Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 2 February 2026Main stream

“Me një karrierë të pasur si arkitekte”, Balluku prezanton drejtuesen e re të Institutit të Ndërtimit

By: A R
2 February 2026 at 16:52

Zëvendëskryeministrja dhe njëkohësisht ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku ka prezantuar sot në 2 shkurt 2026 drejtuesen e re të Institutit të Ndërtimit.

Ajo është Persida Shkrepa, për të cilën Balluku thotë se ka një karrierë të pasur si arkitekte.

“Suksese Persida Shkrepa në këtë detyrë dhe sfidë të re, në drejtimin e Institutit të Ndërtimit.

Me një karrierë të spikatur si arkitekte, profesionalizmi, përkushtimi dhe përvoja e saj janë një garanci e fortë për drejtimin dhe zhvillimin e këtij institucioni kaq të rëndësishëm, si edhe për forcimin e rolit të tij në shërbim të industrisë së ndërtimit në vend”, shkruan Balluku.

5.4 milionë euro për Ambasadë në Londër, Shqipëria nis procedurat për blerjen e pronës

By: A R
2 February 2026 at 16:45

Shqipëria vë në dispozicion mbi 5.4 milionë euro (520 milionë lekë) për të blerë një pronë në Londër që do të shërbejë si seli e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, së bashku me Ambasadën në Londër, do të kryejnë procedurat përzgjedhëse për të identifikuar ndërtesën dhe truallin më të përshtatshëm për aktivitetin diplomatik dhe konsullor. Pasuritë e propozuara duhet të jenë të sigurta, të lira nga çdo ngarkesë ligjore dhe të ofrojnë hapësirën e nevojshme për funksionimin e Ambasadës.

Vlerësimi i ofertave do të bëhet nga një Komision i Posaçëm, në përbërje të të cilit janë përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, Autoritetit Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar dhe Avokaturës së Shtetit. Komisioni do të shqyrtojë ofertat, do të mbikëqyrë negociatat dhe do të propozojë ofertën fituese

Pas nënshkrimit të kontratës së shitblerjes, Ambasada do të kryejë pagesat dhe do të regjistrojë pasurinë sipas legjislacionit britanik. Shpenzimet do të mbulohen nga buxheti i Ministrisë.

Përbërja e Komisioneve/ “Përçahet” grupi i PD-së? Berisha: Kryesia do vendosë…

By: A R
2 February 2026 at 16:38

Në mbledhjen me dyer të mbyllura të Partisë Demokratike, ka pasur debate të ashpra nëse PD do të duhet të bojkotojë Komisionin për reformën territoriale dhe atë për reformën zgjedhore.

Deputetët demokratë Bledjon Nallbati, Xhelal Mziu, Oerd bylykbashi, Ina Zhupa, Tritan Shehu dhe Arjan Ndoja kanë dalë kundër bojkotit.

Pas kësaj, Berisha u ka thënë gjashtë deputetëve demokratë se është Kryesia e PD-së ajo që do të vendosë për pjesëmarrje ose jo në Komisionin për reformën territoriale.

Kujtojmë se këtë të hënë është mbledhur Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale në Republikën e Shqipërisë. Mbledhja ka nisur rreth orës 13:00, por opozita edhe njëherë tjetër ka munguar.

“Kjo është mbledhja e katërt që opozita nuk vjen, kemi humbur kohë shumë të rëndësishme për një reformë e cila është në ngut kohe. Duke pasur parasysh se zgjedhjet e radhës vendore ndodhin në fundin e prillit apo në majin e vitit 2027, është shumë e rëndësishme që kjo reformë të përmbyllet siç janë dhe praktikat më të mira europiane, rreth 1 vit përpara zgjedhjeve, prandaj qëllimi ynë t’i qëndrojmë besnik këtij parimi, t’i mbyllim deri në korrik të këtij viti”, tha bashkëkryetari i këtij komisioni Arbjan Mazniku në nisje të fjalës së tij.

Për shkak të mungesës së anëtarëve të këtij komisioni nga opozita për të disatën herë, Maziku tha se mazhoranca do të kalojë nesër në Kuvend kërkesën për të ndryshuar përbërjen e këtij komisioni, ku Partia Socialiste do të kalojë me një anëtar më shumë.

CMG në përgatitjet e fundit për trasmetimin e Lojërave Olimpike Dimërore Milano 2026

By: A R
2 February 2026 at 16:26

Grupi Mediatik i Kinës do të jetë e vetmja organizatë mediatike globale e përfshirë në prodhimin e sinjalit publik ndërkombëtar 8K në Lojërat Olimpike Dimërore Milano 2026. Ndërkohë do të shërbejë edhe si ofruesi kryesor i sinjalit publik ndërkombëtar 8K për ceremoninë e hapjes dhe atë të mbylljes, përveç prodhimit të sinjalit publik ndërkombëtar për patinazhin artistik dhe patinazhin e shpejtësisë në pistë të shkurtër, për herë të parë.

Më 13 janar, automjetet transmetuese me definicion ultra të lartë “China Red” 4K/8K të CMG-së mbërritën në stadiumin San Siro në Milano dhe përfunduan vendosjen e tyre. Kjo është hera e parë që CMG merr pjesë në prodhimin e sinjalit publik ndërkombëtar 8K për një ceremoni hapjeje në nivel olimpik, si ofrues pajisjesh dhe mbështetje teknike.

CMG do të marrë përsipër gjithashtu edhe prodhimin e sinjalit publik ndërkombëtar për patinazhin artistik dhe patinazhin e shpejtë në pistë të shkurtër për herë të parë në Lojërat e ardhshme.

Gati 500 anëtarë të stafit të CMG-së kanë mbërritur në Itali për të kryer raportimin dhe prodhimin e sinjalit publik në Lojërat Olimpike Dimërore, me qëllim ofrimin e një përvoje shikimi gjithëpërfshirëse të nivelit botëror për audiencën globale.

Nga “Albbakër” te “superfosfati”, të gjitha ndërmarrjet shtetërore në proces likuidimi do të mbyllen

By: A R
2 February 2026 at 16:14

Të gjitha ndërmarrjet tregtare me kapital shtetëror mbi 51 për qind që prej vitesh janë në proces likuidimi do të mbyllen përmes një ligji të posaçëm. Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka hedhur në Konsultim Publik projektligjin “Për mbylljen e shoqërive tregtare me kapital shtetëror në likuidim”. Baza e re ligjore synon që këto shoqëri të mbyllen përfundimisht dhe asetet e tyre të kalojnë tek shoqëri e vetme tregtare shtetërore.

“Në pronësinë dhe përgjegjësinë administruese të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit ndodhen aktualisht disa shoqëri tregtare me kapital shtetëror mbi 51 për qind, të cilat ndodhen prej një periudhe shumëvjeçare në proces likuidimi dhe nuk ushtrojnë më veprimtari ekonomike. Këto shoqëri vijojnë të ekzistojnë si subjekte juridike kryesisht për qëllime të administrimit të aseteve dhe trajtimit të detyrimeve të mbartura ndër vite, ndërkohë që procesi i likuidimit nuk është përmbyllur ende.”

Janë një sërë shoqërish shtetërore që ka mbi 20 vite që janë në proces likuidimi siç është rasti i Alb Bakër sh.a, pasi prej 2004-ës është miratuar prishja e shoqërisë, dhe emërimi i likuditatorit të parë. E njëjtë është situata edhe për ndërmarrjet shtetërore “Albkrom” sh.a., “Albminiera” sh.a., “Prodhim Mobilje” sh.a., “Petrol Alba” sh.a., “Duhan-Cigare” sh.a., “Albkontroll” sh.a. “Superfosfat Kurbin” sh.a dhe “Qendra e Regjistrimit të Aksioneve”.

“Detyrimet e mbartura prej tyre janë kryesisht detyrime shumë të vjetra, të krijuara në periudha të hershme, ku një pjesë e konsiderueshme rezultojnë të parashkruara, të pajustifikuara ose të regjistruara gabimisht në kontabilitet, pa dokumentacion mbështetës ose ndaj subjekteve që nuk ekzistojnë më juridikisht. Në disa raste, këto detyrime përbëjnë pjesën dërrmuese të borxhit të raportuar dhe nuk përfaqësojnë detyrime reale financiare.”

Por këto shoqëri edhe pse kanë shumë detyrime dhe prej vitesh janë nën likuidim, nga ana tjetër kanë shumë pasuri si portofol si troje, ndërtesa industriale, fabrika, depo, objekte teknike dhe galeri minerare, të shpërndara në disa rrethe të vendit, shkruan A2 CNN.

“Vlera kontabël e aseteve tejkalon ndjeshëm vlerën e detyrimeve reale të pagueshme, duke krijuar potencial të mjaftueshëm për shlyerjen e këtyre detyrimeve, nëse aseteve do t’u jepej mundësia të administroheshin dhe të disponoheshin në mënyrë të unifikuar dhe efektive”, thuhet në relacion.”

Aksionari i vetëm i shoqërisë do të jetë Ministria e Ekonomisë, ndërsa efekte financiare të themelimit të shoqërisë dhe kapitali fillestar do të mbulohet nga buxheti i shtetit. Kjo shoqëri e re që do të krijohet do të administrojë të gjitha pasuritë/asetet e transferuara, do të ketë të drejtë ti shesë ose ti japë për privatizim sipas legjislacionit në fuqi me qëllim shlyerjen e kreditorëve.

“Sfidoi mjekësinë me forcën”, mikesha në lot rrëfen pengun e gazetares Rezarta Reçi

By: A R
2 February 2026 at 15:57

Bota e medias dhe e letrave shqipe është në zi, pas lajmit të hidhur për ndarjen e parakohshme nga jeta të gazetares, poetes dhe shkrimtares së njohur, Rezarta Reçi.

E njohur për publikun e gjerë jo vetëm përmes zërit të saj në valët e Radio Trianës, por edhe për ndjeshmërinë e lartë artistike në krijimtarinë letrare, Reçi mbylli sytë përgjithmonë në moshën 64-vjeçare duke lënë pas trishtim por edhe një trashëgimi të vyer.

Në valët e Radio Tiranës, aty ku zëri i saj u bë shtëpi për mijëra dëgjues, kolegët e kujtojnë me lot në sy. Për emisionin “Në Radio” të Andri Xhahut, Ermenita Stafa, kryeredaktore e Radio Tiranës, e përshkruan miken e saj si një ikonë të përkushtimit. ​

“Rezi ishte model i profesionalizmit dhe përkushtimit. Dallohej për seriozitetin, për korrektësinë, për dëshirën dhe dashurinë me të cilën përgatitej për mikrofonin e radios. Kishte një timbrikë dhe një vibrim unik në zërin e saj. Ishte një zë i butë. Kisht një komunikim njerëzor dhe shumë ndjeshmëri”.

​Sipas Stafës, Rezarta kishte një dhunti të rrallë: ajo “nuhaste sensibilitetin publik”. Nuk kërkonte sensacionin e momentit, por atë që përcillte ndjesi të vërtetë dhe, mbi të gjitha, “dinte se si kurohej ajo që dhimbte”.

​​Përtej radios, Rezarta Reçi shkëlqeu edhe në ekran, duke i ofruar kulturës shqiptare një galeri të pasur që sot mbetet si trashëgimi. Formimi i saj ishte i rrënjosur te dashuria për leximin. “Nuk mund ta kuptoje Rezin pa librin. Këtu është thelbi i përmbajtjes së saj”, tregon Ermenita. “Kur fliste, ajo analizonte çdo gjë me një kulturë të gjerë, duke qenë gjithmonë selektive për ‘fjalën e bukur’”.

​​Një detaj rrëqethës që tregon anën njerëzore të Rezartës është dhurata që ajo u linte mikeshave të saj: një kolanë e vogël me rruaza të kuqe. Ky ishte “filli i kuq” që bashkonte grupin e saj të miqve.

“Kjo kolanë e vogël rruazash të kuqe u bë pjesë e imja në një nga ditëlindjet e fundit. Rezi nuk harronte kurrë të ishte e pranishme në gëzimet familjare. Përpiqej të gjente me shumë elegancë një mënyrë për të të uruar. Në këtë ditëlindje më thotë që ti je pjesë e grupit të miqve të Rezit dhe kjo është ajo që mbajnë të gjitha mikeshat e mia. Mbrëmë në pipëpjekjen e fundit me Rezin, që sapo kishte ikur nga kjo botë, pashë që aty shumë nga njerëzit e dashur të saj e kishin këtë fill të kuq që ndoshta gjatë do të rrijë për të kujtuar Rezin”.

​​Jeta e Rezit ishte një udhëtim mes qyteteve dhe angazhimeve. Ndonëse mbaroi Ekonomi Politike, thirrja e saj e vërtetë ishte gazetaria, të cilën e nisi në vitin 1992 në Radio Tirana me emisionin “Tema dhe dilema”. Suksesi i saj ishte i menjëhershëm me programin “Fletë nga ditari im”.

“Mund të them që ishte ndër emisionet që shënoi rekord për pjesëmarrjen dhe angazhimin e publikut. Njerëzit sillnin histori jete. Në atë kohë teknologjia nuk ishte në nivelet që është sot. Por letrat vinin fizikisht me thasë, të cilat lexoheshin dhe përjetoheshin në shumë emocion”.

Mes Shkodrës, Tiranës dhe Durrësit, vitet e fundit i kaloi pranë detit që e donte aq shumë dhe pranë së bijës, Ivës, si një “mundësi kompensimi për gjithë vitet e distancës ndaj saj”.

​Kur në prill të vitit 2020 u përball me diagnozën e rëndë, Rezarta nuk u dorëzua. Ajo sfidoi mjekësinë me forcën e saj emocionale. Edhe kur pafuqia fizike ishte e madhe, ajo vinte në radio në orët e vona të mbrëmjes.

“Më 19 prill 2020 Rezi bëri prezent situatën e vet shëndetësore me një mesazh, që në fillim ishte si një vendim për t’u shkëputur nga radio. Por përpjekja jonë e përbashkët, e miqve dhe familjarëve, ishte që secili të gjente një motiv që Rezi të kuptonte se kjo nuk ishte një situatë e jashtëzakonshme por ta përjetojmë si një gjë të zakonshme dhe ta luftojmë. Që nga ai moment edhe pse mund t’i kishte bërë programet e montuara, Rezi vinte në radio, madje programi i saj ishte në orët e vona të mbrëmjes, dhe ashtu me një përballje të jashtëzakonshme me pafuqinë fizike kërkonte me doemos që të ishte e pranishme”.

Po ku e gjente forcën Rezarta Reçi? ​

“Stafi i mjekëve që e ndiqnin dhe i studiuesve të fushës erdhën me pretendimin që Rezi po sfidonte mjekësinë. Arriti, që me një fuqi të jashtëzakonshme emocionale, prezencën e miqve dhe me gjetjen e motive e të forta për të cilat duhet jetuar, të mposhtte atë që bën zakonisht ‘sëmundja e shekullit’. Ajo kuptoi thelbin e jetës. Vendosi që t’i bëhej shok të përditshmes që gëzojnë njerëzit, të qeshurës, një kafeje me miqtë, bisedave të zakonshme, takimeve me publikun, bërjen e fotove”.

Edhe në ditët e saj më të vështira, mendja e Rezit udhëtonte. Shqetësimi i saj i vetëm ishte: “Pse s’po më binden më këmbët!”.

“Kur i rikthehem mesazheve të fundit guxova dhe e pyeta se çfarë thotë mjekja që ofroi formulën. Më tha: ‘Të jemi të lumtur që je mes nesh’. Pengu i Rezit është që nuk mjafton për të qenë brenda mureve të shtëpisë për të ekzistuar. Ishte shpirt i lirë dhe donte ta jetonte jetën atje ku ishin njerëzit dhe e përditshmja e saj”, rrëfen Ermenita.

​“Sot, në heshtjen që ka lënë pas Rezarta Reçi, ka vetëm dritë. Në mungesën e saj ka kujtime që nuk plaken”, siç u shpreh mes lotësh mikja e saj, Ermenita Stafa.

“Fjala e saj do të vijojë të jetojë sepse e la bukur në radio dhe ekran. Ai zë i butë nuk do shuhet kurrë. Le të prehet në paqe në lëndinën e Zotit dhe le të duhemi sa jemi gjallë, siç thoshte ajo.”

​U prehsh në paqe, Rezi! Trashëgimia jote do të jetë gjithmonë një “fill i kuq” që na lidh me të bukurën dhe njerëzoren.

Nga tërbimi, ebola e Covid-19, zbuloni 11 viruset më vdekjeprurës për njerëzimin

By: A R
2 February 2026 at 15:48

Viruset më të rrezikshme për njerëzit janë ata që ose kanë vdekshmëri shumë të lartë, ose përhapen shumë shpejt. Më vdekjeprurësit janë Tërbimi, Ebola, Marburg, Nipah dhe Hendra (deri në 90–100% pa trajtim). Të tjerë si HIV, Denguja dhe COVID-19 kanë ndikim global të madh për shkak të përhapjes së gjerë. Lija është zhdukur, por mbetet rrezik potencial biologjik. Rreziku real varet nga ngjitshmëria, qasja në trajtim dhe parandalimi që janë vaksinat.

Ashpërsia e viruseve më të zakonshme varet nga faktorë të ndryshëm, nga sa lehtë përhapen, te kushtet lokale të higjienës dhe shëndetësia, si edhe qasja në trajtim. Zbuloni cilët janë viruset më të rrezikshme për njerëzit.

Tërbimi

Transmetohet nëpërmjet pickimit ose pështymës së kafshëve të infektuara, veçanërisht qenve, dhelprave ose lakuriqëve të natës. Pasi hyn në trup, virusi arrin sistemin nervor qendror, duke shkaktuar inflamacion të trurit, konfuzion, spazma muskulore dhe paralizë progresive. Tek njerëzit e pavaksinuar, sëmundja është pothuajse gjithmonë fatale sapo shfaqen simptomat, me një shkallë vdekshmërie që i afrohet 100%.

Ebola

Nga katër llojet e njohura të ebolavirusit që mund të shkaktojnë sëmundje tek njerëzit, ai ka shkallën më të lartë të vdekshmërisë, një mesatare prej mbi 80%, me kulme deri në 90%. Transmetimi ndodh nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë me gjakun, lëngjet trupore ose indet e njerëzve ose kafshëve të infektuara. Infeksioni shkakton ethe, të vjella, diarre, gjakderdhje të brendshme dhe të jashtme dhe dështim të shumëfishtë të organeve.

Gripi i shpendëve (H5N1)

Shkaktohet nga një virus i influencës A ( orthomyxovirus ), i cili prek kryesisht lloje të caktuara të shpendëve të egër. Transmetohet nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë me shpendë të infektuar ose sipërfaqe të kontaminuara, rrallë nga personi në person. Tek njerëzit, shkakton temperaturë të lartë, kollë, vështirësi në frymëmarrje dhe pneumoni të rëndë, shpesh të shoqëruar me dështim të shumëorganeve. Shkalla e vdekshmërisë së llojit H5N1 mund të arrijë 60% të rasteve të konfirmuara.

Virusi Marburg

I bartur nga lakuriqët afrikanë dhe i transmetuar te njerëzit përmes lëngjeve trupore ose sipërfaqeve të kontaminuara, virusi Marburg shkakton ethe akute hemorragjike të ngjashme me ato të Ebolës. Simptomat përfshijnë temperaturë të lartë, dhimbje koke, dhimbje muskujsh, të vjella dhe diarre, të cilat mund të përparojnë në manifestime hemorragjike dhe dështim shumëorganor. Ka një shkallë vdekshmërie deri në 88%. Aktualisht, trajtimi është simptomatik dhe po testohen vaksina efektive.

Hantavirus

Transmetohet te njerëzit nëpërmjet kontaktit me urinën, jashtëqitjet ose pështymën e brejtësve të infektuar, ose duke thithur grimca të kontaminuara. Pasi të hyjë në trup, mund të shkaktojë temperaturë të lartë dhe dështim akut të frymëmarrjes ose veshkave. Vdekshmëria ndryshon në varësi të llojit viral dhe sindromës që shkakton, duke arritur në 50% ose më shumë në rastin e sindromës pulmonare të hantavirusit, e cila është më e zakonshme në Amerikë. Sindroma të tjera, të tilla si ethet hemorragjike me sindromën renale (HFRS) në Azi dhe Evropë, kanë shkallë më të ulëta vdekshmërie, përgjithësisht midis 1% dhe 15%.

Lija

Zhdukja u shpall në vitin 1980 falë një fushate globale vaksinimi, por lija mbetet një kërcënim i mundshëm biologjik për shkak të pranisë së mostrave të ruajtura në disa laboratorë.

E shkaktuar nga virusi Variola, ishte një sëmundje shumë ngjitëse që përhapej nëpërmjet ajrit ose nga kontakti i drejtpërdrejtë me lezione të lëkurës dhe objekte të kontaminuara. Shkaktonte temperaturë të lartë, dhimbje dhe skuqje pustulare. Forma më e rëndë, variola major, kishte një shkallë vdekshmërie deri në 30%.

Virusi Nipah

Është një virus në zhvillim e sipër që transmetohet te njerëzit kryesisht nëpërmjet kontaktit me lëngjet trupore të kafshëve të infektuara, veçanërisht lakuriqëve të natës, por edhe derrave (në vitin 1999, miliona derra u vranë nga autoritetet malajziane për të ndaluar një epidemi), ose nëpërmjet konsumimit të frutave të kontaminuara. Infeksioni shkakton ethe, dhimbje koke, të vjella dhe, në raste të rënda, encefalit me konvulsione dhe koma. Shkalla e vdekshmërisë e vlerësuar varion midis 40% dhe 75%.

Denguja e etheve

Transmetohet kryesisht nëpërmjet pickimit të mushkonjave të infektuara Aedes, të cilat janë të përhapura në pjesën më të madhe të rajoneve tropikale dhe subtropikale. Shkakton temperaturë të lartë, dhimbje të forta muskujsh dhe kyçesh, dhimbje koke dhe skuqje. Në rastet e lehta, shkalla e vdekshmërisë është shumë e ulët, ndërsa në rastet më të rënda hemorragjike, pa trajtim në kohë, mund të kalojë 20%.

HIV

Virusi i mungesës së imunitetit njerëzor transmetohet kryesisht nëpërmjet kontaktit me gjakun, lëngjet e trupit ose marrëdhënieve seksuale të pambrojtura. Nuk është menjëherë vdekjeprurës, por sulmon sistemin imunitar, duke shkatërruar në mënyrë progresive limfocitet T, të cilat janë thelbësore për mbrojtjen kundër infeksioneve dhe tumoreve.

Pa terapi antiretrovirale, mund të përparojë në AIDS, me infeksione oportuniste shpesh fatale. Historikisht, vdekshmëria ka qenë jashtëzakonisht e lartë, me miliona viktima në nivel global, megjithëse trajtimet tani e kanë përmirësuar ndjeshëm mbijetesën.

Sars-Cov-2 (Covid-19)

I identifikuar për herë të parë në dhjetor 2019 në Ëuhan të Kinës, ka të ngjarë që ka origjinën nga një virus lakuriqësh nate dhe është transmetuar te njerëzit nëpërmjet një strehuesi të ndërmjetëm. Transmetohet në rrugët e frymëmarrjes, nëpërmjet pikave dhe aerosoleve të prodhuara nga individë të infektuar, madje edhe ata asimptomatikë. Mund të shkaktojë pneumoni akute, dështim të frymëmarrjes dhe komplikacione sistemike, veçanërisht te individët e dobët. Shkalla e vdekshmërisë globale, sipas të dhënave të disponueshme deri në vitin 2025, është më e ulët se ajo e viruseve të tjera vdekjeprurëse, por ngjitshmëria e saj e lartë ka shkaktuar miliona vdekje dhe një ndikim të paparë në shëndet.

Hendra

Transmetohet te njerëzit kryesisht nëpërmjet kontaktit me lëngjet nga kuajt e infektuar, të cilët nga mund të jenë infektuar nga lakuriqët. Infeksioni shkakton ethe, kollë, lodhje dhe në raste të rënda, encefalit me inflamacion të trurit, dështim të frymëmarrjes dhe gjendje kome. Shkalla e vdekshmërisë midis rasteve të konfirmuara tek njerëzit është afërsisht 60% , duke e bërë atë ndër viruset më të rrezikshme, pavarësisht se rastet janë të rralla dhe të përqendruara kryesisht në Australi.

Bashkë me tërmetet, Qeveria mund të bëjë me detyrim edhe sigurimin nga përmbytjet

By: A R
2 February 2026 at 15:41

Bashkë me tërmetet, qeveria mund të bëjë me detyrime dhe sigurimin e pronave nga përmbytjet. Ministria e Financave iu ka çuar për konsultim institucioneve të linjës projektligjin e rishikuar “Për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet” të cilit i bashkëngjiten edhe përmbytjet. Kjo një lëvizje e lidhur drejtpërdrejt me ekspozimin e shtuar të banesave dhe tokave ndaj këtij rreziku që shkaktoi dëme të konsiderueshme edhe këtë fillim-vit.

Detyrimin për lidhjen e kontratës së sigurimit nga tërmetet dhe përmbytjet pritet ta kenë të gjithë qytetarët, shkruan A2 CNN. Sipas projektligjit, çmimi i sigurimit nuk do të përcaktohet nga tregu, por do të miratohet nga Këshilli i Ministrave, mbi bazën e riskut, zonës gjeografike dhe tipologjisë së ndërtesës. Metodologjia e llogaritjes së primit do të mbështetet në modele aktuale të zhvilluara për kushtet e Shqipërisë.

Në thelb, drafti i ri synon të ndërtojë një mekanizëm të detyrueshëm financiar për të përballuar humbjet materiale në prona, duke e zhvendosur gradualisht peshën nga reagimi “pas ngjarjes” drejt parandalimit dhe menaxhimit të riskut. Ashtu si edhe në draftin e mëparshëm, edhe në këtë version skema do të administrohet nga “Fondi Kombëtar për Sigurimin e Detyrueshëm nga Tërmetet dhe Përmbytjet”.

Në rast të një fatkeqësie natyrore, dëmet do të vlerësohen nga ekspertë të licencuar, ndërsa pagesa e dëmshpërblimit do të kryhet nga Fondi, brenda afateve të përcaktuara. Dëmshpërblimi do të mbulojë dëmet materiale të banesës dhe të sendeve brenda saj, por jo humbje të aktivitetit ekonomik apo fitime të munguar.

Drafti për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet u ri-hodh për konsultim publik në korrik 2025, por nuk u miratua nga qeveria gjatë vitit të kaluar.

Draghi i ashpër me Europën: Nëse dëshiron pushtet duhet të bëhet federatë!

By: A R
2 February 2026 at 15:16

Europa rrezikon të bëhet e nënshtruar, e përçarë dhe e deindustrializuar, të gjitha njëherësh, paralajmëron Mario Draghi gjatë ceremonisë ku iu dha titulli i doktoratës Honoris Causa nga Universiteti KU Leuven, në Belgjikë. Fjalimi i tij është një thirrje e re ndaj Bashkimit Europian. “Mes të gjithëve që sot gjenden të shtrënguar mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, vetëm europianët kanë mundësinë të bëhen vetë një fuqi e vërtetë. Duhet të vendosim: mbetemi thjesht një treg i madh, i nënshtruar prioriteteve të të tjerëve? Apo hedhim hapat e nevojshëm për t’u bërë një fuqi?”, shtoi ai, duke theksuar se për t’u bërë fuqi Europa duhet të kalojë nga konfederatë në federatë.

Aty ku Europa është federuar, në tregti, konkurrencë, tregun e vetëm, politikën monetare, respektohemi si fuqi dhe negociojmë si një subjekt unik. E shohim sot në marrëveshjet tregtare të suksesshme të negociuara me Indinë dhe Amerikën Latine”.

Rendi global është tashmë shuar

Rendi global është tashmë i shuar, por nuk ka dështuar sepse ishte ndërtuar mbi një iluzion. Ai solli përfitime reale dhe gjerësisht të shpërndara: për Shtetet e Bashkuara, si fuqi hegjemone, përmes një influence të padiskutueshme në të gjitha sektorët dhe privilegjin e emetimit të monedhës rezervë botërore; për Europën, përmes një integrimi të thellë tregtar dhe një stabiliteti të paprecedentë; dhe për vendet në zhvillim, përmes pjesëmarrjes në ekonominë globale, duke nxjerrë miliarda njerëz nga varfëria”, theksoi ish‑guvernatori i Bankës Qendrore Europiane, BQE.

“Dështimi i sistemit qëndron në atë që nuk arriti të korrigjonte”, shtoi ai. “Shembja e këtij rendi nuk është në vetvete një kërcënim. Një botë me më pak shkëmbime tregtare dhe me rregulla më të dobëta do të ishte e dhimbshme, por Europa do të përshtatej. Kërcënimi është ajo që e zëvendëson”.

SHBA-të kërkojnë fragmentimin e BE

“Shtetet e Bashkuara, në pozicionin e tyre aktual, kërkojnë dominim bashkë me partneritetin. Kina mbështet modelin e saj të rritjes duke eksportuar kostot e saj te të tjerët. Integrimi europian ndërtohet ndryshe: jo mbi forcën, por mbi vullnetin e përbashkët. Jo mbi nënshtrimin, por mbi përfitimin e përbashkët”, theksoi Draghi. “Vendosin tarifa ndaj Europës, kërcënojnë interesat tona territoriale dhe e bëjnë të qartë, për herë të parë, se e konsiderojnë fragmentimin politik europian funksional për interesat e tyre”.

Laurea Honoris Causa

Ish‑kryeministri italian mori titullin për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në procesin e integrimit ekonomik dhe monetar europian, për një udhëheqje të bazuar mbi përgjegjësinë, gjykimin e ekuilibruar dhe rigorozitetin intelektual në momente kur zona e euros përballej me një krizë ekzistenciale. Draghi u nderua gjithashtu “për ofrimin e një busulle strategjike të aftë të pozicionojë me sukses BE‑në në një botë që ndryshon me shpejtësi, e karakterizuar nga rreziqe në rritje të fragmentimit dhe tensione gjeopolitike” dhe “për aftësinë e tij për të bashkuar punën akademike me një përkushtim të fortë ndaj shërbimit publik, duke ofruar një shembull për brezat e ardhshëm”.

Samiti mbi konkurrueshmërinë me Draghi dhe Letta

Pas disa ditësh do të shihet nëse 27 vendet ndajnë urgjencën për të vepruar, të theksuar edhe një herë nga Draghi. Ish‑numri një i BQE është ftuar në samitin informal mbi konkurrueshmërinë që do të mbahet më 12 shkurt. “Kam ftuar Mario Draghi dhe Enrico Letta të bashkohen me ne për të ndarë vizionet e tyre mbi konkurrueshmërinë europiane dhe mbi mënyrën se si këto janë zhvilluar që nga publikimi i dy raporteve të tyre themelore”, ka njoftuar presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, në letrën me të cilën fton liderët e BE të marrin pjesë në samitin informal mbi konkurrueshmërinë që do të zhvillohet në Alden Biesen.

“Sa i përket programit të ditës, do të fillojmë mbledhjen në orën 10:30 me një shkëmbim mendimesh me presidenten e Parlamentit Europian. Më pas do të diskutojmë me Mario Draghi ndikimin e kontekstit të ri gjeopolitik dhe gjeoekonomik mbi konkurrueshmërinë e BE, i ndjekur nga një drekë me 27 liderët me të njëjtin fokus”, shpjegoi Costa. “Pasdite do të kemi fillimisht një shkëmbim me Enrico Letta mbi mënyrën se si të vlerësojmë potencialin e tregut tonë të vetëm në një botë që ndryshon me shpejtësi”.

Marrë nga Corriere della Sera

Shën Valentini buzë Adriatikut - Grand Blue Fafa sjell oferta romantike për çifte

2 February 2026 at 14:33


Ka momente që meritojnë më shumë se një darkë të zakonshme.

Shën Valentini është një prej tyre - një festë që fton çiftet të ndalen për pak, të shijojnë kohën bashkë dhe të krijojnë kujtime që zgjasin.

Për këtë arsye, Grand Blue Fafa Resort & Spa ka përgatitur oferta speciale që e shndërrojnë 14 shkurtin në një përvojë romantike të plotë.

Çiftet mund të zgjedhin mes Darka Gala, me çmim 88 euro për çift, ose Darka Gala e kombinuar me një natë akomodim, me çmim 155 euro për çift. Në çmim përfshihen dhomë e dekoruar posaçërisht për çifte, mëngjes për dy persona, darkë romantike me menu peshku, një shishe verë, muzikë live, akses në Damai Wellness & Spa, si dhe parking falas, duke krijuar atmosferën e duhur për një mbrëmje të paharrueshme.

I vendosur në Golem, Grand Blue Fafa Resort & Spa pozicionohet si një nga destinacionet ideale për Shën Valentin në bregdetin shqiptar, duke kombinuar elegancën, privatësinë dhe shërbimin cilësor në një ofertë të vetme.

Këtë Shën Valentin, surprizoni personin e zemrës me një përvojë romantike në Grand Blue Fafa Resort & Spa.

Për më shumë informata dhe rezervime:

Facebook: Kompleksi Fafa

Tel: +355 69 700 1353

Email: info@fafa.al

Website: www.fafa.al

Më imunitet dhe “vende pune përjetë”, Mitsotakis kërkon të rifitojë besimin pas skandalit të korrupsionit

By: A R
2 February 2026 at 14:59

Kryeministri i Greqisë propozoi të hënën rishikimin e imunitetit ligjor të ministrave dhe heqjen e “vendeve të garantuara përjetë” për punonjësit e sektorit shtetëror, në përpjekje për të rikthyer besimin e votuesve pas një skandali korrupsioni dhe për të ndërtuar mbështetje përpara zgjedhjeve kombëtare të vitit 2027.

Qeveria e qendrës së djathtë e Kyriakos Mitsotakis vazhdon të kryesojë në sondazhet, por është tronditur nga një skandal korrupsioni, në të cilin disa fermerë, me ndihmën e punonjësve shtetërorë, falsifikuan pronësinë e tokave për të përfituar subvencione. Afera u zbulua nga prokurorët e BE-së në vitin 2025 dhe parlamenti po e heton çështjen.

Grekët u zemëruan gjithashtu nga mënyra se si qeveria e trajtoi aksidentin hekurudhor të vitit 2023, ku humbën jetën 57 persona, tragjedia më e rëndë në historinë e vendit. Në Greqi, vetëm parlamenti mund të hetojë ministrat ose të heqë imunitetin e deputetëve. “Ka ardhur koha për një rishikim të guximshëm kushtetues drejt një demokracie funksionale”, tha Mitsotakis në një letër drejtuar 156 deputetëve të tij në parlament.

Robotë të armatosur në Serbi, Vuçiç: Do mbrojnë vendin, do na ndihmojë Kina

By: A R
2 February 2026 at 14:50

Ushtria serbe do te fuqizohet shpejt me rekrutë rinj, e ata nuk do të jenë njerëz por robotë humanoid.  Është presidenti Aleksandër Vuçiç që e tha diçka të tillë. Sipas tij, vendi do të prezantojë mijëra robotë të armatosur në paradën e ardhshme ushtarake, pasi prodhimi i tyre do të fillojë që këtë vit.

Vuçiç tha se do të kërkojë mbështetjen kineze nga presidenti Xi Jingping.  “Ata mund të mbajnë deri në 30 kilogramë, që do të thotë se mund të mbajnë kamera, mund të bëjnë atë që bëjnë tashmë në Kinë: kontrolle kufitare, i ke mbi rrota në rrugë, i ke pa rrota në mënyrë që të mund të kërcejnë, të bëjnë çfarë të munden dhe gjithashtu mund t’i armatosësh.

Pra, në paradën tonë të ardhshme ushtarake, do të kemi mijëra robotë të armatosur, në mënyrë që të sigurojmë vendin tonë”, theksoi Vuçiç. Ai e bëri këtë deklaratë në Qendrën Kulturore Kineze, ku mori pjesë në një prezantim të robotëve nga kompania AGIBOT Innovation. Vuçiç theksoi se Serbia mund të bëhet vendi I parë në Europë që prodhon robotë humanoid që këtë vit.

Berisha: Po shkojmë drejt ngujimit në bulevard. Të gjithë të angazhuar në protestën e 10 shkurtit

By: A R
2 February 2026 at 14:41

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se opozita po shkon drejt ngujimit në bulevard, duke theksuar se protestat nuk do të ndalen pa largimin e kryeministrit Edi Rama.

“Janë me qindra qytetarë që më shkruajnë dhe më thonë se nuk duhet të largohemi nga bulevardi pa larguar Edi Ramën. Ne drejt asaj do të shkojmë. Në mënyrë të pashmangshme dhe të sigurt,” u shpreh Berisha.

Ai theksoi se ky moment kërkon një diskutim të gjerë me qytetarët, mbështetësit dhe strukturat e opozitës, duke nënvizuar se vendimmarrja është në duart e qytetarëve.

“Gjithçka është në duart e qytetarëve dhe të rinjve shqiptarë. Unë kam shumë besim. Ne do të vazhdojmë misionin për përmbysjen e kësaj narkodiktature dhe rikthimin e votës së lirë për shqiptarët,” deklaroi Berisha.

Në një mesazh drejtuar deputetëve të Partisë Demokratike, Berisha theksoi se përparësi absolute është organizimi sa më i fuqishëm i protestës së datës 10.

“Koha është e qytetarëve. Çdo orë e ditës suaj duhet t’i kushtohet takimeve me qytetarët dhe organizimit të protestës. Llojshmëria e saj është e domosdoshme, sepse kjo është rruga e vetme,” tha Berisha.

Medvedev paralajmëron: Nëse skadon traktati për armët bërthamore, bota duhet të shqetësohet

By: A R
2 February 2026 at 14:31

Dmitry Medvedev, nënkryetar i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, tha se nëse traktati New START skadon pa një zëvendësues, atëherë bota duhet të shqetësohet nga fakti që fuqitë më të mëdha bërthamore nuk do të kenë më kufizime, ndoshta për herë të parë që nga fillimi i viteve 1970.

New START (New Strategic Arms Reduction Treaty) është një marrëveshje për reduktimin e armëve bërthamore e nënshkruar në vitin 2010 nga SHBA-të dhe Rusia, e cila hyri në fuqi në 2011.

“Nuk dua të them se kjo do të thotë menjëherë katastrofë dhe se do të nisë një luftë bërthamore, por gjithsesi duhet t’i shqetësojë të gjithë,” tha Medvedev për ReutersTASS dhe blogerin rus të luftës WarGonzo, në një intervistë në rezidencën e tij pranë Moskës.

Medvedev shtoi se traktatet e kontrollit të armëve luajnë një rol vendimtar jo vetëm në kufizimin e numrit të kokave bërthamore, por edhe si një mënyrë për të verifikuar qëllimet dhe për të siguruar një element besimi mes fuqive të mëdha bërthamore.

Pagat e magjistratëve / GJK zbardh seancën, gjyqtarët: Kërkesa në mars. Qeveria në fushatë zgjedhore…

By: A R
2 February 2026 at 14:19

Për shkak të defektit teknik, Gjykata Kushtetuese, nuk ka arritur të publikoj me video seancën për kërkesën e gjyqtarëve për të rritur pagat. Por audoja është bërë publike ku qartësohen dhe pozicionet e gjyqtarëve që kërkojnë rritje të pagave, përmes Gjykatës Kushtetuese. Kërkesa u bë prej dy shoqatave të gjyqtarëve, në muajin mars, me synimin që ajo të shqyrtohej po në atë kohë. Arsyja lidhet me mosvëmendjen e qeverisë tek gjykatat, për shkak të kohës së zgjedhjeve, që ishin në maj të 2025, sic e tregon njëri prej përfaqësuesve në seancën e 20 jananrit.

“Une jam gjyqtar karriere. Perves se jam nje qytetar aktiv ne shoqeri dhe e kuptoj nga politika, kuptoj nga jeta shoqerore nga të gjitha. Kuptoj dhe nga statusi dhe niveli i demokracisë apo statusit të zhvillimit të këtij vendi, marrëdheniet ndërmjet pushteteve”- tha gjyqtari.

Këtu gjyqtari e ligji argumentin me reagim dhe përplasjen me kryeministrin.

“Eshtë paraqitur në fillim të marsit, e kam bërë kërkesën vet pesonalisht, dhe shpresoja qe te dilte shume shpejte kerkesa qe te mos kishte kohe qe te merrej, te pakten ne pjesen e presionit. Gjygj është gjyq, ne mbrojmë interesin tonë, gjyqtari sot është nesër nuk është, por janë brezat e gjyqtarëve. Çështja u shty dhe jemi këtu që po diskutojmë, presionin nuk kemi dashur të reagojmë. Sepse indirekt rritet dhe paga juaj. Ky është refren që e dëgjon në vijimësi. Edhe ne të zgjuar jemi, të presim një moment të përshtatshem, kur përgatiteshin zgjedhjet e tjera dhe te pakten qeveria nuk do të kishte kohë të merrej me ne apo me ju, ndërkohë nuk i dihej si do të dilte rezultati i zgjedhjeve të tjera.” shton ai.

Por sipas përfaqësuesve të shoqatave të gjyqtarëve, gjatë zgjedhjeve presioni ndaj Kushtyetuese do të ishte i ulët, për shkak të angazimit në fushatë zgjedhore.

 “Jemi koshinet, ne lidhje me pushtetin ekzekutiv dhe nivelin e demokracisë dhe të gjithë gjërat që janë në këtë vend. Kjo është arsyeja nga  fillimi deri në fund. Unë nuk dua të tregohem si shumë të zgjuar, pavarsisht se nuk na dolën llogaritë në atë mënyrë. Zgjodhën atë pikën kur presioni do të ishte më i ulët. Por për rrethana rastësore nuk rezultoi ashtu” tha gjyqtari.

Në seancë përfqësuesit e gjyqtarëve argumentuan në vijim, se në fakt rritja e pagës së tyre ishte parashikuar të ndodhte por më pas Kuvendi u tëhoq, për arsye hakmarrjeje.

“Ndryshimet ligjore jane kryekeput inatçore dhe ne shkelje me vetedije te plote te kushtetutes. Kuvendi i kishte parashikuar ne buxhetin 2023 shtesat e pagave te magjistrateve, më pasi i anuloi si hakmarrje per pranimin e kerkeses se Unionit ne vendimin e Kushtetueses.” u shpreh ai.

Kërkesa e gjyqtarëve në thelb është një rritje konstante të pagës së tyre, sa herë që qeveria vendos rritjen e pagavë për administratën.

“Ne realitet nje page fikse sillte kercenim te autoritetit pasi rritja ekonomike sillte rritje te pagave te te gjithe funksionareve te tjere. Paga e gjyqtareve nuk mund te jete nje vlere fikse dhe ti lihet ne dore ekzelutivit apo legjisltativit, sa here ti teket per per tia rritur. Paga e Presidentit u rrit me 36 per qind ne 425. 000 leke. Kjo nuk u reflektua sepse nuk u reflektua dhe ky koeficit i drejtë, 49 apo 59 për qind, ne pretendojmë 59 sepse kete  keni thene ju tek vendimi”-vijoi gjyqtari.

Gjykata Kushtetuese e ka shqyrtuar kërkesën e gjyqtarëve më datë 20 janar, ndërkohë ende nuk është zbardhur vendimi nëse do i jap apo jo të drejt gjyqtarëve për rritnen e pagave të tyre.

Opozita mungoi përsëri, Mazniku: Nesër në Kuvend kalojmë ndryshimin e Komisionit për Territorialen, të jetë vetëm 1 kryetar

By: A R
2 February 2026 at 14:10

Është mbledhur këtë të hënë Komisioni Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale në Republikën e Shqipërisë.

Mbledhja ka nisur rreth orës 13:00, por opozita edhe njëherë tjetër ka munguar.

“Kjo është mbledhja e katërt që opozita nuk vjen, kemi humbur kohë shumë të rëndësishme për një reformë e cila është në ngut kohe. Duke pasur parasysh se zgjedhjet e radhës vendore ndodhin në fundin e prillit apo në majin e vitit 2027, shtë shumë e rëndësishme që kjo reformë të përmbyllet siç janë dhe praktikat më të mira europiane, rreth 1 vit përpara zgjedhjeve, prandaj qëllimi ynë t’i qëndrojmë besnik këtij parimi, t’i mbyllim deri në korrik të këtij viti”, tha bashkëkryetari i këtij komisioni Arbjan Mazniku në nisje të fjalës së tij.

Ai shtoi se për këtë arsye duhet shumë punë dhe konsultime për ta arritur targetin.

Për shkak të mungesës së anëtarëve të këtij komisioni nga opozita për të disatën herë, Maziku tha se mazhoranca do të kalojë nesër në Kuvend kërkesën për të ndryshuar përbërjen e këtij komisioni, ku Partia socialiste do të kalojë me një anëtar më shumë.

“Nisur nga kjo logjikë, nga nxitimi që kemi për të realizuar objektivat por dhe nga nevoja e jashtëzakonshme që kemi për t’i realizuar, kemi kërkuar javën e kaluar Parlamentit, që të ndryshojmë mënyrën se si është formuar komisioni, pa ndryshuar shumëçka, duke shtuar një anëtar nga ana e mazhorancës, në mënyrë për të krijuar një mekanizëm zhbllokues. Kjo nuk do të thotë që opozita nuk do jetë në komision, do të jetë e mirëpritur në të gjitha proceset, në të gjitha hapat, në të gjitha diskutimet,  8 vendet e saj janë ato që janë.”, shtoi Mazniku.

Po ashtu, bashkëkryetari i komisionit theksoi se do të kërkojnë që të mos ketë më dy bashkëkryetarë, por vetëm një kryetar si komisionet e tjera normale, kjo për të “zhbllokuar” situatën e krijuar nga mungesa e opozitës dhe për të çuar punën përpara, me qëllim përmbylljen e reformës deri në korrik të këtij viti.

Sjellim ndërmend se më herët ditën e sotme, kreu i grupi parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha se do merren masa nëse anëtarët demokratë nuk marrin pjesë as sot në mbledhjen e Komisionit të Posaçëm të Reformës Territoriale. Kjo nënkupton ndryshimin e përbërjes së Komisionit të Posaçëm, ku PS do të ketë një anëtar më shumë.

Gjatë Konferencës së Kryetarëve të mbajtur javën e kaluar, Partia Socialiste kërkoi që të ndryshohej formula e funksionimit të këtyre komisioneve, duke marrë shumicën e anëtarësisë dhe rrjedhimisht duke i dhënë mundësinë vetes për t’i bërë të gjitha ndryshimet e nevojshme pa opozitën. Partia Demokratike nga ana tjetër pretendon se nuk ka marrë pjesë për shkak të agjendave paralele dhe jo për arsye bojkoti.

Berisha ‘paralajmëron’ Ramën: Nëse shkon në KiE do pritesh me protesta, mbaje mend!

By: A R
2 February 2026 at 14:01

Partia Demokratike zhvillon sot, 2 shkurt, mbledhjen e grupit parlamentar. Kreu i selisë blu, Sali Berisha, vlerësoi punën e deputetëve demokratë dhe tha se zemërimi i qytetarëve po shkon në përmasa të papërmbajtura. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se është arkitekt i korrupsionit në Shqipëri dhe se duhet të japë dorëheqjen.

“E vlerësoj punën që keni bërë me zgjedhësit, por ju garantoj se zemërimi i qytetarëve po shkon në përmasa të papërmbajtura. Ka një revoltë të brendshme shpirtërore te njerëzit e thjeshtë që e shohin se edhe ajo shpresë që kishin te drejtësia për ndëshkimin e korrupsionit u shua. Ata kuptuan se shkaku, autori, arkitekti i sistemit të korrupsionit në Shqipëri e ka emrin Edi Rama”, tha Berisha.

Berisha paralajmëroi Ramën se nëse do të shkojë në Këshillin e Europës do ta presin shqiptarët me protesta.

“Nuk ka vend për ata të cilët sillen si me qenë i biri i Enver Hoxhës aty dhe shanset i ka minimale, për të thënë të pakëta, sidoqoftë se në rast se ky synon të shkojë në atë seli, shqiptarët e Francës dhe Gjermanisë do i ketë para saj. Po, do organizohet një nga protestat më të fuqishme sepse e meriton. Tani, keni parë ju, deputetë me mandate krimi, delinkuentë, kalojnë si hiena nga një sallë në tjetër duke thënë se ja si e nxin ky Shqipërinë, pse unë them të vërtetat dhe mbroj dinjitetin e shqiptarëve që nuk kanë lidhje me këta hajdutë. Kurse ata mbrojnë krimet e tyre”, tha Rama.

Kujtojmë se pak para se të niste mbledhja e grupit parlamentar të PD-së u zhvillua mbledhja e Komisionit të Posaçëm të Reformës Territoriale, ku deputetët demokratë nuk morën pjesë.

Për këtë çështje, mazhoranca ka paralajmëruar se do të aplikojë mekanizma zhbllokues, duke iu referuar kërkesës së PS-së për të ndryshuar formulimin e funksionimit të komisioneve të posaçme.

GJKKO mbyll shqyrtimin paraprak të dosjes “Veliaj”, vendimi në 9 shkurt

By: A R
2 February 2026 at 13:53

Gjykata e Posaçme ka mbyllur shqyrtimin paraprak të dosjes “Veliaj”, ndërsa u tërhoq për vendim në seancën e 9 shkurtit në orën 12:00.

Seanca u shty përtej afatit 5 ditor për shkak të kërkesës së Veliajt për përjashtim të gjyqtares, nëse e depoziton atë me shkrim.

Veliaj ka pretenduar se avokatja Valentina Teodoresku nuk i garantonte mbrojtje efektive. Sipas tij, avokatja nuk e njeh dosjen dhe se edhe ai vetë nuk është njohur me të gjitha aktet e saj.

Avokatja Teodoresku ka kërkuar kohë shtesë, duke pohuar se e ka takuar vetëm një herë në paraburgim Veliaj. Sipas saj, ajo ka qëndruar vetëm një orë, pasi aq mund ta priste taksia.

Gjykata ka vendosur të kalojë në konkluzione përfundimtare. Avokati i Veliajt, Artan Gjermeni, është larguar nga salla. Pas tij është larguar edhe kryebashkiaku, pasi ka kërkuar edhe përjashtimin e gjyqtares paraprake, Etleva Deda.

Reagon Jahjaga: Nuk kam asnjë lidhje me dosjen “Epstein”, raportimet janë mashtrime

By: A R
2 February 2026 at 13:44

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka reaguar publikisht pas raportimeve mediatike që e lidhën emrin e saj me dosjen famëkeqe “Epstein”, duke i cilësuar ato si tërësisht të pavërteta dhe të pabaza. Në një sqarim zyrtar, Jahjaga thekson se gjatë gjithë ushtrimit të detyrës si Presidente e Republikës së Kosovës, nuk ka pasur asnjë njohje, takim apo çfarëdo lloj kontakti me Jeffrey Epstein.

Sipas saj, përmendja e emrit të saj në media lidhet vetëm me një korrespondencë elektronike të palëve të treta, e cila nuk përbën provë për ndonjë takim apo lidhje personale. Ajo nënvizon se emri i saj nuk figuron në asnjë dokument të publikuar dhe se në email përmendet vetëm “Presidenti i Kosovës”, pa specifikuar identitetin dhe pa kërkesë për takim në emër të saj.

“Çdo raportim ndryshe është insinuatë dhe mashtrim i opinionit publik”, deklaron Jahjaga, duke kërkuar që ky sqarim të publikohet nga të gjitha mediat që kanë lakuar emrin e saj.

Në dokumentet e publikuara më 29 janar nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë përmendet një email i vitit 2012 ku flitet për “Presidentin e Kosovës”, periudhë kur këtë detyrë e mbante Atifete Jahjaga. Megjithatë, nuk ka asnjë provë që takimi i përmendur të ketë ndodhur apo që ajo të ketë qenë e përfshirë.

PD mbledh grupin parlamentar, Berisha: S’e keni idenë sesa të zemëruar janë qytetarët me qeverinë

By: A R
2 February 2026 at 13:35

Partia Demokratike zhvillon sot, 2 shkurt, mbledhjen e grupit parlamentar. Kreu i selisë blu, Sali Berisha, vlerësoi punën e deputetëve demokratë dhe tha se zemërimi i qytetarëve po shkon në përmasa të papërmbajtura. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se është arkitekt i korrupsionit në Shqipëri dhe se duhet të japë dorëheqjen.

“E vlerësoj punën që keni bërë me zgjedhësit, por ju garantoj se zemërimi i qytetarëve po shkon në përmasa të papërmbajtura. Ka një revoltë të brendshme shpirtërore te njerëzit e thjeshtë që e shohin se edhe ajo shpresë që kishin te drejtësia për ndëshkimin e korrupsionit u shua. Ata kuptuan se shkaku, autori, arkitekti i sistemit të korrupsionit në Shqipëri e ka emrin Edi Rama”, tha Berisha.

Kujtojmë se pak para se të niste mbledhja e grupit parlamentar të PD-së u zhvillua mbledhja e Komisionit të Posaçëm të Reformës Territoriale, ku deputetët demokratë nuk morën pjesë.

Për këtë çështje, mazhoranca ka paralajmëruar se do të aplikojë mekanizma zhbllokues, duke iu referuar kërkesës së PS-së për të ndryshuar formulimin e funksionimit të komisioneve të posaçme.

❌
❌