Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 22 January 2026Main stream

Nuk kanë marrë ende rrogën e dhjetorit, Shoqata e Infermierëve: Punonjësit heshtin nga frika e presionit

22 January 2026 at 14:54

Nga Gazeta Si- Pa asnjë njoftim dhe pa asnjë justifikim, Infermierët thonë se nuk kanë marrë ende pagën e dhjetorit, një vonesë që sipas tyre është ekstreme.

Në një njoftim për mediat, Shoqata e Infermierëve thotë se edhe pse është data 22 Janar, paga e muajit Dhjetor ende nuk ju është dhënë punonjësve të Shëndetësisë.

“Më e turpshme se kjo është dhe heshtja që ka kapluar çdo individ, punonjës dhe institucion e për më tepër sindikatat inekzistente në Shqipëri që reagojnë vetëm kur kanë interesa personale apo politike për marrje kuotash ose fondesh por që punonjësit i shohin si përfitim e jo si individ për ti përfaqësuar”, shkruhet në njoftimin e Shoqatës.

Më tej, shoqata shton se e rëndë është edhe heshtja e vetë punonjësve që dhe kur s’ju japin hakun e merituar, heshtin nga frika e presioneve të vazhdueshme që ju bëhen me largime nga puna. “Dhe qershia mbi tortë është heshtja e vetë Ministrisë lidhur me këtë shqetësim duke mos bërë asnjë reagim e për më tepër duke premtuar rritje page në formë lëmoshe ose si formë për t’ju mbyllur gojën”, thotë Shoqata e Infermierëve.

The post Nuk kanë marrë ende rrogën e dhjetorit, Shoqata e Infermierëve: Punonjësit heshtin nga frika e presionit appeared first on Gazeta Si.

Tërhiqet nga tregu qumështi formulë ‘NAN OPTIPRO’, Shqipëria njofton dy javë më vonë se Europa

22 January 2026 at 12:35

Nga Gazeta Si- 2 javë pasi vendet europiane kanë njoftuar tërheqjen nga tregu të qumështit formulë “NAN OPTIPRO 1”, ka ardhur edhe njoftimi i AKU në vendin tonë.

Në 5 janar 2026, autoritetet ushqimore në disa vende europiane nisën paralajmërimet publike për tërheqjen nga tregu të loteve të caktuara të formulës për foshnje NAN 1 OPTIPRO, si masë parandaluese pas dyshimeve për praninë e toksinës cereulide, e lidhur me bakterin Bacillus cereus. Ndërkohë, në Shqipëri njoftimi publik erdhi me vonesë, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën dhe ritmin e informimit të konsumatorëve.

Të dhënat publike tregojnë se reagimi në Europë ishte pothuajse i njëkohshëm në disa shtete.

Nestle Malta publikoi  njoftimin zyrtar për tërheqjen vullnetare të disa loteve të formulave për foshnje, përfshirë NAN OPTIPRO 1, duke i kërkuar konsumatorëve të mos e përdorin produktin dhe ta kthejnë atë në pikat e shitjes me datë 5 janar.

Njoftime nga vende të tjera si Italia, Austria, Belgjika, Bullgaria, Danimarka, Finlanda, Franca dhe Suedia erdhën në datat 6 dhe 7 janar.

Në këto vende, paralajmërimi publik u bë menjëherë pas vendimit të Nestle për tërheqje, edhe pse rreziku ishte potencial dhe jo i konfirmuar me raste konkrete sëmundjesh.

Në Shqipëri, ndryshe nga vendet e mësipërme, njoftimi publik për tërheqjen nga tregu të NAN 1 OPTIPRO u bë në datë 20 janar.

Thënë kjo, ndërkohë që vendet e Europës e kishin tërhequr produktin nga tregu, në Shqipëri vijoi të shitej edhe për dy javë të tjera.

Një nga arsyet kryesore të vonesës është se në praktikë, autoritetet europiane reagojnë dhe informojnë konsumatorët më herët, ndërsa Shqipëria nis procesin e vet të verifikimit pasi alarmi është tashmë i njohur në disa tregje të tjera.

Gjithashtu, ndërkohë që vendet e tjera njoftojnë tërheqjen vullnetare të produktit, edhe pse nuk ka indicie për sëmundshmërinë e personave që e konsumojnë si dhe njoftimi mund të vijë nga vetë kompania që operon në atë vend (si në Maltë që njoftimin për tërheqjen e produktit e ka dhënë Nestle Malta) në Shqipëri masat kufizuese për nxjerrjen në treg të ushqimeve si dhe heqjen e tyre nga tregu, nëse ka dyshime të argumentuara shkencërisht se ushqimi është i pasigurt, përcaktohen, pёr çdo rast, me urdhër të Ministrit të Bujqësisë. Kjo masë merret pas rezultateve të vlerësimit të riskut.

Disa ditë më parë, po një produkt i Nestle është tërhequr nga tregu sepse është konstatuar prania e substancës Cereulide në qumështin formulë BEBA për fëmijë.

The post Tërhiqet nga tregu qumështi formulë ‘NAN OPTIPRO’, Shqipëria njofton dy javë më vonë se Europa appeared first on Gazeta Si.

Daja apel prindërve: Vaksinoni djemtë kundër HPV-së, forcohet imuniteti i popullatës

22 January 2026 at 10:45

Nga Gazeta Si- Djemtë e moshës 13-vjeçare në Shqipëri janë përfshirë për herë të parë në programin kombëtar të vaksinimit kundër HPV-së (virusi i Papilomës humane).

Që në ditët e para të këtij viti, ka nisur aplikimi i vaksinës kundër HPV-së te djemtë e moshës 13 vjeç, si një hap në politikat e parandalimit të sëmundjeve infektive dhe onkologjike.

Rovena Daja, drejtuese e programit të vaksinimit pranë Institutit të Shëndetit Publik, bën thirrje për prindërit që të vaksinojnë djemtë kundër HPV-së.

Sipas saj, “HPV nuk prek vetëm vajzat. Përvoja ndërkombëtare tregon se vaksinimi i të dyja gjinive çon në më pak infeksione dhe hedh bazat për eliminimin e kancerit të qafës së mitrës”.

“Kur djemtë vaksinohen, ulet ndjeshëm përhapja e HPV, reduktohet transmetimi i virusit te partnerët dhe forcohet imuniteti i popullatës, duke mbrojtur edhe ata që nuk janë vaksinuar”, thuhet në apelin e saj.

Gjithashtu, Daja shprehet se “HPV është një infeksion viral që mund të shkaktojë sëmundje, lezione prekanceroze, madje në të ardhmen mund të shkojë deri në kancer, jo vetëm te vajzat, por edhe te djemtë”.

Prej nëntorit të vitit 2022, në kuadër të kalendarit kombëtar të vaksinimit aplikohet te vajzat 13 vjeç. Aktualisht, që në ditët e para të janarit 2026, kjo vaksinë aplikohet edhe te djemtë 13 vjeç.

The post Daja apel prindërve: Vaksinoni djemtë kundër HPV-së, forcohet imuniteti i popullatës appeared first on Gazeta Si.

Vaksina kundër herpes ngadalëson procesin e plakjes

22 January 2026 at 10:04

Vaksina kundër herpes ngadalëson procesin e plakjes biologjike. Sipas analizave dhe studimeve të deritanishme, është vërejtur se kjo vaksinë ka zbehur disa procese qelizore tipike të kalimit të moshës, përfshirë inflamacionet.

Herpes është një infeksion i shkaktuar nga riaktivizimi i virusit të Lisë së Dhenve, që qëndron në organizëm i fjetur dhe, kur aktivizohet, shkakton shpërthime në lëkurë, përveç simptomave të tjera.

Vaksina kundër herpes zoster bëhet ndaj atyre që janë të prekshëm nga patologji kronike. Mbi studimet e kryera te pacientët, kërkuesit e Universitetit të Kalifornisë kanë vërejtur ndryshimet në organizëm dhe se kush ishte i vaksinuar kishte parametra më të mirë në krahasim me moshatarët, në kushte të njëjta, veçanërisht në plakjen biologjike, duke u bazuar në 6 parametra mjekësorë.

Plakja biologjike nuk është gjithnjë koherente me plakjen anagrafike dhe është procesi që mat gjendjen e vërtetë të indeve dhe organeve të trupit. Është një proces që sjell humbjen e efikasitetit të mekanizmave riparuese në nivel qelizor dhe molekular të organizmit.

Sipas hipotezave, mendohet se kjo vaksinë redukton të gjitha inflamacionet në organizëm, ndërkohë që parandalon riaktivizimin e virusit të lisë së dhenve dhe, njëkohësisht, bllokon procese të dëmshme.

The post Vaksina kundër herpes ngadalëson procesin e plakjes appeared first on Gazeta Si.

Before yesterdayMain stream

Policia ngre alarmin: Kujdes nga sms mashtruese për gjoba makinash!

21 January 2026 at 15:17

Nga Gazeta Si- Drejtoria për Hetimin e Krimit Kibernetik ka informuar se po qarkullojnë mesazhe mashtruese të cilat imitojnë faqen zyrtare të Policisë dhe synojnë mashtrimin e qytetarëve nëpërmjet kërkesave për gjoba automjetesh.

Në mesazh është i vendosur edhe një link që të dërgon drejt një faqeje të rreme, e cila në pamje të parë paraqitet si faqe zyrtare e Policisë së Shtetit, duke përdorur stemën institucionale, imazhe të ndërtesës së Drejtorisë së Përgjithshme, si dhe elemente grafike që imitojnë shërbimet emergjente.

Në hapin e parë, qytetarëve iu kërkohet të konfirmojnë identitetin, duke vendosur numrin e telefonit celular. Në hapin vijues, faqja kërkon numrin e targës së automjetit, ndërsa në fazën e fundit iu kërkohet plotësimi i të dhënave bankare, me pretendimin për kryerjen e pagesës së gjobës.

Policia e Shtetit sqaron se kjo faqe nuk është faqe zyrtare, pasi përdor një adresë interneti të rreme (domain: aspalgov.cyou), e cila nuk i përket asnjë institucioni shtetëror.

Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik apelon për qytetarët që të mos klikojnë në mesazhe të dyshimta, të mos vendosin numra telefoni, të dhëna personale apo bankare në faqe që nuk janë zyrtare.

Gjithashtu, qytetarët duhet të kenë parasysh se Policia e Shtetit nuk kërkon konfirmim identiteti apo pagesa gjobash përmes linkeve të dërguara me SMS.

The post Policia ngre alarmin: Kujdes nga sms mashtruese për gjoba makinash! appeared first on Gazeta Si.

Lamallari prezanton Kodin Penal: Ashpërsim dënimi për abuzimet seksuale, parkimin e dyfishtë e ndërtimet pa leje

21 January 2026 at 14:50

Nga Gazeta Si- Korrigjimet në Kodin Penal ekzistues parashikojnë ashpërsimin e veprave penale me natyrë seksuale në raport me fëmijët, trafikimin e qenieve njerëzore apo shfrytëzimin e njeriut.

Ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari ka prezantuar në Komisionin e Ligjeve paketën e ndryshimeve për Kodin Penal, që do të miratohet në javën pasardhëse.

Ashpërsime do të ketë për zaptimin e paligjshëm të tokës dhe ndërtimet pa leje, sidomos për zonat e mbrojtura. Rishikime do të ketë dhe për zjarrvënësit kur qëllimi është tjetërsimi i tokës.

“Ashpërsojmë veprat penale me natyrë seksuale në raport me fëmijët. Trafikimi i qenieve njerëzore, përjashtohet çdo justifikim me pëlqimin e viktimave. Zero tolerancë për shfrytëzimin e njeriut nga njeriu. Ashpërsohen ndjeshëm edhe dënimet për zënien e paligjshme të tokës dhe ndërtimet pa leje, sidomos në zonat e mbrojtura”, tha Lamallari, duke shtuar se dënime të ashpra do të ketë edhe për parkimin e dyfishtë.

“Dënohet parkimi i dyfishtë më shumë kur pengon mjetet e emergjencës”, thotë Lamallari.

Gjithashtu, projektligji forcon mbrojtjen e gazetarëve dhe lirinë e medias, duke përjashtuar përgjegjësinë penale për gazetarët që veprojnë me mirëbesim dhe në interes publik, ndërsa ashpërson ndëshkimet për dhunën dhe kërcënimet ndaj tyre.

Në përfundim, ministri e cilësoi paketën si një reformë të guximshme dhe të domosdoshme, që synon jo vetëm ndëshkimin e krimit, por edhe parandalimin dhe garantimin e sigurisë për qytetarët, duke ndërtuar një sistem penal modern dhe plotësisht të përputhshëm me standardet europiane.

The post Lamallari prezanton Kodin Penal: Ashpërsim dënimi për abuzimet seksuale, parkimin e dyfishtë e ndërtimet pa leje appeared first on Gazeta Si.

Goditet një grup kriminal që shiste armë zjarri në Fresk dhe Tufinë, 3 të arrestuar (video)

21 January 2026 at 11:47

Nga Gazeta Si- Pas 3 muajsh hetime, Policia e Tiranës ka arrestuar 3 persona, A. B., I. Z., dhe A. R., pjesë e një grupi kriminal që shiste armë zjarri.

Dy prej tyre u kapën në flagrancë, nga policia në zonën e Tufinës (pranë Kinostudios), në tentativë për të shitur 2 armë zjarri kallashnikov. Policia ka identifikuar dhe shpallur një person tjetër i cili dyshohet si pjestar i këtij grupi.

Gjatë arrestimit, policia ka sekuestruar 5 armë zjarri dhe municion luftarak, që dyshohet se do të shiteshin në Tufinë dhe në Fresk. 

I. Z., 55 vjeç, banues në Tiranë ka qenë i dënuar më parë për vrasje, A. B., 63 vjeç, banues në Tiranë, ka qenë i dënuar më parë për prodhim dhe shitje të narkotikëve dhe për mashtrim ndërsa A. R., 46 vjeç, banues në Tiranë ka qenë i dënuar më parë për plagosje të rëndë me dashje.

The post Goditet një grup kriminal që shiste armë zjarri në Fresk dhe Tufinë, 3 të arrestuar (video) appeared first on Gazeta Si.

OKB: Bota ka hyrë në një epokë të ‘falimentimit të ujit’. Çfarë do të thotë kjo?

21 January 2026 at 11:33

Nga Gazeta Si- Aktiviteti njerëzor e ka shtyrë botën në një epokë të “falimentimit global të ujit”, ndërsa ekspertët bëjnë thirrje për një transformim urgjent dhe të bazuar në shkencë.

Një  raport i ri nga Universiteti i Kombeve të Bashkuara (UNU) paralajmëron se dekada të tëra shpyllëzimi, ndotja, degradimi i tokës, mbishpërndarja e ujit dhe pakësimi kronik i ujërave nëntokësore, të përkeqësuara nga ngrohja globale, kanë shkaktuar dëme të pakthyeshme në furnizimin me ujë të planetit dhe aftësinë e tij për t’u rikuperuar.

Ai argumenton se terma të tillë si “stresi i ujit” dhe “kriza e ujit” nuk pasqyrojnë më ne saktësi realitetin e zymtë të sotëm, i cili po nxit “zhvendosjen dhe konfliktin” në të gjithë botën.

Çfarë do të thotë “falimentimi i ujit”?

Raporti i UNU-së e përcakton falimentimin e ujit si një “tërheqje të vazhdueshme të tepërt nga ujërat sipërfaqësore dhe nëntokësore në krahasim me hyrjet e rinovueshme dhe nivelet e sigurta të pakësimit”. Termi gjithashtu flet për “humbje të pakthyeshme ose tepër të kushtueshme të kapitalit natyror të lidhur me ujin”.

Kjo ndryshon nga stresi ujor i cili pasqyron situata me presion të lartë që mbeten të kthyeshme ose një krizë uji, e cila përdoret për të përshkruar goditjet akute që mund të kapërcehen.

Edhe pse jo çdo pellg dhe vend është i falimentuar nga ana e ujit, autori kryesor Kaveh Madani, Drejtor i grupit të ekspertëve të OKB-së për ujin, thotë se mjaftueshëm sisteme kritike kanë kaluar tashmë këto pragje.

“Këto sisteme janë të ndërlidhura përmes tregtisë, migrimit, reagimeve klimatike dhe varësive gjeopolitike, kështu që peizazhi global i rrezikut tani është ndryshuar rrënjësisht”, shton ai.

Si duket falimentimi i ujit?

Falimentimi i ujit nuk ka të bëjë me sa i lagësht ose i thatë duket një vend, ka të bëjë me ekuilibrin, kontabilitetin dhe qëndrueshmërinë. Edhe rajonet që përjetojnë përmbytje çdo vit mund të jenë ende të falimentuara nga uji nëse shpenzojnë më shumë seç duhet “të ardhurat” e tyre vjetore të rinovueshme nga uji.

Raporti argumenton se falimentimi i ujit duhet të shihet përmes një lente globale, ndërsa pasojat e tij përhapen.

“Bujqësia përbën shumicën dërrmuese të përdorimit të ujërave të ëmbla dhe sistemet ushqimore janë të ndërlidhura ngushtë përmes tregtisë dhe çmimit”, thotë Madani.

“Kur mungesa e ujit dëmton bujqësinë në një rajon, efektet përhapen në tregjet globale, stabilitetin politik dhe sigurinë ushqimore diku tjetër. Kjo e bën falimentimin e ujit jo një seri krizash lokale të izoluara, por një rrezik të përbashkët global.”

Uji i botës në numra

Duke përdorur të dhëna globale dhe prova shkencore të kohëve të fundit, raporti harton një përmblehdje të zymtë të trendëve të ujit, duke fajësuar më së shumti aktivitetin njerëzor.

Kjo përfshin 50 për qind të liqeneve të mëdha në të gjithë botën që kanë humbur ujë që nga fillimi i viteve 1990, me 25 për qind të njerëzimit që varet drejtpërdrejt nga burimi i ujit, dhe dhjetëra lumenj të mëdhenj që tani nuk arrijnë të arrijnë në det për pjesë të vitit.

410 milion hektarë ligatina natyrore, një sipërfaqe pothuajse e barabartë me madhësinë e BE-së, janë fshirë gjithashtu në pesë dekadat e fundit. Humbja globale e akullnajave që nga vitet 1970 është rritur me 30 për qind.

Kripëzimi ka dëmtuar rreth 100 milion hektarë tokë bujqësore dhe 70 për qind e akuiferëve kryesorë (të cilët mbajnë dhe transmetojnë ujëra nëntokësore) po tregojnë rënie afatgjatë.

‘Rivendosja’ e axhendës globale të ujit

Raporti argumenton se axhenda aktuale globale e ujit, e cila është kryesisht e përqendruar në ujin e pijshëm, kanalizimet dhe përmirësimet e efikasitetit, nuk është më e përshtatshme për qëllimin.

Ai bën thirrje për një axhendë të re që njeh zyrtarisht gjendjen e falimentimit të ujit, njeh ujin si “një kufizim dhe një mundësi” për përmbushjen e angazhimeve klimatike dhe përfshin monitorimin e falimentimit të ujit në një kornizë globale.

Prandaj, qeveritë po nxiten të marrin masa drastike ndaj ndotjes dhe dëmtimit të ligatinave, të mbështesin tranzicionet për komunitetet, jetesa e të cilave duhet të ndryshojë dhe të transformojnë sektorët që përdorin intensivisht ujë, përfshirë bujqësinë.

Përndryshe, barra do të bjerë në mënyrë disproporcionale mbi fermerët e vegjël, popujt indigjenë, banorët urbanë me të ardhura të ulëta, gratë dhe të rinjtë, shton raporti.

“Falimentimi i ujit po bëhet një nxitës i brishtësisë, zhvendosjes dhe konfliktit”, thotë nënsekretari i përgjithshëm i OKB-së, Tshilidzi Marëala.

“Menaxhimi i tij në mënyrë të drejtë, sigurimi që komunitetet e cenueshme të mbrohen dhe që humbjet e pashmangshme të ndahen në mënyrë të barabartë, nuk është thelbësor për ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe kohezionit social.”

The post OKB: Bota ka hyrë në një epokë të ‘falimentimit të ujit’. Çfarë do të thotë kjo? appeared first on Gazeta Si.

Rikthehet dëbora në veri e juglindje të vendit

21 January 2026 at 09:59

Nga Gazeta Si- Në vendin tonë janë rikthyer reshjet e dëborës, duke zbardhur vendin edhe një herë tjetër.

Gjatë natës ka pasur reshje shiu me intensitet mesatar dhe ka filluar dëbora në të gjithë zonën veriore dhe juglindore të vendit. Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, akset janë të hapura dhe qarkullimi vijon normalisht.

ARRSH këshillon drejtuesit e mjeteve për kujdes të shtuar dhe pajisjen e tyre me goma dimërore e zinxhirë.

Ndërkohë Policia e Qarkullimit Rrugor u bën apel drejtuesve të mjeteve që të bëjnë kujdes teksa qarkullojnë përgjatë akseve rrugore që përshkojnë veriun e vendit.

Bora ka zbardhur qytetin e Kukësit, ndërsa në zonat malore mbi 600 metra mbi nivelin e detit, trashësia e saj ka kaluar 5 centimetra.

Termometri ka zbritur në -2 gradë Celsius në qytetin e Kukësit, ndërsa në zonat më të thella malore temperaturat kanë arritur deri në -9 gradë. Këto kushte atmosferike kanë krijuar prezencë të ngricave në disa akse rrugore nacionale.

The post Rikthehet dëbora në veri e juglindje të vendit appeared first on Gazeta Si.

Përmet, 31-vjeçari i jep fund jetës, gjendet i varur në shkallët e banesës

20 January 2026 at 21:14

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Përmet, kur rreth orës 19:00, është gjetur i vetëvarur D. Muçenji, 31 vjeç, në fshatin Skutaraq, Njësia Administrative Petran.

Kanë qenë të afërmit e viktimës të cilët kanë gjetur viktimën të vetëvarur në shkallët e shtëpisë.

The post Përmet, 31-vjeçari i jep fund jetës, gjendet i varur në shkallët e banesës appeared first on Gazeta Si.

Trump konferencë në Shtëpinë e Bardhë: Nuk ka kthim mbrapa për Groenlandën. Venezuelën e dua

20 January 2026 at 21:08

Presidenti amerikan Donald Trump, në një konferencë në Shtëpinë e Bardhë, ka ripërsëritur kërkesën për të marrë Groenlandën.

Ai tha se “nuk ka kthim prapa” në planin e tij për të përfshirë Groenlandën si pjesë të strategjisë amerikane.

Trump gjithashtu vlerësoi lideren opozitare të Venezuelës, e cila i dërgoi edhe çmimin Nobel në Zyrën Ovale në takimin e pak ditëve më parë, duke thënë se ajo është grua e jashtëzakonshme.

“Po flasim me Machadon, ndoshta do të bëjmë diçka në Venezuelë me të. Një grua jashtëzakonisht e sjellshme, bëri gjithashtu diçka shumë të pabesueshme. Po flasim me të dhe ndoshta mund ta përfshijmë në një farë mënyre. Maria… Ndoshta mund ta bëjmë këtë”, u shpreh ai.

Dhe duke folur për vendin amerikano-latin, shtoi:

“Dikur e urreja Venezuelën, por sot e dua”.

The post Trump konferencë në Shtëpinë e Bardhë: Nuk ka kthim mbrapa për Groenlandën. Venezuelën e dua appeared first on Gazeta Si.

Kryeministri kanadez me fjalim provokues në Davos: Rendi i vjetër nuk do të kthehet

20 January 2026 at 20:09

Nga Gazeta Si- Kryeministri kanadez Mark Carney dha një vlerësim të sinqertë se si e sheh botën në një fjalim provokues në Davos të Zvicrës, ku tha se rendi ndërkombëtar i udhëhequr nga SHBA-të dhe i bazuar në rregulla ka mbaruar dhe fuqitë e mesme si Kanadaja duhet të ndryshojnë drejtim për të shmangur rënien pre e “shtrëngimit” të mëtejshëm nga aktorë të fuqishëm.

Pa e përmendur Presidentin e SHBA-së Donald Trump me emër, Carney iu referua “hegjemonisë amerikane” dhe tha se “fuqitë e mëdha” po e përdorin integrimin ekonomik si “armë”.

“Kanadezët e dinë se supozimi ynë i vjetër dhe i rehatshëm se gjeografia dhe anëtarësimi ynë në aleancë automatikisht siguronte prosperitet dhe siguri nuk është më i vlefshëm”, tha Carney.

Ndërsa përballet me këtë dinamikë të re, Carney tha se Kanadaja duhet të jetë “parimore dhe pragmatike” dhe të kthehet nga brenda për të ndërtuar vendin dhe për të diversifikuar marrëdhëniet tregtare për t’u bërë më pak e varur nga vende si SHBA-ja, tani që është e qartë se “integrimi” mund të çojë në “nënshtrim”.

Carney tha se “arkitektura e zgjidhjes kolektive të problemeve”, ​​duke u mbështetur në institucione si Organizata Botërore e Tregtisë, Kombet e Bashkuara dhe Konferenca e Palëve (COP) për bisedimet për klimën, është “zvogëluar” dhe vendet duhet të pranojnë se mund të duhet të veprojnë vetë më shpesh sesa në të kaluarën e afërt.

“Shumë vende po nxjerrin të njëjtat përfundime. Ato duhet të zhvillojnë një autonomi më të madhe strategjike: në energji, ushqim, minerale kritike, në financë dhe zinxhirë furnizimi. Një vend që nuk mund të ushqehet, të furnizohet me karburant ose të mbrohet ka pak mundësi. Kur rregullat nuk të mbrojnë më, duhet të mbrohesh”, tha Carney.

Carney tha se kjo qasje, ku ekziston një “botë fortesash”, do t’i bëjë vendet më të varfra, të brishta dhe më pak të qëndrueshme. Por megjithatë po vjen dhe Kanadaja duhet të punojë me aleatë me të njëjtat mendje, sa herë që është e mundur, për të kundërshtuar dominimin nga vendet më të mëdha, më të pasura dhe më të armatosura mirë.

“Ky nuk është multilateralizëm naiv. As nuk mbështetet në institucione të dobësuara. Është ndërtimi i koalicioneve që funksionojnë, çështje pas çështjeje, me partnerë që ndajnë mjaftueshëm terren të përbashkët për të vepruar së bashku. Fuqitë e mesme duhet të veprojnë së bashku sepse nëse nuk je në tryezë, je në menu”, tha Carney.

“Ne po angazhohemi gjerësisht, strategjikisht, me sy hapur. Ne e trajtojmë në mënyrë aktive botën ashtu siç është, jo duke pritur që bota të jetë ashtu siç dëshirojmë”, tha ai.

“Rendi i vjetër nuk po kthehet. Nuk duhet ta vajtojmë. Nostalgjia nuk është strategji. Por nga thyerja, ne mund të ndërtojmë diçka më të mirë, më të fortë dhe më të drejtë.”

Përmend shpenzimet e mbrojtjes, tregtinë e diversifikuar

Carney tha se që nga marrja e detyrës, ai ka ndërmarrë hapa për të ndryshuar trajektoren e Kanadasë: duke dyfishuar shpenzimet e mbrojtjes, duke diversifikuar me shpejtësi tregtinë duke nënshkruar 12 marrëveshje tregtare dhe sigurie në katër kontinente në gjashtë muaj dhe duke u afruar edhe më shumë me Bashkimin Evropian.

Më parë këtë javë, Carney gjithashtu arriti një marrëveshje tregtare me Kinën për automjetet elektrike dhe produktet bujqësore – duke i dhënë fund viteve të armiqësisë dypalëshe – dhe i bëri thirrje fuqisë së Lindjes së Mesme, Katarit.

Kanadaja po ndjek gjithashtu pakte të tregtisë së lirë me Indinë, Tajlandën, Filipinet dhe vendet në Shoqatën e Kombeve të Azisë Juglindore dhe Mercosur, bllokun e Amerikës së Jugut që përfshin Argjentinën, Bolivinë, Brazilin, Paraguain dhe Uruguain.

“Fuqitë e mëdha mund të përballojnë të ecin vetë. Ato kanë madhësinë e tregut, kapacitetin ushtarak, ndikimin për të diktuar kushtet. Fuqitë e mesme nuk e kanë. Por kur negociojmë vetëm në mënyrë bilaterale me një hegjemon, negociojmë nga dobësia. Ne pranojmë atë që ofrohet. Ne konkurrojmë me njëri-tjetrin për të qenë më të akomodueshmit. Ky nuk është sovranitet. Është performanca e sovranitetit duke pranuar nënshtrimin”, tha Carney.

“Në një botë me rivalitet të fuqive të mëdha, vendet midis tyre kanë një zgjedhje: të konkurrojnë me njëri-tjetrin për favor, ose të bashkohen për të krijuar një rrugë të tretë me ndikim”.

Kanadaja një ‘partner i qëndrueshëm dhe i besueshëm’

Ndërsa mban një ton skeptik për disa institucione globale dhe vajton atë që ai e quajti një “këputje” në mënyrën se si gjërat kanë funksionuar prej kohësh, Carney tha se ndihet i sigurt për të ardhmen e Kanadasë pavarësisht rërës së lëvizshme.

Kanadaja është një “partner i qëndrueshëm dhe i besueshëm” që “vlerëson marrëdhëniet afatgjata”, gjë që e bën atë tërheqëse për vendet e tjera, tha ai.

“Kanadaja ka atë që dëshiron bota. Ne jemi një superfuqi energjetike. Ne kemi popullsinë më të arsimuar në botë”, tha ai. “Ne kemi kapital, talent dhe një qeveri me kapacitet të jashtëzakonshëm fiskal për të vepruar me vendosmëri. Dhe ne kemi vlerat që shumë të tjerë aspirojnë.”

Duke folur më vonë në një bisedë në Forumin Ekonomik Botëror, Carney pranoi se Kanadaja është e ndjeshme ndaj një SHBA-je gjithnjë e më të vendosur, duke pasur parasysh gjeografinë dhe lidhjet ekonomike afatgjata.

Por ai tha se Kanadaja tashmë e ka provuar qëndrueshmërinë e saj përballë një lufte tregtare të SHBA-së: vendi ka shtuar më shumë vende pune sesa Shtetet e Bashkuara që kur Trump vendosi tarifa për mallrat globale.

I pyetur nëse prerja e marrëveshjeve me Kinën e bën Kanadanë tepër të varur nga superfuqia aziatike, Carney tha se po luan “sulm” dhe thellimi i lidhjeve ekonomike me vendin e dytë më të madh në botë është një veprim i kujdesshëm në këtë pikë.

“Ne duhet të kemi një partneritet strategjik me ta”, tha ai për Kinën, ndërsa tha se do të ketë “gardhe mbrojtëse”.

Ndërsa Trump këmbëngul se SHBA-të duhet të marrin Groenlandën, gjoja për qëllime të sigurisë kombëtare, Carney tha se Kanadaja qëndron “vendosmërisht” me Danimarkën, e cila në fund të fundit kontrollon territorin autonom.

“Angazhimi ynë ndaj Nenit 5 është i palëkundur”, tha Carney, duke iu referuar parimit të NATO-s për mbrojtje kolektive. “Ne po punojmë me aleatët tanë të NATO-s për të siguruar më tej krahët veriorë dhe perëndimorë të aleancës”.

Duke folur për territorin danez të lakmuar nga Trump, Carney tha: “Mendoj se NATO po përjeton një provë tani”.

Ai tha se Kanadaja po e rrit praninë e saj ushtarake në Arktik, ndërkohë që po nxit gjithashtu “diskutime” midis aleatëve për të sjellë një “rezultat më të mirë” në Atlantikun e Veriut.

Komentet e Carney-t vijnë pas kërcënimit të jashtëzakonshëm të Trump për të vendosur tarifa ndaj aleatëve evropianë dhe Britanisë derisa Uashingtonit t’i lejohet të blejë Groenlandën. Kryeministri tha se Kanadaja “kundërshton fuqimisht” planin e SHBA-së për t’i goditur aleatët me taksa ndëshkuese nëse nuk pajtohen me imperializmin e Trump.

Marrë nga CBC. Përshtati: Gazeta Si.

The post Kryeministri kanadez me fjalim provokues në Davos: Rendi i vjetër nuk do të kthehet appeared first on Gazeta Si.

Makron në Davos: Bota është përballë një zgjedhjeje kritike

20 January 2026 at 19:47

Në fjalimin e tij gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos, presidenti francez Emmanuel Macron theksoi se bota është përballë një zgjedhjeje kritike: të pranohet ligji i më të fortit, që do të çonte në një “qasje të re koloniale”, ose të mbrohet multilateralizmi efektiv, i cili i shërben interesave të shteteve dhe siguron rendin global.

Macron theksoi se ky është një moment kyç për të mbrojtur sovranitetin dhe pavarësinë kombëtare. Ai shtoi se masa e fundit për stacionimin të ushtrisë franceze në Groenlandë ishte një hap për të mbrojtur këtë territor strategjik, pa “kërcënuar askënd”, por për të mbështetur një aleat dhe një vend tjetër europian.

Kreu i Francës gjithashtu theksoi rëndësinë e G7 në këtë kontekst. Ai theksoi se Franca, përmes presidencës së saj të Grupit të Shtatë, do të kërkojë të ringjallë G7 si një forum për “dialog të sinqertë” dhe për të parandaluar luftërat tregtare, rritjen e proteksionizmit dhe përpjekjet për të prishur rendin ekonomik global.

“Objektivi ynë përmes G7 është të tregojmë se fuqitë kryesore të botës janë ende të afta të arrijnë një diagnozë të përbashkët të ekonomisë globale”, tha Macron.

Në këtë kuadër, ai bëri thirrje për një angazhim më të madh në nivele ndërkombëtare, për të siguruar që shtetet të mund të bashkëpunojnë për të zgjidhur krizat globale, përfshirë ato tregtare dhe gjeopolitike.

The post Makron në Davos: Bota është përballë një zgjedhjeje kritike appeared first on Gazeta Si.

Nga gushti, në vendet e BE do të ndalohen paketimet plastike njëpërdorimshe të produkteve në restorante e hotele

20 January 2026 at 19:24

Lamtumirë ketchup dhe majoneza në restorante! Duke nisur nga gushti i këtij viti nuk do të jetë më e mundur të përdoren qese njëpërdorimëshe për salca, vaj, kripë dhe uthull.

Rregullorja e re që i referohet Rregullores së Paketimit dhe Mbeturinave të Paketimit, e cila hyri në fuqi në janar të vitit të kaluar dhe ndalon përdorimin e këtyre produkteve duke filluar nga vera e ardhshme. Ndryshimet do të ndikojnë gjithashtu në sektorin e mikpritjes, ku do të futet një ndalim për paketimin njëpërdorimësh për shampon dhe produktet e kujdesit për trupin.

Deri në fund të verës së ardhshme, restorantet në të gjithë Europën do të duhet të ndalojnë shërbimin e salcave, të tilla si ketchup dhe majonezë, vaj dhe kripë në qese njëpërdorimëshe shpesh të bëra prej plastike. Prandaj, pronarët e restoranteve do të duhet të pajisen me enë të qëndrueshme shpesh të konsideruara më pak higjienike dhe burim mbeturinash dhe t’u shërbejnë klientëve në këtë mënyrë.

Sipas mediave të huaja, objektet e akomodimit do të duhet gjithashtu të përputhen me rregulloren e re evropiane. Hotelet do të duhet të braktisin paketimin njëpërdorimësh për shampon, balsam dhe produkte të kujdesit personal dhe higjienës në favor të zgjidhjeve alternative, të tilla si shpërndarësit e rimbushshëm. Komisioni Europian e mbron fuqimisht këtë veprim, duke theksuar ndikimin mjedisor të plastikës, e cila, shpesh e pa ricikluar siç duhet, përfundon në ekosistemet detare dhe kështu hyn në zinxhirin ushqimor.

The post Nga gushti, në vendet e BE do të ndalohen paketimet plastike njëpërdorimshe të produkteve në restorante e hotele appeared first on Gazeta Si.

Seanca për rritjen e pagave të gjyqtarëve në Kushtetuese, reagon Rama: Turp kombëtar nëse miratohet

20 January 2026 at 17:35

Një farsë të shëmtuar e ka cilësuar kryeministri Edi Rama seancën e cila po zhvillohet sot në Gjykatën Kushtetuese për rritjen e rrogave të gjyqtarëve. Në një reagim në X kreu i qeverisë shprehet se gjyqtarët synojnë të thyejnë piramidën shtetërore të pagave, ndonëse janë tashmë kategoria më e paguar në vend.

“Sot Gjykata Kushtetuese po zhvillon (fatkeqësisht pa transmetim direkt për shkaqe teknike) farsën më të shëmtuar të imagjinueshme, e cila i është imponuar nga dy shoqata gjyqtarësh, të cilët duan të rrisin rrogat e tyre me gjyq, duke thyer piramidën shtetërore të pagave”, shkruan Rama, duke shtuar se, sipas tij, gjyqtarët kërkojnë të marrin kompetencat kushtetuese të qeverisë dhe parlamentit për politikën e pagave. Rama thotë se kjo përbën një skandal logjik, moral, ligjor dhe kushtetues, teksa uroi që Kushtetuesja të mos e lejojë të kthehet në një turp kombëtar.

“Tani këta duan që në përjetësi t’u jepet e drejta ta rrisin vetë rrogën sa herë rriten pagat e tjera, pra Shqipëria të jetë përgjithmonë i vetmi vend në botë ku gjykatësit paguhen më shumë se sa çdokush tjetër duke marrë kompetencat kushtetuese të qeverisë e të parlamentit për politikën e pagave, ky është një skandal logjik, moral, ligjor dhe kushtetues, të cilin uroj që Gjykata Kushtetuese të mos e lejojë kurrësesi të kthehet në një turp kombëtar! Respekte për SPAK-un që nuk iu bashkua kësaj marrëbabëzie në emër të pavarësisë së gjyqësorit”, shkruan Rama. 

The post Seanca për rritjen e pagave të gjyqtarëve në Kushtetuese, reagon Rama: Turp kombëtar nëse miratohet appeared first on Gazeta Si.

Si të shpëtojmë nga influencerat shqiptarë që janë kthyer si mjek popullor digjital

20 January 2026 at 14:23

Nga Gazeta Si- Debati i hapur së fundmi në Shqipëri mes aktores Eliona Pitarka dhe pediatrit Edi Tushe ka rikthyer në vëmendje një çështje gjithnjë e më të ndjeshme: kufiri mes komunikimit publik, përvojës personale dhe autoritetit mjekësor, veçanërisht kur bëhet fjalë për shëndetin e fëmijëve.

Mjeku Edi Tushe akuzon aktoren Eliona Pitarka se ka përdorur emrin e tij pa autorizim në përmbajtje që lidhen me dieta për fëmijë, “me qëllime që nuk kanë asnjë lidhje me qëndrimin tim profesional dhe që nuk i kam miratuar apo mbështetur. Nuk kam autorizuar Eliona Pitarkën apo asnjë person tjetër të përdorë emrin tim për të promovuar dieta për fëmijë, këshilla ushqimore apo përfitime personale të çfarëdo forme”, tha mjeku Tushe, duke sqaruar më tej se situatën do e ndjekë në rrugë gjyqësore.

Pas kësaj ka reaguar Pitarka, duke thënë se postimet e saj ishin vetëm informacion i përgjithshëm për ndihmën e prindërve që nuk përballojnë dot klinikat private.

“Asnjëherë nuk kam publikuar regjimin ushqimor të fëmijëve të mi, as nuk e kam lidhur emrin e Dr. Edit me produkte apo përfitime. Në komunikime private, ai më ka mbështetur të ndaj këshilla të përgjithshme për nënat”.

Por si i trajton Europa situata të ngjashme dhe sa i ndryshëm është konteksti shqiptar?

Europa ka rregulla të qarta dhe tolerancë minimale. Në shumicën e vendeve europiane, influencerat nuk ndalohen të flasin për shëndetin, por u ndalohet qartë të japin këshilla konkrete mjekësore, sidomos për fëmijët. Qasja është kryesisht parandaluese dhe institucionale, jo e bazuar në përplasje individuale.

Praktikisht, vija ndarëse është e përcaktuar qartë!

Në Francë, influencerat ndalohen të promovojnë ose të rekomandojnë trajtime mjekësore, veçanërisht kur bëhet fjalë për fëmijë.

Shkeljet ndëshkohen me gjoba të rënda, ndalim të përkohshëm të aktivitetit online dhe në raste ekstreme, ndjekje penale.

Franca ka miratuar një ligj që e bën të paligjshme promovimin e praktikave të caktuara mjekësore dhe pajisjeve shëndetësore nga influencuesit, me penalitet deri në 2 vjet burg dhe gjobë deri në 300,000 euro për shkelësit.

Ligji francez e trajton këtë si mbrojtje të shëndetit publik, jo si debat mbi lirinë e shprehjes.

Ndërsa në Gjermani, çdo përmbajtje nga një influencer jo-mjek që duket si trajtim ose rekomandim i produkteve konkrete, klasifikohet si reklamë e paligjshme shëndetësore ose ushtrim i paautorizuar i profesionit mjekësor. Ndërhyrja zakonisht vjen nga autoritetet rregullatore, jo nga mjekë individualë.

Postim i bërë nga aktorja Eliona Pitarka në Instagramin e saj.

Në Itali e Spanjë qasja është e ngjashme. Lejohet informacioni edukativ por ndalohet të thuash çfarë të përdorësh dhe çfarë t’i japësh fëmijës ose personit që është sëmurë, sidomos kur bëhet fjalë për simptoma si diarreja, temperatura apo infeksionet.

Raste konkrete kur influencerat janë paditur

Brittany Dawn Davis, një influencer fitness-i e popullarizuar në rrjete sociale, u padit nga Zyrtarët e Prokurorisë së Texasit për praktika të padrejta të konsumatorit, përfshirë dhënien e planeve ushqimore dhe këshillave shëndetësore pa kualifikim adekuat.

Ndërsa Thierry Casasnovas është një influencer francez i njohur për këshillat “natyraliste” mbi shëndetin dhe ushqimin, që ka përfunduar nën hetim dhe nën kontrolle gjyqësore për mashtrim, praktikë e paautorizuar ‘mjekësore’ dhe abuzim me persona të cënueshëm.

Prokuroria franceze e çoi çështjen para drejtësisë duke e akuzuar për këshilla të pasakta dhe të rrezikshme shëndetësore dhe për praktika komerciale mashtruese, madje ai u ndalua nga të jepte këshilla shëndetësore online brenda kontrollit të tij gjyqësor.

Në Europë, influencerat mund të flasin për diarrenë për shembull, por jo t’u thotë prindërve çfarë të përdorin për ta trajtuar tek fëmijët.

Kjo vijë është thelbësore pasi sapo informacioni kthehet në rekomandim trajtimi, përgjegjësia nuk është më thjesht morale, por ligjore.

Në Shqipëri, kjo ndarje nuk është ende e qartë. Rasti Pitarka–Tushe nuk lidhet me reklamë apo dezinformim klasik, por me përdorimin e emrit të një mjeku real në komunikim publik, çka e zhvendos debatin nga “çfarë u tha” te “kush ka të drejtë ta thotë”.

Ndryshe nga Europa, në Shqipëri mungojnë udhëzimet e qarta për influencuesit dhe nuk ka një kornizë të konsoliduar për komunikimin shëndetësor online. Në këto kushte, vijnë dhe pasojat ku konfliktet shpesh personalizohen, në vend që të trajtohen institucionalisht.

Në vendet europiane, këto çështje janë trajtuar prej vitesh si problem rregullimi dhe mbrojtjeje të publikut, sidomos të fëmijëve. Në Shqipëri, rasti i fundit tregon se ky debat sapo ka nisur dhe se mungesa e rregullave të qarta e lë hapësirën të hapur për përplasje publike, pa zgjidhje strukturore.

The post Si të shpëtojmë nga influencerat shqiptarë që janë kthyer si mjek popullor digjital appeared first on Gazeta Si.

Reanimacioni i QSUT pati ndërprerje të energjisë, Lila: Ka pajisje Back Up që mbajnë në punë pajisjet, i burgosuri vdiq se ishte rëndë

20 January 2026 at 13:28

Nga Gazeta Si- Krenar Lilaj, shefi i Shërbimit Anestezi Reanimacionit në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza në Tiranë ka treguar se çfarë ndodhi një ditë më parë me pacientët pas ndërprerjes së energjisë elektrike për disa minuta.

Në një komunikim për mediat ai tha se defekti ishte tepër i rëndë, por theksoi se pacientët me aparat të ventiluar janë të pajisur me ‘backup’, duke mundësuar funksionimin edhe pas ndërprerjes së energjisë.

Sipas tij, trajtimi i pacientëve u krye në mënyrë të kontrolluar edhe tek reanimacioni i kardiologjisë, ku edhe u transferuan.

“Momenti më delikat është trajtimi i të sëmurëve që kanë nevojë për asistencën aspiratore. Këto pacientë, në kushte te ndërprerjes së dritave janë me pajisje back up që siguron funksionimin e tyre të potë më energji të akumuluar që janë të inkorporuar në këto aparatë. Trajtim i i këtyre të sëmurëve vazhdoi normalisht, pasi këta të sëmurë e marrin mjekimin nëpërmjet aparateve që janë me back up”, thotë mjeku, duke shtuar se ndërprerja a e energjisë zgjati disa minuta, dhe nga informacionet, bëhej fjalë për një defekt të rëndë dhe rikthimi i energjisë ishte i pakonfirmuar.

Në këto kushte, për të shmangur rënien e apo mosfunksionimin e njëkohshëm të aparateve aspiratore, Lilaj thotë se vendosën kalimin e të sëmurëve në godinën tjetër të spitalit.

“Zhvendosja e u bë vetëm 20 metra më larg duke siguruar vazhdimin e trajtimit. Vendosëm që të transportojmë vetëm 10 të sëmurë, 9 të cilët ishin në respiracion të drejtuar”.

Shefi i shërbimit thotë për mediat se në spital janë mjetet që transporti i pacientëve të realizohej me respiratorë portativë, pa u cënuar shërbimi.

“E them me përgjegjësi të plotë, nga pikëpamja funksionale, ndërprerja e energjisë, nuk ka cenuar aspak trajtimin e pacientëve.  Ato që kanë qenë në reaminacionin kirurgjikal, ata vazhduan ta merrnin trajtimin aty pa vështirësi dhe nuk ka komplikacion të situatës përsa i përket këtyre pacientëve”, thotë mjeku.

Duke folur dhe për vdekjen e të burgosurit Mihal Mërkuri, mjeku thotë se gjendja e tij ishte e rëndë që kur ka mbërritur në spital ditën e dielë pasdite.

“Ka pasur cirroza hepatike dhe  ka pasur hemorragji masive për të cilën është trajtuar kirurgjikalisht. Saktësisht i sëmuri është ndarë nga jeta në orën 04:13”, thotë mjeku.

The post Reanimacioni i QSUT pati ndërprerje të energjisë, Lila: Ka pajisje Back Up që mbajnë në punë pajisjet, i burgosuri vdiq se ishte rëndë appeared first on Gazeta Si.

Çfarë roli ka MEK i strehuar në Shqipëri në protestat e Iranit

20 January 2026 at 11:04

Nga Gazeta Si- Një kamp i fortifikuar në Manzë, një fshat i vogël në Shqipërinë qendrore pranë kryeqytetit, Tiranës, është shtëpia e rreth 3,000 anëtarëve të Organizatës Popullore të Muxhahedinëve të Iranit (PMOI ose Mujahideen-e Khalq, MEK).

Këta anëtarë kanë qenë në vend që kur qeveria shqiptare pranoi t’i strehonte në vitin 2013 me kërkesë të SHBA-së dhe Kombeve të Bashkuara.

Çfarë është MEK?

MEK është një grup opozitar politik islamik me tendenca socialiste.

I themeluar në Iran në vitin 1965, ai mori armët kundër dinastisë në pushtet Pahlavi, duke zhvilluar fushata bombardimi kundër qeverisë së Shahut dhe objektivave amerikane në vitet 1970 dhe duke mbështetur Ajatollah Khomeinin në Revolucionin Islamik 1978/1979.

Megjithatë, pak pas revolucionit, MEK u prish me sundimtarët e rinj në Teheran dhe u ndalua në vend. Më pas shkoi në mërgim, duke vazhduar aktivitetet e tij opozitare nga jashtë.

MEK më vonë u zhvendos në Irak, nga ku kreu operacione ushtarake kundër Iranit gjatë luftës Iran-Irak – diçka që shumë në Iran e urrejnë deri më sot.

Departamenti Amerikan i Shtetit e shpalli MEK-un një organizatë terroriste në vitin 1997, por e hoqi atë nga lista e organizatave të huaja terroriste në vitin 2012.

Grupi ishte i pari që zbuloi publikisht në vitin 2002 se Irani kishte një program sekret të pasurimit të uraniumit. Pas rrëzimit të Sadam Huseinit, u dëbua nga Iraku.

Protestat e fundit në Iran

Për Andreas Krieg, ekspert i Lindjes së Mesme dhe pedagog në King’s College London, vala aktuale e protestave në Iran “duket më pak si një ‘ngjarje’ e vetme sesa si një konvergjencë e vazhdueshme e ankesave të gjata që më në fund u sinkronizuan”.

“Filloi me një tronditje akute ekonomike, kolapsi i monedhës dhe inflacioni që përktheheshin në rritje të menjëhershme të çmimeve, mungesa dhe paralizë tregtare dhe më pas u politizuan me shpejtësi pasi njerëzit arritën në përfundimin se shteti ose nuk mund ose nuk do të stabilizojë jetën e përditshme”, i tha ai DË.

“Ajo që bie në sy është profili i koalicionit: Pazari dhe shitësit ndihmuan në nxitjen e momentit, studentët dhe lagjet urbane ruajtën dukshmërinë, ndërsa qytetet periferike dhe zonat minoritare shtuan gjerësi”, tha Krieg.

“Reagimi i shtetit ka kaluar shpejt nga frenimi në shtypje, duke përfshirë një ndërprerje të komunikimeve në të gjithë vendin, e projektuar për të ngadalësuar koordinimin dhe për të zvogëluar kontrollin e jashtëm, gjë që zakonisht përkon me përdorim më të ashpër të forcës në terren”, tha ai.

Një opozitë e fragmentuar

Pavarësisht faktit se ka pasur shumë protesta në të gjithë vendin në Iran në dekadat e fundit, opozita iraniane, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, nuk është e organizuar dhe karakterizohet nga një numër i madh grupesh rivale dhe fraksionesh ideologjike.

“Aty ku ‘qëndron’ opozita kuptohet më mirë si fragmentim sesa mungesë”, tha Krieg, duke shtuar se brenda Iranit, veprimi kolektiv mbetet kryesisht pa udhëheqës dhe i rrjetëzuar: Mobilizimi lokal, lidhjet shoqërore, dinamika e vendit të punës dhe ekosistemet universitare prodhojnë shpërthime protestash të koordinuara pa një strukturë të integruar kombëtare komanduese.

Opozita iraniane jashtë vendit

Jashtë Iranit, dy grupet më të mëdha të opozitës janë monarkistët dhe MEK. Udhëheqësit dhe anëtarët e të dy grupeve kanë jetuar në mërgim që nga përmbysja e dinastisë Pahlavi në vitin 1979.

Reza Pahlavi, trashëgimtari i Shahut të fundit të Iranit, Mohammed Reza Pahlavi, jeton në SHBA.

Ndërsa ai ka shumë admirues brenda diasporës iraniane, mbetet e paqartë se cfarë mbështetje ka brenda vendit.

“Jashtë Iranit, diaspora mbetet me ndikim në formësimin e narrativës dhe moralit, por është e ndarë në mënyrë organizative dhe shpesh nuk i besohet njerëzve brenda vendit dhe kanë frikë si nga manipulimi ashtu edhe nga një boshllëk pas rënies”, thotë Krieg.

Ai shton se kjo ka rëndësi për sigurinë e regjimit sepse zvogëlon probabilitetin e ndarjeve të shpejta dhe të pastra të elitës, edhe pse rrit gjasat e cikleve të përsëritura të protestave.

“Shtypja e një vale nuk zgjidh faktorët themelorë që vazhdojnë të mbushin rrugët”, thotë ai.

Çfarë roli ka luajtur MEK në protesta?

Grupi i dytë i madh opozitar iranian është MEK, anëtari më i madh i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), një koalicion i grupeve opozitare iraniane.

Por çfarë roli ka luajtur MEK në trazirat e fundit?

Ali Safavi i NCRI thotë se MEK ka qenë i përfshirë në mënyrë aktive në protesta.

“Njësitë e saj të Rezistencës drejtojnë, koordinojnë dhe organizojnë rezistencën kundër forcave shtypëse”, tha ai për DË. “Në shumë raste, ata gjithashtu kanë luajtur një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e protestuesve kundër sulmit të IRGC (Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike). Po të mos ishte për rolin e tyre, regjimi do ta kishte shtypur kryengritjen shumë shpejt”.

Safavi i tha DË se “një numër i konsiderueshëm aktivistësh të MEK janë midis 3,000 të vrarëve nga forcat e sigurisë”.

MEK – probleme legjitimiteti midis shumë iranianëve

Megjithatë, për ekspertin e Lindjes së Mesme Krieg, “kur bëhet fjalë për MEK, është e rëndësishme të ndash shtrirjen e perceptuar nga tërheqja reale në terren”.

“Organizata është e disiplinuar, e aftë në përdorimin e medias dhe e aftë të gjenerojë zhurmë, presion lobimi dhe volum mesazhesh nga jashtë. Megjithatë, ajo ka probleme të thella legjitimiteti midis shumë iranianëve për shkak të historisë së saj, akuzave për kontroll të brendshëm dhe qëndrimit të saj të gjatë në mërgim, faktorë që kufizojnë aftësinë e saj për të vepruar si një mjet unifikues i opozitës brenda vendit. Kjo është arsyeja pse pretendimet se funksionon si një ‘kalë Troje’ i huaj kanë jehonë.”

“MEK është i lehtë për t’u instrumentalizuar nga aktorë të shumtë në hapësirën e informacionit, duke përfshirë edhe informatorët anti-Iran në SHBA dhe Izrael. Por efekti praktik është më shpesh reputacional. I jep regjimit një kornizë të përshtatshme për përfaqësues të huaj. Por nuk ka asnjë rol për të luajtur në udhëheqjen e këtyre protestave”, tha Krieg.

I konsideruar si një grup terrorist nga Teherani, MEK tani po i bën thirrje Europës të ndërmarrë veprime të forta kundër qeverisë në Iran.

“Europa duhet ta caktojë menjëherë Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) si një entitet terrorist, të dëbojë diplomatët e regjimit, të tërheqë ambasadorët e saj nga Teherani, të shkëpusë regjimin nga sistemi financiar ndërkombëtar, të bojkotojë shitjen e naftës dhe të nxjerrë udhëheqësit e saj para gjykatave ndërkombëtare për t’u ndjekur penalisht për krime kundër njerëzimit. Dhe kjo përfshin Udhëheqësin Suprem Ali Khamenei dhe zyrtarë të tjerë të lartë”, tha Ali Safavi.

Pikëpamja nga Shqipëria

Media shqiptare ka raportuar rregullisht si për protestat ashtu edhe për MEK në Shqipëri që kur filluan protestat në Iran.

Nga ana e tyre, anëtarët e MEK në Shqipëri kanë qenë aktivë në mediat sociale, duke ndarë postime dhe fotografi në lidhje me protestuesit që kanë humbur jetën dhe anëtarët e MEK që ata thonë se u vranë gjatë protestës.

Kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin në shtator 2022 pasi pretendoi se sulmet kibernetike ndaj Shqipërisë ishin orkestruar nga Republika Islamike, nuk ka bërë asnjë koment mbi protestat në Iran./Marrë nga DW/

The post Çfarë roli ka MEK i strehuar në Shqipëri në protestat e Iranit appeared first on Gazeta Si.

Britania ndjek shembullin e Australisë, shqyrton kufizimet e mediave sociale për të miturit

20 January 2026 at 10:11

Britania ka nisur një konsultim publik mbi përdorimin e mediave sociale nga fëmijët , duke i hapur rrugën një ndalimi të mundshëm të aksesit, njoftoi qeveria.

Iniciativa përfshin gjithashtu udhëzime më të rrepta për shkollat, duke u përqendruar në përdorimin e telefonave celularë nga nxënësit.

Sipas njoftimit, qeveria do të shqyrtojë provat dhe përvojat ndërkombëtare në lidhje me propozimet që janë vënë në tryezë, duke vlerësuar nëse një ndalim i tillë do të ishte efektiv dhe, nëse zbatohet, si mund të zbatohet në praktikë.

Në këtë kontekst, ministrat do të vizitojnë Australinë, e cila muajin e kaluar u bë vendi i parë në botë që ndaloi mediat sociale për fëmijët nën 16 vjeç, me qëllim studimin dhe shfrytëzimin e përvojës nga regjimi që është vendosur.

Qeveria britanike nuk specifikoi një kufi specifik moshe, por sqaroi se po shqyrton një ndalim “për fëmijët nën një moshë të caktuar”, së bashku me masa të tjera të tilla si kontrolle më të rrepta të moshës dhe një shqyrtim nëse pragu aktual i pëlqimit dixhital është shumë i ulët.

Shqetësimet janë shtuar më tej nga përhapja e shpejtë e përmbajtjes së gjeneruar nga inteligjenca artificiale, e shkaktuar nga protesta publike mbi raportet e fundit se chatbot-i Grok AI i Elon Musk prodhoi imazhe seksuale pa pëlqim, duke përfshirë imazhe të të miturve.

Qeveria britanike ka njoftuar tashmë planet për të ndaluar plotësisht mjetet e inteligjencës artificiale që “zhveshin” imazhet në mënyrë digjitale, ndërkohë që punon gjithashtu për të parandaluar fëmijët nga bërja, ndarja ose shikimi i imazheve nudo në pajisjet e tyre.

The post Britania ndjek shembullin e Australisë, shqyrton kufizimet e mediave sociale për të miturit appeared first on Gazeta Si.

Debati/ Pediatri Edi Tushe padit Eliona Pitarkën për shpifje dhe dëmtim imazhi

19 January 2026 at 15:22

Nga Gazeta Si- Debati mes Eliona Pitarkës dhe mjekut pediatër Edi Tushe ka kaluar nga një debat publik në dyert e gjykatës.

Ishte mjeku Edi Tushe, i cili me anë të një reagimi zyrtar tha se “Po sqaroj publikisht se emri im po përdoret pa autorizimin tim në përmbajtje që lidhen me dieta për fëmijë, me qëllime që nuk kanë asnjë lidhje me qëndrimin tim profesional dhe që nuk i kam miratuar apo mbështetur. Nuk kam autorizuar Eliona Pitarkën apo asnjë person tjetër të përdorë emrin tim për të promovuar dieta për fëmijë, këshilla ushqimore apo përfitime personale të çfarëdo forme”, tha Tushe, referuar disa videove ku Pitarka përmend emrin e doktorin në këshillat që jep për kujdesin e fëmijëve.

Pas kësaj ka reaguar Pitarka, duke thënë se postimet e saj ishin vetëm informacion i përgjithshëm për ndihmën e prindërve që nuk përballojnë dot klinikat private.

“Asnjëherë nuk kam publikuar regjimin ushqimor të fëmijëve të mi, as nuk e kam lidhur emrin e Dr. Edit me produkte apo përfitime. Në komunikime private, ai më ka mbështetur të ndaj këshilla të përgjithshme për nënat”.

Pitarka mohon çdo promovim personal, duke thënë se synimi ishte vetëm ndërgjegjësimi dhe jo shkelja etike.

Por, ky reagim nuk ka bindur doktor Edi Tushen, i cili në një tjetër reagim ka deklaruar se cështjen do e dërgojë në gjyq.

“Në vitin 2023 e kam këshilluar personalisht që të mos publikonte informacione dezinformuese dhe të pasakta mbi shëndetin e fëmijëve, përfshirë temperaturat febrile dhe dietat pediatrike, të cilat kërkojnë kompetencë profesionale dhe përgjegjësi ligjore. Pavarësisht kësaj, ajo ka vijuar të publikojë përmbajtje që krijon konfuzion te prindërit dhe dëmton seriozitetin e profesionit tonë”, shkruan në deklaratë mjeku, duke shtuar se si person publik dhe influencer, Pitarka ka përdorur faqen e saj në Instagram për të publikuar “deklarata shpifëse dhe të pavërteta kundër meje personalisht dhe stafit të Klinikës Vera–VIRHOV, duke cenuar rëndë imazhin profesional të institucionit dhe duke dëmtuar besimin e publikut ndaj mjekëve tanë”.

Për më tepër, Tushe thotë se Pitarka ka dërguar mesazhe kërcënuese në numrin e tij personal të telefonit, të cilat janë të dokumentuara dhe përbëjnë element shtesë në vlerësimin penal të kësaj çështjeje.

Për të gjitha sa më sipër, Klinika Vera–VIRHOV ka nisur procedurat ligjore për: shpifje, fyerje, dëmtim imazhi, cënim të reputacionit profesional dhe shkelje të pronës intelektuale.

Ky proces ligjor bazohet në dispozitat e Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, të cilat parashikojnë për veprat penale përkatëse dënime që shkojnë deri në 3 (tre) vite burg, sipas rasteve dhe rrethanave konkrete të faktit.

The post Debati/ Pediatri Edi Tushe padit Eliona Pitarkën për shpifje dhe dëmtim imazhi appeared first on Gazeta Si.

❌
❌