Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 20 January 2026Main stream

"Bordi i Paqes", pse Trump zgjodhi Shqipërinë? Hoxha ‘skanon’ planin

19 January 2026 at 23:22


Bordi i Paqes i Trump, ku Shqipëria ka marrë ftesën si vend anëtar, është kthyer në një nga temat ‘e nxehta’ në politikën ndërkombëtare që përpiqet të zbërthejë lëvizjen e presidentit.

Nën lupën e analistit Artan Hoxha, është një lëvizje për efikasitet dhe jo globalitet.

Sipas analizës së tij në Tv Klan, qëllimi i Trump është një organizatë që vepron shpejt, pa procedura të zgjatura.

Artan Hoxha: Nga të dhënat e këtyre tri ditëve, unë konkludoj në këtë gjë që qëllimi i presidentit Trump është efikasiteti, jo globaliteti i organizatës.

Blendi Fevziu: Ç’do të thotë efikasiteti?

Artan Hoxha: Ai do të ndërtojë një organizatë që merr vendime shpejt dhe i zbaton ato me efektivitet. Ky është qëllimi i tij parësor.

Përzgjedhja e shteteve është një tjetër nga pikat që ka tërhequr vëmendje. Në rastin e Shqipërisë, Hoxha rendit disa faktorë që e favorizojnë në marrjen e kësaj ftese. Nga ana tjetër, Trump ka luajtur disa karta për numrin e vendeve që i duhen në këtë bord dhe afatin e 22 janarit për të kthyer përgjigje.

Artan Hoxha: Nuk ka ftuar gjithë shtetet e botës, ka bërë një shortlist. 60, 70, 50 nuk janë gjithë anëtarët e OKB-së, është një pjesë, gjysma e tyre. Janë hequr një mori shtetesh anëtare të OKB-së që s’do t’i bënin kujt punë në çështjen e konfliktit të Gazës. E dyta, vendet që kanë marrë ftesën ka pasur një mendim, një arsye pse e kanë marrë. Ne mund të analizojmë Shqipërinë, pse e ka marrë Shqipëria ftesën mes 60-70 vendeve?

Blendi Fevziu: Pse, sipas teje?

Artan Hoxha: Vend multifetar, me shumicë myslimane, me harmoni, që shkojmë shumë mirë me Palestinën, që shkojmë shumë mirë me Izraelin, që kemi një histori të mbështetjes së çifutëve, përveç atyre që jemi në NATO etj. Ka shumë vende në NATO, por kaq multifetarë e me harmoni fetare si Shqipëria. Jo vetëm që nuk janë gjithë shtetet e botës, por statuti thotë kjo organizatë mund të formohet edhe me tre shtete anëtare. Pra u ka thënë të gjithëve atyre që u ka çuar letrën, hajdeni, erdhët, s’erdhët mua tre më duhen për ta formuar. Ky është faktor nxitës që të vijnë më tepër se tre. E treta, afati. Ai thotë nuk do ju pres ju për një organizatë efektive, të shpejtë, të zhdërvjellët që të nderni lëveret dhe të miratoni në procedura të stërzgjatura dhe ta çoni pas një viti firmosjen. Kush e ndan mendjen shpejt e shpejt, vjen më datë 22 në Davos dhe firmos.

Një tjetër nga lëvizjet e Trump është ruajtja e ekuilibrit me disa shtete, duke e dërguar ftesën pa qëllimin e drejtpërdrejtë për të marrë mbrapsht një “po”, thotë Hoxha.

Artan Hoxha: Disa shtete në listën e atyre që kanë marrë ftesën janë edhe për kortezi duke e paragjykuar që s’ka për të thënë po. Ka thënë unë ftesën ta çova, mundësinë ta dhashë, ti nuk erdhe, unë eci përpara.


Yesterday — 19 January 2026Main stream

Daka: Asnjëherë s’ka ndodhur me pasë 6 mijë vota dallim për një kandidat

19 January 2026 at 22:43


Valdete Valdete Daka, ish-kryetare e Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka thënë se asnjëherë më parë nuk ka ndodhur të ketë dallim prej 6 mijë votash për një kandidat.

Ajo ka theksuar se edhe në të kaluarën ka pasur rinumërime të votave.

“Po, ka pasur rinumërime shumë shpesh, thuajse në çdo palë zgjedhje ka pasur rinumërime. Ka pasur edhe rivotime, edhe në qytete edhe në qendra të votimit, shumë shpesh. Domethënë, s’ka pasur zgjedhje kur nuk ka pasur rinumërim, por nuk ka pasur dallime kaq të mëdha sikur këtë herë; nuk ka pasur dallime 5 mijë, 6 mijë, 2 mijë, sikur sot që u përmendën”, ka thënë Daka në Tv Dukagjini.

Ajo tutje ka shtuar se arsyet pse ka ndodhur ky fenomen tani duhet të elaborohen më tej, në mënyrë që të gjenden shkaqet.
“Shqyrtim më i thellë, sidomos i ndryshimeve ligjore që kanë ndodhur në vitin 2023, me sa më kujtohet. Duhet me u marrë drejtësia me këtë çështje, sikur që është marrë në vitin 2010”, ka deklaruar Daka.

Sipas saj, në vitin 2010, pas asaj që ajo e cilëson si “vjedhje industriale”, përveç rivotimeve në disa qytete, KQZ-ja kishte dërguar rreth 2 mijë kallëzime penale.

- YouTube youtu.be

KOMF: Vetëm qasjet shkencore dhe të bazuara në evidencë mund të mbrojnë fëmijët me autizëm

19 January 2026 at 22:22


Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF) ka reaguar me shqetësim të thellë ndaj raportimeve në media se një individ dyshohet se ka ofruar barna për “shërimin” e fëmijëve me autizëm.

KOMF ka bërë thirrje të menjëhershme tek organet e rendit dhe drejtësisë për të ndërmarrë veprimet dhe masat e nevojshme, sipas ligjit, për të ndaluar dhe ndëshkuar veprimet e tilla që janë të rrezikshme për shëndetin e fëmijëve dhe të paligjshme.

Koalicioni ka theksuar se përhapja e pretendimeve të pabazuara shkencërisht për “shërimin” e autizmit është jo vetëm mashtruese, por edhe e rrezikshme, pasi devijon vëmendjen nga nevojat reale të fëmijëve, të cilat përfshijnë mbështetje profesionale, ndërhyrje të strukturuara, mjedise stimuluese dhe shërbime të bazuara në evidencë.

“Krijimi i pritshmërive joreale, shtimi i stigmatizimit dhe presionit mbi familjet e fëmijëve, si dhe keqkuptimi i nevojave të tyre, janë pasoja të drejtpërdrejta të promovimit të premtimeve mashtruese,” ka nënvizuar KOMF.

Koalicioni ka theksuar gjithashtu se vetëm përmes qasjeve të bazuara në shkencë, etikë dhe solidaritet shoqëror mund të krijohet një mjedis që respekton zhvillimin, dinjitetin dhe të drejtat e fëmijëve me autizëm, duke bërë thirrje për informim të përgjegjshëm, përmirësim të politikave publike dhe investim në shërbime dhe kapacitete mbështetëse.

“Çdo përpjekje për manipulim, mashtrim apo eksperimentim mbi fëmijët me autizëm është i papranueshëm dhe duhet të ndëshkohet nga organet e drejtësisë,” përfundon reagimi i KOMF./Telegrafi/

Begaj kërkon nga Moldavia të rishqyrtojë njohjen e Kosovës

19 January 2026 at 22:01


Presidenti shqiptar, Bajram Begaj i ka kërkuar homologes së saj në Moldavi, Maia Sandu, që shteti që ajo drejton ta rishqyrtojë njohjen e shtetit të Kosovës.

Këtë kërkesë Begaj ia bëri asaj gjatë vizitës zyrtare që po zhvillon në këtë shtet.

“Së bashku, si partnerë dhe si miq, punojmë për një Evropë më të fortë dhe më të sigurt, si dhe inkurajojmë rishqyrtimin e njohjes së Kosovës”, ka shkruar Begaj pas takimit që pati me homologen e tij në Moldavi.

Kreu i shtetit shqiptar tha se pati bisedime frytdhënëse me presidenten e Moldavisë dhe se besimi i ndërsjellë, dialogu i qëndrueshëm politik dhe bashkëpunimi konstruktiv, në shërbim të interesit të përbashkët dhe të qytetarëve, janë në themel të marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Në mjedisin sfidues të sigurisë së sotme, zgjerimi i Bashkimit Evropian mbetet faktor kyç për stabilitetin dhe paqen. Ne mbështesim plotësisht rrugën evropiane të Moldavisë”, ka shkruar Begaj./Telegrafi/


Kosova ekstradon për në Maqedoninë e Veriut një të kërkuar me urdhër ndërkombëtar

19 January 2026 at 21:50


Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor dhe në koordinim me njësitet dhe institucionet relevante, ka realizuar ekstradimin e një shtetasi të Maqedonisë së Veriut drejt vendit të tij.

Personi i ekstraduar ishte arrestuar më herët nga njësitet e Policisë së Kosovës, pasi i njëjti kërkohej me urdhër arresti ndërkombëtar nga institucionet e drejtësisë së Maqedonisë së Veriut. I dyshuari ishte i arratisur nga burgu, ku po vuante dënimin për veprën penale “Grabitje”.

Procesi i ekstradimit është kryer në përputhje me procedurat ligjore në fuqi dhe falë bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe atyre të Maqedonisë së Veriut.

Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor ka bërë të ditur se do të vazhdojë shkëmbimin e informacionit dhe koordinimin me institucionet vendore, shtetet partnere dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale, si dhe gjurmimin, kapjen dhe arrestimin e personave dhe grupeve kriminale.

Policia e Kosovës ka ritheksuar përkushtimin e saj në zbatimin e ligjit dhe forcimin e sigurisë, si në nivel vendor ashtu edhe ndërkombëtar./Telegrafi/


Kosova dhe Kanadaja forcojnë bashkëpunimin ekonomik dhe industrial

19 January 2026 at 21:33


Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në Shtëpinë e Kosovës në Davos ministrin e Promovimit të Eksportit, Tregtisë Ndërkombëtare dhe Zhvillimit Ekonomik të Kanadasë, Maninder Sidhu.

Gjatë takimit u bisedua për marrëdhëniet bilaterale, shkëmbimin tregtar dhe mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Kanadasë. U veçua rëndësia e bashkëpunimit në industrinë minerare, ku Kosova ka marrë pjesë vitin e kaluar në Konferencën Botërore për Hulumtim dhe Shfrytëzim të Mineraleve, PDAC 2025, në Toronto, njofton zyra për komunikim e Kryeministrit.

Përveç sektorit minerar, u diskutua edhe potenciali për fuqizim të bashkëpunimit në infrastrukturë, teknologjinë e informacionit dhe fushën e mbrojtjes.

Ky ishte takimi i parë mes kryeministrit Kurti dhe ministrit Sidhu. Kryeministri shprehu mirënjohje dhe falënderim ndaj Kanadasë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës në të gjitha fazat e shtetndërtimit, për angazhimin kanadez në kontigjentin e KFOR-it dhe për përkrahjen në procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.


Kuvendi i 31 janarit, Abdixhiku: Do të dalim më të bashkuar, pa llogaritur fatin tim politik

19 January 2026 at 20:36


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se Kryesia e partisë ka vendosur që Kuvendi i LDK-së të thirret më 31 janar, duke e cilësuar këtë proces si një shprehje të demokracisë së brendshme dhe jo si krizë.

Abdixhiku ka bërë të ditur se vendimi është marrë pas një diskutimi të hapur dhe të përgjegjshëm në mbledhjen e Kryesisë, duke theksuar se Kuvendi është organi më i lartë i partisë ku merren vendimet më të rëndësishme, në përputhje me statutin dhe traditën demokratike të LDK-së.

“Kjo është mënyra jonë e veprimit; me rregull, me transparencë dhe me respekt për anëtarësinë. LDK i zgjidh çështjet e brendshme aty ku e kanë vendin; në organet e saj dhe para delegatëve të zgjedhur,” ka deklaruar Abdixhiku.

Ai ka theksuar se në një klimë politike të mbushur shpesh me tensione dhe gjuhë përçarëse, LDK zgjedh qetësinë, dialogun e gjerë dhe besimin në demokracinë e brendshme, duke nënvizuar se debati është i shëndetshëm, ndërsa përçarja pa debat dhe pa demokraci është e dëmshme.

Sipas tij, Kuvendi i 31 janarit përfaqëson një mundësi për reflektim, bashkim dhe forcim të partisë. “Nuk është krizë, por mundësi për t’u dëgjuar, për t’u bashkuar rreth vlerave tona dhe për të dalë më të fortë nga ky proces,” ka shtuar ai.

Abdixhiku ka rikujtuar se LDK ka kaluar shumë sfida ndër vite, por gjithmonë ka ruajtur vlerat themelore të demokracisë, dinjitetit dhe besimit te anëtarësia. Ai ka theksuar se përgjegjësia në parti nuk shmanget asnjëherë, veçanërisht në momente të vështira.

“Në LDK nuk i ikim përgjegjësisë. Kjo shtëpi nuk është ndërtuar për rehati personale, por për shërbim dhe për përgjegjësi ndaj një ideali më të madh se secili prej nesh,” ka deklaruar Abdixhiku.

Në fund, ai ka shprehur bindjen se pas 31 janarit, LDK do të ecë përpara më e qartë, më e bashkuar dhe më e përgatitur për sfidat politike që e presin./Telegrafi/


Vazhdon mësimi me orar të shkurtuar në disa shkolla në Gjilan, shkak ngrohja

19 January 2026 at 20:28


Temperaturat mëngjesin e së hënës u ulën në minus, e për këtë mësimi në shkollën e mesme ekonomike në Gjilan vazhdoi me orar të shkurtuar 30 minuta.

Edhe ndërrimi i pasdites që janë nxënësit e mjekësisë e vazhdojnë mësimin me gjysmë orari.

Situatë e njëjtë për shkak të mungesës së furnizimit me dru është edhe në gjimnazin natyror.

Drejtori i shkollës thotë se presin që situata të stabilizohet.

“Javën e parë kemi pasur probleme për dru nuk kena mjaftueshëm por s'kemi mungese, shpresojmë që prap do të vijnë, sa i përket nxemjet edhe shkollës është hapësirë e madhe edhe problemin kryesor e kemi me dritaret që janë deformuar po kemi probleme”, ka thënë Bekim Mustafa – drejtor i shkollës.

Ai thotë se në këtë shkollë nga pasditja synohet të kthehen në orar të rregullt, për shkak se temperaturat janë më të larta.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës, në Gjilan që janë opozitë thonë se partia në pushtet ka dështuar për të bërë furnizimin me dru me kohë.

“Gjithashtu edhe në objekte të administratës komunale është alarmante në secilën zyre ka katër 5 nxemse dhe është një çoroditje totale e pushtetit komunal rreth menaxhimit të kësaj situate. E gjithë kjo mendojmë se është si rezultat i harlisjes së kryetarit para zgjedhjeve që një vit bëri investime të paplanifikuara, shkeli kontratën kornizë”, ka thënë Fitim Guda- asamblist i LDK-së.

Dukagjini ka pyetur për këtë çështje në Komunën e Gjilanit, por ata nuk janë përgjigjur.

Pyetjeve dhe interesimit të televizionit nuk i është përgjigjur as ushtruesi i drejtorit të Arsimit në Gjilan, Luan Kastrati./Tv Dukgjini/

- YouTube youtu.be

Përfundon mbledhja, LDK thërret Kuvendin më 31 janar - Abdixhiku do të ofrojë dorëheqjen

19 January 2026 at 19:12


Pas mbledhjes së Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), zëdhënësi i partisë, Besian Mustafa, ka bërë të ditur se më 31 janar është ftuar mbledhja e Kuvendit të LDK-së.

Mustafa ka deklaruar se në këtë mbledhje kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, do të ofrojë dorëheqjen, me qëllim që Kuvendi i partisë të jetë i lirë të vendosë për këtë dhe çështje të tjera.

Sipas tij, mbledhja e Kryesisë ka zgjatur rreth katër orë dhe është karakterizuar nga diskutime të hapura dhe demokratike, ku është analizuar në detaje edhe rezultati i zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

“Pati një diskutim gati katër orësh, të hapur e demokratik, duke shtjerrë debatin në secilën pikë të mundshme, përfshirë edhe analizën e rezultatit të zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Më 31 janar është ftuar mbledhja e Kuvendit të LDK-së. Në këtë Kuvend, siç është deklaruar vetë kryetari Lumir Abdixhiku, ai do të ofrojë dorëheqjen për ta lënë të lirë Kuvendin që të vendosë edhe për këtë çështje, por edhe për çështje e diskutime të tjera që mund të ngrihen”, ka thënë Mustafa.

“Është formë e kërkesës së votëbesimit. Kryetari Abdixhiku do të kërkojë votëbesim.”

“355 delegatë do të vendosin se si do ta trajtojnë këtë votëbesim. Dhe e dyta, do të ketë një proces tjetër për të ardhur deri te kandidaturat. Për momentin, jemi në procesin e votëbesimit”, tha ai./Telegrafi/

Sulmohen policët në Prizren derisa po intervenonin në një rast të dhunës në familje

19 January 2026 at 19:00


Policia e Kosovës ka njoftuar se në fshatin Poslishtë të Prizrenit një grua ka kërkuar ndihmën e Policisë pasi ishte sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj. Ngjarja, sipas njoftimit, ka ndodhur më 19.01.2026, rreth orës 02:10.

Sipas njoftimit, pas mbërritjes së Policisë në vendin e ngjarjes, bashkëshorti i viktimës, vëllai dhe babai i tij, kanë sulmuar zyrtarët policorë dhe kanë tentuar të sulmojnë përsëri viktimën.

“Gjatë konfrontimit, policia është sulmuar fizikisht dhe me gurë, ndërsa viktima është kërcënuar dhe rrezikuar seriozisht. Për të parandaluar sulmin dhe për të mbrojtur jetën e viktimës, policët kanë ndërhyrë me forcë, duke arritur ta vendosin situatën nën kontroll”, thuhet në njoftim.

Tutje është bërë e ditur se tre të dyshuarit janë arrestuar dhe dërguar në stacionin policor.

“Gjatë përleshjes, disa policë kanë pësuar lëndime të lehta trupore dhe kanë marrë trajtim mjekësor. Hetimet rajonale janë njoftuar dhe po e trajtojnë rastin”, thuhet në njoftim.

Ekipi i kujdestarisë nga Sektori Rajonal i Hetimeve të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren është angazhuar në rast.

“Të dyshuarit kanë shfrytëzuar të drejtën e heshtjes gjatë deklarimeve. Njëri prej tyre ka marrë ndihmë mjekësore për lëndime të pësuara gjatë arrestimit”, ka njoftuar tutje Policia.

Ndërsa thuhet se prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Përgjithshme ka lëshuar aktvendim për ndalim 48 orë për tre të dyshuarit.

Sipas Policisë ky është një rast ku shihet se me çfarë sfidash ballafaqohen pjesëtarët e saj në rastet e dhunës në familje./Telegrafi/


Komandanti i KFOR-it takohet me Sveçlën, diskutojnë për situatën e sigurisë në Kosovë

19 January 2026 at 18:41


Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Özkan Ulutaş, është takuar sot me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në Camp Film City në Prishtinë.

Gjatë takimit, Ulutaş dhe Sveçla kanë shkëmbyer pikëpamje lidhur me situatën e sigurisë në Kosovë, si dhe mbi përmirësimin e mëtejmë të komunikimit dhe bashkëpunimit ndërmjet KFOR-it dhe Policisë së Kosovës.

Sipas njoftimit të KFOR-it, Ulutaş ka theksuar përkushtimin e palëkundur të KFOR-it për të vazhduar kontributin në ruajtjen e sigurisë në të gjithë Kosovën dhe në rajonin më të gjerë.

KFOR ka ritheksuar se vazhdon të zbatojë mandatin e tij, për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë.

Po ashtu, është theksuar se KFOR punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në kuadër të roleve të tyre si reagues të sigurisë./Telegrafi/


GLPS pranon përgjigje nga BE-ja për heqjen e masave ndaj Kosovës

19 January 2026 at 18:20


Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) njofton se ka pranuar sot një përgjigje zyrtare nga Bashkimi Evropian lidhur me Letrën e Hapur të dërguar më 20 tetor të vitit të kaluar, përmes së cilës një grup organizatash të shoqërisë civile kishin kërkuar heqjen e plotë të masave të BE-së ndaj Kosovës.

Në letrën drejtuar krerëve të institucioneve kyçe të Bashkimit Evropian, organizatat e shoqërisë civile kishin theksuar se masat e vendosura ndaj Kosovës kanë pasur ndikim negativ në reformat demokratike, sundimin e ligjit dhe mbështetjen për qytetarët, duke bërë thirrje për heqjen e tyre sa më të shpejtë.

Sipas GLPS-së, në përgjigjen e pranuar sot, Komisioni Evropian ka ritheksuar se hapat e parë për heqjen e masave tashmë kanë filluar. Në këtë kuadër, janë liruar 216 milionë euro, ndërsa së shpejti pritet të lirohen edhe 205 milionë euro të tjera.

Po ashtu, nga masat politike, Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se kanë rifilluar takimet e nën-komiteteve të Stabilizim-Asociimit. Këto veprime, sipas përgjigjes, janë paralajmëruar edhe në konkluzionet e Këshillit Evropian të datës 16 dhjetor 2025.

Në përgjigjen e tij, Bashkimi Evropian ka theksuar gjithashtu se e vlerëson komunikimin e drejtpërdrejtë dhe bashkëpunimin me organizatat e shoqërisë civile në Kosovë.

GLPS, në fund, ka shprehur mirënjohjen ndaj Bashkimit Evropian për përgjigjen ndaj letrës së dërguar dhe për hapat e ndërmarrë drejt heqjes graduale të masave ndaj Kosovës./Telegrafi/

MPB mirëpret aksionin ky dy zyrtarët e saj a arrestuan nën dyshimin për korrupsion

19 January 2026 at 18:15


Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka mirëpritur aksionin e përbashkët të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe Policisë së Kosovës, i cili ka rezultuar me arrestimin e katër (4) personave të dyshuar, dy prej të cilëve janë zyrtarë të kësaj ministrie.

Sipas njoftimit, ndaj të dyshuarve ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer veprat penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare” dhe “marrje ryshfeti”.

MPB ka theksuar se nuk do të tolerojë asnjë formë të keqpërdorimit të detyrës zyrtare apo përfshirjes në aktivitete të paligjshme nga cilido zyrtar i saj. Ministria ka bërë të ditur se çdo veprim që bie ndesh me ligjin dhe standardet e integritetit institucional do të trajtohet me seriozitet maksimal dhe në bashkëpunim të plotë me organet e drejtësisë.

Po ashtu, MPB ka ritheksuar përkushtimin e saj në luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e transparencës, llogaridhënies dhe sundimit të ligjit në të gjitha nivelet institucionale, duke garantuar se askush nuk do të jetë mbi ligjin.

Në fund, Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me institucionet relevante për zbardhjen e plotë të rastit dhe për të siguruar që drejtësia të vihet në vend./Telegrafi/

Hamza: PDK-ja hyn në fazë të re riorganizimi, zgjedhjet e brendshme hap i domosdoshëm

19 January 2026 at 17:38


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka deklaruar se partia po hyn në një fazë të re riorganizimi, duke theksuar rëndësinë e zgjedhjeve të brendshme për forcimin dhe hapjen e mëtejme të PDK-së.

Hamza ka bërë të ditur se për këtë proces ka diskutuar edhe me kryetarët e degëve, duke e cilësuar atë si një hap të domosdoshëm për konsolidimin e strukturave partiake.

“PDK-ja po hyn në një fazë të re riorganizimi. Zgjedhjet e brendshme, për të cilat sot diskutova edhe me kryetarët e degëve, janë hap i domosdoshëm për forcimin e PDK-së,” ka shkruar Hamza.

Ai ka theksuar se ambicia e partisë është më e madhe, pasi sipas tij, Kosova ka nevojë për një PDK më të fortë, më të hapur dhe më të organizuar. Në këtë drejtim, Hamza ka vënë theksin te puna e vazhdueshme në terren, aktivizimi i degëve dhe krijimi i hapësirës më të madhe për të rinjtë në të gjitha nivelet e partisë.

“Kjo kërkon punë të vazhdueshme, degë aktive dhe hapësirë më të madhe për të rinjtë, në çdo nivel të partisë,” ka shtuar ai.

Në fund, kryetari i PDK-së ka nënvizuar se ky proces është rruga drejt një partie më afër qytetarëve dhe gjithmonë në shërbim të Kosovës.

“Kjo është rruga për një PDK më afër qytetarëve dhe gjithnjë në shërbim të Kosovës,” ka shkruar Hamza në Facebook./Telegrafi/

Vritet një shqiptar në burgun e Greqisë

19 January 2026 at 17:11


Një vrasje ndodhi brenda burgut të Korydallos, kur një i burgosur me origjinë shqiptare, u sulmua me thikë dhe ndërroi jetë nga plagët e marra.

Raportohet se shqiptari i vrarë në burgun e Koridhalos është Jani Aliaj, një emër shumë i njohur për botën e krimit.

Jani Aliaj rezulton i dënuar me burgim të përjetshëm nga drejtësia shqiptare për vrasjen e Elton Çiços për hakmarrje, ngjarje kjo e ndodhur më 1 Maj të vitit 2016 në zonën e ish-Bllokut në Tiranë.

Mediat greke bëjnë të ditur se incidenti ndodhi në rrethana ende të paqarta, duke nxitur mobilizimin e menjëhershëm të autoriteteve të burgut.

Informacionet fillestare tregojnë se autori i krimit është një i burgosur grek, i cili e sulmoi viktimën duke përdorur një objekt të mprehtë të improvizuar.

Vërehet se të dy burrat ishin kriminelë të rrezikshëm që vuanin dënimin për vrasje. /A2 CNN

Projekti në ishullin e Sazanit, Spiropali: Nuk ka asnjë plan për falje tokash

19 January 2026 at 16:38


Jo vetëm familja e presidentit amerikan, Donald Trump, por të gjithë zyrtarët amerikanë janë të mirëpritur në Shqipëri.

Kështu u shpreh ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, sot, 19 janar, kur doli në një konferencë për mediat për të folur në lidhje me ftesën e Trump për Shqipërinë në Bordin e Paqes.

Por gjatë pyetjeve, ajo u pyet nëse në vijim do të ketë një vizitë në Shqipëri të vajzës së Trump, Ivanka Trump, bashkëshorti i të cilës, Jared Kushner, ka një projekt për ngritjen e hoteleve dhe apartamenteve në ishullin e Sazanit.

Spiropali tha se nuk ka asnjë plan për falje tokash dhe këtë gjë nuk e kërkon askush. Sipas saj, bëhet fjalë për projekte serioze zhvillimore.

“Jo vetëm familja e presidentit Trump, por të gjithë zyrtarët amerikane janë të mirëpritur në Shqipëri dhe nuk kemi asnjë detyrim të japim informacione mbi vizitat e tyre qoftë private apo të tjera. Nuk ka asnjë plan as për falje tokash, as për dhënie të territoreve shqiptare, por ka një partneritet të qartë. Të jeni të sigurt se asnjë nuk kërkon, as SHBA-të, as Trump, as familja e tij që Shqipëria të falë toka siç i quani ju apo të angazhohet në aktivitet të tilla në Shqipëri. Ka projekte serioze që janë pjesë e projekteve tona zhvillimore dhe ne jemi krenarë për to siç jemi krenarë edhe për programe dhe projekte të tjera të cilat padiskutim do t’i bëjmë realitet në Shqipëri”, tha Spiropali.

Ndërkohë më herët Kushner është shprehur se Sazani e ka tërhequr që prej një vizite në vitin 2021.

Kryeministri Edi Rama duke folur për këtë çështje ka thënë se ishulli nuk do të shitet asnjëherë dhe se qeveria shqiptare do të jetë partnere me grupin që do të investojë aty. Ai ka theksuar se ky projekt do të jetë risi për zonën e Mesdheut./Tv Klan

Operacioni “Twins”: Kapen vëllezërit e kërkuar për vrasje, policia shqiptare u gjen armë dhe maska

19 January 2026 at 16:27


Policia e Dibrës vënë në pranga dy vëllezër binjakë që fshiheshin në Gjirokastër, të cilët dyshohen si të përfshirë në një vrasje në vitin 2018.

Operacioni i koduar “Twins” u finalizua pas një hetimi të gjatë dhe bashkëpunimit mes drejtorive të policisë së Dibrës, Gjirokastrës dhe Departamentit të Policisë Kriminale.

Dy vëllezërit me iniciale K. K., të moshës 39-vjeçare, u kapën në banesat e tyre në jug të vendit, ku dyshohet se strehoheshin për t’i shpëtuar drejtësisë që prej vitit 2018.

Gjatë kontrollit në banesat e dy vëllezërve, forcat e rendit gjetën një arsenal armësh që përfshinte dy kallashnikovë, një pushkë, municion luftarak, një thikë dhe një maskë.

Të gjitha armët e sekuestruara janë dërguar në Institutin e Policisë Shkencore për ekzaminime të hollësishme, me qëllim që të vërtetohet nëse janë përdorur në vrasjen për të cilën akuzohen ose në ngjarje të tjera kriminale.

Hetimet për këtë rast po vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Dibrës për të dokumentuar plotësisht përfshirjen e vëllezërve në krimin e rëndë.

Ndërkohë, policia po punon edhe për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që mund të kenë bashkëpunuar në atë vrasje.

Ky operacion shënon një hap të rëndësishëm në zbardhjen e krimeve të vjetra që kanë mbetur pa autorë për vite me radhë.


Before yesterdayMain stream

Kurti përkujton ish-deputetin Smajl Hajdaraj në 24-vjetorin e vrasjes së tij

17 January 2026 at 23:59


Kryeministri në detyrë Albin Kurti e ka përkujtuar përvjetorin e vrasjes së Smajl Hajdarajt, ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës dhe veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Në 24-vjetorin e vrasjes së Hajdarajt, kryeministri Kurti thotë se atë e qëlluan dhe e vranë afër banesës së tij në Pejë, persona të panjohur të urdhëruar nga qarqe të tjera të panjohura.

“Edhe pas 24 vitesh, institucionet e drejtësisë nuk e kanë zbardhur rastin e tij. Lidhjet e mundshme dhe të dyshuara të kësaj vrasje me të tjera atentate në ato vite të para pas luftës në Kosovë, kanë lënë të kuptohen motivet politike dhe përçarëse të planifikuesve dhe ekzekutorëve të vrasjes së Smajl Hajdarajt.” – ka shkruar Kurti në Facebook.

Kurti ka kujtuar po ashtu se Smajl Hajdaraj ishte zgjedhur deputet i Kuvendit të Kosovës në zgjedhjet e para parlamentare pas luftës, ndërsa ishte një profesor i matematikës i cili si i përjashtuar nga sistemi arsimor prej regjimit serb më 1990, ishte angazhuar politikisht në partinë Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Më 1998, ai iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke u caktuar më pas komandant i shtabit rajonal për Rugovë. Pas çlirimit të Kosovës në qershor të vitit 1999, Smajl Hajdaraj iu rikthye punës në sistemin arsimor dhe angazhimit të tij politik. Ai ishte njëri nga deputetët e zgjedhur të legjislaturës së parë të Kuvendit të Kosovës, por shërbimi i tij u ndërpre dhunshëm nga atenati ndaj tij.” – ka shtuar Kurti.

Kurti ka theksuar se vrasjet e motivuara politikisht dhe vrasjet e aktivistëve politikë dhe veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk janë krime ordinere, por goditje në jetën politike të Kosovës dhe në ecurinë e shtetndërtimit të Republikës së Kosovës.

“Andaj mbetet shumë me rëndësi zbardhja e plotë e këtyre vrasjeve, si vënie e drejtësisë për viktimat, për familjarët, për bashkëveprimtarët dhe për mbarë shoqërinë e popullin tonë.” – ka thënë ai.

Kush janë kandidatët më të favorizuar dhe cilët u dëmtuan më shumë pas rinumërimit të gjysmës së votave

17 January 2026 at 23:34


Kur janë rinumëruar gati gjysma e kutive të votimit nga 914 që janë dërguar për verifikim, janë vërejtur ndryshime të dukshme në votat e kandidatëve për deputetë.

Nga tri partitë më të votuara në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) shfaq më së shumti ndryshime në votat për kandidatët pas nisjes së rinumërimit të pjesshëm, raporton Telegrafi.

Në shumicën e rasteve, kandidatëve të caktuar u janë shtuar vota në masë të madhe, derisa pas rinumërimit ka pasur edhe kandidatë të dëmtuar me mbi 500 vota.

Në partitë tjera ndryshimet kanë qenë të vogla.

PDK– Kandidatëve që më së shumti iu hoqën vota pas rinumërimit

Fetah Paçarizi: -4,416 vota

Nait Hasani: -2,416

Kujtim Gashi: -1,710

Arianit Çollaku: -1,434


PDK– Kandidatëve që më së shumti iu rikthyen votat nga KQZ pas rinumërimit

Uran Ismaili: +531 vota

Arian Tahiri: +464

Përparim Gruda: +379

Vlora Çitaku: +353


LDK– Kandidatëve që më së shumti iu hoqën vota pas rinumërimit

Xhavit Uka: -1,105 vota

Driton Selmanaj: -773

Anton Quni: -440

Visar Azemi: -352


LDK– Kandidatëve që më së shumti iu rikthyen votat nga KQZ pas rinumërimit

Paris Guri: +150 vota

Gëzim Hazrolli: +112

Festim Kabashi: +89

Ukë Rugova: +82


LVV– Kandidatëve që më së shumti iu hoqën vota pas rinumërimit

Arbër Rexhaj: -457 vota

Rea Krasniqi: -425

Valon Ramadani: -380

Dafina Alishani: -310


LVV– Kandidatëve që më së shumti iu rikthyen votat nga KQZ pas rinumërimit

Hajrulla Çeku: +111 vota

Alban Bajrami: +91

Driton Hyseni: +74

Hekuran Murati: +68

Procesi i rinumërimit pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim, ndërsa KQZ-ja ka bërë të ditur se rezultatet përfundimtare do të publikohen vetëm pas përfundimit të plotë të verifikimit të të gjitha vendvotimeve të përfshira në këtë proces./Telegrafi/

Bashkëshortja e William Walkerit shtrihet në Emergjencën e Vitisë, Kurti: Lutemi për shëndetin e saj

17 January 2026 at 22:30


Kryeministri Albin Kurti, ka njoftuar se bashkëshortja e ambasadorit William Walker, është shtrirë në emergjencën e Vitisë.

Këtë njoftim, Kurti e bëri gjatë fjalimit të tij në Akademinë e “Flakës së Janarit” mbrëmjen e sotme në Gjilan.

“I bashkëngjitem urimeve për shëndetin e gruas së William Walker, e cila për shkak të një problemi shëndetësor, ndoshta edhe arrest kardiak, është duke u trajtuar në emergjencë në komunën e Vitisë dhe shpresojmë në rikuperim të plotë dhe të shpejtë të saj”, tha Kurti në fjalën e tij, kur ishte duke folur për kontributin e Ambasadorit Walker në denoncimin e Masakrës së Reçkaut.

Kurti theksoi se duhet të përkujtojmë rolin unik të ambasadorit William Walker, si dëshmitar dhe denoncues i Masakrës së Reçakut, si krim kundër njerëzimit, e pikërisht kjo deklaratë e ambasadorit Walker ia bëri të qartë botës të vërtetën për krimet shtetërore të Serbisë në Kosovë./Telegrafi/

❌
❌