Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 11 January 2026Main stream

Ilir Beqaj letër publike SPAK nga qelia/ Ja çfarë kërkon

By: Fax Web
11 January 2026 at 13:53

Ish-ministri Ilir Beqaj nuk heq dorë nga kërkesa për të lexuar dosjen e tij.

Në një letër bërë publike nga avokati i tij, Ermal Yzeiraj, Beqaj shprehet se që prej korrikut 2025, në mënyrë të përsëritur dhe me shkrim, mbrojtja e tij i është drejtuar SPAK me disa kërkesa dhe pyetje, për të cilat nuk ka marrë përgjigje.

Sipas Beqajt, nuk kanë kërkuar sekrete hetimore” dhe as të të cenojnë asnjë proces.

Kemi kërkuar minimumin që çdo shoqëri e drejtë e quan të arsyeshëm: të dimë mbi çfarë baze teknike ngrihet një provë që mund të rëndojë mbi jetën e një njeriu. Dhe përgjigjja? Heshtje. Këtu lind pyetja që nuk është as politike, as personale. Është pyetje elementare e drejtësisë. A mund të quhet “standard i lartë” një metodë që nuk pranon të identifikohet? A mund të quhet “ndërkombëtarisht e njohur” një praktikë që nuk guxon të thotë emrin e vet?”, shprehet Beqaj, që sipas tij kjo është dhe arsyeja se përse kërkesat po i bën publike.

Reagimi i plotë:

Në praktikën penale po haset shpesh që pajisjet digjitale (laptopë, desktopë, smartphone) trajtohen si “sende/prova materiale” në kuptimin klasik, ndërkohë që thelbi i ndërhyrjes nuk është hardëare-i, por të dhënat e ruajtura në to.

Në çështjen “Studio Pustina” (vendim i Gjykatës Kushtetuese) del në pah një debat thelbësor: si duhet kuptuar “sistemi kompjuterik” dhe cilat garanci procedurale kërkohen kur organet e procedimit penal nxjerrin dhe kopjojnë të dhëna.

Arsyetimi i këtij vendimi hedh dritë edhe mbi shkelje të të drejtave themelore që u bëhen shtetasve shqiptarë në të tri shkallët e gjykimit penal në Shqipëri.

Vendimet:

  1. 206, datë 01.06.2023, të GJKKO-së, shkalla e parë;
  2. 128, datë 15.09.2023, të GJKKO-së, apel;
  3. 00-2024-741 (26), datë 08.02.2024, të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë;

janë, në vlerësimin tim, në kundërshtim me KEDNJ-në, Kushtetutën, Konventën e Budapestit dhe KPrP-në, lidhur me administrimin e të dhënave kompjuterike.

Të tri vendimet e sipërcituara keqlexojnë përkufizimin e “sistemit kompjuterik” në nenin 1 të Konventës së Budapestit.

Një lexim i kuptueshëm i përkufizimit është ky:

“Sistem kompjuterik” do të thotë:

çdo pajisje që, në bazë/në zbatim të një programi, kryen përpunimin automatik të të dhënave;

ose

një grup pajisjesh të ndërlidhura ose të lidhura, një ose më shumë prej të cilave, në bazë/në zbatim të një programi, kryejnë përpunimin automatik të të dhënave.

Qoftë rasti (1), qoftë rasti (2), kanë të përbashkët faktin që, në bazë/në zbatim të një programi, kryejnë përpunimin automatik të të dhënave.

Kriteret e mësipërme për t’u quajtur “sistem kompjuterik” i plotëson sot edhe çdo smartphone. Është pajisje, e lidhur dhe e ndërlidhur me pajisje të tjera dhe, në bazë të një programi, kryen përpunim automatik të të dhënave. (Edhe pa këtë element “lidhjeje”, vetë alternativa “çdo pajisje” në përkufizim është e mjaftueshme.)

Janë këto të fundit, dmth. të dhënat, ato që u interesojnë hetuesve dhe prokurorëve. Prandaj sekuestrimi i një kompjuteri nuk ka si të jetë qëllim në vetvete. Qëllimi janë të dhënat.

Pasi sekuestrohet sistemi kompjuterik, sipas asaj që SPAK, si subjekt i interesuar, ka parashtruar në Gjykatën Kushtetuese në çështjen Pustina (pika 16.8 e vendimit të GJK-së), “imazhet dhe kopjet e raporteve të të dhënave të nxjerra ruhen në pajisje ruajtëse që nuk janë të lidhura në internet”. Thelbi janë “të dhënat e nxjerra”. Janë këto që, realisht, sekuestrohen.

Sekuestrimi i të dhënave kompjuterike për qëllim të një procedimi penal gjen rregullim në nenin 208/a të KPrP-së (Sekuestrimi i të dhënave kompjuterike). Titulli i nenit është “Sekuestrimi i të dhënave kompjuterike”. Dispozita e lidh zbatimin me “krime që lidhen me teknologjinë e informacionit”, por në praktikë prova digjitale (të dhënat kompjuterike) shfaqet në një numër shumë të madh procedimesh penale, edhe kur vepra penale nuk është “krim i TI-së”.

Prandaj, bazuar në përkufizimin e Konventës së Budapestit dhe në nenin 208/a të KPrP-së, sekuestrimi i të dhënave kompjuterike bëhet, si rregull, vetëm pas një urdhërimi gjyqësor (dhe me kufij të qartë të ndërhyrjes).

Qëllimi janë “të dhënat”, jo “sendi”.

Kur sekuestrohet një pajisje, hetimi realisht synon hyrjen, kërkimin, nxjerrjen, kopjimin dhe analizimin e të dhënave. Edhe vetë praktika e ruajtjes së “imazheve/kopjeve” të të dhënave (offline, jashtë internetit) e pranon që objekti real janë të dhënat e nxjerra.

Sipas tri vendimeve të sipërcituara:

“Pajisjet e sekuestruara, ndërsa janë të pandërlidhura në një rrjet/sistem kompjuterik, në referim të nenit 1 të Konventës ‘Për krimin në fushën e kibernetikës’ (Konventa e Budapestit), nuk janë sisteme kompjuterike në kuptim të nenit 208/a të KPP-së, por veçse mekanizma të automatizuar ose sende në kuptim të nenit 187 të KPP-së, të cilat, me të dhënat apo gjurmët që mund të përmbajnë, shërbejnë si prova materiale.”

Së pari, më lart është dhënë shpjegimi pse edhe një kompjuter i vetëm është “sistem kompjuterik” sipas Konventës (përkufizimi nis me “çdo pajisje”). Për më tepër, në praktikë, mjafton një smartphone që, me anë të Bluetooth-it, kompjuteri të lidhet dhe të ndërlidhet me pajisje të tjera.

Së dyti, “mekanizma të automatizuar” nuk është një kategori e qartë ligjore e parashikuar nga KPrP-ja dhe përdorimi i saj pa bazë normative rrezikon të kthehet në një etiketë që anashkalon garancitë e provës digjitale.

Së treti, pohimi “mekanizma të automatizuar ose sende” është ose alogjik, ose tallës. Nëse një gjë është mekanizëm i çdo lloji, patjetër që është send. Një send e përfshin në vetvete edhe një mekanizëm.

Kur pajisja quhet “send”, rrezikon të anashkalohen garancitë për të dhënat. Në vendimmarrjet gjyqësore të sipërcituara është përdorur arsyetimi se pajisjet “nuk janë sisteme kompjuterike” (p.sh. pse s’janë të ndërlidhura), ndaj trajtohen si “sende” (neni 187 KPrP) ose “mekanizma të automatizuar”.

Prova janë të dhënat, jo kompjuteri ku ato janë ruajtur.

Një kasafortë nuk merret si qëllim në vetvete; merret për paratë që dyshohet se janë brenda. Një armë zjarri nuk qëllon pa fishek. Po kështu, sekuestrimi i një laptopi apo smartphone-i nuk ka kuptim si objekt në vetvete: kuptimi i vërtetë (dhe rreziku për të drejtat themelore) lidhet me hyrjen, kërkimin, nxjerrjen dhe kopjimin e të dhënave.

Por, meqë tri gjykatat i janë referuar Konventës së Budapestit, ajo duhet lexuar e tëra.

Neni 14 – Sfera e zbatimit të dispozitave procedurale

Çdo Palë duhet të adaptojë një legjislacion të tillë dhe masa të tjera të nevojshme që të vendosen kompetencat dhe procedurat e caktuara në këtë seksion për shkak të hetimeve apo gjykimeve specifike penale.

Përveç kur parashikohet ndryshe në nenin 21, çdo Palë aplikon kompetencat dhe procedurat e referuara në paragrafin 1 në:

  1. a) veprat penale të përcaktuara në përputhje me nenet 2–11 të kësaj Konvente;
  2. b) vepra të tjera penale të kryera nëpërmjet një sistemi kompjuterik; dhe
  3. c) mbledhjen e fakteve në formë elektronike të një vepre penale.

Pika (c) e paragrafit 2 të nenit 14 të Konventës (mbledhja e fakteve në formë elektronike të një vepre penale) është ligj në Shqipëri prej më shumë se 20 vjetësh. Ky lloj ligji ka përparësi ndaj ligjit të brendshëm kur ka mospërputhje, sepse është një marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar me ligj. Për fat të keq, ky përcaktim ligjor shpërfillet haptazi nga gjyqtarë, prokurorë dhe hetues.

Vitet e fundit, shumica e gjykimeve penale në Shqipëri lidhen me të dhëna të gjetura ose në kompjuter, ose në smartphone, ose në platforma elektronike komunikimi.

Shpërfillja e Konventës së Budapestit çon edhe në procese gjyqësore të shumta.

Në çështjen “Pustina” të sipërcituar, SPAK, në cilësinë e subjektit të interesuar, ka parashtruar para Gjykatës Kushtetuese (pika 16.8 e vendimit të GJK-së): “Ekspertimi bazohet në përcaktime të qarta ligjore për kompetencën e ekspertëve dhe në standarde të larta teknike, ndërkombëtarisht të njohura, për programet e përdorura.”

Kjo fjali tingëllon si garanci. Si siguri. Si angazhim se prova digjitale trajtohet me rigorozitet dhe kontroll.

Por standardet, nëse janë reale, kanë një veti që nuk e humbin kurrë: mund të emërtohen.

Që prej korrikut 2025, në mënyrë të përsëritur dhe me shkrim, mbrojtja ime ka kërkuar në SPAK:

Cilat janë standardet ndërkombëtare të digital forensics që zbatohen?

Kush i njeh/akrediton?

Prej cilës date zbatohen?

Nuk kemi kërkuar “sekrete hetimore”. Nuk kemi kërkuar të cenojmë asnjë proces. Kemi kërkuar minimumin që çdo shoqëri e drejtë e quan të arsyeshëm: të dimë mbi çfarë baze teknike ngrihet një provë që mund të rëndojë mbi jetën e një njeriu.

Dhe përgjigjja? Heshtje.

Këtu lind pyetja që nuk është as politike, as personale. Është pyetje elementare e drejtësisë.

A mund të quhet “standard i lartë” një metodë që nuk pranon të identifikohet?

A mund të quhet “ndërkombëtarisht e njohur” një praktikë që nuk guxon të thotë emrin e vet?

Prandaj po e kërkoj edhe publikisht.

Nëse standardet ekzistojnë, na thoni cilat janë.

Nëse zbatohen, na tregoni prej kur.

Nëse janë të certifikuara/akredituara, na tregoni nga kush.

Sa më sipër duhet të jetë në vëmendjen e KLGJ-së, KLP-së dhe ILD-së.

Por edhe politika nuk duhet të rrijë mënjanë.

Do të mjaftonte një Komision Hetimor Parlamentar për të hetuar respektimin e Konventës së Budapestit dhe të procedurës penale në çdo procedim penal të regjistruar në Shqipëri pas daljes së vendimit njësues të Gjykatës së Lartë të dhjetorit 2021 në të cilët janë sekuestruar kompjuterë ose smartphone.

Duke qenë se nga gjyqtarë dhe prokurorë bëhen haptazi keqlexime dhe keqcitime të dispozitave të ndryshme ligjore, përngjitur është edhe një version më i shtjelluar i këtij shënimi, ku jepen të plota tekstet e referimeve ligjore të përmendura.

Ilir Beqaj

Grupet e verifikimit zbresin në terren, rreth 120 banesa të prekura nga përmbytjet në Ferras

By: Fax Web
11 January 2026 at 13:37

Katër grupe komisionesh verifikimi kanë dalë në terren paraditen e sotme në fshatin Ferras për të konstatuar dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e ditëve të fundit.

Procesi i verifikimit po zhvillohet si brenda ashtu edhe jashtë argjinaturës, në kuadër të fazës së parë të evidentimit të prezencës së ujit dhe pasojave të tij në banesa.

Sipas të dhënave paraprake nga komisionet në terren, deri më tani janë evidentuar rreth 120 banesa të prekura, ku dëmet nuk kufizohen vetëm brenda ambienteve të brendshme të shtëpive, por shtrihen edhe në oborre, magazina, pajisje bujqësore dhe infrastrukturë ndihmëse. Në shumë raste, uji ka depërtuar në banesa duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, raporton korrespondenti i Top Channel Neritan Trifoni.

Fillimisht, puna e komisioneve ka nisur në zonën brenda argjinaturës, ku situata paraqitet më problematike për shkak të qëndrimit të ujit për disa orë. Më pas, verifikimet do të vijojnë edhe në banesat e dëmtuara nga vërshimi i ujit mbi kanalin e Martines, ku prurjet e shtuara kanë dalë nga shtrati duke përmbytur zona të tëra banimi.

Komisionet po dokumentojnë çdo rast me procesverbale, fotografi dhe të dhëna të detajuara, të cilat do t’i shërbejnë institucioneve përkatëse për hartimin e raportit përfundimtar dhe vlerësimin e masave të nevojshme për ndihmë dhe dëmshpërblim.

Autoritetet lokale bëjnë me dije se procesi i verifikimit do të vijojë edhe në ditët në vijim, ndërsa u bëhet thirrje banorëve të bashkëpunojnë me komisionet dhe të raportojnë çdo dëm të shkaktuar nga përmbytjet. Situata në zonë mbetet nën monitorim të vazhdueshëm, ndërkohë që strukturat e emergjencave janë në gatishmëri.

LEXO EDHEMoti i keq, Mbrojtja Civile: Ja qarqet ku situata paraqitet më problematike

Indeksimi i akcizës/ Paketat dhe “vape”, më shtrenjte prej 1 janarit

By: Fax Web
11 January 2026 at 13:34

Shtrenjtimi i cigareve ka nisur të reflektohet në tregun shqiptar, pas hyrjes në fuqi të indeksimit të akcizës, parashikuar në ligjin për taksat kombëtare.

Rritja e taksës ka ndikuar drejtpërdrejt në çmimin e paketave të duhanit, të cilat tashmë po shiten më shtrenjtë në pikat e shitjes.

Sipas dokumentit shoqërues të projektligjit, akciza për cigaret është indeksuar nga 7 mijë e 500 lekë në 7 mijë e 750 lekë për 1 mijë fije, një rritje prej 250 lekësh, që përkthehet në disa lekë më shumë për çdo paketë për konsumatorin final.
Paralelisht, rritje është aplikuar edhe për produktet alternative të duhanit.
Akciza për duhanin elektronik dhe lëngjet “vape” është rritur nga 18 në 20 lekë për mililitër, duke i futur këto produkte për herë të parë në një regjim më të fortë fiskal.
Qeveria argumenton se indeksimi i akcizës synon rritjen e të ardhurave buxhetore, por edhe frenimin e konsumit të duhanit, në funksion të mbrojtjes së shëndetit publik.
Megjithatë, të dhënat tregojnë se kërkesa mbetet e lartë. Importet e duhanit kanë arritur mbi 3 mijë e 150 tonë, niveli më i lartë i regjistruar deri më tani.
Autoritetet parashikojnë që nga kjo masë, buxheti i shtetit të arkëtojë rreth 1 miliard lekë shtesë gjatë këtij viti, ndërsa çmimet e cigareve pritet të vijojnë rritjen graduale edhe në vitet në vijim.

Rritet numri i viktimave nga protestat në Iran, Teherani paralajmëron SHBA dhe Izraelin

By: Fax Web
11 January 2026 at 13:25

Protestat në Iran nuk janë ndalur as gjatë fundjavës, pavarësisht se qindra njerëz raportohen të vrarë dhe forcat e sigurisë kanë goditur dhunshëm demonstratat.

Edhe të dielën protestuesit mbushën rrugët e qyteteve më të mëdha të vendit duke kërkuar rrëzimin e regjimit të Ajatollah Khamenei, ndërsa mjekët kanë folur për më shumë se 200 viktima.

Me ndërprerjen e internetit në Iran dhe ndërprerjen e linjave telefonike, matja e demonstratave nga jashtë është bërë më e vështirë. Por numri i të vdekurve në protesta është rritur, ndërsa 2600 të tjerë janë ndaluar.

Ndërkohë autoritetet e vendit i janë kundërpërgjigjur presidentit amerikan Donald Trump, i cili tha se Shtetet e Bashkuara do të ndërhyjnë nëse forcat e sigurisë qëllojnë ndaj protestuesve.

Kryetari i parlamentit të Iranit paralajmëroi se ushtria amerikane dhe Izraeli do të ishin objektiva legjitimë nëse Uashingtoni godet vendin.

“Në rast të një sulmi ndaj Iranit, si territori i pushtuar ashtu edhe të gjitha qendrat, bazat dhe anijet ushtarake amerikane në rajon do të jenë objektivat tanë legjitimë”, tha kryeparlamentari.

Ai madje paralajmëroi protestuesit, duke thënë se ata që arrestohen do të ndëshkohen në mënyrën më të ashpër.

Edhe prokurori i përgjithshëm i vendit, paralajmëroi se kushdo që merr pjesë në protesta do të konsiderohet “armik i Zotit”, një akuzë që dënohet me dënim me vdekje.

Ndërkohë sipas The New York Times dhe Wall Street Journal, që citojnë zyrtarë anonimë amerikanë, se Trumpit i ishin dhënë mundësi ushtarake për një sulm ndaj Iranit, por nuk kishte marrë një vendim përfundimtar.

Moti i keq, Mbrojtja Civile: Ja qarqet ku situata paraqitet më problematike

By: Fax Web
11 January 2026 at 13:09
Reshjet intensive të shiut dhe dëborës gjatë orëve të fundit kanë përfshirë një pjesë të madhe të territorit të vendit, duke krijuar problematika të natyrës hidrologjike dhe infrastrukturore në disa qarqe.
Situata paraqitet më problematike në qarqet Shkodër, Durrës, Dibër, Berat, Fier, Korçë dhe Gjirokastër, ndërsa në qarqet e tjera situata ka qenë me problematika të kufizuara dhe të menaxhueshme.
Njoftimi i Agjencisë së Mbrojtjes Civile:
Në Qarkun Shkodër, rritja e nivelit të lumenjve Drin, Kir dhe Bunë ka sjellë rritje të prezencës së ujit në zonën e Obotit dhe Dajçit si dhe përmbytje të tokave bujqësore në zonën Urrelat–Shirq. Aksi rrugor që lidh fshatin Obot me rrugën kryesore është i pakalueshëm për mjetet e ulëta. Nuk raportohen përmbytje banesash, ndërsa argjinaturat dhe kanalet kulluese, shkarkuesit dhe diga e rezervuarit të Shkodrës vijojnë të jenë funksionale. Strukturat vendore po monitorojnë situatën në mënyrë të vazhdueshme.
Në Qarkun Durrës, situata po shkon drejt përmirësimit në zonat e përmbytura të Sukthit dhe Katundit të Ri, megjithatë vijon prezenca e ujit në rreth 1 800 hektarë toka bujqësore dhe në disa banesa në zona të veçanta të Kënetës dhe Shkozetit. Janë kryer ndërhyrje për lirimin e akseve rrugore dhe për funksionalizimin e shkarkuesve, me qëllim shmangien e përkeqësimit të situatës.
Në Qarkun Dibër, reshjet e dëborës kanë shkaktuar bllokime rrugësh në disa njësi administrative si dhe ndërprerje të energjisë elektrike në zona të caktuara. Qarkullimi në akset kryesore po mbahet i kontrolluar, ndërsa në rrugët rurale po punohet për hapjen dhe garantimin e aksesit. Po ashtu vijon operacioni i kërkimit për një shtetas të humbur, me angazhimin e forcave të specializuara.
Në Qarkun Berat, rritja e prurjeve të lumenjve Osum dhe Devoll ka sjellë përmbytje të tokave bujqësore dhe prezencë uji në disa banesa dhe objekte publike si dhe evakuimin e disa familjeve për arsye sigurie. Situata po menaxhohet nga strukturat vendore, me mbështetjen e forcave të emergjencës.
Në Qarkun Fier, lumenjtë Seman dhe Shkumbin kanë dalë nga shtrati në disa zona, duke përmbytur sipërfaqe të konsiderueshme toke bujqësore dhe duke prekur disa banesa. Strukturat e bashkive ndodhen në gatishmëri të plotë dhe po vlerësojnë në mënyrë të vazhdueshme nevojën për masa shtesë.
Në Qarqet Korçë dhe Gjirokastër, problematikat lidhen kryesisht me rrëshqitje dherash, dëmtime infrastrukturore, bllokime rrugësh dhe evakuime të kufizuara të disa familjeve në zona me rrezik.
Puna në terren vijon për hapjen e akseve rrugore dhe eliminimin e rrezikut për banorët.
Forcat e Armatosura janë angazhuar në disa qarqe të vendit me efektivë dhe mjete të specializuara për ndërhyrje emergjente, lirimin e rrugëve të bllokuara, evakuimin e banorëve dhe mbështetjen e autoriteteve vendore.
U bëjmë thirrje banorëve të zonave të prekura të tregojnë kujdes maksimal, të shmangin zonat me rrezik përmbytjeje apo rrëshqitjeje dhe të ndjekin udhëzimet e institucioneve përgjegjëse.

Sot finalja Barcelona-Real Madrid, ja sa përfiton skuadra fituese e Superkupës së Spanjës

By: Fax Web
11 January 2026 at 12:44

Federata Spanjolle e Futbollit ka rritur shpërblimin për skuadrat pjesëmarrëse dhe bën një shpërndarje më të ekuilibruar të tyre në bazë të rezultateve.

Mësohet se shpërblimi financiar në këtë kompeticion shkon nga 19 milionë euro që ishte në 2025 në 21.3 milionë për këtë vit.

Si pikë nisje, shpërndahen 16.3 milionë euro mes 4 skuadrave pjesëmarrëse vetëm për faktin që kanë udhëtuar drejt Arabisë Saudite për të qenë në këtë kompeticion, një rritje kjo në krahasim me 14.95 milionë euro për sezonin e kaluar. Në atë kohë, Reali siguroi 6.15 milionë euro, Barcelona 6 milionë, Athletic Bilbao 2 milionë euro dhe Mallorca 850 mijë euro

Pas kësaj, në lojë janë edhe 5 milionë euro të tjerë, shifër më e lartë në krahasim me vitin e kaluar që ishte 4 milionë.

Vitin e kaluar, Barcelona dhe Real Madrid fituan nga 1 milion euro secili për fitoret në gjysmëfinale, me katalanasit që përfituan edhe 2 milionë euro të tjerë për triumfin final.

Për këtë vit, skuadra që do të ngrejë trofeun do të fitojë 2 milionë euro, ndërsa skuadra nënkampione 1.4 milionë euro, ndërsa vendi i tretë dhe i katërt nga 800 mijë euro secili

E gjithë kjo iu referohet skuadrave pjesëmarrëse, por në përgjithësi, Superkupa e Spanjës i gjeneron 51 milionë euro Federatës Spanjolle të Futbollit. Një sasi e ardhurash që janë të destinuara për zhvillimin e këtij sporti sidomos futbollit bazë.

Finalja e Superkupës, Barcelona-Real Madrid, luhet sot në Jeddah, duke nisur nga ora 20:00.

VIDEO-EMRI/ Arrestohet “Skiferi” në Korçë, zbardhen dhe dokumentohen 5 raste vjedhjesh në banesa

By: Fax Web
11 January 2026 at 12:35

Erjon Berberi, 38 vjeç, është vënë në pranga nga Policia e Korçës.

Sipas njoftimit të uniformave blu, nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas është autori i dyshuar i vjedhjes së banesës së shtetasit Gj. M. (rezident në Greqi), ngjarje e ndodhur më datë 10.01.2026, në lagjen nr. 3, Korçë, ku janë vjedhur sende të ndryshme.

Gjithashtu, nga hetimet e mëtejshme rezulton se ky shtetas dyshohet se ka kryer edhe 4 vjedhje të tjera në qytetin e Korçës, të ndodhura në datat 28.09.2024; 20.03.2025; 06.01.2026 dhe 01.01.2026, ku ka marrë bizhuteri, lekë, orendi e sende të tjera me vlerë.

Njoftimi i Policisë Korçë:

Vijon puna për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë.

Zbardhen dhe dokumentohen 5 raste të vjedhjes së banesave në qytet, kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar i tyre, i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë ligjore, pas një pune të mirëfilltë hetimore, identifikuan, kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasin:

E. B., 38 vjeç, banues në Korçë, i dënuar më parë për vjedhje.

Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas është autori i dyshuar i vjedhjes së banesës së shtetasit Gj. M. (rezident në Greqi), ngjarje e ndodhur më datë 10.01.2026, në lagjen nr. 3, Korçë, ku janë vjedhur sende të ndryshme.

Gjithashtu, nga hetimet e mëtejshme rezulton se ky shtetas dyshohet se ka kryer edhe 4 vjedhje të tjera në qytetin e Korçës, të ndodhura në datat 28.09.2024; 20.03.2025; 06.01.2026 dhe 01.01.2026, ku ka marrë bizhuteri, lekë, orendi e sende të tjera me vlerë.

Vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjeve të lartpërmendura, ngjarjeve të tjera në të cilat mund të jetë implikuar dhe bashkëpunëtorëve të dyshuar të tij.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.

VIDEO/ Tjetër mesazh për Silvinhon! Sulmuesi shqiptar vijon të shënojë në Angli

By: Fax Web
11 January 2026 at 12:25

Për Anis Mehmetin është kthyer në normalitet, që të kontribuojë me gola prej dy sezonesh në Angli.

I radhës nga ana e tij u shënua në FA Cup, ndërsa dyfishoi shifrat në favor të Bristol City ndaj Watford (5-1).

Ishte minuta 37-të, kur Mehmeti u vendos në vendin e duhur dhe dërgoi topin në rrjetë për 2 me 0.

Dje mbushi 25 vjeç dhe për të ishte goli i dytë në këtë fillimviti. Kujtojmë se shënoi edhe në Championship, më 1 janar.

E ardhmja mbetet në dyshim te Bristol City. Kontrata i përfundon në fundin e sezonit dhe rinovimi deri tani ka munguar.

Mehmeti ndërkohë nuk ftohet te Kombëtarja e Shqipërisë prej vitit 2023. Aktualisht është një prej futbollistëve më të vlerësuar shqiptar.

VIDEO – “Dua të shoh Dajtin me borë, po…”/ Braçe: E pakthyeshme, duhej menduar kur ndërtohej

By: Fax Web
11 January 2026 at 12:14

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka ndarë një postim në rrjetet sociale me pamje të Tiranës.

Ai e ka drejtuar kamerën nga Mali i Dajtit i mbuluar nga dëbora, pamja e të cilit më pas ndërpritet nga një prej ndërtesave të larta të kryeqytetit.

Në shkrimin që shoqëron videot, ai shkruan se po bëhet gjithnjë e më rrallë që të shijosh këto pamje, pasi është e mundur ta shohësh vetëm nga tarracat e pallateve. “Është e pakthyeshme”, shprehet Braçe.

Postimi i Braçes:

TIRANA E MADHE

Në një qytet me malin pranë, unë dua të shoh malin, veçanërisht në rastin e rrallë me dëborë.

Ashtu siç në një qytet me det, unë dua të shoh detin, veçanërisht kur vjen me tërsëllumë të pastrojë brigjet.

Në Tiranë ka gjithnjë e më pak kënde të shohesh malin dhe bukurinë e tij, veç nga tarracat e pallateve;

Është e pakthyeshme kjo, duhej menduar kur ndërtohej!

SHIHE SA BUKUR ËSHTË!

Atentati me dy viktima në Rinas/ Prokuroria do të pyesë edhe Emiliano Shullazin

By: Fax Web
11 January 2026 at 12:40

Prokuroria e Tiranës do të marrë në pyetje Emiljano Shullazin në lidhje me atentatin në Rinas, ku mbeti i vrarë Gilamando Dani dhe ish agjenti i AMP-së, Muçi Shaljani, ngjarje e ndodhur më 11 nëntor 2025.

Shullazi do të pyetet nëse ka dyshime për persona të caktuar që kanë organizuar atentatin ndaj mikut të tij Gilmando Dani.

Ndërkohë, ditët e fundit janë marrë dëshmitë e disa personave që janë gjendur në Rinas, pasi ka dyshime se grupi kriminal ka patur informatorë në aeroport që i ka njoftuar për lëvizjet e viktimave.

DINAMIKA E ATENTATIT

Makina “Toyota Yaris” e autorëve, priti fiks 10 minuta pranë rrethrrotullimit, e ndaluar dhe me bllokazh. Brenda saj 3 qitës, dhe 1 tjetër në rolin e shoferit.

Sapo makina e Danit që drejtohej nga miku i tij Shaljani, është afruar dhe ka qenë paralel me ta, atentatorët kanë qëlluar me breshëri plumbash nga 3 kallashnikovë të ndryshëm.

Që puna e nisur të kryhej deri në fund, një prej tyre, doli nga makina, iu afrua derës së pasagjerit duke qëlluar me pistoletë, për t’u garantuar përfundimisht se shënjestra, Gilmando Dani, nuk kishte shpëtuar.

Grupi i vrasësve dyshohet se ishte nisur nga Nikla përmes rrugës së re te Ura e Tubit, e cila lidh fshatrat e Fushë Krujës me Rinasin. E njëjta u përdor edhe në kthim.

Në kohën që makina ka kaluar drejt aeroportit, por dhe në arratisje, zona pranë itinerarit të rrugës ka qenë pa energji elektrike.

Hetuesit dyshojnë që autorët të kenë gisht, pasi kamerat e sigurisë, kishin dalë jashtë loje, pa mundur të filmojnë lëvizjen e makinës që më vonë u gjet e djegur, në një rrugicë të ngushtë në fshatin Halil.

Atentati, qartazi është realizuar sipas një skemë të mirëstrukturuar, por se kush qëndron pas, është dhe sfida më e madhe e hetimit.

VIDEO/ Gruaja bëhet virale! Djeg portretin e Khamenei-t dhe me të ndez cigaren

By: Fax Web
11 January 2026 at 11:17

Në mes të një vale të re protestash që po trondit Iranin, të ushqyera nga zemërimi popullor për krizën ekonomike dhe përkeqësimin e kushteve të jetesës, po shfaqet një simbol guximi: vajza të reja që jo vetëm i vënë flakën portretit të liderit suprem Ali Khamenei, por e përdorin zjarrin për t’i ndezur një cigare.

Ky gjest bashkon refuzimin e autoritetit politiko-fetar të regjimit me kundërshtimin e normave të rrepta shoqërore që prej dekadash stigmatizojnë pirjen e duhanit nga gratë iraniane.

Pamjet, të cilat janë bërë virale në rrjetet sociale, kanë marrë mijëra shpërndarje në mbarë botën, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë për autoritetet e Teheranit të frenojnë përhapjen e tyre.

Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, deri tani, 65 protestues ka humbur jetën në rrugët e Iranit, ndërsa mbi 2300 të tjerë janë arrestuar.

Numri i vërtetë i të vdekurve mund të jetë më i lartë, pasi Agjencisë së Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut thekson se është e vështirë të përcaktohet një shifër e saktë për shkak të ndërprerjes së internetit në të gjithë vendin.

VIDEO/ Reshje dëbore në Dibër! Përdorimi i zinxhirëve, i rëndësishëm në disa akse

By: Fax Web
11 January 2026 at 11:05

Reshje dëbore me intensitet kanë përfshirë Dibrën dhe Bulqizën gjatë orëve të fundit.

Trashësia në qytetin e Peshkopisë ka arritur në 20 centimetra, ndërsa në zonat e thella varion 35-40 centimetra.

Rruga e Arbrit është e kalueshme, por duhet kujdes nga Qafa e Buallit deri në tunelin e Murrizit.

Ura e Çerenecit- Steblevë-Librazhd është e kalueshme me zinxhirë, po njësoj edhe aksi Peshkopi-Kukës.

Janë hapur rrugët drejt njësive administrative Lurë, Kala e Dodës, Muhurr, ndërsa po punohet për hapjen e fshatrave të Bashkisë Dibër me 8 mjete borëpastruese.

Mungon energjia elektrike në njësitë Lurë, Selishtë, Kala e Dodës dhe disa fshatra të Sllovës, për shkak të ngarkesës së dëborës dhe degëve të pemëve që bien mbi linja.

LEXO EDHERESHJET E DENDURA/ Ja qarqet që rrezikohen të përmbyten sot

VIDEO/ Arrestohen në flagrancë 3 kolumbiane që ushtronin prostitucion në 2 apartamente në Elbasan

By: Fax Web
11 January 2026 at 10:47

Tre vajza nga Kolumbia janë arrestuar në flagrancë nga Policia e Elbasanit pasi ushtronin prostitucion në dy apartamente në qytet. Në gjendje të lirë po hetohet pronarja e apartamenteve e akuzuar për veprën penale “Mbajtja e ambienteve për prostitucion”.

D. P., 20 vjeçe, D. M., 18 vjeçe, J. D., 34 vjeçe, janë tre personat e arrestuar të akuzuar për veprën penale “Prostitucioni”.

Gjatë kontrollit në ambientet e ushtrimit të kësaj veprimtarie të paligjshme, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale shuma parash të valutave të ndryshme, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari, celularë dhe dokumente të ndryshme.

 

Njoftimi i Policisë:

“Finalizohet pas disa javësh hetime me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “Transit”.

Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.

Arrestohen në flagrancë 3 shtetase kolumbiane që ushtronin prostitucion në 2 apartamente në qytetin e Elbasanit.

Procedohet penalisht në gjendje të lirë pronarja e apartamentit.

Sekuestrohen shuma parash të valutave të ndryshme, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari e paligjshme, dokumente identifikimi dhe celularë.   

Seksioni për Hetimin e Trafiqeve i DVP Elbasan, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale, si rezultat i hetimeve intensive të kryera me metoda speciale, në drejtimin e Prokurorisë, finalizuan operacionin e koduar “Transit”.

Nga hetimet u provua se në dy apartamente në qytetin e Elbasanit ushtrohej prostitucion nga shtetase të huaja, të cilat kontaktonin klientët nëpërmjet faqeve në internet.

Në vijim të veprimeve procedurale, u arrestuan në flagrancë shtetaset:

D. P., 20 vjeçe, D. M., 18 vjeçe, J. D., 34 vjeçe, të treja shtetase kolumbiane, për veprën penale “Prostitucioni”.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasen M. J., 34 vjeçe, pronare e apartamentit ku kryhej aktiviteti i paligjshëm, për veprën penale “Mbajtja e ambienteve për prostitucion”.

Gjatë kontrollit në ambientet e ushtrimit të kësaj veprimtarie të paligjshme, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale shuma parash të valutave të ndryshme, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari, celularë dhe dokumente të ndryshme. 

Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë.   

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme”.

RESHJET E DENDURA/ Ja qarqet që rrezikohen të përmbyten sot

By: Fax Web
11 January 2026 at 10:42

Moti i keq me reshje masive shiu vijon të mbajë të mbërthyer vendin, duke shkaktuar përmbytje në shumë qytete.

Sipas Institutit të Gjeoshkencave, si pasojë e reshjeve këtë të diel mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Vlorë dhe Gjirokastër.

Në zonat urbane, në këto qarqe mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjëndjes së kanalizimeve.

Rrezik të shtuar për përmbytje lokale do të kenë lumenjtë Ishëm, Erzen, Mat, lumi Vjosa. Lumi Drin-Buna dhe liqeni i Shkodrës do të ketë rritje të prurjeve dhe niveleve dhe rrezik të shtimit të sipërfaqeve të përmbytura në zonën e Nënshkodrës.

Gjithashtu, priten reshje dëbore në zonat në veri, lindje dhe juglindje në territorit, të cilat do të pasohen nga ulja e ndjeshme e temperaturave dhe ngricat dhe mund të krijojnë vështirësi në transportin rrugor.

Sot priten reshje mesatare deri lokalisht intensive në qarqet Shkodër dhe Elbasan, ndërsa në qarqet e tjerë priten reshje mesatare. Reshjet priten të shoqërohen me shtrëngata.

Në lartësitë mbi 600 m mbi nivelin e detit në veri, lindje dhe juglindje reshjet do të jenë në formë dëbore.

Përfundojnë kontrollet e imtësishme pas dëmtimit, cila është diagnoza dhe kur do të rikthehet në fushë Gjimshiti

By: Fax Web
11 January 2026 at 10:19

Është publikuar raporti mjekësor për Berat Gjimshitit, mbrojtësin kuqezi i Atalantës, i cili pësoi një dëmtim gjatë ndeshjes kundër Torinos, të cilën Atalanta e fitoi të shtunën në mbrëmje në “New Balance Arena”, në Bergamo.

Koha e rikuperimit

Këputje fasciale të gradës së parë në muskulin biceps femoris të djathtë do të thotë se ka një dëmtim të lehtë të fibrave ose të fasciës të këtij muskujt në pjesën e pasme të kofshës së djathtë.

Grada e parë e parë për fat të mirë tregon që këto janë dëmtime të lehta, që zakonisht nuk përfshijn çarje të plota të muskujve. Ka dhimbje të lehta dhe mund të ketë disa kufizime në lëvizje, por funksioni i muskulit mbetet kryesisht i ruajtur.

Për një futbollist, rikuperimi nga një këputje fasciale të gradës së parë mund të zgjasë zakonisht nga disa ditë deri në tre javë, në varësi të intensitetit të dëmtimit dhe trajtimit të ndjekur. Rëndësishme është që futbollisti të ndihet mirë dhe të bëjë stërvitje dhe rehabilitim para se të kthehet. Kështu një mënyrë lehtësimi, por që gjtihësesi situata mbetet delikate pë rtë parë se si do të shkojë kjo periudhë rehabilitimi dhe sa kohë do të duhet që kapiteni i përfaqësueses sonë të jetë në formën optimale.

Kujtojmë që Shqipëria do të luajë më 26 mars ndeshjen e parë të Play-off-it të Botërorit përballë Polonisë në Varshavë dhe sipas parashikimeve,

Gjimshiti në afatin maksimal do të ketë rreth 20 ditë kohë për të rigjetur formën në ritëm të plotë stërvitor.

Përmbledhja e ndeshjes Atalanta-Torino:

I ftohtë ekstrem edhe në Itali, borë dhe alarm në pesë rajone/ Meteorologët: Fenomen i rrallë për këtë shekull

By: Fax Web
11 January 2026 at 10:15

Europa po përjeton një valë të fortë acari, e cila, edhe pse nuk arrin temperaturat ekstremisht të ulëta të regjistruara dje në Salla Naruska të Laplandës finlandeze (-42,3°C), ka sjellë të ftohtë të rëndë edhe në Itali: -23,1°C në Rrafshnaltën e Asiagos dhe -9,3°C në Prato.

Gazeta italiane “Corriere della Sera” shkruan se, kjo valë acari ka prekur kryesisht zonat verilindore të kontinentit, duke u shtrirë gjithashtu në Italinë veriore, ndërsa në Siçili majat më të larta të Madonies janë mbuluar nga bora.

Sipas meteorologëve, temperaturat aktuale janë rreth 15 gradë nën mesataren sezonale, ndërsa kulmi i të ftohtit pritet gjatë natës mes së dielës dhe së hënës. Parashikimet flasin për temperatura minimale “arktike” në shumë zona alpine dhe veriore të Italisë, me vlera që në disa raste zbresin deri në -25°C.

Një i ftohtë i acartë po shënohet edhe në Rrafshin e Padanës, si dhe në pjesë të ToskanësUmbrias dhe Apenineve qendrore, ku termometri ka zbritur disa gradë nën zero. Moti i ftohtë shtrihet deri në Kalabri, ku janë regjistruar temperatura negative.

Meteorologët e cilësojnë këtë situatë si një ngjarje shumë të rrallë për shekullin XXI, duke theksuar kontrastin e fortë me muajin dhjetor, i cili në disa qytete, si Milano, rezultoi më i ngrohti i regjistruar ndonjëherë.

“Acari i fortë i së enjtes mund të klasifikohet si një ‘ngjarje jashtëzakonisht e rrallë e të ftohtit në shekullin XXI’”, thekson Lorenzo Tedici, meteorolog i iLMeteo.it.

Për shkak të kushteve të motit, Mbrojtja Civile italiane ka shpallur alarm të verdhë në pesë rajone: UmbriaAbruzzoLazio, Calabria dhe Campania bregdetare. Autoritetet paralajmërojnë një fundjavë dhe fillim jave tipikisht dimëror, me temperatura shumë të ulëta, megjithëse faza e acarit pritet të zgjasë vetëm edhe për disa ditë.

Nga mesi i javës së ardhshme, situata meteorologjike pritet të ndryshojë, pasi një sistem i gjerë atlantik do të sjellë reshje shiu dhe dëbore, si dhe një rritje të lehtë të temperaturave, veçanërisht gjatë ditës. Reshje të dendura shiu dhe dëborë të bollshme priten në Alpe, madje edhe në kuota relativisht të ulëta.

Ndërkohë, moti i keq ka goditur rëndë edhe Europën Perëndimore, ku stuhitë e forta kanë sjellë erëra me shpejtësi mbi 200 km/h, ndërprerje të energjisë elektrike dhe anulime të shumta fluturimesh. Në disa vende janë regjistruar temperatura rekord të ulëta dhe reshje të mëdha bore.

Sipas të dhënave satelitore europiane, rreth 80% e kontinentit është aktualisht i mbuluar nga bora, shifër kjo më e larta e shënuar që nga viti 2010, duke konfirmuar përmasat e jashtëzakonshme të kësaj vale acari në Europë.

LEXO EDHEVIDEO/ 13 viktima nga acari në Evropë, kaos me udhëtimet! Mbyllen edhe shkollat

VIDEO/ 13 viktima nga acari në Evropë, kaos me udhëtimet! Mbyllen edhe shkollat

By: Fax Web
11 January 2026 at 10:07

Evropa Veriore vijon të përballet me motin e keq, me erëra me intensitet uragani dhe stuhi të fuqishme, që kanë shkaktuar të paktën 13 viktima, kaos në udhëtime, mbyllje shkollash dhe ndërprerje të energjisë elektrike për qindra mijëra banorë.

Në Mbretërinë e Bashkuar, stuhia Goretti goditi rëndë Cornëall-in dhe pjesë të Uellsit, me erëra që arritën deri në 160 km/orë. Rreth 50 fluturime u anuluan, duke bllokuar mijëra pasagjerë. Dhjetëra mijëra familje mbetën pa energji elektrike. Një burrë në të 50-at humbi jetën në qytetin Helston, nga rrëzimi i një peme. Agjencia kombëtare e motit Met Office paralajmëroi për rrezik nga bora dhe akulli në pjesën më të madhe të vendit, veçanërisht në Skoci dhe Anglinë Veriore.

Në Francë, stuhia Goretti shkaktoi ndërprerje të energjisë për rreth 320 mijë familje, kryesisht në Normandinë Veriore. Të shtunën, autoritetet njoftuan për rreth 100 mijë banesa pa energji elektrike. Në disa zona erërat arritën një shpejtësi deri në 216 km/orë, duke rrëzuar pemë dhe shkaktuar dëme kolosale në banesa. Shkollat mbetën të mbyllura në disa zona, ndërsa porte dhe rrugë u mbyllën përkohësisht.

Gjermania Veriore u përball me ndërprerje energjie, transporti dhe komunikimi për shkak të stuhisë Elli, e cila solli reshje të dendura bore dhe erëra të forta. Shkollat u mbyllën në disa qytete, ndërsa trafiku hekurudhor në distanca të gjata u pezullua.

Probleme serioze u raportuan edhe në disa vende të Europës Qendrore dhe Lindore. Trafiku ajror u ndërpre nga Çekia deri në Rusi, ku mbi 300 fluturime u anuluan në katër aeroportet që shërbejnë në Moskë. Autoritetet meteorologjike anëembanë kontinentit kanë lëshuar paralajmërime për erëra “me forcë uragani” dhe reshje të dendura bore, duke u bërë thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet jo të domosdoshme.

“Ne nuk do të dorëzohemi”/ Rama për përmbytjet: Lëshojmë si lopa bajgat, mbetjet e konsumit tonë

By: Fax Web
11 January 2026 at 10:01

Kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë podcastit të sotëm, “Flasim”, se do të merren masa ligjor ndaj personave që hedhin plehrat jo në zonat e caktuara.

Rama, përpos kushteve atmosferike dhe infrastrukturës, bëri me faj dhe qytetarët, të cilët si pasojë e hedhjes së mbeturinave nëpër kanalet kulluese, kanë një peshë të mirë të përgjegjësisë për përmbytjet.

“Ama përtej vorbullës atmosferike, ndryshimit klimatik, sasisë së reshjeve që në katër ditë ishte sa mesatarja e muajit janar, pra 30 ditëve reshje, në pesë vitet e fundit, faktori njerëzor ka peshën e vet. Ka peshën e vet për mirë ose për keq, njësoj siç edhe infrastruktura ka peshën e vet për mirë ose për keq. Jo për t’i ndalur, por për t’i bërë më të kontrollueshme, këto masa të jashtëzakonshme reshjesh dëbore dhe prurjesh. Ndërkohë që, ne si qeveri, jemi të qartë për nevojën e vazhdimit te investimeve në sistemin mbrojtës të vendit, unë nuk e di fare sinqerisht se si i bëhet harbutërisë ekstreme ndaj natyrës që manifestojmë orë e çast ne si popull! Po troç, ne si popull! Prurjet marramendëse të plastikës nga lumenjtë në këto raste, janë të frikshme, janë të neveritshme, janë kriminale në kuptimin e plotë të fjalës. Hedhja rrugëve e shisheve dhe qeseve plastike, si të ishte ky vend, jo atdheu ynë i përbashkët, po një kosh plehrash në një territor që s’na përket me të cilin s’kemi lidhje, ku, kudo ku na teket, lëshojmë si lopa bajgat, mbetjet e konsumit tonë, është diçka, që e mbulon tamam me bajga flamurin e pavarësisë tonë si shtet, librin e historisë së përpjekjeve tona shekullore si komb për të jetuar në shtetin tonë, fytyrën e secilit prej nesh si njerëz të këtij populli e si qytetarë të Europës, që mbajmë emrin shqiptar, të cilin e mbajmë me të drejtë me krenari në shumë raste, të cilin e ndiejmë me të drejtë si vërtetë fjalën kyçe që na bën të ndihemi krenarë kur je në stadium, por të cilin e përdhosim, emrin shqiptar, duke përdhosur Shqipërinë, duke përdhosur natyrën e Shqipërisë, duke përdhosur fytyrën e Shqipërisë.

Ne si qeveri e si shumicë popullore, sidoqoftë nuk do të dorëzohemi, e do të dalim më tej me masa të reja kundër kësaj fuqie të errësirës në trurin tonë si milet, duke rritur përpjekjet për sensibilizim, informim, por edhe ndëshkim po ashtu. Por në të gjitha rastet është e domosdoshme që gjithësecili të ftillohet sepse kjo që ndodh dhe ajo që i bëjmë ne Shqipërisë, duke hedhur një shishe plastike apo duke hedhur një qese plastike në rrugë ka vetëm një fjalë që e përkufizon, KRIM”, tha Rama.

Kujtojmë se, vendi ynë ka hyrë në ditën e gjashtë të përmbytjeve, ku situata vijon të jetë e vështirë në disa zona.

Qarku i Durrësit ka qenë një ndër më të prekurit nga reshjet e shiut të ditëve të fundit.

Sipas njoftimit të autoriteteve në Bashkinë Durrës janë evakuuar 848 banorë dhe vazhdon puna për verifikimin e dëmeve të shkaktuara nga uji nëpër banesa. Sakaq, në Sukth 2800 ha tokë ndodhen ende nën “pushtetin e ujit”.

Problematika ka edhe në qarqet Vlorë, Gjirokastër, Fier, Lezhë, Shkodër dhe Korçë.

“Edhe Stambolli përjetoi një situatë filmash apokaliptikë”, Rama: Kemi gati planin me skenarët e dëmshpërblimit

By: Fax Web
11 January 2026 at 09:57

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se vendi ka kaluar një javë tejet të vështirë për shkak të reshjeve intensive të shiut dhe dëborës.

Ai theksoi  se situata nuk ka qenë një fenomen i izoluar vetëm në Shqipëri, por ka prekur një zonë të gjerë të Evropës Juglindore, nga Italia dhe Greqia deri në Ballkan dhe Turqi.

“Kjo javë ka qenë tejet e ngarkuar me reshje e me dëborë, një gjendje atmosferike e zgjatur dhe e rëndë, e cila nuk ka prekur thjesht Shqipërinë për ndonjë arsye të lidhur me vendin tonë, nga ato arsyet që ziejnë në 700 tenxheret politike mediatike të mexhelisit shqiptar, por ka prekur një hartë të tërë nga Italia në Greqi, nga Mali i Zi në Kosovë e deri lart në Serbi, në Kroaci, e nga Maqedonia e Veriut e deri në Turqi, ku Stambolli përjetoi një situatë filmash apokaliptikë, ku i njëjti i ftohtë, i njëjti shi, e njëjta dëborë e të njëjtat përmbytje e bllokime, kanë krijuar të njëjtën situatë psikologjike për njerëzit”, tha Rama në podkastin e tij flasim.

Rama siguroi se qeveria do të qëndrojë pranë të gjithë qytetarëve të prekur nga përmbytjet, duke garantuar mbështetje për banesat, bagëtitë dhe dëmet e tjera të shkaktuara.

“Ai bëri të ditur se ekipet e verifikimit janë në terren që nga dita e parë, ndërsa Ministria e Financave ka përgatitur skenarët për dëmshpërblimin e të dëmtuarve, në pritje të përfundimit të vlerësimeve.

Kjo është motoja ime dhe e jona sa herë fatkeqësi të ndryshme godasin vendin e njerëzit, që nga tërmeti shkatërrues i mijëra e mijëra shtëpive e deri tek sikleti rrënues i një familjeje të goditur nga uji, zjarri apo nga ndonjë fatkeqësi tjetër. 

Dhe dua t’u përcjell përsëri, të dëmtuarve nga kjo goditje e fatkeqësisë kësaj here, se ne do t’i qëndrojmë me të njëjtin dinjitet njerëzor, shtetëror dhe politik çdo detyrimi ndaj tyre, qoftë për banesat, qoftë për gjënë e gjallë.

Puna jonë intensive nuk mbyllet me përmirësimin e situatës së motit, por do të vazhdojë me riparimin e dëmeve në infrastrukturë dhe të çdo dëmi në familjet e prekura nga uji. Ekipet tona të verifikimeve janë në terren që nga dita e parë, ndërkohë që Ministria e Financave e ka të përgatitur tanimë të gjithë planin me skenarët e dëmshpërblimit. Presim rezultatin përfundimtar të verifikimeve për të kaluar në fazën e dëmshpërblimeve. 

E mos harroni, kur ne erdhëm në qeveri, në malin e borxheve që na lanë trashëgim aleatët e sotëm të fatkeqësive, ishin edhe dy kodra të larta borxhesh nga përmbytjet e zonës së Shkodrës. 

Ne i shlyem një më një ato borxhe për ata njerëz dhe nuk kemi hyrë më në asnjë borxh të kësaj natyre me njerëzit e këtij vendi, sepse erdhëm për të ndërtuar një Shqipëri tjetër dhe kjo është Shqipëria tjetër, që nuk i le vetëm njerëzit e saj. Kurrë më”, u shpreh Rama.

Disa akse dhe rrugë të bllokuara, situatë problematike në qarkun e Dibrës

By: Fax Web
11 January 2026 at 09:53

Moti gjatë natës në qarkun e Dibrës është shoqëruar me reshje dëbore, të cilat në Preshkopi kanë arritur nga 13-25-40 cm, ndërsa vijojnë aktualisht reshje të pakta dëbore.

Situata paraqitet e qetë dhe me problematika si më poshtë:

Bashkia Klos

Nga dëbora disa rrugë fshatrash në njësitë Xibër dhe Gurrë, janë me prani dëbore dhe lëvizet me zinxhir.

Bashkia Bulqizë

Në Trebisht, Ostren, trashësia e dëborës 25 cm ku ka rrugë të fshatrave me qendrat Administrative të bllokuara.

Rruga Ura e Cetenecit – Ostren, në segmentin  Klenje-Ostren e bllokuar.

Ka mungesë energjie elektrike në njësinë Trebisht.

Në Martanesh, rrugët e fshatrave me qendrat Administrative të bllokuara.

Bashkia Dibër

Nga reshjet e dëborës, janë të bllokuara qendrat Administrative me akset kryesore, njësitë Selisht dhe Lurë.

Të bllokuara janë edhe rrugët e fshatrave me qendrat administrative në njësitë Lurë, Selisht, Luzni.

Ka mungesë energjie elektrike në Njësitë Kala e Dodës, Sllovë, Reç, Zall Dardhë e Lurë.

Bashkia Mat

Rruga rurale që lidh qendrën Administrative me aksin kryesor e dëmtuar dhe shumë e rrezikuar për të izoluar gjithë njësinë.

Akset e rrugëve nacionale janë të kalueshme normalisht, ndërsa në segmentet Peshkopi-Vasie, Ura e Çerenecit- Steblevë, si dhe Qafë Bualli-Krastë në disa vende me zinxhir.

Aksi rrugës së Arbrit duhet me goma dimërore. Nga Operatorët kontraktor po punohet me mjete e lëshim kripe duke i mbajtur të gjitha rrugët të kalueshme.

Furnizimi me energjinë elektrike është në normalitet. Furnizimi me ujin e pijshëm është në normalitet.

❌
❌