Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 19 January 2026Main stream

KQZ vendos për rinumërim të plotë të votave në Kosovë

By: A R
19 January 2026 at 14:52

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që të ketë rinumërim të plotë të të gjitha votave në vendvotimet në 28 komuna. Po ashtu është vendosur që të shkarkohen përfaqësuesit politikë në Komisionin Komunal Zgjedhor në Prizren, ku sipas kreut të KQZ-së, Kreshnik Radoniçi, janë vërejtur dallimet më të mëdha në votat për kandidatët për deputetë.

Paraprakisht, në këto 28 komuna KQZ kishte vendosur që të rinumëroheshin vetëm 10 për qind e vendvotimeve, ndërkaq në 10 komuna të tjera vendosi për rinumërim të plotë.

Vendimi i 19 janarit vjen pasi gjatë rinumërimit të pjesshëm u vërejtën dallime të mëdha në votat për kandidatët për deputetë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit të vitit 2025.

Pas zbulimit të këtyre devijimeve, partitë dhe organizatat e shoqërisë civile kërkuan rinumërim të plotë të votave.

Gjatë mbledhjes, kreu i KQZ-së, Kreshnik Radoniçi, tha se në mbledhjen e mbajtur nga Këshilli për Operacione i KQZ-së u analizua raporti i rinumërimit të pjesshëm. Sipas tij, dallimi në votat për partitë politike është minimal dhe “i papërfillshëm”, ndërkaq ai te kandidatët ka “shkallë të lartë të pasaktësisë”.

Kush po humb më së shumti vota nga rinumërimi?

Me mbi gjysmën e procesit tashmë të përfunduar, rinumërimi i pjesshëm votave për kandidatët për deputetë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit tashmë ka shpërfaqur mospërputhje të shumta, me disa kandidatë si Fetah Paçarizi dhe Nait Hasani, nga Partia Demokratike e Kosovës, që kishin marrë mijëra vota më shumë se që u takonin gjatë numërimit fillestar.

Prizreni është rasti më ekstrem”, tha Radoniçi, duke shtuar se 20.343 vota u janë zbritur kandidatëve për deputetë gjatë rinumërimit. Ai tha se në komuna të tjera nuk vërehen dallime të mëdha në votat për kandidatë.

Anëtarët e partive politike në KQZ përkrahën të dyja rekomandimet, duke kërkuar që të ketë përgjegjësi ligjore për devijimin e rezultatit.

Në mbledhje, anëtari nga radhët e komunitetit boshnjak, Almir Sahiti, kërkoi që në rinumërim të përfshihen edhe votat e diasporës. Kryetari i KQZ-së tha se për këtë propozim do të vendoset pas mbledhjes, ndërkaq disa anëtarë të tjerë thanë se këto vota veçse janë numëruar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, aty ku gjetën edhe mospërputhjet në votat për kandidatë për deputetë.

Më 13 janar, KQZ-ja nisi rinumërimin e plotë të votave në 10 komuna (Dragash, Kaçanik, Leposaviq, Prizren, Skenderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillugu), pasi në verifikimin e 2 për qind të vendvotimeve gjeti mospërputhje të votave të kandidatëve.

Ndërkaq, tani numërimi i plotë do të bëhet edhe në 28 komuna të tjera, ku paraprakisht u vendos të numëroheshin vetëm 10 për qind e vendvotimeve: Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë-Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin-Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut.

Pas konstatimit se ka dallim në vota për kandidatët për deputetë, Prokurori i Shtetit u vu në lëvizje më 19 janar. Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokurorja Laura Pula, u ka kërkuar kryeprokurorëve në të gjitha prokuroritë themelore, që në të gjitha komunat ku ka përfunduar procesi i rinumërimit “të fillojnë grumbullimin e informatave të nevojshme dhe të sigurojnë prova relevante, që vërtetojnë kryerjen e ndonjë vepre penale që ndërlidhet me procesin zgjedhor”.

Një ditë më parë, Prokuroria Themelore e Prizrenit e autorizoi Policinë që të identifikojë fajtorët për këtë mospërputhje në vota.

Përfaqësuesit e partive politike, ndërkaq, kërkuan votimin e plotë të votave, ndërkaq, koalicioni i organizatave që monitoron procesin zgjedhor në Kosovë, Demokracia në Veprim (DnV), kërkoi që të ketë një hetim në nivel kombëtar.

DnV-ja tha se subjekt i hetimeve nuk duhet të jenë vetëm komisionerët, por edhe kandidatët që kanë “rezultojnë përfitues nga këto mospërputhje dhe manipulime”, tha DnV.

Më 9 janar, KQZ-ja njoftoi se kishte përfunduar procesi i numërimit të të gjitha votave. Votat e rregullta u numëruan nëpër qendrat komunale të numërimit, ndërksa votat tjera, përfshirë ato nga diaspora në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

Gjatë procesit të numërimit, në qendrat komunale të numërimit, çdo fletëvotim kalon përmes disa kontrolleve: lexohet me zë të lartë nga një numërues, shfaqet në ekran përmes kamerës dhe regjistrohet në sistem elektronik nga një zyrtar tjetër, ndërsa një person i tretë e verifikon fletën.

Megjithatë, manipulimi thuhet se bëhet në fazën e leximit të votave për kandidatë. Kur një fletëvotim i takon një partie, ai përmban edhe vota për disa kandidatë. Numëruesi mund të ndryshojë verbalisht numrin e kandidatit të votuar, duke e zëvendësuar me numrin e një kandidati tjetër.

Kështu, sistemi regjistron votë për kandidatin e gabuar, edhe pse fletëvotimi real tregon diçka tjetër. Numri i votave për parti nuk ndryshon, vetëm ndryshon numri i votave për kandidatë brenda të njëjtës parti.

Manipulimi i votave në Kosovë është vepër penale. Megjithatë, së voni organizata joqeveritare ÇOHU publikoi një hulumtim që tregoi se mbi 90 për qind e rasteve për manipulime zgjedhore përfundojnë me dënime me kusht ose gjoba.

Sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje është fituesja e zgjedhjeve me mbi 51 për qind të votave të fituara. Ajo pritet të ketë 57 ulëse në legjislaturën e dhjetë.

Rinumërimi i plotë i votave pritet të shtyjë konstitutimin e përbërjes së re të Kuvendit dhe formimin e ekzekutivit të ri./Marrë nga REL

Edhe në Listën e Vizave, edhe në Bordin e Paqes? “Paradoksi” nuk është amerikan

By: A R
19 January 2026 at 14:45

Nga Adrian Thano

Në pamje të parë, fakti që Shqipëria përfshihet në një listë vendesh me kufizime vizash nga Shtetet e Bashkuara dhe në të njëjtën kohë ftohet nga Donald Trump të marrë pjesë në të ashtuquajturin Board of Peace, duket paradoksal.

A mundet që një shtet të jetë aleat politik për SHBA dhe njëkohësisht burim rreziku migrator?

Po. Mundet. Kjo nuk është një kundërshti reale në logjikën e politikës amerikane, që përdor instrumente të ndryshme për qëllime të ndryshme. Ndaj këto dy vlerësime nuk përjashtojnë njëra-tjetrën.

Nëse do ishte ndryshe, Ftesa do ta zhbënte Listën. Në këtë rast kjo copë letër do ishte vërtetë e rëndësishme për qytetarët shqiptarë.

Por ja që nuk e zhbën.

Shqipëria ka marrë një ftesë jo sepse ka peshë politike në konfliktin izraelito-palestinez, por pikërisht sepse nuk ka. Nuk ka interesa të pavarura, nuk ka kapacitet për veto, nuk ka ambicie për ndonjë rol autonom, nuk ka histori përplasjesh me linjën amerikane, etj.

Me pak fjalë, është një aktor “i sigurt”. Jo nga forca, nga parashikueshmëria. Ne nuk surprizojmë, nuk kundërshtojmë, nuk negociojmë. Vendimet merren diku tjetër, ne i ndjekim pas, përdoremi si të thuash, për legjitimitet numerik.

Jemi një emër më shumë në një fotografi ku ndoshta do jemi më të gjatët.

Mirëpo, shikoni ç’bëhet në Tiranë. Ky tekst i dërguar në dhjetra adresa paraqitet si letër personale dhe sukses i madh historik.

Kurse problemi me Vizat migruese, megjithëse është një kufizim real dhe konkret që prek jo pak qytetarë shqiptarë relativizohet. Banalizohet. Madje qytetarët shqiptarë të prekur nga ky vendim u shpallën “parazitë” (!)

Debati thelbësor duhet të ishte pikërisht për ta. Të sillej rreth pyetjes çfarë duhet të ndryshojë që qytetari shqiptar të mos shihet më si risk migrimi nga vendet e tjerë? Madje çfarë duhet bërë që ai të mos jetë i detyruar të emigrojë hiç.

Këto janë detyra reale të qeverisë, jo retorika e lavdisë boshe.

Pra çështja, nuk është aspak pse SHBA vepron kështu dhe ashtu. Nëse ka një “paradoks” ai nuk është amerikan. Është paradoks shqiptar. Shfryhet Lista dhe fryhet Ftesa. Pse-ja është e qartë.

Ftesa ka ardhur në një moment kur marrëdhëniet reale të qeverisë me SHBA-të janë më të ftohta sesa propaganda zyrtare do të donte të pranonte.

Ka ardhur edhe në një fazë kur hetimet për korrupsion janë në kulmin e tyre dhe SPAK-u, në perceptimin publik, me të drejtë apo pa të, shihet gjerësisht si një strukturë e mbështetur dhe e inkurajuar nga Shtetet e Bashkuara.

Në këtë kontekst, çdo sinjal, qoftë edhe formal, nga Uashingtoni shërben për të ndërtuar një narrativë qetësuese se gjithçka është nën kontroll, se marrëdhënia strategjike mbetet e pacënuar, se nuk ka arsye për shqetësim, etj.

Ndaj Ftesën po e përdorim si bonus të brendshëm, si oksigjen politik.

Kësaj i mbivendoset edhe rrahagjoksi ynë i përhershëm provincial me ftesat e huaja. Ky për dreq nuk ndryshoka kurrë.

As kur lideri ka lindur mes Tirane.

VIDEO / Transformimi i Parkut të Liqenit të Paskuqanit, Rama: Aset i paçmueshëm!

By: A R
19 January 2026 at 14:37

Parku i Liqenit të Paskuqanit po shndërrohet në një nga hapësirat më të rëndësishme publike dhe rekreative të zonës metropolitane Tiranë–Kamëz. Kryeministri Edi Rama, së bashku me kryetarin e Bashkisë së Kamzës, Rakip Sulin, panë nga afër investimet e realizuara dhe ecurinë e transformimit të kësaj hapësire.

Me një sipërfaqe prej 84 hektarësh, sipas kryeministrit ky park përfaqëson një investim të qëndrueshëm në shërbim të komunitetit, mjedisit dhe zhvillimit urban, duke u kthyer në një pikë referimi për cilësinë e jetës së banorëve.

Gjatë vizitës në park, kryeministri Rama vlerësoi transformimin e realizuar dhe e cilësoi Parkun e Liqenit të Paskuqanit si një model për administrimin racional të aseteve natyrore. Ai theksoi rëndësinë e promovimit të sporteve ujore, veçanërisht kanosë, duke sugjeruar krijimin e një baze të posaçme për këtë aktivitet.

“Vazhdon puna intensive për një transformim që nuk ndalet edhe ky park është duke nisur të marrë një formë që mjafton të imagjinosh se si do të rritet kurora e pemëve në disa vite që vijnë për të kuptuar që falë kryetarit të bashkisë, me mbështetjen e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, një aset i gjelbër i pa çmueshëm do t’i jepet kryeqytetit nga Kamza dhe kur sheh këtë transformim, të vjen keq se si u goditën dhe u çvlerësuan në të kaluarën, asete po kaq të vlefshme si liqeni i Farkës apo liqeni i Thatë, përpara se sa ato territore mund të futeshin në një administrim racional. Gjithsesi mësojmë nga Kamza Dhe ecim në shembullin e Kamzës”, u shpreh Rama.

Infrastruktura e parkut përfshin një pedonale rrethore prej 5.2 kilometrash, amfiteatrin veror, molin mbi liqen, kënde lojërash për fëmijë, korsi biçikletash si dhe ambiente sportive për volejboll, basketboll, tenis dhe futboll. Parku frekuentohet çdo ditë nga mijëra qytetarë, veçanërisht gjatë ditëve me mot të mirë, duke shërbyer si një hapësirë çlodhjeje, aktiviteti fizik dhe socializimi.

Gjatë fjalës së tij, kryebashkiaku Suli i tha kryeministrit Rama se Parku i Liqenit të Paskuqanit është ndërtuar nga e para dhe përfaqëson një investim të rëndësishëm për të gjithë zonën.

“E gjithë kjo sipërfaqe është 84 hektar dhe vetëm pasqyra e ujit e liqenit që është rreth 18 hektar dhe këtu e kemi mbushur me pemë, ku shikojmë rreth 80 mijë pemë.  Ambientet sportive që sheh këtu, Kryeministër, janë e njëjta dhe nga pjesa Paskuqanit sepse parku kufizohet me Bathoren dhe Paskuqanin që rrethon rreth 152 mijë banorë, që i shërben ky park dhe i njëjti ambient me fusha volejbolli, basketbolli, tenisi, me kalçeto”, tha kryebashkiaku i Kamzës.

Ndërsa drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, i cili gjithashtu mori pjesë në këtë vizitë, theksoi se investimi është konceptuar për t’u shërbyer veçanërisht të rinjve dhe për të nxitur aktivitete rekreative dhe sportive.

Sipas kryetarit të Bashkisë së Kamzës, investimi ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në rritjen e vlerës së pronave përreth.

“Vlera e pronës, Kryeministër këtu ka vajtur, se imagjinon njeri, me minimumi 4-5 fish. Pjesën lart pjesën private, e kemi menduar vetëm dy dhe tre kate ndërtim, kjo zonë këtu. Dhe kemi pasur goxha kërkesa”, u shpreh, Suli.

Transformimi i Parkut të Liqenit të Paskuqanit është pjesë e një vizioni afatgjatë për zhvillim të qëndrueshëm urban, duke e kthyer Kamzën në një shembull pozitiv për mënyrën se si hapësirat publike mund të rigjenerohen në dobi të komunitetit dhe brezave të ardhshëm.

Shqipëria destinacioni i vitit 2026 për britanikët: Kombinim perfekt mes çmimeve të ulëta dhe bukurive mahnitëse

By: A R
19 January 2026 at 14:29

Shqipëria po vlerësohet gjithnjë e më shumë si një perlë evropiane e nënvlerësuar, duke u bërë zgjedhja ideale për pushuesit britanikë për vitin 2026. Sipas një artikulli të fundit në median britanike Express, i cili mbështetet edhe në rekomandimet e ekspertit të njohur të udhëtimeve Simon Calder, ky vend mesdhetar ofron një kombinim perfekt mes çmimeve të ulëta dhe bukurive mahnitëse.

Çmimet janë të ngjashme me ato që Britania e Madhe kishte në vitet ’90, shkruhet në artikullin e Express. Turistët mund të blejnë një birrë për 2.20 paund dhe një kafe për vetëm 1.50 paund. Për më tepër, Simon Calder, një admirues i Shqipërisë, rekomandon që të mos humbasin qytetin e bukur të Durrësit.

Për turistët që kërkojnë histori, Durrësi është destinacion ideal, i njohur për amfiteatrin e tij romak mbresëlënës, me mozaikë ende të paprekur.

Vendi ka njohur një rritje të shpejtë të popullaritetit mes turistëve, me qytete bregdetare si Ksamil që është bërë virale në rrjetet sociale. Ndërsa ata lavdërojnë peizazhet mahnitëse, udhëtimet e përballueshme dhe njerëzit jashtëzakonisht mikpritës. Shqipëria është gjithashtu një destinacion i preferuar europian për ecje malore. Alpet Shqiptare ofrojnë maja të larta, bujtina lokale në fshatra të largëta dhe ujëvara mbresëlënëse.

Turistët nga Britania e Madhe ishin surpriza e vitit 2025, duke shënuar rritjen më të madhe pas atyre francezë. Sipas të dhënave zyrtare, numri i vizitorëve nga Britania arriti në gati 1 milion turistë, duke u rritur me 21.5% në krahasim me 732 mijë që ishin në 2024.

Astrologia parashikon javën që do të tronditë politikën dhe diplomacinë botërore

By: A R
19 January 2026 at 14:21

Astrologia Chrysanthi Kalogeri, e ftuar në emisionin “Shije Shtëpie” në Tv Klan, bëri parashikimin për klimën politike dhe globale të kësaj jave.

Sipas saj, zhvillimet e fundit nuk tregojnë largim nga sfidat, por hapin një kapitull të ri ku pushteti dhe fuqia ushtrohen në mënyrë të sofistikuar përmes diplomacisë dhe interesave financiare.

Kalogeri paralajmëron se shumë vendime politike do të bëhen publike, ndërsa të tjera do të mbeten të fshehta, duke lënë hapësirë për surpriza dhe lëvizje të papritura nga liderët botërorë.

“Kjo javë është një vazhdim i situatës ku ne gjendemi, në sferën politike. Nuk dalim nga vështirësitë, megjithëse ka gjëra pozitive kjo situatë, nuk ka vetëm gjëra negative. Në sferën politike, nëse deri më parë do e konsideroja si periudhën e pushtetit dhe të forcës , ku çdo gjë tregohej përmes tyre, tani futemi në një fazë tjetër, ku çdo gjë bëhet me synim sferën financiare.

Kemi këtë pjesën e diplomacisë, shumë biseda dhe diskutime, vendime në sferën politike në shkallë botërore, të cilat shumë gjëra do të bëhen të njohura, por të tjerat do të ngelen nën rrogoz. Gjithashtu do të shohim që shumë gjëra do të dalin në pah dhe nuk përjashtohet mundësia që këtë javë dhe në fillim të javës që vjen, të kemi zhvillime që kanë të bëjnë me liderë dhe nuk flas për Shqipërinë, flas për gjithë botën. Ata që merren me pushtetin do e arrijnë qëllimin përmes diplomacisë, e cila do të jetë në një formë diktature në emër të lirisë”, tha astrologia.

Po transportonte 6 emigrantë nga Egjipti drejt Kukësit, arrestohet i riu

By: A R
19 January 2026 at 14:13

Pas afro një muaji hetimesh me metoda speciale, është finalizuar këtë të hënë operacioni i koduar “Relay 3”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufijve.

Sipas një njoftimi nga Policia, një 31-vjeçar është kapur në flagrancë, duke transportuar drejt Kukësit, nëpërmjet rrugës së vjetër të Rinasit, gjashtë emigrantë nga Egjipti, që synonin të kalonin ilegalisht, në shtetet e BE-së.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, si rezultat i një hetimi njëmujor, të ndjekur me metoda speciale, në koordinim me Prokurorinë e Tiranës, për të dokumentuar veprimtarinë kriminale të një shtetasi që dyshohej se transportonte emigrantë, kundrejt pagesave, nga Tirana drejt Kukësit, me qëllim kalimin ilegal, fillimisht në Kosovë dhe më pas në shtete të BE-së, finalizuan fazën e tretë të operacionit ‘Relay’.

Gjatë operacionit u kap autori i dyshuar i kësaj veprimtarie kriminale, shtetasi K. G., 31 vjeç, banues në Kukës. Në automjetin që drejtonte ky shtetas, në rrugën e vjetër të Rinasit, ishin 6 emigrantë nga Egjipti.”, bën me dije Policia.

Gjatë këtij operacioni, u sekuestruan automjeti me të cilin transportoheshin emigrantët, si dhe 2 celularë.

Ndërkohë vijojnë hetimet për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.

“Xhamat u thyen dhe njerëzit…”, çfarë dimë për katastrofën më të rëndë hekurudhore të dekadës në Spanjë

By: A R
19 January 2026 at 14:05

Të paktën 39 persona kanë vdekur dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur pasi dy trena me shpejtësi të lartë u përplasën në jug të Spanjës mbrëmjen e së dielës.

Incidenti pranë qytetit të Kordobës është përshkruar nga zyrtarët lokalë si aksidenti më i rëndë hekurudhor që ka ndodhur në Spanjë në më shumë se një dekadë.

BBC shkruan se kryeministri Pedro Sánchez pritet të vizitojë vendin e ngjarjes gjatë kësaj të hëne, ku përpjekjet e shpëtimit vazhdojnë.

Ku ndodhi përplasja?

Aksidenti ndodhi rreth orës 19:45 (sipas orës lokale) të dielën, rreth një orë pasi një nga trenat u nis nga Málaga drejt Madridit.

Treni doli nga shinat dhe kaloi në binarët e kundërt, tha operatori Adif. Më pas u përplas me një tren që po vinte nga jugu i Madridit drejt Huelvës, i cili u detyrua të dilte në një argjinaturë pranë shinave, tha ministri i transportit të Spanjës, Óscar Puente.

Shumica e të vrarëve dhe të plagosurve ishin në vagonët e parë të trenit që shkonte drejt Huelvës, shtoi ai.

Çfarë e shkaktoi aksidentin?

Shkaku i daljes nga shinat mbetet i paqartë. Zyrtarët thonë se është hapur një hetim, por nuk pritet të përcaktojë se çfarë ndodhi për të paktën një muaj.

Ministri Puente e përshkroi aksidentin si “jashtëzakonisht të çuditshëm” dhe tha se të gjithë ekspertët hekurudhorë të konsultuar nga qeveria “janë jashtëzakonisht të habitur nga aksidenti”.

Presidenti i operatorit shtetëror hekurudhor të Spanjës, Renfe, tha se kishte “përjashtuar” mundësinë që incidenti të kishte ndodhur për shkak të shpejtësisë së tepërt ose gabimit njerëzor.

Álvaro Fernández Heredia i tha radios kombëtare spanjolle RNE se edhe nëse do të ishte bërë një gabim, një sistem brenda trenit do ta kishte korrigjuar atë.

Ai shtoi se të dy trenat po udhëtonin nën kufirin maksimal të shpejtësisë në segmentin e shinave ku ndodhi aksidenti. Heredia sugjeroi se një defekt mekanik ose një problem infrastrukture ishte shkaku më i mundshëm.

A ka ende njerëz të bllokuar në trena?

Në dy trenat, të operuar nga kompanitë Iryo dhe Alvia, kishte rreth 400 pasagjerë dhe anëtarë të stafit.

Nuk është e qartë nëse ka ende njerëz të bllokuar brenda vagonëve, por ekipet e shpëtimit ndodhen në vendngjarje.

“Problemi është se vagonët janë shtrembëruar, kështu që metali është shtrembëruar bashkë me njerëzit brenda,” tha Francisco Carmona, shefi i zjarrfikësve në Kordoba, për transmetuesin publik RTVE.

“Madje kemi pasur raste kur kemi nxjerrë një person të vdekur për të arritur tek dikush që ishte gjallë. Është punë e vështirë dhe delikate,” shtoi ai.

Kush janë viktimat?

39 viktimat e aksidentit nuk janë identifikuar ende dhe Puente që tha se numri i të vdekurve “nuk është ende përfundimtar” pasi hetimet për aksidentin sapo kanë filluar.

Deri në mesditën e së hënës, 112 persona kishin marrë ndihmë mjekësore, 43 prej të cilëve mbetën të shtruar në spital, sipas shërbimeve lokale të emergjencës.

Ndër 43 personat që ndodhen ende në spital: Katër prej tyre janë të mitur, njëri prej të cilëve në kujdes intensiv, ndërsa dymbëdhjetë të rritur janë gjithashtu në kujdes intensiv.

Çfarë kanë thënë të mbijetuarit?

Pasagjerët në trenin që shkonte drejt Madridit e përshkruan momentin e përplasjes si një “tërmet” dhe thanë se u thyen xhamat e trenit, u zhvendosën bagazhet dhe njerëzit u përplasën në dysheme.

“Unë isha në vagonin e parë. Në një moment ndjeva sikur ishte tërmet dhe treni doli nga shinat,” tha gazetari Salvador Jimenez për transmetuesin publik Canal Sur.

Kishte njerëz që bërtisnin, thërrisnin për mjekë,” shtoi ai.

Një tjetër pasagjer, Lucas Meriako, i tha transmetuesit spanjoll La Sexta Noticias se ishte në vagonin e pestë të të njëjtit tren kur filloi të “ndjente disa goditje” që u bënë gjithnjë e më të forta.

“Një tren tjetër na kaloi dhe gjithçka filloi të dridhej. Pati një tronditje pas nesh dhe ndjesi sikur i gjithë treni do të shpërbëhej,” përshkroi ai.

Seanca për Veliajn u shty për në 2 shkurt, avokati: Duhet të njihet personalisht me aktet e dosjes

By: A R
19 January 2026 at 13:57

Avokati i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, Artan Gjermeni, deklaroi për mediat pas shtyrjes për në 2 shkurt të seancës paraprake, se klienti i tij nuk është njohur ende me aktet e dosjes, për shkak të mungesës së një urdhërimi nga organi i procedurës.

Sipas Gjermenit, Veliaj ka të drejtë të njihet personalisht me aktet, qoftë fizikisht me dokumente të printuara apo përmes mjeteve elektronike, por asnjë nga këto mundësi nuk është bërë e realizueshme nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve pa një autorizim të posaçëm.

Të garantojmë një të drejtë proceduriale. I pandehuri të njihet personalisht me aktet në dosje, ose fizikisht me letër të printuar ose me akt elektronik. Asnjë nga këto mundësi nuk mundësohet, drejtoria e përgjithshme e burgjeve nuk e mundëson këtë pa një urdhërim të organit të procedurës.

Erion Veliaj atje ka qenë, atje është sot. Nuk ka mekanizëm tjetër,” u shpreh Gjermeni.

Ai sqaroi se gjatë seancës së sotme, gjykata fillimisht vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor, duke e konsideruar mungesën e deklarimeve si mungesë vullneti nga ana e mbrojtjes. Më pas, pas pretendimeve të ngritura nga vetë Veliaj, gjykata e revokoi këtë vendim dhe i dha mundësinë avokates Valentina Teodoresku të takohet me të paraburgosurin në IEVP Durrës, mbi bazën e një autorizimi të lëshuar nga Gjykata e Posaçme.

Në seancën e sotme, gjykata vendosi të mbyllte shqyrtimin gjyqësor, duke e konsideruar pretendimet e avokatëve, shtuar dhe ,mua, si mungesë vullneti për dhënin e deklarimeve. Më vonë mbi pretendimet e Erion Veliajt, revokoi atë vendim dhe i dha mundësinë që avokatja Teodoresku të takohet me IEVP Durrës mbi një autorizim të lëshuar nga gjykata e posaçme dhe pas kësaj të vazhdojë procedimin në datën e caktuar”, tha avokati.

Pas këtij takimi, procedimi do të vijojë në datën e caktuar nga gjykata. Erion Veliaj ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit 2025. Ai akuzohet për përfshirje në disa raste korrupsioni, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie, në bashkëpunim me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, si dhe disa ish-zyrtarë të tjerë të Bashkisë së Tiranës.

Pr.ligji për shërbimin e jashtëm, Këshilli i Ambasadorëve: Rrezikon karrierën diplomatike. S’janë marrë në konsideratë sugjerimet tona

By: A R
19 January 2026 at 13:49

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me projektligjin e ri për Shërbimin e Jashtëm, i cili i është përcjellë Kuvendit të Shqipërisë për shqyrtim dhe miratim.

Sipas KASH, projektligji nuk ka pësuar asnjë ndryshim që nga varianti i parë i hartuar dy vite më parë nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, duke mos marrë parasysh sugjerimet e dhëna nga Këshilli dhe aktorë të tjerë gjatë konsultimeve publike.

“Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) mëson se projektligji i ri për Shërbimin e Jashtëm, i përpiluar rreth dy vite më parë nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ), i është përcjellë për të disatën herë Kuvendit të Shqipërisë për shqyrtim në komisionet përkatëse dhe për miratim të mëpasshëm në seancë plenare.

Mesa mësohet, këtij projektligji nuk i është bërë asnjë ndryshim nga varianti i parë i para dy viteve, duke mos marrë në konsideratë asnjë nga sugjerimet e propozuara nga KASH dhe nga aktorë të tjerë gjatë procesit të konsultimit publik. Projektligji mbetet në formën e propozuar nga politika dhe nuk ka asgjë të përbashkët me karrierën profesionale në diplomaci”, thuhet në reagim.

Këshilli vlerëson se ky projektligj është antikushteuse dhe rrezikon karrierën diplomatike. Sipas KASH sistemi i karrierës diplomatike nuk duhet të përcaktohet nga politika, por nga komisione profesionale të drejtuara nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë, duke forcuar procedurat e vlerësimit, kompetencat drejtuese, gradat diplomatike dhe përgjegjësinë profesionale.

“Në qëndrimet e saj publike, KASH është shprehur që në gusht 2024 se një projektligj i tillë është antikushtetues, anti-administrativ dhe shkatërron nga themelet karrierën diplomatike, të ndërtuar me mund dhe sakrifica për më shumë se një çerek shekulli.

Në letrën drejtuar Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, KASH jo vetëm e konsideron të dëmshëm këtë projektligj për karrierën diplomatike, por ka paraqitur edhe një sërë sugjerimesh dhe amendimesh konkrete, në germë dhe në frymë, për t’i shërbyer diplomacisë shqiptare dhe politikës së jashtme të vendit. Asnjë prej këtyre sugjerimeve nuk është marrë në konsideratë nga MEPJ.

Për të shprehur qëndrimin e saj mos-pajtues, KASH i ka kërkuar Komisionit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë organizimin e një seance dëgjimore me KASH dhe aktorë të tjerë të interesuar, përpara marrjes së çdo vendimi për kalimin e projektligjit në seancë plenare.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i përmbahet qëndrimit se diplomacia shqiptare ka nevojë për një ligj që forcon karrierën profesionale, pas dëmit të shkaktuar nga Ligji nr. 23/2015, por kurrsesi nga projektligji aktual, i cili e varros përfundimisht diplomacinë e karrierës duke e lënë atë në duart e ndërhyrjeve politike dhe partiake”, thuhet në reagim.

Në përfundim, KASH kërkon që Kuvendi të mos miratojë projektligjin aktual dhe ta rikthejë atë për përmirësime thelbësore, duke siguruar mbrojtjen e diplomacisë së karrierës dhe interesave kombëtare.

“KASH mendon se sistemi i karrierës diplomatike nuk duhet të përcaktohet nga politika e radhës, por nga vetë diplomacia e karrierës, përmes komisioneve profesionale, të drejtuara nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë, si nëpunësi më i lartë civil. Duhet të forcohen procedurat e vlerësimit në punë, kompetencat drejtuese, sistemi i gradave diplomatike dhe përgjegjshmëria profesionale.

Në përfundim, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i kërkon Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të mos e miratojë këtë projektligj dhe ta rikthejë atë për një përmirësim thelbësor, ku KASH është i gatshëm të kontribuojë, në mbrojtje të diplomacisë së karrierës dhe interesave kombëtare të vendit”, thuhet në deklaratë.

Horoskopi ditor për nesër, e Martë 20 Janar 2026

By: A R
19 January 2026 at 13:41

Dashi

Do ndiheni aq te lumtur sot ne krahët e partnerit tuaj, saqë nuk do dëshironi te shkëputeni asnjë moment prej tij. Emocionet dhe kënaqësitë do jene te mëdha. Beqaret do fillojnë te pëlqejnë tej mase një person te cilin me pare as qe e konsideronin fare. Ne planin financiar do ndërmerrni sfida te vështira, por ne fund do ja dilni ta stabilizoni situatën.

Demi

Nëse jeni ne një lidhje qe prej kohesh, sot do kaloni një dite shume te veçante dhe te mbushur me surpriza te mëdha. Tregohuni ne çdo moment te disponueshem për partnerin. Beqaret duhet t’i bëjnë sytë katër sepse personi ideal do jete shume afër tyre. Ne planin financiar duhet ta dyfishoni maturinë. Nëse e kaloni me sukses këtë dite do ndiheni me te qete.

Binjaket

Mos kërkoni t’i zgjidhni menjëherë te gjitha problemet e jetës suaj ne çift sot sepse nuk do mund t’ia dilni dot. Mundohuni te paktën te sqaroni gjerat me kryesore. Beqaret nuk duhet te presin shume për te pranuar ftesën qe do iu beje dikush sepse te tjerë persona do jene gati ta bëjnë atë. Ne planin financiar do ketë vetëm disa probleme te vogla.

Gaforrja

Marrëdhënia ne çift nuk do jete aspak ashtu si ju e keni pritur. Do ketë debate edhe për disa gjera elementare dhe kjo për shkak te kokëfortësisë. Beqaret do realizojnë takime pa fund dhe me ne fund do e gjejnë një person te përshtatshëm për t’i qëndruar pranë. Me financat do jeni me te kujdesshëm se kurrë. Gjendja do jete e shkëlqyer.

Luani

Pasioni do ndizet flake gjate kësaj dite për ju qe jeni ne një lidhje dhe do përjetoni kënaqësi te papërshkrueshme. Shfrytëzojeni deri ne maksimum çdo sekonde. Beqaret do jene te paqarte për atë qe duan te bëjnë dhe nuk do guxojnë as te pranojnë ftesa. Financat do jene goxha te qëndrueshme. Nuk do keni për çfarë te qaheni sepse do i kryeni shpenzimet e nevojshme.

Virgjeresha

Do kaloni një dite mjaft interesante sot juve qe jeni ne një lidhje dhe do ndiheni me te vërtetë mire. Disa mund te mendojnë te hedhin edhe ndonjë hap me serioz. Beqaret duhet te presin edhe pak kohe për te ndryshuar statusin e tyre. Ende nuk ka ardhur koha e duhur. Perspektivat financiare do jene goxha te mira. Mund t’i kryeni pa frike shpenzimet e domosdoshme.

Peshorja

Partneri do ju mbaje ne pëllëmbe te dorës gjate gjithë kësaj dite dhe ju nuk do keni aspak për çfarë te qaheni. Nga ana tjetër edhe ata qe kane pasur mosmarrëveshje do ndihen me te qete. Beqaret do kenë mundësi shume te mira për te filluar lidhje serioze. Ne planin financiar do keni goxha vështirësi, te cilat mund t’i zgjidhni vetëm fale ndihmës se specialisteve.

Akrepi

Ata qe janë ne një lidhje do marrin komplimente te shumta nga parteri dhe do ndiheni mjaft mire. Ne fakt kishin kohe qe ato kishin munguar. Beqaret do kalojnë një dite harmonike dhe plot takime. Se çfarë do ndodhe me pas do e kenë vete ne dore. Ne planin financiar do keni goxha vështirësi nëse nuk tregoheni te kujdesshëm me çdo shpenzim.

Shigjetari

Venusi do jete planeti qe do krijoje një klime harmonike ne jetën tuaj ne çift. Do ndiheni me se miri ne krahët e atij qe dashuroni dhe do i harroni te gjitha problemet e se kaluarës. Beqaret do jene te vendosur ta bëjnë për vete personin qe pëlqejnë dhe do ja dalin mbanë. Dielli do ju ndihmoje ta përmirësoni gjendjen financiare. Ne këtë mënyrë do mund te shpenzoni edhe pak me tepër.

Bricjapi

Dite shume delikate kjo e sotmja për ata qe janë ne një lidhje. Kujdes me çdo gjë qe do i thoni partnerit sepse pa dashje mund ta lëndoni. Beqaret do kenë surpriza pa fund dhe takime mbresëlënëse. Priten ndryshime rrënjësore ne jetën sentimentale. Me financat duhet te merreni me shume sot. Po i late gjerat te përmirësohen me kohen do dilni te humbur.

Ujori

Te dashuruarit duhet te gjejnë mënyrën e duhur për ta joshur sa me shume partnerin he per ta mbajtur gjithë kohës pas vetes. Disa persona do kërkojnë t’ua rrëmbejnë. Ata qe sapo kane mbetur beqare për shkak te një ndarjeje me mire te qëndrojnë ashtu si janë dhe te reflektojnë për te ardhmen. Financat ne përgjithësi do jene te mira dhe pa probleme.

Peshqit

Te dashuruarit do kalojnë një dite te zakonshme dhe pa asgjë te veçante. Gjithsesi e rëndësishme është qe nuk do kenë probleme. Për beqaret priten dashuri me shikim te pare gjate kësaj dite. Gjithçka ka për te ndryshuar njëherë e mire për ta. Ne planin financiar mos shpenzoni kuturu sepse ne një moment situata mund te dale jashtë kontrollit.

Spiropali: Nuk ka falje tokash apo territoresh, projektet në Sazan janë pjesë e zhvillimit

By: A R
19 January 2026 at 12:58

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka mohuar kategorikisht çdo pretendim për falje tokash apo dhënie territoresh shqiptare, në lidhje me zërat për një vizitë të Ivanka Trump dhe projektin e përfolur “Kushner në Sazan”.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Spiropali theksoi se nuk ekziston asnjë plan për falje tokash dhe se askush nuk i ka kërkuar Shqipërisë të japë territore apo të angazhohet në veprime të tilla.

Nuk ka asnjë plan për falje tokash, as për dhënie të territoreve shqiptare, por ka një partneritet të qartë”, u shpreh ministrja.

Ajo sqaroi se bëhet fjalë për projekte serioze zhvillimore, të cilat janë në përputhje me prioritetet e qeverisë shqiptare për zhvillimin ekonomik dhe turistik të vendit. Sipas Spiropalit, këto projekte janë pjesë e vizionit të përgjithshëm të zhvillimit dhe nuk cenojnë në asnjë mënyrë sovranitetin territorial të Shqipërisë.

“Ka projekte serioze, që janë pjesë e projekteve tona zhvillimore dhe ne jemi krenarë për to, ashtu siç jemi krenarë edhe për programe dhe projekte të tjera që do t’i bëjmë realitet në Shqipëri”, deklaroi ministrja.

Kërkoi kohë për t’u njohur me aktet dhe leje për ta takuar, GJKKO rrëzon kërkesat e avokates së Veliajt

By: A R
19 January 2026 at 12:48

Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e avokates kryesisht të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, e cila ka kërkuar më shumë kohë për t’u njohur me aktet ndaj tij.

Po ashtu, GjKKO ka rrëzuar edhe kërkesën e saj për t’u takuar me Veliajn në burgun e Durrësi, ku ai qëndron në ambientet e paraburgimit, që prej shkurtit të vitit të kaluar.

Sipas raportimeve mediatike, në seancën e sotme paraprake në GjKKO, ka qenë i pranishëm edhe vetë Veliaj.

Begaj mesazh deputetëve me rinisjen e Kuvendit: S’kemi kohë për të humbur, as energji për të shpërdoruar!

By: A R
19 January 2026 at 12:45

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka publikuar këtë të hënë, më 19 janar, një mesazh drejtuar deputetëve të Shqipërisë me rastin e çeljes së sesionit të ri parlamentar të Legjislaturës XI.

Në këtë letër publike, presidenti Begaj shprehet se Kuvendi nis një gjashtëmujor vendimtar, të mbushur me nisma reformuese dhe përgjegjësi të larta shtetformuese.

Kreu i Shtetit nënvizoi se çdo iniciativë ligjore duhet t’i shërbejë forcimit të shtetit të së drejtës, mirëqenies së qytetarëve dhe objektivit strategjik të Shqipërisë: anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Duke iu referuar përafrimit të legjislacionit dhe agjendës së integrimit, presidenti thekson në mesazhin drejtuar deputetëve se procesi kërkon përkushtim, reforma të thella dhe bashkëpunim të sinqertë ndërinstitucional.

“Përafrimi i legjislacionit dhe plotësimi me prioritet i agjendës së Bashkimit Evropian nuk mund të ketë konkurrencë. Ai kërkon përgjegjësi dhe përkushtim të vërtetë, kërkon reforma të thella dhe punë intensive. Procesi parlamentar në këtë drejtim nuk e garanton dot suksesin nëse vëmendja shpërqendrohet, nëse ligjërimi parlamentar humbet rrugën, nëse bashkëpunimi ngec, nëse debati humbet fokusin nga interesi ynë kombëtar dhe nëse rezultatet vonojnë. Në rrugën drejt familjes evropiane ne nuk kemi kohë për të humbur dhe as energji për të shpërdoruar”, shprehet presidenti Begaj.

Ndërsa thekson reformën në drejtësi dhe nisjen e saj si emergjencë kombëtare, Begaj shprehet për rëndësinë e mbështetjes së politikës ndaj luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në mënyrë që qytetarët të marrin drejtësi sipas standardeve evropiane.

“Reforma zgjedhore kërkon përkushtim maksimal”

Në këtë sesion parlamentar, Kreu i Shtetit e cilësoi reformën zgjedhore si një prioritet, duke kërkuar adresimin e plotë të rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it dhe shmangien e ndryshimeve të vonuara që rrezikojnë standardin e zgjedhjeve.

Po ashtu, ai theksoi rëndësinë e reformës administrativo-territoriale, e cila duhet të udhëhiqet nga interesi i qytetarëve, zhvillimet demografike dhe nevoja për shërbime publike cilësore e të barabarta.

“Në këtë sesion, reforma zgjedhore duhet të arrijë pikën kulmore. Angazhimet në funksion të kësaj reforme kërkojnë përkushtimin tuaj maksimal. Rekomandimet e misionit të OSBE-ODIHR-it kanë identifikuar çështje thelbësore për standardin e zgjedhjeve në Shqipëri, të cilat nuk mund të ngelen pa u adresuar. Kuadri ligjor zgjedhor duhet t’i nënshtrohet një reformimi tërësor, në një proces konsultimi gjithëpërfshirës dhe në përputhje me praktikat e mira dhe standardet ndërkombëtare brenda këtij sesioni parlamentar. Ndryshimet e vonuara të legjislacionit zgjedhor përbëjnë rrezik për standardin e zgjedhjeve.

Reforma administrative territoriale përbën, gjithashtu, një gur kilometrik, i cili suksesin e ka të lidhur ngushtë me aftësinë e palëve për dialog konstruktiv dhe kompromis. Kjo reformë  duhet të udhëhiqet nga interesi më i lartë i qytetarëve, lëvizjet demografike, nga nevoja për shërbime dhe infrastrukturë publike dinjitoze dhe të barabartë në çdo njësi për ta bërë vetëqeverisjen vendore të vërtetë dhe të qëndrueshme.”, janë fjalët e tij.

Presidenti Begaj kërkoi një Kuvend aktiv në kontrollin parlamentar, ku qeveria jep llogari dhe institucionet reagojnë, duke e bërë parlamentin të jetë më pranë qytetarëve dhe më funksional.

Javë e ftohtë në vend, temperaturat minimale -5 °C! Prej të enjtes shtohen…

By: A R
19 January 2026 at 12:37

Java ka nisur me temperatura të ulëta, ku në zonat malore të vendit temperaturat kanë shënuar edhe -5 gradë Celsius. Sinoptikanët parashikojnë se këto ditë tipike të dimrit do të vijojnë deri të mërkurën.

“Temperaturat kanë pësuar një rënie në orët e para të mëngjesit, me temperatura tipike janari. Parashikohet që nga e hëna deri të mërkurën të jetë mot tipik dimri, me kthjellime, me vranësira. E mërkura me reshje dëbore në juglindje, me pika shiu në zonat qendrore përfshirë kryeqytetin, dhe pa reshje në veri”, tha për Klan News sinoptikania Lajda Porja.

“Pjesa e dytë e javës, e enjtja e premtja, përfshirë fundjavën, do të sjellë një ngrohje të motit. Do të kemi qarkullim të masave ajrore nga jugu. Temperaturat minimalet do jenë, 0 – 1 gradë në zonat malore. Presim temperatura 18 gradë në pjesën e dytë të javës. Reshjet do të jenë të pakta dhe jo problematike”, shtoi më tej Porja.

Sipas parashikimeve të sinoptikanëve, prania e lagështisë në ajër do të bëjë që i ftohti të ndihet më shumë.

Mamaja e Santiago Malkos dhe Leonard Duka përballen në gjyq: Më tha që s’kam gjë me të, por ma vrau në mes të rrugës

By: A R
19 January 2026 at 12:29

Më 21 janar, në orën 11:45 pritet që Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të marrë vendimin për vrasjen e Leonard Dukës.

Për këtë ngjarje, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar 57 vite burg për vëllezërit Duka, më saktësisht për 32 vite për Leonard Dukën dhe 25 vite për Erlis Dukën.

Burgim është kërkuar edhe për katër persona të tjerë.

Ditën e sotme, 19 janar, u zhvillua seanca e radhës, ku avokatja e tij, paraqiti mbrojtjen. Vetë Duka deklaroi pafajësinë.

“Deklaroj që jam i pafajshëm dhe Prokurori nuk ka asnjë fakt kundër meje. Kjo është e montuar nga policia që të më dëmtojnë mua. Kam besim te drejtësia”, tha ai.

Ndërsa avokatja e tij theksoi se konkluzionet e SPAK-ut nuk janë të bazuara në provë dhe në ligj.

“S’ka asnjë provë, por vetëm deduksione të krijuara nga një proces hetimor jo i plotë dhe i paragjykuar, më shumë të bazuara në histori të raportuara në media”, tha avokatja sipas asaj që raporton gazetarja Glidona Daci.

Sipas avokates, përgjimet në SKY ECC nuk janë të ligjshme dhe se identifikimi që është bërë nga Oficeri i Policisë Gjyqësore të kodeve, ka qenë “amator dhe jo i besueshëm” pasi nuk është ndjekur procedura e standarde.

E pranishme ishte edhe mamaja e Santiago Malkos, e cila akuzoi drejtpërdrejt Leonard Dukën.

“Leonard Duka më ka vrarë djalin. Më solli Erlis Dukën dhe Ilir Selmanin dhe më tha që s’kam gjë me Santin, por doli e me vrau djalin në mes të rrugës. Unë nuk dua dënim të përjetshëm, dua dënim me vdekje për këtë”, tha ajo.

SPAK ka kërkuar masën e dënimit për:

Leonard Duka – 32 vjet burgim/ Dënimi të kryhet në një burg të sigurisë së Lartë.

Erlis Duka – 25 vjet burgim

Fatmir Hyseni – 32 vite burgim

Aleksandër Manxhaku- 22 vjet burgim

Oltjon Loga – 23 vjet burgim

Dritan Agai- 23 vjet burgim

Ata akuzohen për “Vrasje me Paramendim”, “Armëmbajtje pa leje”, “Trafik Narkotikësh”, vepra këto të kryera në formën e Grupit të Strukturuar Kriminal.

Kujtojmë se Leonard Duka u ekstradua nga Belgjika vitin e kaluar. Ai akuzohet si një organizatorët e vrasjes së Santiago Malkos në Gusht të 2019-ës në Tiranë. Mbi këtë akuzë, Duka u arrestua në Belgjikë në 14 shkurt të vitit 2023.

Për vrasjen e Santiago Malkos vijojnë në kërkim Elis Duka, Fatmir Hyseni, Aleksandër Maxhaku dhe Oltion Logu. 25 vite burg janë dhënë ndërkohë për Ilir Selmanin, ndërsa Gjykata e Lartë riktheu për gjykim dosjen e Blendi Tetës, i akuzuar po ashtu për këtë çështje.

Emri i Leonard Dukës doli dhe në dosjen e operacionit “Revanshi”, ku u zbardhën komunikime e biseda të zhvilluara në aplikacionin “Sky” dhe “Encrochat”.

Në këto biseda, Duka thurte plane për eliminimin fizik të Ervis Martinajt dhe lidhjeve të afërta të tij shoqërore, siç ishte Erigers Mihasi. Mbi këto dyshime për Leonard Dukën, SPAK ka ngritur akuzën e sigurimit të kushteve të vrasjes në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Konferenca e Kryetarëve, Balla: Vijojmë punët për “Territorialen” dhe “Zgjedhoren” edhe pa praninë e opozitës

By: A R
19 January 2026 at 12:21

Konferenca e Kryetarëve, e cila pritet të përcaktojë kalendarin e punimeve të Kuvendit të Shqipërisë për pesë javët e ardhshme, nuk ka vijuar pa debate. Siç raporton gazetari Enkel Xhangoli, deputetët e opozitës kanë ngritur shqetësimin për mënyrën si funksionon parlamenti.

Deputetët Ina Zhupa dhe Agron Gjekmarkaj, i cili mban edhe detyrën si nënkryetar i parlamentit, kanë ngritur shqetësimin se kryetari Niko Peleshi ka kufizuar fjalën e deputetëve të Partisë Demokratike dhe opozitës në tërësi. Sipas tyre, çdo amendament dhe mocion me debat që opozita ka kërkuar në kuvend u është mohuar.

“Kanë kërkuar që të mos ndiqet e njëjta praktikë edhe këtë sesion parlamentar”, raportoi gazetari Enkel Xhangoli.

Ata kanë kërkuar që të mbahet edhe mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për çështjen Balluku, duke e treguar si shembull se si janë injoruar kërkesat e tyre.

Deputetëve të opozitës u është kundërpërgjigjur kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla. Ai u bëri të qartë atyre se kanë pasur kohë më shumë për të folur se mazhoranca, përfshirë deputetët dhe ministrat.

Sipas tij, deputetët e PD-së kanë shfrytëzuar 48 orë diskutime, kurse mazhoranca 40 orë. Po ashtu, ai u ka kërkuar deputetëve të PD-së që të mos bojkotojnë dhe të mos krijojnë situata që pengojnë punën e parlamentit.

Fokusi kryesor është te komisionet për reformat territoriale dhe atë zgjedhore, ku ka kërkuar praninë e tyre. Përkundrazi është shprehur se mazhoranca do të vijojë punimet vetëm.

“Mazhoranca është e detyruar të vijojë punimet në këto dy komisione edhe pa praninë e opozitës. Këtë e ka bërë të qartë në mbledhje”, raportoi gazetari Xhangoli.

Sipas burimeve nga mbledhja, Balla ka thënë se opozita duhet të marrë pjesë edhe sa i përket ndryshimeve në kuvend që kërkojnë ndryshime kushtetuese në lidhje me numrin e deputetëve.

Kujtojmë se mazhoranca dhe opozita ndahen në këtë pikë, pasi kreu i PD-së, Sali Berisha është shprehur se selia blu nuk i pranon këto ndryshime.

Tragjedia hekurudhore, Tirana në kontakt me Madridin nëse ka shqiptarë të prekur: Strukturat në gatishmëri

By: A R
19 January 2026 at 12:13

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë  (MEPJ) ka shprehur ngushëllime dhe solidaritet lidhur me aksidentin tragjik hekurudhor që ndodhi në Spanjën jugore, ku dy trena u përplasën duke lënë të vdekur të paktën 39 persona dhe disa të plagosur.

Në një njoftim zyrtar, MEPJ njofton se po ndjek nga afër situatën pas aksidentit tragjik dhe se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet vendase për të verifikuar nëse ka shtetas shqiptarë të prekur.

“Në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Madrid, është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet spanjolle dhe po ndjek nga afër situatën për të verifikuar nëse ka shtetas shqiptarë të prekur nga aksidenti. Strukturat përkatëse janë në gatishmëri për të ofruar asistencën e nevojshme. Për çdo informacion, emergjencë apo nevojë për ndihmë, qytetarët shqiptarë mund të kontaktojnë Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Madrid në adresën e emailit embassy.madrid@mfa.gov.al  ose në numrin e telefonit +34 606 37 68 30”, nënvizohet në njoftim.

Një tren me shpejtësi të lartë, Iryo, që udhëtonte nga Malaga në Madrid doli nga shinat pranë Adamuz, duke kaluar në shinat e tjera ku u përplas me një tren që po vinte përballë duke shkaktuar vdekjen e të paktën 39 personave.

Ministria e Jashtme “e dështuar”? Spiropali: Jam dakord me Ramën, 2026 viti kur…

By: A R
19 January 2026 at 12:05

Gjatë një konference për mediat këtë të hënë, ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve lidhur me kritikat e javës së kaluar të kryeministrit Edi Rama dhe thirrjen e tij për një reformim të dikasterit që ajo drejton.

Ministrja Spiropali u shpreh se bie dakord me deklaratën e kryeministrit pasi edhe ajo mendon që ky dikaster ka nevojë për një reformim.

“Në dukje ka një kontradiktë mes nivelit të përfaqësimit dhe respektit që Shqipëria ka krijuar në nivelin ndërkombëtar dhe asaj që u tha për nevojën për strukturim dhe reformim, konstatim për të cilin jam dakord. Në këto 100 ditë që unë drejtoj Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme, kam parë njerëz me ekspertizë të jashtëzakonshme ashtu siç padiskutim, kemi bërë një analizë të nevojave për reformim, si ligji për diplomacinë që kalon më 28 janar që do i japë më shumë hapësirë meritokracisë, talenteve të reja, hapjes së ministrisë për të rinj që kanë punuar në organizata të jashtme dhe duan të japin një kontribut për Shqipërinë.”, tha ajo.

Sipas Spiropalit, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme duhet të ngrihet në një nivel tjetër të përfaqësimit dhe të diplomacisë publike, për shkak të rolit të ri që merr Shqipëria dhe procesit për anëtarësim në BE.

“Në këto 100 ditë kemi patur një aktivitet shumë intëensiv, si me vendet e BE, vende të rëndësishme që ndikojnë drejtpërdrejtë në dhe viti 2026 do jetë viti kur kjo mësymje diplomatike do jetë më eficente dhe efikase”, tha ministrja duke shtuar se ky është një projekt shumë ambicion që kërkon angazhimin e gjithë trupës diplomatike që duhet të ngrihet në lartësinë e këtij misioni.

Akuzat e PD për pezullimin e vizave amerikane, Spiropali: Përgjigjen e morën përmes ftesës së Trump

By: A R
19 January 2026 at 11:56

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, theksoi se ftesa e Shqipërisë për të qenë pjesë e Bordit të Paqes vërteton se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA-së janë një partneritet strategjik. Ajo e konsideroi këtë ftesë si një përgjigje të qartë ndaj akuzave të opozitës se vendi do të ishte futur në “listën e zezë” të SHBA-së pas pezullimit të vizave migratore.

“Kjo ftesë është e mjaftueshme për të zhbërë fabrikimet lidhur me qasjen e administratës Trump ndaj qeverisë tonë apo vetë kryeministrit, të cilat kulmuan me dezinformatat për vendimin e rishikimit të politikës të qëndrimit të lejeve të punës për gati gjysmën e vendeve që SHBA ka marrëdhënie diplomatike. Ata që u turrën ta helmojnë publikun se SHBA na vendosi në listën e zezë, e kanë marrë përgjigjen, as më shumë e as më pak, por direkt nga Trump që ka nënshkruar në letër se Shqipëria është partner i mrekullueshëm”, tha Spiropali.

SHBA vendosi pezullimin e vizave për emigrim për 75 vende të botës, përfshirë edhe Shqipërinë. Megjithatë, kryeministri Edi Rama ka sqaruar më parë se bëhet fjalë për pezullim të përkohshëm të lejeve të qëndrimit për punë në Amerikë, dhe jo për vizat e udhëtimit.

Sot seanca paraprake për dosjen “Veliaj”, çfarë pritet të ndodhë në GJKKO

By: A R
19 January 2026 at 08:52

Sot, 19 janar, pritet të zhvillohet seanca paraprake në ngarkim të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe të pandehurve të tjerë. Seanca do të zhvillohet në orën 11:30 ku Gjykata e Posaçme të dëgjojë mbrojtjen ndaj akuzave të SPAK për tre të hetuarit e fundit, përfshirë kryebashkiakun Erion Veliaj dhe bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa.

Më pas pritet të merret një vendim për kalimin ose jo në gjyq themeli të dosjes.

Seanca e kaluar u shty për shkak të mungesës së Erion Veliajt. Avokatët e tij thanë para Gjykatës së Posaçme se Veliaj donte të ishte i pranishëm dhe kishte pritur prej mëngjesit furgonin e shoqërimit në ambientet e paraburgimit të Durrësit.

Ky i fundit ka shkuar pak minuta para orës 9:00, teksa seanca ishte planifikuar të niste në orën 9:00, kur edhe u bë apeli për prezencën e palëve. Mungesa e Veliajt pa një deklaratë për vullnetin e tij nëse do të ishte apo jo i pranishëm e bënte të pamundur vijimin e seancës.

Por pretendimet e ngritura nga avokatët se nuk është shoqëruar në ambientet e gjykatës u mohuan nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, që i cilësoi si të pavërteta.

❌
❌