Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 17 January 2026Main stream

Publikohen shifrat/ Open Data: AKSHI në 8 vite pagoi 414 milionë euro

By: Fax Web
17 January 2026 at 20:20

Vetëm në 8 vite AKSHI ka kryer pagesa në vlerën që shkojnë në 414 milionë euro.

Të dhënat janë nxjerrë nga Open Data ku paraqiten dhe shërbimi për pagesat që janë kryer përmes thesarit.

Po ashtu sipas të dhënave thuhet se janë 9 milionë lekë që janë detyrime të paguara vetëm në vitin 2024.

TË DHËNAT E OPEN DATA

Shpenzimet totale 2019 – 2026

Nga viti 2019 deri në 2026, AKSHI ka likuiduar përmes Thesarit:

40,000,000,000 lekë

Ekuivalenti në euro:

414.5 milionë €

Vetëm në 2024: 9,054,240,561.00

SPAK ka ngritur tashmë për AKSHI-n akuzën e organizatës kriminale, ndërsa në kërkim dhe me vendim mase arresti janë biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri.

Me masën e arrestit në shtëpi janë vendosur drejtoresha e AKSHI-t dhe nëndrejtoresha.

Salianji nesër “Foltore” në Lezhë, PD e sulmon: E mbështet Pjerin Ndreu! Kryebashkiaku i PS: Zot na ruaj

By: Fax Web
17 January 2026 at 19:36

Foltorja e ish-deputetetit Ervin Salianji nesër do të ndalet në qytetin e Lezhës.

Por pas deklaratave të kreut të PD, Sali Berisha, sipas të cilit “Salianji është vetëpërjashtuar”, demokratëve të Lezhë u ka mbërritur në telefon edhe një sms ku u kërkohet të mos bëhen pjesë e takimit.

Në mesazh thuhet se, takimi i Salianjit ka tërësisht axhendë private dhe se po organizohet me ndihmën e kryebashkiakut të Lezhës, Pjerin Ndreu.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i kryebashkiakut të Lezhës.

Dhe thonë pastaj pse janë duke u kalbur në opozitë PD! Me broçkulla të tilla këta nuk vijnë më në pushtet e as me dylbi se shohin! Unë organizoj takimin e Salianjit dmth! Zot na ruaj!”, shkruan Ndreu.

LISTA/ I dolën kundër për Groenlandën, Trump shton tarifat për këto shtete europiane

By: Fax Web
17 January 2026 at 19:28

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar një seri tarifash doganore ndaj disa vendeve që eksportojnë mallra në SHBA, të cilat do të hyjnë në fuqi më 1 shkurt.

Trump shprehet se këto tarifa do të qëndrojnë “deri sa të arrihet një marrëveshje për blerjen e plotë dhe tërësore të Groenlandës” nga SHBA-ja.

Në një postim në platformën sociale Truth Social, Trump tha se, Danimarka, Norvegjia, Suedia, Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Holanda dhe Finlanda do të paguajnë një tarifë prej 10 % për të gjitha mallrat e dërguara në SHBA nga 1 shkurt.

Sipas tij, kjo tarifë do të rritet në 25 % më 1 qershor, nëse deri atëherë nuk arrihet një marrëveshje për tërësinë territoriale të Groenlandës.

Tarifat janë taksa mbi mallrat e importuara që zakonisht paguhen nga kompanitë që sjellin produktet e huaja në tregun amerikan. Vendimi vjen në një kohë kur Trump e ka vendosur Groenlandën në qendër të debatit të tij të strategjisë globale, duke sugjeruar se SHBA duhet të fitojë kontrollin e ishullit për qëllime të sigurisë kombëtare — një qëndrim që ka shkaktuar reagime të ashpra dhe protesta në Danimarkë dhe vetë Grenlandë.

Liderët evropianë kanë refuzuar fuqimisht idenë e një blerjeje ose kontrolli amerikan mbi Groenlandën, duke nënvizuar sovranitetin e territorit që i përket Mbretërisë së Danimarkës dhe se çdo vendim për të duhet të merret nga vetë banorët e ishullit.

“I drejtohen Ramës”, Berisha: Prej muajsh mesazhet që vijnë nga SHBA janë kundër karteleve të drogës

By: Fax Web
17 January 2026 at 19:24

Në bashkëbisedimin me demokratët në Laprakë, kryetari i PD-së, Sali Berisha u bëri thirrje qytetarëve që të dalin në sheshe dhe rrugë, pasi askush nga jashtë nuk do të vijë në Shqipëri që të zgjidhë problemet tona.

Sipas kreut të PD, zhvillimet e fundit ndërkombëtare kanë faktuar, sipas tij, lidhjet e qeverisë me krimin e organizuar dhe kartelet e drogës, duke e kthyer Shqipërinë në një problem për Europën dhe më gjerë.

“Ka tre muaj, katër muaj që çdo mesazh që vjen nga superfuqia numër një e botës, nga Shtetet e Bashkuara, është vetëm për kartelet e drogës. Vetëm për kartelet e drogës. Mesazhe të tilla ka marrë Maduro gjersa e çuan atje ku duhet. Merr presidenti i Kolumbisë, merr Ramaduro i Shqipërisë”.

LEXO EDHE: “Foltorja” në Laprakë, Berisha: Në këto 13 vite, djersa dhe mundi i shqiptarëve është shndërruar në hotele e vila nga qeveritarët

Pjesë nga fjala e kreut të PD, Sali Berisha:

E keni dëgjuar? Ka tre muaj, katër muaj që çdo mesazh që vjen nga superfuqia numër një e botës, nga Shtetet e Bashkuara, është vetëm për kartelet e drogës. Vetëm për kartelet e drogës. Mesazhe të tilla ka marrë Maduro gjersa e çuan atje ku duhet. Merr presidenti i Kolumbisë, merr Ramaduro i Shqipërisë.

Pse e thashë këtë? Ja dolëm. Ua them unë juve. Edhe para tre muajve, kishte diplomatë që u thoshte deputetëve tanë, le të flasë se do isha sa të dojë, po s’ia beson kush atij narkoshtetin e atij.

Po ç’kisha unë? Po mbroja veten time unë, po mbroja interesat e vendit tim. Po ja tani që narkoshteti është, narkoshteti i Tiranës është bërë problem edhe për Europën edhe për botën. Nuk tërhiqemi ne. Pse e bëra këtë analizë? E bëra këtë analizë se tani kemi ardhur në agun e fitores tonë.

Tani ky regjim që qëndron si kalbësirë në ato zyra, është faktuar se është një regjim krimi, se është një organizatë kriminale. Është faktuar se ka vjedhur dhe vjedh çdo ditë në mënyrë të paimagjinueshme paratë tuaja dhe pasuritë publike. Është faktuar se nuk njeh ligj, nuk njeh kushtetutë, nuk njeh normë, nuk njeh moral, nuk njeh standard.

Dhe ajo që është kryesore, është faktuar se boshti i të keqes i të gjitha të këqijave, i të gjitha këtyre të këqijave e ka emrin Edvin Droga, Edi Rama, Rama-duro. Është faktuar se krimi i organizuar nuk i lejon shqiptarët të votojnë. Është certifikuar. Është certifikuar se zgjedhjet në Shqipëri nuk zhvillohen midis partive, po midis shtetit, narkoshtetit dhe partive. Të gjitha këto janë faktuar tani. Tani e drejta është në anën tonë. Guximi është në anën tonë.

Ne jemi në prag të fitores. Dhe ne një lloj siç përmbysëm një diktaturë në vitin ’90, siç përzumë me vota ata që erdhën me rebelim në vitin ’97, do t’i përzëmë nga pushteti, të hapim rrugën e votës së lirë të qytetarëve, e fitores së opozitës. Kjo protestë që organizojmë ne, është e një rëndësie të jashtëzakonshme.

Miq, ju keni duruar shumë, keni sakrifikuar shumë, keni vuajtur shumë. Por sot ka shpresë. Sot kemi arritur ato që dy vite më parë nuk i mendonit. Sot e drejta është në anën tonë. Sot shpresa e vetme e shqiptarëve jemi ne, është Partia Demokratike.

Sot kërkohet sakrifica jonë. Por, në qoftë se kjo është e vërtetë për të gjithë shqiptarët, për qytetarët e Tiranës kjo është tre herë më e vërtetë. Kurrë ndonjëherë nuk keni patur në dorë për Tiranën dhe Shqipërinë më shumë se sa kësaj radhe.

Dhe unë kam besim se qytetarët e Tiranës do të jenë në krye të kësaj kryengritje paqësore që do fshijë nga faqja e dheut këtë regjim antishqiptar, kriminal, këtë regjim që qeveris me me metoda më të zeza, më kriminale.

Kryeministër që u çon dhe u hakeron kompjuterët prokurorëve, për të parë nëse nëse janë të shkrojtura aty krimet e tij. Nuk duhet të presim ne, nuk do presim ne që t’i na i zgjidh këto probleme as prokurori, as gjykatësi, askush nga jashtë. Do i zgjidhim vetë, do i zgjidhim vetë dhe ne nuk do lëshojmë në rastin më të afërt.

Ne do përballemi rrugëve të shesheve të Tiranës gjer në fitoren e Partisë Demokratike. Ju garantoj”.

Protesta para Kryeministrisë, Lapaj: Ku shkuan 80 mld eurot që Rama dhe banda e tij vodhën në 12 vjet?

By: Fax Web
17 January 2026 at 19:14

Kryetari i “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, në fjalën e tij para protestuesve në sheshin para kryeministrisë,  bëri thirrje që qëndresa e qytetarëve dhe aktivistëve që iu bashkua kësaj lëvizje në 5 javë, të vazhdojë deri në largimin e Ramës nga pushteti.

Lapaj tha se në 12 vjet, banda e Ramës në qeveri menaxhoi 80 mld euro por asgjë nuk u bë për vendin e qytetarët.

Ata vjedhin dhe ne përmbytemi në shtëpitë tona, ne shkojmë në spital dhe mungojnë ilacet dhe këta pinë verë nga 33 mijë euro. Që fëmijët tanë ikin nga ky vend se nuk e përballojnë dot jetën. Në këto 12 vite Edi Rama dhe banda e tij ka menaxhuar më shumë se 80 miliardë euro, më thoni një spital rajonal që e kanë bërë si duhet, më thoni që e kanë bërë si duhet pagat, ku shkuan 80 miliardë euro. Ata pritën që me dhunën barbare të 4 janarit ne të iknim, me shiun mbi kryet tona këto 2 javë ne të iknim, por ne nuk mund të ikim, nga një betejë pa kthim, beteja për demokratizimin e atdheut”, tha ndër të tjera Lapaj.

Kjo ishte protesta e tretë kombëtare e “Shqipëria Bëhet” para kryeministrisë.

VIDEO/ Muriqi nuk ndalet! Tripletë në La Liga, vetëm Mbappe para tij

By: Fax Web
17 January 2026 at 19:05

Vedat Muriqi po kalon një edicion fantastik në La Liga. Sot realizoi një dopietë në pjesën e parë për Mallorcan dhe plotësoi tregolëshin personal në pjesën e dytë të duelit kundër Athletic Bilbaos.

Goli i parë u shënua në minutën e pestë dhe zhbllokoi takimin. Më pas në minutën e 42-të, Muriqi nuk realizoi direkt nga penalltia, por e dërgoi topin në rrjetë pas pritjes fillestare të portierit.

Ai ia doli të shënonte në pjesën e dytë nga penalltia, duke çuar shifrat në 3-2, për të plotësuar tregolëshin e tij personal në këtë takim.

Muriqi me 14 gola në 20 javë kampionat, qëndron i vetëm pas Mbappes, që numëron 19 gola në krye të renditjes së golashënuesve.

Sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës është dhe lojtari i dytë me më tepër gola në historinë e Mallorcas në La Liga. Vendin e parë e mban Samuel Eto’o.

EMRAT/ Rama tha se e ftoi Trump, po kush janë anëtarët e Bordit të Paqes për qeverisjen e Gazës?

By: Fax Web
17 January 2026 at 18:44

Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije në rrjetet e tij sociale se është ftuar nga presidenti amerikan Donald Trump për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes, një strukturë e cila do të qeverisë Rripin e Gazës pas përfundimit të luftës.

LEXO EDHE“Më ka ftuar Trump”, Rama: Do jem pjesë e Bordit të Paqes për administrimin e Gazës

Shtëpia e Bardhë ka publikuar emrat e anëtarëve që do të formojnë “Bordin e Paqes” për Gazën, një strukturë e re e administratës Trump.

Washingtoni zyrtar ka bërë të ditur se anëtarë shtesë do të shpallen në javët në vijim.

Kush është në Bordin Ekzekutiv themelues?

Ish-kryeministri britanik Sir Tony Blair ishte përmendur prej kohësh si një kandidat i mundshëm për “Bordin e Paqes” të Trumpit, me vetë presidentin amerikan që kishte konfirmuar që në shtator se Blair kishte shprehur interes për t’u bashkuar me këtë organ.

Ish-udhëheqësi i Partisë Laburiste ishte kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar nga viti 1997 deri në 2007 dhe e futi vendin në Luftën e Irakut në vitin 2003, një vendim që bën që prania e tij në bord të shihet nga disa si e diskutueshme.

Pas largimit nga detyra, Blair shërbeu si i dërguar për Lindjen e Mesme i Kuartetit të fuqive ndërkombëtare – Kombet e Bashkuara, Bashkimi Europian, SHBA dhe Rusia – nga viti 2007 deri në 2015.

Sir Tony është i vetmi anëtar themelues i bordit ekzekutiv që nuk është shtetas amerikan.

Ai i ka përshkruar më parë planet e Trumpit për Gazën si “mundësia më e mirë për t’i dhënë fund dy viteve luftë, mjerimi dhe vuajtjeje”.

Në një deklaratë, Sir Tony tha se ishte “i nderuar” që ishte përzgjedhur në bord dhe falënderoi presidentin Trump për udhëheqjen në krijimin e këtij grupi.

Si Sekretar i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio është figurë qendrore në qasjen e administratës Trump ndaj politikës së jashtme.

Para rikthimit të Trumpit në detyrë, Rubio ishte shprehur kundër një armëpushimi në Gaza, duke deklaruar se donte që Izraeli “të shkatërronte çdo element të Hamasit që mund të kapte”.

Megjithatë, më pas ai ka lavdëruar fazën e parë të marrëveshjes së armëpushimit Izrael–Hamas, të nënshkruar në tetor, duke e cilësuar si planin “më të mirë” dhe “të vetmin”.

Po në tetor, Rubio kritikoi një hap të parlamentit izraelit drejt aneksimit të Bregut Perëndimor të pushtuar.

I dërguari special i SHBA-së për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, një manjat i pasurive të paluajtshme dhe partner golfi i Trumpit, do të jetë gjithashtu pjesë e bordit.

Në fillim të këtij muaji, Witkoff njoftoi nisjen e fazës së dytë të planit të Trumpit për t’i dhënë fund luftës në Gaza, duke shtuar se ajo do të përfshinte rindërtimin dhe çmilitarizimin e plotë të Gazës, përfshirë çarmatimin e Hamasit.

Ai shtoi se pret që Hamasi “të përmbushë plotësisht detyrimet e tij” sipas marrëveshjes, ose të përballet me “pasoja serioze”.

Witkoff ka qenë një figurë kyçe në përpjekjet e udhëhequra nga SHBA për të negociuar një marrëveshje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës, përfshirë edhe një takim pesëorësh me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë në dhjetor.

Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan, ka luajtur gjithashtu një rol të rëndësishëm në negociatat e politikës së jashtme të administratës Trump.

Së bashku me Witkoff, Kushner ka vepruar shpesh si ndërmjetës amerikan në luftërat Rusi–Ukrainë dhe Izrael–Gaza.

Në nëntor, ai u takua me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për të diskutuar pikat kyçe të bllokimit në marrëveshjen e paqes.

Në një ligjëratë në Universitetin e Harvardit në vitin 2024, Kushner tha se “prona bregdetare e Gazës mund të ishte shumë e vlefshme… nëse njerëzit do të përqendroheshin në ndërtimin e jetesës”.

Miliarderi Marc Rowan është drejtues ekzekutiv i Apollo Global Management, një firmë e madhe investimesh private me seli në Nju Jork.

Rowan ishte konsideruar si kandidat për postin e sekretarit të Thesarit të SHBA-së për mandatin e dytë të Trumpit.

Ajay Banga, president i Bankës Botërore, ka këshilluar një sërë politikanësh të lartë amerikanë, përfshirë presidentin Barack Obama, gjatë karrierës së tij të gjatë.

I lindur në Indi në vitin 1959, Banga u bë shtetas amerikan në vitin 2007 dhe më pas shërbeu si drejtor ekzekutiv i Mastercard për më shumë se një dekadë.

Ish-presidenti amerikan Joe Biden e emëroi atë në krye të Bankës Botërore në vitin 2023.

Robert Gabriel, këshilltar amerikan për sigurinë kombëtare, do të jetë anëtari i fundit i Bordit Ekzekutiv themelues.

Gabriel ka punuar me Trumpin që nga fushata presidenciale e vitit 2016 dhe, sipas PBS, pak më pas u bë asistent special i Stephen Millerit, një tjetër këshilltar kyç aktual i Trumpit.

Në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë thuhet gjithashtu se Nickolay Mladenov, politikan bullgar dhe ish-i dërguar i OKB-së për Lindjen e Mesme, do të jetë përfaqësuesi i bordit në terren në Gaza.

Ai do të mbikëqyrë një komitet të veçantë teknokratësh palestinezë me 15 anëtarë, Komitetin Kombëtar për Administrimin e Gazës (NCAG), i ngarkuar me menaxhimin e qeverisjes së përditshme të Gazës pas luftës.

NCAG do të drejtohet nga Ali Shaath, ish-zëvendësministër në Autoritetin Palestinez, i cili qeveris pjesë të Bregut Perëndimor të pushtuar që nuk janë nën kontrollin izraelit, shkruan “BBC“.

“Foltorja” në Laprakë, Berisha: Në këto 13 vite, djersa dhe mundi i shqiptarëve është shndërruar në hotele e vila nga qeveritarët

By: Fax Web
17 January 2026 at 18:39

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha duke folur në ‘Foltoren’ e organizuar në degën 11 të PD në Laprakë, ka akuzuar qeverinë dhe qeveritarët se kanë vjedhur shqiptarët gjatë këtyre 13 viteve në pushtet dhe paratë e tyre i kanë shndërruar në hotele dhe vila.

Nuk ka regjim më mizor se ai që kaluam në diktaturë, por ju them ju këtu me bindjen më të thellë, me sinqeritetin më të madh, se e gjithë Byroja Politike e Enver Hoxhës në 45 vite nuk ka vjedhur, s’të marrësh bashku, sa ç’kanë vjedhur tre drejtorët e Bashkisë së Tiranës, ndër të tjera, ndërtojnë hotelin 20 katësh në plazh që shkon të paktën 70 milionë euro“, tha Berisha.

Pjesë nga fjala e kreut të PD:

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta për ju, demokratët dhe demokratët e Laprakës, për të gjithë banorët e kësaj zone, për të gjithë qytetarët e Tiranës dhe mbarë shqiptarët.

Dhe një mirënjohje të madhe për ju, për të gjithë mbështetjen e guximshme që i keni dhënë dhe i jepni Partisë Demokratike.

I dashur zoti kryetar, të dashur Belind dhe Klevis, të dashur drejtues të degës së Partisë Demokratike të Laprakës.

Të dashur miq, ne hyjmë këtë janar në vitin e 13 të opozitës, në vitin e 13 të përballjes me një regjim në radhë të parë antishqiptar.

Me një regjim që sa asnjë regjim tjetër në tërë historinë kombëtare, pakësoi në 10 vite shqiptarët më shumë se çdo epidemi, nga mortaja e zezë në vitet 1300, më shumë se çdo luftë, më shumë se çdo pushtim.

Dhe për të gjithë ne, njerëz patriotë, njerëz atdhetarë, kjo është goditja më e rëndë, më e tmerrshme që ka marrë Shqipëria dhe kombi shqiptar. Në 10 vite, përzuri nga Shqipëria me politikat që ndoqi, 1 milion e 99.000 shqiptarë vetëm në zonën e Shengenit.

Pa llogaritur qindra mijëra të tjerë në Shtetet e Bashkuara, Kanada, vendet e Amerikës Latine, vendet e Lindjes së Mesme dhe kudo tjetër. Së dyti, ne u përballëm këto 10 vite, 13 vite, me një regjim i cili plaçkiti më shumë se çdo regjim tjetër në histori, shqiptarët.

Në rast se diktatori mizor, paranojak, Enver Hoxha paratë dhe djersën e shqiptarëve e shndërroi në bunker dhe tunele, këta qeveritarë djersën, mundin, paratë tuaja e shndërruan në parajsë, e shndërruan në konto miliona, qindra milionëshe.

E shndërruan në vila, në hotele, e shndërruan në pasuri të pamasë. Nuk ka regjim më mizor se ai që kaluam në diktaturë, por ju them ju këtu me bindjen më të thellë, me sinqeritetin më të madh, se e gjithë Byroja Politike e Enver Hoxhës në 45 vite nuk ka vjedhur, s’të marrësh bashku, sa ç’kanë vjedhur tre drejtorët e Bashkisë së Tiranës, ndër të tjera, ndërtojnë hotelin 20 katësh në plazh që shkon të paktën 70 milionë euro.

Ja u dhashë këtë shembull për të realizuar se çfarë regjimi ishte ky regjim. U përballët 13 vite me një regjim që në mënyrë të vendosur shkatërroi një nga një vlerat e sapo krijuara në këtë sistem demokratik.

Vlerat e një shoqërie të lirë, të cilat duhet të konsolidoheshin. Në qoftë se në diktaturë ne kishim një Zëri i Popullit që mashtronte shqiptarët, sot janë dhjetëra të tilla. Fletushka, portale, televizione që ju mashtrojnë nga mëngjesi gjer në darkë qytetarët shqiptarë. Glorifikojnë të keqen, fshehin të vërtetat.

“Më ka ftuar Trump”, Rama: Do jem pjesë e Bordit të Paqes për administrimin e Gazës

By: Fax Web
17 January 2026 at 18:01

Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se, është ftuar nga presidenti i SHBA Donald Trump për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes, një strukturë e cila do të qeverisë Rripin e Gazës.

Sipas Ramës, Shqipëria do të ketë statusin e anëtarit themelues të kësaj strukture, ndërsa shpreh nderimin e madh që po i bëhet atij dhe vendit me këtë propozim të Trump.

Postimi i Ramës:

“Shumë i nderuar nga ftesa personale e Presidentit Trump, për ta përfaqësuar Shqipërinë në Bordin e Paqes, një organizatë e re ndërkombëtare e ideuar prej tij, ku Shqipëria ftohet si anëtar themelues, duke ngjitur kështu ndërkombëtarisht një tjetër majë krejt të paimagjinueshme vetëm deri pak vite më parë.

Nuk mund të jem dot më krenar për Shqipërinë, për gjithçka kemi bërë në këto vite duke e kthyer në një Shqipëri tjetër, të denjitetshme e të respektuar botërisht si asnjëherë, e padiskutim edhe për nivelin ku e kemi ngritur marrëdhënien e partneritetit tonë strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u ftuar me një respekt e vlerësim krejt të posaçëm nga Presidenti Donald J. Trump, për t’u bërë pjesë e një bordi ndërkombëtar të krijuar e kryesuar prej atij vetë dhe për të punuar së bashku me të”.

VIDEO/ Mjafton goli i kapitenit! Inter me hap kampioni, zikaltrit ruajnë distancën me ndjekësit

By: Fax Web
17 January 2026 at 17:26

Interi nuk gaboi në javën e 21-të të Serie A dhe u kthye nga Udine me tri pikë të arta.

Në stadiumin Bluenergy, zikaltërit dominuan Udinesen dhe fituan 1-0, duke konfirmuar kryesimin në kampionat.

Goli i vetëm i takimit u shënua në minutën e 20-të nga Lautaro Martinez.

Kapiteni zikaltër përfitoi nga një asist elegant me thembër i Pio Espositos, kaloi bukur mbrojtësin dhe finalizoi saktë me një goditje nga jashtë portës.

https://www.youtube.com/watch?v=bp0MQ62182o

Interi ishte superior gjatë gjithë ndeshjes. Dimarco ishte pranë golit në dy raste dhe madje iu anulua edhe një realizim.

Udinese reagoi vetëm në minutat e fundit, duke ushtruar presion të fortë në zonën e Interit, por pa arritur të ndryshojë rezultatin.

Me këtë fitore, Interi mbetet në krye të renditjes dhe ngjitet në kuotën e 49 pikëve.

EMRA/ Përfundon aksioni i SPAK për “Call Center”-at, 8 persona të arrestuar dhe 3 të shpallur në kërkim

By: Fax Web
17 January 2026 at 16:50

Përfundon operacioni i “Call Center”-ave në Tiranë, i cili nisi mbrëmjen e djeshme.

Mbrëmjen djeshme, oficerët e policisë dhe të BKH-së, përfshirë kreun Joni Keta, zbarkuan në disa kulla luksoze në Tiranë. Nga kontrollet, të paktën 12 persona janë arrestuar deri pasditen e së shtunës.

Më kryesorët, tre vëllezër nga Tropoja, të cilët konsiderohet organizatorë të këtij aktiviteti, janë shpallur në kërkim për skemë mashtrimi, Agim, Alfred dhe Arjan Prekaj.

Gjatë kontrolleve u sekuestruan kompjuterë dhe portofole kriptomonedhash, të cilat dyshohet se lidhen me mashtrimin e qytetarëve të Bashkimit Europian.

Hetimet në Shqipëri po ndiqen nga prokurori i SPAK, Ened Nakuci dhe një prokuror i huaj.

Mësohet se ky grup përdorte një skemë të mirë menduar për të humbur gjurmët, duke ndërruar herë pas herë ambientet me qira ku ushtronte aktivitetin e paligjshëm.

Hetimet kanë pasur si indicie edhe një investigim të bërë nga emisioni italian “Le Lene”, ekipi i të cilëve ishte dje në Tiranë gjatë aksionit. Ekipi kishte infiltruar një person, i punësuar si operator në një call center që ndodhej në katin e 13 të kullës “4Ever Green Tauer”, pranë Gjykatës së Lartë në qendër të Tiranës. Por kur zbarkoi BKH dhe policia, aktiviteti i paligjshëm ishte zhdukur.

Sipas investigimit italian, i përfshirë në këtë rrjet është edhe një polici italian i cili rekrutonte të rinj në Itali të cilët më pas dërgoheshin për të punuar si operatorë në call centerat mashtruese në Tiranë, dhe disa shtete të tjera.

Skema bazohet në telefonata që përmes një investimi fillestar 250 euro, premtohen fitime të lehta dhe platforma dixhitale që simulojnë investime në situata të cilat në fakt nuk ekzistojnë.

Tragjike në Palasë! Humb jetën në kantier 45-vjeçari, shoqërohet drejtuesi i fadromës (EMRAT)

By: Fax Web
17 January 2026 at 16:29

Një ngjarje e rëndë është shënuar këtë pasdite në kantierin e ndërtimit në Palasë, ku një punëtor ka humbur jetën pasi është goditur aksidentalisht nga një fadromë.

Viktimë ka mbetur 45-vjeçari, i identifikuar si Kreshnik Haska.

Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur ambulancat, por fatkeqësisht nuk kanë mundur t’i japin ndihmë mjekësore, pasi punëtori kishte ndërruar jetë.

Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të aksidentit të rëndë, ndërsa ka shoqëruar edhe 26-vjeçarin Elidon Pashaj, i cili ka qenë duke punuar me fadromë.

Njoftimi i Policisë:

Himarë/Informacion paraprak

Sot, në një kantier ndërtimi, në fshatin Palasë, Himarë, dyshohet se shtetasi E. P., 26 vjeç, gjatë punës brenda kantierit, duke kryer manovra me mjetin fadrom, ka aksidentuar shtetasin K. H., 45 vjeç, punëtor po në atë kantier. Shtetasi K. H., si pasojë e dëmtimeve të marra, ka ndërruar jetë gjatë transportit për në spitalin e Vlorës.

Në ambientet e Komisariatit të Policisë Himarë është bërë menjëherë shoqërimi i shtetasit E. P., për veprime të mëtejshme hetimore.

Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.

GOLAT/ Real Madrid bën “autokritikë”, Arbeloa e nis me fitore La Liga-n

By: Fax Web
17 January 2026 at 16:25

Real Madrid u rikthye te fitorja, pas një periudhe shumë të vështirë kohët e fundit.

Pak ditë pas eleminimit të turpshëm në Kupën e Mbretit, “Los Blancos” triumfuan 2-0 ndaj Levantes, në duelin e javës së 20-të në La Liga.

Trajneri i ri, Alvaro Arbeloa, shijon kështu suksesin e parë në stolin e madrilenëve.

Pjesa e parë e ndeshjes u mbyll me rrjeta të paprekura, ndërsa e dyta ishte tjetër histori.

Mbappe zhbllokoi takimin në minutën e 58-të me penallti. Vetëm shtatë me vonë, Asencio dyfishoi shifrat, pas asistit të marrë nga Guler.

 

Me këtë sukses, Real Madrid mban vendin e dytë me 48 pikë të grumbulluara, një më pak se Barcelona kryesuese, që ka një ndeshje më shumë për të zhvilluar.

“Disa në mënyrë çnjerëzore dhe të egër”/ Khamenei e pranon: Kemi vrarë mijëra njerëz gjatë protestave

By: Fax Web
17 January 2026 at 16:21

Lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei ka pranuar për herë të parë publikisht se mijëra njerëz u vranë, “disa në një mënyrë çnjerëzore dhe të egër”, gjatë protestave të fundit.

Një përgjigje e dhunshme qeveritare ndaj protestave në Iran ka marrë 3,090 jetë njerëzish, sipas Agjencisë së Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut (HRANA) me seli në SHBA, pas trazirave që filluan për çështje ekonomike më 28 dhjetor.
Ndërprerja e internetit e ka bërë jashtëzakonisht të vështirë marrjen e informacionit të qartë.

 

Në një fjalim të shtunën, Ajatollah Ali Khamenei tha se mijëra njerëz ishin vrarë gjatë trazirave, duke fajësuar për vdekjet “rebelët”.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kohët e fundit u bëri thirrje demonstruesve antiqeveritarë iranianë që të “vazhdojnë të protestojnë” dhe kërcënoi me ndërhyrje ushtarake nëse forcat e sigurisë i vrasin.

Prej asaj kohe protestat janë shndërruar në thirrje për t’i dhënë fund sundimit të udhëheqësit suprem të Iranit.

Qeveria iraniane i ka quajtur demonstratat si “trazira” të mbështetura nga armiqtë e Iranit.

Ai tha gjithashtu se presidenti i SHBA, Donald Trump është përgjegjës për ngjarjet e fundit në Iran.

VIDEO/ Manchesteri vishet i kuq, United fiton derbin ndaj City-t

By: Fax Web
17 January 2026 at 16:14

Manchester United befason këdo me fitoren e derbit përballë Manchester Cityt me Shifrat 2-0 në “Old Traford”.

Në momentin më të vështirë të tyre të mbytur nga presioni dhe kritikat, Carrick dhe “djajt” e tij arrijnë të përmbysin situatën që në debutim, me një fitore kaq të madhe që vlen edhe më tepër për moralin e ekipit.

Pas një pjese të parë 0-0 por me një dominim të United, në të dytën është Mbeumo ai që zhbllokon takimin duke i dhënë moral dhe shpresë skuadrës dhe tifozëve të tij se mund t’ja dilnin.

Rreth 20 minuta më pas Drogu dyfishon shifrat në 2-0 për të vulosur suksesin e Manchester United që fiton një derbi për herë të parë që nga dhjetori i vitit 2024.

Ndërkohë që në fund, Mount thjesht rrotullon thikën mbi plagën e skuadrës së Guardiolës me golin e tretë që ishte qershia mbi torte e këtij suksesi.

Një sukses që në table përkthehet përkohësisht me vendin e katërt pasi ngjiten në kuotën e 35 pikëve aq sa edhe Liverpool i cili ka një ndeshje më pak.

VIDEO/ “9 ditë sot, asnjë shenjë…”/ Familja e 30-vjeçarit në Klos apelon për më shumë ndihmë

By: Fax Web
17 January 2026 at 15:58

Në familjen e 30 vjeçarit Jurgen Karaj, i cili dyshohet se u rrëmbye nga rrjedha e ujit pas aksidentit të shtunës së kaluar në zallin e Darsit në Klos, apelon për më shumë ndihmë.

Në familjen Karaj ka pllakosur dhimbja dhe heshtja, ndërsa presin që djali i tyre të gjendet.

Në terren është kërkuar çdo ditë me dhjetra forca që nga ushtria, FNSH, Shërbimet Zjarrfikëse, polumbarët e RENEA-s, punonjës të institucioneve të ndryshme.

Por për vëllain dhe babain e Jurgenit, Endrin e Shaban Karaj, aq forca janë të pamjaftueshme për ta gjetur pasi rrjedha e lumit Mat është shumë e gjatë.

Mes dhimbjes së madhe, ata bëjnë apel që të gjendet Jurgeni që të paktën të ketë një varr ku t’i vendosin lule.

30 vjeçari Jurgen Karaj ndodhej në automjetin që drejtohej nga 24 vjeçari Andi Losha, kur makina me të cilën udhëtonin përfundoi në ujërat e zallit të Darsit pak pas mesnatës së 10 Janarit.

Losha arriti të dilte i gjallë nga uji, ndërsa Jurgeni dyshohet se u rrëmbye nga rrjedha e fortë e zallit dhe ende nuk dihet fati i tij.

“Paracetamoli shkakton autizëm”/ Studimi hedh poshtë pretendimin

By: Fax Web
17 January 2026 at 15:45

Marrja e paracetamolit gjatë shtatzënisë nuk rrit mundësinë që fëmija të jetë autik ose një aftësi të kufizuar intelektuale. Kështu ka dalë në përfundim një studim i zhvilluar së fundmi.

“Ky rishikim sistematik dhe meta-analizë nuk gjeti prova se përdorimi i paracetamolit nga nëna gjatë shtatzënisë rrit rrezikun e çrregullimit të spektrit të autizmit, ADHD ose aftësisë së kufizuar intelektuale tek fëmijët”, thuhet në studim, i cili është botuar në Lancet Obstetrics, Gynaecology and Women’s Health.

Studimi është ndërmarrë nga një ekip prej shtatë studiuesish nga e gjithë Evropa, të udhëhequr nga Asma Khalil, profesoreshë e obstetrikës dhe mjekësisë fetale të nënës në City St George’s, Universiteti i Londrës.

Studiuesit shqyrtuan dhe krahasuan rezultatet shëndetësore të 262,852 fëmijë nën 18 vjeç që ishin vlerësuar për autizëm, 335,255 të vlerësuar për ADHD dhe 406,681 të vlerësuar për aftësi të kufizuara intelektuale.

Khalil tha se paracetamoli mbetet një opsion i sigurt gjatë shtatzënisë kur merret sipas udhëzimeve.

Gjetjet hedhin poshtë pretendimet e presidentit amerikan, Donald Trump se qetësuesi i dhimbjeve shkakton autizëm.

Deklarata e presidentit amerikan u dënuan nga organizatat mjekësore, të shëndetit të grave dhe shkencore në të gjithë botën.

Vërejtjet e presidentit amerikan shkaktuan ankth tek gratë shtatzëna sepse paracetamoli është ilaçi që autoritetet shëndetësore në mbarë botën rekomandojnë të përdoret për të trajtuar dhimbjet, të tilla si dhimbjet e kokës dhe ethet.

Pa e përmendur Trumpin, studiuesit i hedhin poshtë kategorikisht vërejtjet e tij.

Ata shpresojnë që ky shqyrtim do t’i japë fund çdo skepticizmi mbi përdorimin e paracetamolit gjatë shtatzënisë, pasi shmangia e paracetamolit për dhimbje ose ethe të forta mund t’i ekspozojë si nënën ashtu edhe foshnjën ndaj rreziqeve.

Prestigjozja franceze zbulon pagën e Presidentit të FIFA-s, reagon Platini

By: Fax Web
17 January 2026 at 15:33

Të ardhurat e presidentit të FIFA, Gianni Infantino janë rritur ndjeshëm që nga emërimi i tij në krye të organizmit më të lartë të futbollit botëror në 2016.

Kjo është ajo që thekson e përditshmja franceze ‘Le Monde’ që ka siguruar dokumenta që zbulon gjithçka në lidhje me pagën e Infantinos.

Sipas medias prestigjoze, paga e Gianni Infantinos gjatë kësaj dekade është katërfishuar me zviceranin që në 2024 rezultoi me një pagë prej 5 milionë eurosh, ndërkohë që përpara 10 vitesh paga e tij ishte 1.28 milionë euro

Ndërkaq për kreun aktual të qeverisë së futbollit botëror vijnë edhe sulme të ashpra nga ish presidenti i UEFA, Michel Platini që do të vinte kandidaturën për president të FIFA përpara se të shpërthente skandali ‘FIFAgate’ në 2015.

Legjenda e futbollit francez nuk u kursye aspak teksa tha se Infantinos i pëlqejnë të pasurit dhe personat me pushtet.

“Ishte një numër 2 i mirë, por si numër 1, jo. UEFA bëri një punë të shkëlqyer, por ka një problem; i pëlqejnë përsonat e pasur dhe me pushtet, ata që kanë paranë. është pjesë e natyrës së tij. Kështu ishte edhe kur ishte numri 2, por nuk ishte shefi në atë moment. Për fat të keq, që pas pandemisë, Infantino është bërë autokratik. ka më pak demokraci se në epokën e Blatter. Mund të thoni çfarë të doni për Blatter, por problemi kryesor i tij ishte se donte të qëndronte përjetë te FIFA. Ishte një person i mirë për futbollin”, ka thënë Platini për “The Guardian”

Michel Platini pas shpërthimit të ‘FIFAgate’ u dënua nga Komisioni i Etikës së FIFA me 8 vjet pezullim nga aktivitetet, një dënim që u ul në 6 vjet në një moment të parë dhe më pas në 4 vjet nga CAS.

“Isha i destinuar të isha president i FIFA-tha Platini-gjithçka ndodhi sepse nuk e deshën këtë. Pezullimi ishte një padrejtësi e rëndë dhe në fund rezultoi një dënim politik, një grup personash vendosën të më largonin”.

I mori “Nintendo Switch”, 11-vjeçari vret me armë të atin

By: Fax Web
17 January 2026 at 15:19

Një djalë 11-vjeçar nga Pensilvania dyshohet se e ka qëlluar për vdekje të atin, pasi i kishin marrë më parë sistemin e lojërave Nintendo Switch.

I mituri përballet me akuza për vrasje me armë më 13 janar në shtëpinë e tij në Duncannon Borough.

Siç thonë dokumentet gjyqësore të siguruara dhe të raportuara nga WGAL News 8, rasti ilustron se sa lehtë fëmijët mund të kenë akses në armë në SHBA.

Policia mbërriti në banesën e familjes rreth orës 3:20 të mëngjesit, ku oficerët gjetën 42-vjeçarin e quajtur Douglas Dietz, të vdekur në shtrat nga një plagë me armë zjarri në kokë.

Për kë banor është? Zarf i zi në shtëpinë e “Big Brother”

By: Fax Web
17 January 2026 at 15:09

Një Zarf i Zi ka mbërritur sot në shtëpinë e Big Brother VIP.

Ndërkohë, banorët janë njoftuar se përmbajtja e këtij zarfi do të lexohet në spektaklin e sotëm.

Nuk dihet se për cilin banorë ose banore është ky zarf dhe se cili rregull i shtëpisë është thyer. Por ajo që dimë është se gjatë kësaj jave ka patur debate të forta mes disa banorëve, të cilat në disa raste i kanë tejkaluar kufijtë e komunikimit.

Kujtojmë se gjatë kësaj jave, Ilir Vrenozi la shtëpinë për arsye shëndetësore.

“Prime” i Big Brother VIP nis sot në ora 21:00.

❌
❌