Dy shtetas babë e bir u arrestuan në flagrancë, pasi plagosën rëndë me sende të forta një 34-vjeçar.
Ngjarja ndodhi për motive të dobëta dhe në pranga u vunë shtetasit R. D., 51 vjeç dhe R. D., 27 vjeç.
Gjithashtu, u arrestua edhe 34-vjeçari, pasi dyshohet se ka kanosur me thikë, njërin nga të arrestuarit.
Njoftimi:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Gramsh, menjëherë pas marrjes së njoftimit për një konflikt në vendin e quajtur “Departamenti i Bujqësisë”, kanë ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta policore, u kapën dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit (babë e bir):
-R. D., 51 vjeç, banues në Gramsh, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”;
-R. D., 27 vjeç, banues në Gramsh, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu, u arrestua në flagrancë shtetasi K. T., 34 vjeç, banues në Gramsh, për veprat penale “Kanosja” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Nga veprimet hetimore dyshohet se mbrëmjen e datës 04.01.2026, shtetasi R. D. dhe djali i tij kanë goditur me grushte dhe me sende të forta, për motive të dobëta, shtetasin K. T., 34 vjeç, i cili është në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Në vendin e ngjarjes është gjetur një mjet prerës (thikë), që dyshohet se e posedonte shtetasi K. T. dhe se ai e ka përdorur për të kanosur 27-vjeçarin.
Gjatë kontrollit fizik, shtetasit R. D. iu gjet një send multifunksional, i cili u sekuestrua dhe do t’i nënshtrohet ekspertimit teknik.
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme./Kb
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka dhënë një njoftim shumë të rëndësishëm për të gjithë pasagjerët.
Sipas TIA-s, si pasojë e kushteve të pafavorshme të motit, mund të preken oraret e disa fluturimeve.
Operacionet në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës vazhdojnë normalisht dhe stafi është në koordinim të vazhdueshëm për të garantuar mbarëvajtjen e shërbimeve, duke vendosur sigurinë e pasagjerëve si prioritet absolut në çdo vendimmarrje operative.
TIA këshillon pasagjerët që të kontrollojnë statusin e fluturimet të tyre dhe të jenë në komunikim me linjën ajrore për çdo përditësim.
“Si pasojë e kushteve të pafavorshme atmosferike, disa fluturime mund të jenë të prekura në oraret e tyre.
Operacionet në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës vazhdojnë normalisht dhe stafi është në koordinim të vazhdueshëm për të garantuar mbarëvajtjen e shërbimeve, duke vendosur sigurinë e pasagjerëve si prioritet absolut në çdo vendimmarrje operative.
Ju lutem kontrolloni statusin e fluturimit tuaj dhe të jeni në komunikim me linjën ajrore për çdo përditësim.
Faleminderit për mirëkuptimin”, thuhet në njoftim./Kb
Durrësi është një nga qarqet më problematike sa i përket situatës me reshjes dhe përmbytjeve.
Rrugë dhe lagje të tëra janë nën pushtetin e ujit, ndërkohë që duket se përmbytjet nuk i ka shpëtuar as burgu.
Prefekti Emiljan Jani në një reagim për News24 ka deklaruar se janë përmbytur 8 qeli, ndërkohë që po dërgohen pompa për të larguar ujin.
Ndërkohë 2 zjarrfikëse po mbërrijnë nga Tirana për të ndihmuar në vënien e situatës nën kontroll.
“Situata është shumë e rëndë. Tetë familje janë evakuuar dhe janë strehuar në Kavalishencë. Ndërkohë janë përmbytur 8 qeli dhe po dërgohen pompat për largimine ujit pasi është përmbytur burgu”, shprehet ai.
Mësohet se niveli i ujit ka arritur në 10-15 centimetra në katin e parë, ndërsa të gjithë të dënuarit janë zhvendosur në katin e dytë./kb
Pothuaj çereku i atyre që votuan brenda vendit më 11 maj 2025, janë aktualisht të zhgënjyer nga të gjitha partitë ekzistuese. Kështu rezultoi nga sondazhi i fundit ‘Zëri i Shqiptarëve’, ku të anketuarit u pyetën se cilën parti preferonin më shumë (plot 24% e atyre që kishin votuar më 11 maj 2025 u përgjigjën se do të preferonin një parti të re, në qoftë se krijohet në të ardhmen).
Duke ditur se në zgjedhje morën pjesë 1.463 milionë banorë të rritur të Shqipërisë, mund të ekstraplohet me përafërsi se numri i votuesve të zhgënjyer me partitë për të cilat votuan ka arritur rreth shifrës 351 mijë. Nga ana tjetër, 437 mijë banorë të rritur të vendit ishin të zhgënjyer paraprakisht me partitë ekzistuese – ata nuk votuan fare më 11 maj 2025 (1.9 milionë banorë të rritur gjithsej minus 1.463 milionë pjesëmarrës).
Pra në total, kemi pothuaj 780 mijë banorë të rritur të zhgënjyer nga të gjitha partitë ekzistuese. Po nga cila parti janë zhgënjyer më shumë pjesmarrësit e zgjedhjeve të fundit parlamentare?
Plot 3/5 e votuesve të partive të vogla janë zhgënjyer nga to (do të donin të krijohet një parti tjetër e re). Pothuaj çereku i votuesve të PD-ASHM janë zhgënjyer nga PD-ja (partia dominuese e koalicionit). Ndërsa pothuaj 1/6 e votuesve të PS-së janë zhgënjyer nga mënyra sesi po qeveris partia për të cilën votuan më 11 maj…/kb
Moderatorja shqiptare Hygerta Sako ka bërë një rrëfim tronditës për një nga periudhat më të errëta të jetës së saj, duke ndarë me publikun dhimbjen, humbjet dhe sfidat që e kanë shoqëruar ndër vite.
Ajo tregoi se në mars të vitit 2020 humbi babain, vetëm tri ditë pasi ai kishte pësuar një sulm në tru, në një periudhë kur pandemia e COVID-19 sapo kishte paralizuar botën.
“Është një pamje që nuk do të më largohet kurrë nga mendja. Edhe sot, pas gjashtë vitesh, më rikthehet shpesh dhe më dhemb njësoj”, u shpreh ajo, duke theksuar se dhimbja u rëndua edhe më shumë nga rrethanat e asaj kohe.
Hygerta rrëfeu se për shkak të masave kufizuese, babanë e përcolli për në banesën e fundit me vetëm 39 persona.
“M’u duk sikur e humba për herë të dytë. Më 12 mars u vendos karantina dhe mbeta e izoluar në shtëpi vetëm me mamin dhe vajzën”, tha ajo.
Por përtej humbjes së babait, moderatorja foli hapur edhe për martesën e saj, të cilën e përshkroi pa hezitim si “një ferr”, duke treguar se ajo periudhë i ka lënë plagë të thella emocionale.
Rrëfimi më tronditës erdhi kur ajo foli për vajzën e saj, e cila po përjetonte bullizim të vazhdueshëm në shkollë.
“E gjeta në një gjendje shumë të rëndë… po priste dorën”, tha Hygerta, duke përshkruar një moment që e ka shkatërruar si nënë.
Në fund të këtij rrëfimi emocional, Hygerta u surprizua nga vajza e saj gjatë qëndrimit në Big Brother VIP Kosova 4, duke krijuar një nga momentet më prekëse për publikun./kb
6 janari shënon Ditën e Ujit të Bekuar për të gjithë besimtarët ortodoksë.
Në të kremten e Pagëzimit të Zotit tonë Jisu Krisht, Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Joan drejtoi sot Liturgjinë Hyjnore në Kishën “Apostull Pavli dhe Shën Asti” në Durrës.
Por për shkak të kushteve të papërshtatshme atmosferike dhe si pasojë e përmbytjeve në Durrës është anuluar hedhja e kryqit.
Përmbytjet nga reshjet e dendura të shiut, bllokimi i qarkullimit në disa akse e kanë bërë të pamundur zhvillimin e ceremonisë së hedhjes së kryqit në Ditën e Ujit të Bekuar.
Po ashtu ceremonia e hedhjes së kryqit është anuluar dhe në Gjirokastër, si pasojë e motit të keq./Kb
Modelja Oriola Marashi përtej imazhit perfekt që ndan me ndjekësit në rrjetet sociale ka vendosur të përcjellë një mesazh shumë të fortë për të gjithë të rinjtë që vuajnë nga aknet.
Modelja ka ndarë një foto pa make up dhe pa filtra duke treguar se po vuan nga problemet e lëkurës.
Modelja thekson se aknet nuk janë turp dhe se njerëzit duhet të tregojnë më shumë empati ndaj njerëzve që vuajnë nga problemet e lëkurës.
“Edhe kjo është bukuri reale. Aknet nuk janë turp. Kjo ka qenë lëkura më e keqe e jetës sime, por nuk më ka hequr vlerën. Ju lutem tregoni më shumë empati”, shkruan Marashi./ kb
Reshjet e dendura të shiut që kanë rënë gjatë orëve të natës dhe orëve të para të mëngjesit të kësaj të marte kanë shkaktuar probleme të shumta në Durrës dhe Lezhë.
Për shkak të pranisë së ujit në ambientet përreth, është pezulluar përkohësisht zhvillimi i mësimit në shkollën 9-vjeçare “Kosova” në Lezhë.
Po ashtu, si pasojë e situatës së krijuar nga reshjet, mësimi në disa shkolla në Durrës dhe Universitetin “Aleksandër Moisiu” është pezulluar.
Moti i keq i ditës së sotme ka përfshirë zona të shumta në këto dy qytete, duke krijuar vështirësi në qarkullim për banorët./Kb
Gazeta prestigjioze Wall Street Journal ka zbuluar detaje të reja mbi ndërhyrjen e SHBA-ve në Venezuelë. Sipas burimeve, ka qenë pikërisht CIA ajo që i sugjeroi Presidentit Donald Trump të lejonte Delcy Rodriguez, zëvendëspresidenten, të merrte drejtimin e vendit pas kapjes së Nicolas Maduros.
Në një dokument konfidencial, CIA vlerësoi se për të ruajtur stabilitetin e menjëhershëm në Venezuelë, ishte e nevojshme që pushteti të mbetej në duart e njerëzve që ishin pjesë e sistemit aktual.
Arsyet kryesore të këtij sugjerimi ishin mbështetja e ushtrisë, rreziku i kaosit dhe rezistenca e armatosur.
Rodriguez dhe besnikët e tjerë të regjimit kanë kontroll mbi ushtrinë dhe elitat e vendit. Për këtë arsye, CIA paralajmëroi se udhëheqësit e opozitës, si Maria Machado dhe Edmundo Gonzalez, do ta kishin shumë të vështirë të kontrollonin vendin.
Sipas raportit, opozita do të përballej me rezistencë të fortë nga forcat e sigurisë dhe organizatat kriminale që mbështesin regjimin e vjetër.
Me pak fjalë, inteligjenca amerikane besonte se një kalim i menjëhershëm i pushtetit te opozita do të shkaktonte një luftë civile ose kaos të pakontrollueshëm, ndaj zgjodhi një “rrugë të mesme” me figura të njohura të regjimit./kb
Për shkak të rreshjeve të dendura të shiut të mëngjesit të së martës, Policia e Shtetit njoftoi se është përmbytur një pjesë e aksit të rrugës interurbane Tiranë-Durrës, konkretisht në zonën pranë karburantit në hyrje të Durrësit.
Për shkak të pranisë së lartë të ujhit, në të dy anët e rrugës, është e pamundur të qarkullohet me makinë në këtë segment, shkruan A2 CNN.
Policia thotë se për të shmangur trafikun dhe aksidentet, Policia Rrugore njofton se do të devijohet lëvizja si më poshtë:
-Automjetet që vijnë nga jugu në drejtim të Tiranës, të qarkullojnë nga Rruga e Plepave për në Ndroq dhe nga rruga “Rrogozhinë–Elbasan–Tiranë”.
-Për në Durrës, kalimi do të bëhet nga rruga e universitetit, në drejtim të Spitallës dhe në rrugën “Tiranë–Elbasan–Rrogozhinë”.
“Policia apelon për drejtuesit e mjeteve që të shmangin lëvizjet e panevojshme, të tregojnë kujdes maksimal gjatë lëvizjes, të ndjekin udhëzimet e punonjësve të Policisë dhe të zbatojnë sinjalistikën rrugore. Shërbimet e Policisë Rrugore dhe Patrullat e Përgjithshme po marrin masa për lehtësimin e qarkullimit të mjeteve dhe për të ndihmuar drejtuesit e mjeteve”, tha policia./kb
Zyrtarë nga më shumë se 30 vende perëndimore të të ashtuquajturit “Koalicioni i të Gatshmëve”, që mbështesin Kievin në luftën e tij me Rusinë, do të takohen me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, ndërsa vazhdojnë të përsosin një propozim paqeje që synon t’i japë fund konfliktit më të madh dhe më vdekjeprurës në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Në takimin e 6 janarit do të ketë gjithashtu një prani amerikane, me kryenegociatorët e presidentit Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, të pranishëm në kryeqytetin francez, megjithëse sekretari i Shtetit, Marco Rubio, nuk ka gjasa të vijë, pavarësisht shpresave në disa kryeqytete evropiane se ai do të merrte pjesë gjithashtu.
Zyrtarë evropianë i thanë Radios Evropa e Lirë se ka “një ndjenjë të ripërtërirë urgjence” pas një takimi gjatë fundjavës të këshilltarëve për sigurinë kombëtare dhe një mbledhjeje të planifikuesve ushtarakë më 5 janar.
Ata shpresojnë se takimi në Paris do të sigurojë që Shtetet e Bashkuara, Ukraina dhe vendet e tjera evropiane “të jenë në të njëjtën linjë”.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se shpreson të paraqesë “angazhime konkrete” për sigurinë e Ukrainës pas bisedimeve. Ideja është që të ketë qartësi mbi përbërjen dhe dislokimin e një force paqeruajtëse në rast të një armëpushimi.
Disa zyrtarë thonë se shifra që qarkullon në disa kryeqytete evropiane është që forca të përbëhet nga 15 mijë deri në 20 mijë trupa, megjithëse disa shpresojnë që niveli të jetë më afër 30 mijë, duke vepruar nën moton “det, qiell dhe tokë të sigurta”.
Nuk janë zbuluar plane ushtarake, por pjesa më e madhe e trupave do të vinte nga Franca dhe Mbretëria e Bashkuar, të cilat do të udhëhiqnin komponentët tokësorë dhe ajrorë, ndërsa Turqia ka treguar se do të ishte përgjegjëse për sigurimin e korridoreve të transportit në Detin e Zi.
Megjithatë, ende nuk ka qartësi se sa afër vijës së kontaktit do të vendosej një forcë e mundshme e Koalicionit të të Gatshmëve. Shumica e zyrtarëve evropianë me të cilët ka qenë në kontakt REL-i besojnë se dislokimi i mundshëm do të bëhej në Ukrainën Perëndimore për të mbështetur dhe trajnuar trupat ukrainase.
Pyetje të pazgjidhura
Ndërsa kornizat e një pranie perëndimore në Ukrainë po marrin formë, ka ende disa pikëpyetje për t’u sqaruar, përfshirë rregullat e angazhimit dhe garancitë e sigurisë nga SHBA.
Një diplomat evropian pranoi se një çështje që ende nuk është zgjidhur është se si duhet reaguar ndaj një sulmi të mundshëm rus. “Në thelb ende po diskutojmë nëse do të kundërpërgjigjemi me zjarr apo do të largohemi”, tha ai.
Sa i përket garancive të sigurisë nga SHBA-ja, si Brukseli ashtu edhe Kievi po bëhen gjithnjë e më optimistë se Uashingtoni do të ofrojë “një mbështetje të fortë”, edhe pse ende nuk është e qartë saktësisht se çfarë forme do të marrë kjo.
Zyrtarë evropianë i thanë REL-it, në kushte anonimiteti, se mund të ketë trupa amerikane në terren në një rol jo-luftarak për të vëzhguar armëpushimin.
Por koalicioni gjithashtu shpreson që Uashingtoni të vazhdojë të ofrojë “mbështetje nga prapavija”, siç janë logjistika dhe inteligjenca.
Në nëntor 2025, Trump e shtyu Zelenskyn të pranonte një propozim paqeje me 28 pika, të cilin shumë e panë si dukshëm në favor të Rusisë.
Ukraina dhe aleatët e saj evropianë të udhëhequr nga Britania, Franca dhe Gjermania, u përpoqën me nguti të zhvillonin një kundërpropozim, duke paraqitur përfundimisht një plan me 20 pika që përfshinte më shumë interesat e Kievit, veçanërisht në lidhje me garancitë e sigurisë dhe integritetin territorial.
Në takimet e tij me evropianët, Zelensky ka të ngjarë të theksojë nevojën për garanci sigurie, nga Evropa, por edhe në bashkëpunim me sigurime të forta të dëshiruara nga Shtetet e Bashkuara.
Çështje të ndërlikuara
Kryenegociatori i Ukrainës, Ruslan Umerov, deklaroi së fundmi se “shumica e pozicioneve 90 për qind e planit të paqes, tashmë janë rënë dakord, dhe puna vazhdon mbi detajet”.
Këto detaje, që pritet të diskutohen në Paris, përfshijnë çështjen e ndërlikuar të lëshimeve territoriale, me Ukrainën që kërkon që vija e kontaktit të ngrihet ose që i gjithë rajoni i Donbasit të bëhet një zonë e çmilitarizuar.
Një çështje tjetër është pronësia e centralit bërthamor të Zaporizhias, me Kievin që hedh poshtë idenë e menaxhimit të përbashkët nga Ukraina dhe Rusia, duke preferuar që Shtetet e Bashkuara të ndërhyjnë për të shitur energjinë e tij në Moskë.
Megjithatë, pak njerëz në Bruksel mendojnë se Rusia do të pranonte ndonjë nga këto çështje, me vlerësimin se Kremlini ende mendon se po fiton në fushëbetejë.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë disa herë javët e fundit se Moska do t’i arrijë qëllimet e asaj që e quan “operacion i posaçëm ushtarak”, qoftë përmes marrëveshjes apo forcës.
Me këtë në mendje, BE-ja po përgatit veçmas një rund të ri sanksionesh, të 20-in që nga pushtimi i plotë gati katër vjet më parë, i cili pritet t’u paraqitet shteteve anëtare për miratim më vonë gjatë janarit./REL/kb
Një sulm nga Shtetet e Bashkuara ndaj një aleati të NATO-s do të nënkuptonte fundin si të aleancës ushtarake, si edhe të “sigurisë pas Luftës së Dytë Botërore”, ka paralajmëruar kryeministrja e Danimarkës, pasi Donald Trump kërcënoi sërish se do të merrte nën kontroll Groenlandën.
Pas operacionit ushtarak në Venezuelë, presidenti amerikan tha të dielën se SHBA-të kishin shumë nevojë për Groenlandën, duke ringjallur frikën për një pushtim amerikan të ishullit kryesisht autonom, i cili është një ish-koloni daneze dhe mbetet pjesë e mbretërisë së Danimarkës. Politika e jashtme dhe e sigurisë e Groenlandës vazhdon të kontrollohet nga Kopenhaga.
Mette Frederiksen, kryeministrja e Danimarkës, paralajmëroi të hënën se çdo sulm amerikan ndaj një aleati të NATO-s do të ishte fundi i “gjithçkaje”.
“Nëse Shtetet e Bashkuara vendosin të sulmojnë ushtarakisht një vend tjetër të NATO-s, atëherë gjithçka do të ndalet – përfshirë NATO-n dhe, rrjedhimisht, sigurinë pas Luftës së Dytë Botërore,” tha Frederiksen për rrjetin televiziv danez TV2.
Pozicioni strategjik i Groenlandës mes Europës dhe Amerikës së Veriut e bën atë një pikë kyçe për sistemin amerikan të mbrojtjes nga raketat balistike. Burimet e saj të rëndësishme minerare përputhen gjithashtu me ambicien e Uashingtonit për të reduktuar varësinë nga eksportet kineze.
Komentet e Frederiksen erdhën pasi kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, bëri një deklaratë jashtëzakonisht të drejtpërdrejtë, në të cilën i kërkoi Trumpit të hiqte dorë nga “fantazitë për aneksim” dhe akuzoi SHBA-të për retorikë “krejtësisht dhe plotësisht të papranueshme”, duke deklaruar: “Boll më”.
“Kërcënimet, presioni dhe fjalët për aneksim nuk kanë vend mes miqsh,” tha Nielsen në një postim në rrjetet sociale. “Kështu nuk i flitet një populli që ka treguar përgjegjësi, stabilitet dhe besnikëri herë pas here. Mjaft është mjaft. Asnjë presion më. Asnjë nënkuptim më. Asnjë fantazi më për aneksim.”
Duke folur më vonë në një konferencë për shtyp në kryeqytetin Nuuk, Nielsen u përpoq të qetësonte frikën për një marrje të menjëhershme të kontrollit nga SHBA-të.
“Nuk jemi në një situatë ku mendojmë se një marrje nën kontroll e vendit mund të ndodhë brenda natës,” tha Nielsen, duke folur përmes një përkthyesi. “Nuk mund ta krahasoni Groenlandën me Venezuelën. Ne jemi një vend demokratik”./kb
Përqendrimi vetëm te pesha mund të errësojë ndryshimet e tjera që përmirësojnë shëndetin në mënyra më të besueshme dhe të qëndrueshme. Disa prej tyre mund të çojnë në humbje peshe, disa jo, por përfitimet janë të qarta pavarësisht nëse pesha ndryshon apo jo.
Ja pesë mënyra të mbështetura shkencërisht që mund të ofrojnë shëndet më të mirë:
1. Hani më shumë ushqime me bazë bimore
Përfshirja e më shumë ushqimeve me bazë bimore në dietën tuaj nuk do të thotë që duhet të bëheni vegjetarian. Nëse hani mish dhe doni të vazhdoni, kjo është në rregull. Mund të rrisni thjesht sasinë dhe shumëllojshmërinë e ushqimeve me bazë bimore në pjatën tuaj. Ka studime të shumta që tregojnë se një dietë e pasur me ushqime me bazë bimore shoqërohet me një rrezik të reduktuar të sëmundjeve të mëdha.
2. Ushtrime
Ushtrimet fizike janë një nga gjërat më efektive që mund të bëni për shëndetin tuaj. Edhe pse shpesh shoqërohen me humbjen e peshës, vlera e tyre e vërtetë nuk qëndron në humbjen e peshës, por në ruajtjen e një peshe të shëndetshme dhe në mbështetjen e shëndetit të përgjithshëm .
Një studim në Journal of Sport and Health Science tregon se ushtrimet fizike vetëm përmirësojnë tregues të rëndësishëm të shëndetit.
3. Menaxhimi i stresit
Stresi nuk është diçka që zakonisht e zgjedhim, por ka një efekt të gjerë në trupin tonë. Mund të dobësojë sistemin imunitar, të rrisë tensionin e gjakut dhe kolesterolin, si dhe të prishë gjumin. Gjithashtu ndryshon zakonet e të ngrënit. Sipas një studimi në revistën shkencore ‘Trends in Endocrinology & Metabolism’, rreth 40% e njerëzve hanë më shumë kur janë të stresuar, 40% hanë më pak dhe vetëm 20% nuk ??i ndryshojnë zakonet e tyre.
4. Gjumi
Gjumi ka një ndikim të rëndësishëm në shëndet. Mungesa e gjumit lidhet me tensionin e lartë të gjakut, sëmundjet e zemrës, demencën dhe depresionin. Mungesa e gjumit rrit oreksin, marrjen e ushqimit dhe preferencën për ushqime me shumë energji, siç janë ëmbëlsirat dhe ushqimi i shpejtë, sepse hormonet që rregullojnë urinë dhe dëshirat për ushqim çrregullohen. Krijimi i planeve realiste për një gjumë më të mirë mund të jetë një vendim që ia vlen për Vitin e Ri.
5. Alkooli
Alkooli është i lidhur me rreziqe afatgjata, duke përfshirë kancerin, sëmundjet e zemrës dhe sëmundjet e mëlçisë. Ai gjithashtu mund të shkaktojë çrregullime të gjumit, duke zvogëluar gjumin e thellë dhe restaurues. Ai gjithashtu ndikon në oreksin dhe zgjedhjet e ushqimit, duke i bërë ushqimet me kalori të larta më tërheqëse./Kb
Perceptimi i shqiptarëve për situatën financiare rezulton dukshëm më negativ krahasuar me një vit më parë, duke sinjalizuar një rritje të fortë të pakënaqësisë, sipas të dhënave nga Barometri i Ballkanit.
Sipas të dhënave, 53% e të anketuarve në Shqipëri vlerësojnë se gjendja financiare pritet ë “më keq” ose “shumë më keq” në 12 muajt në vijim, një nivel që e bën pesimizmin dominues. 46% shprehen se situata është përmirësuar, ndërsa një pjesë minimale mendon se ka mbetur e pandryshuar.
Një vit më parë, në 2024 pakënaqësia ishte e kufizuar në 14%, ndërsa gati gjysma e shqiptarëve mendonin se situata financiare do të mbetej e njëjtë dhe 38% prisnin përmirësim.
Vihet re një kalim nga një klimë neutrale pritshmërie, në një gjykim masiv negativ brenda vetëm një viti, çka tregon se një pjesë e madhe e familjeve kanë përjetuar përkeqësim real të kushteve ekonomike, ose të paktën një zhgënjim të fortë nga pritshmëritë e mëparshme.
Ky ndryshim reflekton presionet e vazhdueshme mbi buxhetet familjare, veçanërisht rritjen e kostos së jetesës dhe pasigurinë ekonomike, të cilat duket se kanë gërryer besimin e qytetarëve.
Edhe pse inflacioni zyrtar është zbutur krahasuar me kulmin e viteve të mëparshme, çmimet e ushqimeve, energjisë dhe shërbimeve bazë kanë mbetur të larta, duke ulur fuqinë blerëse të pagave dhe pensioneve. Për shumë familje, normalizimi i inflacionit nuk është përkthyer në lehtësim real të shpenzimeve mujore.
Një arsye tjetër lidhet me mospërputhjen mes rritjes ekonomike dhe të ardhurave reale. Rritja e PBB-së dhe e pagës mesatare nuk është ndjerë njësoj në të gjitha shtresat, veçanërisht te punonjësit me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Pakënaqësia ushqehet edhe nga pasiguria në tregun e punës, sidomos për të rinjtë dhe punësimin cilësor. Edhe pse punësimi në terma sasiorë është rritur, shumë vende pune mbeten me paga të ulëta ose pa stabilitet afatgjatë, duke forcuar perceptimin e pasigurisë financiare dhe mungesës së perspektivës.
Rritja e emigrimit dhe krahasimi i vazhdueshëm me të ardhurat dhe standardin e jetesës në vendet e BE-së e thellojnë ndjesinë e pakënaqësisë, edhe kur treguesit makroekonomikë paraqiten relativisht të qëndrueshëm.
Ndryshe nga 2024, kur dominonte ideja e stabilitetit, 2025 shënoi një kthesë drejt pakënaqësisë, duke e vendosur Shqipërinë ndër vendet e rajonit me rritjen më të fortë të perceptimit negativ për ekonominë për muajt në vijim./ Monitor/kb
Mandati i dytë i presidentit amerikan Donald Trump po formësohet nga ambiciet e tij në politikën e jashtme. Ai u ka shkuar deri në fund kërcënimeve ndaj Venezuelës duke kapur presidentin e saj dhe bashkëshorten nga kompleksi i fortifikuar në Karakas, në një bastisje dramatike gjatë natës.
Duke përshkruar operacionin, Trump riktheu në vëmendje Doktrinën Monroe të vitit 1823 dhe premtimin për supremacinë amerikane në hemisferën perëndimore, duke e riemërtuar si “Doktrina Donroe”.
Këtu janë disa nga paralajmërimet që ai ka bërë kundër vendeve të tjera në orbitën e Uashingtonit ditët e fundit:
Groenlanda
SHBA-të kanë tashmë një bazë ushtarake në Groenlandë (Pituffik Space Base) por Trump dëshiron të gjithë ishullin.
“Na duhet Groenlanda nga këndvështrimi i sigurisë kombëtare,” tha ai për gazetarët, duke shtuar se rajoni ishte “i mbuluar me anije ruse dhe kineze gjithandej.”
Ishulli i madh arktik, pjesë e Mbretërisë së Danimarkës, ndodhet rreth 3 mijë e 200 km në verilindje të SHBA-ve. Ai është i pasur me minerale të rralla, të domosdoshme për prodhimin e telefonave inteligjentë, automjeteve elektrike dhe pajisjeve ushtarake. Aktualisht, prodhimi i Kinës në këtë fushë tejkalon ndjeshëm atë të SHBA-ve.
Groenlanda ka gjithashtu një pozicion strategjik në Atlantikun e Veriut, duke ofruar akses në rrethin arktik që po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm. Me shkrirjen e akullnajave polare, pritet të hapen rrugë të reja detare.
Kryeministri i Groenlandës, Jens Frederik Nielsen, e quajti idenë e kontrollit amerikan mbi ishull si një “fantazi”. Ai tha: “Jo më presion. Jo më insinuata. Jo më fantazi aneksimi. Jemi të hapur për dialog, por kjo duhet të ndodhë përmes kanaleve të duhura dhe me respekt për të drejtën ndërkombëtare.”
Kolumbia
Vetëm disa orë pas operacionit në Venezuelë, Trump paralajmëroi presidentin kolumbian Gustavo Petro të “ketë kujdes”.
Kolumbia, fqinji perëndimor i Venezuelës, ka rezerva të mëdha nafte dhe është prodhues i rëndësishëm i arit, argjendit, smeraldeve, platinit dhe qymyrit. Ajo është gjithashtu një qendër kryesore e trafikut të drogës në rajon, veçanërisht të kokainës.
Që nga shtatori, SHBA-të kanë filluar të godasin anije në Karaibe dhe Paqësorin lindor, duke thënë, pa prova, se transportonin drogë. Kjo ka përshkallëzuar konfliktin me presidentin e majtë Petro.
Në tetor, SHBA-të vendosën sanksione ndaj tij, duke e akuzuar se po lejonte kartelet të “lulëzonin”.
Duke folur në bordin e avionit presidencial “Air Force One”, Trump tha se Kolumbia po drejtohej nga “një njeri i sëmurë që pëlqen të prodhojë kokainë dhe ta shesë në SHBA”. Ai shtoi: “Nuk do ta bëjë për shumë gjatë.” I pyetur nëse SHBA-të do të kryenin një operacion kundër Kolumbisë, ai u përgjigj: “Më duket ide e mirë.”
Historikisht, Kolumbia ka qenë aleat i ngushtë i Uashingtonit në luftën kundër drogës, duke marrë qindra miliona dollarë ndihmë ushtarake çdo vit.
Irani
Irani po përballet aktualisht me protesta masive kundër qeverisë, dhe Trump paralajmëroi se autoritetet do të “goditen shumë rëndë” nëse vriten më shumë protestues.
“Po e ndjekim nga afër. Nëse fillojnë të vrasin njerëz siç kanë bërë në të kaluarën, mendoj se do të goditen shumë rëndë nga SHBA,” tha ai për gazetarët.
Edhe pse Irani bie jashtë fushës së “Doktrinës Donroe”, Trump ka kërcënuar më parë regjimin iranian me veprime të tjera, pas goditjes së objekteve bërthamore vitin e kaluar.
Këto sulme pasuan një operacion të madh izraelit për të shkatërruar kapacitetin e Iranit për zhvillimin e armëve bërthamore, që kulmoi me konfliktin 12‑ditor Izrael‑Iran.
Në një takim në resortin e tij Mar‑a‑Lago javën e kaluar me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, Irani ishte në krye të agjendës. Mediat amerikane raportuan se Netanyahu ngriti mundësinë e sulmeve të reja kundër Iranit në vitin 2026.
Meksika
Ngjitja e Trump-it në pushtet në vitin 2016 u përcaktua nga thirrjet e tij për “Ndërtimin e Murit” përgjatë kufirit jugor me Meksikën.
Në ditën e parë të rikthimit në detyrë në vitin 2025, ai nënshkroi një urdhër ekzekutiv për ta riemërtuar Gjirin e Meksikës si “Gjiri i Amerikës”.
Ai shpesh ka akuzuar autoritetet meksikane se nuk bëjnë mjaftueshëm për të ndaluar rrjedhën e drogës dhe emigrantëve të paligjshëm drejt SHBA-ve.
Duke folur të dielën, Trump tha se droga po “derdhej” përmes Meksikës dhe se “do të duhet të bëjmë diçka”, duke shtuar se kartelet atje ishin “shumë të forta”.
Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, ka refuzuar publikisht çdo veprim ushtarak amerikan në tokën meksikane.
Kuba
Ishulli, që ndodhet vetëm 145 km në jug të Floridës, ka qenë nën sanksione amerikane që nga fillimi i viteve 1960 dhe ka pasur lidhje të ngushta me Venezuelën e Nicolás Maduros.
Trump sugjeroi të dielën se ndërhyrja ushtarake amerikane nuk ishte e nevojshme, sepse Kuba ishte “gati të bjerë”.
“Nuk mendoj se na duhet ndonjë veprim,” tha ai. “Duket sikur po rrëzohet.”
Ai shtoi: “Nuk e di nëse do të rezistojnë, por Kuba tani nuk ka të ardhura. Të gjitha i merrnin nga Venezuela, nga nafta venezueliane.”
Raportohet se Venezuela furnizon rreth 30% të naftës së Kubës, duke e lënë Havanën të ekspozuar nëse furnizimi bie me largimin e Maduros.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, djalë i dy emigrantëve kubanezë, ka kërkuar prej kohësh ndryshim regjimi në Kubë. Ai tha: “Nëse do të jetoja në Havana dhe do të isha në qeveri, do të isha i shqetësuar, të paktën pak.”
“Kur presidenti flet, duhet ta merrni seriozisht,”shtoi ai./kb
Një gjykatë në Paris ka shpallur fajtorë dhjetë persona për bullizim kibernetik ndaj Brigitte Macron, bashkëshortes së Presidentit francez Emmanuel Macron. Të dënuarit akuzohen se kanë përhapur informacione të rreme dhe komente dashakeqe në rrjetet sociale.
Gjykata vendosi se të pandehurit kishin përhapur teori konspirative rreth gjinisë dhe seksualitetit të Zonjës së Parë, si dhe kishin bërë “komente dashakeqëse” për diferencën prej 24 vitesh mes çiftit presidencial.
Për këto akuza, gjykata dha dënime me burg me kusht deri në tetë muaj për personat e përfshirë. Teoria e rreme se Brigitte Macron është një grua transgjinore ka qarkulluar në internet që nga viti 2017, kur Macron u zgjodh për herë të parë president.
Vendimi i sotëm në Francë vjen në një kohë kur çifti Macron po ndjek një padi për shpifje edhe në SHBA. Shënjestra e tyre është influencuesja e krahut të djathtë, Candace Owens, e cila ka mbështetur publikisht teoritë konspirative për gjininë e zonjës Macron.
Avokatët e çiftit pretendojnë se Owens ka injoruar çdo provë zyrtare dhe ka zgjedhur t’u japë zë shpifësve të vërtetuar. Vetë Owens deklaroi në mars të vitit 2024 se ishte gati të vinte në lojë “të gjithë reputacionin e saj profesional” mbi besimin se Brigitte Macron është burrë.
Brigitte dhe Emmanuel Macron janë martuar në vitin 2007. Ata u njohën kur ajo ishte mësuese në shkollën e tij të mesme, një fakt që është përdorur shpesh nga sulmet në rrjet për të nxitur komente negative dhe teori të rreme./kb
Defekti i rëndë në tubacionin kryesor, që la qytetin e Vlorës pa ujë të pijshëm për pesë ditë me radhë, ka vënë në lëvizje institucionet ligjzbatuese.
Ngjarja, që preku mijëra familje, biznese dhe institucione publike, konsiderohet e papranueshme për një qytet turistik dhe qendër urbane si Vlora.
Sipas informacioneve zyrtare, Policia ka nisur veprimet e para procedurale, duke sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë të një subjekti privat pranë zonës ku ndodhi defekti.
Pamjet do t’i referohen Prokurorisë, me qëllim dokumentimin e saktë të momentit dhe rrethanave të ngjarjes.
Burime nga Policia dhe Prokuroria për gazetaren Greta Haskaj bëjnë me dije se çështja pritet të regjistrohet zyrtarisht për hetim.
Fokusi nuk do të jetë vetëm te shkaku teknik i dëmtimit, por edhe te mënyra e menaxhimit të rrjetit të ujësjellësit dhe përgjegjësitë institucionale për mirëmbajtjen e tij.
Hetimet do të synojnë të përcaktojnë nëse defekti ka ardhur si pasojë e amortizimit të tubacionit, mungesës së investimeve, neglizhencës në mirëmbajtje apo faktorëve të tjerë që mund të kenë ndikuar drejtpërdrejt në këtë situatë.
Ndërprerja e furnizimit me ujë për pesë ditë ka sjellë reagime të forta nga qytetarët, të cilët janë përballur me vështirësi serioze në jetën e përditshme.
Autoritetet pritet të hedhin dritë mbi shkaqet reale të defektit dhe të përcaktojnë përgjegjësit konkretë për këtë situatë./kb
Një autokolonë, e cila transportonte udhëheqësin e rrëzuar të Venezuelës, Nicolas Maduro, sapo është parë duke dalë nga Qendra Metropolitane e Paraburgimit në Brooklyn, New Jork, ku ai është mbajtur për dy ditët e fundit.
Seanca është caktuar për në orën 12:00 me orën lokale, raportojnë mediat amerikane.
Maduro dhe gruaja e tij zbarkuan në New York të shtunën, disa orë pasi u kapën gjatë një operacioni ushtarak amerikan në Karakas.
Maduro do të përballe me akuza federale në lidhje me trafikimin e drogës dhe bashkëpunimin me bandat e përcaktuara si organizata terroriste, të cilat Maduro i mohon. /kb
Start-up-et kryesore të inteligjencës artificiale po intensifikojnë përpjekjet për të sfiduar dominimin e Google-it në tregun global të shfletuesve të internetit, duke vënë bast se teknologjia e IA-së do të ndryshojë rrënjësisht mënyrën se si njerëzit e përdorin web-in.
OpenAI dhe Perplexity kanë prezantuar muajt e fundit shfletuesit e tyre të rinj, ndërsa Microsoft ka integruar mjetin Copilot AI në shfletuesin Edge, duke u mundësuar përdoruesve të bashkëveprojnë me chatbot-e paralelisht me përmbajtjen që po lexojnë.
Këto zhvillime përfaqësojnë ndryshimin më të madh në tregun global të shfletuesve gjatë dy dekadave të fundit dhe shënojnë një front të ri në garën mes gjigantëve teknologjikë për epërsi në fushën e inteligjencës artificiale, raporton Financial Times.
Një betejë kundër një gjiganti dominues
Google mbetet lojtari kryesor, me mbi 63% të tregut global të shfletuesve, sipas të dhënave të Cloudflare, dhe ka lëvizur shpejt për të integruar modelet e tij Gemini AI në Chrome.
Megjithatë, aktorët e rinj besojnë se shfletuesit e bazuar në IA mund të riformësojnë përvojën online.
Mark Surman, president i Mozilla Foundation, tha për Financial Times se shfletuesit e rinj me IA do të përcaktojnë mënyrën se si njerëzit do të ndërveprojnë me internetin në të ardhmen. Mozilla planifikon t’u lejojë përdoruesve të Firefox-it të zgjedhin vetë modelin e IA-së që dëshirojnë të integrojnë.
Pse shfletuesit janë kaq të rëndësishëm për IA-në?
Për OpenAI dhe Perplexity, ndërtimi i shfletuesve të tyre krijon një marrëdhënie më të drejtpërdrejtë me përdoruesit, të cilët aktualisht aksesojnë chatbot-e si ChatGPT kryesisht përmes platformave të kontrolluara nga Google ose Microsoft.
Jesse Dwyer nga Perplexity e përshkroi shfletuesin e ri Comet si “sistemin operativ të mendjes”, duke nënvizuar rëndësinë strategjike të kësaj platforme.
Përveç mbledhjes së të dhënave të vlefshme për trajnimin e modeleve gjuhësore, shfletuesit me IA rrisin angazhimin e përdoruesve dhe hapin rrugë të reja për të ardhura nga reklamat.
Shfletuesit shihen gjithashtu si baza ku do të funksionojnë të ashtuquajturit “agjentë IA”, sisteme që mund të veprojnë në emër të përdoruesit, si rezervimi i biletave, menaxhimi i takimeve apo kryerja e blerjeve online.
Kritika, privatësia dhe siguria kibernetike
Megjithëse potenciali është i madh, përvoja e re me shfletues të fuqizuar nga IA ka nxitur edhe kritika. Disa përdorues raportojnë funksione të paqëndrueshme, ndërsa ekspertët paralajmërojnë për rreziqe serioze ndaj privatësisë dhe sigurisë kibernetike.
Integrimi i modeleve të mëdha gjuhësore në shfletues sjell rreziqe si “prompt injection”, një problem ende i pazgjidhur, ku sulmuesit mund të manipulojnë sjelljen e IA-së përmes përmbajtjes së faqeve web.
Konsulenca Gartner ka sugjeruar madje që kompanitë të bllokojnë shfletuesit me IA për shkak të këtyre rreziqeve, veçanërisht kur përdoruesit u besojnë sistemeve të tilla të dhëna sensitive si kartat bankare.
Kompanitë teknologjike theksojnë se përdorimi i të dhënave është opsional dhe i kontrolluar. Google, OpenAI, Microsoft dhe Perplexity deklarojnë se përdoruesit mund të zgjedhin nëse duan apo jo të ndajnë të dhënat për personalizim dhe trajnim të IA-së.
A mjafton AI për të rrëzuar Chrome?
Analistët mbeten skeptikë.
Sipas Stephanie Liu nga Forrester, një shfletues me IA nuk është automatikisht një avantazh konkurrues. OpenAI dhe rivalët e tij do të duhet të ofrojnë një vlerë të qartë dhe bindëse për të tërhequr përdorues nga një shfletues aq i konsoliduar sa Chrome.
Megjithatë, shumë ekspertë bien dakord se tregu është gati për ndryshim, pas dy dekadash inovacioni minimal.
Dwyer u shpreh për Financial Times se “mund të mos dihet ende cili shfletues do të fitojë, por është e qartë se modelet aktuale nuk përfaqësojnë më të ardhmen e internetit.”/kb