Keqkuptimi i fundit rreth tarifave të energjisë - çfarë vendosi realisht ZRRE në mbledhjen e së hënës?
Qindra mijëra konsumatorë dhe biznese në Kosovë, po përgatiten për mundësinë e një rritjeje të ndjeshme të çmimeve të energjisë elektrike për vitin 2026, pasi operatorët kryesorë të sektorit kanë dorëzuar zyrtarisht kërkesat e tyre te Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).
E kur ndodhemi tek kjo temë që prek drejtpërdrejt xhepin e qytetarëve, dje në media u keqinterpretua mbledhja e parë për këtë vit e Bordit të ZRRE-së, duke u raportuar se kanë deklaruar se nuk do të ketë rritje të tarifave të energjisë.
Mirëpo kjo nuk ishte e saktë, në mbledhje u diskutua për tarifat e NEMO-s (Operatorit të Emëruar të Tregut të Energjisë), që nuk është furnizues i energjisë për qytetarët dhe që nuk është institucioni që u dërgon faturat qytetarëve.
Telegrafi raportoi drejt, duke bërë të ditur se ishte propozuar që tarifa e NEMO-s të mbetet e pandryshuar krahasuar me periudhën paraprake.
ZRRE miraton të hyrat e NEMO-s dhe cakton KEK-un si Furnizues të Mundësisë së Fundit edhe për 3 vjet
“ZRRE gjithashtu konfirmoi se tarifat e ALPEX - NEMO aplikohen vetëm për shërbimet ndaj anëtarëve të bursës” dhe me 5 vota për u aprovuan të hyrat dhe mbetën të njëjta tarifa për periudhën e propozuar nga departamenti i tarifave”, raportoi Telegrafi.
Ndaj keqinterpretimit të këtij vendimi reagoi edhe vetë ZRRE-ja duke thënë se raportimet për mosshtrenjtim të tarifave te energjisë elektrike nuk kanë të bëjnë me shtrenjtimin ose jo të tarifave të përgjithshme të gjithë konsumatorëve, por lidhën vetëm me tarifat e bursës ndërkombëtare të rrymës, ku Kosova dhe bizneset bëjnë shitblerjen e saj.
Kur u raportua shtrenjtimi i energjisë?
Më 29 janar është raportuar se tre operatorë energjetikë në Kosovë – KESCO, KOSTT dhe KEDS, kanë kërkuar rritje të tarifave të energjisë elektrike për vitin 2026.
Sipas dokumenteve zyrtare, kompania kryesore që furnizon energji elektrike me shërbim universal ka kërkuar një rritje prej afro 20–21 % të çmimeve të energjisë për vitin e ardhshëm, duke argumentuar se kostot operative janë rritur ndjeshëm dhe se sigurimi i furnizimit të qëndrueshëm kërkon mjete financiare më të larta.
ZRRE ka bërë të ditur se çdo rritje do të aprovohet vetëm nëse konsiderohet e arsyeshme dhe në përputhje me ligjin.
Kur caktohen tarifat për konsumatorët?
Vendimi final mbi tarifat e reja për konsumatorët shpallet më 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars të vitit të ardhshëm. ZRRE shqyrton dhe cakton tarifat e energjisë elektrike për konsumatorët çdo vit.
Vitin e kaluar, ZRRE-ja kishte miratuar rritje të tarifave për 16.1 për qind krahasuar me vitin paraprak.
Sipas tarifave aktuale, konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovat në orë në muaj paguajnë 9.05 centë për kilovat, ndërsa ata që shpenzojnë mbi këtë prag paguajnë 15.43 centë për kilovat.
Kurse tarifat e lira që shfrytëzohen gjatë natës nga ora 23:00 deri në 08:00 të mëngjesit, konsumatorët për një kilovat paguajnë 3.88 centë për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovatë. Ndërkaq, ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë paguajnë 7.28 centë për kilovat. /Telegrafi/
