LONDËR, 15 janar /ATSH/- Udhëheqësit e kanë ashpërsuar gjuhën e tyre në mbështetje të Danimarkës, por çmimi i përballjes është i lartë, sipas “The Guardian”.
Paralajmërimi i presidentit amerikan, Donald Trump për të marrë kontrollin e Groenlandës në një mënyrë ose në tjetrën, e ka lënë territorin dhe fuqinë e saj sovrane, Danimarkën, të tronditur dhe pjesën tjetër të Evropës duke kërkuar mënyra për ta ndaluar atë.
Pas tronditjes nga sulmi ushtarak i SHBA-së ndaj Venezuelës, ambicia e Trump për të aneksuar Groenlandën, nuk shihet më në Evropë si mburrje apo fantazi, por si një qëllim serioz, i nxitur nga ideologjia, ekspansionizmi neo-imperial dhe interesi i SHBA-së për minerale të rëndësishme.
Mospërfillja e vetërrëfyer e Trump për të drejtën ndërkombëtare po ekspozon sërish dilemën e dhimbshme të shkaktuar nga varësia paralizuese e Evropës ndaj SHBA-së për sigurinë ushtarake: a duhet të përballet me SHBA-në apo ta qetësojë atë?
Menjëherë pas bastisjes në Venezuelë – e cila u prit me heshtje nga Evropa – ndihmësi i Trump, Stephen Miller, tha në një intervistë për CNN se askush nuk do të luftonte Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Groenlandën.
A ka të drejtë Miller? Në ditët e fundit ka pasur një ndryshim tonesh.
Udhëheqësit e gjashtë fuqive evropiane – Franca, Gjermania, Spanja, Italia, Polonia dhe Britania e Madhe lëshuan një deklaratë të rrallë të përbashkët, duke rikonfirmuar mbështetjen e tyre për sovranitetin danez dhe, në fakt, duke paralajmëruar Trump të mos prekë Groenlandën.
“Groenlanda i përket popullit të saj. Është detyrë e Danimarkës dhe Groenlandës dhe vetëm ata mund të vendosin për çështjet që kanë të bëjnë me Danimarkën dhe Groenlandën”, tha BE-ja.
Por se çfarë lloj “lufte” janë të gatshme të bëjnë këto fuqi evropiane për Groenlandën nëse diplomacia dështon, mbetet e paqartë!
Në një takim dje në Uashington, Danimarka kërkoi të ulte tensionet e krizës me premtime sigurie, ndërsa këmbënguli se Groenlanda nuk ishte në shitje.
Shumë banorë të Groenlandës janë të pavendosur për Danimarkën për shkak të trashëgimisë së saj koloniale, por të dy qeveritë, për momentin, janë në një linjë të drejtë.
Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, pritej të risillte më shumë ide të shekullit XIX, siç është “blerja” e shkëputjes së territorit.
“Justifikimi i Trump për të përdorur armë kundër një aleati besnik të NATO-s, për të mbrojtur Groenlandën nga agresioni i supozuar i ardhshëm nga Rusia ose Kina, nuk qëndron”, thanë analistët.
Shqetësimet e sigurisë së SHBA-së mund të përmbushen pa aneksuar Groenlandën.
Groenlanda ka qenë një territor gjysmëautonom që nga viti 1979, por si pjesë e Danimarkës, ajo mbrohet nga NATO.
Trump mund të kërkojë që aleatët e SHBA-së në NATO të forcojnë mbrojtjen e kufijve të jashtëm të territorit, të vendit strategjik.
Traktatet ekzistuese të epokës së luftës së ftohtë midis Danimarkës dhe SHBA-së për mbrojtjen e përbashkët të Groenlandës – i japin Uashingtonit dorë të lirë për të dislokuar më shumë trupa.
Gjithashtu, mund të rihapë 16 nga 17 bazat ushtarake amerikane që operonin më parë, por më pas i mbylli.
Ndërsa alarmi rritet në Danimarkë dhe në vetë Groenlandën – Britania e Madhe mund të luajë një rol më aktiv për të çaktivizuar këtë krizë.
Qeveria e Keir Starmer shpreson të ndërmjetësojë një “modus vivendi” me Uashingtonin.
Duke mbajtur një profil të ulët në Venezuelë, Starmer shpreson që shqetësimet amerikane për sigurinë në të gjithë rajonin e Arktikut, mund të adresohen sipas traktateve ekzistuese, duke zbutur frikën e Danimarkës në lidhje me “pronësinë”.
Starmer dhe Trump kanë zhvilluar biseda telefonike dy herë javën e fundit, për të mbrojtur “veriun e lartë” nga një pushtim i mundshëm rus.
Sipas pikëpamjes britanike ekziston një marrëveshje për Groenlandën.
Vështirësia me administratën amerikane, është identifikimi i saktë i motiveve të presidentit Trump kur ai flet për ‘pronësinë’.”
Greonlanda duket se ka një cilësi mistike për Trump, por a do të thotë kjo që ai dëshiron të jetë në gjendje të tregojë hartën e SHBA-së dhe të tregojë se territori i saj është zgjeruar duke përfshirë Grenlandën? Kjo është ajo që mbetet e paqartë.
Starmer ka dërguar sekretaren e tij të jashtme, Yvette Cooper, në Finlandë dhe Norvegji.
Përpara vizitës së saj, ajo nuk përmendi drejtpërdrejt Groenlandën apo nevojën për të zmbrapsur kërcënimet e Trump, por i bëri thirrje NATO-s të rriste përpjekjet në Arktik për të mbrojtur interesat euroatlantike në rajon.
“Ndërsa ndryshimi i klimës hap Arktikun, rajoni do të bëhet një kufi gjithnjë e më i rëndësishëm për NATO-n”, tha Cooper.
“Duke iu referuar ndryshimit të klimës, shkrirjes së akullit të Arktikut dhe thellimit pasues të kërcënimeve që paraqet Rusia – Britania e Madhe po pranon vlefshmërinë e shqetësimeve të Trump, por sigurisht jo zgjidhjen e tij përmes pushtimit amerikan.
Megjithatë, ndërsa Trump duket se është gati të shkatërrojë NATO-n për hir të kontrollit të Groenlandës, cilado qofshin motivet e tij, opsionet e Evropës duken se paraqesin rrezik.
Por, ka karta strategjike që Evropa mund të luajë. Robert Habeck, ish-zëvendëskancelari i Gjermanisë, tha të hënën se Evropa duhej t’i ofronte Groenlandës një kthim në anëtarësimin në BE, së bashku me një paketë masive investimesh, për të shmangur kërcënimet e SHBA-së.
Groenlanda u largua nga Komunitetet e atëhershme Evropiane në vitin 1985, për të rifituar kontrollin e peshkimit të saj.
Fabian Zuleeg, drejtori ekzekutiv i Qendrës së Politikave Evropiane në Bruksel, tha se nëse BE-ja qëndronte e bashkuar, mund t’i tregonte Trump se masa e tij e ashpër do të kishte pasoja.
Ai tha se Evropa duhet të shmangte gjestet simbolike dhe të merrte masa që jehonin brenda SHBA-së dhe dëmtonin Trump dhe zgjedhjet e tij politike aty ku ka më shumë rëndësi, me bazën e tij politike.
“Tregtia, qasja në treg, bashkëpunimi rregullator dhe partneritetet industriale kanë të gjitha ndikim”, shtoi ai. //a.i/
The post “The Guardian”: Sa larg do të shkojë Evropa për të mbrojtur Groenlandën nga Trump? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.