Kur plagjiatura bëhet normë
A jemi bërë të gjithë plagjiatorë?
Plagjiatura ka ekzistuar gjithmonë. Që nga koha e Romës së Lashtë, kur fjala plagiarius nënkuptonte “rrëmbyes”, e deri te shkrimtarë si Chaucer, Shakespeare apo Dickens, huazimi i ideve dhe fjalëve ka qenë pjesë e pandarë e krijimtarisë.
Por sot, në epokën e inteligjencës artificiale, kufiri mes frymëzimit dhe vjedhjes intelektuale po bëhet më i paqartë se kurrë.
Libri i ri i akademikut Roger Kreuz, Strikingly Similar, tregon me shembuj se sa shpesh edhe figura të mëdha kanë kopjuar: nga Bob Dylan e deri te Joe Biden.
Madje edhe fjalimi i Dylan-it për Çmimin Nobel kishte gjurmë nga një burim i papritur: SparkNotes. Megjithatë, libri më shumë mbledh anekdota sesa që ofron një përgjigje të fortë për dilemën kryesore: çfarë është sot plagjiatura?
Me ardhjen e modeleve të mëdha të gjuhës si ChatGPT apo Claude, pyetja është bërë edhe më e mprehtë.
Këto sisteme trajnohen mbi miliona tekste, shpesh të mbrojtura nga e drejta e autorit, dhe prodhojnë përmbajtje që nganjëherë ngjason shumë me burimet origjinale.
Autorë dhe botues tashmë kanë nisur procese gjyqësore, duke akuzuar kompanitë e IA-së për “vjedhje sistematike në shkallë masive”.
Anthropic, për shembull, ka rënë dakord të paguajë 1.5 miliardë dollarë për përdorimin e librave pirate në trajnim.
Po përdoruesit? Kreuz argumenton se përdorimi i IA-së nuk të bën domosdoshmërisht plagjiator, sepse ajo nuk kopjon një tekst të vetëm, por përmbledh një oqean burimesh.
Kritikët nuk janë dakord: ata e shohin këtë si një krim me dy shtresa, IA vjedh nga autorët dhe përdoruesi përfiton duke e paraqitur rezultatin si të vetin.
Historia sugjeron se ky debat nuk është i ri. T.S. Eliot thoshte se poetët e dobët imitojnë, ndërsa ata të mirë “vjedhin” dhe e shndërrojnë atë që marrin në diçka më të mirë.
Gjykatat sot po përballen pikërisht me këtë pyetje: a krijon IA diçka vërtet të re, apo thjesht riciklon?
Teknologjia po e ndryshon sërish lojën. Universitetet përdorin IA për të zbuluar punime të shkruara nga IA, ndërsa studentët përdorin mjete të tjera për t’i bërë ato të duken “më njerëzore”.
Plagjiatura, thotë një drejtues i Turnitin, shpesh tingëllon “bezhë”: e saktë, por pa jetë.
Në fund, ndoshta nuk kemi hyrë në një epokë të re të vjedhjes, por në një fazë ku krijimtaria, ligji dhe teknologjia po përplasen më fort se kurrë.
Dhe si gjithmonë, historia e plagjiatorit mbetet një dramë që publiku e ndjek me kënaqësi, sepse asgjë nuk është më argëtuese sesa rënia e një “gjeniu” të rremë. / Economist, Shqip.al
The post Kur plagjiatura bëhet normë appeared first on Revista Monitor.