“Nottingham Post”: Britanikët zgjedhin Ksamilin
TIRANE, 23 janar /ATSH/- Turistët që kërkojnë destinacione mahnitëse dhe me diell këtë verë, mund të marrin në konsideratë udhëtimin përtej pikave tradicionale turistike si Spanja ose Greqia, duke eksploruar në vend të tyre Ksamilin, një zonë bregdetare spektakolare e quajtur “Maldivet e Evropës”, sipas një artikulli të botuar në të përditshmen britanike “Nottingham Post”.
Me ujëra të kristalta, peizazhe mahnitëse malore dhe çmime të përballueshme, Ksamili ndodhet përgjatë Rivierës Shqiptare dhe po shndërrohet me shpejtësi në një destinacion të preferuar për turistët britanikë, të tërhequr nga shkëlqimi i tij natyror, klima e ngrohtë dhe birra jashtëzakonisht të përballueshme.
Nuk është çudi që 120 000 vizitorë britanikë udhëtojnë në Shqipëri çdo vit. Vendi i bukur evropian është vetëm tre orë larg me linjë ajrore.
Falë vijës bregdetare piktoreske dhe një grupi plazhesh të qeta, Ksamili përfaqëson një thesar magjepsës që tërheq turistët.
I konsideruar si “Karaibet e Evropës” nga britanikja “The Telegraph” – e cila vlerësoi palmat, plazhin verbues, detin e kaltër dhe çadrat me kashtë – Ksamili ndodhet në Rivierën jugore të Shqipërisë, ku do të gjeni edhe Parkun Kombëtar të Butrintit.
Ky fshat bregdetar është mjaftueshëm i bukur për të magjepsur edhe turistin më me përvojë.
Plazhi i Ksamilit ofron brigje të pastra me rërë dhe temperatura verore që arrijnë deri në 30°C – duke krijuar një vendpushim ideal për adhuruesit e diellit.
Është e rëndësishme të theksohet se Ksamili, mbetet jashtëzakonisht i përballueshëm, me akomodim të disponueshëm për vetëm 20 paund nata, ndërsa vaktet me tre pjata mund të kushtojne deri në 17 paund, raporton “Mirror“.
Gazeta britanike “The Guardian” e renditi Plazhin e Ksamilit dhe bregdetin e Jonit në Shqipëri, në vitin 2013, mes 20 destinacioneve më të mira për pushime në plazh – si për pushuesit britanikë ashtu edhe për ata ndërkombëtarë.
Në vitet në vijim, zona bregdetare shqiptare ka dëshmuar një rritje të konsiderueshme të turizmit që rezultoi në rritjen e numrit të hoteleve.
Sipas DW.com nga maji i kaluar, mbi 11,7 milionë turistë ndërkombëtarë vizituan vendin ballkanik në vitin 2024, me autoritetet që parashikojnë një rritje të numrit të tyre – në 15 milionë deri në fund të vitit 2025 – pothuajse katërfishi i popullsisë së vendit.
Në një përpjekje për të konkurruar me vendet tradicionale të pushimeve, pronarët e hoteleve shqiptare, po kërkojnë të krijojnë lidhje më të forta me vizitorët duke ofruar atraksione kulturore, duke përfshirë degustacione kulinare dhe shfaqje valleve tradicionale shqiptare.
Për më tepër, turistët e magjepsur nga Shqipëria i postojnë rekomandimet e tyre në mediet sociale.
“Plazhet e Ksamilit të kujtojnë ato të Greqisë. Shumica prej tyre janë në pronësi private – por restorantet dhe kafenetë që kanë shezlongje plazhi dhe çadra i ofrojnë ato më lirë pas orës 15:00 pasdite. Ju mund të notoni në ujërat e kristalta ose të shtriheni duke lexuar dhe ngrënë petulla, fruta të freskëta dhe ëmbëlsira të tjera që shiten nga vendasit”, raporton “48 Hours in Europe”.
Adhuruesit e kulturës do të kenë shumë mundësi zgjedhjeje, me një gamë mrekullish natyrore të ndërthurura me një mori monumentesh historike.
Këto variojnë nga Gjirokastra, Vendi i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, dikur një fortesë sulltanore, deri te Parku Arkeologjik i Apollonisë, plot me mbetje të qytetërimeve të lashta greke dhe romake. //a.i/
https://www.nottinghampost.com/news/uk-world-news/maldives-europe-thats-three-hours-10761580
The post “Nottingham Post”: Britanikët zgjedhin Ksamilin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.