Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 9 January 2026Main stream

Të gjitha akset rrugore në Maqedoni janë të kalueshme

9 January 2026 at 20:51


Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet në kushte dimërore, në rrugë kryesisht të lagështa.

Të gjitha rrugët janë të kalueshme, por në pjesët që kalojnë nëpër gryka malore dhe lugina të lumenjve, janë të mundshme rrëshqitje të vogla të dheut, njoftojnë nga NP Rrugët e Maqedonisë.

Situata në terren është përmirësuar dukshjëm, nga mbrëmë kur rrugët ishin përmbytut dhe kishte rrëshqitje të dheut.

Siljanovska Davkova i dorëzoi në Kuvend propozimet për dy anëtarë të Këshillit Gjyqësor

9 January 2026 at 20:08


Në Kuvend janë dorëzuar materialet për zgjedhjen e Suzana Joshevska Anastasovska dhe Arlinda Kadri Shahinoviq për anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut me propozim të presidentes Gordana Siljanovska Davkova.

Arlinda Kadri-Shahinoviq është profesoreshë universitare me karrierë akademike shumëvjeçare në Fakultetin për Shkenca Juridike dhe Politike në Universitetin FON dhe MIT, ndërsa në publik është e njohur edhe si ish anëtare e Komisionit për amnisti. Suzana Joshevska Anastasovska është avokate me praktikë shumë vjeçare, veçanërisht në çështjet penale.

Propozimet vijojnë pas miratimit të Ligjit të ri për Këshill Gjyqësor më 29 dhjetor, i cili sjell ndryshime për rritje të transparencës dhe llogaridhënies, për të publikuar procedurat, për të specifikuar kriteret për zgjedhjen e një “juristi të shquar” dhe përforcimin e përgjegjësisë disiplinore të anëtarëve.

Këshilli gjyqësor numëron 15 anëtarë nga të cilët tetë i zgjedhin gjyqtarët, tre Kuvendi, dy i propozon presidenti i shtetit, ndërsa dy janë anëtarë sipas detyrës – kryetari i Gjykatës Supreme dhe ministri i drejtësisë, pa të drejtë vote.

Pritet që propozimet e presidentes të hyjnë në procedurë të Kuvendit nga e hëna.

PLD: Maqedonisë i duhen vetëm 90 deputetë dhe 15 ministri funksionale

9 January 2026 at 19:30


Partia Liberal-Demokrate vlerëson se një takim i liderëve ka kuptim vetëm nëse në të diskutohen reforma thelbësore, e jo, siç thonë ata, zgjidhje tregtare dhe PR.

PLD është e gatshme të marrë pjesë në një takim të tillë, por jo nëse ai reduktohet ekskluzivisht në çështjen e shfuqizimit ose mbajtjes së qeverisë teknike si temë e izoluar dhe boshe, pa përgjigje për pyetjet kyçe që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve.

“Është joserioze që politika të reduktohet në këtë: ‘ne jemi për shfuqizimin’ ose ‘ne jemi kundër shfuqizimit’ të qeverisë teknike. Dhe pastaj çfarë? Nëse shfuqizohet apo nëse nuk shfuqizohet?! A do të ushqehemi më lirë? A do të marrim frymë ajër më të pastër? A do të marrim më shumë mjete të pakthyeshme nga Bashkimi Evropian? A do ta zgjidhim më në fund korrupsionin? Nëse përgjigjja është jo – atëherë tema në vetvete është boshe. Pse disa ministri po vonohen me realizimin e agjendës reformuese? Deri ku ka arritur paketa e reformave sistemore që duhet ta çojë shtetin përpara? Qytetarëve u ka ardhur në majë të hundës nga deklaratat parciale dhe zgjidhjet ad-hok. Një qasje e tillë tregon se qytetarët nuk janë pikë interesi, por vetëm mjet për dominim mediatik”, thonë nga PLD.

Ata shtojnë se Maqedonisë nuk i duhen 120, por 90 deputetë. Maqedonisë nuk i duhen 25, por 15 ministri funksionale.

"Maqedonisë nuk i duhen grumbuj anëtarësh të bordeve drejtuese dhe mbikëqyrëse, as një ushtri zëvendësdrejtorësh. Maqedonisë i duhen më shumë para në xhepat e qytetarëve. Maqedonisë nuk i duhet qeveri teknike, por një sistem efikas, racional dhe i depolitizuar – një njësi zgjedhore, lista të hapura dhe mundësi që qytetarët vetë të vendosin se kush do t’i përfaqësojë", thuhet në reagimin e partisë.

Sot e ditëve në vazhdim, vendkalimi kufitar Evzoni do të ketë bllokadë gjashtëorëshe nga bujqit grek

9 January 2026 at 18:50


Ferrmerët grekë filluan edhe sot një bllokadë në vendkalimin kufitar Evzoni, por jo më katër por gjashtë orë dhe e njejta situatë do të përsëritet dhe në ditët në vazhdim.

Sot kufiri do të jetë i mbyllur deri në mesnatë për të gjitha automjetet.

Në pikën kufitare “Niki”-“Mexhitli”, siç njoftoi më parë LAMM, ka ndalesë për kamionë, e cila do të zgjasë deri nesër në orën 10:00.

Protestat e fermerëve në Greqi filluan më 30 nëntor dhe kanë zgjatur për më shumë se 40 ditë me bllokada të përditshme në një numër vendesh në të gjithë vendin.

ASH nis procesin për mbajtjen e Kongresit të rregullt

9 January 2026 at 18:10


Në bazë të vendimit të Komisionit Qendror për Organizimin e Kongresit, Aleanca për Shqiptarët nis zyrtarisht procesin e rindërtimit, konsolidimit dhe funksionalizimit të degëve dhe nëndegëve të partisë me qëllim mbajtjen e Kongresit të rregullt.

Nga ASH njoftojnë se ky proces udhëhiqet nga parimet e transparencës, gjithëpërfshirjes, unitetit politik dhe përgjegjësisë, dhe përbën një hap të rëndësishëm drejt forcimit të Aleancës për Shqiptarët dhe përfaqësimit real të vullnetit të anëtarësisë në Kongres.

Ai synon të forcojë Aleancën për Shqiptarët duke përfshirë të gjithë ata që duan të angazhohen dhe të kontribuojnë në zhvillimin e partisë.

"Aleanca për Shqiptarët u bën thirrje qytetarëve, aktivistëve, anëtarëve dhe simpatizantëve që ndajnë vlerat dhe vizionin tonë, që të bashkëngjiten dhe të kontribuojnë në këtë proces të rëndësishëm organizativ dhe politik. Një Aleancë për Shqiptarët e fuqishme nënkupton përfaqësim dinjitetshëm dhe efektiv qytetarëve shqiptarë institucionet e shtetit dhe vendimmarrje", thuhet në njoftimin e ASH-së.

Grumbullohen ndihma për familjet e evakuuara për shkak të përmbytjeve në Kërçovë

9 January 2026 at 17:31


Ekipet e Kryqit të Kuq në bashkëpunim me QMK-në janë në terren dhe u ndihmojnë familjeve që kanë pësuar dëme nga përmbytjet në vendin tonë.

Ata janë fokusuar posaçërisht në Kërçovë, ku i kanë evakuuar 110 persona.

“Kryqi i kuq i RMV-së në bashkëpunim me QMK-në nga dita e djeshme është aktiv në terren, posaçërisht në rajonin e Kërçovës, me kërkesë të Kryqit të Kuq lokal të Kërçovës dhe QMK-së është deponuar një sasi e madhe e ushqimit, batanijeve dhe të gjitha gjërave të nevojshme, të cilët janë kërkuar nga Kryqi i Kuq lokal i Kërçovës. Ekipet e njësisë intervente janë në gatishmëri dhe në qoftë se është e nevojshme do të dalin përsëri në terren. Fokusi është vetëm në Kërçovë, sepse ka pësuar më tepër në këto vërshime.”, – deklaroi Argjent Çilafi nga Kryqi i Kuq.

Nga Kryqi i Kuq thonë se donatorët lokalë kanë kërkuar nga Kryqi i Kuq që të hapet fondi për xhirollogari, ku qytetarët të mund të donojnë për familjet e prekura nga përmbytjet.

Nga Qendra për Menaxhim me Kriza kanë njoftuar se për shkak të përmbytjeve që kanë goditur pjesë të vendit si pasojë e reshjeve të shiut, në Koçan dhe Ohër po ndërhyhet me mekanizëm, për shkak të daljes së lumenjve nga shtrati.

Klekovski: Kriteret për pushim mjekësor do të rishikohen

9 January 2026 at 16:49


Kriteret për pushim mjekësor do të rishikohen, kështu deklaroi sot drejtori i përgjithshëm i Fondit të për Sigurim Shëndetësor (FSSH), Sasho Klekovski.

"Po punojmë një rishikim kritereve për pushim mjekësor, ku është e nevojshme arrihet një ekuilibër midis nevojës për qasje lehtë pushim mjekësor për ata kanë nevojë, dhe nga ana tjetër, për parandaluar keqpërdorimet", tha ai.

Ai theksoi se ka një numër të konsiderueshëm keqpërdorimesh të pushimit mjekësor.

“Jemi të lodhur nga kryerja e kontrolleve të vazhdueshme me kërkesë të firmave ose institucioneve për kontrollet e pushimeve mjekësore", shtoi Klekovski.

Këto deklarata Klekovski i bëri pas lidhjes së marrëveshjes midis FSSH dhe Fakultetit të Shkencave Natyrore, me të cilën Laboratori për Biologji Molekulare dhe Gjenomikë do të fillojë të kryejë procedurat më moderne të diagnostikimit molekular, duke përfshirë analizat gjenetike për sëmundjet onkologjike.

Before yesterdayMain stream

U privuan nga liria një familje e tërë nga Kisella Voda, patën sjellje agresive ndaj punonjësve të policisë

8 January 2026 at 20:56


Herët në mëngjes, tre banorë të lagjes Kisella Voda të Shkupit, të cilët sipas inicialeve të tyre janë anëtarë të së njëjtës familje, u arrestuan për sjellje agresive ndaj oficerëve të policisë.

Midis atyre që përfunduan në stacionin e policisë është edhe një djalë 16-vjeçar, njoftoi Ministria e Brendshme.

“Më 08.01.2026 në orën 02:45 në Shkup, në zonën e Kisella Vodës, oficerët policorë të SPB Shkup ndaluan 53-vjeçarin V.C., S.C. (45) dhe një djalë 16-vjeçar, të gjithë nga Shkupi, sepse të njëjtit u sollën në mënyrë agresive ndaj oficerëve policorë që kryenin detyra zyrtare. Pas dokumentimit të plotë të rastit, do të ngrihet një kallëzim përkatës”, thuhet në buletinin e policisë.

Aksidenti në Llaskarcë, pronari i “Durmo Turs” nisi vuajtjen e dënimit me burg në Idrizovë

8 January 2026 at 20:12


Pronari i “Durmo Turs”, Durmish Beluli është paraqitur në burgun “Idrizovë” për të vuajtur dënimin prej 10 vjetësh për rastin “Llaskarca”, ku si pasojë e aksidentit të autobusit, humbën jetën 16 pasagjerë, ndërsa më shumë se 30 u lënduan.

Lajmin e konfirmoi drejtori i institucionit, Zoran Jovanovski, i cili tha se Beluli është pranuar dhe vendosur në burg sipas procedurave standarde.

Pas një serie shtyrjesh, kryesisht të justifikuara me arsye mjekësore, Beluli u paraqit në burg për të vuajtur dënimin. Më 1 dhjetor pati një shtyrje tjetër për shkak të një operacioni të dytë në testikuj, ndërsa më parë, në tetor, kishte deklaruar se ishte operuar nga një hernie.

Gjyqtari kishte biseduar personalisht me kirurgun në spitalin e Tetovës, i cili kishte konfirmuar se operacioni ishte i domosdoshëm.
Bashkëpunëtori i tij, Remzi Miftari, i cili ishte përgjegjës për automjetet e “Durmo Turs”, u zhduk në fund të nëntorit 2025 dhe për të është lëshuar një urdhër arresti. Të dy morën dënime të formës së prerë më 9 maj 2025, kur Gjykata e Apelit në Shkup ua rriti dënimet – Belulit nga katër në dhjetë vjet, dhe Miftarit nga gjashtë në dhjetë vjet.

Kryqi i Kuq siguroi ndihmë urgjente humanitare për popullatën e evakuuar në Kërçovë

8 January 2026 at 19:32


Kryqi i Kuq i RMV-së, Organizata komunale Kërçovë, në bashkëpunim me Komunën e Kërçovës në 24 orët e fundit siguroi ndihmë urgjente humanitare për popullatën e evakuuar.

Siç kumtoi Kryqi i kuq, janë siguruar dyshekë, batanije, krevatë, veshmbathje, ushqim, ujë, mjete higjienike, si dhe shujta të ngrohta.

Ndryshe sot edhe QMK informoi se përmbytje janë raportuar në Ohër, Kërçovë, Manastir, Gostivar dhe Tetovë.

Ekipet janë në terren dhe po merren me stabilizimin e situatës.

Nikolloski: Të gjitha rrugët në nivel shtetëror janë të kalueshme

8 January 2026 at 18:51


Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, informoi se në nivel të gjithë vendit të gjitha drejtimet rrugore janë të kalueshme dhe nuk ka asnjë bllokim, pavarësisht reshjeve të borës.

Nikolloski theksoi se aktualisht po mbulohen dy seksione kryesore, ai i Kosovrastit dhe Mavrovës, ndërsa në terren janë angazhuar të gjitha kapacitetet e ndërmarrjes publike “Rrugët e Maqedonisë”, si dhe kompani private që ndihmojnë në pastrimin e borës.

“Dua t’i përgëzoj ekipet e ‘Makedonija Pat’, këta njerëz punëtorë që me përkushtim i mbajnë rrugët të pastra dhe të kalueshme. Të gjithë kamionët janë vënë në funksion dhe puna po zhvillohet pa ndërprerje,” deklaroi Nikolloski.

Ai u bëri apel qytetarëve që të jenë të kujdesshëm gjatë vozitjes, të përshtatin shpejtësinë sipas kushteve në rrugë dhe të përdorin goma dimërore, si dhe zinxhirë aty ku është e nevojshme, në përputhje me rekomandimet e institucioneve përgjegjëse, me qëllim të garantimit të një trafiku të sigurt.

Sipas tij, kushtet e tilla atmosferike pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa institucionet do të jenë në komunikim dhe koordinim të vazhdueshëm për të siguruar zhvillimin normal të trafikut në të gjithë vendin, veçanërisht pas përfundimit të festave, në mënyrë që aktivitetet ekonomike të mos pengohen.

Andonovska: Janë rritur rastet me grip, por është situatë e pritshme pas tubimeve festive

8 January 2026 at 18:09


Në periudhën nga 29 dhjetori deri më 4 janar janë regjistruar 1.725 raste të gripit ose sëmundjeve të ngjashme me gripin, që është 2,2 herë më shumë në krahasim me javën e kaluar kur numri i rasteve të raportuara ishte 771.

Numri i rasteve të raportuara këtë javë në krahasim me të njëjtën javë të sezonit të kaluar, kur numri ishte 331, është rritur për 5,2 herë, ndërsa në krahasim me të njëjtën javë në 15 sezonet e fundit, rritja është 38,7 për qind, tregojnë të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik.

Drejtoresha e Institutit, Marija Andonovska, deklaroi sot se në përputhje me të dhënat në Maqedoni ka intensitet të lartë të virusit të gripit me pritje për rritje të mëtutjeshme në periudhën e ardhshme. Sipas saj, kjo nuk është asgjë e re duke pasur parasysh periudhën e festave dhe tubimeve dhe është diçka që është pritur.

“Kulmi i gripit pritet në gjysmën e dytë të muajit dhe gjysmën e parë të shkurtit. Me kthimin e fëmijëve në shkollë, presim që numri i personave të sëmurë me grip mund të rritet. Incidenca e raportuar është mbi kufirin javor të aktivitetit mesatar të virusit të gripit në nivel kombëtar. Sa i përket shpërndarjes së moshës, 749 persona janë midis moshës 15 dhe 64 vjeç, 618 janë fëmijë të moshës pesë deri në 14 vjeç, 229 janë fëmijë deri në katër vjeç dhe 129 janë persona mbi 65 vjeç. Incidenca më e lartë është regjistruar tek fëmijët e moshës pesë deri në 14 vjeç”, tha Dr. Andonovska.

Theksoi se raportimet për të sëmurë i kanë marrë nga 18 vende dhe sipas të dhënave, më shumë të sëmurë janë regjistruar në Shkup – 716, në Tetovë – 339, në Kumanovë – 150, në Veles – 109, në Shtip – 60, në Dibër -54, në Gostivar – 49, në Prilep – 45, në Ohër -44, në Manastir -40, në Strumicë -38, ndërsa në qytetet e tjera, si Kavadar, Negotinë, Strugë, Demir Hisar, Vinicë, Makedonski Brod, Radovish, numri i të sëmurëve është më i vogël se 30.

“Në Dibër është regjistruar aktivitet shumë i lartë i gripit, në Veles dhe Tetovë është regjistruar aktivitet i lartë, aktivitet mesatar është regjistruar në Shkup, Kumanovë dhe Shtip, në dhjetë njësi është regjistruar aktivitet i rregullt sezonal, ndërsa në dy njësi, si Radovishi dhe Demir Hisari, është regjistruar aktivitet shumë i ulët i virusit të gripit. Deri më tani, që nga fillimi i sezonit, nuk janë regjistruar vdekje të lidhura me gripin. Është vërejtur rritje e konsiderueshme e numrit dhe incidencës së sëmundjeve të ngjashme me gripin në bazë javore. Gjatë javës së parë të këtij viti, për herë të parë në sezon, është regjistruar aktivitet mesatar i gripit në nivel kombëtar”, tha Andonovska.

Sa i përket masave të përgjithshme, ajo sqaroi se ata që nuk janë të sëmurë të shmangin tubimet, qëndrimin në hapësira, qendra tregtare ku ka numër të madh të njerëzve, të shmanget kontakti me të sëmurë ose njerëz me simptoma të teshtitjes dhe kollitjes, të pastrohen duart shpesh me sapun dhe ujë, të ajrosen hapësirat, të respektohen stilet e shëndosha të jetesës, pirja e rregullt e ujit, të konsumohet ushqim i lehtë, vitamina dhe minerale.

“Për ata që janë diagnostikuar me grip, rekomandimet janë të kontaktojnë mjekun e tyre amë, të qëndrojnë në shtëpi, të mos shkojnë në punë, të mos i çojnë fëmijët në shkollë, jo vetëm për shkak të transmetimit të virusit, kjo është e rëndësishme edhe për të sëmurët, të mos i ekspozojnë fëmijët ose të rriturit. Nëse vërtetohet se kanë grip, ata duhet të qëndrojnë në shtëpi, të pushojnë dhe të marrin terapi simptomatike të përshkruar nga mjeku i tyre amë. Është shumë e rëndësishme të qëndrojnë në shtëpi nëse shfaqen simptoma. Për kategoritë e rrezikuara të qytetarëve, mbi 65 vjeç, fëmijët, gratë shtatzëna dhe të sëmurët kronikë, nëse gjendja e tyre përkeqësohet, ata duhet të kontaktojnë mjekun e tyre amë”, thekson Andonovska.



QMK: Përmbytje janë raportuar në Ohër, Kërçovë, Manastir, Gostivar dhe Tetovë

8 January 2026 at 17:30


Në Ohër dhe rrethinën e tij, për shkak të reshjeve të dendura të shiut, ka bodrume, oborre dhe disa ndërtesa të përmbytura në qytet.

Disa përrenj janë dalë nga shtrati, ndërsa autoritetet lokale dhe stafi i krizës janë në terren, ndërsa ekipet e ndërmarrjeve publike „Vodoshted“ (Ujësjellësi), „Ndërtim të Ulët“ dhe „Komunalec“ ndërhyjnë dhe largojnë ujin, njofton Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK).

Në Kërçovë dhe fshatrat përreth, ujë ka hyrë në bodrume dhe në disa pjesë të tokave. Disa banorë janë evakuuar dhe janë vendosur në objekte të përkohshme me ushqim dhe mbrojtje shëndetësore të siguruar. Ka përmbytje në disa përrenj dhe tokë bujqësore. Komuna dhe Kryqi i Kuq i Kërçovës sigurojnë strehim, ushqim dhe ilaçe, ndërsa „Komunalec“ ndërhyn në vendet e përmbytura dhe ekipet e ndihmës së shpejtë ofrojnë kujdes shëndetësor për personat e evakuuar.

Në rajonin e Manastirit, niveli i ujit në përrenjtë lokalë është rritur, duke shkaktuar përmbytje të shtëpive, oborreve dhe disa tokave bujqësore. Mekanizmi i komunave është në terren për të riparuar dëmet, ndërsa stafi i krizës organizon prioritetet për veprimet e ekipeve në terren.

“Në Tetovë dhe rrethinë ka raportime për shembje muri mbajtës dhe përmbytje lokale në përrenj. Shërbimet policore bëjnë inspektim në vendet e shembjeve, ndërsa mekanizmi i komunës ndërhyn për pastrimin e rrëshqitjeve dhe riparimin e dëmeve”, thonë nga QMK.

Në Gostivar dhe rrethinë janë regjistruar përmbytje në rrugë lokale dhe në disa fshatra. Ekipet e „Komunalec“ ndërhyjnë në vendet me infrastrukturë të përmbytur, ndërsa mekanizmi i Shërbimit për Menaxhimin e Ujërave (Vodoshted) del në terren për pastrimin e rrëshqitjeve dhe riparimin e dëmeve.

Vendkalimi kufitar "Evzoni" do të bllokohet sërish

8 January 2026 at 16:50


Kufiri Maqedoni e Veriut-Greqi do të bllokohet sërish.

Protestat nga fermerët grekë u paralajmëruan pas orës 17 dhe do të zgjasin katër orë.

Nga MPB e Maqedonisë deklaruan se situata në vendkalimet kufitare të Bogorodica -Evzoni është e qëndrueshme dhe fluksi i pasagjerëve dhe automjeteve është normal për të hyrë dhe dalë nga vendi.

“Sipas informacionit që kemi në dispozicion, fermerët planifikojnë të bllokojnë vendkalimin kufitar Evzoni në orën 17:00 me orën e Maqedonisë dhe informacioni fillestar është se bllokada do të zgjasë katër orë si çdo ditë më pare”, deklaruan nga MPB.

Fermerët grekë po protestojnë kundër vonesave të gjata në pagesën e subvencioneve të shkaktuara nga skandali i përvetësimit të ndihmës bujqësore të BE-së, dhe janë ngritur gjithashtu kundër çmimeve të ulëta të blerjes, rritjes së kostove të energjisë dhe përkeqësimit të kushteve klimatike. Ata kishin 27 kërkesa , 16 janë plotësuar ose po trajtohen pozitivisht, katër janë duke u shqyrtuar, ndërsa autoritetet greke kanë deklaruar se shtatë nuk mund të plotësohen.

Rrëshqitje e dheut në rrugën drejt Banjës, Komuna e Tetovës apelon qytetarët të mos qarkullojnë në këtë zonë

7 January 2026 at 20:46


Për shkak të reshjeve të dendura të shiut, në rrugën drejtë Banjës në Tetovë ka pasur rreshqitje të dheut.

Nga Komuna e Tetovës informojnë se ekipet janë në terren, teksa bëjnë thirrje që deri në stabilizimin e situatës të mos qarkullohet në rrugën drejt Banjës.

Njoftimi i plotë:

Pas një thirrje në numrin emergjent 112, njoftohet se për shkak të reshjeve të shiut ka përsëri rrëshqitje të dheut në rrugën drejt Banjës.

Qytetarët lutën të mos qarkullojnë në këtë zonë deri sa situata të stabilizohet.

Ekipet komunale janë në terren dhe po e ndjekin situatën nga afër.

Mickoski: Nesër do t’u dërgojë ftesa të gjitha partive politike për mbajtjen e një takimi liderësh

7 January 2026 at 20:18


Me qëllim hapjen e një dialogu për çështjet kyçe politike, kryeministri Hristijan Mickoski ka paralajmëruar se nesër do t’u dërgojë ftesa të gjitha partive politike për mbajtjen e një takimi liderësh.

Sipas paralajmërimeve, takimi do mbahej brenda shtatë deri dhjetë ditë, para nisjes tij drejt Forumit Ekonomik Botëror Davos, ndërsa fokusi do vihej sigurimin e konsensusit për ligjet reformuese dhe mundësinë e shfuqizimit qeverisë teknike.

Në intervistën e Krishtlindjes për TV Alfa, Mickoski shprehu pritjen që të gjithë liderët e koalicioneve parlamentare ta pranojnë ftesën, duke theksuar se rendi i ditës mund të plotësohet dhe zgjerohet edhe me propozime nga pjesëmarrësit.

Kryeministri theksoi se për çështjet me rëndësi thelbësore për shtetin është i domosdoshëm një marrëveshje më e gjerë politike, veçanërisht në kontekstin e integrimit evropian.

"Të bisedojmë për Avokatin e Shtetit dhe për të gjitha temat e tjera. Të tregojmë pjekuri politike kur para nesh qëndron qëllimi – anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Për ligjet tashmë ka mendime pozitive edhe nga Komisioni i Venecias edhe nga Zyra e Komisionit Evropian, prandaj nuk ka arsye të mos ulemi dhe të bisedojmë hapur", theksoi Mickoski.

Sa i përket qeverisë teknike, ai rikujtoi se edhe përfaqësues të LSDM-së para zgjedhjeve të fundit kishin shprehur qëndrimin se ajo nuk është më e nevojshme. Sipas tij, qeveria aktuale tregon një përfshirje më të madhe, gjë që është veçanërisht e rëndësishme në një periudhë kur po zbatohen reforma thelbësore të sistemit politik dhe reforma që lidhen me procesin e anëtarësimit në BE, për një pjesë të të cilave është i domosdoshëm konsensusi.

"Para zgjedhjeve, udhëheqja e LSDM-së thoshte se ishte për shfuqizimin e qeverisë teknike, ndaj mbetet të shihet nëse do të qëndrojnë në atë qëndrim. Nuk do të doja të hynim në këto ndryshime pa një marrëveshje të gjerë, sepse mendoj se ndryshimet në sistemin politik duhet të miratohen me konsensus. Nëse ekziston pajtimi se qeveria teknike e pengon sistemin dhe hap dilema kushtetuese, atëherë duhet t’i bëjmë këto ndryshime së bashku", tha kryeministri Mickoski.

Në Ohër dhe Kërçovë janë përmbytur disa lokacione

7 January 2026 at 19:29


Sipas Qendrës për Menaxhim me Kriza, situata në pjesën më të madhe të territorit të Maqedonisë së Veriut është e qëndrueshme dhe pa ndërprerje.

Në Kumanovë, Likovë, Nagoriçan të vjetër, Kriva Pallankë, Rankovcë dhe Kratovë nuk ka dalje të lumenjve, dhe shërbimet komunale po e monitorojnë situatën.

Shkup, Strumicë, Veles, Kavadar, Negotinë, Sveti Nikollë dhe Shtip, nuk janë raportuar përmbytje ose rrëshqitje të dheut.

Megjithatë, në Ohër, janë raportuar bodrume, garazhe dhe oborre të përmbytura në disa lokacione, dhe Komuna e Ohrit dhe Shtabi i Krizave po veprojnë sipas raporteve.

Në Kërçovë, ndërtesat banesore në rrugën "Prilepska" janë përmbytur, dhe ekipet nga Komuna e Kërçovës, Instituti Shtetëror i Sigurimeve Shoqërore, Kryqi i Kuq dhe Ndërmarrja Publike e Shërbimeve "Komunalec" janë në terren për të evakuuar banorët e rrezikuar.

Në Strugë, është raportuar rrëshqitje dheu në rrugën nga fshati Tatesh në fshatin Mislodezhda, dhe Ndërmarrja Publike e Shërbimeve "Rrugët e Maqedonisë" po merr masa për sanim.

Në Manastir dhe Resnjë, është regjistruar një rrëshqitje dheu pranë fshatit Sirhan, ndërsa në fshatin Drmeni janë përmbytur dy oborre.

Reshjet e shiut vazhdojnë, dhe institucionet kompetente po monitorojnë vazhdimisht nivelet e ujit të lumenjve dhe gjendjen e terrenit.

LAMM: Mbyllet vendkalimi kufitar Evzoni

7 January 2026 at 18:51


Qarkullimi në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, nëpër rrugë të lagështa.

Reshje bore janë regjistruar në Kodrën e Diellit, por për momentin nuk paraqesin pengesë për komunikacionin.

Nga ora 17:00, komunikacioni në vendkalimin kufitar Evzoni (Bogorodicë) është në ndërprerje për të gjitha llojet e automjeteve, informon LAMM.

LAMM rekomandon shpejtësi të adaptuar të lëvizjes, respektimin e sinjaleve të vendosura të komunikacionit e veçanërisht drejtim të kujdesshëm të automjetit, posaçërisht në rrugët nëpër gryka malore dhe lugina të lumenjve ku ekziston mundësia e rrëshqitjes së dheut.

Kjo vlen veçanërisht për akset rrugore Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.

Reshjet e shiut, QMK: Situata është stabile, nuk janë raportuar përmbytje

7 January 2026 at 18:11


Sipas informacionit të jashtëzakonshëm të Qendrës për Menaxhim me Kriza, që nga ora 17:00, situata në pjesën më të madhe të territorit të Republikës së Maqedonisë është stabile dhe pa ndërprerje të funksionimit të rregullt, pavarësisht reshjeve të dendura të shiut që e kanë përfshirë vendinn

Në Kumanovë, Likovë, Nagoriçan i vjetër, Kriva Pallankë, Rankovcë dhe Kratovë, nuk janë regjistruar dalje nga lumenjtë, as pasoja nga reshjet, dhe shërbimet kompetente komunale po e monitorojnë vazhdimisht situatën.

Në Shkup, Strumicë, Veles, Kavadar, Negotinë, Shën Nikollë dhe Shtip, nuk janë raportuar përmbytje ose rrëshqitje të dheut, dhe situata vlerësohet si stabile dhe nën kontroll.

Bilalli: Përplasjet Shkup-Sofje të panevojshme, i dimë detyrimet tona

7 January 2026 at 17:34


Fërkimet e fundit diplomatike mes Shkupit dhe Sofjes lidhur me Planin Aksionar për mbrojtjen e pakicave në RMV, si udhërrëfyes që i hap rrugën përfshirjes së bullgarëve në Kushtetutë, sipas profesorit universitar, Mersel Bilalli, janë manipulime të kota ngase detyrimet tona rrjedhin nga vendimet Këshillit Evropian dhe kuvendit tonë dhe nuk janë më çështje bilaterale.

“Ajo është një marrëveshje pra e cila ka kaluar në Këshillin Evropian, organi më i lartë i BE-së dhe ai tani është obligimi yni, së dyti, ne pra pas miratimit të kësaj marrëveshje, ajo marrëveshje ka kaluar edhe në Parlamentin e RMV-së, dhe, ne jemi të obliguar në bazë të vendimit të parlamentit tonë… Këtu Bullgaria paraqitet si faktor i tretë, nuk kemi më tutje çka të ushtrojmë bisedime me Bullgarinë por duhet ta implementojmë atë marrëveshje, përndryshe e shkelim të drejtën ndërkombëtare.”, u shpreh për TVM2 profesorit universitar, Mersel Bilalli.

Bilalli shton se edhe krizat e njëpasnjëshme politike në Bullgari nuk janë pengesë për vendin tonë për të hapëruar drejt BE-së, sepse ne kemi kornizë të cilës i mungon vullneti politik për ta zbatuar. Ai fton politikanët sidomos ata shqiptarë që të gjejnë metodologji dhe ta kthejnë shtetin në kursin evropian në kohën kur krizat globale shtohen dita-ditës.

“Mendoj se manipulimi i politikës ditore është ajo që nga strukturat tona herë pas here potencohet se, ja, kemi fatkeqësi që në Bullgari nuk ka qeveri stabile, herë pas here ka qeveri politike, teknike pra kjo është vetëm një arsyetim që ta defokuson problemin se problemi është mes Maqedonisë dhe Bullgarisë… Politikisht kjo strukturë nuk e ka fokus Unionin Evropian… Gjithsesi duhet shqiptarët pa dallim nëse janë në qeveri apo jo të fokusohen që sa më shpejt të miratojnë ndryshimet kushtetuese dhe t’i zhvillojmë bisedimet me BE-në.”, u shpreh Bilalli.

Shkupi dhe Sofja riaktualizuan verbalitetin diplomatik pas përgatitjes së Planit Aksionar për mbrojtjen e pakicave ku fqiu lindor shprehu shqetësim për siç thanë, shmangien e Shkupit nga konkluzat e vitit 2022. Ndërkohë, vendi ynë kërkoi nga Sofja që të sillet në mënyrë evropiane dhe t’ia respektojë gjuhën maqedonase. Zyrtarë shtetëror mbrojnë tezën se Plani për pakicat është përgatitur në konsultim me ekspertë të jashtëm e të brendshëm, duke respektuar edhe parimet ndërkombëtare.

❌
❌