Hetimet për manipulim të rezultateve të votimit në Qendrën Komunale të Numërimit në Dragash kanë hyrë në një fazë intensive. Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), përkatësisht Njësia Rajonale në Prizren, në koordinim dhe me autorizim të Prokurorisë Themelore në Prizren, ka ndërmarrë veprime të gjera hetimore lidhur me dyshimet për falsifikim të rezultateve gjatë procesit të numërimit të votave.
Burime të besueshme bëjnë të ditur se në kuadër të këtij operacioni janë ftuar dhe intervistuar gjithsej 51 persona të dyshuar, prej të cilëve 12 në cilësinë e kryesuesve të komisioneve të numërimit, ndërsa 39 në cilësinë e komisionerëve.
Të njëjtit dyshohen për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i rezultateve të votimit”, e paraparë me nenin 216 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Si pjesë e veprimeve hetimore, në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar 51 telefona celular, të cilët pritet t’i nënshtrohen ekzaminimit forenzik për të verifikuar komunikimet dhe veprimet e mundshme të ndërlidhura me procesin e numërimit.
Pas intervistimit të të dyshuarve në prani të mbrojtësve, me vendim të Prokurorit kompetent, nëntë (9) persona – kryesisht kryesues të komisioneve të numërimit – janë ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet po vazhdojnë edhe ndaj personave të tjerë të përfshirë në këtë proces.
Sipas informatave që ka siguruar Gazeta Sinjali, në mesin e personave të dyshuar figurojnë emra të shumtë, përfshirë: Gazmend Mehmeti, Anes Toro, Ridvan Shabani, Milot Qusaj, Florent Rrahmani, Nazim Dauti, Benjamin Berisha, Ajna Qengaj, Astrit Krasniqi, Asri Qusaj, Fisnik Guri, Rami Qollopeku, Gentian Ahmeti, Driton Nazifi, Sejat Baxhaku, Arben Qengaj, Endi Asllani, Ramadan Redzepi, Belmin Brenoli, Isa Hasani, Arafat Qafleshi, Fatian Hulaj, Rami Kasemi, Mentor Selimi, Andë Sele, Dibran Aliu, Agon Rexhepi, Sabahudin Halili, Pajtim Krasniqi, Taulant Qusaj, Fadil Bahtijari, Miran Ramadani, Visar Neshati, Bleron Kryeziu, Ismail Asllani, Ahmet Ahmeti, Zenie Sylejmani, Alban Halimi, Rufat Sadiki, Ndriçim Hulaj, Jetmir Zejnullahu, Edmond Krasniqi, Shefqet Piraj, Asllan Krasniqi, Fatlind Vehapi, Sadam Sallahu, Dritan Muharremi, Gëzim Sadiku, Emral Ramadani, Ahmet Shabani, si dhe persona të tjerë që janë pjesë e listës së hetimit.
Hetimet po zhvillohen nga Njësia Rajonale e DHKEK në Prizren, e asistuar nga njësitë tjera relevante të Policisë së Kosovës, ndërsa pritet që në ditët në vijim të ketë edhe veprime të tjera procedurale, në varësi të provave që do të rezultojnë nga analizimi i materialit të sekuestruar.
Gazeta Sinjali do t’ju mbajë të informuar me detaje të reja lidhur me këtë rast të ndjeshëm, i cili ka vënë në fokus seriozitetin e procesit zgjedhor dhe përgjegjësinë penale të personave të përfshirë në numërimin e votave.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
/GazetaSinjali/
The post Ekskluzive | Falsifikim i rezultateve të votimit në Dragash – këta janë personat e intervistuar, nëntë u ndaluan për 48 orë appeared first on Sinjali.