Jehona Lushaku-Sadriu e Lidhja Demokratike e Kosovës, gjatë një paraqitjeje në emisionin Debat Plus, ka deklaruar se partia e saj nuk ka obligim as të qëndrojë në sallë, as t’i japë mbështetje Vjosa Osmani për një mandat tjetër si presidente.
Ajo ka kritikuar Osmanin për, siç tha, njëanshmëri gjatë ushtrimit të detyrës.
“Gjatë këtyre pesë viteve kemi parë një presidente që në shumë momente ka qenë e anshme. Presidentja duhet të jetë mbi partitë politike dhe të ketë një rol unifikues e përbashkues, dhe vendimet e saj të jenë në interes të vendit. Shpeshherë kemi parë vendime që kanë dhënë efekte dhe anësi politike ndaj partisë që ka qenë në pushtet”, ka thënë ajo.
Lushaku-Sadriu theksoi se për këto arsye, LDK nuk e sheh si obligim pjesëmarrjen në sallë apo dhënien e mbështetjes për Osmanin.
“Prandaj ne nuk e shohim si diçka që neve na obligon që të rrimë në sallë e as që t’i japim mbështetje. Pra, ne si deputetë duhet ta kryejmë obligimin tonë duke votuar ose duke marrë një qëndrim politik. Normalisht që si parti politike, në këtë moment, për aq sa kemi përgjegjësi, duhet të jemi edhe përgjegjës në kuptimin e marrëveshjeve politike”, ka deklaruar ajo.
Eugen Cakolli nga KDI, në RTV21, nuk e përjashtoi mundësinë e zgjedhjeve në prill të 2026.
Siç vlerësoi ai, mosgatishmëria e liderit të LVV-së, Albin Kurti, që të ketë një koalicion me ndonjë parti për postin e presidentit, bën që gjasat për zgjedhje janë reale.
“Megjithëse unë besoj që mund të gjendet ndonjë zgjidhje deri në atë kohë, por nëse do të kemi zgjedhje, ato do të mbahen në javën e dytë të muajit prill, respektivisht diku nga data 1 deri më 20 prill”, tha ai.
Sipas tij, presidenti duhet të votohet më së largu deri më mars, ose vendi do të shkojë automatikisht drejt zgjedhjeve të parakohshme.
Tutje, ai tha se presioni më i madh për votat për presidenten Vjosa Osmani do të bjerë mbi LDK-në.
“Meqenëse LVV pritet t’i ketë 57 deputetë, numër të cilit nëse i shtohen edhe 11 deputetët nga komunitetet jo-shumicë dhe një nga komuniteti jo-serb, atëherë e çon numrin në 68 deputetë, por që zakonisht partitë janë kujdesur që mos ta lënë për një deputet dhe, natyrisht, barra më e madhe e presionit do të bjerë mbi LDK-në… për faktin se po tentohet që të gjendet një fajtor kujdestar në rast të dështimit të zgjedhjes së presidentit”, tha ai.
Cakolli shtoi se Kurtit nuk i bëhet vonë nëse dështon zgjedhja e presidentit, pasi që ka tri mandate.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) po vazhdon verifikimin dhe numërimin e 3,185 pakove të supozuara me fletëvotime që kanë ardhur së fundmi nga diaspora.
Deri më tani janë numëruar 20 kuti votimi, ndërsa mbeten për t’u numëruar edhe 17 të tjera.
Rezultatet e përkohshme nga këto fletëvotime janë:
LVV: 885 vota PDK: 149 vota LDK: 91vota AAK: 64 vota
Këto rezultate nuk kanë ndryshuar raportin e mëparshëm të mandateve në Kuvend.
Fletëvotimet janë tërhequr nga kutitë postare në disa qytete të diasporës: Paris (1,962), Berlin (633), Hagë (61), Podgoricë (125) dhe Otavë (404).
Numërimi i këtyre votave shënon përfundimin e procesit të numërimit të të gjitha fletëvotimeve për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025./Telegrafi/
Zjarri që ka përfshirë kompaninë “Comodita” në Gjakovë përbën një goditje të rëndë për industrinë prodhuese të Kosovës dhe për ekonominë e vendit. Ngjarja prek drejtpërdrejt mijëra punëtorë dhe familjet e tyre, qytetin e Gjakovës dhe gjithë zinxhirin ekonomik që varet nga kjo ndërmarrje strategjike.
“Comodita” përfaqëson një shtyllë të prodhimit vendor dhe është një histori suksesi kosovare, e ndërtuar me punë dhe sakrificë ndër vite. Çdo dëmtim i kësaj kompanie reflekton si humbje për ekonominë e Kosovës dhe prodhimin vendor.
Lidhja e Bizneseve të Kosovës shpreh solidaritet të plotë me pronarin, Shkëlqim Devollin, menaxhmentin dhe punëtorët e “Comodita”. Po ashtu, ajo kërkon reagim të menjëhershëm nga Qeveria e Kosovës, institucionet përgjegjëse dhe pushteti lokal, përmes mbështetjes institucionale, financiare dhe administrative, me qëllim rimëkëmbjen sa më të shpejtë të kompanisë dhe ruajtjen e vendeve të punës.
Në situata të tilla, shteti duhet të qëndrojë fuqishëm pranë prodhuesve vendorë. Mbrojtja e industrisë është njëkohësisht mbrojtje e punëtorëve, familjeve dhe ekonomisë kombëtare.
Lidhja e Bizneseve të Kosovës shpreh shpresën që dëmet të jenë sa më të vogla dhe që “Comodita” të ringrihet shpejt dhe më e fortë se më parë, duke garantuar vazhdimësinë e prodhimit vendor.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar zyrtarisht shfuqizimin e rreth 20.000 votave të dërguara në vend përmes postës nga mërgata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, duke u thirrur në shkelje ligjore.
PDK - e cila doli e dyta në zgjedhje - parashtroi ankesë në Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), të enjten.
Ajo tha se mbi 20.000 fletëvotime ishin dërguar me postë nga jashtë vendit me vonesë, pas afatit të lejuar ligjor.
Sipas Ligjit të Kosovës për Zgjedhjet, fletëvotimet e dërguara me postë nga jashtë vendit mund të pranohen nga KQZ-ja më së largu një ditë pas zgjedhjeve.
Neni 96 thotë se “vota përmes votimit jashtë Kosovës, e dërguar me postë në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë, pranohet nga KQZ-ja deri të nesërmen e ditës së zgjedhjeve në orën 16:00, me kusht që të ketë vulën e dërgimit para ditës së zgjedhjeve”.
Anëtari i PDK-së në KQZ, Ilir Gashi, shkroi të enjten në Facebook se propozimi për pranimin e fletëvotimeve pas afatit u miratua në KQZ “me vetëdije se po bëhej shkelje ligjore, edhe pse kjo u arsyetua me qëllimin që të mos keqkuptohej se jemi kundër mërgatës”.
“Prandaj, organet kompetente duhet të vendosin në mënyrë meritore lidhur me vendimin e KQZ-së për pranimin e fletëvotimeve jashtë afatit ligjor”, shkroi Gashi.
Por, Alban Krasniqi - anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, e cila i fitoi bindshëm zgjedhjet përfshirë edhe votat me postë – e akuzoi PDK-në për ankesë të “turpshme” kundër mërgatës.
“Vetë e votuan në KQZ procedurën dhe afatet, e tash kur mërgata u vetorganizua dhe arriti të sjellë fletëvotimet nga gjithandej globit, këtyre u djeg ky fakt duke harruar që humbjen nuk e kanë nga mërgata, e as nga votuesit në Kosovë, por nga sjellja, veprimet dhe vendimet e dëmshme të vet PDK-së”, shkroi Krasniqi në Facebook të enjten.
Rreth 51.000 qytetarë të Kosovës në mërgatë ishin regjistruar për të votuar përmes postës në këto zgjedhje.
Kur janë numëruar rreth 80 për qind të votave me postë, Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti i ka fituar 30.671 vota, ndërsa PDK-ja vetëm 4.335 vota.
Para fillimit të numërimit të votave me postë, PDK-ja ishte në rrugë për t’i fituar 23 ulëse në Kuvendin e Kosovës, por tani ajo ka humbur një ulëse.
Vetëvendosje, ndërkohë, ka fituar 57 ulëse dhe Kurti pritet ta themelojë qeverinë e re të vendit sapo të verifikohen rezultatet e zgjedhjeve.
KQZ-ja njoftoi të enjten vonë se është buzë përfundimit të numërimit të votave me postë, të fundit, para shpalljes së rezultateve përfundimtare dhe verifikimit të tyre.
"Ka filluar numërimi i pjesës së fundit fletëvotime, mbi 3 mijë, që gjatë ditës janë sjellur në Kosovë", tha KQZ-ja në Facebook./Radio Evropa e Lirë/
Ministrja e Migracionit e Belgjikës, Anneleen Van Bossuyt, ka bërë të ditur se qeveria belge po shqyrton “çdo zgjidhje të mundshme” për të rritur kthimin e migrantëve të parregullt, përfshirë edhe ndërtimin ose marrjen me qira të hapësirave të burgimit në Kosovë dhe Shqipëri.
Në një intervistë për Euronews, Van Bossuyt konfirmoi se gjatë vizitave në Shqipëri dhe Kosovë janë zhvilluar bisedime konkrete me autoritetet përkatëse. “Ne po shikojmë çdo zgjidhje të mundshme për të rritur shkallën e kthimeve. Kjo është një nga mundësitë që po e shqyrtojmë së bashku me ministrinë e drejtësisë”, u shpreh ajo.
Sipas saj, bisedimet me Shqipërinë synojnë strehimin e shtetasve shqiptarë që aktualisht ndodhen në burgjet belge. Ndërsa për Kosovën, ministrja tha se qeveria e saj po shqyrton mundësinë e strehimit të personave që qëndrojnë ilegalisht në Belgjikë dhe ndodhen në burgje, pavarësisht kombësisë së tyre.
“Në Kosovë, ne po shikojmë mundësinë për të strehuar njerëz që qëndrojnë ilegalisht në Belgjikë, por që ndodhen në burgjet tona”, deklaroi Van Bossuyt.
Ajo theksoi se Ballkani Perëndimor po shihet si një hapësirë për zgjidhje “inovative” në fushën e migracionit dhe se Belgjika mbetet e hapur edhe për partneritete të tjera. “Ne kemi qenë në Shqipëri dhe Kosovë, kemi folur me ministrat përgjegjës, por ndoshta në të ardhmen do të ketë edhe mundësi apo vende të tjera”, tha ministrja belge.
Një zjarr i përmasave masive ka rënë mbrëmjen e sotme në Tiranë, duke përfshirë një zonë industriale dhe tregtare. Sipas raportimeve, flakët kanë “pushtuar” disa magazina të tregut të rrobave të përdorura, të cilat ndodhen përgjatë rrugës “5 Maji”.
Për shkak të natyrës së materialeve që ndodhen në magazina (tekstile, rroba), zjarri ka marrë përmasa të mëdha në një kohë të shkurtër, duke e bërë të vështirë ndërhyrjen e menjëhershme.
Tym i zi dhe flakë të larta janë të dukshme nga disa zona të Tiranës. Deri më tani, raportohet për dëme materiale, me disa magazina që dyshohet se janë përfshirë nga flakët.
Fatmirësisht, raportohet se nuk ka persona të lënduar apo rrezik për jetën e banorëve përreth, megjithëse paniku ka qenë i madh.
Ende nuk dihen shkaqet që kanë shkaktuar këtë zjarr masiv. Ekspertët pritet të nisin hetimet sapo të bëhet e mundur shuarja e plotë e flakëve. Shumë forca zjarrfikëse dhe mjete policie ndodhen aktualisht në vendngjarje duke punuar për lokalizimin e vatrës./RTSH
Drejtori i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, ka bërë të ditur se viti 2025 ka siguruar vijimësinë e rezultateve rekord për këtë institucion, duke e cilësuar atë si një vit të performancës së lartë fiskale, operacionale dhe institucionale.
Në një postim të publikuar në rrjetin social LinkedIn, Llugaliu thekson se të hyrat e Doganës kanë arritur në 1.965 miliard euro, me një rritje prej 132 milionë euro krahasuar me vitin 2024 dhe mbi 3.5 për qind më shumë se projeksioni qeveritar. Sipas tij, këto rezultate janë dëshmi e menaxhimit efikas edhe në kushte të politikave lehtësuese për bizneset.
Llugaliu sqaron se vetëm gjatë vitit 2025, lirimet nga taksat për prodhuesit dhe nga marrëveshjet e tregtisë së lirë kanë arritur vlerën prej 67 milionë euro, duke e çuar totalin e taksave të liruara në këto kategori në 407 milionë euro.
Drejtori i Doganës vë në pah edhe intensifikimin e luftës kundër ekonomisë joformale, e cila ka ndikuar në rritjen e qëndrueshme të të hyrave, pothuajse dy herë më shpejt se rritja ekonomike. Ndërkohë, sekuestrimet dhe konfiskimet kanë tejkaluar ndjeshëm nivelin e vitit 2024 dhe janë mbi katër herë më të larta krahasuar me vitin 2019.
Sipas Llugaliut, mbrojtja e shoqërisë është forcuar përmes goditjeve të drejtpërdrejta ndaj narkotikëve, armëve, eksplozivit dhe mallrave të rrezikshme, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet e sigurisë së vendit.
Ai nënvizon se, sipas të dhënave të CEFTA-s, Kosova prin në rajon për kohën më të shpejtë të zhdoganimit, duke e pozicionuar Doganën e Kosovës si një nga administratat më efikase doganore në Ballkanin Perëndimor.
Në fokus të zhvillimit institucional, Llugaliu përmend reformat e vazhdueshme, dixhitalizimin dhe inovacionin, përfshirë përdorimin e inteligjencës artificiale në menaxhimin e riskut dhe sistemet Track & Trace, që po e bëjnë Doganën më moderne dhe më funksionale.
Po ashtu, ai thekson rëndësinë e rekrutimit të gjeneratës së re prej 107 zyrtarësh doganorë, si investim strategjik në ndërtimin e kapaciteteve të qëndrueshme për të ardhmen.
“Në thelb, këto rezultate përkthehen në një Doganë më të fortë, për një ekonomi më të drejtë dhe një shoqëri më të sigurt”, përfundon Llugaliu në mesazhin e tij.
Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 28-dhjetorit, pritet të formohet edhe qeveria e re.
E menjëherë pas kësaj, SHBA-të presin hapa konkret për të forcuar edhe më shumë bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në një përgjigje për Tëvë1, Departamenti i Shtetit ka thënë se shpresojnë në avancimin e partneritetit me qeverinë e ardhshme përfshirë edhe dialogun strategjik i cili u pezullua në vitin 2025.
“Shpresojmë të forcojmë partneritetin tonë me qeverinë e ardhshme të Kosovës, përfshirë edhe rifillimin e dialogut tonë strategjik. Megjithatë, arritja e kësaj do të kërkojë veprime që çojnë përpara agjendën tonë të përbashkët për paqe rajonale, stabilitet dhe prosperitet të ndërsjellë ekonomik”, thuhet nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Ndërsa, zëdhënësi i Qeverisë në detyrë Përparim Kryeziu ka thënë për Tëvë se do të vazhdojnë bashkëpunimin me aleatët, sidomos me ShBA-në edhe në mandatit e ardhshëm.
“Ne kemi komunikim të rregullt me Departamentin e Shtetit dhe me ambasadën amerikane në Kosovë në mënyrë që çdo çështje të adresohet dhe të punojmë bashkë për tema dhe çështje me interes të përbashkët. Në mandatit tonë të parë kemi bashkëpunuar ngushtë në fushën e mbrojtjes dhe zhvillimit. Aleanca, partneriteti, dhe miqësia jonë kanë bazën e fortë te qëllimet, vlerat dhe orientimin që ndajmë. Si qeveri e rizgjedhur dhe rilegjitimuar me zgjedhjet e 28 dhjetorit, do të vazhdojmë të punojmë bashkë me miqtë dhe aleatët tanë, sidomos me ShBA-të, që të forcojmë edhe më tej marrëdhëniet dhe partneritetin mes shteteve tona”, ka thënë Kryeziu.
Politologu, Dorajet Imeri e sheh të domosdoshme intensifikimin e partneritetit me SHBA-të.
Sipas tij, janë tri fusha kryesore që qeveria e ardhshme duhet të fokusohet.
“Unë konsideroj se qeveria e Republikës së Kosovës duhet të intensifikoi partneritetin ushtarak dhe të Mbrojtjes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe të kaloi në një nivel tjetër. Unë besoj që qeveria e re në detyrën parësore të saj duhet të ketë intensifikimin e lobimit, aplikimin e diplomacisë ekonomike në veçanti por edhe formave të tjera ekonomike ose të bashkëpunimit të nivele të tjera të diplomacive”, thotë Imeri.
Në anën tjetër, Imeri theksoi se Serbia ishte vazhdimisht ajo që tentoi ngritjen e tensioneve në katër komunat veriore.
Në këtë drejtim, ai deklaron se Kosova duhet të bëhet më e zëshme tek SHBA-të që kryerësit e sulmit në Banjskë të Zveçanit, të sillen para drejtësisë.
“Veriu i Mitrovicës është tensionuar, ju e dini fare mirë edhe SHBA-të e dijnë se kush ka qenë iniciatori, shkaktari, edhe përgjegjësi për tensionin e veriut të Kosovës. SHBA-të mirë kanë bërë që i kanë kërkuar Serbisë në mënyrë të vazhdueshme që të bëjnë ekstradimin e krerëve të grupit ekstremist të cilët e kanë pasur synim aneksimin e veriut të Kosovës. Kosova në këtë aspekt duhet të dëgjohet më shumë” , shprehet Imeri.
Comodita Home njofton opinionin se sot në orët e pasdites, një pjesë e fabrikës së saj në Gjakovë është kapluar nga zjarri.
Fatmirësisht, punëtorët janë evakuuar me kohë dhe nuk ka ndonjë të lënduar.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë ekipet policore dhe njësitë e zjarrfikësve, në përpjekje për ta lokalizuar zjarrin.
Aktualisht, ende nuk janë konstatuar shkaqet e ndezjes së zjarrit dhe nuk mund të përllogaritet vlera e dëmit material.
Comodita Home dëshiron t’i falënderojë për intervenim të shpejtë ministrinë e Brendshme dhe Ministrinë e FSK-së, kryetarin e Gjakovës, drejtorin e AME-së, njësitë e zjarrfikësve nga Gjakova, Prizreni, Juniku, Deçani dhe Rahoveci, si dhe pjesëtarët e KFOR-it dhe të FSK-së për shprehjen e gatishmërisë për intervenim.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka njoftuar se sonte, rreth orës 20:00, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka filluar numërimi i pjesës së fundit të fletëvotimeve, mbi 3 mijë sosh, që gjatë ditës janë sjellur në Kosovë.
Numërimi i këtyre fletëvotimeve shënon përfundimin e procesit të numërimit të të gjitha fletëvotimeve nga zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025.
Me përfundimin e numërimit të këtyre fletëvotimeve, KQZ është e gatshme për të shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme të mbajtura më 28 dhjetor.
"Por, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, palët mund të parashtrojnë ndonjë ankesë në PZAP lidhur me administrimin e numërimit në QNR brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar", ka deklaruar Elezi për Telegrafin.
Përballë kushteve të rënda atmosferike dhe vërshimeve të shkaktuara nga reshjet intensive të shiut në rajonin e Mitrovicës jug, Policia e Kosovës ka ndërhyrë për të evakuuar në mënyrë të sigurt një familje katër anëtarëshe të bllokuar në shtëpinë e tyre në rrugën “2 Korriku”.
Në koordinim të plotë me Drejtorinë e Emergjencave në Mitrovicë – Jugu dhe ekipet e tjera për shpëtim, Njësia e Kontrollit të Kufirit Ujor (NJKKU) realizoi operacionin me vendosmëri dhe profesionalizëm, duke siguruar që familja të largohej pa rrezik.
Policia e Kosovës thekson se ky veprim dëshmon përkushtimin e saj jo vetëm për ruajtjen e rendit publik dhe sigurinë e qytetarëve, por edhe për mbrojtjen e jetës dhe mirëqenies së tyre në situata emergjente, kur vendi përballet me rreziqe natyrore.
Autoritetet policore janë ende në terren dhe janë të gatshme të reagojnë për çdo qytetar në nevojë, duke ofruar mbështetje edhe për institucionet e tjera përgjegjëse për menaxhimin e situatave emergjente.
Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka bërë të ditur se një pjesë e fabrikës së dyshekëve “Comodita” në Gjakovë është përfshirë nga zjarri dhe është djegur tërësisht.
Gjini theksoi se për disa orë me radhë, njësitet e zjarrfikësve, Policia e Kosovës dhe zyrtarët komunalë të emergjencave kanë qenë të angazhuar në shuarjen e flakëve, duke dëshmuar profesionalizëm dhe vetmohim të lartë në përballjen me zjarrin.
Ai rikujtoi se “Comodita” është punëdhënësi më i madh në Gjakovë dhe, si pjesë e Devolli Group, renditet ndër taksapaguesit kryesorë që kontribuojnë në buxhetin e shtetit.
Sipas tij, zjarri paraqet humbje të mëdha jo vetëm për kompaninë, por edhe për qytetin e Gjakovës dhe për Kosovën në përgjithësi.
Gjini shtoi se pronari i kompanisë, Shkëlqim Devolli, pavarësisht dëmeve milionëshe, ka falënderuar të gjitha ekipet për angazhimin e tyre dhe ka shprehur mirënjohje që nga ky incident nuk ka pasur punëtorë të lënduar.
Sipas kryetarit të komunës, edhe pas disa orësh nga shpërthimi i zjarrit, zjarrfikësit kanë vazhduar përpjekjet për të mbrojtur një nga pjesët vitale të procesit të prodhimit, e cila deri më tani nuk është dëmtuar.
Në fund, Gjini theksoi se ditët e para të këtij viti kanë qenë të vështira për Gjakovën, për shkak të situatave emergjente, dhe se institucionet komunale do të angazhohen për sanimin e dëmeve nga vërshimet, si dhe shprehu shpresën që “Comodita” të arrijë të rikuperojë dëmet dhe të rifillojë sa më shpejt procesin e prodhimit.
Ai falënderoi gjithashtu zjarrfikësit nga komunat fqinje për solidaritetin dhe ndihmën e ofruar./Telegrafi/
Mbi një miliard euro po presin të shfrytëzohen nga Kosova që më shumë se një vit. Marrja e këtyre fondeve vazhdon të jetë peng i aprovimit nga Kuvendi i Kosovës.
Mungesa e institucioneve të reja përgjatë 2025-tës ia pamundësoi shtetit përfitimin e 882 milionë eurove nga Plani për Reforma dhe Rritje i Bashkimit Evropian (BE) dhe të mbi 120 milionë eurove të tjera nga tri marrëveshje me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim (ANZH) të Bankës Botërore.
Këto marrëveshje ndërkombëtare mbërritën në duart e deputetëve të legjislaturës së tetë të Kuvendit, në fund të vitit 2024. Ratifikimin po e presin që atëherë.
Çfarë pritet nga legjislatura e dhjetë?
Rezultati i zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit në Kosovë e bëri të qartë se do të ketë një shumicë të thjeshtë për konstituimin e Kuvendit 120-anëtarësh dhe për formimin e Qeverisë së re. Por, për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, ashtu sikurse edhe për zgjedhjen e presidentit të vendit, duhen 80 vota.
Nëse Kuvendi nuk do të arrijë ta zgjedhë presidentin as në votimin e tretë, që kërkon të paktën 61 vota nga jo më pak se 2/3 e deputetëve të pranishëm në sallë, vendin mund ta presin zgjedhje të reja në pranverë.
A do t’i miratojë Kuvendi marrëveshjet ndërkombëtare para se të rrezikojë një shpërndarje të radhës?
Lëvizja Vetëvendosje (LVV), që i fitoi zgjedhjet parlamentare, llogarit në bashkëpunimin e opozitës që të zhbllokohen fondet e huaja për Kosovën.
Ish-nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha për Radion Evropa e Lirë (REL) se LVV-ja pret nga partitë opozitare që të mos e kushtëzojnë votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare me çështjen e presidentit.
“Nuk besoj që marrëveshjet ndërkombëtare duhet të futen në diskutimet për çështjen e presidentit. Është e rëndësishme që Kuvendi t’i kryejë obligimet në lidhje me këto marrëveshje, ndërsa çështja e presidentit është një fazë tjetër, ku do të ketë diskutime. Presim vullnetin e tyre [të opozitës] për t’i votuar, dhe jo kushtëzime”, u shpreh Haxhiu.
Nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) thonë se nuk do të jenë bllokues për sa i përket aprovimit të marrëveshjeve ndërkombëtare.
“LDK-ja i ka votuar, dhe do të vazhdojë t'i votojë ato marrëveshje që janë në interes të Republikës së Kosovës”, tha Anton Quni, nënkryetar i LDK-së, në një deklaratë për REL-in.
Ndërkaq, nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) nuk iu përgjigjën thirrjeve të REL-it për të komentuar për këtë çështje.
Megjithatë, kreu i PDK-së, Bedri Hamza, deklaroi ditë më parë para mediave se partia e tij i ka votuar marrëveshjet ndërkombëtare edhe në të kaluarën, dhe se do të kontribuojë për gjithçka që është në interes dhe në dobi të Kosovës.
Çka përmbajnë këto marrëveshje?
Nga Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor, Kosovës i takuan rreth 882 milionë euro, për të cilat Kosova ka miratuar agjendën e reformave – pra, se ku do t’i shpenzojë ato.
Mbi 90 milionë euro është vlera e Marrëveshjes së Financimit, mbështetje buxhetore për Kosovën nga ANZH e Bankës Botërore, e cila synon të përmirësojë ligjet për financat publike dhe politikat fiskale.
Ndërkaq, 21 milionë euro është vlera e Marrëveshjes së Kredisë me ANZH-në për ndërtimin e çerdheve të reja për fëmijët, trajnimin e stafit dhe zbatimin e një skeme të kuponëve, përmes të cilëve familjet do të kenë mundësi të dërgojnë fëmijët e tyre në këto kopshte.
E, Marrëveshja e Kredisë me ANZH-në, e destinuar për zhvillimin e Sistemit Informativ Shëndetësor në Kosovë, ka vlerën e 18 milionë e 600 mijë eurove.
A po u skadon afati fondeve?
Bekim Salihu, nga Instituti për Studime të Avancuara – GAP, thotë për REL-in se Kosova është vonuar në miratimin e këtyre marrëveshjeve, dhe se po i nisë me vonesë reformat e kërkuara nga BE-ja.
“Fondet e Planit të Rritjes vlejnë deri në vitin 2027, ndërkohë që Kosova hyri në vitin 2026 pa i alokuar fondet, dhe pa i nisur reformat. Dhe, rreziku shtesë është që mund mungojë konsensusi politik në Kuvend për t’i miratuar”.
Për skadimin e afatit kishte paralajmëruar edhe Komisionarja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, vitin e kaluar.
Të rrezikuara janë edhe miliona euro të tjera, për të cilat marrëveshja ishte nënshkruar në prillin e 2024-tës.
Javë më parë, Zyra e Bankës Botërore në Kosovë pohoi për REL-in se afati i fundit për hyrjen në fuqi të marrëveshjes është 13 shkurti i vitit 2026.
Këto marrëveshje dështuan të miratoheshin në një seancë të mbajtur më 19 nëntor 2025, një ditë para se të shpërndahej Kuvendi, pasi opozita kishte refuzuar të shkonte në seancë, me arsyetimin se LVV-ja kishte zvarritur procesin e formimit të institucioneve gjatë tërë vitit.
Mbetet të shihet se a do t’i japë përbërja e re e Kuvendit dritën e gjelbër fondeve të huaja, edhe nëse rrezikon t’i shkurtojë jetëgjatësinë legjislaturës së dhjetë./Radio Evropa e Lirë/
Kryeqyteti i Prishtinës ka njoftuar qytetarët se gjatë ditëve në vijim pritet përkeqësim i kushteve atmosferike, i shoqëruar me temperatura të ulëta, ngrica dhe reshje bore.
Autoritetet komunale u kanë bërë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar gjatë qarkullimit, duke rekomanduar që lëvizjet të kufizohen vetëm në raste të domosdoshme, të përdoren pajisjet e detyrueshme të dimrit dhe të shmanget shpejtësia e lartë, me respektim të plotë të sinjalistikës rrugore.
Sa i përket transportit publik urban, Kryeqyteti ka paralajmëruar se për shkak të kushteve atmosferike mund të ketë vonesa në disa linja. Në zonat ku vlerësohet se qarkullimi nuk është i sigurt, transporti publik mund të pezullohet përkohësisht deri në përmirësimin e kushteve, ndërsa qytetarët do të njoftohen me kohë për çdo ndryshim.
Për çdo pengesë në qarkullim apo situatë që kërkon ndërhyrje, qytetarët mund të kontaktojnë Qendrën e Thirrjeve në numrat pa pagesë: 0800 122 33 dhe 0800 122 44.
John Shkëmbi është një shembull për të rinjt që studiojnë jashtë vendit dhe dëshirojnë të kontribuojnë në atdheun e tyre. Pas përfundimit të studimeve në SHBA, ai vendosi të kthehej në Shqipëri për t’u bërë pjesë e Qendrës Operacionale Kibernetike pranë Komandës Kibernetike dhe Ndërlidhjes.
Rruga drejt karrierës në Kibernetikë
“Që në vitin e fundit të gjimnazit, ndërkohë që po përgatitesha për testimet e maturës, fillova të aplikoj në universitete të ndryshme, si në Amerikë dhe Evropë. Por dëshira ime më e madhe ishte të aplikoj në West Point, një akademi e njohur në SHBA. Në 2020 fillova studimet dhe në 2024 u diplomova. Kisha qejf pjesën e teknologjisë dhe mora inxhinierinë kompjuterike si degë kryesore,” rrëfen John.
“Ishte një kulturë krejt tjetër nga ajo shqiptare. Shkolla përfshinte njerëz nga çdo shtet i Amerikës dhe duhej të mësoje edhe me theksin e secilit. Për rreth katër vite kam qenë vetëm; nuk kam pasur familjarë aty, vetëm kur u diplomova erdhën. Në tetor 2024 fillova detyrën si inxhinier i sigurisë kibernetike në Shqipëri”, thotë ai.
Çfarë bën si inxhinier i sigurisë kibernetike?
“Ne përqendrohemi te mbrojtja e sistemeve kritike të Forcave të Armatosura. Përpiqemi të parandalojmë dhe të monitorojmë rreziqet sa më herët që të mundemi dhe t’i menaxhojmë sa më sigurt. Ka aktivitete të shumta; disa janë më të lehta, disa më të vështira, por çdo sulm studiohet dhe trajtohet. Pajisjet nga Amerika, si Fly-Away Kits, na mundësojnë të jemi të dislokueshëm dhe të marrim pajisjet kudo ku ndodh incidenti. Jemi aktiv 24/7 dhe siguria është në nivel të lartë.”
Bashkëpunimi me NATO-n dhe aleatët
“Bashkëpunojmë shumë me aleatë ndërkombëtarë dhe brenda vendit. Partneri ynë kryesor është Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë kontribuar në krijimin e këtyre zyrave dhe strukturave.”
Një ditë e zakonshme për John-in
“Është një balancë e vështirë, pasi gjatë gjithë kohës jemi në gatishmëri. Puna fillon në orën 8 dhe mbaron në fund të ditës, por mundohem të jem aktiv dhe të jap maksimumin. Pas punës, lexoj diçka, edhe në rastin kur jam në gatishmëri.”
Mesazh për të rinjt shqiptarë
“Unë jam 23 vjeç. Shpresoj që rrugëtimi im të shërbejë si motivim për të rinjt shqiptarë. Përkushtimi dhe dëshira për të mësuar janë kyç për të arritur ëndrrat dhe për të qenë të lumtur. Shërbimi ndaj atdheut është kryesor.”
A do të kthehet përsëri në Amerikë?
“E dija që një moment do vija këtu dhe të kontribuoja në atdheun tim. Qëllimi im tani është të jap maksimumin këtu.”/Euronews Albania
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas zjarrit që përfshiu fabrikën e dyshekëve “Comodita” në Gjakovë, duke e cilësuar këtë kompani si një nga shembujt më të mirë të suksesit të prodhuesve kosovarë.
Haradinaj theksoi se “Comodita”, falë përkushtimit dhe vizionit, ka arritur të jetë konkurrente e denjë në tregjet evropiane dhe botërore, duke përbërë një burim jetese për qindra familje në Kosovë. Sipas tij, lajmi për zjarrin është tronditës jo vetëm për kompaninë, por për ekonominë e vendit në përgjithësi.
Ai shprehu shpresën që nga ky incident të mos ketë punëtorë të lënduar dhe uroi që situata të tejkalohet sa më shpejt, me dëme sa më të vogla.
Po ashtu, Haradinaj falënderoi autoritetet lokale në Gjakovë, Policinë e Kosovës, njësitet e zjarrfikësve si dhe kryetarin e Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, për reagimin e shpejtë dhe angazhimin në shuarjen e zjarrit./Telegrafi/
(E plotësuar) - Një zjarr i madh ka përfshirë fabrikën e dyshekëve “Comodita” në Gjakovë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Ngjarja ka ndodhur pasditen e sotme në rrugën “Gjergj Sokoli”.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, ka njoftuar se menjëherë njësitet e zjarrfikësve dhe të Policisë së Kosovës kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke punuar intensivisht për lokalizimin dhe shuarjen e zjarrit.
Sipas autoriteteve, flakët janë të përmasave të mëdha dhe ndërhyrja emergjente është ende në zhvillim.
"“Rreth orës 16:50, jemi njoftuar se në rrugën “Gjergj Sokoli” në Gjakovë një fabrikë është përfshirë nga zjarri. Njësitet policore dhe zjarrfikësit kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe janë duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për lokalizimin dhe shuarjen e zjarrit".
Elezaj ka bërë të ditur se deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar.
"Deri në këto momente, bazuar në informatat e pranuara, nuk raportohet për persona të lënduar, megjithatë verifikimi i plotë i situatës dhe i pasojave eventuale në njerëz do të bëhet pas shuarjes së plotë të zjarrit”, ka shtuar ai.
Autoritetet po vazhdojnë hetimet për të sqaruar shkaqet e zjarrit, ndërsa qytetarëve u është bërë thirrje të shmangin zonën për arsye sigurie./Telegrafi/
Hapësira përreth Parkut të Biznesit në Mitrovicë të Jugut, është përmbytur nga lumi Sitnica, i cili ka dalë nga shtrati mbrëmjen e së mërkurës si pasojë e reshjeve të fundit.
Si rrjedhojë, disa prej 24 bizneseve që operojnë në këtë park janë prekur nga përmbytjet.
Pronarët e bizneseve kanë bërë të ditur se dëmet janë të konsiderueshme, por vlerësimi i saktë financiar do të mund të bëhet vetëm pas tërheqjes së ujit dhe rikthimit të gjendjes normale.
Gjendje e rënduar paraqitet edhe në lagjen “2 Korriku”, në Mitrovicë të Jugut. Për shkak të përmbytjeve, disa familje janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.
Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve në Mitrovicë të Jugut, Burim Ibishi, ka bërë të ditur për KosovaPress, se nga ora 02:00 pas mesnate e deri më tani janë evakuuar gjithsej 15 familje nga kjo lagje. Një pjesë e tyre janë strehuar në hotelin “Park”, ndërsa të tjerat tek familjarët.
Ekipet emergjente po vazhdojnë të jenë në terren dhe të monitorojnë situatën.
Policia e Kosovës ka njoftuar përmes Facebook-ut se sot ka zhvilluar një aksion të gjerë policor në tërë territorin e vendit, nën dyshimet për keqpërdorime në Byronë Kosovare të Sigurimeve.
Operacioni, i realizuar në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren, është rezultat i një hetimi disa mujor për krime ekonomike.
Gjatë aksionit janë arrestuar 39 persona të dyshuar, ndërsa janë sekuestruar mbi 1.3 milion euro në xhirollogari bankare, 23,700 euro para të gatshme, ari, aksesorë, orë dore, dy armë zjarri, pajisje elektronike, kontrata dhe dokumente të tjera relevante.
Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e veprimtarive të kundërligjshme dhe forcimin e sundimit të ligjit.
Ndryshe, edhe Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Petrit Kryeziu, tha në një konferencë për media se cak i hetimeve që nisën në marsin e vitit të kaluar janë ish-drejtori ekzekutiv, Sami Mazreku, dhe ish-drejtori i Financave i BKS-së, Valon Berisha.
Mazreku dhe Berisha - të cilët u arrestuan gjatë bastisjeve të sotme - dyshohen se i kanë keqpërdorur autorizimet e BKS-së duke ua mundësuar personave të ndryshëm, dhe përmes tyre edhe, të kryejnë transaksione të jashtëligjshme.
Kryeprokurori Kryeziu tha Mazreku e Berisha “kanë arritur përfitime të mëdha për vete dhe i kanë shkaktuar dëm BKS-së”.
“Po ashtu, ata kanë keqpërdorur autorizimet ekonomike dhe kanë përpiluar dokumente të falsifikuara, ku ne deri në këtë fazë kemi vlerësuar se ato dokumente të dyshuara i kanë përdorur për përfitime personale dhe i kanë shkaktuar dëm BKS-së në vlerë prej 1 milion e 43 mijë euro”, tregoi Kryeziu./Telegrafi/