Analisti Artur Nura deklaron se protestat e fundit kanë lëkundur seriozisht pozitat e Sali Berishës brenda PD-së, duke treguar se ai nuk e komandon më partinë si më parë.
Sipas tij, dalja e deputetit nr. 2 të Elbasanit dhe reagimet në Strasburg janë shenja të qarta se strategjia aktuale po e çon opozitën drejt izolimit dhe bojkotit ndërkombëtar.
Nura thekson se brenda PD-së po hapet hapësirë për figura të reja, si Ervin Salianji, me të cilin disa mendojnë se partia mund të ketë një drejtim tjetër.
” Ka një zhvillim të rëndësishëm. Berisha, përpara Kryeministrisë, ku i ktheu shpinën, duket sikur do të dalë e jo të hyjë, ngaqë Rama është lëmerisur nga protesta.
Në PD kanë nisur të ngrihen zëra, duke iu bërë Berishës pengesë në zgjedhjet e tij personale. Dalja e nr. 2, deputetit të Elbasanit, është një shenjë që Berisha nuk komandon më në mënyrën e tij të vjetër, por ka zëra që i thonë se kjo strategji po i çon në bojkot.
Pozitat e Berishës janë lëkundur; njerëzit, në mënyrë të butë, po i thonë se nuk duhet vendosur kështu, sepse kështu nuk na mbështesin as ndërkombëtarët. Në ndërhyrjen e fundit në Strasburg iu hoq fjala; janë tronditur themelet e politikës që ka dominuar PD-në në mënyrë të padiskutueshme.
Në PD do të ketë më shumë hapësirë me Salianjin, dhe disa kanë kuptuar se me Salianjin mund të shkojnë diku. “
Ashtu si edhe për reformën territoriale, ndonëse me një përqindje më të vogël, shqiptarët mendojnë se opozita duhet të marrë pjesë edhe në Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore.
Në sondazhin e kësaj të hënë ‘Zëri i Shqiptarëve’ në ABC News, 70.3% e shqiptarëve shprehen se opozita duhet të marrë pjesë në këtë komision, pasi do t’i bënte zgjedhjet e ardhshme më të mira. 19.8% mendojnë të kundërtën, opozita nuk duhet të marrë pjesë në Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore, pasi do të shërbente si fasadë e mazhorancës, ndërsa 9.9% e të tjerë janë të dyzuar.
Kampioni në këtë sondazh është 2488 banorë të rritur të vendit. Linku i pyetësorit u shpërnda me SMS të rastësishme në mënyrë proporcionale në qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë dhe u plotësua elektronikisht në mënyrë krejt anonime nga të anketuarit. Kampioni u ripeshua statistikisht për t’i përfaqësuar sa më mirë 1.9 milionë banorët e rritur të Shqipërisë nga pikëpamja gjeografike, demografike, arsimore, dhe politike, me një marzh gabimi statistikor për kampionin e plotë: +/- 2%. / abcnews.al/
Shumica dërrmuese e shqiptarëve, mendojnë se opozita duhet të marrë pjesë në Komisionin e Posacëm për Reformën Territoriale.
Nga përpunimi i të dhënave në sondazhin ‘Zëri i Shqiptarëve’, këtë të hënë në ABC News, pyetjes se A duhet të marrë pjesë opozita në Komisionin për Reformën Territoriale, iu përgjigjën me PO, 77.1% të cilët mendojnë se pjesëmarrja e opozitës në këtë komision do ta bënte reformën të qendrueshme.
17.6% janë përgjigjur me JO, pasi sipas tyre pjesëmarrja e opozitës në komision do të shërbente si fasadë e mazhorancës, ndërsa 5.3 % janë të dyzuar.
Kampioni në këtë sondazh është 2488 banorë të rritur të vendit. Linku i pyetësorit u shpërnda me SMS të rastësishme në mënyrë proporcionale në qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë dhe u plotësua elektronikisht në mënyrë krejt anonime nga të anketuarit. Kampioni u ripeshua statistikisht për t’i përfaqësuar sa më mirë 1.9 milionë banorët e rritur të Shqipërisë nga pikëpamja gjeografike, demografike, arsimore, dhe politike, me një marzh gabimi statistikor për kampionin e plotë: +/- 2%. / abcnews.al /
Në tryezën e diskutimit të programit Real Story, avokati Edmond Petraj tha se kërkesa e gjyqtarëve për rritje rroge është e drejtë.
Më tej, Petraj theksoi se kërkesa është relatuar saktë dhe se shifra e përfolur nuk është 3 mijë euro, por 750–800 euro. Avokati gjithashtu vlerësoi se ekziston një diskriminim mes gjyqtarëve të GJKKO-së dhe atyre të gjykatave të tjera, ndërkohë që rreziku në ushtrimin e profesionit është i njëjtë.
“Objekti i kërkesës është shfuqizimi i ligjit 33/23 për një ndryshim në statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Në këtë ligj ata nuk janë në revansh, sepse referohen te ligji që vetë e kanë bërë. Rritja e rrogës nuk është në ato shifra që kam dëgjuar. Për ndërhyrje në këtë proces ka ndërhyrë edhe një shoqatë tjetër.
Rrogat janë nga 1.6 milionë deri në 1.7 milionë, ndërsa një këshilltar në Kuvend merrte 2 milionë lekë.
Për diskriminim kemi gjyqtarë të GJKKO-së, që kanë më shumë risk, por duket se ka një përkëdheli. Rreziku është i barabartë dhe probabiliteti që të ndodhë një risk, siç ndodh edhe në Apel, është i njëjtë. Marrëdhënia që lexova për kërkesat që kishte bërë Këshilli i Ministrave mu dukën elemente që nuk e mundin anën ligjore. Për mendimin tim, gjyqtarësit kanë të drejtë dhe nuk ka qenë ajo shifër që kërkojnë. Kërkesën e kanë relatuar shumë mirë, për mendimin tim është legjitime dhe ia vlen të diskutohet. Nuk kërkojnë shtesë 3 mijë euro secili, nuk shkonte më shumë se 750–800 euro.” / abcnews.al /
Analisti Arben Meçe tha për Real Story se është e papranueshme që një gjyqtar apo një strukturë paralele me Gjykatën Kushtetuese të ngrejë dyshime mbi autonominë e vendimmarrjes së saj.
Ai theksoi se ky qëndrim pasqyron një realitet shqetësues në sistemin e drejtësisë, ku gjyqtarët kërkojnë benefite nga drejtësia por nuk e njohin atë. Meçe tha se trupa e gjyqtarëve kushtetues duhet ta rrëzojë çështjen.
“Që një gjyqtar, aq më tepër një sistem gjyqësor paralel me GJK-në, të arrijë në argumentimin e vet të ngrejë dyshimin e funksionimit të GJK-së, që vendimmarrjet nuk i ka autonome por që janë produkt i ndikimit të qeverisë, dhe ne si të zgjuar gjetëm atë moment dhe ne do bëjmë gol. Me kaq kjo seancë është e mbyllur, sepse ka goditur parimin e marrëdhënies, nuk lejohet ky qëndrim.
Nuk është e rastësishme, është pasqyrim i realitetit në sistemin e drejtësisë, që kërkojnë benefite nga sistemi por nuk e njohin. Atyre u bëhet presion me lekë dhe vendimmarrjet e tyre janë të ndikuara nga leku. Kur ai si gjyqtar gjen një moment për vendimmarrje, ku është trupa më e besueshme e shtetit, kur ajo e vë në këtë mekanizëm, këta që kanë relatuar atje duhet të futen nga ILD. Me kaq sa ka referuar, trupa e gjyqtarëve kushtetues duhet ta rrëzojë çështjen vetëm nga paragjykimi.”
Fjalimi i presidentit amerikan Donald Trump në Forumin Ekonomik Botëror në Davos ka ngjallur shqetësim për situatën e ilaçeve në Europë, pasi për disa minuta ai ka folur për çmimet dhe disponueshmërinë e ilaçeve inovative duke përdorur një narrativë të njohur, sipas së cilës SHBA-ja paguan më shumë se vendet e tjera të zhvilluara për të njëjtat ilaçe dhe pjesa tjetër e botës, përfshirë Europën, përfitojnë nga kjo diferencë.
Trump ka thënë se nëse Franca nuk rrit çmimet, SHBA-ja do të vendosë tarifa deri në 25 për qind, një version që Franca e ka mohuar, por mesazhi mbetet i rëndësishëm për të gjitha tregjet europiane. Ai ka paraqitur idenë se çdo vend aleat përfiton nga Amerika, duke marrë për bazë çmimet më të ulëta të ilaçeve në vendet e pasura si Italia, Franca, Gjermania, Spanja apo Britania, duke e kthyer këtë situatë në një mënyrë për të mbrojtur interesat amerikane.
Kjo politikë ka implikime reale dhe të prekshme, pasi vendet europiane mund të përballen me rritje çmimesh dhe kufizim të furnizimit me ilaçet më të rëndësishme. Prsh Italia, ku çmimet e ilaçeve janë ndër më të ulëtat në botë, mund të bëhet tregu referencë dhe kompanitë mund të rrisin çmimet në vend ose të kufizojnë furnizimin, për të mbrojtur fitimet e tyre në SHBA.
Në të vërtetë, problemi nuk është tek vendet europiane, por tek struktura e tregut amerikan, ku nuk ka blerës të centralizuar, çmimet nuk lidhen me vlerën klinike të ilaçeve dhe ekzistojnë ndërmjetës që mbajnë çmime të larta, ndërkohë që deri në vitin 2022 programi publik Medicare nuk mund të negocionte çmimet për ilaçet, gjë që ka çuar në çmime disa herë më të larta sesa në Europë.
Për shembull, disa terapi onkologjike në SHBA kushtojnë deri 11 herë më shumë se në Gjermani dhe 4 herë më shumë se në Francë, dhe vetëm shpenzimet për ilaçet onkologjike janë 38 për qind më të larta se në Gjermani, 80 për qind më të larta se në Francë dhe 122 për qind më të larta se në Britani, ndërsa Italia qëndron midis Francës dhe Britanisë me çmime relativisht të ulëta dhe për këtë arsye rrezikohet si treg referencë.
Europa ka një model shumë më të qëndrueshëm, ku blerjet bëhen në mënyrë centralizuar për spitalet dhe qytetarët, çmimet lidhen me vlerën klinike të ilaçeve përmes Health Technology Assessment, dhe shumica e ilaçeve të reja aprovohen dhe shpërndahen shpejt në spitalet europiane, duke siguruar qasje të gjerë për qytetarët. Megjithatë, politika amerikane mund të rrezikojë këtë ekuilibër, duke detyruar kompanitë të përqendrojnë furnizimin dhe fitimet në SHBA dhe të kufizojnë aksesin në Europë.
Për qytetarët dhe qeveritë europiane, kjo situatë tregon qartë nevojën për sovranitet farmaceutik, për të zhvilluar kapacitete prodhimi të brendshme për ilaçe strategjike, për të rritur investimet në kërkim dhe zhvillim të terapive inovative brenda Europës, për të siguruar diversifikim të furnizimit dhe blerjeve, në mënyrë që tregjet europiane të mos varen nga SHBA-ja apo nga disa kompani ndërkombëtare dhe për të forcuar mekanizmin e vlerësimit të çmimeve dhe efektivitetit të ilaçeve për të mbrojtur buxhetet e spitaleve dhe shëndetin e pacientëve.
Vetëm duke ndjekur këto hapa, Europa mund të mbrojë qytetarët nga rritja e çmimeve, kufizimi i furnizimit dhe presioni i politikave amerikane, duke ruajtur qasjen në ilaçe inovative dhe me rëndësi jetike, pa u varur nga interesat e tregut amerikan dhe manipulimet politike që synojnë të transferojnë barrën financiare jashtë SHBA-së.
Fjalimi i Trump nuk është thjesht një performancë politike, por një paralajmërim i qartë se pa një strategji të fortë për pavarësi farmaceutike, çdo vend europian, mund të përballet me pasoja të drejtpërdrejta për shëndetin e qytetarëve dhe në buxhetet e shëndetësisë, duke rrezikuar që sistemi aktual i menaxhimit të ilaçeve, që është relativisht efikas, të dëmtohet nga logjika e tregut amerikan dhe kërkesat për “çmime të barabarta”, që favorizojnë SHBA-në. /Corriere Della Sera
Presidenti i SHBA, Donald Trump, njoftoi se Shtetet e Bashkuara do të ulin tarifat ndaj importeve indiane nga 25% në 18%, pasi kryeministri indian Narendra Modi është dakorduar të ndalojë blerjet e naftës nga Rusia, sipas Trump. Vlerësohet se marrëveshja është arritur pas një bisede telefonike mes dy liderëve, ku u diskutua për tregtinë, sigurinë globale dhe përpjekjet për të përfunduar luftën në Ukrainë.
Trump gjithashtu tha se India do të rrisë importet e naftës nga SHBA dhe potencialisht nga Venezuelë, duke nënvizuar se kjo mund të ndihmojë në përfundimin e konfliktit në Ukrainë. Sipas tij, India ka rënë dakord edhe për të blerë mallra amerikane në vlerë më të madhe dhe për të reduktuar barrierat tregtare ndaj produkteve amerikane.
Kjo nismë shënon një ndryshim të rëndësishëm në marrëdhëniet tregtare dhe energjetike midis SHBA-së dhe Indisë, dhe është prezantuar si një hap drejt rritjes së bashkëpunimit dhe nxitjes së stabilitetit ekonomik global. / abcnews.al /
Komisioni i Ligjeve i dha dritën jeshile në parim ngritjes së një Agjensie të re Mbikëqyrjeje, e cila do të kontrollojë dhe parandalojë zyrtarët shtëtërore të abuzojnë me personat në janë në burgje apo në shërbim prove.
“Kjo nismë që ne paraqesim për shqyrtim synon të standardizojë trajtimin e ankesave dhe të ulë hapësirat për abuzim dhe korrupsion, duke forcuar etikën në shërbimin penitenciar. do të ushtrojë veprimtari inspektuese, informative, hetimore ndaj institucioneve qe jane pjese e zinxhirit të ekzekutimeve penale.
Do të administrojë ankesat, do të kryejë analiza risku dhe do të japë rekomandime sistemike, duke respektuar parimin e ligjshmërisë, konfidencialiteti dhe llogaridhënies.”
Opozita shprehu rezerva për gjurmimin e informacionit por sipas ministrisë së drejtësisë veprimtaria e agjensisë do të jetë sipas të njëjtave standarte që zbatohen nga forcat e armatosura dhe policia e shtetit.
“Elementët që janë përdorur për këto agjenci, në fushat e veta të zbatimit, do të përdoren edhe për mbikëqyrjen e këtyre personave që ushtrojnë aktivitetin në pjesën ekzekutimit të vendimeve penale me kufizimin e lirisë.
Me këtë vendim ti do të mbikëqyrësh këta persona të cilëve u është kufizuar liria. Nuk shtrihet tek persona të tretë dhe që nuk janë pjesë e këtij sistemi. Garancitë që jepen në ligj janë ato që referojnë tek ligjet e tjera.”
Sipas mazhorancës, veprimtaria informative dhe përgjimi parandalues janë tashmë të rregulluara në mënyrë strikte në ligj. Ndërsa deputeti I partisë demokratike, Arjan Ndoja, rekomandoi që drejtuesi I kësaj agjensie të emërohet nga kryeministri dhe jo ministri I drejtësisë. / abcnews.al /
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, ka reaguar ashpër ndaj kritikëve të planit për të legalizuar rreth 500 mijë emigrantë pa dokumente dhe azilkërkues, duke theksuar se vendi i tij po zgjedh rrugën e “dinjitetit, komunitetit dhe drejtësisë”.
Qëndrimi i tij u bë publik përmes një videoje 46-sekondëshe, të publikuar në rrjetet sociale, ku Sánchez flet në anglisht me titra në spanjisht.
Në mesazhin e tij, Sánchez vuri në pikëpyetje akuzat se qeveria ka “shkuar shumë larg”, duke pyetur: “Kur u bë njohja e të drejtave diçka radikale? Kur u bë empatia diçka e jashtëzakonshme?”. Deklarata erdhi vetëm pak ditë pasi qeveria e koalicionit të udhëhequr nga socialistët miratoi një dekret që synon të rregullojë statusin ligjor të gjysmë milioni personave, i cili pritet të hyjë në fuqi në muajin prill.
Nisma ka tërhequr vëmendje ndërkombëtare, pasi përfaqëson një distancim të qartë nga politikat dhe retorika anti-emigracion që po përhapen në shumë vende të Europës dhe SHBA-së. Sipas Sánchez, plani do të ofrojë një rrugë të rregullt drejt qëndrimit për persona që tashmë janë pjesë e shoqërisë spanjolle.
“Janë gjysmë milioni njerëz me të cilët jetojmë çdo ditë: në treg, në autobus, në shkollën e fëmijëve tanë. Njerëz që kujdesen për prindërit tanë, punojnë në fusha dhe kanë ndërtuar, krah për krah me ne, përparimin e vendit”, u shpreh ai, duke theksuar se Spanja mbetet një vend mikpritës.
Dekreti e ka origjinën nga një nismë qytetare e mbështetur nga mbi 700 mijë firma, Kisha Katolike dhe rreth 900 organizata sociale, e dorëzuar në parlament në vitin 2024. Pas muajsh bllokimi, marrëveshja u zhbllokua javën e kaluar, kur partia e majtë Podemos ra dakord të mbështesë planin në këmbim të mbështetjes parlamentare për qeverinë.
“Në jetë duhet pasur vullnet e durim, të mirat vijnë pastaj.” Ju faleminderit për demokracinë maksimale, për besimin e ri e të pastër; dhe për një fillim të ri, shumë më të ndryshëm. Ecim bashkë tani!
Ky është reagimi i kryetarit të votëbesuar të Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku pas mbledhjes së anëtareve të partisë të shtunën e 31 janarit.
Anëtari i LDK-së, Valon Murtezaj tha se shifrat tregojnë një rënie të partisë, gjë që sipas tij mbetet shqetësuese për anëtarësinë. Ai tha se Kuvendi i LDK-së, si organi më i lartë, vendosi me shumicë votash që kryetarit aktual t’i vazhdohet mandati edhe për një shans tjetër. Murtezaj theksoi se kandidatura e Hotit është demokratike, por vlerësoi se procesi nuk lejoi hapësirë të mjaftueshme për paraqitjen e kandidaturave të reja.
“Shifrat flasin se LDK pati një rënie dhe për ne si anëtarë është edhe më shqetësuese. Kuvendi i LDK-së është instrumenti më i lartë dhe ishte vetë vendimi i Abdixhikut që të bëhej me votë. Mund të lejohet edhe një modalitet i përballjes me situatën e krijuar. Pyetja që na u ofrua ishte: a e pranoni dorëheqjen e kryetarit, dhe dominoi votimi me shumicë që kryetarit aktual t’i vazhdohet prapë mandati, në mënyrë që t’i jepet edhe një shans tjetër, në mënyrë që të adresohen momentet e dobëta që e kanë përcjellë në periudhën e fundit.
Hoti, i cili ka shërbyer në pozicione të larta brenda LDK-së, ka shpallur kandidaturën e vet, e cila është demokratike, dhe Hoti është një nga kandidatët e fortë. Në punimet e Kuvendit u arrit pika që nuk u kalua në zhvillimin e proceseve demokratike, ku mund të paraqiteshin kandidatura të reja.” / abcnews.al /
Analisti Roland Bejko komentoi situatën brenda selisë blu duke thënë se PD është përfshirë nga një krizë mosbesimi. Sipas Bejkos, Berisha po kërkon të fashisë lëvizjen e Salianjit sepse ai arriti të mbledhë më shumë njerëz se Berisha në mbledhjet e tij.
Për Bejkon, protesta e Berishës ishte një demostim molotovësh për të mbyllur zërat e brendshëm në parti se kryetari është vetëm ai. Sakaq, Bejko e cilësoi kreun e opozitës se do të fusë në kurth partitë e vogla dhe të zhdukë zërat e brendshë.
“PD është e përfshirë nga kriza e mosbesimit, nuk besojnë më te Berisha. Militantët dhe anëtarët janë larguar nga Berisha për atë që është dhe bën. Faktor tjetër i rëndësishëm është diskutimi që ka hapur Salianji.
Berisha po kërkon të fashisë lëvizjen e Salianjit, sepse drama e tij është se Salianji, me një eksperiment të thjeshtë, mblodhi më shumë njerëz se Berisha. Ndaj bëri protestën, e cila për mua ishte një demonstrim jo për fuqinë e tij ndaj Ramës, sepse Rama e ka mundur me dinakëri politike dhe me vota, por Berisha me atë demonstrim molotovësh e bëri të mbyllë zërat e brendshëm në parti, duke thënë se “kryetari jam unë”.
Faktori i dytë është teza për bashkim me partitë e tjera të opozitës. E bën këtë që fokusi të jetë nëse bashkohet Lapaj apo jo me Berishën dhe te legjitimiteti i brendshëm i Berishës në krye të PD-së.
Berisha operon me nënndërgjegje. Berisha kërkon të zhdukë zërat e brendshëm dhe të fusë në kurth partitë e vogla.” / abcnews.al /
Ka rezultuar një zhgënjim i madh debutimi i Kristian Asllanit me Beshiktash. Vetëm një ditë pasi u transferua nga Seria A, mesfushori kuqezi zbriti në fushë me skuadrën e tij të re në ndeshjen e kampionatin turk kundër Koniaspor. Ai u aktivizua në minutën e 76 dhe menjëherë u duk se do të linte menjëherë shenjën e tij kur mori pjesë në golin e dytë të Beshiktash.
Por, premiera e tij u përmbys shpejt për keq, pasi në minutën e 82 u ndëshkua me karton të kuq, për shkak të një ndërhyrje të gabuar.
Ky moment prishi të gjithë debutimin e Asllanit, por për fatin e tij të mirë Beshiktashi arrit të fitojë 2-1.
Me këtë karton, mesfushori do të qëndrojë të paktën një ndeshje i pezulluar. / abcnews.al /
Një gjykatës federal refuzoi kërkesën e Minesotës për të ndalur menjëherë operacionin e drejtuar nga drejtoria e emigracionit dhe doganave.
Në vendimin e dhënë thuhet se shteti dhe dy qytete nuk e arritën pragun ligjor të përcaktuar, te nevojshëm për të bllokuar një operacion federal të zbatimit të ligjit në këtë fazë të çështjes.
Gjykatësja e Distriktit të SHBA-së, Katherine Menendez, nënshkroi urdhrin dhe deklaroi se paditësit “nuk e kanë përmbushur kushet për të lëshuar urdhirn ndalues për msaa të jahtëzkaonshme.
Shteti i Minesotës, së bashku me qytetet Minneapolis dhe St. Paul, paditën Departamentin e Sigurisë Kombëtare dhe zyrtarë federalë të imigracionit, në përpjekje për të bllokuar operacionin e zbatimit të ligjit të udhëhequr nga ICE.
Minesota është shndërruar në një zonë tensioni në rezistencën e së majtës ndaj zbatimit të ligjeit federal të imigracionit, me liderët lokale dhe shtetëror demokratë që kanë shprehur hapur kundërshtimin ndaj operacioneve të udhëhequra nga ICE. / ABCNEWS.AL /
I dërguari rus Kirill Dmitriev po drejton bisedime të reja me zyrtarë amerikanë në Florida sot, tha një burim pranë negociatave për AFP-në.
“Bisedimet filluan herët, në orën 8:00 të mëngjesit sipas kohës”, tha burimi, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi axhendën ose përbërjen e delegacioneve.
Më parë, në llogarinë e tij në Instagram, Kirill Dmitriev, i cili ka drejtuar bisedimet në javët e fundit për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, tha se ishte “përsëri” në Miami.
Më herët në janar, në kuadrin e Forumit Ekonomik të Davosit, Kirill Dmitriev u takua me zyrtarët amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner.
I dërguari i Kremlinit për investime dhe zhvillim ekonomik, Dmitriev, kishte udhëtuar në Miami në fund të dhjetorit për bisedime mbi Ukrainën me të dërguarit amerikanë.
Ky takim i ri në Florida vjen përpara një raundi të dytë të mundshëm bisedimesh në Abu Dhabi midis negociatorëve rusë, amerikanë dhe ukrainas.
Ky takim mund të zhvillohet që të dielën, megjithëse Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha këtë javë se mund të shtyhet.
Bisedimet e para të njohura të drejtpërdrejta midis ukrainasve, rusëve dhe amerikanëve mbi planin e Uashingtonit për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë u zhvilluan të premten dhe të shtunën e kaluar në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe.
Kremlini tha të premten se Presidenti i SHBA-së Donald Trump i kishte kërkuar homologut të tij rus Vladimir Putin të ndalonte sulmet ndaj Kievit “deri më 1 shkurt”, ku rrjeti i energjisë është goditur nga bombardimet e mëparshme.
Sipas zëdhënësit të presidentit rus Dmitry Peskov, ndalimi i bombardimeve ruse ka për qëllim “të krijojë kushte të favorshme për negociata”.
Bisedimet, të cilat po zhvillohen me ndërmjetësimin amerikan, janë shumë të vështira dhe preken veçanërisht nga çështja e ndarjes së tokës, me Rusinë që kërkon që Kievi të lëshojë të gjithë rajonin Donbas në Ukrainën lindore.
Benja shekullore e Permetit është një nga fshatrat më të veçantë të Shqipërisë. Fshati duket si një kartolinë në faqe të malit. Kisha dhe fshati u ndertuan nga kurbetqaret. Kullat e vogla te gurta te fshatit, mbeshtetur tek njera – tjetra, e bëjnë edhe më interesant. Por Bënja ka nevoje per rruge per te rritur më shumë turizmin dhe për ta pasur jo vetëm në verë por në të katër stinët e vitit. Viktor Nauni, në Benje, na tregon kishën 200 vjeçare të Shen Marisë
dhe kurbetin në vitet 20’. “Habiteshim kur i shihnim me kapela dhe kostume”, thotë ai duke treguar kujtimet e fëminisë. Sheshi Ndergure, keshtu quhej dikur qendra e Benjes. Marjeta Nauni na e shpjegon: “Gur, ja si eshte”.
Njerezit po kthehen, por Marjeta e ka një koment edhe për këtë: “Kur i ze vapa andej, vijne kendej”. Ushqimet tradicionale këtu janë shqeto, “tave kosi por pa oriz”, kolloface dhe byrek me lepjeta dhe spinaq. Marjeta ka tre fëmijë, nga të cilët vajzën në emigrim, një djalë në Durrës dhe një djalë në Bënjë që merret me biznesin e bleteve, ullinjve dhe vreshtave. Ndër kujtimet më të mira që Marjeta ka nga Bënja, janë: “Kam shkuar mire me burrin, me vjehrren dhe vjehrrin…” Bënja është një kartolinë e bukur dhe rruga për të shkuar është e vështirë, por ia vlen ta vizitosh. Pak më poshtë eshtë inkubatori i Benjes ku banoret çojne prodhimet per t’i perpunuar. Sokol Kano, administrator, na tregon zierjen e rakisë, veçanërisht asaj të dëllënjës. Këtu zjehet rrushi dhe frutat e tjera për të bërë raki, bëhet perllogaritja e alkolit ne raki, dhe siç na thotë Sokoli, duhet zjere, “pa dallge” se i prish cilesine. Turistet pelqejne shume rakine, problem lenda e pare, na thotë ai. Pyetja që të vjen ndërmend këtu është: A mund te kemi te çertifikuar raki dellenje “made in Albania”?
Altin Kasaj, inxhinier ushqimor, bën matjen e cilësisë në inkubator. Ka emigruar në Maltë dhe është kthyer. Punojme per te arritur standartet ushqimore të BE, na thotë. Flora Sali është një nga fermeret e zonës që na shpjegon mjalftin e bedunicës, i vetmi që mund të përdoret nga të sëmurët me diabet. Inkubatori është shume i rendesishem per fshataret, na thotë, duke shtuar se e ardhmja është , nxjerrja e produkteve ne tregun shqiptar dhe nderkombetar. Bashkëshorti i saj ka qenë në emigrim dhe është kthyer. “Nuk do qe t’ia permendesh, atje nuk punon per vete. Po s’punove, asnjeri nuk ta ka shtruar”, na thotë.
“Paqja është mbi të gjitha një dhuratë“, tha Papa Leoni duke iu drejtuar pjesëmarrësve të konferencës One Humanity, One Planet.
“Ju ftoj të reflektoni mbi faktin se nuk do të ketë paqe pa i dhënë fund luftës që njerëzimi bën kundër vetes kur përjashton të dobëtit, kur injoron të varfrit, kur mbetet indiferent ndaj refugjatëve dhe të shtypurve. Vetëm ai që kujdeset për të vegjëlit mund të bëjë gjëra vërtet të mëdha”, u shpreh Ati i Shenjtë, i cili citoi më tej një thënie të Nënë Terezës se “shkatërruesi më i madh i paqes është aborti“.
Zëri i saj mbetet profetik. Asnjë politikë nuk mund t`i shërbejë popujve nëse përjashton nga jeta ata që sapo po vijnë në botë, nëse nuk ndihmon ata që janë në varfëri materiale dhe shpirtërore.
Papa falënderoi më tej të rinjtë e angazhuar në vendet e tyre në fushën politike dhe sociale, duke theksuar se këto janë fusha shumë të rëndësishme që meritojnë energjitë më të mira, “sidomos në këto kohë të lënduara nga padrejtësitë, dhuna dhe lufta“.
Për këtë arsye, u shpreh ai liderët e rinj duhet të bashkëpunojnë gjithnjë e më shumë në studimin e formave të pjesëmarrjes, që përfshijnë të gjithë qytetarët, burra dhe gra, në jetën institucionale të shteteve.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi se vendi i tij po pret më shumë informacion nga Shtetet e Bashkuara lidhur me bisedimet e mëtejshme të paqes dhe se pritet që takime të reja të zhvillohen javën e ardhshme.
Në deklaratën e tij gjatë fjalimit të përditshëm me video, Zelensky la të kuptohet se një takim i parashikuar për të dielën në Emiratet e Bashkuara Arabe, mes përfaqësuesve të Ukrainës, Rusisë dhe SHBA-së, mund të mos zhvillohet. Palët kishin mbajtur një raund bisedimesh edhe një javë më parë.
“Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me palën amerikane dhe po presim detaje konkrete prej tyre në lidhje me takimet e ardhshme,” tha Zelensky. “Ukraina është e gatshme të punojë në të gjitha formatet e mundshme. Është e rëndësishme që të ketë rezultate dhe që takimet të zhvillohen. Ne po llogarisim në takime javën e ardhshme dhe po përgatitemi për to.”
Ndërkohë, i dërguari amerikan Steve Witkoff drejtoi të shtunën një ekip përfaqësuesish në bisedime të mbajtura në Florida me të dërguarin e Kremlinit, Kirill Dmitriev, duke i cilësuar diskutimet si “produktive dhe konstruktive”.
Shtetet e Bashkuara po udhëheqin përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës, e cila nisi pothuajse katër vite më parë pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
Witkoff ka theksuar se çështja e territorit mbetet kyçe për përparimin e negociatave, ndërsa Kievi ka hedhur poshtë kërkesën e Moskës që Ukraina të dorëzojë të gjithë rajonin e Donbasit, përfshirë zonat që ushtria ruse nuk i ka pushtuar.
Nga ana tjetër, këshilltari i Kremlinit për politikën e jashtme, Yuri Ushakov, deklaroi këtë javë se territori nuk është e vetmja çështje kyçe në diskutime, por nuk specifikoi problemet e tjera ende të pazgjidhura.