Davos 2026: drejtuesit e biznesit kërkojnë një të ardhme të IA-së të përqendruar te njeriu
Ndërsa drejtuesit botërorë mblidhen në Davos për të diskutuar të ardhmen e IA-së, një gjë po bëhet gjithnjë e më e qartë: sfida nuk është thjesht sa shpejt mund të zhvillohet teknologjia, por sa me përgjegjësi do të përdoret.
Nga energjia dhe burimet natyrore te punësimi dhe pabarazitë, revolucioni i IA-së po prek çdo aspekt të shoqërisë.
Drejtues nga Dow Chemical Company, EY dhe NTT Data Inc. ndanë perspektivat e tyre mbi ndikimin e zgjerimit të teknologjive të reja si IA gjatë një paneli në Davos.
Paneli u zhvillua në kuadër të takimit vjetor të Forumit Ekonomik Botëror, i cili nisi më 19 janar në Davos, duke mbledhur rreth 3,000 pjesëmarrës të nivelit të lartë nga biznesi, qeveritë dhe fusha të tjera, si dhe shumë vëzhgues, gazetarë, aktivistë dhe të tjerë.
Gjatë panelit, me titull “Inovacioni në një epokë shumëpolare”, pjesëmarrësit diskutuan përfitimet e integrimit të IA-së dhe potencialin e saj në fusha si shëndetësia dhe arsimi, si edhe disa nga sfidat e zbatimit të kësaj teknologjie në shkallë të gjerë brenda bizneseve.
“Ne shohim përfitime të jashtëzakonshme, qoftë në zbulimin e materialeve të reja, të barnave të reja apo në rritjen e produktivitetit përmes teknologjisë,” tha Abhijit Dubey, drejtor ekzekutiv dhe drejtor i inteligjencës artificiale në NTT Data. “Por, në të njëjtën kohë, duhet të jemi shumë të kujdesshëm për atë që po bëjmë.”
Ai shtoi se, ndryshe nga të gjitha inovacionet e mëparshme, IA është “teknologjia e parë që nuk do të drejtohet nga njerëzit”.
Kjo jo vetëm që mund të çojë në rezultate të paparashikueshme, por kërkon gjithashtu sasi të mëdha energjie dhe uji, si dhe nxjerrjen e mineraleve të rralla, gjë që në disa raste po krijon tensione për burimet.
Një tjetër shqetësim është “paradoksi i një bollëku masiv në të njëjtën kohë me një zhvendosje masive të fuqisë punëtore në treg”, tha Dubey, duke theksuar se kjo është “diçka që duhet ta monitorojmë nga afër”.
“Problemi nuk është destinacioni, por faza e tranzicionit,” shtoi Debra Bauler, drejtoreshë e informacionit dhe e transformimit dixhital në Dow, duke shpjeguar se si kompania po i qaset fuqisë së saj punëtore gjatë tranzicionit drejt IA-së.
“Ne mendojmë për mënyrën se si punojmë me anëtarët e ekipit. Duam t’i kalojmë ata nga zbatues të detyrave në drejtues të sistemeve. Do të ketë ndikime në vende pune, por ne besojmë se destinacioni ku po shkojmë e justifikon këtë periudhë tranzicioni.”
Në çdo tranzicion teknologjik, sa i përket punësimit, “kur humbet një vend pune, krijohen një deri në dy të tjerë”, vuri në dukje Dubey.
Mbrojtja e atyre që preken negativisht nuk mund t’i lihet tërësisht sektorit privat, argumentoi ai.
Përveç mekanizmave të mbështetur publikisht, si të ardhurat bazë universale, ai tha se një zgjidhje për të gjeneruar financime që po diskutohet është vendosja e një takse mbi agjentët e IA-së, njësoj siç tatohen njerëzit.
“Duhet të mendojmë që tani për mekanizma strukturorë, sepse nuk mund ta bëjmë këtë në mënyrë reaktive,” tha ai, duke shtuar: “Nuk ka asnjë qeveri në botë që është e përgatitur për këtë.”
Raj Sharma, partner menaxhues global për rritjen dhe inovacionin në EY, tha se që IA të sjellë atë që ai e ka quajtur një epokë të “ndërmarrjeve super-fluide”, përbërësit kyç janë besimi, mjetet dhe talenti.
“Duhet të balancosh këta tre elementë për t’u siguruar që IA të adoptohet,” tha ai.
Pyetja që mbetet nuk është nëse kjo teknologji do ta transformojë botën, por nëse institucionet, bizneset dhe qeveritë do të arrijnë ta drejtojnë atë në një mënyrë që vërtet vë njeriun në qendër. / Time
The post Davos 2026: drejtuesit e biznesit kërkojnë një të ardhme të IA-së të përqendruar te njeriu appeared first on Revista Monitor.