Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 17 January 2026Main stream

Akademikët e Kosovës jashtë projektit, fjalori i madh i Gjuhës Shqipe shkakton debate

17 January 2026 at 16:36


Pas 45 vitesh u publikua online fjalori i madh i gjuhës shqipe. Gjuhëtarja Anila Kananaj, njëherësh edhe koordinatorja e projektit, thotë se ai do t’i vijë në ndihmë drejtshkrimit të saktë të gjuhës.

“Presim ndryshim në nivelin e drejtshkrimit në të gjitha nivelet. Në shkollë, në dokumentacion zyrtar, në legjislacion, në media. Ky fjalor do të jetë shumë ndihmues, duke filluar që nga fjalët android, fjala online…”

Fjalori, i cili ka rreth 125 mijë njësi leksikore, mund të përdoret nga të gjithë online.

“Ke të gjitha konceptet e reja që brezi i ri i njeh dhe i përdor. Ke lëvizje masive të popullsisë, bashkë me lëvizjen e popullsisë hyjnë fjalë të reja, koncepte të reja. Ke fjalë të vjela nga dialektet. Fjala hajgara (shaka), përdoret shumë në Kosovë. Ne përdorim variant tjetër, ama kjo nuk do të thotë që nuk duhet ta fusim si fjalë”.

Por publikimi i këtij fjalori nga Akademia e Shkencave në Shqipëri ka nxitur reagime në Kosovë. Akademikët atje thonë se u lanë jashtë projektit për shkak të parimeve të diskutimit.

“Në Këshillin Ndërakademik ishte paraparë të diskutoheshin çështjet e leksikut. Së pari, pra, do të përcaktoheshin parimet e punës dhe do të zgjidheshin dilemat. Ne, në Akademinë e Kosovës, nuk e kemi parë të arsyeshme të punojmë pa ato parime dhe nuk kemi pranuar të përfshihemi në atë mënyrë”, tha Bardh Rugova.

Për këto rezerva, grupi i punës në Shqipëri thotë se ka bashkëpunuar me Institutin e Albanologjisë në Prishtinë.

“Kemi grup pune atje në Kosovë, të Institutit të Albanologjisë, që ka qenë pjesëmarrës që nga fillimi. Mendimi i tyre nuk ka munguar kurrë në fjalor. Ata na kanë sjellë vazhdimisht pasuri leksikore nga Kosova”, u shpreh Kananaj.

Për 9 muaj fjalori do të jetë i hapur për të marrë sugjerime nga publiku, të cilat do të reflektohen nga grupi i punës./Tv Klan


KQZ rinumëron 34% të vendvotimeve – disa kandidatë humbin mijëra vota, të tjerë përfitojnë

17 January 2026 at 00:07


Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) janë rinumëruar 309 nga gjithsej 914 vendvotime të përfshira në procesin e rinumërimit, që përbën rreth 34 për qind të totalit.

Sipas njoftimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), procesi i verifikimit dhe rinumërimit të votave ka përfunduar në 20 komuna, ndërsa komunat e tjera do të përfshihen në këtë proces sipas radhës së përcaktuar.

Nga verifikimi i votave janë evidentuar ndryshime të konsiderueshme, ku disa kandidatëve u janë hequr qindra vota, ndërsa disa të tjerëve u janë shtuar dhjetëra e qindra vota.

Megjithatë, sipas të dhënave aktuale, këto ndryshime nuk pritet të sjellin lëvizje në listat e kandidatëve që kanë fituar ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Kandidatët me më së shumti vota të hequra pas verifikimit

Lëvizja Vetëvendosje (LVV):

  • Ejup Maqedonci: -252 vota
  • Vendenis Lahu: -239 vota
  • Filiz Mustafa: -224 vota
  • Adelina Stublla: -165 vota
  • Albin Kurti: -152 vota
  • Dafina Alishani: -141 vota

Partia Demokratike e Kosovës (PDK):

  • Fetah Paçarizi: -1,323 vota
  • Nait Hasani: -667 vota
  • Arianit Çollaku: -507 vota
  • Xhavit Haliti: -477 vota
  • Luljeta Veselaj Gutaj: -450 vota
  • Kujtim Gashi: -434 vota
  • Enver Hoxhaj: -430 vota
  • Fadil Demaku: -306 vota

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK):

  • Xhavit Uka: -355 vota
  • Visar Azemi: -193 vota
  • Driton Selmanaj: -169 vota
  • Anton Quni: -144 vota

Kandidatët që kanë përfituar më së shumti nga rinumërimi

Lëvizja Vetëvendosje (LVV):

  • Driton Hyseni: +61 vota
  • Alban Bajrami: +49 vota
  • Mefail Bajqinovci: +44 vota
  • Fatos Geci: +32 vota

Partia Demokratike e Kosovës (PDK):

  • Uran Ismaili: +166 vota
  • Përparim Gruda: +129 vota
  • Vlora Çitaku: +104 vota
  • Arian Tahiri: +100 vota

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK):

  • Paris Guri: +60 vota
  • Shaban Osmanaj: +27 vota
  • Doarsa Kica-Xhelili: +23 vota
  • Ukë Rugova: +20 vota
Ndryshime më të pakta të votave në AAK.

KQZ ka bërë të ditur se procesi i rinumërimit do të vazhdojë deri në përfundimin e verifikimit të të gjitha vendvotimeve të parapara, ndërsa rezultatet përfundimtare do të certifikohen pas përmbylljes së të gjitha procedurave ligjore./Telegrafi/

Dy dronë nga Serbia kalojnë mbi vijën kufitare në Kamenicë, njohësit e sigurisë: Provokim

16 January 2026 at 23:28


Serbia po vazhdon të mos heq dorë nga përpjekjet e saj destabilizuese në Kosovë. Më 12 janar të këtij viti, dy dronë të cilët vinin nga ana serbe, shkelën hapësirën ajrore të Kosovës pranë fshatit Muqivërcë të Kamenicës, kështu duke përçuar edhe një mesazh të heshtur provokimi.

Mjetet ajrore pa pilot ishin në vëzhgim të forcave policore të Kosovës. Njoftimi i Policisë për këtë veprim ishte i menjëhershëm në drejtim të forcave të KFOR-it.

Këta të fundit thonë se kontaktuan autoritetet serbe nga të cilat kërkuan sqarime. Në një përgjigje për RTK-në, KFOR-i tha se vazhdojnë ta monitorojnë nga afër situatën dhe të kontribuojnë në një mjedis të sigurt.

“KFOR është njoftuar për këtë zhvillim të pretenduar më 12 janar 2026. Policia e Kosovës i ka komunikuar KFOR-it se kishte vëzhguar dy mjete ajrore pa pilot që vinin nga ana serbe e vijës kufitare pranë fshatit Kamenicë. Pas kësaj, KFOR kontaktoi Forcat e Armatosura të Serbisë përmes procedurave të mirëpërcaktuara. Këto përfshinë një komunikim telefonik dhe një notë zyrtare me shkrim, ku kërkohej një përgjigje e detajuar lidhur me këtë çështje. Përgjigjja e menjëhershme e Forcave të Armatosura të Serbisë përmes telefonit ishte se ato nuk kishin kryer asnjë aktivitet në atë lokacion, në atë kohë të caktuar", thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

Sipas njohësve të sigurisë ky është provokim nga Serbia e cila duhet t'u kërkojë vigjilencë institucioneve të sigurisë pasi Serbia qëllimisht i përdorë këta dron për interesat e tyre ushtarake.

"Serbia po vazhdon me kërcënimet hibride, ndër to është edhe përdorimi i dronëve. Sa kemi informacione janë këta dronët komercial po shkojnë në baza private por krejt janë me regji të sistemit të inteligjencës serbe për nevoja edhe të Forcave të Armatosura edhe të policisë e tjera. Vetë koncentrimi i forcave aty dhe me kujdes po vëzhgohet e gjithë kjo situatë", tha Nuredin Ibishi, njohës i çështjeve të sigurisë.

Edhe njohës të tjerë thonë se autoritet vendore të sigurisë duhet të jenë të kujdesshme në këto raste, duke nënvizuar se KFOR-i është përgjegjës për hapësirën ajrore të Kosovës, andaj edhe reagimi i tyre duhet të jetë më i qartë.

"Misioni i NATO-s, KFOR është përgjegjës për territorin e Republikës së Kosovës në këtë rast edhe për ajrin, paqen dhe sigurinë. Në Republikën e Kosovës si reagues i tretë përgjegjës është KFOR. Duhet të jemi gjithmonë vigjilent në aspektin e sigurisë", deklaroi Arben Dashevci, njohës i çështjeve të sigurisë.

Nuk është rasti i parë që Serbia provokon Kosovën përmes lëshimit të dronëve në drejtim të vijave kufitare me vendin tonë. Një shkelje e hapësirës ajrore të Kosovës nga shteti serb përmes dronëve e kishte konfirmuar në shtator të vitit të kaluar edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla./RTK

Gjendet shëndoshë e mirë i riu i raportuar si i humbur në Gjilan

16 January 2026 at 23:17


Policia e Kosovës ka bërë të ditur se pas veprimeve operative dhe angazhimit të njësive relevante policore, si dhe falë bashkëpunimit me qytetarët dhe mediat, është gjetur personi i raportuar më herët si i humbur, Xhengiz (Aliriza) Hyzeiri, i lindur më 15 korrik 2008, me vendbanim në rrugën “Lufta e Gjilanit” në Gjilan.

Sipas njoftimit zyrtar, i mituri është gjetur në gjendje të mirë shëndetësore dhe aktualisht ndodhet në ambientet e Policisë së Kosovës, ku po zhvillohen procedurat e nevojshme ligjore, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka falënderuar mediat dhe qytetarët për bashkëpunimin dhe informacionet e ofruara gjatë kërkimit, duke vlerësuar lart kontributin e tyre në zbardhjen e këtij rasti.


Rama paralajmëron mbylljen e televizionit publik

16 January 2026 at 23:08


Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka shfaqur pakënaqësinë e tij në lidhje me mënyrën se si po menaxhohet Radio Televizioni Publik Shqiptar (RTSH).

Komentet Rama i bëri në fjalën përmbyllëse të mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ku tha se RTSH nuk do të përfitojë më asnjë lek nga taksat e shqiptarëve.

Shefi i qeverisë tha po ashtu se çdo opsion do të shqyrtohet për RTSH, që nga reformimi, privatizimi e deri te mbyllja e kësaj mediaje.

“Kemi tentuar të krijojmë kushtet që RTSH të reformohet dhe kemi dështuar me suksesin më të plotë. Se di çfarë do të bëjë drejtuesja e re, por deri tani bilanci i RTSH është dështim i suksesshëm, nga borxhi në borxh dhe nga mospërfillja e publikut në mospërfillje. Ne s’kemi televizion publik sot në Shqipëri, kemi një kanal atje, por hera e fundit kur e kam parë është në vitin 1990. Që atëherë televizion publik s’kam parë, kam vajtur i ftuar po as veten s’kam parë dhe janë të vetmet intervista pas të cilave nuk marr asnjë mesazh.

S’kemi për të dhënë asnjë lek nga taksat e shqiptarëve, deri kur t’i meritojë. Çdo opsion duhet të jetë në tryezë, edhe mbyllja përfundimtare, edhe privatizimi, edhe partneriteti, edhe çdo gjë përveç kësaj që është. Unë nuk marr pjesë në këtë, siç nuk marr pjesë në asnjë lloj tentative për të rregulluar median”, tha mes të tjerash Rama./A2 CNN

- YouTube youtu.be

KQZ rinumëron rreth 30% të vendvotimeve, një kandidati i hiqen 461 vota

16 January 2026 at 23:03


Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) janë rinumëruar 262 nga gjithsej 914 vendvotime që janë përfshirë në procesin e rinumërimit, që përbën rreth 30 për qind të totalit.

Sipas njoftimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), procesi i verifikimit dhe rinumërimit të votave ka përfunduar në 18 komuna, ndërsa komunat e tjera do të përfshihen në këtë proces sipas radhës së përcaktuar.

Nga verifikimi i votave, disa kandidatëve u janë shtuar vota, ndërsa disa të tjerëve u janë hequr qindra vota.

Megjithatë, bazuar në të dhënat aktuale, këto ndryshime nuk pritet të ndikojnë në listat e kandidatëve që kanë siguruar ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Sipas rezultateve të deritanishme të rinumërimit, ndryshimet më të theksuara të votave janë si në vijim:

Lëvizja Vetëvendosje (LVV):

  • Ejup Maqedoncit pas verifikimit i hiqen 263 vota
  • Venedis Lahu: -244 vota
  • Filiz Mustafa: -227 vota
  • Albin Kurti: -137 vota
  • Driton Hyseni: +61 vota

Në PDK pas rinumërimit Fetah Paçarizit i janë hequr 461 vota, derisa Bekim Haxhiut i janë shtuar 62 vota.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK):

  • Fetah Paçarizi: -461 vota
  • Arianit Qollaku: -186 vota
  • Nait Hasani: -178 vota
  • Bekim Haxhiu: +62 vota
Në LDK kandidati më "i favorizuar" nga komisionerët deri më tani del të ketë qenë Xhavit Uka të cilit i janë shtuar 153 vota, derisa Partis Guri është dëmtuar më shumë.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK):

  • Xhavit Uka: -153 vota
  • Paris Guri: +54 vota
Në partitë tjera ndryshimet janë të vogla deri më tani.

KQZ ka bërë të ditur se procesi i rinumërimit do të vazhdojë deri në përfundimin e verifikimit të të gjitha vendvotimeve të parapara, ndërsa rezultatet përfundimtare do të publikohen pas përmbylljes së të gjitha procedurave ligjore./Telegrafi/

Yesterday — 16 January 2026Main stream

Një fëmijë goditet nga automjeti në Mitrovicë, dërgohet në QKUK për trajtim të mëtejshëm

16 January 2026 at 22:08


Një fëmijë i lindur në vitin 2013, i gjinisë mashkullore, është dërguar për ndihmë mjekësore mbrëmjen e sotme në Shërbimin Emergjent të Spitalit të Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, si pasojë e goditjes nga një automjet.

Sipas njoftimit të spitalit, fëmija është paraqitur rreth orës 19:55, ku menjëherë ka marrë trajtim dhe ekzaminim emergjent nga ekipi mjekësor, përfshirë edhe masat reanimatore.

Në bashkëpunim me Shërbimin e Radiologjisë, është realizuar Tomografia e Kompjuterizuar (CT), si dhe janë kryer analizat laboratorike të nevojshme. Po ashtu, rasti është konsultuar edhe me mjekun kujdestar ortoped.

Mjekët kanë bërë të ditur se fëmija është jashtë rrezikut për jetë, ndërsa për shkak të natyrës së lëndimeve, është referuar për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për konsultë të mëtejshme me specialistët e Neurokirurgjisë dhe Kirurgjisë Maksilofaciale.

Sipas spitalit, lëndimet janë kryesisht në zonën e fytyrës dhe sinuseve, por gjendja e fëmijës është stabile dhe jashtë rrezikut jetësor./Telegrafi/


Qeveria mirëpret heqjen e masave, ka disa pritje tjera në rrugën drejt BE-së

16 January 2026 at 21:42


Paralajmërimi i Bashkimit Evropian për largimin e tërësishëm të masave ndëshkuese ndaj Kosovës po mirëpritet nga qeveria në detyrë. Sipas tyre, lirimi i fondeve për Kosovën dhe mbështetja financiare që nga ky fillim është një vendim i duhur i BE-së, sado që, siç thonë ata, është i vonuar ky hap. Përkitazi me këtë, në ekzekutiv presin që këtë vit të ketë edhe hapa të tjerë të rëndësishëm përpara në integrimin evropian dhe avancimin në procese, siç është marrja e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE.

Bashkimi Evropian të enjten për KosovaPress, konfirmoi se ka nisur heqjen e masave ndaj Kosovës, duke hapur rrugën për lirimin e mbi 400 milionë eurove këtë fillim viti, në mbështetje financiare për vendin.

Bashkimi Evropian (BE) vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës më 2023. Masat u vendosën si përgjigje për shkak të tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, pasi kryetarët shqiptarë të katër komunave në veri morën mandatin.

Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit në detyrë për Integrime Evropiane, Besnik Bislimi, thotë për KosovaPress, se lirimi i mjeteve financiare për Kosovën nga ky fillim viti, është pozitiv për vendin, siç shton, sado i vonuar që është ky hap.

Madje, thekson nevojën që BE-ja të ndërmarrë edhe hapa të tjerë të rëndësishëm përpara në integrimin evropian.

“Bashkimi Evropian përmes presidentes Ursula von der Leyen veçse ka njoftuar publikisht se do të vazhdojë me heqjen e masave, përmes së cilës do të lirohen fondet për Kosovën dhe mbështetja financiare që nga ky fillim viti. E mirëpresim vendimin e Bashkimit Evropian, sado i vonuar që është ky hap. Në vijim presim që të ketë edhe hapa të tjerë të rëndësishëm përpara në integrimin evropian dhe avancim në procese po ashtu të vonuara, siç është marrja e statusit të vendit kandidat”, thuhet në përgjigjen e Kadiut për KosovaPress.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper, në një përgjigje për KosovaPress, thotë se krahas 216 milionë eurove që janë liruar në dhjetor të vitit 2025, synojnë që shumë shpejt të lirojnë edhe 205 milionë euro në fillim të këtij viti.

Ajo tha se ky vendim është marrë pas transferimit të qetë dhe të rregullt të qeverisjes lokale në veri të Kosovës, pas zgjedhjeve të fundit lokale. Derisa tregoi në detaje edhe se në cilat projekte do të përfitojë Kosova.

“Kemi liruar afërsisht 50% të ndihmës financiare që arrin në rreth 216 milionë euro. Kjo do të lejojë nënshkrimin e kontratave për katër projekte (që përfaqësojnë gjithsej 34.6 milionë euro kontribut të BE-së) dhe fillimin e zbatimit; për të përfunduar programimin e të gjitha fondeve të mbetura IPA III të destinuara për Kosovën (181 milionë euro; miratimi i planifikuar i vendimit të financimit të Komisionit në pranverën e vitit 2026 që do të lejonte që projektet e para të fillonin në gjysmën e dytë të vitit 2026). Për më tepër, Komisioni synon të lirojë shumën e mbetur prej 205 milionë eurosh në fillim të këtij viti, në përputhje me Përfundimet e Presidencës për Zgjerimin të miratuara më 16 dhjetor”, thuhet në përgjigjen e zëdhënëses së BE-së.

Në anën tjetër, hulumtuesja në Grupin për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Arbëreshë Loxha, thotë për KosovaPress, se largimi i masave karshi përfitimit të mjeteve financiare është i rëndësishëm edhe në imazhin e Kosovës në aspektin ndërkombëtar.

Sipas saj, posa të formohen institucionet e reja në vend, duhet të punohet shumë në sanimin e çdo dëmi eventual që masat i kanë bërë Kosovës.

“Heqja tashmë e plotë e masave të BE-së është një hap i duhur, ndonëse i vonuar. Gjithsesi, përtej faktit që është i vonuar, në vazhdimësi ne si GLPS dhe si shtet kemi bërë thirrje që të njëjtat të hiqen, sidomos pas tejkalimit të krizës në veri me çështjen e zgjedhjeve. Ne konsiderojmë se është një hap i duhur dhe do t’i hapë rrugën zhbllokimit të fondeve që Kosova ka rrezikuar t’i humbë për shkak të masave. Të njëjtat do të jenë shumë të dobishme në momentin që do të hyjnë në ekonominë e Kosovës. Gjithashtu, largimi i masave është pozitiv dhe i rëndësishëm edhe sa i përket imazhit të Kosovës. Kosova nuk do të ketë një barrë mbi imazhin e saj në rrafshin ndërkombëtar, pasi nuk ka qenë e mirë që Kosova ka qenë e dënuar nga BE-ja. Unë uroj që sa më shpejt, me krijimin e institucioneve të reja, të punohet shumë në sanimin e çdo dëmi eventual që masat i kanë bërë Kosovës dhe imazhit të saj në rrafshin ndërkombëtar dhe atë të brendshëm”, thekson ajo.

Gjatë së enjtes, edhe Komisioni Evropian (KE) ka konfirmuar se pret heqjen e plotë të masave ndaj Kosovës në javët e ardhshme.

Jan Gert Koopman, drejtor i Drejtorisë për Zgjerim në KE, theksoi se bëhet fjalë për lirimin e më shumë se 400 milionë eurove, përfshirë edhe masat që KE-ja i kishte hequr fillimisht në dhjetor të vitit të kaluar.

Ai shpjegoi se institucionet po punojnë paralelisht në programimin e mjeteve dhe në kontraktimin e projekteve që do të financohen po punojnë paralelisht në programimin e mjeteve dhe në kontraktimin e projekteve që do të financohen.

​Akuzohej se tentonte ta vriste Maduron, lirohet shqiptari i burgosur në Venezuelë

16 January 2026 at 21:21


Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme informoi sot se shtetasi shqiptar Jozef Ndoci, i cili mbahej i burgosur në Venezuelë për më shumë se një vit (tetor 2024 – janar 2026), është liruar dhe ndodhet aktualisht në gjendje të sigurt.

Ndoci mbahej në burgun e sigurisë së lartë El Rodeo, në shtetin Miranda dhe lirimi i tij u realizua pas një procesi të zhvilluar gjatë ditëve të fundit, në kuadër të lirimit të një numri të të burgosurve të huaj në Venezuelë.

Pas transferimit të përkohshëm në ambientet e DGCIM, ai u lirua dhe aktualisht ndodhet nën kujdesin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC) në Karakas.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, përmes Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Brazil, ka ndjekur çështjen në mënyrë të vazhdueshme dhe në disa rrafshe, në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë dhe përfaqësi diplomatike mike, duke patur në fokus mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të shtetasit shqiptar.

Autoritetet shqiptare kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me familjarët e Ndoci dhe do të vijojnë të ofrojnë mbështetjen e nevojshme deri në kthimin e tij të sigurt në Shqipëri.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme shpreh mirënjohjen për kontributin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe për bashkëpunimin e përfaqësive diplomatike partnere në Karakas.

MEPJ gjithashtu rikonfirmon angazhimin e saj për mbrojtjen e shtetasve shqiptarë kudo që ata ndodhen.


Përfundon rinumërimi në Kaçanik – një kandidateje i hiqen 100 vota

16 January 2026 at 21:09


Kaçaniku është komuna e dytë e cila ka përfunduar procesin e rinumërimit të votave, një ditë pas Komunës së Dragashit.

Bazuar në të dhënat e fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, dallime të konsiderueshme janë vërejtur në mes numërimit të QKN-së dhe rinumërimit.

Diferencë e madhe votash i doli kandidates për deputete nga radhët e Partisë Demokratike, Kosovare Murseli, 100 vota më pak, saktësisht 3,889 vota nga 3,989 vota sa kishte në këtë komunë.

Ndërkaq, ish-kryetarit të kësaj komune, Besim Ilazi i dolën 53 vota më pak.

Kandidatit Elmi Reçica iu shtuan 24 vota ndërsa Përparim Grudës, 23.

Në bazë të rinumërimit të votave, nga Lëvizja Vetëvendosje, kandidati për deputet Jeton Raka është kandidati me më shumë vota të humbura, saktësisht 78 nga 5,756 vota sa kishte.

I dyti pas tij del se është Albin Kurti me 44 vota më pak e pas tij, Glauk Konjufca me 20 më pak.

Diferenca të mëdha nuk pati në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Lumir Abdixhiku humbi dy vota, njësoj sikurse Hykmete Bajrami.

Ukë Rugova doli me pesë vota më shumë ndërsa Paris Guri, me 11.

Nga radhët e AAK-së, Ramush Haradinaj morri tre vota ndërsa më së shumti humbi Hafize Sallahi, 15 vota më pak.

Në nivel vendi, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti ka mbi 100 vota më pak.

Pas tij radhitet, Ejup Maqedonci me 96 më pak dhe Glauk Konjufca me mbi 80 më pak.

Diferencë të madhe të votave ka pësuar Filiz Mustafa me afro 300 vota më pak.

Nga radhët e PDK-së kryeson Kosovare Murseli me mbi 100 vota më pak, e ndjekur nga Besim Ilazi me 51 ma pak.

Ndërsa në Lidhjen Demokratike, në nivel vendi Lumir Abdixhiku ka humbur mbi 20 vota ndërsa Ukë Rugova ka fituar mbi dhjetë.

Mbi 20 vota ka humbur Xhafer Gashi ndërsa Hykmete Bajrami, ka humbur sa gjysma e tij.

Në rinumërim 100 përqind mbesin Komuna e Leposaviqit, Prizrenit, Skenderajt, Shtimes, Ferizajt, Vushtrrisë, Mamushës dhe Ranillugut.

Kurse në 28 komunat tjera do të rinumërohen 10% e vendvotimeve./Dukagjini/

Vonesat e rinumërimit, rrezik për zgjedhjen e Presidentit

16 January 2026 at 20:06


Rinumërimi i votave nga zgjedhjet e fundit në Kosovë po zgjatet më shumë se sa ishte paraparë, duke vonuar certifikimin e rezultateve dhe formimin e institucioneve. Sipas KQZ-së, procesi mund të zgjasë deri në dy javë, ndërsa njohësit e çështjeve kushtetuese paralajmërojnë rrezik për shkelje të afateve ligjore duke përfshirë këtu, edhe zgjedhjen e presidentit.

19 janari ishte data e planifikuar nga KQZ-ja për shpallje të rezultateve përfundimtare por procesi i rinumërimit të votave e ka shtyrë dukshëm këtë afat.

Si rrjedhojë pritet që të vonohet edhe certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve të parakohshme të dhjetorit, si hap kryesor për nisjen e konstituimit të Kuvendit e formimit të Qeverisë së re.

Për të përshpejtuar këtë proces, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka rritur numrin e komisionerëve në Qendrën e Numërimit të votave.

“Nga 10 tavolina numërimi janë shtuar edhe 10 të tjera”, ka deklaruar për Dukagjinin zëdhënësi, Valmir Elezi duke theksuar se procesi pritet të zgjasë përafërsisht 12- 14 ditë.

Sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi, në këtë ritëm, gjasat janë që të shkelet edhe afati kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të vendit.

“Gjasat janë që si pasojë e këtij rinumërimi të shkojmë deri ka data 10-15 shkurt kur rezultatet priten të certifikohen. Në rastin më të keq, mundet edhe më shumë sepse nëse konsiderohet se ka mospërputhje nga rezultatet paraprake, KQZ me gjasë do shkojë në rinumërim të plotë e që do ndikojë në afatet kushtetuese veçanërisht për zgjedhën e presidentes ku zgjedhja do duhej bërë jo më larg se 5 mars dhe këtu do hyjmë në një cikël që nuk mund të bëhet zgjidhje. Ç’ka ndodhë nëse Kuvendi s’arrin të konstituohet dhe qeveria s’arrin të formohet sepse afati është 5 mars”, u shpreh Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Problematikë në vete sipas Jakajt, mbetet mos-konstituimi i Kuvendit që do të lë peng procese që varen nga votimet e deputetëve.

“Dy muajt e parë të këtij viti do shkojnë pa miratim të buxhetit për vitin 2026 ku dhjetëra projekte infrastrukturore do mbesin pa realizuar. Është edhe premtimi elektoral për pagën e 13 ku 94 mijë zyrtarë publik nuk iu është transferu aktualisht dhe në ndërkohë, dy marrëveshjet që vijnë nga plani i rritjes së BE-së, marrëveshja me Bankën Botërore, financimi i qëndrueshëm për RTK-në dhe katër buxhetet për komunat në veri të vendit. Janë çështje për të cilat kuvendi do duhej konstituuar dhe pasojat do jenë të menjëhershme” u shpreh ai.

Por, sipas Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim, shkuarja në rinumërim të plotë mbetet e pashmangshme e telashe, konsiderohet të sjellë zgjedhja e presidentit.

“Këtu besoj që mund të ketë probleme serioze për të siguruar votat, por që në anën tjetër kjo do të tentohet që të ndahet si përgjegjësi në mes të të gjitha partive, sepse normalisht për partinë fituese të zgjedhjeve, ndonëse në parim për askënd nuk janë zgjedhjet të konvenueshme, por për partinë në pushtet e cila do ta kishte, kryetarin e Kuvendit, kryeministrin, dhe u.d. të presidentit mund të jetë në një pozicion pakëz më të favorshëm sesa të tjerat”, u shpreh Cakolli.

Sipas Kushtetutës, presidenti duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual./Dukagjini/

- YouTube youtu.be

AAK shpenzoi mbi 24 mijë euro për fushatë, rreth 86 mijë euro të hyra

16 January 2026 at 19:55


KQZ ka bërë publike detajet financiare të fushatës së AAK-së për zgjedhjet lokale të këtij viti.

Raporti i paaudituar tregon se partia e Ramush Haradinajt ka shpenzuar mbi 24 mijë euro, kryesisht për reklama, paga dhe detyrime të tjera, duke e lënë me suficit të konsiderueshëm të hyrash në fund të periudhës.

Sipas raportit për periudhën 9 qershor – 9 nëntor 2025, AAK ka realizuar të hyra totale prej 85 mijë e 818 euro e 33 centë, duke përfshirë donacione prej 1 mijë euro dhe kontribute në natyrë në vlerë prej 5 mijë e 185 euro.

Shpenzimet totale të fushatës kanë arritur në 24 mijë e 187 euro e 70 centë, duke përfshirë:

Pagat dhe kompenzimet: 5 mijë e 318 euro e 68 centë

Shpenzimet e transportit: 1 mijë e 641 euro e 70 centë

Reklamat, reprezentacioni dhe konferencat: 12 mijë e 250 euro e 67 centë

Blerja e mallrave: 320 euro

Shpenzimet e përgjithshme: 3 mijë e 781 euro e 65 centë

Shpenzimet e ndryshme: 875 euro

Në raport raportohet gjithashtu se gjatë periudhës janë kryer pagesa mbi 5 mijë euro, përfshirë: Gjoba dhe ndëshkime për PZAP: 20 mijë e 366 euro e 67 centë; Paga dhe blerje të objekteve: 6 mijë e 500 euro dhe 24 mijë e 343 euro e 20 centë.

Për më shumë shikoni raportin e plotë. /Telegrafi/

Person i humbur në Gjilan, policia  kërkon ndihmën e qytetarëve

16 January 2026 at 19:21


Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, bazuar në autorizimin e Prokurorisë Themelore në Gjilan, me qëllim lokalizimin dhe identifikimin e vendndodhjes së personit, njofton opinionin publik se Xhengiz (Aliriza) Hyzeiri, i lindur më 15.07.2008, me adresë banimi në rrugën “Lufta e Gjilanit”, qyteti Gjilan, është shpallur person i humbur që nga data 02.01.2026, dhe deri më tani nuk dihet vendndodhja e tij.

Në kuadër të veprimeve hetimore dhe përpjekjeve për gjetjen e personit, Policia e Kosovës kërkon bashkëpunimin e qytetarëve.

"Çdo person që posedon informacion të dobishëm lidhur me vendndodhjen e personit të paraqitur në fotografinë e bashkëngjitur, lutet të njoftojë Policinë e Kosovës përmes njërës nga mënyrat në vijim: Stacioni më i afërt policor, aplikacioni digjital “Lajmëro Policinë”, e-mail: info@kosovopolice.com, numrat kujdestarë: 192".

Policia e Kosovës thotë se të gjitha të dhënat e ofruara nga qytetarët do të trajtohen me konfidencialitet të plotë./Telegrafi/


Rasti Banjska, Koci: Ka prova të shumta, kërkojmë burgim të përjetshëm për të akuzuarit

16 January 2026 at 18:55


Përfaqësuesi i familjes së zyrtarit policor të vrarë, Afrim Bunjaku, i cili humbi jetën gjatë sulmit terrorist në Banjskë, avokati Arianit Koci, ka deklaruar se do të kërkojnë burgim të përjetshëm për të akuzuarit.

Koci, i ftuar në emisionin “FIVE” në televizionin Dukagjini, tha se mbrojtja e të akuzuarve po tenton ta relativizojë të gjithë sulmin terrorist.

“Procedura është dashur të kthehet nga fillimi, gjë që është shumë e keqe për atë që ka ndodhur. Kryetari i mëparshëm i trupit gjykues ka kaluar në një pozitë më të lartë dhe është dashur të ndërrohet trupi gjykues. Megjithatë, e kam mirëpritur disponimin pozitiv të kryetarit aktual, i cili ka pranuar të udhëheqë trupin gjykues për ta mbajtur dinamikën e gjykimit. Gjykimi duhet të zhvillohet edhe brenda një kohe të arsyeshme dhe, si përfaqësues i familjes Bunjaku dhe palëve të dëmtuara, insistoj që ky proces të përfundojë sa më shpejt. Në të njëjtën kohë, nuk duhet t’u lihet hapësirë të akuzuarve që, përmes zvarritjes së procedurës, të pretendojnë se u janë shkelur të drejtat e tyre”, u shpreh Koci.

Ai shtoi se këtë të premte, ditën kur edhe ka nisur gjykimi ndaj të akuzuarve, avokatja e njërit prej tyre ka tentuar të krijojë alibi.

“Sot mbrojtja po tenton, përmes disa propozimeve, ta relativizojë të gjithë këtë sulm terrorist. Avokatja e njërit prej të akuzuarve ka propozuar nëntë dëshmitarë të rinj, kinse për të gjetur alibi se i akuzuari nuk ka qenë në vendin e ngjarjes, por diku tjetër. Pra, personi që akuzohet nga Gjykata për kryerjen e sulmit terrorist bashkë me të tjerët po tenton të sigurojë alibi. Aktakuza është shumë e qartë – askush nuk është i akuzuar vetëm mbi një provë, por mbi shumë prova që i ngarkojnë për veprën. Ne e kemi parë ngjarjen edhe përmes pamjeve nga dronët dhe gjithçka ka qenë e qartë”, tha Koci.

Në fund, Koci theksoi se familja Bunjaku kërkon që rasti të përfundojë sa më shpejt dhe se ekzistojnë prova të mjaftueshme ndaj të akuzuarve, për çka ai ritheksoi se do të kërkojnë dënim me burgim të përjetshëm.

- YouTube youtu.be

KQZ publikon shpenzimet e partive – LDK shpenzoi mbi 203 mijë euro, të hyra vetëm 23 mijë euro

16 January 2026 at 18:26


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar raportet financiare të partive politike lidhur me shpenzimet e fushatës për zgjedhjet lokale të mbajtura në tetor të vitit 2025.

Sipas raportit të publikuar, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka deklaruar shpenzime totale prej 203 mijë euro për fushatën zgjedhore, ndërkohë që të hyrat e raportuara nga kjo parti kapin vlerën prej vetëm 23 mijë e 540 euro.

Pjesa më e madhe e shpenzimeve të LDK-së është orientuar në reklama dhe organizimin e konferencave, duke përbërë zërin kryesor të kostove të fushatës.

Sa i përket të hyrave, LDK ka raportuar rreth 16 mijë euro donacione në formë të mallrave dhe shërbimeve.

Një pjesë e konsiderueshme e këtyre donacioneve ka ardhur nga vetë zyrtarë të LDK-së apo kandidatë për deputetë.

Po ashtu, partia ka pranuar edhe donacione në të holla në vlerë prej rreth 8 mijë euro nga gjithsej gjashtë donatorë.

KQZ ka bërë të ditur se raportet financiare të partive politike janë publikuar në kuadër të transparencës dhe mbikëqyrjes së financimit të fushatave zgjedhore, ndërsa të njëjtat do t’i nënshtrohen procedurave të rregullta të verifikimit dhe auditimit.

Për më shumë shikoni raportin e plotë. /Telegrafi/

​Veselit, Selimit e Krasniqit iu vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj

16 January 2026 at 17:44


Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, do të qëndrojnë në paraburgim edhe për dy muaj të tjerë, të paktën.

Vendimin për zgjatjen e kësaj mase ndaj tre ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që gjykohen bashkë me Hashim Thaçin, e mori Trupi Gjykues i Gjykatës Speciale në çështjen Thaçi.

Përmes një njoftimi kjo gjykatë bën me dije se në rastin në fjalë trupi gjykues ”konstatoi se vazhdojnë të ekzistojnë rreziqet që të akuzuarit mund ta pengojnë ecurinë e procesit ose të kryejnë krime të tjera”.

Gjithashtu, bëhet me dije se vendimi i fundit i rishikimit të paraburgimit të Thaçit u lëshua në dhjetor 2025, dhe rishikimi i ardhshëm pritet në shkurt..

Ky vendim erdhi një ditë pasi, Specialja njoftoi se nga 9 deri më 18 shkurt do të zhvillohen deklaratat përmbyllëse në procesin gjyqësor ndaj ish-katërshes së UÇK-së, të cilët ndodhen në paraburgim për më shumë se pesë vjet.

Ministria e Arsimit ua tërheq licencat 16 mësimdhënësve në Rahovec

16 January 2026 at 16:55


Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka marrë vendim për tërheqjen e 16 licencave të mësimdhënësve, si pjesë e përpjekjeve për garantimin e ligjshmërisë dhe standardeve profesionale në sistemin arsimor.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila ka theksuar se licencimi dhe rilicencimi i mësimdhënësve mbetet një mekanizëm kyç për sigurimin e cilësisë në arsim.

Sipas saj, gjatë këtij mandati janë miratuar legjislacioni dhe udhëzimet e nevojshme, si dhe janë zhvilluar takime nëpër komuna për të siguruar që ky proces të zhvillohet me sukses, transparencë dhe në përputhje me standardet përkatëse.

Vendimi për tërheqjen e licencave vjen pas një inspektimi tematik të realizuar nga Inspektorati i Arsimit në një shkollë në Rahovec, ku janë konstatuar shkelje dhe mospërfillje e procedurave ligjore.

Bazuar në këto gjetje, janë dhënë rekomandime konkrete për institucionet përkatëse, të cilat duhet të zbatohen brenda afateve ligjore.

Raporti me gjetjet inspektuese i është dërguar paraprakisht Komunës së Rahovecit, ndërsa Këshilli Shtetëror për Licencimin e Mësimdhënësve ka vepruar në përputhje me kompetencat e tij ligjore.

Ministrja Nagavci ka theksuar se ky veprim dëshmon përkushtimin institucional për zbatimin e ligjit dhe ruajtjen e integritetit të proceseve arsimore. Ajo ka paralajmëruar se MAShTI do të vazhdojë monitorimin dhe ndërhyrjen në çdo rast të shkeljes, duke garantuar transparencë, barazi dhe integritet institucional.

“Reformat në arsim kërkojnë përgjegjësi. Ne mbesim të përkushtuar për një arsim cilësor dhe me standarde,” ka deklaruar Nagavci./Telegrafi/


“Mos ki frikë nga unë, të pres në Vjosë”, çfarë i shkruante 46-vjeçari motrës së policit në Fier

16 January 2026 at 16:31


Historia e një problemi në Fier ka marrë rrjedhë tjetër pasi motra e policit Fredi Lamaj ka publikuar mesazhet e plota që i kishte marrë nga Altin Meçaj.

Meçaj deri tani kishte pretenduar se efektivi policor Fredi Lamaj e kishte rrahur vetëm pse ia kishte bërë “like” dhe një koment “komplimentues” së motrës.

Motra e policit shqiptar ka publikuar edhe mesazhet që ka marrë prej Meçajt, duke thënë se e ka denoncuar për përndjekje, pasi i shkruante vazhdimisht dhe i shprehte dashurinë.

Reagimi i plotë:

Kjo është hera e parë që flas publikisht dhe në media, dhe po e bëj vetëm sepse ndihem e detyruar të sqaroj disa të pavërteta që po përsëriten prej ditësh.

Unë jam motra e Fredi Lamaj dhe dua të sqaroj se akuzat e shtetasit Altin Mecaj, sikur vëllai im e ka dhunuar, nuk janë të vërteta.

Fredi Lamaj nuk ka marrë pjesë në asnjë rrahje apo konflikt, dhe kjo mund të faktohet.

Po flas sepse prej më shumë se 6–7 ditësh ky shtetas po del vazhdimisht në media, duke dhënë deklarata të pavërteta dhe duke u paraqitur padrejtësisht si viktimë.

Në mënyrë të veçantë, ai ka deklaruar publikisht se ndaj meje ka bërë vetëm një koment në Facebook, si një kompliment, gjë që nuk është e vërtetë.

Në realitet, unë kam qenë subjekt i mesazheve të shumta private, të vazhdueshme dhe insistuese, të cilat përbëjnë ngacmim dhe përndjekje.

Dua të theksoj qartë se nga ana ime nuk ka pasur asnjë përgjigje ndaj këtyre mesazheve.

Nuk kam komunikuar dhe nuk kam pasur mundësi t’i kthej as përgjigjen e merituar, pasi Facebook nuk më lejonte t’i shkruaja, çka e bën edhe më të qartë faktin se komunikimi ka qenë i njëanshëm dhe i padëshiruar.

Këto sjellje më kanë shkaktuar shqetësime serioze emocionale dhe familjare, si për mua, ashtu edhe për familjen time.

Për këtë arsye, kam ardhur ditën e djeshme nga Italia, ku jetoj, për të depozituar kallëzim penal për përndjekje ndaj këtij shtetasi, pasi veprimet e tij kanë sjellë pasoja të rënda në jetën time familjare dhe kanë prekur edhe vëllain tim.

Po ashtu, nga informacione që na janë komunikuar nga persona të ndryshëm, rezulton se këto sjellje nuk janë të izoluara, por të përsëritura edhe ndaj vajzave të tjera.

Sa i përket dhunës që ky shtetas pretendon se ka pësuar së fundmi, kjo ngjarje nuk ka asnjë lidhje me familjen tonë, dhe sipas dijenisë sonë nuk është shkaktuar nga vëllai im apo persona të afërt me ne, por nga individë të tjerë për të cilët ne nuk kemi dijeni.

Nuk kam pasur asnjë interes të dal në media, por nuk mund të lejoj që gënjeshtrat e përsëritura të dëmtojnë dinjitetin e një personi të pafajshëm dhe të shtrembërojnë të vërtetën.

Kërkoj vetëm që kjo çështje të trajtohet me qetësi, paanshmëri dhe verifikim faktesh, duke respektuar ligjin dhe dinjitetin njerëzor.

Faleminderit për mirëkuptimin.

Me respekt,

Motra e Fredi Lamaj/Top Channel/

Venezuela liron shtetas të huaj nga burgu, përfshirë edhe shqiptarë

16 January 2026 at 16:27


Venezuela ka liruar nga burgu shtetas të Shqipërisë, Çekisë, Hungarisë, Holandës dhe Gjermanisë dhe shteteve të tjera, njoftuan disa nga këto vende.

Lirimi i tyre është pjesë e një vale të lirimeve nga burgu pasi Shtetet e Bashkuara arrestuan presidentin e rrëzuar, Nicolas Maduro.

Një burrë nga Çekia që u lirua ishte në burgjet venezuelase që nga viti 2024, kur autoritetet në Venezuelë e akuzuan atë se planifikonte të merrte pjesë në një komplot për të vrarë Maduron dhe për të rrëzuar Qeverinë, raportuan mediat në Republikën Çeke.

Ministria e Jashtme e Çekisë kishte deklaruar vitin e kaluar se një shtetas çek ishte arrestuar pa “ndonjë aktakuzë dhe pa një gjykim të drejtë”. Grupi venezuelas për të drejtat e njeriut, Foro Penal, tha se ai u arrestua për arsye pilitike.

Ministri i Jashtëm i Çekisë, Petr Macinka, tha se ai u lirua së bashku me të burgosur të tjerë nga Shqipëria, Irlanda, Rumania, Gjermania, Ukraina dhe Holanda.

Ende nuk dihet se sa është numri i shqiptarëve të liruar nga burgjet në Venezuelë dhe ende nuk ka ndonjë reagim zyrtar për këtë çështje.

“Pas negociatash prej disa javësh, kemi arritur lirimin e tij”, tha Macinka gjatë një konference për media, duke shtuar se Republika Çeke është e gatshme që të përmirësojë raportet diplomatike me Venezuelën.

Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, shkroi në X se janë liruar tre shtetas gjermanë, duke e cilësuar si “gjest drejt raporteve më konstruktive”.

Holanda tha se tre shtetas të saj janë liruar, ndërkaq Hungaria njoftoi për lirimin e një shtetasi të saj që kishte qenë në një anije kërkimore.

Jorge Rodriguez, president i Asamblesë Kombëtare të Venezuelës, dhe presidenti amerikan, Donald Trump, kanë deklaruar se një numër i madh i të burgosurve do të lirohen pasi SHBA-ja kapi Maduron në fillim të janarit.

Venezuela tha gjatë kësaj jave se më shumë se 400 persona janë liruar, por grupet për të drejtat e njeriut kanë deklaruar se numri i të liruarve është më i vogël./Radio Evropa e Lirë/

IPK: Pretendimet për keqtrajtim nga policia në Leposaviq të rreme, hetim penal ndaj ankuesit

16 January 2026 at 16:15


Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) kanë përfunduar hetimet lidhur me pretendimet për keqtrajtim nga zyrtarë të Policisë së Kosovës në Leposaviq, duke konstatuar se ato nuk qëndrojnë. Si rezultat, ndaj ankuesit është iniciuar rast dhe hetim penal për veprën penale “Lajmërim i rremë apo kallëzim i rremë”.

Sipas njoftimit të IPK-së, para mesnatës së 13 janarit 2026, hetuesit janë informuar nga Policia e Kosovës për një person i cili kishte raportuar se ishte keqtrajtuar nga zyrtarë policorë. Incidenti pretendohej se kishte ndodhur tek Ura e Bistricës në Leposaviq, rreth orës 22:00.

Ankuesi kishte deklaruar se ishte ndaluar në një pikë kontrolli derisa po drejtonte një automjet të tipit Audi A4 me targa të Republikës së Serbisë, në të cilin ndodheshin edhe dy pasagjerë.

Ai kishte pretenduar se gjatë kontrollit ishte goditur nga zyrtarët policorë, duke pësuar lëndime në qafë, bërrylin e majtë, dorën e djathtë dhe këmbë, për çka kishte kërkuar trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal në Mitrovicë – Veri. Po ashtu, ai kishte deklaruar se njëri nga zyrtarët policorë kishte goditur edhe shokun e tij me kondakun e armës së gjatë.

Pas pranimit të informatave, IPK-ja, në koordinim të vazhdueshëm me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, ka ndërmarrë veprime të menjëhershme hetimore.

Ankuesi është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit, në prani të avokatit mbrojtës.

Në kuadër të hetimeve, hetuesit e IPK-së kanë siguruar prova materiale, përfshirë edhe video-incizime nga kamerat e sigurisë që mbulojnë vendin e ndalesës policore. Pas analizimit të këtyre provave, është konstatuar se pamjet nuk mbështesin pretendimet e ankuesit dhe se zyrtarët policorë nuk kanë tejkaluar autorizimet e tyre ligjore, as nuk kanë përdorur forcë.

IPK-ja ka vlerësuar se pretendimet e ankuesit janë të sajuara dhe këtë konstatim ia ka përcjellë Prokurorisë Themelore në Mitrovicë. Me kërkesë të prokurorit kompetent, ndaj ankuesit tashmë të dyshuar është iniciuar rast dhe hetim penal për veprën penale “Lajmërim i rremë apo kallëzim i rremë”./Telegrafi/


❌
❌