Të dielën parashikohet të kemi depërtimin e masave të ftohta me origjinë polare. Nën këto kushte pritet të mbajë mot me vranësira dhe intervale me diell, ku pritet të ketë ndonjë reshje të izoluar bore gjatë ditës, ndërsa reshjet më të intensifikuara do të jenë gjatë orëve të para të 24-orëshit, kryesisht në sasi të pakta.
Era do të fryjë kryesisht nga drejtimi i veriut, e cila herë pas here pritet të jetë e fuqishme, me shpejtësi prej 15-47 km/h.
Temperaturat do të pësojnë ulje, me minimale që do të lëvizin prej -4 deri në -2°C, ndërsa ato maksimale prej -2 deri në 1°C. Gjatë orëve të pasdites ulje e mëtejshme e temperaturave.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mbajë një mbledhje emergjente ditën e hënë, më 12 janar pas kërkesës së Ukrainës.
Sipas ministrit të Jashtëm ukrainas Andrii Sybiha, kërkesa e Kievit vjen pas sulmeve të fundit ruse në Ukrainë, përfshirë përdorimin e një rakete balistike me rreze të mesme të quajtur Oreshnik e cila u përdor kundër rajonit të Lviv-it (pranë kufirit me Poloninë, anëtare të BE-së dhe NATO-s).
Sybiha tha në postimin e tij në platformën X se Rusia ka shkelur hapur Kartën e OKB-së me këto sulme, duke minuar sigurinë ndërkombëtare dhe përpjekjet për paqe nga SHBA-të, vendet evropiane dhe partnerët e tjerë.
Ai bëri thirrje për unitet në Këshillin e Sigurimit për të kërkuar: ndalimin e menjëhershëm të agresionit, mbrojtjen e civilëve, mbështetje të vazhdueshme për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.
Gjithashtu, ai theksoi nevojën për presion më të madh mbi Rusinë, duke përfshirë masa kundër flotës së tankerëve rusë, të ardhurave nga nafta, skemave financiare dhe aseteve të saj, si dhe për llogaridhënie për këto veprime.
Rusia pretendon se sulmi me Oreshnik erdhi si përgjigje ndaj sulmit ukrainas me dronë më 29 dhjetor 2025 në një rezidencë të presidentit Putin në rajonin e Novgorod-it (Valdai). Rusia e ka përdorur këtë raketë për herë të dytë që nga fillimi i luftës.
Ukraina mohon kategorikisht çdo sulm në rezidencën e Putin-it, duke e quajtur pretendimin rus “absurd” dhe “halucinacion”, dhe e sheh përdorimin e Oreshnik-ut si një kërcënim të madh për sigurinë evropiane dhe globale, veçanërisht pranë kufijve të NATO-s.
Mbledhja e Këshillit të Sigurimit pritet të zhvillohet rreth orës 8 pasdite dhe do të diskutojë shkeljet e Kartës së OKB-së nga Rusia, si dhe nevojën për veprime të menjëhershme ndërkombëtare për të ndalur agresionin.
Ushtria amerikane ka nisur sulmet ajrore kundër Shtetit Islamik (ISIS) në Siri. Operacioni shënon herën e dytë që ushtria amerikane ka goditur objektiva të Shtetit Islamik në Siri që nga 19 dhjetori, pas vrasjes së dy ushtarëve të Gardës Kombëtare të Ajovës dhe përkthyesit të tyre amerikan nga një person i armatosur i vetëm i ISIS.
Sulmet vijnë ndërsa i dërguari special i SHBA-së për Sirinë, Tom Barrack, tha se u takua në Damask me udhëheqjen e re të Sirisë për të diskutuar të ardhmen e vendit.
“Sot, në emër të presidentit Donald J. Trump dhe Sekretarit të Shtetit Marco Rubio, u takova me presidentin sirian Ahmed al-Sharaa, Ministrin e Jashtëm Asaad al-Shaibani dhe anëtarët e ekipit të tyre në Damask”, shkroi Barrack.
Barrack tha se bisedimet u përqendruan në “zhvillimet e fundit në Alepo dhe rrugën më të gjerë përpara për tranzicionin historik të Sirisë”, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara “mirëpresin tranzicionin historik të Sirisë dhe i ofrojnë mbështetjen e tyre qeverisë siriane nën presidentin Ahmed al-Sharaa”.
Autoblindat ushtarake të prodhimit shqiptar “Shota”, tani do të prodhohen edhe në Kosovë. Njohësit e sigurisë thonë se kjo marrëveshje është në kuadër të plotësimit të normave për t’u anëtarësuar Kosova në Aleancën Veriatlantike, NATO.
Përveç në Shqipëri, tashmë autoblinda ushtarake “SHOTA” do të prodhohet edhe në Kosovë.
Kjo pajisje ushtarake do t’i shtohet stokut të Forcës së Sigurisë së Kosovës, pas marrëveshjes së darkorduar mes ministrave të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe Pirro Vengu.
Këtë e konfirmoi për Tëvë1, zëdhënësja e Ministrisë në detyrë të Mbrojtjes, Liridona Gashi.
“Konfirmojmë se autoblinda ushtarake ‘Shota’ e dizajnuar në Shqipëri do të prodhohet edhe në Kosovë, në kuadër të bashkëpunimit në industri të mbrojtjes të arritur përmes marrëveshjes trelatare ndërmjet Kosovës-Shqipërisë dhe Kroacisë që u nënshkrua në mars të vitit 2025. Sa i përket fillimit të prodhimit, ende jemi në fazën e aspektit logjistik të implementimit të kësaj marrëveshje, megjithatë lajm i rëndësishëm është fakti që kemi dakordim me Shqipërinë që të fillojë prodhimi dhe në Kosovë”, deklaroi ajo.
Këtë marrëveshje e sheh të dobishme ish-deputeti i Vetëvendosjes, Enver Dugolli.
“Marrëveshjet e bashkëpunimit me Shqipërinë janë shumë të dobishme, shumë të nevojshme sepse përveç që është shtet amë, që jemi një popull një komb, është edhe shtet anëtar i NATO-s dhe përvojat e tyre janë shumë të nevojshme dhe shumë të dobishme për Republikën e Kosovës… Ne pretendojmë që të jemi edhe anëtarë të NATO-s në një afat sa më të shpejt, dhe këto elemente janë një plus i madh”, deklaroi ai.
E njëjtë mendojnë edhe ekspertë të sigurisë.
Njohësi i kësaj fushe, Fatjon Softa nënvizoi se kjo bëhet edhe për të parandaluar çdo tentativë të Serbisë për destabilitet në Ballkanin Perëndimor.
Në krijimin e një bashkëpunimi për një mbrojtje edhe kolektive në rast të ndonjë situate të mundshme që mund të agravoj në vendin Ballkanik. Dhe kjo shërben më parë, Mbrojtja është alternimi i doktrinave dhe i aleancës në kuadër të NATO-s për të përgatitur edhe Kosovën që në një moment të dytë të anëtarësohet jo vetëm për dëshirën e saj por edhe qenien e saj, që të jetë pjesë e Aleancës Euroatlantike”.
Autoblinda ushtarake ‘’Shota’’, e projektuar si mjet MRAP (Mine Resistant Ambush Protected), ofron kapacitet transport 2 anëtarë ekuipazhi + deri në 8 ushtarë, blindim balistik BR7, rezistent ndaj municioneve 7.62mm.
Është i projektuar për mbrojtje të lartë ndaj minave dhe ndaj shpërthimeve deri në 6kg TNT nën mjet.
Gjithashtu është i përshtatshëm për terrene të vështira, ka ulëse anti-shpërthim, xhama balisitkë dhe sistem modern sigurie.
Një rast serioz i armëmbajtjes pa leje është zbuluar sot në fshatin Mazgit të Obiliqit, ku Policia e Kosovës ka ndaluar një automjet dhe ka gjetur armë zjarri me municion të konsiderueshëm.
Sipas informatave që ka siguruar Gazeta Sinjali, rreth orës 11:50, gjatë një kontrolli rutinë nga policia, është ndaluar një veturë Toyota, e cila drejtohej nga Premton Bashota rreth 30 vjeçar.
Gjatë kontrollit të bagazhit të veturës, brenda një çante krahu, zyrtarët policorë kanë gjetur dhe sekuestruar: • një revole të tipit Beretta, • katër karikatorë, • 54 fishekë të kalibrit 9×19 mm.
I dyshuari është shoqëruar në Stacionin Policor në Obiliq, ku është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Hetimet lidhur me këtë rast janë në vazhdim.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Një incident i rëndë ka ndodhur sot paradite brenda Stacionit Policor Veriu në Prishtinë, ku një person i shoqëruar nga policia ka kaluar në sulm fizik ndaj zyrtarit policor, kanosje dhe dëmtim të pasurisë shtetërore.
Burime të Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se më 10 janar 2026, në intervalin kohor 10:00–11:00, në rrugën “Toni Bler”, zyrtarët policorë kanë shoqëruar në stacion L. B rreth 55 vjeçar për shkak të moszbatimit të urdhrit zyrtar.
Gjatë procedurës policore, konkretisht në momentin e largimit të prangave, i dyshuari ka sulmuar fizikisht një zyrtar policor, duke e goditur në pjesën e nofullës, ndërsa më pas ka shkelmuar një kompjuter, duke shkaktuar dëmtimin e pajisjes dhe shtëpizës së saj.
Si pasojë e sulmit, zyrtari policor ka pësuar lëndime të lehta trupore dhe ka pranuar trajtim mjekësor.
Në vendin e ngjarjes është përfshirë edhe Njësia për Hetimin e Personave (NJHP), e cila ka marrë në trajtim rastin. Janë intervistuar zyrtarët policorë në cilësinë e dëshmitarëve, ndërsa L. B është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, në prezencë të avokatit mbrojtës.
Pas konsultimit me Prokurorin Kujdestar, rasti është iniciuar për veprat penale: • Sulm ndaj personit zyrtar • Kanosje • Dëmtim apo asgjësim i pasurisë
Me urdhër të Prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Hetimet lidhur me rastin janë në vazhdim, ndërsa Gazeta Sinjali do t’ju mbajë të informuar për çdo zhvillim të ri.
Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka dhënë detaje lidhur me situatën e përgjithshme në vend që lidhet me zonat e prekura nga vërshimet.
Sipas njoftimit, gjendja në nivel të vendit është e menaxhueshme, derisa në disa rajone ka vështirësi për shkak të shiut dhe reshjeve të borës.
Njoftimi i plotë:
PËRDITËSIM I SITUATËS ME VËRSHIME
10.01.2026 08:00–16:00, Në nivel vendi
Sipas informatave nga Qendrat Operative Emergjente 112 dhe strukturat lokale të reagimit, situata e vërshimeve në Republikën e Kosovës paraqitet e menaxhueshme, por me vështirësi të theksuara në disa rajone për shkak të reshjeve të shiut dhe borës.
Zhvillime kryesore sipas rajoneve
Rajoni i Prishtinës: vërshime të lokalizuara në Prishtinë, Fushë Kosovë, Lipjan, Obiliq, Drenas, Shtime dhe Graçanicë – kryesisht si pasojë e bllokimeve të kanalizimeve. Në disa raste ka pasur depërtime uji në oborre, bodrume dhe shtëpi banimi, pa evakuime.
Rajoni i Prizrenit: disa rrugë dhe ura të vërshuara, shembje dheu dhe intervenime teknike (Suharekë, Malishevë, Rahovec, Dragash). Rrugët kryesore janë nën monitorim, disa segmente të pakalueshme përkohësisht.
Rajoni i Mitrovicës: situata e qetë, pa rrezik të drejtpërdrejtë. Angazhime aktive për largim uji, me fokus në QKMF Mitrovicë. Vizitë në terren nga udhëheqja e AME-së dhe autoritetet komunale.
Rajoni i Pejës: disa intervenime për bllokim kanalizimesh dhe rrezik vërshimi; rruga Pejë–Rugovë me ujë në disa segmente (kujdes në qarkullim).
Rajoni i Gjakovës: situatë stabile, niveli i lumenjve në rënie; një bllokim rruge nga shembja e dheut.
Rajoni i Gjilanit: vërshime të lokalizuara, depërtime uji në bodrume dhe rrëshqitje dheu; ngritje e nivelit të lumenjve pa dalje nga shtrati.
Ndërhyrje dhe kërkesa
Kërkesa urgjente nga KEK dhe KOSTT për pompa thithëse me kapacitet të madh – të realizuara.
Në përcjellje dhe koordinim të kërkesave 24/7 për ndihmë nga gjitha institucionet lokale dhe infratruktures kritike në gjithe territorin.
Dy ndeshje të divizionit të parë të futbollit gjerman u shtynë të shtunën për shkak të reshjeve të dendura të borës që kanë përfshirë pjesën veriore të vendit.
Ndeshja e St. Paulit ndaj Leipzigut dhe ajo e Werder Bremen me Hoffenheim nuk u zhvilluan, pavarësisht përpjekjeve të klubeve për të garantuar sigurinë në stadiume. St. Pauli njoftoi se, megjithë pastrimin e borës nga tribuna dhe çatia e stadiumit, kushtet mbetën të pasigurta dhe anulimi mund të ndihmonte shërbimet e urgjencës, transportin dhe kujdesin shëndetësor.
Nga ana e saj, Bremen përmendi akullin në hollin e stadiumit dhe vështirësitë për të siguruar daljet e emergjencës si arsye kryesore për shtyrjen e ndeshjes. Liga gjermane premtoi të caktojë data të reja për këto duele “së shpejti”.
Përveç problemeve në stadiume, borë e madhe ka shkaktuar ndërprerje në transportin rrugor dhe hekurudhor në pjesën më të madhe të veriut të Gjermanisë. Ndeshja Union Berlin–Mainz mbetet e planifikuar, ndërsa tifozët e Union kanë kontribuar në pastrimin e borës rreth stadiumit.
Ky është raundi i parë i Bundesligës pas pushimeve dimërore, dhe reshjet e borës pritet të vazhdojnë gjatë natës.
Kreu i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka dhënë detaje lidhur me intervenimet që janë realizuar sot në kryeqytet pas reshjeve të shiut e borës dhe vërshimeve të shkaktuara.
Rama ka bërë të ditur se kanë realizuar mbi 30 intervenime në Prishtinë dhe ka falendëruar të gjithë ata që janë angazhuar për menaxhimin e situatës në kryeqytet.
Postimi i plotë i Ramës:
Falënderim dhe Mirënjohje
Mbi 30 intervenime në të gjitha zonat e Kryeqytetit, janë realizuar gjatë ditës së sotme nga Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca, Drejtoria e Investimeve Kapitale, Drejtoria e Shërbimeve Publike, Kompania Gjelbër, Policia e Kryeqytetit, si dhe njësitë e Brigadës Profesionale të Zjarrfikësve (BPZ) të Kryeqytetit.
Këto intervenime janë zhvilluar me angazhim maksimal të ekipeve në terren, reagim të menjëhershëm dhe koordinim të vazhdueshëm ndërinstitucional.
Si Kryetar i Kryeqytetit, shpreh falënderim dhe mirënjohje të veçantë për të gjithë zyrtarët, policët, zjarrfikësit dhe punëtorët e angazhuar, për përkushtimin, vetmohimin dhe punën e palodhshme në shërbim të qytetarëve dhe Kryeqytetit.
Falenderoj edhe Drejtorin për Siguri dhe Emergjenca, z. Lulzim Fushtica, për kontributin dhe angazhimin e tij në menaxhimin dhe koordinimin e situatës.
Arian Tahiri performoi mjaft mirë në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit 2025, duke u renditur i dyti me mbi 71 mijë vota, pas Bedri Hamzës, kandidatit të kësaj partie për kryeministër.
Përmes një reagimi, Tahiri ka shprehur mirënjohjen e thellë për besimin e dhënë, duke theksuar se ky rezultat është një mesazh i qartë për rolin e rinisë në proceset politike të vendit.
Tahiri e mbylli falenderimin me një zotim përkushtimi ndaj interesave shtetërore, duke theksuar se për të “Kosova është mbi gjithçka”.
Ministri në detyrë i Mjedisit dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka njoftuar për gjendjen e rrugëve pas reshjeve të mëdha të shiut dhe vërshimeve që kanë pasuar.
“Reshjet e shiut dhe borës kanë shkaktuar grumbullim uji dhe rrëshqitje dheu në disa segmente rrugore. Ne kemi reaguar me të gjitha kapacitetet për të eliminuar çdo pengesë, me qëllim që qarkullimi të zhvillohet sa më normalisht”, ka shkruar Durmishi në Facebook.
“Në rrugën Prishtinë – Ferizaj, ende kemi bllokim si pasojë e sasisë së madhe të ujit të grumbulluar në rrugë, e shkaktuar nga kyçjet ilegale në kanalet e ujërave atmosferike”.
“Pas reshjeve të shiut kanë filluar reshjet e borës dhe temperaturat gjatë natës pritet të jenë nën zero, çka mund të shkaktojë ngrica në rrugë”.
Durmishi tha se janë angazhuar që t’i pastrojnë të gjitha rrugët të cilat i kanë për detyrë.
“Ekipet tona janë të angazhuara në pastrimin e të gjitha rrugëve që janë në kompetencën tonë”.
“Po ashtu, shprehim gatishmëri të plotë për të ndihmuar edhe institucionet lokale, kudo që paraqitet nevoja”.
“Nga qytetarët kërkojmë të vozisin me kujdes të shtuar dhe t’i përshtaten kushteve të rrugës”.
Udhëheqësit e pesë partive politike të Grenlandës i kanë dërguar një mesazh Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, duke deklaruar se, pavarësisht përpjekjeve të tij për të përvetësuar territorin gjysmë-autonom danez, ata nuk duan të jenë amerikanë.
Në një deklaratë të përbashkët të lëshuar të premten, udhëheqësit e partive thanë: “Ne nuk duam të jemi amerikanë, nuk duam të jemi danezë, duam të jemi grenlandezë”, raportoi Anadolu.
Ata shtuan: “Dëshirojmë të theksojmë edhe një herë dëshirën tonë që përbuzja e SHBA-së për vendin tonë të marrë fund. E ardhmja e Grenlandës duhet të vendoset nga populli i Grenlandës.”
Deklarata gjithashtu vuri në dukje se territori i ishullit ka rritur “pjesëmarrjen e tij ndërkombëtare” në vitet e fundit.
“Ne duhet të bëjmë përsëri thirrje që dialogu të vazhdojë të bazohet në diplomaci dhe parime ndërkombëtare”, thanë ata.
Udhëheqësit njoftuan se do të mbahej një mbledhje e parlamentit, për të siguruar “që të zhvillohet një debat politik i drejtë dhe gjithëpërfshirës dhe që të sigurohen të drejtat e popullit”.
Deklarata vjen pas komenteve të shumta të Trump në të cilat ai shprehu interes për të marrë përsipër Grenlandën, një territor gjysmë-autonom i Mbretërisë së Danimarkës.
Duke folur në një aktivitet në Shtëpinë e Bardhë të premten, Trump tha: “Ne do të bëjmë diçka për Grenlandën, pavarësisht nëse u pëlqen apo jo, sepse nëse nuk e bëjmë, Rusia ose Kina do ta marrin Grenlandën dhe ne nuk do ta kemi Rusinë ose Kinën si fqinjë.”
Ai shtoi, duke vazhduar refuzimin e tij për të përjashtuar një marrje të pushtetit nga ushtria: “Do të doja të arrija një marrëveshje në mënyrën e lehtë, por nëse nuk e bëjmë në mënyrën e lehtë, do ta bëjmë në mënyrën e vështirë.”
Komentet e Trump shkaktuan dënim të gjerë, dhe vendet evropiane në veçanti paralajmëruan se një veprim i tillë mund të nënkuptonte fundin e NATO-s.
Evropa Veriore vijon të përballet me motin e keq, me erëra me intensitet uragani dhe stuhi të fuqishme, që kanë shkaktuar të paktën 13 viktima, kaos në udhëtime, mbyllje shkollash dhe ndërprerje të energjisë elektrike për qindra mijëra banorë.
Në Mbretërinë e Bashkuar, stuhia Goretti goditi rëndë Cornwall-in dhe pjesë të Uellsit, me erëra që arritën deri në 160 km/orë. Rreth 50 fluturime u anuluan, duke bllokuar mijëra pasagjerë. Dhjetëra mijëra familje mbetën pa energji elektrike. Një burrë në të 50-at humbi jetën në qytetin Helston, nga rrëzimi i një peme. Agjencia kombëtare e motit Met Office paralajmëroi për rrezik nga bora dhe akulli në pjesën më të madhe të vendit, veçanërisht në Skoci dhe Anglinë Veriore.
Në Francë, stuhia Goretti shkaktoi ndërprerje të energjisë për rreth 320 mijë familje, kryesisht në Normandinë Veriore. Të shtunën, autoritetet njoftuan për rreth 100 mijë banesa pa energji elektrike. Në disa zona erërat arritën një shpejtësi deri në 216 km/orë, duke rrëzuar pemë dhe shkaktuar dëme kolosale në banesa. Shkollat mbetën të mbyllura në disa zona, ndërsa porte dhe rrugë u mbyllën përkohësisht.
Gjermania Veriore u përball me ndërprerje energjie, transporti dhe komunikimi për shkak të stuhisë Elli, e cila solli reshje të dendura bore dhe erëra të forta. Shkollat u mbyllën në disa qytete, ndërsa trafiku hekurudhor në distanca të gjata u pezullua.
Probleme serioze u raportuan edhe në disa vende të Europës Qendrore dhe Lindore. Trafiku ajror u ndërpre nga Çekia deri në Rusi, ku mbi 300 fluturime u anuluan në katër aeroportet që shërbejnë në Moskë. Autoritetet meteorologjike anëembanë kontinentit kanë lëshuar paralajmërime për erëra “me forcë uragani” dhe reshje të dendura bore, duke u bërë thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet jo të domosdoshme.
Tashmë ka nisur depërtimin gradual i masave mjaft të ftohta ajrore me origjinë polare dhe si pasojë shiu do të shndërrohet në borë dhe priten reshje bore në gati gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Erërat e ftoha nga veriu do të fuqizohen gradualisht dhe temperaturat do të zbresin në ‘minus’ sidomos orëve të vonshme dhe gjatë natës dhe mëngjesit të së dieles.
Fronti i ftohtë polar.
Reshje bore sonte priten në gati tërë Kosovën dhe shtresa diku pak më të mëdha e diku më simbolike. Nuk priten reshje të mëdha përpos zonave kodrinore-malore ku priten shtresa më të mëdha.
Përpos Kosovës reshje bore priten edhe në veri dhe lindje të Shqipërisë dhe veri e perëndim të Maqedonisë së Veriut.
Bora mund të paraqitet shkurtimisht edhe në disa zona ku reshjet e borës janë shumë të rralla, pra mund të kemi befasi.
Pas reshjeve të borës sonte dhe uljes së fuqishme të temperaturave reshjet atmosferike do të ndalen të paktën për disa ditë dhe ky është lajm i mirë për zonat e prekura nga vërshimet e mëdha, pra nga e diela reshjet do të humbin intensitetin dhe priten vetëm reshje bore kryesisht të dobëta në disa rajone por acari i fuqishëm polar përfshinë viset tona.
Nga e hëna më nuk priten reshje dhe temperaturat do të fillojnë të rriten sidomos nga e mërkura. Acar i fortë pritet mëngjesin e së hënës dhe së martës.
Një aksident i rëndë rrugor me pasoja fatale është regjistruar në fshatin Fier-Shegan, në segmentin e aksit kombëtar Lushnjë-Berat.
Sipas informacioneve të para të policisë një automjet tip Mercedes-Benz me targa AB 929 MT ka përplasur për vdekje një këmbësor 59-vjeçar, i identifikuar si Enver Pepa, banor i fshatit Fier-Shegan.
Viktima, e cila tentonte të kalonte rrugën, u godit nga mjeti dhe, pavarësisht transportit të menjëhershëm me ambulancë drejt Spitalit të Lushnjës, nuk arriti t’i mbijetojë plagëve të rënda të marra.
Drejtuesi i automjetit është identifikuar si Orgest Kasa, 35 vjeç, po ashtu banor i fshatit Fier-Shegan. Ai është ndaluar nga Policia dhe është shoqëruar në komisariat për veprime të mëtejshme procedurale.
Forcat e policisë dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje, ku po kryhen veprimet e nevojshme për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për përcaktimin e përgjegjësive.
Njoftimi i policisë:
Lushnjë / Informacion paraprak
Rreth orës 18:50, në aksin rrugor “Berat–Lushnjë”, shtetasi E. K., 34 vjeç, duke drejtuar automjetin e tij, ka përplasur këmbësorin, shtetasin E. P., rreth 60 vjeç, i cili ka ndërruar jetë në spital.
Drejtuesi i automjetit, shtetasi E. K., është shoqëruar në Komisariatin e Policisë për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, mori pjesë në akademinë solemne në shënim të 30-vjetorit të vdekjes së Imzot Nikë Prelës dhe 20-vjetorit të vdekjes së Imzot Mark Sopit, që u mbajt në qendrën Bogdanipolis pranë katedrales në Prishtinë.
Duke përkujtuar këto dy personalitete historike që i përkasin historisë shpirtërore, qytetare dhe politike të vendit tonë, ai tha se Imzot Prela dhe Imzot Sopi, përveçse udhëheqës fetarë, ishin bartës të një etike të lartë publike, përfaqësues të një morali të rrallë qytetar dhe dëshmitarë të një kohe kur e drejta, liria dhe dinjiteti njerëzor nuk ishin fare të garantuara, por përkundrazi, duhej të mbroheshin çdo ditë, shpesh në rrethana të jashtëzakonshme rreziku.
“Në vitet kur Kosova përjetonte një nga periudhat më të errëta të ekzistencës së saj moderne, kur sistemi shtypës i Serbisë synonte jo vetëm nënshtrimin politik, por edhe shkatërrimin e dinjitetit njerëzor dhe të identitetit kombëtar, këta dy barinj shpirtërash e dinin mirë se misioni i tyre nuk mund të kufizohej vetëm në shërbesën liturgjike. Ata e kuptuan qartë se rrethanat historike kërkonin më shumë: kërkonin përgjegjësi morale, guxim qytetar dhe bartjen e barrës së arsyes në një kohë kur dhuna po përpiqej të imponohej si normë”, u shpreh Kurti.
Ai theksoi se ata dy u shndërruan në ura midis shpirtërores dhe qytetares, midis besimit fetar dhe përgjegjësisë shtetërore, midis Kosovës së vuajtur dhe botës demokratike.
“Sot, Republika e pavarur e Kosovës ekziston si shtet i lirë dhe sovran. Por, të nderuar të pranishëm, kjo liri nuk është vetëm rezultat i proceseve politike, diplomatike dhe ndërkombëtare. Ajo është edhe fryt i qëndresës morale të atyre që, në kohërat më të vështira, më të rrezikshme, refuzuan ta pranojnë padrejtësinë si normalitet. Në këtë kuptim, Imzot Nikë Prela dhe Imzot Mark Sopi janë pjesë e themeleve të vlerave morale mbi të cilat është ndërtuar shteti ynë që kemi dhe liria që gëzojmë”, tha Kurti.
Protestat antiqeveritare vazhdojnë në Iran për të 14-tën natë radhazi.
Megjithatë, që nga mbrëmë, vetëm një numër i kufizuar imazhesh dhe videosh janë përhapur te audienca globale.
Irani ka qenë nën një ndërprerje pothuajse të plotë të internetit për më shumë se dy ditë, duke kufizuar në mënyrë dramatike aftësinë e qytetarëve iranianë për të komunikuar me botën e jashtme dhe duke lënë shumë nga ato që po ndodhin brenda vendit të mbuluara nga pasiguria.
“Qeniet njerëzore janë anëtarë të një tërësie, në krijimin e një thelbi dhe shpirti. Nëse një anëtar vuan nga dhimbja, anëtarët e tjerë do të mbeten të shqetësuar. Nëse nuk ke simpati për dhimbjen njerëzore, emrin e njeriut nuk mund ta mbash.” -Saadi Shirazi, poet persian i shekullit të 13-të.
Që nga mbrëmë, vetëm një numër i kufizuar imazhesh dhe videosh janë filtruar tek audienca globale. Megjithatë, këto fragmente sugjerojnë se, pavarësisht mbylljes, vendosmëria e protestuesve mbetet. Edhe më shumë, vëzhguesit thonë se ndërprerja e energjisë elektrike ka intensifikuar ndjenjën e urgjencës, si dhe ka rritur rreziqet në terren.
Në disa video që qarkulluan përpara se të ndërpritej lidhja, një slogan shfaqej vazhdimisht:
“Nuk kemi më frikë. Do të luftojmë”.
Shumë iranianë theksojnë se ndjenja për të luftuar nuk lindi brenda natës, por përkundrazi është produkt i 47 viteve shtypje, poshtërim, vështirësi ekonomike dhe heshtje të disidencës. Mbështetësit e protestave argumentojnë se ky është zëri i një brezi që është heshtur prej kohësh, i cili tani kërkon të rimarrë dinjitetin dhe të drejtën për një të ardhme , dhe se bota duhet t’i dëgjojë.
Pse ka rëndësi koha
Analistët vërejnë se momente të tilla, kur komunikimi ndërpritet, historikisht kanë qenë ndër më të rrezikshmet. Kur imazhet, dëshmitë e drejtpërdrejta dhe verifikimi i pavarur zhduken, autoritetet përballen me më pak shqyrtim publik.
Ajo që ndodh në orët në vijim mund të përcaktojë:
• nëse protestat vazhdojnë të përhapen apo nëse ato shtypen me dhunë,
• pavarësisht nëse forcat e sigurisë tërhiqen apo mobilizohen plotësisht,
• nëse vëmendja ndërkombëtare vepron si një frenues, apo nëse mungesa e saj mundëson përshkallëzimin.
Vëzhguesit thonë se fokusi nuk është në parashikimin se si do të përfundojnë ngjarjet, por në njohjen e pikave kritike të kthesës. Përvojat e kaluara në Iran sugjerojnë se periudhat e heshtjes së detyruar shpesh kanë shkuar krah për krah me përshkallëzime të mprehta të dhunës.
Kreativiteti si një formë rezistence dhe sfide
Pavarësisht ndërprerjes së energjisë elektrike, iranianët e kanë përdorur shprehjen krijuese si një formë rezistence kundër shtypjes dhe censurës.
Aktet simbolike të rezistencës përfshijnë:
• përdorimi i një pëllumbi të bardhë si simbol i lirisë së Iranit, • heqja e emblemës së Republikës Islamike nga flamuri iranian, duke e zëvendësuar atë me simbolin e vjetër të Luanit dhe Diellit, • dhe homazhe të fuqishme vizuale të frymëzuara nga një burrë i cili, në ditën e parë të protestave, u ul i paarmatosur në tokë përballë forcave të sigurisë.
Një imazh, në veçanti, pati një jehonë të thellë. Nga një kënd tjetër i kamerës, një turmë mund të shihet e ulur pas tij – dhe pastaj, pothuajse në mënyrë të pabesueshme, oficerët e sigurisë ulen gjithashtu, duke u ulur në të njëjtin nivel.
Imazhi mund të duket surreal, veçanërisht në dritën e një deklarate zyrtare të lëshuar nga ushtria që riafirmon besnikërinë e saj ushtarake ndaj Udhëheqësit Suprem. Por kështu dukeshin edhe shumë nga zhvillimet e ditëve të fundit.
Jo shumë kohë më parë, ajo që po ndodh tani do të dukej e paimagjinueshme. Megjithatë, u bë realitet.
Forcat e sigurisë: a do të qëndrojnë të bashkuara apo do të përçahen?
Një pyetje kyçe që mbetet është nëse protestat e vazhdueshme mund të krijojnë përçarje brenda forcave të sigurisë, duke bërë që disa ushtarë të marrin anën e publikut.
Komentet e bëra nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump duke lavdëruar protestuesit në qytete të tilla si Mashhad, vendlindja e Liderit Suprem të Iranit, së bashku me pretendimet për tërheqjen e forcave të sigurisë, kanë nxitur spekulime. Konfirmimi i pavarur mbetet i kufizuar, por analistët vërejnë se vështirësitë ekonomike prekin ushtarët dhe familjet e tyre po aq sa edhe civilët.
Në të njëjtën kohë, të tjerë paralajmërojnë kundër përfundimeve të parakohshme. Disa besojnë se Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) mund të vendosë që vetëm një ndërhyrje në shkallë të plotë mund të rivendosë kontrollin, madje edhe me rrezikun e një tendosjeje më të thellë të brendshme.
“Nuk ka ende asnjë shenjë të qartë të një ndryshimi vendimtar në ekuilibrin e pushtetit”, tha një analist rajonal. “Sistemi mund të zgjedhë shtypjen e zgjatur në vend të kolapsit, edhe nëse kjo çon në paqëndrueshmëri afatgjatë”.
Duke shtuar shqetësimet, raportet e paverifikuara zbuluan përfshirjen e forcave të ndërmjetësuara nga Irani, përfshirë anëtarë të Forcave të Mobilizimit Popullor të Irakut (Hashd al-Shaabi), në përpjekjet për të shtypur protestat.
Ndërsa pretendime të tilla janë të vështira për t’u verifikuar në kushte të mungesës së energjisë elektrike, analistët vërejnë se përdorimi i forcave jo-kombëtare ka precedent historik. Shpesh përdoret si një mënyrë për të zvogëluar hezitimin kur autoritetet ngurrojnë t’u urdhërojnë qytetarëve të qëllojnë mbi popullin e tyre.
Reza Pahlavi dhe një “ndryshim në strategji”
Një faktor tjetër kyç që formëson realitetin aktual të Iranit është reagimi i paprecedentë publik ndaj një thirrjeje të bërë nga Reza Pahlavi, Princi i Kurorës dhe djali i monarkut të fundit të Iranit.
Pas demonstratave masive, ai u ka kërkuar iranianëve të qëndrojnë në rrugë, duke e përcaktuar qartë qëllimin si pushtimin dhe mbajtjen nën kontroll të qendrave të qyteteve.
Në të njëjtën kohë, ai i bëri thirrje Trumpit të jetë i përgatitur të ndërmarrë veprime në mbështetje të popullit iranian. Ai gjithashtu u ka bërë thirrje sektorëve kryesorë ekonomikë, veçanërisht naftës dhe energjisë, të marrin pjesë në sulme mbarëkombëtare, një veprim që pasqyron një strategji të përdorur gjatë muajve të fundit të sundimit të babait të tij në vitin 1979.
Për shumë iranianë, kjo strategji mbart një rezonancë të thellë historike. Në vitet 1978-79, grevat në industritë strategjike luajtën një rol kritik në dobësimin e shtetit. Nëse një qasje e ngjashme mund të ketë sukses në kushtet e sotme të sigurisë mbetet e paqartë, por analistët thonë se vetë thirrja sinjalizon një besim se situata ka arritur në një fazë vendimtare.
Heshtja si një akt politik
Në kulturën politike të sotme, shumë aktivistë argumentojnë se heshtja nuk është neutrale. Shpesh interpretohet si pranim i heshtur i status quo-së dhe, për rrjedhojë, i shtypjes.
Për këtë arsye, protestuesit këmbëngulin në rëndësinë e reagimeve ndërkombëtare dhe theksojnë se këto nuk mund të kufizohen vetëm në deklarata shqetësimi. Në vend të kësaj, ata argumentojnë se dukshmëria, presioni dhe masat konkrete kanë më shumë rëndësi.
Ata paralajmërojnë se ajo që po ndodh në Iran nuk do të mbetet e kufizuar brenda kufijve të tij. Do të ndikojë në stabilitetin rajonal, modelet e migrimit, tregjet globale të energjisë dhe besueshmërinë e vlerave që shumë qeveri perëndimore pretendojnë se mbështesin. Siç shkroi poeti Saadi shekuj më parë, vuajtja njerëzore është e pandashme.