Mbrëmja përkujtimore për regjisorin Dhimitër Anagnosti, moment mirënjohjeje për trashëgiminë artistike
TIRANË, 24 janar/ATSH/ Me rastin e 90-vjetorit të lindjes së regjisorit Dhimitër Anagnosti, ne Sallën e Koncerteve, në Universitetin e Arteve, u organizua një mbrëmje kushtuar jetës e veprës së tij.
Dhimitër Anagnosti, një prej figurave themeluese të kinematografisë shqiptare, u nda nga jeta më 1 shtator 2025.
Mbrëmja u shoqërua nga muzika e filmave që i dhuroi Anagnosti, kinematografisë shqiptare. Shpesh ai u cilësua si “poeti i filmit”.
Dhimitër Anagnosti ka lënë një gjurmë të pashlyeshme në historinë e artit filmik shqiptar, me një gjuhë kinematografike të ndjeshme, humane dhe thellësisht poetike.
Gjatë kësaj mbrëmjeje homazh mbi ekran u shfaqën edhe foto nga arkivi familjar i artistëve Dhimitër e Roza Anagnosti.
Aktiviteti erdhi si një moment mirënjohjeje për trashëgiminë artistike të një artisti që formësoi breza me kujtesën kolektive që trashëgohet ende.
Miq, kolegë e familjarë rikujtuan rrugëtimin krijues të Anagnostit dhe ndikimin e jashtëzakonshëm që vepra e tij ka pasur në identitetin e kinemasë shqiptare.
Bashkëshortja e regjisorit, aktorja Roza Anagnosti solli në vëmendje disa nga kontributet e tij në kinematografinë shqiptare duke theksuar se krijmtaria e tij ka shumë dimensione.
Duke shprehur mirënjohjen për nderimin që iu bë regjisorit në emër të saj dhe dy vajzave, Juna dhe Era, Roza Anagnosti u shpreh se arti i filmit mban brenda mundin e shumë krijuesve disa prej të cilëve janë të pranishëm këtu e disa nuk janë mes nesh.
Rrugëtim të dhimbshëm dhe të bukur e quajti aktorja karrierën e bashkëshortit të saj.
“Dhimitri mbeti gjithmonë mirënjohës ndaj dashurisë që mori nga publiku, nga kolegë të respektuar për punën e tij të jashtëzakonshme në dobi të kulturës si artist, intelektual e si qytetar. Ishte një familjar i përkushtuar model, por ishte modest, ishte fisnik. Ndonëse kohët e fundit vuante nga shëndeti ai përballoi me dinjitet dhe me një guxim të paparë. Pranë kishte familjen e dashur, mjekët dhe miq të mrekullueshëm. Ka qenë një privilegj për mua që kam rrugëtuar me të 61 vjet. Krijuam artin tonë dhe një familje të bukur me vajzat tona, nipat, mbesat dhe të kam në mendje dhe në zemër përjetësisht!”, u shpreh Roza Anagnosti.
I cilësuar si një prej regjisorëve më të rëndësishëm të vendit, në karrierën e tij mëse 40-vjeçare, Anagnosti numëron 14 filma artistikë, 10 dokumentarë dhe disa çmime kombëtare e ndërkombëtare.
Ndër filmat më të realizuar të Anagnostit, mbeten “Komisari i dritës”, “Dueli i heshtur”, “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, “Përrallë nga e kaluara”, “Gurët e shtëpisë sime”, “Në shtëpinë tonë”, “Lulëkuqet mbi mure”, “Gjoleka, djali i Abazit” etj.
Mbrëmja u organizua nga familja Anagnosti, me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Universitetit të Arteve dhe Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit.
The post Mbrëmja përkujtimore për regjisorin Dhimitër Anagnosti, moment mirënjohjeje për trashëgiminë artistike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.