Media franceze “Ulysse News”: Udhëtim në Shqipëri, nga gjiret magjike, në qytetet e gurta dhe shtigjet e qeta malore
TIRANË, 7 shkurt /ATSH/- Shqipëria nuk është më një vend i panjohur! Ajo është tashmë nën radarin e turistëve ndërkombëtarë, e lehtë për t’u arritur, dhe ende mund të duket e egër në mënyrë surprizuese, shkruan Vincent Mabire në një artikull të botuar në median franceze të udhëtimeve “Ulysse News”.
Sekreti është të ngadalësoni ritmin sa duhet, për t’i dhënë vendit mundësinë të shfaqë anën e tij më të bukur — nga gjiret magjike joniane, te qytetet e gurta dhe shtigjet e qeta malore.
Nëse pyesni vizitorët pse janë dashuruar me Shqipërinë, shumica do të fillojnë me detin e saj të kristaltë.
Pastaj, do të flasin për një qytet malor ku perëndimi i diellit të lë pa frymë, për një sit romak të fshehur mes pishave, ose për një vakt të shijshëm që ishte shndërruar në një bisedë të gjatë dhe të paharrueshme.
Kjo është magjia e vërtetë e Shqipërisë: ajo shpërblen kuriozitetin dhe ritmin e ngadaltë, jo shpejtësinë!
Kombinoni kohën në plazh, eksplorimet kulturore dhe natyrën e gjallë, dhe do të përjetoni një udhëtim të paharrueshëm në këtë vend të mrekullueshëm.
Pse Shqipëria duket si një destinacion i ri edhe pasi është bërë trend?
Magjia e Shqipërisë nuk qëndron vetëm te çmimet e përballueshme!
Ajo vjen nga ndjesia se vendi ende po zbulon veten, në kohë reale, sidomos kur largohesh nga pikat më të njohura të plazhit!
Në Tiranë, kjo energji ndihet menjëherë: kafenetë janë të mbushura, lagjet ndryshojnë shpejt, dhe qyteti kombinon ngjyra të guximshme me histori të freskët.
Ajo që e bën Shqipërinë të ndryshme nga shumë destinacione klasike mesdhetare është diversiteti i peizazhit.
Në një udhëtim të vetëm, mund të vizitoni bregdetin e Jonit, qytetet e vjetra të listuara në UNESCO dhe në fund të përfundoni në ajër të pastër malor.
Destinacionet kulturore që i shtojnë thellësi të vërtetë një udhëtimi në plazh
Nuk keni nevojë të jeni një adhurues i historisë për të shijuar vendet kulturore të Shqipërisë.
Këto vende janë të vendosura në peizazhe magjepsëse dhe e tregojnë qartë historinë nëse lexoni secilën pllakë.
Niseni turin me Butrintin dhe një nga qytetet e listuara në UNESCO.
Parku Arkeologjik i Butrintit ndodhet pranë bregdetit jugor, mjaftueshëm afër për të kaluar disa ditë në plazh dhe për të rifreskuar mendjen!
Është një vend ku mund të shëtisni nëpër shumë epoka, i rrethuar nga gjelbërimi dhe uji.
Gjithashtu, vizitoni Sarandën dhe zgjidhni një mjedis praktik ku mund të notoni në det, të kaloni një mëngjes kulturor dhe në mbrëmje të relaksoheni pranë bregut.
Ju rekomandojmë të zbuloni qytetet e vjetra, dyshen klasike, Beratin dhe Gjirokastrën, për disa arsye të mira!
Berati është i ndritshëm, i butë dhe piktoresk ndërsa Gjirokastra është shkëmbore, e pjerrët dhe emocionuese.
Të dy qytetet është më mirë të eksplorohen ngadalë, duke bërë një shëtitje pasdite vonë dhe duke shijuar një darkë të qetë në një nga restorantet aty pranë.
Nëse nuk keni shumë kohë në dispozicion, zgjidhni vetëm një nga qytetet dhe zbuloni sa më shumë që të mundeni!
Një natë e vetme mund të jetë magjike, nëse arrini herët dhe shijoni një shëtitje para perëndimit të diellit.
Gjithashtu, vizitoni Durrësin, dhe zbuloni amfiteatrin romak që daton në fillim të shekullit II pas Krishtit, një monument i historisë së gjatë dhe të lashtë të qytetit bregdetar.
Vija bregdetare jugore, e njohur si Riviera Shqiptare, është vendi ku “lindin” kartolinat.
Aty do të gjeni ujëra të kristalta ngjyrë bruz, rrugë buzë shkëmbinjve dhe plazhe që duken shumë të pastra për të qenë reale.
Por ka një detaj të rëndësishëm: koha.
Në korrik dhe gusht, destinacionet kryesore bregdetare mund të duken të mbipopulluara.
Zgjidhja nuk është e ndërlikuar, por strategjike.
Planifikoni kohën që do të shpenzoni në plazh për të shijuar momente relaksi.
Shkoni herët, dhe gjeni një vend ku ka hije dhe lëvizni për shëtitje panoramike pasi të bjerë vapa.
Qendroni larg zonave më të nxehta dhe vizitojoni ato gjatë ditës.
Kështu shijoni pamjet,shmangni kaosin dhe shpesh shpenzoni më pak.
Saranda është një nga destinacionet më të mira në jug, ndërsa Vlora mund të jetë një pikë e mirë orientimi për në veri, në varësi të itinerarit tuaj!
Në brendësi të Shqipërisë, udhëtimi fillon të marrë frymë.
Zhurma e plazhit zëvendësohet nga lugina, lumenj dhe qytete që ecin me një ritëm tjetër.
Nëse kërkon një destinacion të lehtë dhe të qetë, ktheje vështrimin nga Liqeni i Ohrit, në lindje.
Është vendi ideal për mëngjese të ngadalta, shëtitje buzë liqenit dhe një ritëm udhëtimi të butë.
Për një itinerar të fokusuar te natyra, zona e lumit Vjosë është një zgjedhje shumë e mirë, sidomos nëse të pëlqejnë hapësirat e gjera dhe ideja e një Shqipërie më të egër e më autentike.
Në skajin verior, Alpet Shqiptare ofrojnë një “wow” krejt tjetër: maja të thepisura, fshatra të vegjël dhe shtigje ecjeje që mund të kthehen në pikën kulmore të gjithë udhëtimit tuaj.
Çelësi është të pranosh lëvizje më të ngadalta dhe të planifikosh më pak ndalesa.
Dy ose tre netë në të njëjtën zonë malore shpesh vlejnë më shumë sesa një xhiro e shpejtë që të lë pa frymë.
Një udhëtim i paharrueshëm në Shqipëri rrallëherë ka të bëjë me të bërë sa më shumë gjëra! Ka të bëjë me krijimin e një ritmi të natyrshëm.
Mbani mend se gjatë verës, vendet kulturore shijohen më së miri në mëngjes, ndërsa pasditet i përkasin detit, dhe drekave të gjata.
Shqipëria ofron më të mirën e saj kur i jepni kohë të ndalet dhe t’ju prekë! //a.i/
The post Media franceze “Ulysse News”: Udhëtim në Shqipëri, nga gjiret magjike, në qytetet e gurta dhe shtigjet e qeta malore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.