Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 5 January 2026Main stream

Numërohen mbi 70 për qind e votave me postë, ky është përditësimi i fundit nga KQZ-ja

5 January 2026 at 00:00


Procesi i numërimit të votave me postë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po shkon drejt fazës përfundimtare.

Sipas përditësimit të fundit, deri më tani janë procesuar 68 nga 92 njësitë e votimit, që përfaqësojnë 73.91 për qind të totalit të votave me postë.

Nga rezultatet e deritanishme, Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të prijë bindshëm në votat e diasporës, duke siguruar 72.39 për qind të tyre, respektivisht 14,098 vota.

Në vendin e dytë renditet Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 10.57 për qind të votave, apo 2,058 vota.

Pas saj vjen Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 8.24 për qind, që përkthehet në 1,605 vota.

Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka marrë 4.67 për qind të votave me postë, duke siguruar gjithsej 909 vota.

Numërimi i pjesës së mbetur të votave pritet të përfundojë në ditët në vijim, ndërsa rezultatet përfundimtare do të certifikohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Lagje të mëdha të Pejës tash e katër ditë pa energji elektrike, KEDS nuk përgjigjet

4 January 2026 at 23:06


Bashkësi të mëdha territoriale dhe disa lagje të qytetit të Pejës tash e katër ditë po përballen me mungesë të energjisë elektrike.

Në Bashkësinë Territoriale “Karagaçi”, lagje të tëra kanë mbetur pa energji elektrike për katër ditë me radhë, duke e pritur kështu edhe ndërrimin e moteve në errësirë.

Ndërkohë, në lagjen “Tabhane”, në rrugë si “Fatmir Uka”, banorët po furnizohen me energji elektrike vetëm nga një fazë, çka ka nxjerrë jashtë funksionit sistemet e ngrohjes dhe pajisjet shtëpiake.

Banorët dhe komuniteti lokal kanë deklaruar për “RADIO 1” se kompania KEDS nuk po u përgjigjet kërkesave dhe thirrjeve të tyre, as në Pejë e as në qendrën e saj në Prishtinë.

Yesterday — 4 January 2026Main stream

Dy të plagosur në Podujevë, policia jep detaje

4 January 2026 at 22:32


E plotësuar: Nga QKUK flasin për gjendjen e personave të plagosur në Podujevë

Personat e plagosur sonte më 04.01.2026 pas të shtënave me armë zjarri në Podujevë janë jashtë rreziku për jetën.

Sipas mjekut kujdestar në Klinikën Emergjente të QKUK-së, Ejup Govori, plagët janë të lehta dhe gjendja e viktimave është stabile.

“Rreth orës 21:30 janë pranuar dy persona të lënduar nga arma e zjarrit. Lëndimet janë të lehta, në ekstremitet e poshtme – këmbë. Do të pastrohen plagët dhe do të lirohen në shtëpi. Gjendja e tyre është stabile”- tha Govori.

-------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------

Dy persona janë plagosur mbrëmjen e së dielës në Podujevë.

Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka bërë të ditur se njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, pas raportimit për persona të lënduar.

Ndërsa personat e lënduar janë dërguar për trajtim mjekësor në QKUK.

Sipas Policisë, në lidhje me këtë rast janë arrestuar dy persona të dyshuar, ndërsa rasti është cilësuar si “vrasje në tentativë”.

Hetimet janë në vazhdim e sipër./Telegrafi.

Haradinaj pas deklarimit të Vuçiqit: Armiqtë e Amerikës janë miqtë e Serbisë

4 January 2026 at 21:45


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka kritikuar të dielën arrestimin e presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke deklaruar se rendi juridik ndërkombëtar dhe Karta e Kombeve të Bashkuara “nuk funksionojnë më”.

Duke folur për media në Beograd, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë, Vuçiq tha se në politikën globale sot mbizotëron “ligji i forcës”.

“Në botë sot mbizotëron ligji i forcës, ligji i të fortit. Ky është i vetmi parim i politikës bashkëkohore që ekziston sot në botë”, deklaroi Vuçiq.

Shtetet e Bashkuara arrestuan Maduron dhe bashkëshorten e tij gjatë një operacioni të shpejtë të shtunën në mëngjes, ndërsa njëkohësisht ndërmorën sulme ajrore në disa lokacione, duke tronditur kryeqytetin Karakas.

Ndaj deklaratave të Vuçiqit ka reaguar ish-ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj.

Përmes një postimi në platformën “X”, Haradinaj ka theksuar se rendi ndërkombëtar forcohet vetëm atëherë kur regjimet që shkelin sovranitetin e shteteve, shtypin demokracinë dhe eksportojnë paqëndrueshmëri përballen me përgjegjësi, e jo kur mbrohen.

“Armiqtë më të këqij të Amerikës, miqtë më të afërt të Serbisë. Rendi ndërkombëtar përforcohet kur përballen, jo mbrohen, regjimet që shkelin sovranitetin, shtypin demokracinë dhe eksportojnë paqëndrueshmëri”, ka shkruar Haradinaj.

Një nga argumentet kryesore për forcimin e bashkëpunimit me Venezuelën, të cilat i kanë paraqitur zyrtarët serbë, është fakti se Venezuela nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Në inaugurimin e Maduros si president në janar të vitit të kaluar mori pjesë kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, duke nxitur kritika nga Brukseli.

Në vitin 2023, Serbia dhe Venezuela nënshkruan marrëveshje për heqjen e vizave dhe paralajmëruan hapjen e ambasadës serbe në këtë vend, i cili kufizohet me Kolumbinë, Brazilin dhe Guajanën.

Regjimi venezuelian ndodhet nën sanksione nga Bashkimi Evropian, anëtarësimit të të cilit Serbia i synon, si dhe nga Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja./Telegrafi.

Mbi 60 për qind të votave me postë të numëruara, këto janë rezultatet

4 January 2026 at 21:34


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar rezultatet e deri tani të votimit me postë, ku Lëvizja Vetëvendosje (VV) prin qartë.

Me mbi 61% të votave të numëruara, VV ka siguruar 72.55% të votave, apo 11,786 vota.

Në vendin e dytë renditet Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 10.84% apo 1,761 vota, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 8.00% apo 1,299 vota.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka marrë 5.30% të votave, përkatësisht 861 vota.

Sipas KQZ-së, deri në publikimin e rezultateve janë numëruar 57 nga 92 kutitë e votimit me postë, që përbën 61.96% të totalit.

Qendra të reja emigrimi: Mes atyre që përdorën Shqipërinë si tranzit edhe 100 rusë

4 January 2026 at 20:40


Shqipëria e ka gati planin kombëtar të kontigjencës për migrantët e paligjshëm që botuar në fletoren zyrtare në fund të dhjetorit, duke përshkruar detyrat që duhet të përmbushen nga 2026 deri 2028.

Nëse lëvizjet migratore do të jenë normale autoritetet kanë në dispozicion një vlerë indikative prej 195 milionë lekë. Por nëse situata ndryshon dhe kalohet në skenarin e kuq, pra në krizë migrantësh, domethënë tej kapaciteteve shtetërore kostoja shkon në 708 milionë lekë.Në këtë strategji përfshihet hapja e qendrave të reja pritëse në rast emergjence të migracionit të parregullt.

Megjithatë pranohet një trend në ulje i kalimeve të paligjshme të kufirit që nga viti në vit nga 178 mijë migrantë ka zbritur në 63 mijë. Shumica e të huajve konstatohet se përdorën kufirin e gjelbër me Greqinë duke e parë si urë kalimi Shqipërinë ndërkohë që duke synuar vendet e BE, migrantët kishin si portë daljeje Malin e Zi dhe Kosovën.

Në këtë dokument zyrtar portretizohet fluksi migratorë që përpos afganëve, sirianëve dhe shtetasve të tjerë nga lindja e mesme, vërehet një trend tjetër i shtetasve që udhëtojnë nga Egjipti dhe Nepali, në vetëm një rast një shtetas nga Kamboxhia mori statusin e refugjatit.

Shumica e të huajve konstatohet se kaluan kufirin e gjelbër me Greqinë për të hyrë në Shqipëri që e përdorën si urë kalimi me destinacion të radhës Malin e zi dhe Kosovën por me synim vendet e Bashkimit Europian.

Një tjetër mënyrë për të udhëtuar drejt BE është abuzimi me vizat e punës.

Bëhet fjalë për punëtorë të kontraktuar nga India, Filipine, Bangladeshi dhe Sri Lanka, ndërkohë që rezulton se edhe turqit po e keqpërdorin liberalizimin e vizave. Si fakt jepet shifra prej 8600 shtetas turq të konstatuar por nuk mungojnë edhe kinezët 1050 të tillë të konstatuar, 250 shtetas mongolë dhe 100 rusë.

Në dokument jepet informacion edhe për afganët që janë me mbrojtje të përkohshme në Shqipëri.

Referuar aplikimeve për mbrojtje të përkohshme, përmendet se në total 9 470 shtetas afganë kanë tërhequr aplikimet e tyre, kurse autoriteti përgjegjës për azilin dhe refugjatët rezulton se ka lëshuar 7565 vendime për përfundimin e mbrojtjes së përkohshme. Aktualisht janë ende nën mbrojtjen e përkohshme në Shqipëri 549 qytetarë afganë.

Kosova: Shtet me dhjetëra pozita në detyrë

4 January 2026 at 20:09


Duke filluar nga Qeveria që për gati një vjet është në detyrë, në një linjë vec pak më ndryshe janë edhe dhjetëra institucione shtetërore, të cilat po funksionojnë me ushtrues detyre.

Në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve me ushtrues detyre është pozita e drejtorit të Përgjithshëm të Thesarit, Njësisë për inteligjencë Financiare, Agjencisë Qendrore të Prokurimit dhe Inspektorati Qendror i Punës.

Në atë të Drejtësisë, janë Avokatura Shtetërore, Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, Agjencia për Ndihmë Juridike Falas, Instituti për Mjekësi Ligjore dhe Inspektorati për Mbikëqyrjen e Punës së Institucioneve Korrektuese dhe Drejtorive Rajonale Sprovuese.

Ndërkohë që në MPB, me ushtrues detyre është Akademia e Kosovës për Siguri Publike dhe Agjencina e Regjistrimit Civil.

Dhjetra pozita janë edhe brenda ministrive të tjera, që nuk kanë arritur të dalin jashta ushtruesit të detyrës.

Si pasojë e mungesës së funksionimit të Kuvendit të Kosovës, së fundmi i ka përfunduar mandati edhe avokatit i Popullit dhe pesë zëvendësit e tij, por që sipas ligjit ai vazhdon të jetë në krye të detyrës, deri të emërohet dikush tjetër.

Jo funksional për shkak të mungesës së bordit vazhdojnë të jenë edhe Komisioni i Pavarur për Media, e bordi i RTK-së.

Ndër pozitat më të rëndësishme që është me ushtrues detyre, por që së fundmi është ndërruar emri, është ajo e kryeprokurorit të shtetit.

Nga prilli i vitit 2022, e deri më 2025 Besim Kelmendi ishte ushtrues detyre i kryeprokurorit të shtetit. Mes polemikave të shumta, ai u shkarkua nga Këshilli prokurorial e që në vend të tij, u caktua Agron Qalaj.

Procesi i pozitës së kryeprokurorit ka mbetur pezull, meqë KPK-ja nuk pajtohet edhe më tutje me mosdekretimin e Blerim Isufajt nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Edhe Korporata Energjetike e Kosovës mbetet edhe më tutje pa kryeshef ekzekutiv fuqiplotë që dy vjet e gjysmë.

Që nga Prilli 2023, pas arrestimit, suspendimit e më vonë shkarkimit të ish-kryeshefit Nagip Krasniqi, ndërmarrja kryesore energjetike në vend është duke funksionuar me ushtrues detyre.

Prej shkarkimit të Evetar Zeqirit, në maj të 2025 edhe KOSST, vazhdon të udhëheqet me ushtrues detyre të kryeshefit ekzekutiv.

U.d ka edhe drejtoria e përgjithshme e Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës.

Vazhdimisht shoqëria civile në Kosovë, ka kritikuar qasjen e ekzekutivit duke thënë se po abuzohet me pozitat me ushtrues detyre.

- YouTube www.youtube.com

“Thonë kryhet puna, askush s’vjen” – Fshatrat e Podujevës pa rrymë

4 January 2026 at 19:56


Shishen me bezninë e mban afër vetes për t’u siguruar që gjeneratori të mos fiket.

E kur atë e mbush, gjeneratorin shpesh edhe e shkëmbejnë me fqinjët, që të gjithë të mund t’a përdorin energjinë elektrike për pak kohë.

Kështu po ia dalin banorët e fshatit Revuq të Podujevës pas përballjes me reduktimet e ashpra të energjisë elektrike.

‘’Na vjen shumë keq, jemi tubu i gjithë fshati, na duhet një e ardhme më e mirë ja me e lëshu fshatin të gjithë. Për Vit të Ri s’kemi pas, veç një fazë ka pas e edhe ajo s’i ka plotësu. Veç u dufke me dal qytet, as me mërgimtarë s’kemi fol, as programe televizive s’kem mujt me pa’’, ka thënë Idriz Mustafa – Banor i fshatit Revuq.

E kërkesat e tyre, po hasin në vesh të shurdhër.

‘’Ne kemi bë dy herë kërkesë për me rregullu, nënshkrime po kurrfar1% zgjidhje s’ka pas për neve. Kemi mbet në gjendje të rëndë. Kërkesa jonë ka qenë me pas një trafo që ky fshati ynë të ketë rrymë 220 qysh është normal. Qe 10 herë e kemi thirrë. Na thotë kryhet puna, kërkush nuk vjen me ndreq. Kemi mbet pa rrymë, asnjë pajisje s’funksionon’’, ka thënë Idriz Mustafa – Banor i fshatit Revuq.

Me probleme të po të njëjtës natyrë po përballet edhe fshati Balloc i kësaj komune, tash e thuajse dy javë.

‘’Është shumë problem marrë parasysh që tash na kanë ardh edhe mërgimtarët. Në fshatin tone, në këtë lagje nuk ka energji elektrike. Kemi të sëmutë rëndë që janë me oksigjen. Është situate alarmante dhe e papërballueshmne. Me KEDS-in, qe 10 ditë kemi adresu ankesa, asnjë ditë s’na kanë jep përgjigje të detajune, veç s’po e përballojnë kabllot’’, ka thënë Besmir Jaha – Përfaqësues i fshatit Balloc.

Por KEDS e mohon të mos ketë intervenuar e madje, edhe mungesën aktuale të rrymës.

“Ju njoftojmë se nuk ka pasur reduktime. Mirëpo, si pasojë e ngarkesës së lartë në këto fshatra, ka pasur djegie të siguresave të Tensionit te ulet dhe reagim të ndërprerësit ne kete tension. Ekipet tona çdo herë kanë intervenuar duke rregulluar prishjet që janë shkaktuar. Reduktim apo kufizim të furnizimit me energji elektrike nuk ka pasur”, ka thënë Bleona Dallaveraj – Zëdhënëse e KEDS.

Në ndërkohë, me reduktime të ashpra janë përballur edhe Komuna e Malishevës, Mamushës e Prizrenit.

- YouTube www.youtube.com

Pritjet kufitare për hyrje-dalje nga Kosova, kjo është gjendja aktuale

4 January 2026 at 19:49


Qarkullimi në pikat e kalimit kufitar po zhvillohet kryesisht pa vonesa të mëdha.

Sipas të dhënave të përditësuara, pritjet për hyrje si për automjete ashtu edhe për kamionë janë minimale, kryesisht nga 3 deri në 5 minuta, pa kolona të evidentuara.

Megjithatë, në disa pika ka pritje më të gjata në dalje për automjete. Në Dheu i Bardhë pritjet arrijnë deri në 30–40 minuta me kolonë rreth 300 metra, ndërsa në Merdarë raportohen vonesa prej 60–70 minutash dhe kolonë rreth 500 metra. Në Jarinjë, pritjet në dalje janë 20–30 minuta me kolonë rreth 100 metra.

Pikat e tjera kufitare, përfshirë Bërnjakun, Glloboçicën, Hanin e Elezit, Kullën, Muçibabën, Mutivodën, Qafën e Morinës, Qafën e Prushit, Stançiqin dhe Vermicën, po funksionojnë pa pritje apo kolona të theksuara.

Për kamionë, qarkullimi paraqitet i qetë në të gjitha pikat, pa vonesa dhe pa kolona.

(Të dhënat janë përditësuar më 04/01/2026, ora 19:25)



Trump publikon të dhëna për ndihmat sociale: 46% e familjeve nga Kosova në SHBA janë përfituese

4 January 2026 at 19:38


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka publikuar së fundmi në rrjetet sociale një tabelë me të dhëna statistikore mbi përfitimin e ndihmave sociale nga familjet emigrante në SHBA, duke rihapur debatin mbi politikat sociale dhe emigracionin.

Sipas të dhënave të shpërndara, rreth 46 për qind e familjeve me origjinë nga Kosova që jetojnë në Shtetet e Bashkuara përfitojnë forma të ndryshme të ndihmës sociale, përfshirë asistencën financiare, programet e strehimit dhe mbështetjen shëndetësore.

Kosova renditet në mesin e vendeve me përqindje relativisht të lartë të përfitimit nga këto skema, krahas disa shteteve të tjera nga Afrika, Azia dhe Amerika Latine.

Publikimi i këtyre shifrave vjen në një kohë kur administrata amerikane ka rikthyer në vëmendje nevojën për rishikimin e sistemit të ndihmave sociale, duke argumentuar se ai duhet të orientohet më shumë drejt nxitjes së punësimit dhe vetëqëndrueshmërisë ekonomike.

Nga ana tjetër, përfaqësues të diasporës shqiptare në SHBA theksojnë se këto statistika duhen parë në kontekst.

Sipas tyre, një pjesë e konsiderueshme e përfituesve janë familje të reja emigrantësh, refugjatë ose persona në fazat e para të integrimit, të cilët me kalimin e kohës bëhen kontribuues aktivë në tregun e punës dhe në ekonominë amerikane.

Vendi i origjinës

Përqindja e familjeve emigrante që përfitojnë ndihmë sociale

Bhutan – 81.4%
Republika Arabe e Jemenit (Veriore) – 75.2%
Somalia – 71.9%
Ishujt Marshall – 71.4%
Republika Dominikane – 68.1%
Afganistan – 68.1%
Kongo – 66.0%
Guinea – 65.8%
Samoa (1940–1950) – 63.4%
Kepi i Gjelbër – 63.1%
Irak – 60.7%
Armeni – 60.3%
Burma (Mianmar) – 59.2%
Mikronezi – 58.1%
Zair – 56.9%
Guatemalë – 56.5%
Sudan – 56.3%
El Salvador – 55.4%
Bangladesh – 54.8%
Tonga – 54.4%
Meksikë – 54.0%
Uzbekistan – 53.9%
Togo – 53.2%
Honduras – 52.9%
Amerika (e paspecifikuar) – 52.7%
Eritre – 52.7%
Haiti – 52.3%
Sudani i Jugut – 52.0%
Ekuador – 51.2%
Kamboxhia – 49.9%
Kubë – 49.6%

Kirgizi – 38.6%
Shën Vincent – 38.1%
Ganë – 37.9%
Bolivi – 37.8%
Azerbajxhan – 37.8%
Mali i Zi – 37.6%
Kamerun – 37.6%
Trinidad dhe Tobago – 37.1%
Liban – 36.9%
Afrikë (e paklasifikuar) – 36.9%
Afrikë Lindore (e paklasifikuar) – 36.8%
Xhamajkë – 36.7%
Tajlandë – 36.7%
Kazakistan – 36.5%
Kolumbi – 36.5%
Azore – 36.4%
Paraguaj – 35.3%
Kosta Rikë – 35.1%
Tjetër (e paklasifikuar) – 34.9%
Nepal – 34.8%
Uruguaj – 34.6%
Bahama – 34.0%
Tanzani – 34.0%
Barbados – 33.9%
Ish-BRSS/Rusi – 33.9%
BRSS (e paspecifikuar) – 33.5%
Nigeri – 33.3%
Maqedoni – 33.0%
Kinë – 32.9%
Panama – 32.7%
Bosnjë – 32.4%
Brazil – 32.2%
Iran – 31.9%
Liberi – 48.9%

Algjeri – 48.1%
Siri – 48.0%
Jordani – 47.8%
Libi – 47.8%
Etiopi – 47.6%
Ruandë – 47.1%
Marok – 46.6%
Kosovë – 46.0%
Afrikë Perëndimore (e paspecifikuar) – 45.9%
Nikaragua – 45.5%
Republika e Gjeorgjisë – 45.4%
Dominikë – 45.1%
Sierra Leone – 43.6%
Vietnam – 42.9%
Samoa Amerikane – 42.9%
Ukrainë – 42.7%
Moldavi – 42.6%
Antigua-Barbuda – 41.9%
Belize/Honduras Britanik – 41.8%
Guajana/Gujana Britanike – 41.7%
Shën Lucia – 41.7%
Shqipëri – 41.3%
Fixhi – 40.8%
Grenadë – 40.7%
Gambi – 40.5%
Pakistan – 40.2%
Senegal – 39.7%
Tunizi – 39.7%
Afrikë Veriore (e paspecifikuar) – 39.7%
Egjipt/Republika Arabe e Bashkuar – 39.3%
Shën Kits-Nevis – 39.1%
Peru – 38.9%
Azi (e paklasifikuar) – 38.8%
Mongoli – 38.8%

Inditë Perëndimore (e paspecifikuar) – 30.5%
Karaibe (e paspecifikuar) – 30.1%
Islandë – 29.5%
Venezuelë – 29.4%
Kili – 29.3%
Lituani – 29.2%
Kenia – 28.5%
Portugali – 28.2%
Zambi – 28.0%
Kore – 27.2%
Amerika e Jugut – 26.7%
Argjentinë – 26.2%
Izrael/Palestinë – 25.9%
Arabia Saudite – 25.7%
Bermuda – 25.5%

Lufta hibride dhe spiunazhi në Kosovë, flet Kurti

4 January 2026 at 18:18


Situata e sigurisë në Kosovë është më e mirë krahasuar me vitet e kaluara, ndërsa rreziku nga aktivitetet e spiunazhit është në rënie, falë koordinimit të shtuar ndërinstitucional, thotë kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Në intervistë për KP, të parën pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, Kurti thotë se gjatë viteve 2024 dhe 2025 ka pasur bashkëpunim të ngushtë ndërmjet institucioneve të sigurisë, inteligjencës dhe drejtësisë, çka ka rezultuar me arrestime dhe ndjekje penale në raste të dyshuara për spiunazh.

Gjatë vitit 2025, si rrjedhojë e angazhimit të Policisë së Kosovës, Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë dhe institucioneve tjera të sigurisë, janë zbuluar disa raste të dyshuara për spiunazh ku ka pasur edhe të arrestuar, masa paraburgimi dhe ngritje aktakuzash nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Vitin që lamë pas janë arrestuar: Fatmir Sheholli, i cili u arrestua më 9 tetor 2025 në Prishtinë nën dyshimet për veprën penale të spiunazhit, Bojan Jevtiq - toger i Policisë së Kosovës i cili shërbente si shef operativ në policinë kufitare në pikën “Dheu i Bardhë”, Hysri Selimi, i cili u arrestua më 6 maj 2025 nën dyshimet për kryerje të veprës penale të spiunazhit në bashkëpunim me Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA) dhe Jelena Gjukanoviq, zyrtare e misionit të OSBE-së në Kosovë – e cila u arrestua më 28 shkurt 2025 nën dyshimet për spiunazh dhe fillimisht u ndalua për 48 orë nga Prokuroria Speciale pas hetimeve disa mujore.

Kurti thotë se bahskëpunimi ndërinstitucional, kurorëzuar me rezultate konkrete, kanë ndikuar drejtpërdrejt në parandalimin e përpjekjeve për sabotim, dezinformim dhe destabilizim të vendit, si dhe në mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Nënvizon se Kosova është përballur jo vetëm me kërcënime të drejtpërdrejta, por edhe me një luftë hibride, të cilën ai e cilësoi si konkrete dhe të organizuar, duke përmendur Serbinë dhe aleatët e saj, përfshirë Federatën Ruse, si burime të këtyre përpjekjeve destabilizuese.

“Është shumë mirë që në vitet 2024 dhe 2025 ka pasur një koordinim ndërinstitucional midis organeve të sigurisë, të inteligjencës dhe të drejtësisë, në ndjekjen e rasteve të tilla kur kemi pasur të bëjmë me spiunazh, i cili reflektohet shumë në sabotim dhe dezinformim, në përpjekje për destabilizim të vendit, të sistemit tonë politik, të cenimit të sovranitetit e të integritetit territorial. Dhe ne kemi qenë si qeveri gjithmonë në mbështetje të kësaj ndërmarrje, e cila është e re në vendin tonë dhe e cila na gëzon shumë për sigurinë në shtetin tonë. Veçse në anën tjetër, edhe na vjen një çikë keq që nuk ka ndodhur në të kaluarën. Pra, Serbia dhe aleatët e saj, në radhë të parë Federata Ruse me presidentin despotik Putinin, nuk kanë zhvilluar vetëm luftë me sulme kinetike, me sulme terroriste, me agresion shtetëror, ku e kanë vënë në shërbim edhe xhandarmërinë, policinë, ushtrinë, e sidomos shërbimin e tyre sekret BIA, por ata njëkohësisht kanë bërë edhe një luftë hibride, që nuk është abstrakte, por është konkrete”, thotë Kurti.

Thotë se falë koordinimit të shtuar ndërinstitucional, rreziku nga aktivitetet e spiunazhit është në rënie.

“Besoj që rreziku është më i vogël se ç'ishte më herët dhe është duke u zvogëluar. Nuk e kemi ditur se sa në rrezik të madh kemi qenë, por tash nga të gjithë ata që u arrestuan për spiunazh, të gjithë janë ose në paraburgim, ose tashmë të dënuar. Dhe ju e dini që ne në Kosovë e kemi edhe EULEX-in që monitoron proceset gjyqësore. Kosova është vendi më demokratik në Evropën Juglindore që ende nuk është i integruar në Bashkimin Evropian, në Ballkanin Perëndimor siç quhet ndryshe, dhe këtu janë duke u zhvilluar procese gjyqësore fer, korrekt, të drejta. Prandaj qytetarët nuk kanë arsye për brengë, por natyrisht që institucionet e shtetit kanë shumë arsye për të qenë vigjilentë për shkak se lufta hibride e Serbisë shprehet shumë në përpjekjet destabilizuese, dezinformative dhe sabotuese të akterëve të ndryshëm, të cilët nuk janë të lidhur vetëm me Beogradin zyrtar, por edhe me Kremlin-in, i cili po e përdor Serbinë si një mjet për destabilizimin dhe cenimin e paqes dhe të sigurisë në gadishullin ballkanik”, thotë ai.

Tensione para Kryeministrisë, përplasje mes protestuesve të “Shqipëria Bëhet” dhe policisë

4 January 2026 at 17:17


Situata është tensionuar sërish para Kryeministrisë, ku protestuesit e lëvizjes “Shqipëria Bëhet” janë përplasur me efektivët e Policisë së Shtetit.

Përplasjet kanë ndodhur pasi policia ka ndërhyrë për të hequr çadrat që ishin vendosur më herët nga aktivistët në zonën e protestës. Si pasojë e ndërhyrjes, janë krijuar momente tensioni mes forcave të rendit dhe protestuesve.

Në pamjet e siguruara nga A2 CNN, shihen efektivët e policisë teksa përplasen me protestuesit, ndërsa kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, dëgjohet duke thënë: “Turp, turp-turp”.

Pamjet tregojnë gjithashtu protestuesit duke kundërshtuar ndërhyrjen e policisë dhe duke u përballur drejtpërdrejt me efektivët në terren.

Ende nuk ka informacion zyrtar për persona të lënduar apo të shoqëruar në polici, ndërsa situata vijon të monitorohet nga forcat e rendit.

Rasti “Banjska” drejt aktgjykimit, avokati Rudari kërkon burgim të përjetshëm për të akuzuarit

4 January 2026 at 17:13


Procesi gjyqësor për rastin e sulmit terrorist në Banjskë ndodhet në fazën përfundimtare dhe pritet që së shpejti të shpallet aktgjykimi.

Gjatë vitit të kaluar, në këtë proces kanë dëshmuar mbi dhjetë dëshmitarë, përfshirë edhe zyrtarë policorë që ishin pjesë e njësisë së Policisë së Kosovës e cila u sulmua nga grupi i armatosur serb.

Në mesin e dëshmitarëve ka qenë edhe zyrtari policor Alban Rashiti, i cili përfaqësohet nga avokati Naim Rudari. Ky i fundit, në një deklaratë për KosovaPress, ka thënë se procesi mbetet sfidues për shkak se nuk është aplikuar gjykimi në mungesë, megjithatë sipas tij ekzistojnë prova të mjaftueshme që të akuzuarit të dënohen me burgim të përjetshëm.

Sulmi terrorist ndodhi më 24 shtator 2023 në Banjskë të Zveçanit, ku Policia e Kosovës u përball me një grup të armatosur. Nga ky sulm mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku nga Vushtrria, ndërsa u plagos zyrtari policor Alban Rashiti dhe u lënduan edhe Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu dhe Sedat Dushi.

Prokuroria Speciale e Kosovës, më 11 shtator 2024, ngriti aktakuzë ndaj 42 personave, ku si i akuzuar kryesor figuron Milan Radoiçiq, i cilësuar si udhëheqës i grupit terrorist. Sipas aktakuzës, të pandehurit akuzohen për veprën penale “kryerja e veprës terroriste” dhe “veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, ndërsa disa prej tyre edhe për financim të terrorizmit dhe shpëlarje parash.

Aktualisht, në këtë rast po gjykohen Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq, të cilët kanë mohuar akuzat para trupit gjykues.

Avokati Rudari ka bërë të ditur se ka parashtruar kallëzim penal ndaj dy dëshmitarëve, për të cilët pretendon se kanë dëshmuar rrejshëm, si dhe ndaj pronarit dhe drejtorit të hotelit “Rajska Banja”, që ndodhet në afërsi të vendit ku ndodhi sulmi.

Sipas tij, disa dëshmitarë kanë ndryshuar deklaratat e dhëna në fazën parapenale, duke hezituar të dëshmojnë në gjykatë, ndonëse më herët kishin pohuar se kanë ndihmuar anëtarët e grupit të armatosur, përfshirë ndërrimin e rrobave dhe largimin e tyre nga hoteli drejt rrugëve alternative dhe pikave kufitare.

Rudari thekson se tani pritet dëgjimi i dëshmitarëve të mbrojtjes, ndërsa më pas do të procedohet me provat materiale, përfshirë video-incizime të shumta, dhe me marrjen në pyetje të të akuzuarve, para se të jepet fjala përfundimtare dhe të shpallet aktgjykimi.

Edhe Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare vlerëson se ka prova të mjaftueshme për këtë rast dhe se gjatë vitit 2026 pritet epilogu i shkallës së parë.

“Ka mjaftueshëm prova, pasi të akuzuarit janë arrestuar në ditën e sulmit, të armatosur dhe të përfshirë drejtpërdrejt në ngjarje. Gjykata ka sfida në sigurimin e dëshmitarëve shtetas serbë, por besojmë se rasti do të marrë epilogun e parë gjatë këtij viti”, ka deklaruar Alija.

Serbia, ndërkohë, ende nuk ka dorëzuar personat e përfshirë në sulmin e Banjskës, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme nga autoritetet e Kosovës dhe disa aleatë ndërkombëtarë.

Pas përfundimit të operacionit policor, Policia e Kosovës kishte ekspozuar sasinë e madhe të armatimit të konfiskuar në Banjskë, përfshirë artileri të rënda, automjete të blinduara, pajisje komunikimi, granat-hedhës, kamera, dokumente dhe simbole nacionaliste.

Çështja e presidentit, Kurti: Ekziston mundësia jo vetëm teorike, por edhe praktike që të shkojmë sërish në zgjedhje

4 January 2026 at 16:48


Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, thotë se ekziston mundësia jo vetëm teorike, por edhe praktike që Kosova të shkojë prapë në zgjedhje, në rast se nuk arrijnë ta zgjedhin presidentin e ri.

Katër muaj para se t’i skadojë mandati presidentes aktuale, Vjosa Osmani, Kurti është më i matur nëse e përkrahin Osmanin edhe për një mandat tjetër pesëvjeçar. Sipas tij, një test dhe indikacion se si mund të ecet përpara edhe në çështjen e presidentit është miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, për të cilat nevojitet mbështetje edhe e deputetëve të opozitës.

Kurti, në një intervistë për KosovaPress, thotë se fillimisht duhet konstituimi i Kuvendit, formimi i qeverisë, miratimi i buxhetit dhe pastaj të mendohet për çështjen e zgjedhjes së presidentit.

“Nëse nuk arrijmë ta zgjedhim presidentin, ose ta rizgjedhim presidenten, e afati i fundit për këtë gjë është 4 marsi, nëse nuk e kemi të kaluar paraprakisht buxhetin për vitin 2026, ne as nuk mund të mbajmë zgjedhje të reja. Se natyrisht ekziston mundësia, jo vetëm teorike, por edhe praktike, që ne të shkojmë prapë në zgjedhje, në rast se nuk arrijmë ta rizgjedhim presidenten. Por në një situatë të tillë duhet të jemi të gatshëm, pikërisht duke e pasur buxhetin e votuar. Prandaj unë po them, nuk është e shëndetshme të flasim për hapin e katërt pa i trajtuar mirë dhe kaluar këta tre të parët”, thotë ai.

Kurti, i cili është edhe lider i LVV-së, parti e cila sipas rezultateve preliminare të KQZ-së ka mbi 50 për qind të votave në zgjedhjet e 28 dhjetorit, e konsideron të nevojshëm takimin me Osmanin për të diskutuar interesimin e saj për një mandat tjetër në krye të vendit.

Sipas tij, sigurimi i 80 deputetëve në sallë në momentin e zgjedhjes së presidentit është një vështirësi e konsiderueshme.

“Tash, ne e kemi parë deklarimin e presidentes. Së pari duhet ta formojmë Kuvendin dhe qeverinë. Gjithashtu duhet të votojmë buxhetin. Unë besoj që këto janë hapat më të rëndësishëm. Pra, janë tre hapa para se të vijmë te rizgjedhja e presidentes. Dhe unë besoj që nga këta tre hapa ne do t’i shohim se si janë gjasat përpara. Unë kam deklaruar që është e rëndësishme që po ashtu të ulemi me presidenten dhe të diskutojmë të gjitha gjërat. Nevojitet ky takim për shkak se 80 veta në sallë është vështirësi e konsiderueshme. Ju po e keni parasysh që herën e kaluar s’i bëmë dot 61. 80 është numër shumë më i madh se 61. Dhe përderisa kësaj radhe ne 61 i kemi, 80 nuk i kemi. Dhe këto marrëveshje ndërkombëtare, të cilat po përpiqemi t’i kalojmë sa më shpejt, unë besoj që gjithashtu do të mund të na japin indikacione për rrugën përpara. Por nuk besoj që është e drejtë, as e dobishme, që të flasim për hapin e katërt pa i parë këta tre të parët”, deklaron ai.

Duke folur për mundësitë që partitë e opozitës, dhe veçanërisht LDK-ja, të qëndrojnë në sallën plenare kur votohet presidenti, Kurti tha se nuk e di se çfarë qëndrimesh do të mbajnë partitë e opozitës në javët dhe muajt në vijim.

“Për besë nuk e di. Ky viti 2025, me një qasje bllokuese e barrikaduese të partive opozitare, më ka çuditur edhe mua. Po të më thoshte dikush para një viti që viti 2025 do të ishte ashtu siç u bë, mund të dukej me shumë pak gjasa ose pa asnjë gjasë. Mirëpo ja që ndodhi. Prandaj unë nuk e di çfarë qëndrimesh do të mbajnë partitë opozitare në javët dhe muajt në vijim. A është e qartë që as marrëveshjet ndërkombëtare dhe as rizgjedhjen e presidentes, zgjedhjen e presidentit, ne nuk mund t’i kalojmë pa pasur edhe deputetë nga opozita. Ndërkohë që bllokadat sa i përket konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë i ka larguar populli me 28 dhjetor”, thekson ai.

Doktrina e re e SHBA-së trazon Beogradin: Pse është i shqetësuar Vuçiq?

4 January 2026 at 16:44


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thirrur më 4 janar një seancë urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, duke urdhëruar shërbimet shtetërore të sigurisë dhe diplomacisë që të analizojnë Strategjinë e re të Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të publikuar në dhjetor 2025.

Sipas burimeve të njohura me diskutimet, direktiva përfshin Ministrinë e Punëve të Jashtme, Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit (BIA) si dhe Agjencinë e Inteligjencës Ushtarake (VOA), të cilat janë ngarkuar të përgatisin vlerësime të shpejta mbi ndikimin e kësaj doktrine në Serbi dhe në Ballkanin Perëndimor.

Ky veprim vjen në një kohë të rritjes së shqetësimeve në Beograd se prioritetet strategjike të Uashingtonit po zhvendosen, duke vënë në pikëpyetje nivelin e angazhimit amerikan në Evropë dhe në rajon.

Strategjia e re amerikane

Strategjia e Sigurisë Kombëtare, e shpallur nga administrata e dytë e presidentit amerikan Donald Trump, shënon një kthesë të theksuar drejt qasjes “Amerika e Para”, duke u fokusuar në interesat ekonomike, dominimin strategjik dhe konceptin e “paqes përmes forcës”.

Dokumenti redukton theksin në promovimin e demokracisë dhe multilateralizmin, ndërsa kritikon aleatët evropianë për shpenzime të ulëta në mbrojtje dhe dobësi strukturore. Po ashtu, ai sinjalizon një ridrejtim të vëmendjes amerikane drejt Hemisferës Perëndimore.

Një zyrtar i lartë serb, duke folur në kushte anonimiteti, ka deklaruar se “angazhimi i përhershëm i SHBA-së në Evropë nuk mund të merret më si i mirëqenë”.

Venezuela dhe shqetësimet në Beograd

Urgjenca e thirrjes së Këshillit të Sigurisë lidhet edhe me zhvillimet e fundit në Venezuelë, ku SHBA-ja ndërmori një operacion ushtarak të shpejtë që çoi në rrëzimin e presidentit Nicolás Maduro më 3 janar.

Duke komentuar këtë zhvillim, Vuçiq deklaroi se rasti i Venezuelës është dëshmi se rendi ligjor ndërkombëtar po dobësohet. “Është bërë e qartë se rendi ndërkombëtar nuk funksionon më si më parë. Forca po merr përparësi ndaj ligjit”, tha ai.

Brenda Këshillit, operacioni amerikan u vlerësua si precedent që tregon se fuqitë e mëdha mund të veprojnë jashtë kornizave tradicionale të OKB-së kur interesat e tyre strategjike janë në rrezik.

Pasoja për Ballkanin dhe Kosovën

Analistët vlerësojnë se shqyrtimi i doktrinës së re amerikane nga Serbia synon të kuptojë nëse Ballkani Perëndimor po humb prioritetin në politikën e jashtme të SHBA-së. Një angazhim më selektiv amerikan mund të krijojë hapësira për paqëndrueshmëri në rajon, veçanërisht në raport me çështjet e pazgjidhura.

Në këtë kontekst, Kosova mbetet një element kyç në llogaritjet strategjike, edhe pse kjo nuk artikulohet publikisht nga Beogradi. Burime diplomatike thonë se Serbia po synon të ruajë fleksibilitetin strategjik, duke balancuar rrugën drejt Bashkimit Evropian me marrëdhëniet me Rusinë dhe Kinën.

Planifikim mbrojtës, jo shkëputje

Autoritetet serbe theksojnë se ky proces nuk përfaqëson një largim nga bashkëpunimi me Perëndimin, por një masë planifikimi në kushtet e pasigurisë globale. Vuçiq ka paralajmëruar gjithashtu rritje të kapaciteteve ushtarake dhe të personelit, në atë që e cilëson si një periudhë të çrregullimeve ndërkombëtare.

Mesazh për Prishtinën

Sipas vëzhguesve, zhvillimet e fundit janë një sinjal edhe për Kosovën, në një mjedis gjithnjë e më transaksional të marrëdhënieve ndërkombëtare. Ekspertët vlerësojnë se Prishtina duhet të forcojë vazhdimisht komunikimin strategjik dhe partneritetin me SHBA-në dhe vendet kyçe evropiane, për të shmangur çdo paqartësi rreth angazhimit perëndimor në rajon.

Në një realitet ku vëmendja globale po fragmentohet, prania aktive dhe e qartë diplomatike mbetet thelbësore për ruajtjen e stabilitetit dhe sovranitetit, shkruan kosovodispatch, përcjell TheGeoPost.

Kurti: Nuk ka më pengesa për formimin e institucioneve të reja

4 January 2026 at 16:32


Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka shpjeguar faktorët që, sipas tij, ndikuan që LVV-ja të marrë mbi 50 për qind të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Në një intervistë ekskluzive për KosovaPress, Kurti tha se qytetarët e Kosovës e kanë kuptuar qartë se kush mbante përgjegjësi për krizën politike të vitit të kaluar, duke përmendur si moment kyç refuzimin e partive të ish-opozitës për të marrë pjesë në seancën ku duhej të miratohej buxheti i vitit 2026 dhe marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare.

Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 50.24 për qind të votave.

Kurti theksoi se refuzimi për miratimin e buxhetit, tri marrëveshjeve me Bankën Botërore dhe Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian, në vlerë mbi një miliard euro, ka ndikuar drejtpërdrejt në perceptimin e qytetarëve.

Ai shtoi se përveç krizës politike, faktor i rëndësishëm për rezultatin zgjedhor kanë qenë edhe zotimet e LVV-së gjatë fushatës, përfshirë premtime të reja që, sipas tij, kanë rritur entuziazmin qytetar dhe pjesëmarrjen në zgjedhje.

Kurti vlerësoi se LVV-ja nuk ka marrë votues nga partitë e tjera, por ka arritur një mobilizim të gjerë popullor, duke e cilësuar fitoren e 28 dhjetorit si fitore të popullit dhe të Republikës së Kosovës.

Duke folur për formimin e institucioneve, Kurti shprehu bindjen se procesi do të ecë shpejt, duke theksuar se mandati i ri sjell jo vetëm më shumë besim, por edhe më shumë përgjegjësi.

Ai e quajti fitoren të një përmase historike, duke thënë se ajo e tejkalon edhe rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, si në përqindje ashtu edhe në numër absolut votash.

Në lidhje me votën e diasporës, nga e cila LVV-ja ka marrë mbi 80 për qind të mbështetjes, Kurti tha se mërgata gjen te Vetëvendosja një lloj plotësimi për mallin për atdhe, përmes qëndrimeve politike që theksojnë sigurinë shtetërore dhe mirëqenien për të gjithë qytetarët.

Ai vlerësoi se diaspora dhe qytetarët brenda Kosovës nuk janë të ndarë shpirtërisht, por lidhen përmes përvojave të përbashkëta historike dhe familjare, përfshirë migrimin e detyruar për arsye ekonomike, politike apo si pasojë e luftës.

Kurti komentoi edhe rënien e Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila sipas rezultateve preliminare ka marrë 13.40 për qind të votave, rreth 50 mijë më pak se në zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit të kaluar.

Sipas tij, kjo rënie lidhet me perceptimin e qytetarëve se udhëheqja e LDK-së ka qenë bllokuese në procesin e formimit të institucioneve pas zgjedhjeve të kaluara.

Kurti përfundoi duke thënë se me rezultatin e 28 dhjetorit dhe zhvillimet e vitit 2025, nuk ekzistojnë më pengesa për ecjen përpara dhe formimin e institucioneve të reja.

Before yesterdayMain stream

Gjashtë persona të lënduar nga mjetet piroteknike po trajtohen në QKUK, njëri në gjendje të rëndë

1 January 2026 at 00:21


Gjashtë persona po trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) si pasojë e lëndimeve të shkaktuara nga mjetet piroteknike, gjatë natës së ndërrimit të motmoteve.

Drejtori i Emergjencës në QKUK, Naser Syla, ka bërë të ditur se dy nga të lënduarit kanë pësuar lëndime në fytyrë dhe në organet e të pamurit, ndërsa gjendja e njërit prej tyre është e rëndë.

Sipas tij, katër persona të tjerë janë paraqitur me lëndime në ekstremitetet e sipërme, kryesisht në duar.

Syla ka theksuar se përdorimi i mjeteve piroteknike gjatë kësaj nate ka qenë në sasi të madhe, duke rritur ndjeshëm rrezikun për lëndime serioze tek qytetarët.

Autoritetet shëndetësore vazhdojnë t’u bëjnë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar dhe shmangie të përdorimit të mjeteve piroteknike, për të parandaluar pasoja të rënda shëndetësore.

Telegrafi uron Vitin e Ri 2026!

31 December 2025 at 23:53


Redaksia e Telegrafi.com uron të gjithë lexuesit, bashkëpunëtorët dhe qytetarët kudo që ndodhen, një Vit të Ri 2026 të mbarë, me shëndet, paqe dhe suksese.

Në mesnatën e ndërrimit të viteve, Telegrafi përcjell urimet më të sinqerta për një vit më të mirë, me më shumë mirëqenie, stabilitet dhe shpresë për të ardhmen.

Edhe në vitin 2026, Telegrafi mbetet i përkushtuar të informojë me profesionalizëm, korrektësi dhe përgjegjësi, duke sjellë lajme të sakta dhe të verifikuara për publikun.

Gëzuar Vitin e Ri 2026!

Telegrafi telegrafi.com

Policia e AKI në aksion, sekuestrohen 20 mijë tableta ekstazi në vlerë 200 mijë euro, arrestohet një person

31 December 2025 at 23:30


Policia e Kosovës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Ora e Fundit”, duke goditur një rast të rëndë të trafikimit të narkotikëve dhe duke sekuestruar rreth 20 mijë tableta ekstazi me vlerë të përafërt rreth 200 mijë euro.

Operacioni është zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) – Sektori Qendror, në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), pas një pune intensive hetimore që ka zgjatur rreth një muaj.

Më 31 dhjetor 2025, rreth orës 19:00, njësitet policore kanë ndaluar një veturë me targa vendore në magjistralen Podujevë–Prishtinë, në afërsi të fshatit Trudë. Automjeti drejtohej nga një mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës.

Gjatë kontrollit policor, bazuar në dyshime të arsyeshme, në veturë janë gjetur dhe sekuestruar shtatë paketime me rreth 20 mijë tableta narkotike të llojit ekstazi (MDMA). Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se substanca narkotike është futur ilegalisht nga Serbia në territorin e Kosovës, me qëllim të shpërndarjes në tregun e brendshëm.

Si pjesë e veprimeve policore, është arrestuar një person i dyshuar, ndërsa përveç narkotikëve janë sekuestruar edhe prova të tjera materiale, përfshirë një veturë Daimler Chrysler E320 CDI, ngjyrë e zezë, me targa vendore.

Po ashtu, është bastisur banesa e të dyshuarit në Prishtinë, ku gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar tri qese të vogla najloni me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë.

Vlera e përafërt e narkotikëve të sekuestruar në tregun e zi vlerësohet rreth 200 mijë euro.

Me urdhër të Prokurorit kompetent, i dyshuari është ndaluar për procedura të mëtejme hetimore, ndërsa rasti po trajtohet si vepër penale e trafikimit të narkotikëve, në përputhje me legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se, përmes njësive antidrogë dhe në bashkëpunim me institucionet relevante, mbetet e përkushtuar në luftimin e krimit të organizuar dhe parandalimin e shpërndarjes së substancave narkotike, me synim garantimin e sigurisë publike dhe sundimit të ligjit në vend.

Reduktime të mundshme në disa komuna për natën e Vitit të Ri

31 December 2025 at 22:09


Në ndërrimin e mot-moteve, fishekzjarret pritet të jenë të vetmet elemente që do ndriçojnë disa nga rajonet.

Kjo pasi vala e reduktimeve të ashpra të energjisë elektrike pritet të jetë prezente edhe më 31 dhjetor.

E këtë e ka konfirmuar edhe KEDS duke shtuar se ka rritur numrin e njësive intervenuese në terren.

Ju njoftojmë se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme paraprake, si nga aspekti organizativ, teknik dhe logjistik në mënyrë që natën e ndërrimit të mot moteve të ketë furnizim stabil me energji elektrike, përkundër rritjes së lartë të konsumit dhe ngarkesës në rrjet në nivele të papara, krahasuar me vitet e kaluara.

Pra, ne kemi ndërmarrë dhe po ndërmarrim veprime në mënyrë që sistemi i shpërndarjes të përballojë këtë konsum të lartë, duke angazhuar, afro 500 punëtorë në terren dhe jo vetëm, në rast të ndonjë avarie të mundshme për intervenim të menjëhershëm.

Parashihet të ketë furnizim te rregullt me energji përkundër gjithë konsumit të lartë.

Vendet më të afektuara mund të jenë: Prizreni, Dragashi, Rahoveci, Shtimja, Xërxa, Malisheva, Theranda dhe Lipjan, si rrjedhojë e mungesës së kapaciteteve nga ana e transmisionit.

Dje me datën 29 dhjetor, ne ora 23:00 është arritur piku më i lartë në nivelin e shpërndarjes me një vlerë prej 1418më, e cila e tregon një rritje prej 7.5% nëse e krahasojmë me vitin e kaluar.

Për ekspert të energjisë, situata tregon një keqmenaxhim të kapaciteteve.

”Ramja e temperaturave dhe ardhja e diasporës në Kosovë ka bërë që kërkesa për energji elektrike të rritet duke shfaqur kështu anomalitë e rrjetit, mungesën e investimeve, kapaciteteve duke detyruar operatorët e rrjetit, KEDS dhe KOSTT të bëjnë ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike. Kapaciteti gjenerues i Kosovës maksimal është diku 850 megavat/orë kur janë të gjitha kapacitetet gjeneruese të A dhe B në funksion ndërsa kërkesa maksimale në kohë të pikut arrin diku tek 1500 megavat/orë. Ky dallim duhet mbuluar nga importi që vijnë nga vendet e rajonit ç’ka tregon shkallë të lartë të vartësisë energjetike por edhe një keqmenaxhim enorm që është bërë në këtë sistem”, ka thënë Adhurim Haxhimusa – Ekspert i energjisë.

Mes të tjerash, Haxhimusa vlerëson se situata të kësaj natyre rrisin nevojën për investime urgjente.

”Furnizimi stabil me energji elektrike kërkon kapacitete të reja gjeneruese të transmisionit dhe distribucionit. Ato sigurojnë ramjen e humbjeve qpftë komerciale, qoftë teknike, duke e ditë që 20 përqind e energjisë elektrike e cila prodhohet në Kosovë, humbet. Është e domosdoshme që të bëjmë një modernizim të sistemit elektroenergjetik, trafo dhe kabllo e njesorë të ri”, ka thënë Adhurim Haxhimusa – Ekspert i energjisë.

Sipas KEDS-it, zonat më të prekura javët e fundit nga reduktimet kanë qenë Gjilani, Rahoveci, Vitia, Gjakova, Prizreni, Malisheva, Suhareka dhe Mitrovica.

❌
❌