Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 30 December 2025Main stream

Gjendet i pajetë i djegur një person në Elbasan, rrethanat ende të paqarta

By: Fax Web
30 December 2025 at 20:52

Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e sotme pranë stadiumit në qytetin e Elbasanit, ku një person është gjetur i djegur plotësisht në një ambient të përshtatur si banesë, në katin e parë të një pallati.

Rrethanat e kësaj ngjarjeje mbeten ende të paqarta.

Sipas informacioneve paraprake, ndërhyrja e shërbimeve zjarrfikëse është bërë pasi banorët e pallatit kanë sinjalizuar praninë e erës së djegies dhe tymit.

Zjarrfikësit kanë hapur me forcë qepenin e ambientit, ku kanë gjetur një person te moshuar mashkull pa shenja jete.

Shpërblim fundviti për të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit/ Ja shuma

By: Fax Web
30 December 2025 at 20:02

Punonjësit e Policisë së Shtetit kanë përfituar shpërblime financiare, pas një vendimi të marrë rreth 10 ditë më parë nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, me rastin e festave të fundvitit.

Burime bëjnë me dije se ditën e sotme fondet kanë kaluar në bankë për të gjithë përfituesit.

Sipas të dhënave, çdo punonjës policie ka përfituar nga 30 mijë lekë (të reja) shpërblim. Ndërkohë, efektivë të veçantë që kanë kryer detyra të rëndësishme dhe angazhime specifike kanë marrë një pagë të plotë shtesë.

Risi në këtë vendim është edhe përfshirja e punonjësve civilë brenda Policisë së Shtetit, të cilët për herë të parë kanë përfituar një rrogë të plotë shpërblim.

Është kryer pagesa e plotë edhe për orët e natës, orët suplementare, dietat dhe përfitime të tjera financiare të prapambetura, duke mbyllur detyrimet ndaj punonjësve të policisë.

Futbollistit serb “s’i del e keqja” me Xhakën dhe Shaqirin: Nëse e duan Shqipërinë kaq shumë, pse nuk luajnë për të?

By: Fax Web
30 December 2025 at 19:59

Ishte Botërori i Rusisë i vitit 2018 kur Zvicra dhe Serbia u përballën mes tyre me skuadrën helvete që fitoi me rezultatin 2-1.

Dhe fati deshi që të dy golat të shënoheshin nga dy futbollistë shqiptarë që luanin me përfaqësuesen zvicerane, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri të cilët festuan duke bërë gjestin e shqiponjës. Një moment ky që nuk është harruar nga mbrojtësi serb, Nemanja Matic që ishte i pranishëm në atë ndeshje.

Matic, që aktualisht është pjesë e Sassuolos në kampionatin italian të futbollit, e preku këtë temë në një intervistë të dhënë për ‘FourFourTwo’ duke mos e miratuar gjestin e të dy futbollistëve.

“I respektoj si futbollistë, kam luajtur kundër tyre disa herë në Premier League. Por me atë veprim ata fituan pak pikë politike-tha Matic në intervistën e tij-ata janë rritur në Zvicër mendoj. Duke bërë atë gjest, ti nuk po tregon respekt për vendin për të cilin luan. Nëse të pëlqen kaq shumë Shqipëria, pse nuk luan për të? Kjo është pyetja ime. Mund të pëlqesh vende të tjera, nuk është ndonjë problem. Kam luajtur ndaj Xhakës shumë herë dhe asnjëherë nuk kemi pasur probleme, kemi shtrënguar duart, ai është një futbollist i mirë, po ashtu edhe Shaqiri, por por unë nuk do të provokoja kurrë ndokënd. I respektoj të gjithë”.

Grabitet banka në Gjermani/ 30 milionë euro dëme dhe mijëra bizhuteri ari të vjedhura, rruga që ndoqën hajdutët

By: Fax Web
30 December 2025 at 19:50

Një bankë në qytetin gjerman të Gelsenkirchen është grabitur me hajdutët që arritën të vidhnin rreth 30 milionë euro, duke përfituar nga pushimet e Krishtlindjeve.

Një zëdhënës i policisë e përshkroi vjedhjen si jashtëzakonisht profesionale, duke theksuar se ajo kërkonte planifikim të detajuar, njohuri të brendshme dhe një nivel të lartë vendosmërie kriminale.

Sipas policisë, autorët e krimit hynë në bankë përmes një garazhi parkimi, duke shpuar një vrimë të madhe në dhomën e kasafortës. Pas grabitjes, ata u larguan duke përdorur të njëjtën rrugë, së bashku me sendet e vjedhura.

Sipas mediave, më shumë se 3 mijë kasaforta u hapën me forcë dhe  përmbanin para të gatshme, bizhuteri dhe ar.

Grabitja u zbulua të hënën, pasi u aktivizua një alarm zjarri dhe u njoftuan shërbimet e emergjencës.

Dëshmitarë okularë i thanë policisë se panë disa burra me çanta të mëdha në shkallët e garazhit të parkimit gjatë natës deri të dielën. Hetuesit kanë analizuar pamjet e para të kamerave të sigurisë, të cilat dyshohet se tregojnë një automjet Audi RS6 të zi duke dalë nga garazhi herët të hënën në mëngjes, me pasagjerë të maskuar brenda.

Policia bëri të ditur se targa e automjetit ishte vjedhur më herët në qytetin verior gjerman të Hanoverit.

Gati çerekun e të ardhurave mujore/ Sa kushton tryeza e Vitit të Ri për familjet shqiptare?

By: Fax Web
30 December 2025 at 19:25

Fundviti është një periudhë me rëndësi të veçantë për familjet shqiptare që tradicionalisht shoqërohet me festa dhe grumbullime familjare. Një nga elementët më të rëndësishëm të kësaj feste është tryeza e Vitit të Ri, e cila, natyrisht, ka edhe kostot e saj.

“Scan Intel” ka marrë në analizë se sa pritet të kushtojë mesatarisht këtë vit tryeza e fundvitit dhe sa të ardhura nevojiten për të përballuar këtë darkë festive.

Shifrat janë përllogaritur mbi një mesatare çmimesh nga disa prej supermarketeve më të mëdha në vend si dhe çmimeve zyrtare të INSTAT, ndërsa tryeza është “shtruar” sipas traditës më të përhapur në Shqipëri, me bollëk, por pa lukse të tepruara.

Sipas statistikave, një familje shqiptare përbëhet mesatarisht nga rreth 3.2 persona, ndërsa kostoja e tryezës së Vitit të Ri për këtë numër anëtarësh arrin në 25,105 lekë.

Në krye të listës së shpenzimeve renditet gjeli i detit, një nga ushqimet më tradicionale të kësaj feste, çmimi i të cilit varion mesatarisht rreth 1,200 lekë për kilogram. Për një sasi prej rreth 5 kilogramësh, kostoja e tij shkon afërsisht në 6,000 lekë.

Ushqimet tradicionale vijojnë me bakllavanë, e cila mesatarisht kushton rreth 1,900 lekë, ndërsa pijet alkoolike përbëjnë gjithashtu një zë të konsiderueshëm shpenzimi, me rreth 3,247 lekë për një familje prej 3.2 personash.

Më pas vijnë të gjitha asortimentet e tjera të tryezës, përfshirë mishrat e tjerë, antipasta, frutat e thata dhe ato të freskëta, perimet, si edhe produktet bazë të shportës ushqimore, si vezë, miell, qumësht etj.

Në llogaritje është përfshirë edhe një kosto shtesë prej rreth 500 lekësh për energjinë elektrike, si pasojë e gatimit dhe konsumit më të lartë gjatë festave.

Me një pagë mesatare mujore neto prej 67 mijë lekësh mund të themi se darka e fundvitit i merr xhepit të familjeve rreth 34% të kësaj page. Ndërkohë, disa prej këtyre kostove mund të jenë disi më të ulëta falë ofertave të fundvitit, pasi supermarketet kanë aplikuar ulje çmimesh për një pjesë të produkteve bazë të tryezës.

Megjithatë, konsumi ndryshon nga një familje te tjetra dhe shpesh lista e produkteve zgjerohet, duke e çuar koston përfundimtare edhe më lart. Kjo është një kosoto e supozouar pasi darka e fundvitit varet nga numri i personave që jetojnë në familje si dhe nga preferencat e tyre për ushqimet dhe sasitë që do të përdorin.

“Milioneri” i Sportit, ja sa ka fituar Ronaldo gjatë 2025-ës

By: Fax Web
30 December 2025 at 19:20

Edhe pse po i afrohet moshës 41-vjeçare, Cristiano Ronaldo, që vazhdon të futbollisti më i paguar në botë.

Konfirmimi vjen nga revista prestigjoze “Forbes”.

Gjatë klasifikimit të saj më të fundit, sa i përket fitimeve të sportistëve, revista raporton se ylli portugez ka fituar për vitin 2025 plot 280 milion dollarë.

Të ardhurat vijnë nga kontrata me klubin saudit të Al Nassr, por mbi të gjitha nga kontratat e sponsorizimeve me disa prej kompanive më të mëdha të botës.

LEXO EDHE: FOTO/ Ronaldo, “sheik” në Dubai! Ora 750 mijë dollarëshe që tërhoqi vëmendjen

Ronaldo, pesë herë fitues i Topit të Artë, në vitin 2020 u bë sportisti i parë që tejkaloi 1 miliard dollarë pasuri.

Përveç një marrëveshjeje të përjetshme me Nike dhe sponsorizimeve të tjera, Ronaldo fiton para jashtë fushës me veshjet, aksesorët, hotelet dhe palestrat e markës CR7.

VIDEO/ Shtëpia u shkrumbua nga flakët dhe foshnja humbi jetën, dëshmitari rrëfen momentin e tmerrit: Dëgjuam britma, shqeva derën dhe…

By: Fax Web
30 December 2025 at 18:59

Një fëmijë 1-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e tymit në një shtëpi që është përfshirë nga zjarri në qendër të Prizrenit, derisa tre fëmijët e tjerë kanë shpëtuar dhe po marrin trajtim mjekësor.

Specialisti i Emergjencës në Spitalin e Prizrenit, Hekuran Veçgishti tha se gjendja e tre fëmijëve që shpëtuan nga zjarri është stabile dhe nën monitorim, derisa fëmija i katërt kishte arritur në spital pa shenja jete.

Rreth ora 10:25 në emergjencën e spitalit të Prizrenit, është sjell pa shenja jete nga një shtëpi që është kapluar nga flaka. Në emergjencë është konstatuar vdekja e fëmijët nga ky rast. Po ashtu dhe tre fëmijë janë sjell në repartin e pediatrisë, ata aktualisht janë duke vazhduar trajtimin në repartin e pediatrisë…ata kanë pas intoksikim prej tymit që ka qenë nga flaka…sipas mjekëve gjendja e tyre është stabile dhe janë nën monitorim”, tha ai.

Ndërsa, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi deklaroi se ndonëse shkaqet e këtij zjarri ende nuk dihen.

Dyshimet janë se zjarri u shkaktua si pasojë e një shkëndije elektrike.

Dy emra “big” për sulmin e Milanit, mes tyre edhe “Neymar i ri”

By: Fax Web
30 December 2025 at 18:45

Pasi siguroi Niclas Fullkrug deri në fund të sezonit, Milan nuk do të ndalet me kaq pasi ka dhe objektiva të tjerë në sulm.

Pavarësisht se shënoi dy golat e parë me fanellën e Milanit në sfidën e fundit ndaj Veronës, Christopher Nkunku nuk ka bindur te kuqezinjtë dhe francezi mund të largohet që në merkaton e janarit.

LEXO EDHE: Ndizet merkatoja te Milan/ Fenerbahçe kërkon Nkunku, Tare do…

Në rast largimi të Nkunku, Milan ka dy objkativa madhor për sulmin.

I pari është ylli i ri i Brazilit, Rayan, 19-vjeçari i Vasco de Gama, i cili ka një klauzolë të frikshme prej 80 milionë eurosh.

Në sezonin e fundit, Rayan shënoi 20 gola me klubin brazilian dhe konsiderohet tashmë si “Neymari i ri”.

Ndërsa emri i dytë që po ndjekin kuqezinjtë në sulm është një tjetër francez, Jean-Philippe Mateta, sulmuesi i Crystal Palace, i cili ka një vlerë në treg rreth 40 milionë euro.

“Big Brother”/ Deputeti i PD: Me Vrenozin nuk na bashkon vetëm partia, por edhe…

By: Fax Web
30 December 2025 at 18:35

Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi ka treguar se nga të gjithë banorët e këtij sezoni të Big Brother, ai është ‘tifoz’ me Ilir Vrenozin, me të cili nuk e bashkon vetëm partia, por edhe miqësia që ata kanë.

I ftuar në ‘Fan Club’, Korreshi është pyetur edhe nëse e shihte veten pjesë e këtij format, ndërsa është përgjigjur se do të ishte e pamundur që nga jeta aktive që ka të kalojë në izolim.

“Patjetër që e ndjek sepse është një miku im aty brenda dhe kjo më shtyn edhe më shumë. Me Ilir Vrenozin na bashkon partia por edhe miqësia personale. Jemi akoma tek fasulet, nuk e di ca do bëhet më mbrapa, tani na bashkojnë fasulet, kur gatuaj fasulet në shtëpi i çojmë mesazh njëri tjetrit.

Unë jo nuk rri dot, është një eksperiencë e veçantë, duket kur e ndjek, bëhet edhe më interesante kur e ndjek dhe je tifoz me dikë. Personalisht nga jeta ime që e kam aktive, që më duhet të dalë në terren, nuk e kam me qejf. Të flesh me një vajzë në Big Brother do më thënë të rrish gjithë natën pa gjumë, më mirë të rri rehat te shtëpia ime”, u shpreh Korreshi.

Duke nisur nga 2026, autostradat në Itali më të shtrenjta

By: Fax Web
30 December 2025 at 18:16

Një rritje mesatare prej 1,5%, por që mund të jenë edhe më të larta, sidomos në jug, është ajo që duhet të presin drejtuesit e automjeteve kur të kalojnë në pikat e pagesës së autostradave në Itali.

Sipas Ministrisë së Transporteve, rritja më e madhe do të prekë aksin Salerno–Pompei–Napoli, me një shtesë prej 1,925%.

Një rregullim i tarifës prej 1,46% parashikohet edhe për autostradën e Brennerit, e përdorur edhe nga ata që hyjnë në Itali nga veriu.

Rritja, e cila është një praktikë vjetore e shoqërive koncesionare dhe bazohet në disa faktorë, përfshirë kostot e mirëmbajtjes dhe inflacionin, ishte kundërshtuar nga Qeveria italiane, e cila kishte vendosur një bllokim që nga viti 2020, pas shpërthimit të pandemisë Covid.

Në tetor të këtij viti, Gjykata e shpalli këtë vendim antikushtetues, duke e cilësuar si “në kundërshtim me lirinë e sipërmarrjes”.

VIDEO/ Rama takon socialistët e Tiranës: Mirënjohje që besoni të patundur tek forca jonë

By: Fax Web
30 December 2025 at 18:04

Teksa jemi në orët e fundit të vitit 2025, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me anëtarët e Partisë Socialiste.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i PS shprehet ndër të tjera se, është mirënjohës çdo anëtari të kësaj force politike që beson “te forca jonë e pandalshme përpara“.

Me mirënjohje për çdo anëtar dhe aktivist të familjes së madhe të Partisë Socialiste dhe me besimin e patundur tek forca jonë e pandalshme përpara, uroj nga zemra shëndet e mbarësi për çdo familje të vogël te secilës dhe secilit prej jush“, shkruan Rama mbi videon e postuar.

Masakra e Reçakut, Kosova ngre aktakuzë për 21 persona

By: Fax Web
30 December 2025 at 17:51

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 21 personave për masakrën në Reçak, ku më 15 janar 1999 u vranë 45 civilë .

Ndaj O.S.,R. M., K.J., G.R., ZH.T., B.J., M.L., R.M., D.GJ., B.M., D.J., M.SH., D.A., S.V. , B.M., Z.S., M.J., G.P., D.N., Ç.A., u ngrit aktakuzë për veprën penale “krim i luftës kundër popullatës civile”.

Ata akuzohen se gjatë një operacioni të forcave policore serbe, vranë 42 civilë në Reçak të Shtimes.

Sipas aktakuzës, në periudhën 1998-1999, të akuzuarit, si pjesëtarë të ushtrisë së ish-Jugosllavisë, Brigadës “243 të Mekanizuar”, Armatës së III- të, e njohur si “Korpusi i Prishtinës”, si dhe pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, “kanë kryer edhe trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullsisë civile”.

Prokuroria thotë se të pandehurit e kishin rrethuar fshatin Reçak nga vendet e quajtura “Pishat”, “Gështenjat” dhe “Çesta”.

Më pas, sipas aktakuzës, ata e kishin granatuar fshatin, kishin kryer kontrolle shtëpi më shtëpi, dhe kishin ndarë burrat nga gratë dhe fëmijët, duke i detyruar që të largoheshin nga fshati, “ndërsa burrat e ndaluar i ekzekutuan”.

“Hetimet kanë vërtetuar se të pandehurit kanë ushtruar dhunë fizike ndaj civilëve, duke i rrahur me kondakë armësh, shqelma, dru, zinxhirë dhe mjete të tjera të forta”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Dokumentimin e krimeve të kryera në Reçak e bëri William Walker, i cili më 1999 shërbente si shef i Misionit Verifikues të OSBE-së.

Edhe sot, ambasadori Walker vazhdon ta cilësojë këtë ngjarje si krim kundër njerëzimit.

Ai thotë se ajo çfarë u kishte interpretuar  komunitetit ndërkombëtar në atë kohë, për atë çfarë kishte parë në Reçak vazhdon të qëndrojë edhe sot, e gjallë në sytë  e tij.

Mendoj se sakrificat e bëra në Reçak nga njerëzit atje, ajo çfarë ju ka ndodhur atyre, thellësisht e ka ndryshuar çështjen e Kosovës, nga të qenit një provincë e neglizhuar në atë që është sot; një shtet i pavarur. Besoj sinqerisht, se incidenti i Reçakut, për arsye të ndryshme ka çuar në ndërhyrjen e NATO-s, lirinë dhe pavarësinë. Ka pasur faktorë të ndryshëm në atë që ka ndodhur, por pas disa viteve të informatave dhe dëshmisë që Sllobodan Millosheviq po trajtonte popullatën shqiptare në mënyrë barbare është mundësuar ndërhyrja e NATO-s”, do të deklaronte diplomati.

Pas masakrës së Reçakut, në mars të vitit 1999, NATO-ja sulmoi bazat ushtarake dhe policore në ish-Jugosllavi dhe pas 78-ditësh, bombardimet u ndëprenë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Barça “shopping” në Serie A, ja lista me 3 emra për të gjetur mbrojtësin e duhur

By: Fax Web
30 December 2025 at 17:40

Dëmtimi i Andreas Christensen, i cili do të mungojë për një kohë të gjatë, por edhe forma jo e qëndrueshme e disa titullarëve në repartin e mbrojtjes, po e detyron Barcelonën të ndërhyjë që në merkaton e janarit.

Gazeta sportive shumë pranë klubit blaugrana, “Mundo Deportivo”, zbulon se klubi katalanas po ndjek 3 emra që luajnë në Serie A dhe njëri prej tyre do të jetë mbrojtësi i ri i Barcelonës që në janar.

Synimi është huazim me të drejtë blerje deri në fund të sezonit.

Emrat që po ndjek Barcelona janë: Koni De Winter i Milan, Stefan de Vrij i Interit dhe Juan Jesus i Napolit.

Secili prej tre emrave të përmendur ka pasur një rol dytësor këtë sezon, ndaj transferimi te Barcelona gjatë merkatos dimërore mund të ishte një lëvizje e mirë për karrierën e tyre.

Pse mafia shqiptare është aleate e karteleve meksikane?

By: Fax Web
30 December 2025 at 17:35

Nga Noro Este

Njoftimi i Departamentit të Thesarit të SHBA-së për sanksione kundër familjes Hysa me shetetësi meksikane, por me origjinë shqiptare, për akuzën për pastrim parash në favor të fraksionit Mayiza të Kartelit Sinaloa, i shtohet një liste të gjatë lajmesh që lidhin kartelet meksikane me klanet kriminale me origjinë shqiptare dhe na bën të pyesim veten:

Pse është bërë kaq e zakonshme lidhja midis organizatave të krimit të organizuar në Meksikë dhe Shqipëri?

Pak dihet për mafian shqiptare në Meksikë, por ajo është shumë e rëndësishme ndërkombëtarisht. Së bashku me ‘Ndranghetën italiane, është një nga dy mafiet që kontrollojnë trafikun e drogës në Evropë dhe për këtë arsye është një aleat kyç i Kartelit Sinaloa dhe Kartelit të Gjeneratës së Re Jalisco në nivel ndërkombëtar. Përtej Evropës, ajo ka gjithashtu një prani në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Australi përmes emigrantëve shqiptarë të vendosur në ato vende.

Në fund të viteve 1980, si Mafia Shqiptare ashtu edhe ‘Ndrangheta ishin të vogla në krahasim me organizatat e tjera kriminale, por që nga vitet 1990 e tutje, ato filluan të rriteshin falë dy faktorëve kryesorë. I pari ishte dobësimi i mafieve me ndikim të lartë për shkak të persekutimit nga qeveritë evropiane, si Mafia Siçiliane (Cosa Nostra), Camorra Napolitane, Mafia Ruse, Mafia Galiciane dhe Unioni Korsikan. Në të gjitha këto raste, qeveria gjeti anëtarë të gatshëm të tradhtonin të tjerët, gjë që lejoi ndjekjen penale të shumë prej udhëheqësve të tyre, duke i bërë ata partnerë më pak të besueshëm për kartelet meksikane ose kolumbiane.

Ndërsa informatorët i dobësuan këto mafia, kartelet meksikane dhe kolumbiane gjetën aleatë të përshtatshëm te mafia shqiptare dhe Ndrangheta, pasi në të dyja rastet këto janë grupe kriminale të përbëra vetëm nga njerëz që ndajnë lidhje të drejtpërdrejta familjare, domethënë prindër, fëmijë, vëllezër, xhaxhallarë dhe nipër, gjë që zvogëlon rrezikun e tradhtisë, sepse ata ndajnë gjak.

Faktori i dytë është se, në një kohë të shkurtër, falë diasporës së emigrantëve nga Shqipëria dhe Kalabria (një rajon në Italinë jugore ku lindi ‘Ndrangheta, i karakterizuar nga të ardhura shumë më të ulëta se pjesa tjetër e vendit), ata arritën të krijojnë një prani në shumicën e vendeve evropiane, veçanërisht në porte, qendra të mëdha financiare, kryeqytete me popullsi të dendur dhe zona me rritje të lartë ekonomike.

Për shembull, mafia shqiptare ka një prani në qytete të mëdha si Londra, Berlini, Parisi, Stokholmi, Stambolli, Nju Jorku, Sidnei, Toronto, Madridi dhe Roma, si dhe në portet më të ngarkuara tregtare në Evropë, si Hamburgu në Gjermani, Algeciras dhe Valencia në Spanjë, Antverpi në Belgjikë dhe Roterdami në Holandë.

Prandaj, duke qenë se portet janë pika kryesore e hyrjes për drogëra të tilla si kokaina dhe fentanili në Evropë, dhe mafia shqiptare është ajo që infiltrohet më mirë në to, ajo është një aleat kyç për organizata të tilla si Karteli Sinaloa ose Karteli i Gjeneratës së Re Jalisco.

Por përveç dy arsyeve të listuara tashmë, ekziston edhe një e tretë që e dallon mafian shqiptare, e cila, përveçse është kyçe në trafikun e drogës, u ofron gjithashtu organizatave meksikane qasje në një rrjet të gjerë pastrimi parash në Evropë dhe pjesë të tjera të botës, siç është Kina.

Shqiptarët investojnë në zhvillime të pasurive të patundshme luksoze të nivelit të lartë në të gjithë Evropën; ata zotërojnë kazino, hotele, resorte, por kanë krijuar gjithashtu aleanca me investitorë kinezë dhe turq për të pasur interesa në biznese të vogla që shesin produkte të lira dhe mallra pirate në qytete të ndryshme.

Në mënyrë të ngjashme, operacionet e tyre janë zbuluar në qendrat kryesore financiare evropiane si Cyrihu, Gjeneva, Frankfurti dhe Londra, si dhe blerja e kriptomonedhave, përdorimi i platformave të lojërave video dhe mashtrimet në shkallë të gjerë përmes mjeteve dixhitale.

Shkurt, mafia shqiptare është bërë një partnere kaq e mirë e karteleve meksikane sepse është një nga blerësit më të mëdhenj të drogës, ka një rrjet të madh shpërndarjeje në Evropë dhe vende të tjera, u ofron atyre një shërbim shtesë shumë të dobishëm siç është pastrimi i parave dhe madje mund t’u sigurojë atyre armë të kalibrit të lartë.

Kjo e bën të mundur që i njëjti klan shqiptar të ketë marrëveshje biznesi me kartele rivale si Karteli Sinaloa dhe CJNG, sepse kostoja e shpërbërjes është më e lartë se kostoja e tolerimit të mos-ekskluzivitetit.

Për më tepër, është e rëndësishme të theksohet se ndryshe nga Karteli Sinaloa ose CJNG, mafia shqiptare nuk është një organizatë e vetme, por shumë të pavarura; domethënë, çdo klan familjar është një bandë, me portofolin e vet të bizneseve. Por, ndryshe nga organizatat kriminale meksikane, të cilat shpesh përplasen dhe konkurrojnë, shqiptarët rrallë përdorin mosmarrëveshje të dhunshme dhe shumicën e kohës bashkëpunojnë me njëri-tjetrin dhe ndajnë fitimet.

Prandaj nuk është për tu habitur që familja Hysa, me seli në Meksikë dhe e lidhur nga qeveria e Shteteve të Bashkuara me klanin Mayiza, shërben si urë lidhëse me klanet e mëdha evropiane dhe, përveç pastrimit të parave përmes kazinove, ofron qasje në një portofol të gjerë investimesh në Evropë, gjë që është jashtëzakonisht e vështirë për tu zbuluar nga autoritetet meksikane. Për këtë arsye, marrëdhënia midis organizatave shqiptare dhe meksikane është intensifikuar me kalimin e viteve.

Takimi i fundvitit me gazetarët, Spiropali: 2026-ta, vit mundësish dhe sfidash

By: Fax Web
30 December 2025 at 17:32

“E gjithë energjia jonë, dhe të gjitha kapacitetet tona do të investohen në arritjen e objektivit strategjik, mbylljen e negociatave të anëtarësimit brenda 2027 dhe anëtarësimin në BE brenda dekadës.”

Kështu deklaroi Ministrja Elisa Spiropali, nga pritja e fundvitit me gazetarë, diplomatë dhe ekipin drejtues të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme.

Rruga jonë europiane është e nxitur nga një ide e thjeshtë, që sot është zgjidhja dhe zgjedhja jonë e vetme: Shqipëria në Europë”, shtoi Spiropali.

Sipas Ministres, anëtarësimi në BE, mbetet vokacioni kombëtar i popullit shqiptar dhe mbi të gjitha, një proces i thellë transformues.

Duke bërë një bilanc të vitit që po mbyllet, Ministrja e Jashtme theksoi se 2025-a ishte një vit jashtëzakonisht i mbarë për Shqipërinë dhe diplomacinë shqiptare.

33 kapituj të hapur në 13 muaj. Askush nuk ka ditur të ecë kaq shpejt më parë. Prandaj, në 2026-n, mbështesim njehsimin e mëtejshëm të shpejtësisë së negociatave, në shpejtësinë e avancimit të reformave dhe mbylljes së grupkapitujve”, tha Spiropali.

Në vitin që po lëmë pas, shtoi Ministrja, avancuam rolin e Shqipërisë dhe shqiptarëve në vendet tona partnere dhe më gjerë, në botë.

Prandaj, ligji i ri i diasporës fuqizon bashkëpunimin midis autoriteteve shtetërore dhe diasporës. Për herë të parë, kemi një mekanizëm të qartë koordinues, që nga Tirana, bashkërendon si një trup i vetëm me diasporën tonë nga Kalifornia deri në Sidnej. Kemi krijuar mekanizma të rinj mbrojtje të gjuhës, identitetit dhe trashëgimisë”, deklaroi Ministrja e Jashtme.

Spiropali ndau bindjen se ligji i ri për shërbimin e jashtëm, përmirësimi i mëtejshëm i kushteve financiare, por edhe statusit të diplomatit, do të vendosë diplomacinë shqiptare në kushtet e duhura për të udhëhequr pikërisht këtë angazhim historik në rrugën drejt BE-së.

Në 2026-ën, duhet të bëjmë të mundur, që grimcat e së ardhmes sonë europiane, të mos jenë më reflektimi, por gjithmonë e më shumë, përditshmëria jonë, normaliteti ynë i ri”, përfundoi Spiropali.

EMRAT/ Do ta thyejë Kurti rekordin e tij? Ja më të votuarit në zgjedhjet e 28 dhjetorit

By: Fax Web
30 December 2025 at 17:22

Dy ditë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të së dielës në Kosovë, po bëhet gjithnjë e më e qartë se kush do të jenë 120 anëtarët e rinj të Kuvendit të Kosovës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është duke i numëruar votat për kandidatët për deputetë qysh nga e hëna dhe deri më tani janë numëruar mbi 40 për qind të tyre.

Në zgjedhje morën pjesë rreth 45% të gati 2 milionë qytetarëve me të drejtë vote.

Zgjedhjet i fitoi bindshëm Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

5 kandidatët më të votuar në secilën parti kur janë numëruar pak më shumë se 1/3 e votave.

Lëvizja Vetëvendosje:

Albin Kurti 137.299 vota

Glauk Konjufca 106.954 vota

Albulena Haxhiu 55.845 vota

Hekuran Murati 55.292 vota

Donika Gërvalla 49.228 vota

Partia Demokratike e Kosovës

Bedri Hamza 61.924 vota

Arian Tahiri 29.430 vota

Përparim Gruda 27.363 vota

Uran Ismaili 21.504 vota

Sala Jashari 19.502 vota

Lidhja Demokratike e Kosovës

Lumir Abdixhiku 30.235 vota

Hykmete Bajrami 19.160 vota

Ukë Rugova 16.781 vota

Avdullah Hoti 14.781 vota

Doarsa Kica Xhelili 14.772 vota

Lista Serbe

Sllavko Simiq 16.616 vota

Igor Simiq 16.164 vota

Liljana Stefanoviq 15.718 vota

Nemanja Bishevac 13.143 vota

Zllatan Ellek 12.889 vota

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës

Ramush Haradinaj 15.247 vota

Daut Haradinaj 9.315 vota

Besnik Tahiri 9.161 vota

Bekë Berisha 6.874 vota

Agim Çeku 6.183 vota

Sipas të dhënave paraprake, LVV do t’i ketë 56 mandate në Kuvend, pasuar nga PDK-ja me 23, LDK-ja me 15, Lista Serbe 9 dhe AAK-ja 6.

Personi më i votuar në Kosovë është Albin Kurti, i cili në zgjedhjet e rregullta të 9 shkurtit i fitoi 337.791 vota, duke thyer rekordin e deriatëhershëm të presidentes Vjosa Osmani (300.756 vota).

Mbetet të shihet nëse Kurti do ta forcojë këtë rekord apo jo.

Protestat masive, Vuçiç pranon zgjedhjet e parakohshme: Do të qeverisë kush fiton, jo kush djeg

By: Fax Web
30 December 2025 at 17:18

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka njoftuar se është pranuar kërkesa e studentëve për zgjedhje të parakohshme.

Por në të njëjtën kohë ai është treguar i bindur se zgjedhjet do të fitohen sërish nga shumica në pushtet.

Do të shkojmë në zgjedhje vitin tjetër, ata thjesht nuk do të jenë të kënaqur me rezultatet. Do t’i mposhtim me forcën dhe dashurinë tuaj, ne jemi gjithmonë më të fortë se urrejtja e tyre”, tha Vuçiç.

 

Presidenti serb shtoi se opozita kishte humbur pesë zgjedhje dhe se do të humbisni në të gjitha zgjedhjet në vijim.

“Detyra jonë është të mos i trajtojmë kurrë ashtu siç donin të na trajtonin ata. Ata na donin të vdekur, të poshtëruar, të larguar nga vendi. Ne i duam këtu në vendin tonë, të jetojnë me ne, t’i dëgjojmë. Të flasim me ta, por të respektojmë rregullat demokratike dhe të sigurohemi që kushdo që fiton shumicën të ketë të drejtën të qeverisë vendin, jo kushdo që mendon se mund të djegë qytetet tona, kanë djegur gjithçka mjaftueshëm. Ju keni shkatërruar gjithçka që keni arritur. Ne të gjithë do të luftojmë së bashku që një Serbi e mirë të fitojë… Ne ua shpëtuam fytyrën, shpëtuam Serbinë. Jam krenar për ju që u sollët kështu, që nuk patët asnjë viktimë. Shikoni sa dhjetëra të vdekur ka, për shembull, në protestat e jelekëve të verdhë në Francë. Sa zyra partie shkatërruan. Ata rrahën njerëz kudo që shkuan. Falë durimit dhe dashurisë suaj për atdheun, askush nuk u vra. Ky ishte viti më i vështirë për mua. Dëgjova gënjeshtra të tilla, mbi një mijë thirrje në ditë për të vrarë anëtarët e familjes sime”.

Vuçiç i përgëzoi serbët në Kosovë për guximin dhe unitetin që, sipas tij, treguan në zgjedhjet e mbajtura të dielën. Ai tha se serbët atje meritojnë ndihmë më të madhe financiare nga shteti serb.

“I përgëzoj këta njerëz të guximshëm, që votuan pavarësisht pengesave që ju nxori makineria e Kurtit. Këta janë njerëz të guximshëm, janë heronj të vërtetë dhe besoj se ata meritojnë ndihmë dhe mbështetje shtesë edhe më të madhe nga shteti i Serbisë. Ata e dinë se ne jemi gjithmonë me ta, ashtu siç ne e dimë se ata janë gjithmonë me Serbinë dhe me popullin e tyre”.

Vuçiç tha se opozitarët nuk kanë as ide politike, as rreth Kosovës.

“Njëra pjesë e opozitës është për njohjen e Kosovës, dhe tjetra është të shkohet në luftë me Prishtinën që nesër. Janë po ata që, pavarësisht faktit se e shkatërruan ushtrinë vite më parë, pikërisht tani donin të shkonin në luftë me Prishtinën. Kur nuk ke një politikë, nuk ke plane, nuk ke ide, nuk ke një program, nuk ke asgjë për t’u ofruar njerëzve, pas një kohe njerëzit e kuptojnë se ajo dozë pasioni ka kaluar. Le të kthehemi në një jetë të vërtetë, serioze dhe të përgjegjshme. Mendoj se është e rëndësishme të tregohet se Beogradi dhe Serbia po kthehen plotësisht në normalitet, pavarësisht faktit se shumë nuk e donin këtë”.

VIDEO/ Aksident me teleferik në Alpet italiane, turistët shpëtohen me helikopterë

By: Fax Web
30 December 2025 at 16:46

Të paktën katër persona u plagosën dhe 100 të tjerë u shpëtuan me helikopter pas një aksidenti me teleferik në një zonë malore të Italisë veriperëndimore, raportojnë mediat.

Aksidenti ndodhi kur dy kabina u përplasën në dy stacione të teleferikut, pranë fshatit Macugnaga, në rajonin e Piemontes, tha shërbimi italian i zjarrfikësve.

Filippo Besozzi, drejtor i përgjithshëm i operatorit të teleferikut Macugnaga Trasporti e Servizi, i tha agjencisë së lajmeve ANSA se një nga kabinat me sa duket nuk ngadalësoi siç duhej dhe goditi kangjellat e stacionit.

“Për fat të mirë, nuk ka lëndime serioze, jeta e askujt nuk është në rrezik”, shtoi ai.

Hetuesi i BKH diplomohet në Akademinë e FBI/ Ambasada e SHBA publikon foton dhe jep mesazhin e rradhës

By: Fax Web
30 December 2025 at 16:27

Ambasada e SHBA në Tiranë, përmes një postimi në rrjetet sociale, njofton se hetuesi i Byrosë Kombëtare të Hetimit, Eduart Kaloshi, është diplomuar këtë muaj në Akademinë Kombëtare të FBI-së në Shtetet e Bashkuara.

Në foto duket hetuesi i BKH-së me kreun e FBI, Kash Patel.

“Ne përgëzojmë hetuesin e SPAK/BKH, Eduart Kaloshi, për diplomimin e tij këtë muaj në Akademinë Kombëtare të FBI-së. Eduarti i bashkohet grupit të shquar të ish-studentëve ndërkombëtarë të FBI-së, duke sjellë aftësi dhe ekspertizë të re e të vlefshme në përpjekjet e vendosura të SPAK në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, shkruan ambasada e SHBA.

 

Mesazhi është i qartë:  Mbështetje për punën e SPAK.

Arritjet e tij do të forcojnë më tej bashkëpunimin e Shteteve të Bashkuara me SPAK dhe do të ndihmojnë në ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurt dhe më të begatë për Shqipërinë dhe qytetarët e saj”, shkruan mes të tjerash ambasada amerikane.

FOTO/ Tre automjete aksidentohen në Lushnje-Fier, trafiku në kaos

By: Fax Web
30 December 2025 at 16:20

Një aksident me përfshirjen e tre makinave në aksin rrugor Lushnjë-Fier ka ndodhur pasditen e sotme, çka ka shkaktuar një trafik të rënduar në këtë rrugë kombëtare.

Në përplasje janë përfshirë dy makina “Audi” dhe një “Benz Mercedes”.

Policia e qarkullimit në vendngjarje po përpiqet të menaxhojë trafikun e rënduar në autostradë.

Dy ambulanca u nisën drejt vendit të ngjarjes, por asnjë nga personat e përfshirë në aksident nuk ka lëndime serioze dhe ambulancat janë kthyer bosh.

Makina tip “Benz” pasi është përplasur, ka përfunduar në kanalin përgjatë autostradës.

Fatmirësisht vetëm dëme materiale nga aksidenti ku trafiku është rënduar së tepërmi.

❌
❌