcime të herëpashershme në kohë. Personazhi kryesor, Viktor Delano, zgjohet në një spital me shtatë plumba në trup. Aty fillon dhe tregon historinë e jetës së tij deri në momentin e atentatit. Ka dashuri, grabitje, vjedhje diamantesh e florinjsh. Historia është e thjeshtë, e kuptueshme nga të gjitha shtresat, me skena surprizuese dhe zhvillime të papritura që lexuesin e mbajnë të mbërthyer deri në fund. Romanin tim e ka redaktuar profesor Çelik Petriti dhe është shtypur nga shtëpia botuese Arte Grafik. Ai qarkullon në treg dhe është i aksesueshëm për të gjithë.”
Botuesja: Janë rritur kërkesat për librin pas autoinçizimit
Botuesja e romanit, Artemida Nako nga ArteGraphic shpjegon për GazetaSi.al detajet e botimit fizik të romanit “Jetë e guximshme”
“Libri ka dalë nga botimi në datën 9 janar dhe pak ditë më pas i vëllai i Fatmirit ka tërhequr disa kopje me idenë e promovimit në burg. Kopertina është dizajnuar sipas kërkesave të Fatmirit për të shprehur sa më qartë atë çka ai ishte përfshirë në roman. Me kërkesë të tij, si një vjegë për të tërhequr lexuesin, kemi bërë edhe disa shënime si “Ky libër mban skena erotike dhe akte dhune”, por edhe për të paralajmëruar se libri në fakt është për lexues mbi 18 vjeç.
Nako përfundon duke theksuar se libri është paragjykuar duke e moslejuar promovimin nisur vetëm nga kopertina.
“Unë mendoj se arsyeja e ndalimit të promovimit është vetëm për shkak të shënimit në kopertinë, sepse po të lexohet, ajo është letërsi dhe imoraliteti nuk ekziston kur bëhet fjalë për letërsi. Kemi plot shkrimtarë që kanë shkruar tema të tilla si Bukowski e shumë të tjerë, por gjithçka gjykohet në kuadrin e letërsisë.”
Por çfarë është letërsia dhe krijimi sipas Fatmirit dhe pse ishte kaq i fortë përjetimi që u desh ta hidhte në letër. Ai e shpjegon duke u shprehur se: “Shkrimi është gjëja më e bukur që ka shpikur njerëzimi. Me anë të shkrimit ne shprehim dashurinë, dhimbjen dhe mërzinë.” përmbyll Fatmir Pjetri rrëfimin për GazetaSi.al
33-vjeçari Fatmir Pjetri nga Puka, pas ardhjes në Shqipëri në vitin 2013, u bë pjesë e “Bandës së Babagjyshëve”. Sipas akuzës, ai ka marrë pjesë në të gjitha grabitjet e bandës, që shtriheshin në të gjithë vendin , Tiranë, Kuçovë, Durrës, Berat, Lezhë, Fushë-Krujë, Laç e Shkodër. Grabitja që bëri më shumë bujë ishte ajo në një qendër tregtare në Tiranë, ku u plaçkit një argjendari. Pas kësaj ngjarjeje ai u arrestua më 24 nëntor të 2017. Pjetri kryente çdo grabitje pa lënë gjurmë, pa shkaktuar viktima dhe brenda vetëm tre minutash.
Pas shpalljes në kërkim ndërkombëtar, ai deklaroi: “Nuk e di cili shpik për emrin tim, jam i pafajshëm. Policia të më akuzojë me fakte reale, jo me sajesa”.
Fatmir Pjetri u ekstradua nga Hollanda në Shqipëri në vitin 2019, ku po kryen dënimin për krimet e kryera, në burgun e Burrelit, aty ku para pak ditësh iu refuzua edhe “krimi i radhës” ; prezantimi i romanit.
Gazeta “SI”- Deputetja e Partisë Demokratike, njëherësh kryetare e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, Ina Zhupa, deklaroi sot se fjalori i ri i gjuhës shqipe, i përgatitur nga Akademia e Shkencave, paraqet shqetësime serioze për mungesë profesionalizmi.
Sipas saj, “atje gjenden lehtësisht gafa, diskriminim, mospërputhje me përkufizimet e termave sipas ligjeve etj”.
“Gjuha është themeli i kulturës kombëtare. Fjalori i një gjuhe nuk është thjesht një listë fjalësh, por akt kulturor, shkencor dhe kombëtar. Pikërisht për këtë arsye, fjalori i gjuhës shqipe duhet të jetë i saktë, i përgjegjshëm dhe në përputhje me zhvillimin bashkëkohor të shoqërisë”, nënvizoi Zhupa.
Ajo theksoi se fjalori i ri, i hedhur në konsultim publik, përmban gafa dhe qëndrime që nuk mund të anashkalohen dhe që janë tejet problematike.
Zhupa bëri të ditur se do të kërkojë një seancë dëgjimore me Akademinë e Shkencave, e cila duhet të japë shpjegime profesionale lidhur me mënyrën e hartimit të këtij fjalori.
“Është interesi publik, për aq kohë sa bëhet fjalë për një fjalor zyrtar, të bërë me fonde publike dhe që përbën një element thelbësor të identitetit kombëtar. Kjo seancë dëgjimore nuk do të trajtohet aspak si politike, por si çështje kulturore dhe kombëtare. Gjuha shqipe meriton seriozitet, profesionalizëm dhe përgjegjësi të lartë institucionale, si dhe një diskutim serioz”, theksoi ajo.
Gjithashtu, Zhupa solli edhe disa shembuj që, sipas saj, janë qartësisht shfaqje e një pune jo cilësore dhe problematike në shumë nivele, duke përmendur futjen e fjalës “abandonim” në fjalorin shqip-shqip apo përdorimin e fjalës “onlajn”.
Ajo ndaloi veçanërisht te, sipas saj, “përkufizimi thellësisht diskriminues i fjalëve ‘djalë’ dhe ‘vajzë’”.
“Në fjalorin e ri, ‘djalë’ përshkruhet me nota pozitive: trim, i urtë, shtyllë e shtëpisë, shpresë. Ndërsa ‘vajzë’ shoqërohet me një sërë përkufizimesh negative, fyese dhe moralisht paragjykuese”, theksoi Zhupa ndër të tjera.
Sipas saj, “fjalori nuk mund të jetë as ideologjik, as paragjykues, as i pakujdesshëm ndaj historisë gjuhësore dhe identitare. Ai formëson mendimin, edukon brezat dhe përcakton se çfarë konsiderohet ‘shqip e saktë’”.
Gazeta “SI”-Qendra Kombëtare e Kinematografisë (QKK) dhe Universiteti i Arteve kanë nënshkruar marrëveshjen e parë të bashkëpunimit, me qëllim ofrimin e mbështetjes financiare dhe profesionale për prodhimet filmike të studentëve.
Marrëveshja u firmos nga kryetari i QKK-së, Jonid Jorgji, dhe rektori i Universitetit të Arteve, Erald Bakalli, duke hapur një kapitull të ri për zhvillimin e talenteve të reja në kinematografi.
Sipas marrëveshjes, studentët do të përfshihen praktikisht në fusha të ndryshme të filmit, si aktrimi, regjia, skenografia dhe disiplina të tjera të industrisë, gjatë xhirimeve dhe procesit të prodhimit të projekteve të financuara nga QKK.
“Ky është një hap konkret drejt fuqizimit të talenteve të reja, duke u dhënë atyre mundësinë që, pas përfundimit të studimeve, të kenë një portofol profesional dhe projekte të cilat shërbejnë si nisje e karrierës,” njoftoi QKK, duke shtuar se bashkëpunimi me UA do të zgjerohet me programe të tjera të rëndësishme për industrinë filmike.
Kryetari i QKK-së, Jonid Jorgji, theksoi nevojën për zhvillimin e kinematografisë në vend, duke mos e lënë atë të funksionojë si një “ishull”. Ai gjithashtu propozoi që kinematografia të shihet jo vetëm si art, por edhe si ekonomi.
QKK dhe Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sporteve synojnë, përveç financimit të filmave, krijimin e një sistemi të qëndrueshëm të industrisë filmike, duke lidhur kinematografinë me ekonominë kreative, turizmin dhe promovimin e imazhit të Shqipërisë në botë.