Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 2 January 2026Main stream

Elezi: Pritet që rezultatet përfundimtare të shpallen para datës së planifikuar

2 January 2026 at 18:57


Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se dinamika e punës në qendra komunale të numërimit të votave ka tejkaluar planifikimet e tyre.

Kësisoj, Elezi në “FIVE” në Dukagjin, bëri të ditur se shpallja e rezultateve përfundimtare nga KQZ-ja mund të bëhet para 19 janarit siç ishte planifikuar.

“Jo vetëm subjekti por edhe kandidatët që kanë marrë pjesë në këtë proces kanë të drejtë të ushtrojnë ankesë pas prezantimit të rezultateve përfundimtare që e shpallë KQZ-ja. Në planifikimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve përfundimi i aktivitete në qendrat komunale të numërimit është planifikuar të bëhet deri më 7 janar po mendojmë se do të përfundoj nesër më 3 janar”.

“Gjithashtu numërimi i votave nga përfaqësitë diplomatike dhe atyre të dërguara me postë është planifikuar të bëhet me 7 janar por kjo ka nisur qysh sot dhe gjithashtu numërimi i votave me kusht dhe personave me nevoja të veçanta ka qenë në nis më 16 janar – por dinamika e punës ka bërë që kjo do të nis shumë më herët. Këto aktivitet po zhvillohen më shpejt sesa është planifikuar dhe nga kjo mund të themi që rezultatet përfundimtare të planifikuara të shpallen më së largu më 19 janar nga ana e KQZ-së mund të shpallen shumë më herët”, tha Elezi.

Nis numërimi i votave nga 29 përfaqësitë diplomatike

2 January 2026 at 12:38


Ka filluar numërimi i fletëvotimeve që i takojnë votimit jashtë Kosovës, respektivisht numërimi i fletëvotimeve që i takojnë votimit në përfaqësi diplomatike.

Me këtë rast në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, ku edhe po numërohen votat, zëdhënësi i Komisionit të Zgjedhjeve, Valmir Elezi dha detaje.

“Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, ka filluar numërimi i fletëvotimeve që i takojnë votimit jashtë Kosovës, respektivisht numërimi i fletëvotimeve që i takojnë votimit në përfaqësi diplomatike. Siç e dini, më 27 dhjetor 2025, në 29 përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës, të vendosura në 18 shtete të ndryshme të botës, është zhvilluar votimi për shtetasit e regjistruar paraprakisht për të votuar fizikisht në ndonjërën nga këto misione diplomatike. Nga 19,187 shtetasit e regjistruar, kanë votuar 16,165 prej tyre apo 84.24% dhe këto fletëvotime do t’i nënshtrohen numërimit”, tha ai.

Pas përfundimit të numërimit të fletëvotimeve nga votimi fizik në përfaqësitë diplomatike, Elezi tha se do të vazhdojnë me numërimin e fletëvotimeve nga votimi përmes postës, që deri më tani janë tërhequr nga dy kutitë postare jashtë vendit, ajo në Berlin (Gjermani) dhe në Bernë (Zvicër).

“Deri më tani, nga dy kutitë postare, Berlin dhe Bernë, janë tërhequr më shumë se 28 mijë e 500 pako me fletëvotime që i takojnë votimit përmes postës dhe të cilat janë vlerësuar dhe verifikuar nga shërbimi votues i KQZ-së. Nga numri i përgjithshëm i pakove me fletëvotime të supozuara që deri më tani kemi pranuar, pra nga më shumë se 28 mijë, pas vlerësimit dhe verifikimit janë aprovuar 27,600, ndërkaq janë refuzuar më shumë se 950. Arsyeja më e shprehur te zarfet e refuzuara është sepse në pakon me fletëvotim mungon dëftesa e regjistrimit të votuesit. Pra, në procesin e numërimit do të përfshihen 27,600 zarfe të supozuara me fletëvotime”, shtoi Elezi.

Ai foli edhe për aktivitetet në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN), transmeton KosovaPress.

“Të enjten pasdite, në 11 komuna ka rifilluar procesi i verifikimit të rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime dhe numërimi i votave të kandidatëve për deputetë. Deri të enjten në mesnatë (1 janar 2026) procesi është përmbyllur në Qendrat Komunale të Numërimit, në 5 komunat: Mitrovicë e Jugut, Gjakovë, Malishevë, Lipjan dhe Suharekë, ndërkaq po vazhdon në 6 komunat Prishtinë, Pejë, Prizren, Podujevë, Gjilan dhe Ferizaj. Pra, KQZ planifikon që aktivitetet në të gjitha Qendrat Komunale të Numërimit të përmbyllen në këtë fundjavë. Deri më tani (e premte, 2 janar 2026, ora 10:00) numri i përgjithshëm i vendvotimeve të procesuara nga të gjitha Qendrat Komunale të Numërimit është mbi 2,995 nga 2,557 vendvotime apo më shumë se rreth 90%”, tha Elezi.

Pas përfundimit të numërimit të çdo vendvotimi, të dhënat janë duke u transmetuar në platformën e KQZ-së për rezultate: https://resultsparliamentary2025.kqz-ks.org/.

Before yesterdayMain stream

Të premten nis numërimi i mbi 27 mijë fletëvotimeve nga diaspora

1 January 2026 at 20:09


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), bën të ditur se të premten (nesër) do të nis numërimi i mbi 27 mijë fletëvotimeve nga diaspora, respektivisht të fletëvotimeve nga votimi përmes postës, të cilat janë tërhequr nga dy kutitë postare në jashtë Kosovës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi thekson për Telegrafin se të premten, më 2 janar nga ora 10:00 në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve do të fillojë numërimi i fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, respektivisht i fletëvotimeve nga votimi përmes postës që deri më tani janë tërhequr nga dy kutitë postare jashtë Kosovës.

“Nga votimi me postë, siç e kemi treguar më herët, numri i shtetasve të regjistruar ka qenë rreth 58 mijë. Ende nuk është përmbyllur procesi i tërheqjes së fletëvotimeve nga kutitë postare, andaj në këtë fazë nuk e dijmë se sa prej këtyre votuesve të regjistruar kanë ushtruar të drejtën e votës. Tërheqjet e fundit të zarfeve me fletëvotime do të bëhen më 2 dhe 5 janar 2026”, thekson Elezi.

Sipas tij, deri më tani, nga dy kutitë postare, Berlin dhe Bernë, janë tërhequr më shumë se 28 mijë e 500 pako me fletëvotime që i takojnë votimit përmes postës dhe të cilat janë vlerësuar dhe verifikuar nga shërbimi votues i KQZ-së.

“Nga numri i përgjithshëm i pakove me fletëvotime të supozuara që deri më tani kemi pranuar, pra nga më shumë se 28 mijë, pas vlerësimit dhe verifikimit janë aprovuar 27,600, ndërkaq janë refuzuar më shumë se 950. Arsyeja më e shprehur te zaret e refuzuara është sepse në pakon me fletëvotim mungon dëftesa e regjistrimit të votuesit”, tha ai.

Në fund ai tha se nga votimi jashtë Kosovës, respektivisht nga votimi në 29 përfaqësi diplomatike, nga 19,187 shtetasit e regjistruar, kanë votuar 16,165 prej tyre apo 84.24%./Telegrafi/

KQZ: Të gjitha qendrat e votimit janë hapur në kohë

28 December 2025 at 08:49

PRISHTINË, 28 dhjetor /ATSH/ Të gjitha qendrat e votimit për zgjedhjet e sotme të parakohshme janë hapur me kohë, tha zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Kosovë, Valmir Elezi.

Ai tha se në orët e hershme të mëngjesit janë shpërndarë me kohë të gjitha materialet zgjedhore, përfshirë edhe fletëvotimet.

“Në orët e hershme të mëngjesit, materiali zgjedhor, përfshirë fletëvotimet, është shpërndarë me kohë në të gjitha qendrat e votimit. Gjithashtu njoftojmë se, duke u mbështetur në informacionet e pranuara nga KQZ, procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës ka nisur në të gjitha qendrat e votimit në Republikën e Kosovës”, tha ai.

Elezi shtoi se procesi i votimit po zhvillohet në 948 qendra të votimit, ndërkaq numri i qytetarëve me të drejtë vote është 1 milion e 999 mijë e 205 votues.

“Sot procesi i votimit do të zhvillohet në 948 qendra të votimit me gjithsej 2614 vendvotime, prej të cilave 910 janë qendra me 2557 vendvotime që do të mundësojnë votimin e rregullt dhe 38 qendra të tjera, nga 1 për secilën komunë, me 57 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht”, shtoi Elezi.

Krahas këtyre, Elezi shtoi se ditëve të fundit ka pasur kontakte me KEDS-in në lidhje me furnizimin me energji elektrike gjatë ditës së sotme. /KosovaPress/

The post KQZ: Të gjitha qendrat e votimit janë hapur në kohë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KQZ: Të gjitha qendra e votimit janë hapur me kohë

28 December 2025 at 08:30


Zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Valmir Elezi ka mbajtur konferencë për media për të treguar rreth asaj se si ka nisur procesi i votimit në Zgjedhjet e Jashtëzakonshme Parlamentare.

Ai bëri të ditur se gjithçka ka nisur me kohë në të gjitha qendrat e votimit, ndërsa shifrat e para se sa kanë votuar nga ora 07:00 deri në ora 09:00, do të nisin të shfaqen pas orës 09:00, duke vazhduar më tej me përditësime.

“Në orët e hershme të mëngjesit, materiali zgjedhor, përfshirë fletëvotimet, është shpërndarë me kohë në të gjitha qendrat e votimit. Gjithashtu njoftojmë se, duke u mbështetur në informacionet e pranuara nga KQZ, procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës ka nisur në të gjitha qendrat e votimit në Republikën e Kosovës”, tha Elezi, raporton Telegrafi.

Ai shtoi se procesi i votimit po zhvillohet në 948 qendra të votimit, ndërkaq numri i qytetarëve me të drejtë vote është 1 milion e 999 mijë e 205 votues.

“Sot procesi i votimit do të zhvillohet në 948 qendra të votimit me gjithsej 2614 vendvotime, prej të cilave 910 janë qendra me 2557 vendvotime që do të mundësojnë votimin e rregullt dhe 38 qendra të tjera, nga 1 për secilën komunë, me 57 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht”, potencoi Elezi.

Nga ora 09:00, në ueb faqen e KQZ-së, do t’i kemi shifrat e para për daljet e qytetarëve për të votuar në këto dy orët e para”.

“Pastaj do të vazhdojmë me orët e tjera, nga ora 11:00, për të vazhduar më tutje”, shtoi më tej ai. /Telegrafi/

Diaspora voton, deri në ora 13:00 votuan 36,89 për qind e votuesve të regjistruar

27 December 2025 at 14:36


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur konferencën e radhës ku ka njoftuar për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor që po zhvillohet sot në përfaqësitë diplomatike të Kosovës për zgjedhjet e së dielës, më 28 dhjetor.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi bëri të ditur se deri në ora 13:00, sipas të dhënave nga 24 përfaqësi diplomatike nga 19,187 votues të regjistruar kanë votuar 36.89% apo 7.079 votues

Elezi ka njoftuar se tashmë ka filluar votimi edhe në përfaqësitë diplomatike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada, në orën 13:00 sipas kohës lokale në Kosovë.

“Pra, procesi i votimit është duke zhvilluar në 29 përfaqësi diplomatike të Kosovës, të vendosur në 18 shtete të ndryshme të botës... Nga komunikimi i vazhdueshëm me qendrat e votimit në këto përfaqësi procesi i votimit është duke u zhvilluar pa ndonjë pengesë”, tha ai.

Elezi sqaroi tutje se vetëm votuesit e regjistruar në përfaqësi diplomatike do të mund të votojnë gjatë ditës së sotme, pasi në listën e votuesve që janë dërguar në këto përfaqësi diplomatike janë vetëm emrat e shtetasve që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi. /Telegrafi/

KQZ përmbyllë procesin e akreditimit të vëzhguesve për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës

23 December 2025 at 14:26


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) mbajti mbledhjen e 104-të në këtë vit, të kryesuar nga kryesuesi, Kreshnik Radoniqi, në të cilën u morë vendim për akreditimin e grupit të pestë me 169 vëzhgues për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.

Sipas njoftimit bëhet e ditur se organizata jo-qeveritare të akredituara janë: Qendra Kultutore Orfeu – 45 vëzhgues;

“Media vendore: Kontakt Kosovka Mitrovica/ Kontakt Plus – 3 vëzhgues; Alternativna – 3 vëzhgues; Televizija Gracanica – 10 vëzhgues; Klan Kosova – 95 vëzhgues. Media ndërkombëtare: Prva srpska televizija – 2 vëzhgues; Novinska agencija Tanjug – 3 vëzhgues; Radio-televizija Srbije – 6 vëzhgues; dhe ABC NEËS ALBANIA – 2 vëzhgues”.

Ndryshe, në mbledhjet e kaluara, KQZ ka akredituar edhe 19,085 vëzhgues të tjerë, të cilët përfaqësojnë: subjekte politike të certifikuara, organizata jo-qeveritare vendore, organizata ndërkombëtare, media vendore / ndërkombëtare, institucione shtetërore dhe përfaqësi diplomatike.

Numri i përgjithshëm i akredituar deri më tani nga KQZ është 19,254:

Subjekte politike – 17,614 vëzhgues;

Institucione shtetërore – 66 vëzhgues;

OJQ vendore – 809 vëzhgues;

Organizata ndërkombëtare – 121 vëzhgues;

Përfaqësi diplomatike – 13 vëzhgues;

Media vendore – 554 vëzhgues; dhe

Media ndërkombëtare – 77 vëzhgues.

Në vazhdim të mbledhjes, KQZ miratoi rekomandimin e Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike për mosakreditimin e dy organizatave vëzhguesve për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Bëhet fjalë për OJQ “Instituti për Qeverisje të Mirë dhe Sundim të Ligjit” dhe organizatën ndërkombëtare “Odbor za kontrolu i opservaciju-OKO”.

Lidhur me OJQ “Instituti...”, nga ZRCKFSP u bë e ditur se statuti i kësaj organizate nuk ndërlidhet drejtpërdrejt me monitorimin e proceseve zgjedhore apo mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ashtu siç kërkohet në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Ndërkaq, për organizatën ndërkombëtare “Odbor...”, nga ZRCKFSP u bë e ditur se gjatë vlerësimit të dokumentacionit, dokumenti i ofruar edhe pse ka vulën dhe nënshkrimin, nuk dëshmon se nga cili institucion është lëshuar, me çka e bënë të dyshimtë vërtetësinë e këtij dokumenti, i cili poashtu, nuk është dokument i plotë në mungesë të faqeve. /Telegrafi/

Votë larg atdheut, si do të votojë diaspora?

21 December 2025 at 10:26


Për herë të dytë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të organizojë votimin në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës.

Pas zgjedhjeve të fillimvitit, të mbajtura më 9 shkurt, KQZ do të mbyllë këtë vit me një proces tjetër zgjedhor, gjithashtu për Kuvendin e Kosovës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka treguar për KosovaPress, se një ditë para ditës së zgjedhjeve në Kosovë, më 27 dhjetor do të hapen qendrat e votimit në 29 përfaqësitë diplomatike të shtetit të Kosovës për të mundësuar votimin e më shumë se 19,300 shtetasve të Kosovës.

“Më 27 dhjetor, procesi i votimit për zgjedhjet e Kuvendit të Kosovës do të zhvillohet në 16 ambasada dhe 13 konsullata të shpërndara në 18 shtete të ndryshme të botës. Sipas kohës lokale, së pari votimi do të fillojë në konsullatën e Kosovës në Stamboll, për të vazhduar me hapjen e qendrave tjera në përfaqësitë diplomatike të vendosura në shtetet e Evropës. Në fund, votimi do të mbyllet me Uashingtonin, Nju Jorkun, Otavën dhe Toronton”, tha Elezi.

Elezi ka shpjeguar edhe ndryshimet që kanë shoqëruar procesin e përcaktimit të përfaqësive diplomatike në të cilat do të zhvillohet votimi fizik. Fillimisht, KQZ kishte planifikuar që votimi të organizohet në 50 përfaqësi diplomatike dhe në 10 qendra votimi jashtë tyre, por që hapësirat e votimit jashtë përfaqësive u anuluan nga PZAP-i dhe Gjykata Supreme.


Më 18 dhjetor, KQZ ka rishqyrtuar vendimin dhe procesi i votimit nuk do të zhvillohet as në 8 përfaqësi të tjera, si ajo në Tiranë, Shkup, Podogoricë, Ankara, Abu Dhabi, Ioëa, Podgoricë, Tokio dhe Kanbera ku ishin regjistruar gjithsej 70 votues.

“Planifikimi fillestar i KQZ-së ka qenë që ky proces të organizohet në 50 përfaqësi diplomatike të vendosura në 36 shtete, si dhe në 10 qendra votimi jashtë përfaqësive diplomatike. Pastaj, pas vendimit të PZAP-it, Gjykatës Supreme dhe pas përfundimit të regjistrimit të votuesve – KQZ ka reduktuar votimin në 37 përfaqësi diplomatike. Sipas vendimit të fundit të KQZ-së, nga kjo listë janë larguar edhe 8 përfaqësi të tjera për shkak të numrit të vogël të votuesve të regjistruar. 70 votuesit e këtyre përfaqësive janë udhëzuar që të votojnë përmes postës”, tha Elezi.

Procesi i votimit më 27 dhjetor 2025 do të zhvillohet në këto përfaqësi diplomatike: 1. Gjermani (Berlin – ambasadë; Frankfurt – konsullatë; Hamburg – konsullatë; Mynih – konsullatë; Shtutgart – konsullatë; Dyseldorf – konsullatë); 2. Zvicër (Bernë – ambasadë; Gjenevë – konsullatë; Cyrih – konsullatë); 3. Mbretëria e Bashkuar (Londër – ambasadë); 4. Francë (Paris – ambasadë; Strasburg – konsullatë); 5. Belgjikë (Bruksel – ambasadë); 6. Shtetet e Bashkuara të Amerikës (Uashington – ambasadë; Nju Jork – konsullatë); 7. Norvegji (Oslo – ambasadë); 8. Austri (Vjenë – ambasadë); 9. Kanada (Otavë – ambasadë; Toronto – konsullatë); 10. Suedi (Stokholm – ambasadë); 11. Slloveni (Lubjanë – ambasadë); 12. Danimarkë (Kopenhagë – konsullatë); 13. Itali (Romë – ambasadë; Milano – konsullatë); 14. Turqi (Stamboll – konsullatë); 15. Kroaci (Zagreb – ambasadë); 16. Holandë (Hagë – ambasadë); 17. Republika Çeke (Pragë – ambasadë) dhe 18. Hungari (Budapest – ambasadë)./kp/

​KQZ nis dërgimin e 58 mijë pakove me fletëvotime për votimin me postë të diasporës

14 December 2025 at 11:46


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka nisur pakot me fletëvotime për votuesit e regjistruar jashtë Kosovës për votim me postë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Dërgesat postare me fletëvotime do të dërgohen për rreth 58 mijë votuesit e regjistruar dhe që kanë përzgjedhur të votojnë përmes postës. Pjesa tjetër e votuesve të regjistruar për votim në përfaqësi diplomatike, 19,257, duhet të presin datën 27 dhjetor për të votuar në misionin diplomatik ku janë regjistruar.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka shpjeguar para mediave se fletëvotimet, të cilat janë printuar në Slloveni, kanë arritur në Kosovë të premten, më 12 dhjetor dhe pas kësaj shërbimi votues i KQZ-së, ka bërë përgatitjen e pakove individuale për secilin votues të regjistruar, të cilat tashmë janë të gatshme për t’u dërguar jashtë vendit në adresat e votuesve të regjistruar.

“Fillimisht, pakot do të dërgohen në aeroport dhe gjatë ditës së nesërme do të fillojë shpërndarja e tyre në shtete të ndryshme, përmes shërbimeve postare, në adresat e votuesve. KQZ njofton se gjatë javës në vijim do të përmbyllet i gjithë procesi i dërgimit të pakove me fletëvotime për votuesit jashtë Kosovës. Në çdo dërgesë postare, është vendosur nga një numër i veçantë gjurmimi dhe u është dërguar votuesve të regjistruar, të cilët mund të shohin vazhdimisht vendndodhjen e pakos me fletëvotim”, tha Elezi.

Sipas KQZ-së, votimi përmes postës do të përfundojë më 27 dhjetor dhe votuesit inkurajohen që pakon me fletëvotim ta dorëzojnë në kuti postare në kohën më të shpejtë që është e mundur që ajo të arrijë me kohë.

“Është e rëndësishme të theksohet se votimi përmes postës përfundon më 27 dhjetor 2025. Kjo periudhë votimi vlen vetëm për rreth 58 mijë votuesit e regjistruar jashtë Kosovës dhe që kanë përzgjedhur të votojnë përmes postës. KQZ u bën thirrje votuesve që të mos presin ditën e fundit për ta dërguar pakon e tyre me fletëvotim. Pakot duhet të dorëzohen në adresën e njërës nga kutitë postare të KQZ-së në shtetin ku jetojnë votuesit, apo në kutitë postare më të afërta. Votuesit inkurajohen që këtë ta bëjnë sa më shpejt që është e mundur, në mënyrë që pakoja të arrijë me kohë në kutinë postare nga ku do të tërhiqet dhe do të dërgohet në Kosovë për procesin e numërimit”, tha Elezi.

KQZ ka bërë të ditur se me qëllim të lehtësimit të procesit të votimit për shtetasit që janë regjistruar për të votuar përmes postës, kutitë postare janë funksionale në këto 23 shtete: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kosovë, Kroaci, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Mbretëria e Bashkuar, Norvegji, ShBA, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër. /kp/

Deri më tash vetëm gjashtë subjekte dorëzuan në KQZ listat me emrat e kandidatëve për deputetë

7 December 2025 at 18:30


Sonte në mesnatë përfundon afati për subjektet politike për dorëzimin online të listave me emrat e kandidatëve për deputetë, për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Deri më tani, e diel, 7 dhjetor 2025, ora 16:00, vetëm gjashtë subjekte politike kanë dorëzuar listën me emrat e kandidatëve për deputetë, deklaroi zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi.

Numri i përgjithshëm i kandidatëve që përfaqësojnë këto subjekte politike është 141 kandidatë: Za Slobodu Pravdu i Opstanak 12 kandidatë; SOCIJALDEMOKRATSKA UNIJA SDU 35 kandidatë; JEDINSTVENA GORANSKA PARTIJA 23; PARTIA ROME E BASHKUAR E KOSOVËS 40; Kosovaki Nevi Romani Partia 11 dhe FJALA 20 kandidatë.

Në përmbushje të detyrimeve ligjore lidhur me përshtatshmërinë/aftësinë e kandidatëve për t’u certifikuar, KQZ nëpërmjet Zyrës do të dorëzojë në disa institucione kërkesat e veçanta së bashku me listën e kandidatëve që duan të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhje, me qëllim të verifikimit të tyre nëse janë në përputhje me nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Regjistrim masiv i diasporës për zgjedhjet e dhjetorit - aprovohen rreth 72 mijë aplikime

7 December 2025 at 10:48


Është përmbyllur periudha e regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës për zgjedhjet jashtëzakonshme për Kuvendin e Kosovës.

Sipas të dhënave preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), gjatë periudhës 26 nëntor – 6 dhjetor, përmes platformës elektronike të KQZ-së janë pranuar mbi 84,700 aplikime për regjistrim, prej të cilave janë aprovuar rreth 71,900.

Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, zëdhënësi i KQZ-së, Vlamir Elezi.

“Numri i aplikimeve të refuzuara është rreth 6,700, ndërsa janë ende në vlerësim rreth 5,900 aplikime,” tha Elezi.

Nga aplikuesit e aprovuar, pjesa më e madhe kanë zgjedhur të votojnë përmes postës.

Mbi 51,000 votues do t’i dërgojnë paketat me fletëvotim në kutitë postare jashtë Kosovës, ndërsa rreth 2,500 të tjerë do t’i dorëzojnë në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë. Ndërkohë, rreth 18,000 shtetas kanë zgjedhur të votojnë fizikisht në përfaqësitë diplomatike të Kosovës.

Elezi theksoi se procesi i regjistrimit ka shkuar pa probleme.

KQZ paralajmëron se të gjithë votuesit jashtë Kosovës duhet të jenë të informuar për mënyrën e votimit dhe datat përkatëse të dorëzimit të fletëvotimeve, në mënyrë që të sigurohet pjesëmarrja e tyre në zgjedhjet e 28 dhjetorit. /Telegrafi/

​KQZ: Do të verifikohen kandidatët për deputetë të zgjedhjeve të 28 dhjetorit

4 December 2025 at 11:18


Deri të dielën në mesnatë, pra më 7 dhjetor, subjektet politike kanë afat që të dorëzojnë listën me emrat e kandidatëve me të cilët do të garojnë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Por, pas aplikimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në bashkëpunim me institucione të ndryshme të shtetit, do të verifikojë përshtatshmërinë e kandidatëve për tu certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë për KosovaPress se varësisht nga kërkesat e ligjit, KQZ do të përcjellë në këto institucione listat e kandidatëve për deputetë me qëllim të verifikimit të tyre.

“Në përmbushje të detyrimeve ligjore lidhur me përshtatshmërinë, aftësinë e kandidatëve për t’u certifikuar, KQZ, nëpërmjet Zyrës, do të dorëzojë në disa institucione kërkesat e veçanta së bashku me listën e kandidatëve që duan të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhje, me qëllim të verifikimit të tyre nëse janë në përputhje me nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme… 3:42 Me qëllim të zbatimit të këtij neni, KQZ u dërgon shkresë disa institucioneve për të vërtetuar nëse ndonjëri nga kandidatët nuk mund të certifikohet si kandidat për pjesëmarrje në zgjedhje”, tha Elezi.

Mes shumë ndalesave që parasheh ligji, është edhe kufizimi se kandidat nuk mund të jetë një person që është i dënuar në 3 vitet e fundit me vendim të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv. Sipas KQZ-së, edhe kjo e kaluar e kandidatëve do të verifikohet.

“Këshilli Gjyqësor i Kosovës është njëri prej institucioneve që KQZ-ja do të kërkojë verifikim të kandidatëve. Në nenin 30 të ligjit për zgjedhje të përgjithshme, theksohet se kandidat nuk mund të jetë një person nëse është dënuar në 3 vitet e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv. Prandaj, me qëllim të zbatimit të këtij përcaktimi ligjor, do të kërkojmë nga KGjK-ja që të verifikojë listën e kandidatëve nëse ndonjëri prej tyre nuk është në përputhje me këtë kufizim ligjor”, tregoi Elezi.

Sipas nenit 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, një person nuk mund të certifikohet si kandidat për deputet i cili ka funksion të veçantë në bazë të Ligjit në fuqi për zyrtarët publikë; është anëtar i shërbimit të jashtëm dhe përfaqësues diplomatik; kryesues apo anëtar i KQZ-së dhe Komisionit Komunal të Zgjedhjeve; është zyrtar i PZAP-së; me anë të vendimit të gjykatës, përfshirë edhe vendimin e PZAP-it, i është hequr e drejta për të qenë kandidat; është dënuar në tre vjetët e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv; ka dështuar të paguajë gjobën e vënë nga PZAP-i, apo KQZ-ja ose ka dështuar t’i përmbahet ndonjë urdhri të PZAP-it.

Sot mbyllet afati për certifikimin e partive dhe formimin e koalicioneve për zgjedhjet e dhjetorit

30 November 2025 at 09:52


Sot do të përfundojnë tri afatet kryesore që lidhen me zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen më 28 dhjetor 2025.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka njoftuar se subjektet politike, koalicione, nisma qytetare dhe kandidatët e pavarur që synojnë të marrin pjesë në zgjedhje duhet të dorëzojnë deri sot në orën 23:59 aplikimin për certifikim.

“Deri më 30 nëntor subjektet duhet të dorëzojnë në KQZ, respektivisht në Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar, aplikimin për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Formulari, i cili është i ngjashëm me të poceseve të kaluara zgjedhore, është i vendosur në platformën elektronike të KQZ-së dhe i njëjti duhet të plotësohet online”, tha Elezi për Telegrafin.

Po ashtu, partitë që duan të garojnë përmes një koalicioni duhet ta njoftojnë KQZ‑në për këtë vendim deri më 30 nëntor, ndërsa po të njëjtat subjekte që vendosin të mos marrin pjesë në zgjedhje duhet ta njoftojnë KQZ‑në brenda së njëjtit afat.

Afati për dorëzimin e listave me kandidatët për deputetë është caktuar të përfundojë më 7 dhjetor 2025, kështu që subjektet politike që plotësojnë certifikimin duhet më pas të dorëzojnë listat e kandidatëve për deputetë.

Elezi ka theksuar se formularët për certifikim janë vendosur në platformën elektronike të KQZ-së, dhe aplikimi duhet të bëhet online, si në proceset zgjedhore të kaluara.

Ndryshe, deri dje në ora 13:00 KQZ, respektivisht Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike është njoftuar për formimin e dy koalicioneve për pjesëmarrje në zgjedhje, si në vijim:

– “PAI – PDAK – LPB”, i përbërë nga 3 parti politike: Partia e Ashkalinjëve për Integrim (PAI), Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës (PDAK) dhe Lëvizja për Bashkëveprim (LPB)”; dhe

– Koalicioni VAKAT, i përbërë nga 3 parti politike: Demokratska Stranka Bošnjaka (DSB), Bošnjačka Stranka Kosova (BSK) dhe Demokratska Stranka Vatan (DSV). /Telegrafi/

KQZ nuk ka buxhet për zgjedhje të parakohshme

17 November 2025 at 09:49


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka sqaruar se shpallja e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve lokale dhe certifikimi i tyre përfshin disa hapa të rëndësishëm, duke përfshirë verifikimin e rezultateve në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN), numërimin në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) të fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, votimi me kusht dhe votimi i personave me nevoja të veçanta.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha për Telegrafin se shpallja e rezultateve përfundimtare nuk e përmbyll procesin zgjedhor.

“Subjektet politike dhe kandidatët kanë të drejtë ankese ndaj rezultatit, fillimisht në PZAP dhe më pas, çështja mund të shkojë deri në Gjykatën Supreme. KQZ është e obliguar të presë këto vendime, t’i zbatojë ato dhe vetëm pas kësaj të procedojë me certifikimin e rezultateve", tha Elezi.


Sipas Elezit, deri më tani KQZ ka përmbyllur aktivitetet në QKN dhe ka numëruar fletëvotimet në QNR, përfshirë pjesën më të madhe të fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës.

Megjithatë, KQZ është ende në pritje të ardhjes së 10 pakove me fletëvotime të tërhequra nga kutia postare në Kanbera të Australisë.

Në lidhje me mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, Elezi theksoi se KQZ nuk ka mjete buxhetore të planifikuara për një proces të tillë që nuk ishte parashikuar.

"Nëse do të ketë zgjedhje të parakohshme, KQZ-ja do të përgatisë me kohë kërkesën buxhetore dhe do ta përcjellë për miratim në Qeverinë e Kosovës. Kjo ka ndodhur edhe në raste të tjera kur kemi pasur zgjedhje të parakohshme apo në një vit jo-zgjedhor”, tha Elezi. /Telegrafi/

Votimi nga diaspora, KQZ refuzon mbi 2 mijë e 500 pako

14 November 2025 at 12:04


Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon procesi i vlerësimit të pakove me fletëvotime të ardhura nga votimi me postë jashtë Kosovës, që i përkasin raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetarë të 18 komunave.

Deri të premten në orën 10:00, janë shqyrtuar mbi 9,800 pako, nga të cilat më shumë se 7,240 janë aprovuar, ndërsa rreth 2,570 janë refuzuar.

Kështu ka konfirmuar për Telegrafin, Valmir Elezi, zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

"Arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako është sepse në 2,500 raste mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument me të dhëna unike, që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ", tha ai.

Elezi shtoi tutje se më 11 dhe 12 nëntor, nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme të botës, është bërë tërheqja e 13,084 pakove të supozuara me fletëvotime, të cilat i takojnë votimit me postë jashtë Kosovës në raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të 18 komunave. Deri më tani, pjesa më e madhe e tyre janë sjellur në Kosovë.

"Në fund të këtij procesi të vlerësimit, do të publikojmë të dhënat për numrin e pakove me fletëvotime të supozuara, të cilat do të numërohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve", theksoi ai.

Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale është mbajtur më 9 nëntor. /Telegrafi/

KQZ nis verifikimin e pakove me fletëvotime nga diaspora

13 November 2025 at 12:18


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se gjatë ditës së martë dhe të mërkurë janë tërhequr mbi 13,000 pako të supozuara me fletëvotime nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme të botës. Këto pako i përkasin votimit me postë jashtë Kosovës për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të 18 komunave.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha për Telegrafin, se të enjten në mesditë ka filluar procesi i vlerësimit dhe verifikimit të këtyre pakove, me qëllim që të përcaktohet nëse ato janë dërguar nga shtetas të Kosovës të regjistruar si votues jashtë vendit.

"Pra, procesit të vlerësimit do t’i nënshtrohen 13,000 pako dhe në fund do të kemi më shumë detaje. KQZ i referohet këtyre pakove si “pako të supozuara me fletëvotime” sepse në këtë fazë nuk mund ta dijmë me saktësi nëse brenda tyre ka fletëvotime dhe nëse të njëjtat janë dorëzuar nga votuesit e regjistruar", theksoi ai.

Tutje, Elezi shtoi se gjatë periudhës së regjistrimit (23 korrik – 29 gusht 2025) numri i shtetasve të regjistruar për të votuar përmes postës në raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të 18 komunave ishte: 29,725 votues.

Raundi i dytë i zgjedhjeve u mbajt në 18 komuna./Telegrafi/

KQZ fillon verifikimin e rezultateve të balotazhit në QNK, votat e disaporës do të numërohen pas disa ditësh

10 November 2025 at 14:21


Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi ka njoftuar se procesi i verifikimit të rezultateve të zgjedhjeve ka filluar në të gjitha Qendrat Komunale të Numërimit (QKN), menjëherë pas përfundimit të numërimit të fletëvotimeve në vendvotime.

Në një konferencë për media, Elezi tha se aktualisht po bëhet krahasimi i të dhënave nga formularët e plotësuar në vendvotime me rezultatet e raportuara, ndërsa të dhënat e verifikuara po publikohen në platformën zyrtare të KQZ-së.

“Do të bëhet verifikimi i rezultateve nga formularët që janë plotësuar në vendvotime pas numërimit të fletëvotimeve. Ky aktivitet ka filluar në të gjitha Qendrat Komunale të Numërimit, ndërsa në platformën e KQZ-së ka filluar publikimi i rezultateve pas verifikimit që po bëhet në QKN,” tha Elezi.

Ai bëri të ditur se KQZ ka mundësuar edhe votimin me kusht në 20 vendvotime të tjera, ndërsa numërimi i këtyre fletëvotimeve, si dhe i atyre të personave me nevoja të veçanta dhe votave me postë, do të bëhet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) pas disa ditësh.

“Sipas të dhënave preliminare, nga 20 vendvotime me kusht në 18 komuna janë evidentuar 749 zarfe me fletëvotime. Këto zarfe ende nuk janë verifikuar dhe kjo do të ndodh pas disa ditësh,” shtoi ai.

Sa i përket votimit të personave me nevoja të veçanta, Elezi tha se më shumë se 1,440 qytetarë kanë votuar përmes ekipeve mobile të KQZ-së, nga 2,541 sa ishin të regjistruar për këtë kategori.

Në lidhje me votimin me postë, zëdhënësi i KQZ-së bëri të ditur se tërheqja e dërgesave postare nga 22 kuti postare jashtë Kosovës pritet të bëhet gjatë ditëve në vijim.

“Numri i qytetarëve të regjistruar për votim jashtë Kosovës në këto 18 komuna ishte 29,725. Aktualisht nuk dihet ende sa prej tyre kanë votuar. Kjo do të bëhet e ditur pas tërheqjes së pakove postare dhe procesit të verifikimit,” përfundoi Elezi.

KQZ pritet që në ditët në vijim të publikojë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, pas përfundimit të verifikimeve dhe numërimit të votave me kusht, me postë dhe të personave me nevoja të veçanta. /Telegrafi/

KQZ: Votimi nisi pa probleme në të gjitha 1628 vendvotimet

9 November 2025 at 08:09


Komisioni Qendror Zgjedhor ka mbajtur konferencën e parë rreth hapjes së vendvotimeve për raundin e balotazhit.

Valmir Elezi nga KQZ tha se të gjitha vendvotimet janë hapur në orën 07:00 dhe procesi po zhvillohet normalisht.

“Ju njoftojmë se në orët e hershme të ditës së sotme, materialet janë shpërndarë në kohë në të gjitha vendvotimet”, tha ai, raporton Telegrafi.

“Procesi i votimit në 18 komuna për kryetarë ka nisur me kohë. Sot procesi i votimit zhvillohet në 507 qendra, me gjithsej 1628 vendvotime, të cilat janë të hapura dhe 18 qendra të tjera, nga një për çdo komunë, për të mundësuar votimin me kusht”.

“Numri i votuesve në 1.316.672 votues, që janë të shpërndarë në këto 18 komuna. Në këto vendvotime, janë të përfshirë edhe personat që nuk i kishin mbushur 18 vjeç”.

“61 ekipe mobile lëvizëse do të jenë në terren për t’u mundësuar votimin e personave me nevoja të veçanta”, shtoi Elezi.

Konferenca e dytë do të zhvillohet në ora 11:30, ku do të flitet për pjesëmarrjen deri në ora 11:00. /Telegrafi/

Sot nis fushata për raundin e dytë të zgjedhjeve komunale - përfundon me hapjen e vendvotimeve të dielën

3 November 2025 at 07:26


Sot, më 3 nëntor nis zyrtarisht fushata zgjedhore për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash, e cila do të zgjasë deri në momentin e hapjes së qendrave të votimit më 9 nëntor në orën 07:00.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi ka deklaruar për Telegrafin se fushata do të zgjasë gjashtë ditë dhe përfundon me hapjen e vendvotimeve në ditën e zgjedhjeve.

“Gjatë periudhës prej 3 deri më 9 nëntor, subjektet politike dhe kandidatët do të kenë mundësi të zhvillojnë aktivitetet e tyre të fushatës zgjedhore. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, të miratuar në vitin 2023, fushata përfundon në momentin e hapjes së Qendrave të Votimit. Njësoj si në zgjedhjet e mbajtura më 12 tetor, dita e shtunë nuk është ditë heshtjeje zgjedhore,” ka sqaruar Elezi.

Ai ka rikujtuar se ligji parasheh ndalesa të qarta për subjektet politike dhe mbështetësit e tyre gjatë fushatës.

“Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme ndalon çdo formë pengese ndaj kundërshtarëve politikë, si dhe çdo akt dhune apo kërcënimi. Fushata duhet të zhvillohet në mënyrë të qetë, demokratike, pa gjuhë urrejtjeje dhe pa frikësime,” ka theksuar zëdhënësi i KQZ-së.

Gjatë kësaj periudhe, KQZ do të angazhojë monitorues në komuna të ndryshme, të cilët do të përcjellin nga afër aktivitetet e subjekteve politike, reklamat dhe materialet promovuese. Raportet e tyre do të përdoren për krahasim me të dhënat financiare të deklaruara nga subjektet pas përfundimit të fushatës.

Raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë komunash do të zhvillohet në këto komuna: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot.

Gara e balotazhit dhe fushata zgjedhore po zhvillohet në një situatë të ndjeshme politike, pas dështimit të formimit të Qeverisë së re ku mund të kemi edhe zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, e të cilat do të mund të mbahen në muajin dhjetor. /Telegrafi/

Balotazhi, Elezi: KQZ do të pastrojë listën votuese brenda vendit dhe do të përfshijë 18-vjeçarët e pas 12 tetorit

24 October 2025 at 10:00


Në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave, që pritet të mbahen më 9 nëntor, KQZ do të përditësojë të dhënat e listës votuese në ato komuna në të cilat do të mbahet rrethi i dytë i zgjedhjeve.

Përditësimi i të dhënave do të kufizohet vetëm në përfshirjen e personave që mbushin 18 vjeç pas ditës së zgjedhjeve të raundit të parë dhe deri më 9 nëntor, si dhe në largimin nga lista të personave të vdekur dhe atyre që kanë hequr dorë nga nënshtetësia e Kosovës.

Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, kjo çështje është rregulluar nga KQZ përmes Rregullores Zgjedhore për krijimin e Listës së Votuese.

“Në rrethin e dytë të zgjedhjeve, do të përdoret e njëjta listë votuese e cila është përdorur në raundin e parë, me disa përditësime të kufizuara. Konkretisht, kjo listë do të plotësohet me personat që nga data 13 tetor deri më 9 nëntor arrijnë moshën e votimit. Po ashtu, nga lista do të largohen personat që kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës apo që kanë ndërruar jetë në këtë periudhë. Përtej këtyre ndryshimeve, asnjë përditësim tjetër nuk do të pasqyrohet në këtë listë”, sqaroi Elezi.

Elezi ka sqaruar se në listën votuese, nuk do të përfshihen as lëvizjet eventuale të qytetarëve nga njëra komunë në tjetrën.

“Lëvizjet e brendshme të qytetarëve ndërmjet komunave nuk përfshihen në këtë përditësim, në këtë fazë të procesit. Kjo do të thotë se qytetarët që kanë ndërruar vendbanimin nga një komunë në një tjetër pas raundit të parë nuk do të mund të votojnë në komunën ku janë zhvendosur, por vetëm në atë ku kanë qenë të regjistruar në listën votuese të raundit të parë. Pra, përditësimi i listës votuese do të reflektojë vetëm këto tri aspekte: përfshirjen e personave që mbushin 18 vjeç deri më 9 nëntor, largimin e personave të vdekur dhe atyre që kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës”, tha Elezi.

Deri më tani, sipas rezultateve jopërfundimtare, raundi i dytë i zgjedhjeve do të organizohet në 18 komuna. Sipas të dhënave të raundit të parë, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotimet e këtyre komunave ishte 1,316,129 votues. /kp/

❌
❌