Rama vlerëson Abdixhikun edhe pas rezultatit të dobët të LDK-së: Shembull i lidershipit demokratik
Kryetari i Prishtinës, Perparim Rama ka reaguar pas rezultatit zgjedhor të LDK-së, ku ka vlerësuar punën e kryetarit Lumir Abdixhiku, duke e cilësuar atë si një shembull të lidershipit të përgjegjshëm dhe të orientuar nga standardet demokratike.
“Lumir Abdixhiku përfaqëson një model të lidershipit të përgjegjshëm. Ai udhëhoqi një proces të thellë reformues brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke e orientuar partinë drejt standardeve programore, profesionale dhe morale që i shërbejnë interesit publik dhe jo kalkulimeve afatshkurtra politike”, ka shkruar Rama në një postim në Facebook.
Ai shtoi se Abdixhiku ka investuar në një ekip kompetent dhe program substancial.
“Investimi i tij në një program substancial dhe në një ekip përfaqësues dhe kompetent është një deklaratë e qartë se politika duhet të ndërtohet mbi ide, vlera dhe kapacitete reale”, tha Rama.
Rama vlerësoi gjithashtu qasjen e Abdixhikut ndaj kundërshtarëve politikë.
“Lumiri, me vetëdije të plotë politike, refuzoi të bëhet pjesë e diskursit fyes dhe përçarës që ka dëmtuar për vite me radhë kulturën politike në vend. Ai refuzoi nënçmimin e kundërshtarëve politikë, duke zgjedhur maturinë, respektin institucional dhe gjuhën e përgjegjshme si mjete të konkurrencës demokratike”, ka theksuar tutje kryetari i Prishtinës.
Sipas Ramës, vizioni dhe integriteti i Abdixhikut u dëshmuan edhe përmes zgjedhjes së njerëzve jashtë partisë për të shërbyer qytetarëve.
“Ky është një standard që e afron politikën me shtetin dhe jo me interesin e ngushtë partiak dhe është për t’u marrë shembull”, tha Rama.
Rama përfundoi postimin duke theksuar respektin e Abdixhikut për rezultatet dhe rregullat demokratike.
“Me dinjitet institucional e udhëhoqi procesin dhe me po aq dinjitet mbrëmë e pranoi rezultatin, duke treguar respekt për rregullat demokratike dhe për vullnetin e qytetarëve. Kjo qasje dëshmon vizionin, pjekurinë dhe progresin e tij si politikan. Ky është modeli i lidershipit që ndërton dhe që bashkon shoqërinë, dhe që i duhet vendit edhe në të ardhmen”, u shpreh Rama. /Telegrafi/
