Trump publikon të dhënat, 41.3% e familjeve shqiptare me ndihmë sociale në SHBA
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka publikuar në rrjetin e tij social Truth Social një tabelë me të dhëna mbi përqindjen e familjeve emigrante që përfitojnë ndihmë sociale në SHBA, të ndara sipas vendeve të origjinës.
Në listë bien në sy edhe familjet shqiptare, ku sipas tabelës së publikuar, 41.3% e familjeve shqiptare që jetojnë në SHBA përfitojnë ndihmë sociale. Po ashtu, në renditje përfshihet edhe Kosova, e cila rezulton me një përqindje edhe më të lartë, ku 46% e familjeve kosovare marrin asistencë nga shteti amerikan.
![]()
Tabelat e shpërndara nga Trump paraqesin një panoramë të përgjithshme të përfitimit të ndihmës sociale nga familjet emigrante dhe janë përdorur nga presidenti amerikan në kuadër të debatit mbi politikat e emigracionit dhe sistemin e asistencës sociale në SHBA.
Publikimi ka nxitur reagime dhe diskutime të shumta në rrjetet sociale, veçanërisht në komunitetet emigrante, përfshirë edhe ato shqiptare, lidhur me integrimin ekonomik dhe rolin e ndihmës shtetërore në jetën e familjeve që jetojnë në Shtetet e Bashkuara.