Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 24 January 2026Main stream

Vrau bashkëshorten në prani të fëmijës, mbetet në burg përjetë Liridon Berisha

By: dan iela
24 January 2026 at 16:01

Gjykata e Krimeve të Rënda e Meurthe-et-Moselle në Francë la në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për 27-vjeçarin Liridon Berisha, i cili qëlloi për vdekje partneren e tij Stephanie Di Vincenzo në maj të vitit 2021.

Dënimi përfshin një periudhë pa të drejtë lirimi me kusht prej 18 vitesh, pas vendimit në shkallë të parë që kishte parashikuar 22 vjet pa lirimin me kusht.

E reja 22-vjeçare, u godit me thikë në mes të rrugës,  ndërsa përpiqej të shpëtonte duke kërkuar ndihmë dhe ku komisariati i Hayange ndodhej vetëm disa metra larg banesës së saj.

Skena e rëndë ndodhi në prezencën e fëmijës 4-vjeçar të çiftit, ndërsa ngjarjen nuk mundën ta ndalnin as kalimtarët e pranishëm në rrugë. Më herët 27-vjeçari kishte qenë I dënuar me një vit burg për disa shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Ai kishte përfituar nga një dënim i reduktuar dhe ishte vendosur në arrest shtëpiak, ku iu vendos një byrzylyk elektronik disa ditë para ngjarjes së rëndë.

Before yesterdayMain stream

Në Bordin e Paqes me 1 miliardë dollarë, Rama: Gënjeshtër

By: dan iela
18 January 2026 at 14:43

Kryeministri Edi Rama përmes një reagimi në në X ka mohuar lajmet apo fjalët që qarkullojnë rreth pjesëmarrjes së tij në Bordin e Paqes, me ftesë të Presidentit Amerikan Trump.
Sipas Ramës në Bordin e Paqes nuk janë të ftuara të gjitha shtetet e pjesë e OKB-së, nuk është paguar shumë 1 miliardë euro për pjesëmarrjen e Shqipërisë dhe nuk do të sillen palestinezë në vend.
“Sa për mua personalisht, rëndësi ka vetëm besimi i shumicës së shqiptarëve, që më kanë ngjitur e mbajtur katër herë në majën e shtetit shqiptar dhe respekti i atyre që janë në majat e botës a të Europës, i cili më duhet mbi të gjitha për të nderuar e lartësuar Shqipërinë”, është shprehur Rama.

Postimi i plotë

Tenxheret politike mediatike po bubullojnë e gërrgërrojnë aq fort sa thua se në Bordin e Paqes së Presidentit Trump nuk është ftuar Shqipëria, po një vend armik i Shqipërisë!
🌪Në Bordin e Paqes janë ftuar të gjitha shtetet e OKB
❌GËNJESHTËR
🌪Shqipëria do të paguajë 1 miliardë EURO
❌GËNJESHTËR
🌪Palestinezët do të vijnë në Shqipëri
❌GËNJESHTËR

E vërteta është shumë e thjeshtë se sa ç’pjell, sidomos në çdo rast kur nderohet Shqipëria, mllefi i injorancës dhe inati i ligësisë:
Tenxheret politike e mediatike të mexhelisit tonë janë teneqera të zhurshmshme Shqipërisë së vjetër, ndërsa kjo që po vazhdojmë të ndërtojmë me shumë mund e këmbëngulje të madhe është një Shqipëri Tjetër, e dinjitetshme ndërkombëtarisht dhe e respektuar botërisht.
Sa për mua personalisht, rëndësi ka vetëm besimi i shumicës së shqiptarëve, që më kanë ngjitur e mbajtur katër herë në majën e shtetit shqiptar dhe respekti i atyre që janë në majat e botës a të Europës, i cili më duhet mbi të gjitha për të nderuar e lartësuar Shqipërinë.
Ky është një moment i jashtëzakonshëm i Shqipërisë, ku tërbimi i tenxhereve thjesht na siguron se sa më shumë lehin qentë, aq më përpara është duke shkuar karvani”.

Kompjutera, kamera dhe Ferrari, SPAK jep detaje për operacionin e Call Center-ave

By: dan iela
18 January 2026 at 13:46

Prokuroria e Posacme ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me aksionin e zhvilluar gjatë ditëve të fundit, sa I takon një veprimtarie të paligjshme në fushën e Call Center-ave që kishte në focus mashtrimin e shtetasve italianë përmes kriptovalutave.

Sipas njoftimit aksioni është iniciuar nga në investigim i emisionit “Le iene”, ndërkohë që gjatë kontrolleve të ushtruara në 28 ambiente; banesa, automjete, zyra, garazhde, etj, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, qindra pajisje kompjuterike të cilat janë në proces verifikimi, sisteme monitorimi të kamerave, sisteme të rrjetit kompjuterik, pajisje memorizuese, server, dokumente të Qendrës së Thirrjeve, subjektit “Infinite” shpk dhe subjekteve të tjerë në proces verifikimi.Gjithashtu janë sekuestruar edhe automjete të përdorur nga autorët e dyshuar, motomjete si dhe një automjet luksoz i markës Ferrari, që dyshohet se i përket organizatorëve të këtij aktiviteti.

Sipas SPAK, tetë persona kanë rënë në prangat e policisë gjatë këtij operacioni.

 

Njoftimi i plotë

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rregjistroi procedimin penal nr.03/2026, për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit Kompjuterik”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal,“Pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 143/b, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

Procedimi u regjistrua në datën 9.1.2026 në Byronë Kombëtare të Hetimit pas paraqitjes së gazetarëve italianë të emisionit investigativ “Le Iene”, që trasnmetohet në Mediaset. Ata kanë dorëzuar materiale të punës së tyre.

Gjatë këtij hulumtumi është identifikuar një Qendër Thirrjesh (Call Center) që ndodhet në Tiranë, në ndërtesën “Atti Toëer”, në rrugën “Ibrahim Rugova”, përballë Katedrales Ortodokse, nga ku, autorët e mirëorganizuar dyshohet se kanë mashtruar shtetas italianë dhe europianë për investime në kriptomonedhave të ndryshme.  Investigimi mori shkas nga ankesat e disa shtetasve italianë të mashtruar nga Qendra e Thirrjeve. Gazetarët italianë mundën të infiltrojnë një shtetas italianë, i cili nisi të punojë aty dhe realizoi regjistrimin e të dhënave në ambientet e Qendrës së Thirrjeve. Nga të dhënat rezulton se në këtë veprimtari dyshohet të jenë përfshirë shtetas italianë, rezidentë në Itali dhe të tjerë që jetojnë në Shqipëri, ndërsa transaksionet kryheshin në kriptovaluta, në portofolet e monedhave virtuale të menaxhuara nga drejtuesit e këtij aktiviteti të kundraligjshëm, duke përdorur platforma mashtruese.

Duke iu referuar materialeve video bëhet fjalë për një Qendër Thirrjesh, që ndodhej në katin e 9-të dhe të 13-të të “Atti Toëer”. Nga pamja e përgjithshme, dinamika e komunikimit dhe veprimet e personit që kryen regjistrimin apo edhe personave të tjerë, shihet se është një qendër e mirëorganizuar e thirrjeve telefonike, me poste pune të ndara, role të përcaktuara dhe staf që operonte në gjuhën italiane, franceze, spanjolle dhe gjermane.

Pas regjistrimit të këtij procedimi penal, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë nisur menjëherë puna për identifikimin e organizatorëve dhe dokumentimin e aktiviteti kriminal të mashtrimit.

Nga veprimet e para hetimore të BKH-së, rezultoi se organizatorët e kësaj veprimtarie kriminale kishin ngritur një strukturë të sofistikuar sigurie, me disa perimetra mbrojtës, duke përdorur jo vetëm kamerat filmike statike, por edhe personel civil vëzhgimi, jashtë kësaj Qendre.

Ekzistojnë indicie të qarta se mbrëmjen e datës 15 Janar 2026, pas përfundimit të punës, pjesëtarë të këtij personeli vëzhgues, kanë njoftuar pronarët e Qendrës për një ndërhyrje të mundshme. Pas kësaj, në orët e para të mëngjesit të datës 16 Janar 2026, janë larguar pajisjet dhe është boshatisur edhe ambienti i Qendrës së Thirrjeve.

Pas ekzekutimit të vendimit të Gjykatës së Posaçme, nr.85, datë 15.1.2026, hetuesit e BKH-së konstatuan në datën 16 Janar 2026, boshatisjen e ambientit dhe largimin e pajisjeve dhe personelit. Falë veprimeve të shpejta dhe të pandërprera hetimore u bë i mundur identifikimi i personave dhe automjeteve të përdorura për largimin e pajisjeve kompjuterike dhe sistemeve nga Call Center-i. Pas gjurmimit të tyre, në një kohë të shkurtër, u realizua kapja në flagrancë e disa shtetasve, të cilët kishin transportuar gjatë natës materiale drejt një ambient tjetër të marrë me qira në “Doëntoën One”, në Bulevardin Bajram Curri.

Pas kapjes në flagrancë të këtyre shtetasve, hetuesit kanë bërë kontrollin me iniciativë të ambientit në katin e 5-të të godinës, ku është konstatuar një Qendër tjetër Thirrjesh, në ndërtim e sipër. Aty u gjetën pajisje kompjuterike, telefona, hard disqe, laptopë, karta të ndryshme SIM, dokumente, blloqe me shënime. Personat e kapur në flagrancës, po transportonin një kosh mbeturinash, i cili përmbante sende të dyshuara të marra nga Qendra e Thirrjeve në rrugën “Ibrahim Rugova”, të cilat ishin duke i asgjësuar. Në kushtet e kapjes në flagrancë është kërkuar mbështetja e punonjëve të Policisë të Drejtorisë Vendore Tiranë.

Shtetasit e arrestuar në flagrancë janë 6 persona me inicialet: R.Gj., D.Q., E.Gj., E.M.,R.P.,O.K..

Gjithashtu, paralelisht me identifikimin e Qendrës së dytë të thirrjeve, në sajë të veprimeve verifikuese, janë nxjerrë dhe ekzekutuar urdhrat e ndalimit për shtetasit me inicialet; K.K. dhe H.XH., si të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit kompjuterik”, në bashkëpunimin, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 143/b, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

Në ecuri të veprimeve hetimore, në datë 17.1.2026, janë lëshuar dhe urdhrat e ndalimit për tre shtetas të tjerë, të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit kompjuterik”, në bashkëpunimin, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga netet 143/b, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal, të cilët nuk janë gjetur deri në këto momente.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në 28 ambiente; banesa, automjete, zyra, garazhde, etj, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, qindra pajisje kompjuterike të cilat janë në proces verifikimi, sisteme monitorimi të kamerave, sisteme të rrjetit kompjuterik, pajisje memorizuese, server, dokumente të Qendrës së Thirrjeve, subjektit “Infinite” shpk dhe subjekteve të tjerë në proces verifikimi.Gjithashtu janë sekuestruar edhe automjete të përdorur nga autorët e dyshuar, motomjete si dhe një automjet luksoz i markës Ferrari, që dyshohet se i përket organizatorëve të këtij aktiviteti.

Prokuroria e Posaçme vijon kryerjen e veprimeve hetimore për inventarizimin e të gjitha pajisjeve kompjuterike, sekuestrimin, analizimin e tyre si dhe identifikimin e të gjithë viktimave të veprës penale, në bashkëpunim me autoritetet e huaja.

Falenderojmë Policinë e Shtetit për mbështetjen e dhënë në fazën e ekzekutimit të vendimit të Gjykatës së Posaçme si edhe gjatë veprimeve të mëtejshme për identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar.

Prokuroria e Posaçme falenderon në mënyrë të veçantë edhe stafin e emisionit investigativ italian “Le Iene” të  “Mediaset”, falë punës të së cilëve, u bë e mundur inicimi dhe hetimi i këtij rasti të mashtrimit masiv në Qendrën e Thirrjeve në Shqipëri.

Gjithashtu, SPAK u tërheq vëmendjen qytetarëve dhe medias për fenomenin e mashtrimit online përmes Qendrave të Thirrjeve (Call Center) dhe kjo është një veprimtari që do vazhdojë të ndiqet me prioritet edhe në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë.

Nga ana tjetër, një apel u shkon edhe shtetasve që punojnë në këto qendra, për t’u ndërgjegjësuar dhe për t’u mos bërë pjesë e veprimtarive të paligjshme.

 

Kushtetuesja: Arresti i shtëpisë për Berishën, i tejzgjatur

By: dan iela
15 January 2026 at 19:31

11 muaj në arrest shtëpie kanë qenë të tejzgjatur. Kështu i ka cilësuar Gjykata Kushtetuese vendimet e tre gjykatave të shkallëve më të ulëta, lidhur me kërkesën e kreut të PD Sali Berisha për masën e arrestit shtëpiak ndaj tij.

Vendimi është dhënë në përfundim të seancës, ku palët nuk kanë qenë të pranishme, ndërkohë që gjatë seancave të raportimit dymujor avokatët e Berishës kundërshtonin vazhdimisht kërkesën e SPAK, i cili insistonte në vijimin e masës së arrestit shtëpiak.

Në janar të vitit 2025, masa e arrestit shtëpiak ndaj ish-kryeministrit u ndryshua në “detyrim paraqitjeje”, vendim i mbështetur tashmë edhe nga Gjykata Kushtetuese.

 

Qeveria iraniane shton presion ndaj protestuesve, reagon djali i shahut Reza Pahlavi

By: dan iela
10 January 2026 at 21:10

Reza Pahlavi, djali i shahut të fundit të Iranit, ka bërë thirrje për veprime më masive gjatë fundjavës pas gati dy javësh protestash në rrugë kundër qeverisë dhe situatës së rëndë ekonomike në Iran. Ndërsa protestat vazhdojnë autoritetet iraniane kanë shtuar represionin. Të paktën 65 persona kanë humbur jetën dhe spitalet janë të tejmbushura.

Një mjek në një spital të Teheranit tha se kishte “të shtëna direkte në kokat e të rinjve, si dhe në zemrat e tyre”, ndërsa një mjek tjetër tha se një spital i syve në kryeqytet kishte kaluar në gjendje krize.

Prokurori i përgjithshëm I Iranit ka bërë një deklaratë më herët duke thënë se të gjithë protestuesit do të përballen me dënim me vdekje.

“Të gjithë protestuesit do të akuzohen si “armiq të Zotit” (ose “moharebeh”)”, tha në një deklaratë Mohammad Movahedi Azad, prokurori i përgjithshëm i vendit, siç raportuan mediat shtetërore iraniane.  Vepra penale dënohet me dënim me vdekje, shtoi ai.

“Kjo do të vlente për “rebelët dhe terroristët” që dëmtuan pronën dhe minuan sigurinë, si dhe për ata që i ndihmuan ata njësoj, tha Movahedi Azad.

 

Tentoi të djegë makinën e ish-partnerit, arrestohet drejtoresha e Ministrisë

By: dan iela
10 January 2026 at 17:17

Zyrtarja e Ministrisë së Brendshme, Alma Bine ka thyer masën e arrestit shtëpiak dhe ka shkuar të djegë makinën e ish-partnerit, vetëm një javë pasi është denoncuar prej tij se i kishte hyrë në banesë dhe i kishte vënë flakën krevatit dhe orendive të tjera në banesë.

Për këtë arsye policia ka njoftuar arrestimin e 43-vjeçares e cila ka mbajtur detyrën e drejtoreshës së Emigracionit në Ministrinë e Brendshme.

Sipas burimeve zyrtare, arrestimi i saj u krye pas konstatimit se Bime kishte thyer masën e vendosur nga gjykata, ndërkohë që ndaj saj rëndojnë edhe akuza të reja për ngjarje të përsëritura dhune dhe kanosjeje ndaj ish-bashkëjetuesit, Mareglen Tomori.

Më herët, gjatë muajit dhjetor, Alma Bime ishte shoqëruar nga Policia nën dyshimet për kanosje të një shtetasi të huaj përmes mesazheve, si edhe për djegien e orendive shtëpiake në banesën e ish-bashkëjetuesit, e ndodhur në rrugën “Hysen Xhura”, në zonën e Kinostudios. Pas kësaj ngjarjeje, gjykata kishte caktuar ndaj saj masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, masë e cila rezulton të jetë shkelur.

Sipas të dhënave të hetimit, më 31 dhjetor, Bime dyshohet se ka tentuar sërish t’i vërë flakën banesës së ish-bashkëjetuesit, si dhe ka tentuar ta plagosë atë, çka ka çuar në përkeqësimin e pozitës së saj ligjore dhe arrestimin nga shërbimet e Policisë.

 

 

 

Protesta e 24 Janarit, Berisha: Nuk marrim pushtet me dhunë

By: dan iela
10 January 2026 at 16:09

Në një komunikim me gazetarët, pas mbledhjes së kreyesisë, kreu i PD Sali Berisha u pyet lidhur me protestën e 24 Janarit. Ai tha se Edi Rama po shkon drejt grahmave të fundit dhe është zëri popullor që do të bjerë mbi të, por u shpreh se ai vetë nuk merr pushtet me dhunë.

PRONONCIMI I KRYETARIT TË PD ME GAZETARËT:

Kemi diskutuar për protesta të cilat do të gjitha do të shqyrtohen dhe do vendosen në kohën e duhur.

Pyetje: Të tipit? Mund të na i shpjegoni pak më qartë?

Sali Berisha: Opozita ka vetëm protesta të llojeve nga më të ndryshmet. Pra, mesazhi ynë për narkoshtetin është: ik një minutë e më parë. Zemërimi popullor është i jashtëzakonshëm, i papërmbajtur. Dhe ne jemi të vendosur të shkojmë gjer në fund largimin e kësaj organizate kriminale që siç e patë ju dhe nga intervista e fundit e Arben Ahmetaj, që në 5 dosje nxori rreth 12 miliardë euro të amnistuar, të vjedhura nga qeveritarët, nga Edi Rama dhe anturazhi i tij dhe të amnistuara nga SPAK-u i partisë.

Pyetje: Zoti Berisha, a keni ju një thirrje ndaj protestuesve dhe në një formë ose në një tjetër, pritet që 24 janari t’i ngjajë 21 janarit?

Sali Berisha: 21 janari është vepër e Edi Ramës, e burracakut dhe frikacakut Edi Ramës. Sali Berisha nuk merr pushtet me dhunë. E ka deklaruar këtë me datën 12 dhjetor të vitit 1990. Konseguent në këtë linjë, ai e ka provuar. Natyrisht, Edi Rama po shkon drejt grahmave të fundit. Edi Rama është i pashpresë. Dhe zemërimi popullor do të bjerë mbi të.

Pyetje: Zoti Berisha, pse nuk po arrijnë të gjitha partitë opozitare që të mblidhen në një protestë të vetme? Po t’i shohim, të gjitha partitë opozitare denoncojnë dosjen Balluku, dosjen e Ashqit, por nuk po arrijnë që të kenë të jenë së bashku në një protestë.

Sali Berisha: Tani të marrim, të marrim kështu po. Dje ishte një forum, të themi një takim i gjerë, shumë i gjerë, i të gjitha forcave politike, personaliteteve të botës akademike, shoqërisë civile dhe mediave, personalitete me reputacion, të cilët janë të gatshëm ose janë të vendosur në betejën kundër të keqes që quhet Rilindja apo Edi Rama. Pra, ajo që patë ju dje, aty u mblodhën të gjithë ata të cilët janë të vendosur të luftojnë të keqen që quhet Edi Rama.

Pyetje: Por munguan, zoti Lapaj…

Sali Berisha: Prit një minutë. Mungoi Lapaj, i cili, të cilin unë e kam përgëzuar dhe e përgëzoj për protestën e tij të vazhdueshme para Këshillit të Ministrave. Për të tjerët, në qoftë se janë të vendosur të ose duan të luftojnë të keqen Rama, vendin e kanë të hapur. Pastaj vendimet i marrin vetë.

Pyetje: Zoti Berisha, do t’i vendosni ndonjë kuotë deputetëve ose njerëzve që kanë poste në Partinë Demokratike për të sjellë njerëz në protestë apo…

Sali Berisha: Njerëzit siç e pa, siç e patë ju, u mbush Tirana me njerëzit. Njerëzit i sjell këtu revolta e brendshme shpirtërore, urrejtja e pakufishme që kanë për Lubi Babukun, Edi Ramën, Lindat e tij, komplet siç është rasti i, se nuk është më pak ajo si quhej ajo, Sesilia e Maduros. Sesilia quhej ajo? Po. Po, më pak nuk është më pak. Edhe Linda e Surrelit, aty afër është, sepse dhe ajo i fut duart në tendera, në gjëra kështu, a kupton apo jo.

Pyetje: Zoti Berisha, a keni një skenar për protestën e 24 janarit apo është ende herët dhe takimet e mëtejshme do të përcaktojnë edhe se si do të zhvillohet kjo protestë? Pra a do të ketë një qëndrim të qytetarëve në shesh?

Sali Berisha: Nuk do të gjeni kurrë, kurrë një njeri transparent si unë. Në komunikatë, jo. Gjeni ju, ku i keni? Ku është, ku janë të tjerët? Pra unë çdo ditë u them ju atë që kam ndërmend të bëj, e ndonjëherë edhe gjëra që janë projekte. Kështu që, ose që do bëhen. Pra, në moment, unë do ju informoj ju për të gjitha gjërat.

Pyetje: Çfarë do të kërkohet me 24 janar, zoti Berisha?

Sali Berisha: Dorëheqja, dorëheqja, vetëm dorëheqja. Kjo është e gjithë puna. Shqipëria nuk do, nuk do më t’i shohë me, nuk do më t’i shohë me sy të ballit këta njerëz, a kupton. Nuk do, ka fituar urrejtje të madhe.

 

 

Berisha kundërshton Ramën për përmbytjet: 6 mijë forca nuk i ka ushtria në bordero

By: dan iela
10 January 2026 at 15:27

Kreu i PD Sali Berisha, në mbledhjen e kryesisë së kësaj force politike u ndal në situatën e krijuar nga përmbytjet në vend. Ndër të tjera Berisha tha se Kryeministri Rama ka gënjyer kur tha se në terren janë 6 mijë forca për të përballuar situatën.

“6 mijë forca, thoshte Edi Rama, janë në terren. Paturpësi e madhe. 6 mijë forca nuk ka në bordero ushtria. Nga i gjeti mbrojtja civile? Nga mashtrimet e Edi Ramës”, u shpre Berisha duke u ndalur ede në faktin e mosshpalljes së gjendjes së fatkeqësisë.

“Dhe cinizmi ekstrem, mbledh komitetin e emergjencës dhe nuk shpall gjendjen e fatkeqësisë natyrore dhe deklaron se kjo kërkesë e opozitës na përçan. Po si të përçan? Ti je i detyruar të kesh një ligj, je i detyruar të shpallësh gjendjen e emergjencës dhe kjo të detyron të krijosh fond emergjencash dhe t’i adresosh drejt qytetarëve.

Ndaj u them qytetarëve se çdo gjë që ka thënë dje ka qenë një tallje cinike. Po si mund të mos e shpallësh gjendjen e emergjencës kur edhe sot në Durrës janë 4 mijë banesa me ujë brenda. Dhe sa janë në Lezhë, në Mamurras, në Gjirokastër, në Fier, në Novoselë, etj. Dhe u mblodh, dëgjuan dokrrat, mashtrimet e njëri pas tjetrit të atyre dhe nuk përcaktoi… shpallja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore është kushti i parë që qeveria të marrë hapat e tjerë për të adresuar problematikat e krijuara nga fatkeqësia natyrore. Dhe ky jo, ky i ka nga xhepi ato. Është kriminale kjo. Po të gjitha këto tregojnë edhe njëherë karakterin e këtij regjimi. Të gjitha këto dëshmojnë se çdo ditë në pushtet, ata janë një barrë e rëndë, e tmerrshme për shqiptarët kudo që janë.
Ndaj dhe është koha që PD të bëjë gjithçka për angazhimin maksimal në përmbushje të misionit të saj. Në të njëjtën kohë kur nuk jep asnjë ndihmë, nuk cakton fondin për gjithë këto zona të përmbytura, digjen 2 mijë biznese në mes të Tiranës.

Mijëra e mijëra qytetarë humbasin vendet e punës, humbasin bukën e gojës. Po qindra mijëra shqiptarë, që visheshin nga ai treg, për të mos thënë gjysma e shqiptarëve ose më shumë që visheshin nga ai treg, tani ai nk kanë mundësi të vishen, nuk kanë mundësi të blejnë rroba ashtu siç ishin. Dhe pse kjo? Se do ndërtohen kulla aty. Se mafia e betonit, mafia e kokainës, mafia e drogës i djeg ato për të ndërtuar kulla në atë shesh”, tha Berisha.

PD përcakton datën për protestën e radhës

By: dan iela
10 January 2026 at 14:45

Partia Demokratike do të vijojë protestat dhe data e radhës është 24 Janari, ndërkohë që ende nuk ka një vendim për orën e saktë.

Është ky vendimi që ka dalë nga mbledhja e kryesisë këtë të shtunë, ndërkohë që një ditë më parë  PD ka patur takim me forcat opozitare në vend.

 

Magazinë për stampime veshjesh me logo false, pranga turkut në Kamëz

By: dan iela
10 January 2026 at 11:59

Një magazinë ku stampoheshin veshje të kontrabanduara, me logo false është është zbuluar nga Policia e Tiranës këtë të shtunë në Kamëz.

Në kuadër të operacionit të koduar “Brands 2”, ka rënë në pranga një shtetas turk O. S., 46 vjeç dhe u shpall në kërkim një tjetër shetas turk me iniciale M. K., 50 vjeç.

“Gjatë ndërhyrjes, shërbimet e Policisë konstatuan se në magazinë kishte mallra që dyshohet se kishin shmangur detyrimin doganor, si dhe makineri për falsifikimin dhe stampimin e logove që vendoseshin në veshje dhe këpucë të ndryshme”, bën me dije policia.

Njoftimi i plotë i policisë:

Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DPPSh, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, operacioni policor i koduar “Brands 2”.

Zbulohet në Kamëz, 1 magazinë ku stampoheshin veshje të kontrabanduara, me logo false.

Arrestohet 1 shtetas turk, shpallet në kërkim 1 tjetër shtetas turk si dhe procedohen në gjendje të lirë 3 punonjëse.

Sekuestrohen sasi të mëdha veshjesh/këpucësh, makineri lazeri, printimi ose stampimi, stampa/logo të markave të njohura ndërkombëtare, 1 celular, si dhe sende/dokumente të tjera që do t’i shërbejnë hetimit.

Si rezultat i administrimit të informacionit të siguruar se në Kamëz, magazinoheshin veshje të kontrabanduara, të cilave iu viheshin logo false të markave të njohura ndërkombëtare, Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, me mbështetjen e Komisariatit të Policisë Nr. 5 dhe Forcës së Posaçme “Shqiponja”,  organizoi dhe finalizoi operacionin “Brands 2”.

Gjatë operacionit u arrestua shtetasi turk  O. S., 46 vjeç, u shpall në kërkim shtetasi turk M. K., 50 vjeç, si dhe u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për shtetaset L. M, Sh. M dhe Sh. B,  punonjëse në këtë magazinë.

Gjatë ndërhyrjes, shërbimet e Policisë konstatuan se në magazinë kishte mallra që dyshohet se kishin shmangur detyrimin doganor, si dhe makineri për falsifikimin dhe stampimin e logove që vendoseshin në veshje dhe këpucë të ndryshme.

Punohet për lokalizimin dhe kapjen e 50-vjeçarit të shpallur në kërkim.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, “Punësimi i paligjshëm”, “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave”, “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”.

 

Përfshihet nga flakët autoboti në Rrugën e Kombit

By: dan iela
10 January 2026 at 11:46

Një autobot që transportonte karburant është përfshirë nga flakët mbrëmjen e së premtes teksa udhëtonte në autostradën Rruga e Kombit.

Ngjarja ka ndodhur në 34 të rrugës, por fatmirësisht zjarri I përmasave të mëdha, falë ndërhyrjes së menjëhershme dhe në kohë të forcave të shumta të zjarrfikëses së Mirditës është vënë nën kontroll.

 

 

Ambasada e SHBA: Mashtrimi për martesë, krim federal me dënime serioze

By: dan iela
21 December 2025 at 16:41

“Mashtrimi për martesë është një krim federal në Shtetet e Bashkuara dhe mund të çojë në dënime serioze. Gjithmonë zgjidhni një proces të ligjshëm emigracioni për të hyrë në vend dhe për të siguruar dokumentacionin e duhur”. Është ky njoftimi i bërë këtë të dielë në faqen e Ambasadës Amerikane, që  sikurse vihet re, paralajmëron dënime serioze për martesat e rreme që kanë për qëllim pajisjen me dokumenta amerikane.

 

Ndahet nga jeta komentatori i njohur sportiv Ismet Bellova

By: dan iela
21 December 2025 at 14:07

Është ndarë nga jeta në moshën 91-vjeçare, komentatori dhe gazetari sportiv, Ismet Bellova.
Një zë i njohur dhe i dashur veçanërisht në komentimin e ndeshjeve të futbollit, Bellova u lind në Tiranë më 1 qershor 1934. Arsimin e lartë e përfundoi në ILKF “Vojo Kushi” në vitin 1960, për t’iu përkushtuar më pas me pasion dhe dinjitet profesionit të mësuesit të edukimit fizik dhe gazetarisë sportive. Ai ishte i martuar me Mjeshtren e Merituar të Sportit, Bukuroshe Shtiza.

Rrugëtimi i tij në sport nisi herët, në vitin 1948, kur u shpall kampion i vendit për të rinj në pingpong. Emri i Ismet Bellovës u bë pjesë e historisë së transmetimeve sportive shqiptare më 29 nëntor 1950, me komentimin e ndeshjes Dinamo–Partizani 1–0, finalja e Kupës së Shqipërisë, duke shënuar fillimin e një karriere të gjatë dhe të suksesshme në Radio Tirana.
Për kontributin e jashtëzakonshëm në sport, arsim dhe gazetari, Bellova u nderua me tituj dhe dekorata të shumta, mes tyre: “Mësues i Popullit”, Urdhrin “Naim Frashëri” Klasi i Artë, Urdhrin e Punës Klasi I, “Nderi i Sportit Shqiptar”, “Urdhri Olimpik”, “Mirënjohja e Tiranës”, “Nderi i Sportit Dibran”, si dhe titullin “Kalorësi i Urdhërit të Flamurit”.
Gjatë jetës së tij u vlerësua me një sërë çmimesh prestigjioze. Në vitin 2004 u krijua Çmimi “Ismet Bellova” në gazetarinë sportive. Ai mori Çmimin e Karrierës në RTSH, dy herë Çmimin “Anton Mazreku”, si dhe “Mikrofonin e Artë”.

Alis dhe kënga “Nan” fitues të Festivalit të Këngës në RTSH

By: dan iela
21 December 2025 at 13:46

Kënga “Nan” do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision 2026, që do të mbahet në Vjenë.

Ishte këngëtari shkodran, Alis, ai që fitoi Festivalin e 64 të Këngës në RTSH dhe në këtë mënyrë të drejtën për në Festivalin Europian.

Alis, mori 152 pikë nga votat e publikut dhe jurisë, ndërkohë që në vendin e dytë u rendit Inis Neziri me 102 pikë dhe në vendin e tretë Sheila me 93 pikë.

Sipas vlerësimit të jurisë, Alis u rendit në vendin e parë, Sheila në vendin e dytë dhe Vedat Ademi në vendin e tretë.

Hoqi nga kantina verën me vlerë miliona euro, në kërkim Eno Agasi

By: dan iela
21 December 2025 at 12:17

Prokuroria e Tiranës ka nxjerrë një urdhër- arresti dhe ka shpallur në kërkim Eno Agasin, djali i xhaxhait të Ergys Agasit.

Bëhet me dije se Eno Agasi ka hequr nga kantina e Ergys Agasit, miliona euro verë pa pullë, që kishte rezultuar në inventarin e bërë, por ishte lënë në kantinë pasi s’mund të transportohej natën nga doganat. Të nesërmen, kur autoritetet kanë shkuar të kryejnë transportin, vera ishte hequr nga kantina, ndërkohë që Eno Agasi kishte hequr edhe pamjet e kamerave.

Eno Agasi dyshohet për kontrabandë mallrash që paguan akcizë, magazinim mallrash që paguajnë akcizë dhe veprime që pengojnë zbardhjen e të vërtetës. Bëhet me dije se pokurori Bledar Valikaj ka nisur edhe një hetim për pastrim parash.

 

Debatet në kryesi, Salianji – Nokës: Flamur, duhet të japësh dorëheqjen

By: dan iela
13 December 2025 at 22:38

U shoqërua me diskutime e madje edhe debate, mbledhja e kryesisë së Partisë Demokratike ku është diksutuar ndër të tjera për firmat e mbledhur për emrin e Avokatit të Popullit, Endrit Shabani apo edhe qëndrimet e Ervin Salianjit brena partisë.

Pjesë nga diskutimet

Flamur Noka: Pas daljes së mediave, sipas pikës 1 të rendit të ditës, e vetmja pikë në rend dite, fillojnë diskutimet për protestën.

Sali Berisha: Duhet të kërkojmë falje publike secili prej deputetëve që ka firmosur për Avokatin e Popullit dhe Rama le ta gëzojë, siç ka 98% të pushtetit, të shkojë 99%.

Jozefina Topalli: Jo mor, mos e gëzoftë.

Sali Berisha: Ta gëzojë. Ne nuk do merremi as në Gjykatën Kushtetuese. Ky ishte gabim dhe ne duhet ta pranojmë.

Bislim Ahmetaj: Mendoj që përgjegjësinë e ka Flamur Noka për gjithë këtë çorganizim të organizuar që ka partia dhe mendoj se do e kemi të vështirë të na vijnë njerëz.

Me këtë reagim po neglizhojmë demokratët dhe Avokati i Popullit është përgjegjësi e Nokës. Me Salianjin nuk kam pasur simpati, se jemi përplasur, por sot, me lëvizjet që po bën, i jap të drejtë.

Flamur Noka: Në Durrës nuk kanë qenë demokratë. Arlind Boshku dhe Tan Burgia janë zëra të Dyrmishit dhe Ergysit.

Ervin Salianji: Janë sekretari i degës dhe kryetari i grupit të këshilltarëve të PD. Pse sot, që nuk mendojnë si ju, janë kundër këta?! Po këta emrat e PS pse nuk i përmendni ju në publik?

Flamur Noka: Në Elbasan njerëzit thonë që po angazhohet Suel Çela për të mos pasur njerëz tek foltorja dhe ky është ndikimi yt (Salianjit).

Ervin Salianji: Ende nuk e kam caktuar takimin, por meqë deri sot kam menduar që s’dua përçarje dhe as dua të flas, po të them që ti duhet të jesh i kujdesshëm, sepse ke qenë i akuzuar para 4 vitesh se mblidhje firmat e seksioneve nën kërcënimin e Suelit. Pastaj, se kush e takon, ju e dini që jua sjell me fakte nëse vazhdoni me këto idiotësi.

Flamur Noka: Në Gjirokastër nuk kishe kryesi.

(Salianji lexon gjithë emrat e kryesisë)

Ervin Salianji: Mbi 80% e kryesisë dhe salla plot, por edhe sikur, pse nuk shkon ti, Flamur, apo ndonjë tjetër dhe t’i mbushë sallat?

Avokati i Popullit ishte gabim strategjik. PD duhet të shkonte me një kandidat. E kemi dërguar para 4 vitesh Ledio Brahon kandidat të vetëm dhe e ka rrëzuar Rama. Nuk mund t’u thuash deputetëve që firmosni kë të doni dhe pastaj thua pse na e hodhi Rama. Duket si pazar te njerëzit dhe ti, Flamur, meqë po i del për zot, duhet të japësh dorëheqjen për shkatërrimin e strukturës, organizimit dhe perceptimin që jeni shitur te Rama.

(Ndërhyn Noka…)

Ervin Salianji: Mos më ndërhyj, se është fjala ime. Mendoj që pas kësaj të vëmë mend. Mos ulemi më me Ramën as te reforma zgjedhore, as te territorialja. Të japim propozimin tonë. I imi është të hapen listat, të kemi koalicione parazgjedhore dhe të ndryshojë mënyra e votimit për diasporën. Dhe te territorialja të propozojmë bashkitë sipas propozimeve të demokratëve dhe qytetarëve.

Sali Berisha: Hysen Kadiu ka ikur në fushatë në Amerikë. Ia kam premtuar që do jetë në listë të sigurt, por s’e mbajta dot, por ai iku, ma ka thënë.

Ervin Salianji: Ka qenë në fushatë dhe ka foto të tij nëpër zona dhe duke bërë thirrje për fushatë për të votuar PD.

Sali Berisha: Po gënjen, ai s’ka punuar.

Ervin Salianji: Edhe falë tij jemi 2800 vota para. Fjalën “gënjen” tërhiqe.

Sali Berisha: Jo, nuk ka qenë.

Ervin Salianji: Të respektoj si kryetar partie, por fjalën “gënjen” tërhiqeni ose dal nga mbledhja.

Sali Berisha: Ai më ka dërguar SMS vetë.

Ervin Salianji: Mendova që sot duhet të flisnim vetëm për skandalin Rama–Balluku. Sot, me këtë, po zhvendosni vëmendjen. Problemi qenka shqetësimi që kanë demokratët dhe jo vjedhjet e qeverisë. Unë erdha t’i bëjmë gjyqin qeverisë, por nëse doni për demokratët, ja e bëjmë. Do më keni me cel në dorë për të denoncuar këdo që bashkëpunon me qeverinë.

Bledi Himçi: Mbi interesat personale nuk mund të shesim idealet e PD-së.

Të bësh profanin duke akuzuar deputetët që kanë bërë gabim se kanë firmosur për Endri Shabanin, kur ti ke qenë iniciatori për mbledhjen e firmave për Endri Shabanin, kjo nuk të nderon dhe nuk ka moral. Mua ma ke kërkuar personalisht ti dhe unë nuk pranova të firmosja. Ua ke kërkuar edhe kolegëve të tjerë dhe ata, në mirëbesim, ta dhanë.

Nuk mund të qëndrojnë në Partinë Demokratike edhe demokrati idealist, edhe pazarexhiu. Nuk mund të qëndrojnë në PD edhe militanti, edhe ai që helmon çdo ditë në media apo rrjete sociale, në emër të faktit që po i dhimbsen demokratët, ndërkohë që kanë punuar hapur në zgjedhjet e 11 majit.

Ervin Salianji: As kam qenë në Elbasan këtë periudhë, as kam bërë takim deri tani. Ndërkohë, çfarë të them, të kanë detyruar ta thuash dhe e thua, por kujtohu se po e shoh që as emrin nuk e paske në listë. Qesharak mund të bëhesh edhe me vetëdije.

Sali Berisha: Takimet i kam konsideruar private.

Ervin Salianji: Nëse në takime private mblidhni aq shumë njerëz, vetëm mirë i bëni PD-së. Të dalë secili të mbledhë aq njerëz në çdo zonë dhe ne i mbushim sheshet.

Tomor Alizoti: Jemi në një situatë të vështirë. Shqiptarët janë të mërzitur me Ramën dhe Ballukun, për vjedhjet e tyre të mëdha. Mediat e pushtetit, me këtë mbledhje duan që të kanalizojnë zemërimin e njerëzve tek ne. Nuk duhet ta lejojmë këtë, duhet t’u tregojmë të gjithëve që jemi bashkë. Kjo është e vetmja shpresë për shqiptarët.

Belind Këlliçi: Sa i takon protestës unë mendoj se duhet të kemi të qartë çfarë do bëjmë. Cili është plani a, cili është plani b dhe cili plani c. Ne duhet të vijojmë aksionin tonë, me këtë protestë të fuqishme, të egër dhe duhet të kërkojmë e punojmë që në shesh të jenë sa më shumë njerëz. Pra 22 dhjetori nuk duhet të jetë shëtitje. Dua të bëj edhe një propozim. 22-shi është e hënë, mos duhet ta çojmë të dielën?

Sali Berisha: Edhe sikur 300 të jenë, ne do t’u përgjigjemi. Nuk ka rëndësi pjesmarrja.

 

Kur vëzhgimi kthehet në mesazh

By: dan iela
13 December 2025 at 22:25

Në ditën kur Këshilli i Lartë i Prokurorisë u mblodh për të zgjedhur drejtuesin e ri të SPAK-ut, një nga institucionet më të fuqishme dhe më të ndjeshme të shtetit shqiptar, në sallë nuk ishin vetëm anëtarët e KLP-së: të pranishëm, të dukshëm dhe në numër të pazakontë ishin edhe ambasadorë të huaj të akredituar në Tiranë, një prani që formalisht nuk shkel asnjë normë ligjore, por që politikisht dhe institucionalisht hap një pyetje thelbësore për natyrën e pavarësisë së drejtësisë në Shqipëri — çfarë kuptimi ka ajo kur aktorë të jashtëm ndjejnë nevojën të jenë fizikisht të pranishëm në momentin e një vendimmarrjeje kaq sovrane?

Nga Albatros Rexhaj

 Në ditën kur Këshilli i Lartë i Prokurorisë zgjodhi drejtuesin e ri të SPAK-ut, në sallë nuk ishin vetëm anëtarët e KLP-së. Në rreshtat e karrigeve, të pranishëm dhe vëzhgues, ishin edhe ambasadorë dhe përfaqësues të shumtë diplomatikë të akredituar në Tiranë. Prania e tyre nuk ishte e fshehtë. Përkundrazi, ishte e dukshme, e qëndrueshme dhe e përqendruar.

Në një demokraci të konsoliduar, ky fakt do të kalonte pothuajse pa u vënë re. Në një demokraci të brishtë, ai bëhet ngjarje politike.

Formalisht, nuk ka asgjë të paligjshme këtu. Konventa e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike nuk ndalon praninë e diplomatëve në procese institucionale, për aq kohë sa ata nuk ndërhyjnë drejtpërdrejt. Por demokracitë nuk funksionojnë vetëm mbi bazën e ligjshmërive formale. Ato jetojnë dhe vdesin mbi perceptimin e pavarësisë.

Dhe pikërisht këtu fillon problemi.

Prania e ambasadorëve në një proces kaq delikat nuk ishte neutrale. Ajo ishte një mesazh. Jo domosdoshmërisht një mesazh i artikuluar, por një mesazh i kuptueshëm për të gjithë aktorët e përfshirë: ky proces po vëzhgohet nga jashtë dhe rezultati i tij ka rëndësi që shkon përtej Shqipërisë.

Në vende me institucione të forta, vëzhgimi ndërkombëtar është luks. Në vende me institucione të dobëta, ai shndërrohet në zëvendësim të besimit të brendshëm.

Prej javësh, në hapësirën publike qarkullonin thashetheme se qeveria kishte një kandidat të preferuar për drejtimin e SPAK-ut. Thashethemet, në vetvete, janë pjesë e pandashme e jetës politike dhe zakonisht zbehen kur proceset janë transparente dhe bindëse. Por në këtë rast, ato u përforcuan nga një fakt i ri: diplomatë të huaj kishin spikatur publikisht më herët prokurorin që në fund u zgjodh, ndërsa në ditën e vendimmarrjes u shfaqën në një numër dhe me një përkushtim të pazakontë.

Kjo krijon një pyetje që nuk mund të shmanget: pse ky kandidat dhe jo të tjerët?

Nëse përgjigjja është se ai ishte më i miri, atëherë procesi duhej të ishte i aftë ta demonstronte këtë në mënyrë të tillë që të mos linte hapësirë për dyshime. Nëse, përkundrazi, supozohet se kandidatët e tjerë konsiderohen të komprometuar ose potencialisht të komprometueshëm, atëherë problemi nuk është individi i zgjedhur, por vetë reforma në drejtësi. Një sistem që ka nevojë për “garanci” të jashtme për të besuar në prokurorët e vet është një sistem që ende nuk ka arritur pjekuri institucionale.

Në këtë pikë, çështja nuk është më zgjedhja e një drejtuesi, por mënyra se si konceptohet pushteti i drejtësisë. SPAK-u u ndërtua si institucioni që duhej të mishëronte pavarësinë absolute nga politika. Por pavarësia nuk është vetëm marrëdhënie me qeverinë vendore. Ajo është edhe marrëdhënie me faktorët e huaj. Një drejtësi që perceptohet si e mbështetur, e mbikëqyrur ose e “garantuar” nga ambasadat rrezikon të humbasë legjitimitetin e brendshëm pa të cilin asnjë hetim nuk ka autoritet real.

Nëse drejtuesi i ri i SPAK-ut perceptohet si “kandidati i ambasadave”, atëherë çdo hetim i ardhshëm ndaj elitave politike do të shoqërohet pashmangshëm nga një hije dyshimi më e rëndë se sa mungesa e pavarësisë formale: a kemi të bëjmë me ushtrim të drejtësisë, apo me një mekanizëm presioni politik të ndërmjetësuar nga jashtë? Në këtë narrativë, hetimi nuk shihet më si akt i ligjit, por si instrument ndikimi — një mënyrë për t’i mbajtur elitat politike të ekspozuara, të disiplinuara dhe të frikësuara; në rastin më të keq, të shantazhuara dhe të shtyra drejt një forme vasaliteti politik, ku bindja nuk buron nga Kushtetuta, por nga frika e ndëshkimit selektiv.

Edhe nëse kjo nuk është e vërtetë, edhe nëse asnjë presion real nuk ushtrohet, vetë dyshimi është shkatërrues. Ai e minon besimin publik, e delegjitimon institucionin dhe e zhvesh SPAK-un nga autoriteti moral pa të cilin drejtësia shndërrohet në procedurë pa besim.

Kjo është dilema klasike e demokracive të pas-tranzicionit: ndërhyrja ndërkombëtare shpesh vjen me synimin për të mbrojtur institucionet, por kur ajo bëhet e dukshme dhe e vazhdueshme, ajo fillon t’i zëvendësojë ato. Drejtësia nuk mund të funksionojë si mekanizëm disiplinimi i elitave në emër të stabilitetit gjeopolitik pa u kthyer në mjet presioni.

Në fund, mbetet një e vërtetë themelore: Shqipëria është një shtet i pavarur. Jo protektorat. Jo koloni. Çdo reformë që mbështetet më shumë në praninë e ambasadorëve sesa në besimin e qytetarëve rrezikon të jetë teknikisht funksionale, por politikisht e brishtë.

Drejtësia nuk mund të imponohet nga jashtë. Ajo ose ndërtohet nga brenda, ose mbetet përgjithmonë e huaj.

 

(Albatros Rexhaj është autor, dramaturg dhe analist me formim në studimet e sigurisë kombëtare dhe gati tri dekada përvojë në çështjet politike dhe të sigurisë.)

 

Kosova dhe Strategjia e Re e Sigurisë Amerikane

By: dan iela
13 December 2025 at 22:23

Nga Arianit Shehu

Publikimi i Strategjisë së Sigurisë Kombëtare të SHBA-së për vitin 2025 (NSS) është më shumë se një përditësim i qasjes së Uashingtonit ndaj politikës së jashtme – është një udhërrëfyes i ri për mënyrën se si aleatët e vegjël, por të besueshëm, mund të bëhen shtylla kyçe të një rendi transatlantik më të sigurt dhe më të qëndrueshëm. Për Kosovën, kjo përbën një moment historik për të fuqizuar rolin e saj, jo si përfituese e ndihmës perëndimore, por si kontribuuese aktive në stabilitetin rajonal dhe global.

Në këtë kontekst, strategjia e re amerikane duhet të shërbejë si bazë për ofensivën më të fuqishme diplomatike të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë. Ajo duhet të përdoret për të siguruar njohjen nga Serbia dhe për të bindur shtetet e BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën, se njohja e shtetit tonë është plotësisht në përputhje me interesat strategjike të SHBA-së dhe të Evropës.

Duke e pozicionuar Kosovën si linjën e parë të mbrojtjes perëndimore kundër ndikimit rus dhe kinez në Evropën Juglindore, Prishtina mund të paraqitet jo vetëm si aleate e vlerave demokratike, por si aktor strategjik që neutralizon ambiciet ruse dhe destruktivitetin e udhëheqjes serbe pro-Moskës. Kjo është një mundësi për të dëshmuar se Kosova është jo vetëm simbol i demokracisë amerikane në Ballkan, por edhe një partner real në mbrojtjen e interesave të saj.

Ky është momenti kur Kosova duhet ta kthejë përkushtimin e saj të palëkundur pro-amerikan në fuqi gjeopolitike konkrete. Duke ofruar stabilitet politik, siguri energjetike, bashkëpunim inteligjent në fushën e sigurisë dhe mbrojtje nga dezinformimi, Kosova mund të bëhet shembulli më i suksesshëm i politikës së jashtme amerikane në Evropën Juglindore.

Nëse shfrytëzohet me vizion, NSS 2025 mund të shndërrohet në instrumentin më të fuqishëm të Kosovës për forcimin e njohjes ndërkombëtare, konsolidimin e partneritetit strategjik me SHBA-në dhe izolimin e ndikimit rus e të aleancës së rrezikshme të Beogradit me Moskën.

Kosova duhet të mbetet dhe të dëshmojë se është shteti më pro-amerikan në Evropën Lindore

Sot është thelbësore për sigurinë kombëtare që Kosova të mbetet dhe ta dëshmojë qartësisht se është shteti më pro-amerikan në Evropën Lindore, jo vetëm si ndjenjë, por si shtyllë e qëllimshme e strategjisë së saj kombëtare. Në një rajon ku aleancat gjeopolitike ndryshojnë dhe ndikimet e jashtme rivalizojnë për ndikim, përafrimi i palëkundur me SHBA-në i jep Kosovës mburojën më të qëndrueshme të legjitimitetit, sigurisë dhe zhvillimit afatgjatë.

SHBA mbetet garantuesi kryesor i sovranitetit dhe sigurisë së Kosovës; prandaj, çdo institucion, politikë dhe veprim diplomatik duhet ta reflektojë këtë lidhje strategjike në praktikë. Nga bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe koordinimi i politikës së jashtme, deri te arsimi, energjia dhe teknologjia, miqësia me Amerikën duhet të institucionalizohet, e jo të romantizohet, përmes partneritetit të matshëm dhe rezultateve konkrete.

Duke u pozicionuar si partneri më i besuar amerikan në Evropën Juglindore, Kosova jo vetëm që forcon shtetësinë e saj, por bëhet historia më e prekshme e suksesit demokratik të Uashingtonit në një rajon ende të kontestuar nga fuqitë rivale.

Nga Varësia te Rëndësia Strategjike

Strategjia e re amerikane thekson tri shtylla kyçe: ndarjen e barrës midis aleatëve, qëndrueshmërinë ekonomike dhe diplomacinë pragmatike për parandalimin e konflikteve. Këto parime përputhen në mënyrë të përkryer me aftësitë dhe ambiciet e Kosovës. Fleksibiliteti institucional e bënë Kosovën të aftë të veprojë shpejt, të inovojë me lehtësi dhe të arrijë rezultate konkrete, pikërisht atë që SHBA kërkon tani me këmbëngulje nga partnerët e saj të besueshëm.

Kosova duhet të pozicionohet si aleati më i qëndrueshëm i Uashingtonit në Evropën Juglindore, një shtet që zvogëlon rreziqet dhe kontribuon në stabilitetin rajonal.

Në fushën e mbrojtjes, Kosova duhet të angazhohet për rritjen graduale të buxhetit të sigurisë në 5% të BPV-së, të fokusuar në gatishmëri, modernizim dhe teknologji të avancuar mbrojtëse. Po ashtu, duhet të thellohet bashkëpunimi dypalësh me SHBA-në, përmes stërvitjeve të përbashkëta, marrëveshjeve të reja strategjike dhe pranisë së kufizuar amerikane për qëllime trajnimi e koordinimi rajonal. Në këtë mënyrë, Kosova nuk do të shihet më si një shtet që mbrohet nga aleanca, por si një shtet që kontribuon aktivisht në mbrojtjen e saj dhe të aleatëve.

Një Moment që Kosova Nuk Duhet ta Humbasë

Strategjia e re amerikane e vitit 2025 sinjalizon një epokë të re në politikën globale, ku shtetet e vogla që tregojnë vizion, investojnë në mbrojtjen e tyre dhe japin rezultate konkrete, fitohen një peshë strategjike të jashtëzakonshme.

Kosova si shtet i ri, i vendosur dhe i ankoruar thellë në familjen euroatlantike ka të gjitha për t’u bërë një nga partnerët më të rëndësishëm të SHBA-së në rajon. Ka ardhur koha të zëvendësojmë narrativën e brishtësisë me atë të aftësisë, të kalojmë nga kërkimi i mbështetjes në ofrimin e stabilitetit, dhe të dëshmojmë se siguria e Kosovës është interes i përbashkët amerikan dhe evropian.

Nëse veprojmë me disiplinë, vizion dhe maturi strategjike, Strategjia e re e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së nuk do të jetë vetëm një dokument politik, ajo do të bëhet katalizatori i forcimit të shtetësisë dhe mirëqenies së Kosovës.

Arianit Shehu është Drejtor Ekzekutiv i Qendrës Amerikane për Luftimin e Ekstremizmit dhe Terrorizmit, me mbi 25 vite përvojë në drejtimin e programeve shumëmilionëshe në promovimin e demokracisë dhe luftës kundër terrorizmit. Shehu ka shërbyer si drejtor i konzorciumeve të Instituteve Politike Amerikane dhe ka udhëhequr iniciativa të rëndësishme në më shumë se njëzet vende në Evropën Qendrore e Lindore, Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore. Z. Shehu gjthashtu ka shërbyer edhe si këshilltar i ish-Sekretares së Shtetit Madeleine Albright për institute prestigjioze ndërkombëtare si Aspen Institute dhe Atlantic Council. Kontributi i tij në fushën e sigurisë dhe demokracisë është vlerësuar me një sërë dekoratash civile dhe ushtarake, përfshirë Medaljen e Paqes dhe Medaljen e Nderit. Krahas angazhimit diplomatik dhe strategjik, Arianit Shehu është edhe ligjerues pranë Universitetit të Filadelfias, ku ndan përvojën e tij të pasur me brezin e ri të liderëve dhe profesionistëve. Gjatë viteve ’90, ka punuar si korrespondent lufte për Los Angeles Times duke sjellë në vëmendjen globale realitetin e rajonit.

 

 

“Fjalën gënjen tërhiqe”, debate mes kreut të PD dhe Ervin Salianjit

By: dan iela
13 December 2025 at 22:14

Është shoqëruar me debate mes Ervin Salianjit dhe kreut të PD-së Berisha, mbledhja e sotme e kryesisë.

Ka qenë pikërisht ish-kreu i PD Kavajë Hysen Kadiu, në qenër të këtij debate, teksa Berisha tha se pavarësisht që ishte personi më i votuar në primare, ai nuk u angazhua në fushatë dhe u largua në SHBA, duke mos qenë pjesë në listën e sigurt.

Debati

Sali Berisha: Hysen Kadiu ka ikur në fushatë në Amerikë. Ia kam premtuar që do jetë në listë të sigurt, por s’e mbajta dot, por ai iku, ma ka thënë.

Salianji: Ka qenë në fushatë dhe ka foto të tij nëpër zona dhe duke bërë thirrje për fushatë për të votuar PD.

Berisha: Po gënjen, ai s’ka punuar.

Salianji: Edhe falë tij jemi 2800 vota para. Fjalën “gënjen” tërhiqe.

Berisha: Jo, nuk ka qenë.

Salianji: Të respektoj si kryetar partie, por fjalën “gënjen” tërhiqeni ose dal nga mbledhja.

Berisha: Ai më ka dërguar SMS vetë.

Salianji: Mendova që sot duhet të flisnim vetëm për skandalin Rama–Balluku. Sot, me këtë, po zhvendosni vëmendjen. Problemi qenka shqetësimi që kanë demokratët dhe jo vjedhjet e qeverisë. Unë erdha t’i bëjmë gjyqin qeverisë, por nëse doni për demokratët, ja e bëjmë. Do më keni me cel në dorë për të denoncuar këdo që bashkëpunon me qeverinë.

 

Berisha:Sakrifica jonë për të larguar këtë qeveri, kush nuk përgjigjet dot del anash

By: dan iela
13 December 2025 at 14:29

Kreu i PD Sali Berisha në mbedhjen e kryesisë, pasi ka bërë të ditur mbajtjen e protestës së parë kombëtare më 22 Dhjetor, tha ndër të tjera se protestat do të jënë kryefjalë e agjendës së opozitës.

“Është sakrifica jonë për të larguar këtë qeveri që nuk lejon zgjedhjet. Është misioni ynë. Kush është në lartësinë e këtij misioni, angazhohet. Kush nuk i përgjigjet dot, del anash. Kush nuk do të ndjehet misionar, tërhiqet”, tha ndër të tjera Berisha.

Pjesë nga fjala

Në këtë situatë, komplekse dhe të vështirë, kemi arritur disa arritje shumë të mëdha për ne në këtë betejë. Janë shtatë rezoluta ndërkombëtare që sanksionojnë Shqipërinë narkoshtet. Sanksionojnë zgjedhjet farsë elektorale, dhe pa u zhvilluar disa prej tyre. Sanksionojnë shtypjen dhe dhunimin e pluralizmit politik. Sanksionoj në rezultatin e zgjedhjeve të diktuar nga kartelet e drogës.

Sanksionojnë persekutimin politik të opozitës. Dhe kjo është një mëbshtetje e jashtëzakonshme.

Është një mbështetje e jashtëzakonshme, të cilën nuk mund ta përdorim si opozitë qaramane, por do e përdorim si opozitë frymëzuese. Ato janë frymëzim për ne.

Zëri dhe përpjekja jonë për të rikthyer votën e shqiptarëve, lufta jonë për këtë qëllim ka mirëkuptim dhe mbështetje.

Ia dolëm në kushte të vështira, dhe ka të mërzitur për këtë, të realizojmë atë që realizuam në vitin 2001 me raportin e OSBE/ODIHR.

E mbrojtëm votën dhe ka qenë një betejë shumë e vështirë. Jashtëzakonisht e vështirë.

Ka shumë faktorë që ndërhyjnë, por ai doli siç ishte, dhe u dha një kontribut shumë i madh. Unë mendoj se ai raport përbën bazën solide ligjore, përbën ligjin ndërkombëtar të përpjekjeve tona për qeveri teknike dhe zgjedhje të lira në këtë vend.

Mazhoranca qëndron mbi zgjedhje të dhunuara. Është pseudomazhorancë, nuk është mazhorancë. Kjo kërkon që çdo njëri prej nesh këtu, dhe çdo drejtues, ta ketë të qartë se çdo minutë, çdo orë dhe çdo ditë, agjenda jonë është rikthimi i votës, largimi i kësaj qeverie me të cilën nuk ka zgjedhje.

Është sakrifica jonë për të larguar këtë qeveri që nuk lejon zgjedhjet. Është misioni ynë. Kush është në lartësinë e këtij misioni, angazhohet. Kush nuk i përgjigjet dot, del anash. Kush nuk do të ndjehet misionar, tërhiqet.

Por rruga është jetike dhe vendimtare për opozitën shqiptare. Kështu që mendoj se data 22 dhjetor të jetë data e protestës së parë të përgjithshme kombëtare.

Ne duhet ta kemi të qartë se kryefjala e agjendës tonë do jenë vetëm protestat. Nuk ka më asnjë shpresë përveç protestave.

 

 

❌
❌