PZAP hedh poshtë si të pasafatshme ankesën e PDK-së për votat nga diaspora
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka hedhur poshtë si të pasafatshme ankesën e Partisë Demokratike të Kosovës, e cila kërkoi anulimin e fletëvotimeve të pranuara me postë pas datës 29 dhjetor 2025.
Paneli i përbërë nga gjyqtarët Kujtim Pasuli, Hidajete Gashi Alaj dhe Skender Çoçaj, konstatoi se ankesa është parashtruar jashtë afatit ligjor prej 48 orësh.
“Hedhet e pasafatshme ankesa ZP.Anr.69/2025, e datës 08.01.2026, e parashtruar nga subjektit politik Partia Demokratike e Kosovës (PDK), me seli në Prishtinë, me të cilën ka kërkuar që të urdhërohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) që të anuloj të gjitha fletëvotimet të pranuara me postë pas datë 29.12.2025 dhe të përjashtoj nga numërimi të gjitha fletëvotimet të pranuara pas këtij afati përfshirë ato të pranuara me 02.01.2026 dhe 05.01.2026, për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvend të Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025”, thuhet në vendimin e PZAP-së.
Sipas PZAP shkelja e supozuar ka ndodhur më datat 2 dhe 5 janar 2026 (kur janë tërhequr pakot), derisa ankesa në PZAP është dorëzuar më 8 janar 2026. Për pasojë, paneli e hodhi ankesën pa e shqyrtuar bazueshmërinë e saj lëndore.
PDK kishte pretenduar se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka shkelur Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme duke numëruar fletëvotime që kanë arritur në kutitë postare më 2 dhe 5 janar 2026.
Në përgjigjen e saj, KQZ-ja u mbrojt duke argumentuar se ndryshimi i afateve ishte i domosdoshëm për të garantuar të drejtën e votës për diasporën, për shkak të festave të fundvitit dhe vonesave postare; Dështimit të kontraktimit të operatorit ekonomik për shërbime postare në kohë dhe faktit që në disa shtete (si Zvicra), data 29 dhjetor nuk ishte ditë pune.
KQZ theksoi se ky vendim ishte marrë me votat e të gjithë anëtarëve dhe ishte bazuar në ligjin që i lejon KQZ-së të ndryshojë afatet në rrethana të zgjedhjeve të parakohshme.
Tani Partia Demokratike e Kosovës ka të drejtë të ankohet kundër vendimit të PZAP në Gjykatën Supreme të Kosovës brenda 48 orëve nga momenti i pranimit të vendimit.
