Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 10 January 2026Main stream

Situata me vërshimet, Durmishi: Disa lumenj dalin prej shtrati e bllokohen shumë rrugë​

10 January 2026 at 20:51


Reshjet e shiut dhe borës kanë krijuar grumbullim uji dhe rrëshqitje dheu në disa segmente rrugore në vend.

Ministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka deklaruar se po punojnë me të gjitha kapacitetet për të eliminuar pengesat dhe për të siguruar qarkullim sa më normal të automjeteve.

Siç njofton ai, rruga Prishtinë – Ferizaj vazhdon të jetë e bllokuar për shkak të sasisë së madhe të ujit të grumbulluar, e shkaktuar nga kyçjet ilegale në kanalet e ujërave atmosferike.

Ministria paralajmëron se reshjet e borës dhe temperaturat nën zero gjatë natës mund të krijojnë ngrica në rrugë.

Ekipet e Ministrisë janë të angazhuara për pastrimin e të gjitha rrugëve nën kompetencën e tyre dhe shprehin gatishmëri për të ndihmuar edhe institucionet lokale aty ku paraqitet nevoja.

Qytetarët këshillohen të vozisin me kujdes të shtuar dhe të përshtaten me kushtet e rrugës./Telegrafi/


Serbia po frikësohet nga armët e reja të Kosovës

10 January 2026 at 19:55


Serbia po shqetësohet shumë që Kosova po armatoset. Për më tepër, e sheh si rrezik për veten faktin që kjo e fundit investoi, sic thuhet, 430 milionë euro në pajisje dhe armatim.

Dërgesat e fundit që arritën në Prishtinë, nga Turqia por edhe shtete tjera, sipas kryetarit të Komisionit parlamentar për Mbrojtje dhe Punë të Brendshme të Kuvendit të Serbisë, Milovan Drecun, “tregojnë një militarizim të intensifikuar të institucioneve të përkohshme të Prishtinës, si dhe se ato mbartin rreziqe serioze të sigurisë.

I njëjti ka thënë në një intervistë për RTS, tha se që nga fillimi i fazës përfundimtare të transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, “është intensifikuar pajisja dhe stërvitja e kësaj formacioni, gjë që, sipas tij, është në kundërshtim me Rezolutën 1244”.

Sipas Drecun, në FSK gjatë katër viteve të fundit janë investuar 430 milionë euro, kryesisht në pajisje dhe armatim.

“Duhet theksuar se vërehet forcimi i buxhetit ushtarak, krijimi i marrëveshjeve bilaterale dhe të inteligjencës, si dhe pjesëmarrja e pjesëtarëve të këtyre njësive në stërvitje ushtarake ndërkombëtare”, ka thënë ai, njofton KosovaPress.

Më 6 janar Kosova pranoi dërgesën e radhës të sistemeve raketore anti-tank OMTAS, të kontraktuara me prodhuesin shtetëror turk Roketsan në dhjetor të vitit 2023.

Lajmi është bërë i ditur nga ministri I mbrojtjes Ejup Maqedonci, që tha se OMTAS (Orta Menzilli Tanksavar Silah) është një sistem modern raketor anti-tank me rreze të mesme veprimi, i zhvilluar për të neutralizuar mjete të blinduara moderne, përfshirë tanke me mbrojtje reaktive, si dhe fortifikata mbrojtëse ushtarake.

“Rritja e llojllojshmërisë dhe sasisë së sistemeve raketore anti-tank për ushtrinë tonë ka për qëllim mbulimin e distancave të ndryshme të veprimit, terreneve dhe skenarëve të kërcënimit, duke rritur fleksibilitetin operacional”, ka shkruar ai në Facebook.

Karakteristikat e këtyre raketave janë si më poshtë:

Diametri: 160 mm

Gjatësia: 1.8 m

Pesha: 35 kg (Predha dhe gypi lansues), ndërsa 36 kg (sistemi i tripodit lansues)

Largësia: 200–4,000 m

Kërkuesi: Kërkues i pamjeve me rreze infra të kuqe, i tipit joftohës.

Koka e predhës: Anti-tank i dyfisht me shpërthim të madh (HEAT), efektiv kundër blindave reaguese.

Mënyrat e sulmit: Sulm direkt/ sulm nga lartë

Mënyrat e përdorimit: Gjuaj-dhe-harro / gjuaj- dhe- përmirëso

Njësia e vrojtimit: TV/kamerë termale

Mandati i dytë i Osmanit, sa janë shanset dhe pritjet për rizgjedhjen e saj

10 January 2026 at 19:34


Disa ditë pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shprehu ambiciet për një mandat të dytë, rizgjedhja e saj për pesë vite të tjera në krye të vendit, varet nga politika e brendshme.

Sipas analistëve politikë, Osmani ka luajtur një rol të rëndësishëm në afirmimin dhe përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, mirëpo zgjedhja e saj sërish si presidente do të varet nga kalkulimet politike.

Sipas tyre, Osmani duhet fillimisht të sigurojë mbështetjen e liderit të LVV-së, Albin Kurti, partia e të cilit fitoi bindshëm zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Mandati i presidentes Vjosa Osmani përfundon më 4 prill 2026. Sipas Kushtetutës së Kosovës, një president i ri duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual, që do të thotë deri më 4 mars 2026.

Profesori universitar, Mazllum Baraliu, thekson për KosovaPress, se Osmani e meriton edhe një mandat tjetër pesëvjeçar. Ai vlerëson se presidentja ka luajtur një rol të rëndësishëm në afirmimin dhe përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare gjatë pesë viteve të fundit, andaj duhet të përkrahet nga deputetët në legjislaturën e dhjetë.

“Ajo e meriton edhe një mandat tjetër dhe momenti është që të përkrahet nga deputetët dhe jo të ndodh e kundërta, pa marrë parasysh faktin se çfarëdo kandidati tjetër konsensual që mund të kërkohet nga opozita, me gjithë respektin nuk mund ta zëvendësojë rolin që mund ta ketë tani pas pesë vjet përvojë dhe dëshmimit të saj të suksesshëm në afirmimin e Kosovës siç zonja Osmani. Do të ishte në të mirë të Kosovës që ajo të merrte edhe një mandat tjetër”, thotë ai.

Ndërkaq, analisti politik, Dorajet Imeri, nënvizon se vendimi për rizgjedhjen e Osmanit nuk do të varet vetëm nga performanca dhe reputacioni i saj, por kryesisht nga politika e brendshme.

Ai thotë për KosovaPress, se rizgjedhja e Osmanit do të varet kryesisht nga Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, partia e të cilit ka fituar 57 deputetë në Kuvend dhe pritet të formojë qeverinë e re së bashku me komunitetet jo-serbe.

“Sa i përket zonjës Osmani dhe rizgjedhjes së saj potenciale, për shkakun se ajo sapo e ka deklaruar gatishmërinë për të rikandiduar edhe një herë për presidente, varet nga shumë faktorë, por kryesori mbetet LVV-ja dhe kryetari i saj Albin Kurti. Të gjitha këto mund të jenë në kuadër të pritshmërive të ardhshme, të cilat do të varen ekskluzivisht nga qëndrimet dhe vizioni që do të ketë ky subjekt politik në ditët në vijim”, thekson ai.

Duke bërë një analizë të punës pesëvjeçare të Osmanit, profesori Baraliu thotë se Osmani e ka përfaqësuar denjësisht Kosovën në arenën ndërkombëtare. Madje, ia atribuon meritat kryesore edhe për sigurimin e katër njohjeve të reja gjatë vitit të kaluar.

“Marrë në terren me të gjitha ngritjet dhe rëniet eventuale që mund t’i përshkruhen nga faktorë dhe grupacione të ndryshme në shoqërinë kosovare, se ajo ishte apo jo e denjë (në pozitën e presidentit). Por jam i bindur thellë dhe nëse gjykojmë drejt dhe paanshmërisht në interes të republikës, ajo me veprimtarinë e saj ka bërë një afirmim të jashtëzakonshëm të Kosovës në qarqet ndërkombëtare. Është personi që jo vetëm në Kosovë, krahasuar edhe me liderët e tjerë, por edhe me kryeministrin në detyrë dhe të tjerët, paraprakisht ka pasur vizita gjithandej anës së botës dhe takuar njerëzit më të rëndësishëm. Ka afirmuar dhe përfaqësuar politikën e jashtme, për çka është kompetente me kushtetutë në mënyrën më të denjë dhe suksesshme. Kemi katër njohje dhe një meritë kryesore, dhe më e madhja është e presidentes së vendit”, shton Baraliu.

Përndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në intervistën për KosovaPress, ka thënë se e kanë parë deklarimin e presidentes por së pari janë tre hapa përpara, që është formimi i Kuvendit dhe Qeverisë, si dhe miratimi i buxhetit dhe se nuk mund të flitet për hapin e katër pa kaluar ata tre.

Kurti ka thënë se është e rëndësishme që të ulen me presidenten Osmani dhe të diskutojnë të gjitha gjërat, pasi kanë 61 vota por jo 80, gjë që po ndikon edhe në kalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

Për zgjedhjen e presidentit në dy raundet e para nevojitet një shumicë prej tetëdhjetë votash në Kuvend. Nëse një gjë e tillë nuk arrihet, atëherë në raundin e tretë presidenti mund të zgjidhet me 61 vota. Në të kundërtën, vendi do të shkojë në zgjedhje të reja të parakohshme.

Në bazë të rezultatit preliminar të KQZ-së për zgjedhjet e 28 dhjetorit, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 51.11% ose 486,994 vota. Pas saj, është Partia Demokratike e Kosovës, e cila ka 20.19% ose 192,407 vota. E treta është Lidhja Demokratike e Kosovës me 13.23% ose 126,102 vota. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 5.50% ose 52,370 vota.

Në bazë të këtij rezultati, LVV do t’i ketë 57 deputetë, PDK 22 deputetë, LDK 15 deputetë, AAK 6 deputetë, si dhe komunitetet joshumicë 20 deputetë.

Auditimi zbulon dështimin e institucioneve për parandalimin dhe reagimin ndaj përmbytjeve në Kosovë

10 January 2026 at 19:28


Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit të performancës për vitin 2021, me temë “Parandalimi dhe reagimi ndaj situatave emergjente: Vërshimet”.

Auditimi ka përfshirë Agjencinë për Menaxhim Emergjent në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Qendrën e Situatave në kuadër të Këshillit të Sigurisë së Kosovës, si dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Në nivel lokal, auditimi është fokusuar në komunat Gjakovë dhe Vushtrri, të përzgjedhura për shkak të shpeshtësisë së fatkeqësive natyrore gjatë periudhës 2019–janar 2021.

Përfundimet e auditimit tregojnë se institucionet përgjegjëse nuk kanë krijuar një sistem efektiv për parandalimin dhe reagimin ndaj situatave emergjente të vërshimeve/përmbytjeve. Për të përmirësuar këtë situatë, janë dhënë 11 rekomandime për institucionet relevante.

Megjithatë, zbatimi i rekomandimeve mbetet i ulët. Vetëm 37% e rekomandimeve të dhëna nga ZKA për vitin 2023 janë zbatuar plotësisht, duke treguar nevojën për përmirësime të menjëhershme në menaxhimin e emergjencave./Telegrafi/


Diplomati: Amerika do Kosovën në NATO, është njohur zyrtarisht si zonë influence nga Trump

10 January 2026 at 19:08


Profesori Enver Bytyçi tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë qëndruar pa qëllim jashtë dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se roli i tyre ka qenë i pranishëm, por i deleguar te autoritetet e Brukselit.

Sipas tij, përgjegjësia dhe aktiviteti i këtij dialogu janë mbuluar nga autoritetet e Brukselit dhe jo nga Uashingtoni, ndërsa qëndrimi i SHBA-ve jashtë procesit do të sillte një moment në të cilin ato do të deklaronin qartë pozicionin dhe interesat e tyre jetike në Kosovë, duke çuar edhe në mënjanimin e një dialogu tashmë të përfunduar, pasi SHBA-të besojnë se procesi ka marrë fund që në Vjenë, me përcaktimin e statusit të Kosovës.

“SHBA kanë qëndruar jo pa qëllim jashtë dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Ata kanë qenë prezent, por përgjegjësia dhe aktiviteti i këtij dialogu është mbuluar nga autoritetet e Brukselit dhe jo Uashingtonit. Qëndrimi jashtë këtij dialogu do të sillte një moment ku SHBA-të do të deklaronin pozitën e tyre dhe interesat e tyre jetikë në Kosovë, dhe për pasojë edhe mënjanimin e dialogut tashmë të përfunduar, sepse SHBA-të besojnë se dialogu ka përfunduar në Vjenë për statusin e Kosovës", deklaroi Bytyçi në Euronews Albania.

"Me lëshimet që janë bërë në Vjenë, lëshime kushtetuese për pozitën e minoritetit serb dhe minoriteteve të tjera në Kosovë. Janë lëshime që nuk i ka bërë asnjë vend tjetër evropian dhe demokratik. Ato lëshime do të mbeten në fuqi sepse kushtetuta nuk mund të ndryshohet pa 2/3 e pakicave. SHBA-të mendojnë se janë kundër çdo lëshimi tjetër përveç atyre çfarë përcakton kushtetuta e Kosovës. Rekomandime dhe disa rregullime mund të bëhen, por pa cënuar sovranitetin, integritetin territorial dhe kushtetutën e Kosovës".

"Në këtë aspekt, është një hap pozitiv, por edhe një hap madhor në funksionimin e shtetit dhe në zhvillimin e shtetit të Kosovës. Problemi që qëndron është njohja reciproke e të dyja vendeve, kjo do të ndodhë sepse SHBA-të kanë përshpejtuar hapat për të vendosur autoritetin e tyre në disa vende, të cilat kanë qenë satelite të Rusisë edhe të Kinës. Vendosja e autoritetit tek Venezuela, Siria, Irani dhe vende të tjera ka dërguar mesazhe të qarta dhe SHBA-të janë përpara një riformatimi të rendit botëror, e cila do të thotë që duhet të jesh real. Edhe ky dokument i SHBA-ve për Kosovën bëhet në këtë kuadër, që do të thotë se edhe Kosova, ashtu si vendet e tjera, është në interes të SHBA-së dhe do të jetë pjesë e ardhshme e rendit botëror”, u shpreh profesori.

Kurti: Liria e Kosovës është edhe fryt i qëndresës morale të klerit katolik

10 January 2026 at 19:02


Kryeministri Albin Kurti, mori pjesë sot në akademinë solemne të organizuar me rastin e 30-vjetorit të vdekjes së Imzot Nikë Prelës dhe 20-vjetorit të vdekjes së Imzot Mark Sopit. Akademia u mbajt në qendrën Bogdanipolis, pranë Katedrales në Prishtinë.

Duke përkujtuar jetën dhe veprën e këtyre dy personaliteteve të rëndësishme, kryeministri Kurti tha se Imzot Prela dhe Imzot Sopi ishin jo vetëm udhëheqës fetarë, por edhe bartës të një etike të lartë publike, përfaqësues të një morali të rrallë qytetar dhe dëshmitarë të një kohe të vështirë për popullin e Kosovës.

Ai theksoi se në periudhën e errët të represionit dhe shtypjes, ata e kuptuan se misioni i tyre nuk mund të kufizohej vetëm në shërbesën fetare, por kërkonte përgjegjësi morale, guxim qytetar dhe angazhim aktiv për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor, të drejtës dhe lirisë.

Sipas kryeministrit, Imzot Nikë Prela dhe Imzot Mark Sopi u shndërruan në ura lidhëse mes shpirtërores dhe qytetares, mes besimit fetar dhe përgjegjësisë shoqërore e shtetërore, duke luajtur një rol të rëndësishëm në ndërgjegjësimin kombëtar dhe lidhjen e Kosovës me botën demokratike.

Kurti vlerësoi se liria dhe pavarësia e sotme e Kosovës, përveç proceseve politike dhe diplomatike, janë edhe fryt i qëndresës morale të figurave që në rrethana të rrezikshme refuzuan ta pranojnë padrejtësinë si normalitet.

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin e tij personal, kryeministri Kurti shprehu mirënjohje të thellë për veprën dhe trashëgiminë e Imzot Nikë Prelës dhe Imzot Mark Sopit, duke theksuar se kjo trashëgimi mbetet udhërrëfyes për shoqërinë dhe brezat e ardhshëm.


Situatë alarmante në Shqipëri nga vërshimet, qindra të evakuuar deri më tani

10 January 2026 at 18:56


Reshjet e dendura të shiut gjatë orëve të fundit kanë shkaktuar problematika të shumta në disa qarqe të vendit, duke sjellë rritje të prurjeve të lumenjve, përmbytje të tokave bujqësore, rrëshqitje dherash si dhe vështirësi në qarkullimin rrugor.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, situata paraqitet më problematike në qarqet Shkodër, Durrës, Lezhë, Gjirokastër, Dibër dhe Berat, ndërsa në qarqet e tjera raportohen problematika të kufizuara ose situatë e qëndrueshme.

Në Qarkun Shkodër, rritja e niveleve të lumenjve Drin, Kir dhe Bunë ka shkaktuar përmbytje në territorin e Bashkisë Shkodër, kryesisht në njësitë administrative Ana e Malit dhe Dajç. Strukturat e bashkisë dhe të emergjencave civile ndodhen në terren dhe po monitorojnë në mënyrë të vazhdueshme situatën, ndërsa hidrovoret po punojnë me kapacitet të plotë dhe nivelet e ujit mbeten nën kuotat kritike.

Në Qarkun Durrës janë verifikuar gjithsej 5 477 banesa, nga të cilat në 1 711 raste janë konstatuar dëme. Si pasojë, janë evakuuar 851 persona, kryesisht në zonat Sukth dhe Katund i Ri, ku rreth 2 000 hektarë tokë bujqësore ndodhen nën ujë. Autoritetet vijojnë punën për konstatimin dhe vlerësimin e dëmeve.

Në Qarkun Lezhë, niveli i ujit ka shënuar rënie në tokat bujqësore, ndërsa forcat në terren po punojnë për largimin e ujit nga disa banesa. Të gjithë hidrovorët kanë funksionuar me kapacitet të plotë, me përjashtim të atij të Gocajve për shkak të mungesës së energjisë elektrike. Lumi Drin vijon të jetë në rënie, ndërsa lumi Mat ka shënuar rritje të nivelit për shkak të shkarkimeve nga hidrocentralet Shkopet dhe Qafë Mollë. Nuk raportohen probleme në akset rrugore.

Në qarqet Gjirokastër dhe Dibër po punohet për pastrimin e disa akseve rrugore të bllokuara nga rrëshqitjet e dherave, si dhe për largimin e ujit nga disa objekte të përmbytura.

Ndërkohë, në qarqet Berat dhe Elbasan, rritja e prurjeve të lumenjve Osum dhe Devoll ka shkaktuar përmbytje të sipërfaqeve bujqësore. Situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga strukturat përgjegjëse.

Në terren janë angazhuar edhe efektivë të Forcave të Armatosura, të cilët, në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Ministrinë e Mbrojtjes, po asistojnë në transportimin e banorëve, shpërndarjen e ndihmave dhe mbështetjen e operacioneve emergjente. /Euronews Albania

​Vërshimet ndotin ujin në Miradi e Poshtme, KRU jep paralajmërim

10 January 2026 at 18:51


Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” bën të ditur se, si pasojë e vërshimeve të fundit dhe bazuar në monitorimin e vazhdueshëm të cilësisë së ujit (24/7), është konstatuar se uji në fshatin Miradi e Poshtme aktualisht nuk rekomandohet për përdorim për pije dhe përgatitje ushqimi.

Sipas njoftimit, deri në një njoftim të dytë, banorët këshillohen që ujin ta përdorin vetëm për nevoja të higjienës shtëpiake, si larje dhe pastrim, duke shmangur përdorimin e tij për konsum njerëzor.

KRU “Prishtina” bën të ditur se ekipet përgjegjëse po e monitorojnë situatën në mënyrë të vazhdueshme dhe po ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për përmirësimin e cilësisë së ujit.

“Sapo të konfirmohet se uji është i sigurt për përdorim për pije, do t’ju njoftojmë menjëherë”, thuhet në njoftimin e kompanisë.

Në rrugën Mitrovicë–Bajgorë shembet një pjesë e dheut

10 January 2026 at 18:44


Ka rrëshqitur një pjesë e dheut në rrugën Mitrovicë–Bajgorë, përkatësisht në fshatin Stan Tërg.

Pavarësisht rrëshqitjes dhe rrezikut permanent, rruga mbetet e hapur dhe e qarkullueshme për automjete, raporton KosovaPress.

Në vendngjarje është vendosur sinjalizim i përkohshëm për paralajmërimin e vozitësve, ndërsa rreziku mbetet i pranishëm për shkak të reshjejeve të fundit.

​Gjyqi i madh drejt fundit, hulumtuesja e Tribunalit të Hagës flet për pritjet për katërshen e UÇK-së​

10 January 2026 at 17:48


Gjyqi i madh është para fazës më të rëndësishme të tij, ku në pranverë pritet të shqiptohet vendimi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin.

Ky pritet të jetë viti vendimtar për katërshen e UÇK-së, të cilët ndodhën në paraburgim në Hagë tash e pesë vjet.

Hulumtuesja e Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavi, Nevenka Tromp flet për rëndësinë që ka vendimi ndaj Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit, derisa kritikon Specialen për punën gjatë këtyre viteve.

Se cili do të jetë epilogu, sipas saj është vështirë të dihet, megjithatë përmend pasojat e mëdha që do të kishte shteti në rast se Gjykata Speciale do të mbështeste akuzat e prokurorisë.

Në Gjykatën Speciale deri më tani janë gjashtë persona të akuzuar për krime të pretenduara lufte, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Pjetër Shala dhe Salih Mustafa. Shala është i dënuar me 13 vjet burgim, ndërkaq Mustafa me 15 vjet.

Nevenka Tromp

Nevenka Tromp, e cila punoi për shumë vite në Tribunalin e Hagës për ish-Jugosllavinë, në intervistën për KosovaPress flet për zhvillimet kryesore gjatë vitit 2025 – vit që shënoi edhe dhjetë-vjetorin e themelimit të Gjykatës Speciale.

“Janë gjashtë të akuzuar që u akuzuan për krimet e supozuara gjatë periudhës që kjo gjykatë kishte mandat. Ishte kryesisht periudha 1998-1999 deri në vitin 2000. Një rast, rasti Salih Mustafa, është përfunduar plotësisht. Rasti i Shalës është në proces për t’u finalizuar. Por më i rëndësishmi, Rasti Thaçi dhe të tjerët që përfshin katër udhëheqës të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk është finalizuar ende. Këta njerëz janë në gjykatë në Hagë që nga viti 2020. Rasti pritet të përfundojë diku në vitin 2026, por vetëm instanca e parë. Pra, vlerësimi i parë i rëndësishëm i efikasitetit të kësaj gjykate është se nuk ka qenë shumë efikase. Ka vetëm gjashtë të akuzuar. Nga këta gjashtë, për katër personat kryesorë, ende nuk kemi as një vendim të instancës së parë, lëre më të përfunduar”, deklaron ajo.

Gjatë gjithë këtij procesi, Specialja është kritikuar në vazhdimësi për redaktime të shumta dhe mbyllje për publikun.

Edhe Avokati i Popullit i Kosovës, Naim Qelaj ka shprehur shqetësime rreth punës së Gjykatës Speciale. Qelaj ka ngritur dyshimet e tij nëse në Speciale po respektohen parimet e gjykimit të drejtë dhe të paanshëm.

Për këtë çështje flet edhe Tromp, e cila përmend rastet kur të akuzuarve nuk u është lejuar të lirohen përkohësisht, duke e konsideruar si “trajtim të rreptë nga gjykata ndaj të akuzuarve”.

“Asnjëri nga katër të akuzuarit në rastin Thaçi dhe të tjerët nuk lejohej të lirohej përkohësisht, as për leje humanitare siç quhet. Leja humanitare është kur një i akuzuar që është në proces penal dhe gjyq lejohet të vizitojë anëtarët e familjes së tij në probleme, sidomos prindërit e sëmurë ose funeralet e anëtarëve më të afërt të familjes. Pra, ka qenë trajtim mjaft i rreptë nga gjykata ndaj të akuzuarve. Dhe kështu, kjo leje humanitare duket mjaft e përshtatshme për njerëzit në nivelin udhëheqës. Këta katër të akuzuar patën, dhe po flas qartë për Hashim Thaçin, refuzimin e tij për të marrë pjesë në disa raste shumë të rëndësishme familjare. Kështu, kjo leje humanitare është gjithashtu pjesë e asaj që quajmë gjyq të drejtë, që çdo person që gjykohet penalisht nuk është fajtor derisa të provohet pa dyshim. Dhe ata nuk u trajtuan me këtë dhembshuri të merituar sepse prokuroria gjithmonë mund të përdorte argumentin se ata janë një rrezik për procesin dhe drejtësinë e gjyqit për shkak të mundësisë së tyre për të trembur dëshmitarët. Kjo narrativë e intimidimit të dëshmitarëve mbizotëroi mbi të gjitha komponentët e tjerë që një i akuzuar sipas ligjit modern të të drejtave të njeriut duhet të gëzojë. Një nga këta ka të bëjë me kur dhe në cilat rrethana do t’i lejohej lirimi nga burgu gjatë pritjes së vendimit”, shprehet Tromp për KosovaPress.

Dhomat e Specializuara janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës por veprojnë me personel ndërkombëtar në Hagë të Holandës.

Bashkimi Evropian është financuesi kryesor i Gjykatës Speciale e cila u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës, pas kërkesës së bashkësisë ndërkombëtare.

Shqetësim i madh është ngritur edhe për pranimin nga ana e Gjykatës Speciale të dokumenteve prej autoriteteve të Serbisë, në cilësinë e provave materiale.

Ligjëruesja në Universitetin e Amsterdamit, Nevenka Tromp deklaron se Serbia nuk është palë neutrale në këtë proces dhe për këtë Prokuroria do të duhej të ishte e kujdesshme.

“Një çështje tjetër e rëndësishme është trajtimi dhe qasja në prova në gjykatë, që kryesisht vinin nga arkivat e shtetit të Serbisë. Kjo është një qasje interesante nga prokuroria, sepse Serbia nuk është një palë neutrale në këto procese dhe prokuroria duhej të ishte shumë e kujdesshme duke u mbështetur në provat që vijnë nga arkivat e shtetit serb, duke përfshirë arkivat e sigurisë shtetërore, arkivat e policisë, Ministrinë e Brendshme dhe arkivat ushtarake. Këto ishin çështjet që ndikuan shumë në mënyrën se si prokuroria u përball me këtë gjyq. Por deri sa të kemi vendimin e parë, nuk mund të themi se si u zhvillua. Nëse të katër të akuzuarit do të liroheshin, atëherë këto çështje procedurale do të harroheshin shpejt. Nëse ndonjëri nga katër të akuzuarit gjendet fajtor bazuar në provat e dorëzuara nga Serbia, ato do të ishin nën shqyrtim, por shpresojmë se atëherë do të kemi edhe ankimim për të parë vendimin përfundimtar”, shprehet ajo.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, po përballen me akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilat ata i kanë cilësuar si të pabazuara. Edhe mbrojtja i ka hedhur poshtë këto akuza dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk kishte strukturë të organizuar komanduese.

Gjatë vitit të kaluar në Prishtinë, Hagë, Tiranë, Strasburg e Shkup, me mijëra shqiptarë protestuan me thirrje “Drejtësi për Çlirimtarët”.

Ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020. Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023 - gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë./KosovaPress

Vërshimet bllokojnë sërish komunën e Drenasit, Lladrovci: Mos lëvizni pa arsye

10 January 2026 at 17:25


Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrvoci, ka njoftuar se vërshimet kanë bllokuar sërish disa rrugë në këtë komune. Ai ka kërkuar nga qytetarët që të mos lëvizin pa arsye, dhe ka njoftuar edhe se, ekipet emergjente janë terren.

Kryetar i Drenasit, ka treguar se cilat rrugë janë të bllokuara si pasojë e vërshimeve.

Aktualisht, nga vërshimet, janë të pakalueshme rrugët si vijon:

Drenas – Guri i Plakës,

Drenas – Kroi i Mbretit

Shtrubullovë – Korroticë e Ulët, dhe

Rruga nga Komorani 1 në drejtim të Komoranit 3.

Rruga nga Komorani për Skenderaj në drejtimin të Drenasit zhvillohet me vështirësi dhe ka kolona të gjata.

Qytetarë të nderuar,

Kërkojmë nga ju të mos lëvizni pa arsye, të respektoni shiritat e ndalimit të kalimit, shprehni solidaritet dhe nëse keni mundësi ndihmoni për të tejkaluar gjendjen.

Ekipet emergjente janë në terren dhe bashkë me Policinë e Kosovës dhe AME-në, po bëjnë të pamundurën për lehtësimin e gjendjes.

Haradinaj: Përmbytjet kanë shkaktuar dëme të mëdha në gjithë Kosovën, nevojitet veprim i menjëhershëm

10 January 2026 at 17:09


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar lidhur me situatën e krijuar nga përmbytjet në mbarë vendin, duke theksuar se dëmet janë të mëdha dhe se kërkohet reagim urgjent institucional.

Sipas Haradinajt, përmbytjet kanë goditur rëndë shtëpi, biznese dhe ekonomi familjare në gjithë Kosovën, duke krijuar një gjendje që nuk mund të presë. Ai ka kërkuar veprim të menjëhershëm nga institucionet, përfshirë vlerësimin urgjent të dëmeve dhe mbështetje direkte për familjet e prekura.

“Fondet emergjente duhet të ndahen pa vonesë, ndërsa buxheti i vitit 2026 duhet të përshtatet dhe të reflektojë qartësisht këtë fatkeqësi,” ka theksuar Haradinaj, duke shtuar se “dora e shtetit duhet të ndjehet menjëherë dhe përgjatë gjithë vitit 2026”.

Ai ka bërë thirrje që institucionet të rrisin gatishmërinë dhe të jenë të pranishme në terren, duke theksuar rëndësinë e solidaritetit dhe përgjegjësisë institucionale në këtë situatë emergjente.

Po ashtu, Haradinaj ka shprehur përkrahje të plotë për zjarrfikësit, Policinë e Kosovës dhe shtabet emergjente, të cilët, sipas tij, janë në vijën e parë pranë qytetarëve të prekur nga përmbytjet./Telegrafi/


Gjendja me vërshime është rënduar në Lipjan

10 January 2026 at 16:21


Komuna e Lipjanit ka njoftuar se si pasojë e reshjeve të vazhdueshme të shiut, gjendja me vërshime është rënduar ndjeshëm në territorin e komunës.

Sipas njoftimit të Komunës së Lipjanit, vërshime janë evidentuar në shumicën e fshatrave, ndërsa gjendja më e rënduar paraqitet në lokalitetet: Rubovc, Konjuh, Qylagë, Banullë, Akllap, Smallushë, Hallaq i Vogël, Rufc dhe Gadime.

Si pasojë e reshjeve intensive, janë dëmtuar dy ura, njëra në fshatin Smallushë dhe tjetra në Gadime të Epërm, si dhe janë shkaktuar dëme në infrastrukturën publike dhe në ekonomi familjare.

Komuna e Lipjanit ka bërë të ditur se ka themeluar Shtabin Emergjent, i cili është aktiv dhe në koordinim të vazhdueshëm me institucionet relevante. Ekipet komunale janë në terren dhe po menaxhojnë situatën, duke ofruar ndihmë sipas nevojave të paraqitura.

Po ashtu, autoritetet komunale janë në koordinim të plotë me Stacionin Policor në Lipjan dhe Njësinë e Zjarrfikësve të Lipjanit, me qëllim të reagimit të shpejtë dhe menaxhimit sa më efikas të situatës emergjente.

Komuna e Lipjanit ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin, duke i ftuar që të tregojnë kujdes të shtuar deri në stabilizimin e plotë të gjendjes./Telegrafi/


Rasti BKS, caktohet masa e sigurisë ndaj 39 të pandehurve në Prizren

10 January 2026 at 16:12


Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm Penal, ka caktuar masa sigurie ndaj 39 (tridhjetenëntë) të pandehurve, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer disa vepra penale.

Gjyqtari i procedurës paraprake, Fatmir Krasniqi, ka vendosur masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji ndaj katër (4) të pandehurve: S.M., V.B., F.S. dhe Y.Ç., masë e cila mund të zgjasë deri më 08 shkurt 2026.

Sipas vendimit të gjykatës:

S.M. dhe V.B. dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale Keqpërdorimi i besimit në vazhdimësi dhe Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike.
V.B., së bashku me të pandehur të tjerë, dyshohet edhe për veprën penale Falsifikimi i dokumenteve në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi.
F.S. dyshohet për Falsifikim dokumentesh dhe Keqpërdorim të besimit në vazhdimësi.
Y.Ç. dyshohet për Keqpërdorim të besimit në vazhdimësi.

Ndërkohë, ndaj 35 të pandehurve të tjerë, të cilët dyshohen për Keqpërdorim të besimit në ndihmë, gjykata ka caktuar masën e paraqitjes së detyrueshme në stacion policor një herë në javë, si dhe ndalimin për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar, përfshirë të dëmtuarën BKS dhe të pandehurit e tjerë. Këto masa vlejnë gjithashtu deri më 08 shkurt 2026.

Gjykata ka paralajmëruar se mosrespektimi i këtyre masave do të rezultojë me caktimin e paraburgimit edhe për këta të pandehur.

Sipas vlerësimit të gjykatës, ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masave të sigurisë, pasi nga provat e mbledhura deri në këtë fazë rrjedh dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen. Caktimi i paraburgimit për katër të pandehurit është vlerësuar si i domosdoshëm për të parandaluar arratisjen, ndikimin në dëshmitarë apo pengimin e procedurës hetimore.

Gjykata Themelore në Prizren ka sqaruar se vendimi është marrë në përputhje me nenin 162 të Kodit të Procedurës Penale, duke marrë parasysh edhe faktin se rasti konsiderohet çështje e ndërlikuar, pasi përfshin më shumë se 10 të pandehur, konkretisht 39.

Komuna e Fushë Kosovës reagon ndaj mosgrumbullimit të mbeturinave

10 January 2026 at 15:58


Fshatra dhe lagje të ndryshme të Komunës së Fushë Kosovës po përballen me një situatë shqetësuese si pasojë e moskryerjes me rregullsi të shërbimit të grumbullimit të mbeturinave.

Edhe pse ky shërbim është obligim i Ndërmarrjes Regjionale Publike “Pastrimi”, e cila operon edhe në territorin e kësaj komune, në praktikë është vërejtur një dështim serioz në përmbushjen e detyrimeve bazike. Në shumë zona, mbeturinat nuk janë grumbulluar për më shumë se dy deri në tre javë, duke shkaktuar shqetësim të madh tek qytetarët dhe duke paraqitur rrezik real për shëndetin publik.

Komuna e Fushë Kosovës kërkon përgjegjësi nga personat dhe institucionet përgjegjëse për këtë gjendje, pasi pasojat e keqmenaxhimit dhe mungesës së veprimit po i bartin drejtpërdrejt qytetarët.

Komuna thotë se mbetet e përkushtuar për garantimin e shërbimeve bazike për të gjithë qytetarët dhe pret që operatorët përgjegjës të veprojnë me seriozitet, profesionalizëm dhe përgjegjësi, në mënyrë që situata të normalizohet sa më parë dhe qytetarët të mos përballen me pasojat e neglizhencës dhe mungesës së menaxhimit efikas.


​“Ishte ditë kjameti”, qytetarët e Gjakovës tregojnë dëmet e mëdha nga vërshimet

9 January 2026 at 23:39


Reshjet e ditëve të fundit kanë shkaktuar vërshime të mëdha në disa lagje të Gjakovës, duke lënë pas dëme të konsiderueshme në shtëpi, pajisje dhe infrastrukturë. Qytetarët tregojnë për përvojat e vështira që kanë kaluar, duke kërkuar më shumë kujdes nga institucionet.

Muhamet Duraku, banor i lagjes më të prekur tregon se mëngjesi i asaj dite i ka gjetur të shokuar.

Duraku: Ajo ditë ka qenë ditë kijameti

“Atë ditë ka qenë ditë kijameti. Në lagjen tonë ka qenë katastrofë. Kur jemi zgjuar në mëngjes, kemi gjetë vetëm urën – s’ka ekzistu tjetër gjë prej ujit që është rrit. Rreth 15 shtëpi janë përmbytë dhe janë kthyer kanalizimet. Ishte ditë shumë e vështirë, sidomos për ata që jetojnë afër lumit. Dëmet janë shumë të mëdha të atyre”, tha ai.

Një tjetër banor Bekim Qava tregon se uji ka depërtuar herët në mëngjes:

“Ka qenë ora 04:30 – 05:00 kur na ka hy uji në podrum. Jena çu krejt për me e hek ujin e me i largu sendet që kanë qenë brena. Kauqa, tepihë, gjithçka është lag. Kemi heq sene, por prapë hyke uji.”, tha ai, duke shtuar se askush nuk ka ardhur as t’i pyes e as t’i ndihmojë.

Një banor tjetër, Agim Qava thotë se edhe pse shtëpitë e tyre nuk u përmbytën, problem mbetet infrastruktura:

“Neve vërshime nuk na kanë bo shumë, por prapë kemi kalu me vështirësi. Këtu nuk ka kanalizime të mira dhe as ujë s’kemi. Kanalizimi në vend se me qenë në rrugën kryesore, është në një rrugë tjetër. S’na kanë pru as ujë, as kanalizim. Nuk është kanalizimi qysh duhet – me gypa të vogla që i kemi bo vetë qysh moti. Për këtë arsye na marrin vërshimet.”, tha ai.

Sipas tij, kjo është hera e tretë që i ka hy uji nëpër shtëpi.

Një qytetar i moshuar Sadik Isufi që jeton afër prrockës Llokafc tregon përjetimin më të rëndë që ka pësuar ndonjëherë:

“I kam përjetu tmerrshëm. Jetoj këtu 50 vite dhe kurrë nuk kam pa nivel të ujit kaq të lartë. Kemi pas probleme edhe më herët më vërshime meqenëse jetojmë afër këtij përronit të quajtur Llukavc, por kësaj here niveli ka qenë jashtëzakonisht i madh. Problemin e shoh në dy segmente: moskujdesi i qytetarëve ndaj lumejve dhe mungesa e ndërhyrjeve të shtetit. Shpresoj që autoritetet ta shohin të nevojshme rregullimin e shtratit të lumenjve në mënyrë që mos t’i ndodh qytetarëve diçka e tillë e tmerrshme”, tha ai.

Ai thotë se familja e tij ka pësuar dëme të mëdha:

“Si familje kemi pësuar shumë. Të gjitha aparaturat e shtëpisë janë përmbytë: lavatriqe, enëlarëse, mobiljet, dyshekët, dhoma e fjetjes etj,....ne presim, mesiguri do të krijohet ndonjë komision nga drejtoria e emergjencave ose nga shteti, përndryshe gjendja është katastrofë. Me parë podrumin në çfarë gjendje është vetëm në filmat horrorr mund ta shiheni një pamje të tillë.. nuk kamë bërë ndonjë llogari por mund të jetë deri në 10 mijë euro, për standardin që jetojmë është e pakapshme një shumë e tillë.”, tha ai./KosovaPress

Erë e fortë nga sot deri nesër në mëngjes, Bashkia e Durrësit paralajmëron qytetarët

9 January 2026 at 23:13


Bashkia e Durrësit ka paralajmëruar qytetarët se pasditen e sotme priten erëra të forta të cilat do të zgjasin deri në orët e para të mëngjesit të së shtunës.

Në një njoftim të shpërndarë për mediat bashkia u bën thirrje qytetarëve që të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të tregojnë kujdes maksimal, duke ndjekur njoftimet zyrtare.

“Sipas parashikimeve meteorologjike, qyteti ynë pritet të përballet me erëra të forta.

Duke filluar nga ora 16:00 e ditës së sotme, era nga drejtimi jugor do të intensifikohet, duke arritur shpejtësi deri në 25 m/sek, situatë që do të zgjasë deri në orët e para të mëngjesit të së shtunës.

U bëjmë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të tregojnë kujdes maksimal. Ju lutemi ndiqni njoftimet zyrtare për sigurinë tuaj dhe të familjarëve”, njofton Bashkia e Durrësit, raporton A2 CNN.

Sipas Bashkisë së qytetit bregdetar, strukturat do të jenë në gatishmëri të plotë për çdo problematikë që mund të paraqitet.

Gjendet i vdekur 60-vjeçari në Elbasan

9 January 2026 at 23:10


Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e sotme në lagjen “Brigada 17 Sulmuese”, ku një 60-vjeçar është gjetur i pajetë.

Viktima është identifikuar si Vasil Gashi, ndërsa trupi i tij u konstatua nga banorë të zonës, të cilët njoftuan menjëherë policinë.

Sipas informacioneve paraprake, 60-vjeçari ishte i veshur me uniformë pune në momentin kur u gjet pa shenja jete, çka ka ngritur dyshime mbi rrethanat e ngjarjes.

Forcat e policisë dhe grupi hetimor kanë mbërritur në vendngjarje, duke kryer këqyrjen paraprake dhe mbledhjen e provave, raporton Klan News.

Autoritetet bëjnë me dije se hetimet janë në vijim për të sqaruar shkaqet e vdekjes, ndërsa trupi i viktimës është dërguar për ekspertizë mjeko-ligjore, e cila pritet të hedhë dritë mbi rrethanat dhe nëse kemi të bëjmë me vdekje natyrale apo ngjarje me elementë penalë.

Zgjedhja e presidentit të ri, ende nuk dihet se çka duan partitë politike

9 January 2026 at 23:02


4 marsi është afati i fundit kur duhet të zgjidhet Presidenti i ri, mandati të cilit përfundon më 4 prill, nëse kjo nuk ndodh vendi shkon në zgjedhje të parakohshme. LDK dhe PDK janë në kërkim të një emri konsensual por me marrëveshje politike, ndërkaq nga Lëvizja Vetëvendosje nuk kanë një qëndrim të qartë se a e përkrahin presidenten Vjosa Osmanin edhe për një mandat dhe se a synojnë marrëveshje politike me partitë tjera për një emër të pranueshëm për të gjithë.

Presidentes Vjosa Osmani, e cila e synon edhe një mandat tjetër 5 vjeçar në krye të shtetit, mandati i përfundon më 4 prill.

Presidenti i ri duhet të zgjidhet më së largu më 4 mars, jo më vonë se 30 ditë, para përfundimit të mandatit të saj.

Se çfarë qëndrimi ka ndaj kandidaturës së Osmanit, partia që i ka 57 deputetë në legjislaturën e re, Lëvizja Vetëvendosje, ende nuk është e qartë.

Përkundër interesimit të TV Dukagjini drejtuar në adresën e disa deputetëve por edhe te zëdhënësi të partisë, e paqartë mbetet se me kë prej partive synojnë bashkëpunim për emrin e presidentit.

Menjëherë pas zgjedhjeve, Albin Kurti kishte deklaruar se për çështjen e presidentit ose presidentes do të duhet të bisedojnë edhe me opozitën, por që paraprakisht duhet të ulet të bisedojnë edhe me presidenten aktuale.

Deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës në emisionin Debat Plus në TV Dukagjini nuk kanë shfaqur shenja se do ta përkrahin kandidaturën e Osmanit, duke preferuar emër tjetër, që sipas tyre është konsnsual dhe sipas tyre mbi partitë politike.

“Nuk e shohim si diçka neve na obligon as të rrijmë në sallë dhe as që t’i jepim mbështetje, por ne si deputet do ta kryejmë obligimin tonë duke votuar ose duke marr një qëndrim politik, normalisht që si parti politike në këtë moment është e rëndësishme me përmend që me thanë që për aq sa kemi përgjegjësi duhet të jemi përgjegjës në kuptimin e marrëveshjeve politike në kuptimin e përgjegjësisë tonë që na kanë dhënë qytetarët, edhe qëndrimi jonë është që nuk kemi asnjë obligim që të e mbështesim Vjosa Osmanin të vetëdijshëm që ajo gjatë këtyre pesë viteve nuk i ka shërbyer interesit të përgjithshëm”, deklaroi në Debat Plus, deputetja e LDK-së, Jehona Sadriu-Lushaku.

Në anën tjetër, Bernard Nikaj, i cili është sekretar për marrëdhënie me jashtë i Partisë Demokratike të Kosovës, e cila do t’i ketë 22 deputetë, ka deklaruar të enjten se PDK e voton një president të ri dhe konsensual, vetëm me një marrëveshje politike.

Në anën tjetër, analisti politik, Belgzim Kamberi thotë se është e rëndësishme të kuptohet nëse Lëvizja Vetëvendosja është e gatshme të bëjë kompromis me partitë tjera, dhe të shihet se sa larg është i gatshëm të shkojë ish-blloku opozitar për t’i mbrojtur qëndrimet e tyre.

“Po natyrisht që në pozitën e tij që është z. Kurti e ka mundësinë që të ndërtojë një lloj kërcënimi nëse mund ta quajmë ndaj opozitës për ta ndërtuar pozicionin paraprak negociues për presidentin dhe tash edhe kjo është legjitime nga perspektiva politike. Çështja tjetër është se si do të sillet opozita ndaj qëndrimit të z. Kurti, pra opozita a do të frikësohet të shkojë në zgjedhje a do të tregojë një lloj frike dhe në këtë drejtim t’ia pranojë z. Kurti propozimin e tij për president pa marrëveshje me opozitën…”, tha Kamberi.

Sipas Kushetutës në dy rundet e para të votimit për Presidentin nevojiten 2/3 e votave të Kuvendit, pra 80 sosh.

Në rast se zgjedhja e kandidatit dështon në të dyja rundet, në tentativën e tretë mund të zgjidhet me 61 vota, por të pranishëm për kuorum duhet të jenë 80 deputetë.

Në rast se deri më 4 mars nuk zgjidhet presidenti i ri, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme./RTV Dukagjini/

- YouTube youtu.be

Po ktheheshin nga Kosova, ndërron jetë beba e familjes Morina pas aksidentit në Gjermani

9 January 2026 at 22:12


Njëra nga bebet e familjes shqiptare Morina, e cila ishte lënduar rëndë në aksidentin e ndodhur më 7 janar në Gjermani, ka ndërruar jetë.

Bëhet fjalë për beben Teo Mendim Morina, lajmin për vdekjen e së cilës e ka konfirmuar edhe vetë familja Morina nga Ratkoci i Rahovecit.

Aksidenti ka ndodhur më 7 janar në qytetin Waldshut-Tiengen të Gjermanisë, vetëm disa minuta para se familja pesëanëtarëshe të mbërrinte në shtëpinë e saj. Familja Morina po kthehej në Gjermani pas pushimeve të kaluara në vendlindje.

Si pasojë e aksidentit, janë lënduar të pesë anëtarët e familjes: prindërit dhe tre fëmijët, një fëmijë trevjeçar dhe binjakët rreth gjashtë muajsh. Beba Teo, për fat të keq, nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të rënda të marra.

Sipas informacioneve nga spitali, prindërit dhe dy fëmijët e tjerë ndodhen në gjendje stabile dhe jashtë rrezikut për jetën.

Megjithatë, prindërit po përballen me gjendje të rënduar psikologjike, e cila konsiderohet e kuptueshme pas humbjes së rëndë familjare.


❌
❌