Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 1 January 2026Main stream

Osmani reagon pas vdekjes së Nexhat Dacit: La gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë

1 January 2026 at 12:34


Presidentja Vjosa Osmani ka reaguar pas ndarjes nga jeta të ish-kryeparlamentarit dhe akademikut Nexhat Daci, duke shprehur pikëllimin e saj dhe ngushëllimet për familjen dhe bashkëpunëtorët e tij.

"Akademik Daci ishte një personalitet i rrallë, i cili bashkoi dijen shkencore, përkushtimin akademik dhe angazhimin institucional, duke lënë gjurmë të pashlyeshme si Kryetar i Kuvendit, deputet, akademik dhe udhëheqës i institucioneve shkencore të vendit”, thuhet në reagimin e Osmanit.

Presidentja shtoi se Daci ishte bashkëpunëtor i afërt i presidentit historik Ibrahim Rugova.

"Akademik Nexhat Daci u angazhua fuqishëm në shërbim të kauzës për liri dhe pavarësi, si bashkëpunëtor i afërt i Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova. Me dije, maturi dhe vizion, ai dha një kontribut të çmuar në vendosjen e themeleve të forta të shtetit të Kosovës", ka theksuar Osmani.

Presidentja përfundoi reagimin me ngushëllime për të gjithë ata që e njohën.

"Në këto çaste të rënda, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Daci, miqtë, bashkëpunëtorët dhe të gjithë ata që patën fatin ta njohin dhe të punojnë me të. I përhershëm qoftë kujtimi për Akademik Nexhat Dacin!". /Telegrafi/


I mituri dyshohet për zjarrvënie në një market në Llapushnik

1 January 2026 at 12:14


Një incident është raportuar më 31 dhjetor 2025, rreth orës 15:28, në fshatin Llapushnik, ku një mashkull kosovar ka njoftuar policinë se një person kishte vënë zjarr qëllimisht në një pjesë të sektorit të pijeve brenda një marketi.

Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes për të menaxhuar situatën dhe për të kryer veprimet e nevojshme hetimore.

Lidhur me rastin, në stacion policor është shoqëruar një i dyshuar i mitur, shtetas i Holandës.

Pas konsultimit me prokurorin kompetent, rasti është cilësuar dhe është vendosur që lënda të procedohet në procedurë të rregullt.

Hetimet lidhur me këtë rast janë duke vazhduar. /Telegrafi/

Profesor, akademik dhe ish-kryeparlamentar i Kosovës - kush ishte Nexhat Daci

1 January 2026 at 11:50


Nexhat Daci, ishte një figurë e shquar në jetën akademike dhe politike të Kosovës.

Ai lindi në Tërnoc të Bujanocit dhe kreu shkollimin fillor dhe të mesëm në vendlindje dhe në Leskovc (1960). Studimet e larta për kimi i përfundoi në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetit të Beogradit (1966), ku mbaroi edhe studimet pasuniversitare (1968), dhe më pas kreu një kurs pasuniversitar në Liezh, Belgjikë (1970).

Tezën e doktoratës e mbrojti në Universitetin e Zagrebit (1973), ndërsa studimet e pasdoktoratës i vazhdoi në Universitetin e Bradfordit, Angli (1974).

Nga viti 1966 e tutje, Daci zhvilloi një karrierë të gjatë akademike në Universitetin e Prishtinës, ku u zgjodh asistent, më pas ligjërues, profesor inordinar dhe në vitin 1984 mori titullin profesor ordinar.

Ai ka bërë udhëtime studimore në shumë vende të botës dhe ka qenë anëtar i institucioneve ndërkombëtare, përfshirë Shoqatën e Kimistëve Amerikanë (1985) dhe Akademinë Europiane për Çështje të Mjedisit (1987).

Në vitin 1994 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), ndërsa në vitin 1996 u bë anëtar i rregullt, më pas sekretar i përgjithshëm dhe kryetar i ASHAK (1999–2002). Në vitin 2014 u bë anëtar i Akademisë Europiane të Shkencave dhe të Arteve (ALLEA).

Veprimtaria shkencore e Dacit përfshinte studime mbi strukturën e substancës organike dhe inorganike të qymyrit të Kosovës, analizën e hirit nga termocentralet, mbrojtjen e mjedisit dhe trajtimin e ndotësve të ujërave urbane dhe industriale.

Ai ishte autor i teksteve universitare dhe monografive, si “Kimia organike” dhe “Struktura e substancave organike të qymyrit të Kosovës”, si dhe bashkautor i studimeve ndërkombëtare mbi kiminë për mbrojtjen e mjedisit.

Në jetën politike, Nexhat Daci ishte deputet i Parlamentit të Kosovës (2001–2011), kryetar i Kuvendit të Kosovës (2001–2006) dhe përkohësisht President në detyrë pas vdekjes së Ibrahim Rugovës (2006). Në vitin 2007 themeloi Lidhjen Demokratike të Dardanisë dhe u bë kryetar i saj, duke lënë gjurmë në skenën politike të vendit. /Telegrafi/

Ndërron jetë ish-kryeparlamentari Nexhat Daci

1 January 2026 at 11:32


Ka ndërruar jetë akademiku Nexhat Daci, i cili ka shërbyer si Kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe përkohësisht si President në detyrë pas vdekjes së Ibrahim Rugovës në vitin 2006.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari në detyrë i Kuvendit ,Dimal Basha.

"Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të ish-Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, akademik Nexhat Daci, një figurë të shquar të jetës politike dhe publike të vendit tonë.Në emrin tim personal dhe në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Daci, miqve, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të tij", ka shkruar Basha.

Basha ka shtuar se gjatë viteve të shërbimit të tij në krye të Kuvendit të Kosovës, ai la gjurmë të pashlyeshme në historinë e demokracisë parlamentare të vendit tonë.

"Me vizion, maturi dhe përkushtim, z. Daci kontribuoi në ndërtimin e institucioneve demokratike, në forcimin e Kuvendit si zë i qytetarëve dhe në avancimin e proceseve politike në prag të shtetësisë së Kosovës.Trashëgimia e tij politike mbetet pjesë e historisë së Kuvendit dhe e përpjekjeve tona për shtetndërtim.U prehtë në paqe", u shpreh Basha.

Daci ishte gjithashtu themelues i Lidhjes Demokratike të Dardanisë dhe ka mbajtur një rol të rëndësishëm në politikën kosovare edhe pas përfundimit të mandatit si kryeparlamentar.

Aktiviteti i tij politik ka lënë gjurmë në zhvillimin institucional dhe parlamentar të vendit. /Telegrafi/


Gjirokastara e nis me tragjedi, shënohen tre viktima nga një aksident i rëndë

1 January 2026 at 11:15


Tre persona kanë humbur jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë rrugor të ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në aksin nacional Gjirokastër-Tepelenë, në zonën e Bypass-it.

Sipas të dhënave paraprake, përplasja ka ndodhur rreth orës 03:18 mes dy automjeteve që lëviznin në këtë segment rrugor.

Mjetet drejtoheshin nga dy të rinj, 25 dhe 24 vjeç, të dy banues në Tepelenë.

Përplasja rezultoi fatale për të dy drejtuesit e automjeteve, si edhe për një pasagjer 27-vjeçar që udhëtonte në njërin prej mjeteve.

Ndërkohë, një vajzë 19-vjeçare ka mbetur e plagosur dhe është dërguar me urgjencë në Spitalin e Traumës, ku po merr ndihmën mjekësore.

Në vendngjarje ndodhen shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.

Si pasojë, qarkullimi i automjeteve në këtë aks është zhvilluar me vështirësi për disa orë./euronews/

U ndal dje, numërimi i votave në 11 komuna do të vazhdojë sot pasdite

1 January 2026 at 11:07


Procesi i numërimit të votave në zgjedhjet e fundit në Kosovë, i ndërprerë dje në orën 12:00, do të vazhdojë sot, nga ora 16:00.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), deri tani janë numëruar mbi 78% e votave nga 2,009 vendvotime.

Rezultatet e deritanishme tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka fituar gati 334 mijë vota, duke ruajtur një përqindje prej 48.48%.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) qëndron tek 21.72% me 150 mijë vota, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka arritur mbi 87 mijë vota, afërsisht 13%.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka siguruar mbi 38 mijë vota, ose 5.61%, duke siguruar praninë në Kuvend, ndërsa NISMA mbetet me rreth 12 mijë vota (1.68%), jashtë pragut për të hyrë në Kuvend.

Nga komunitetet, Lista Serbe konfirmon 9 deputetë me mbi 40 mijë vota, ndërsa partia e Nenad Rashiq ka siguruar një deputet. Përfaqësuesja boshnjake, Duda Balje, mbetet jashtë Kuvendit.

Numërimi do të vazhdojë sot në 11 komuna: Prishtinë, Pejë, Prizren, Podujevë, Mitrovicë e Jugut, Gjakovë, Malishevë, Lipjan, Gjilan, Ferizaj dhe Suharekë.

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, shërbimi votues i KQZ-së ka vazhduar të përgatisë paketat e supozuara me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës dhe përmes postës. Nga totali prej 58 mijë votuesve të regjistruar për të votuar jashtë vendit, disa pako tashmë janë pranuar, ndërsa numërimi i tyre pritet të fillojë gjatë kësaj jave.

Po ashtu, pritet të numërohen edhe mbi 9,900 vota me kusht, votat e 2,860 votuesve me nevoja të veçanta dhe mbi 16 mijë vota nga vendvotimet në konsullata dhe ambasada në shtete të ndryshme të botës.

Numërimi përfundimtar i votave do të përcaktojë shpërndarjen përfundimtare të deputetëve në Kuvendin e Kosovës./Telegrafi/

​Gjendet pa shenja jete një burrë në Gjilan, trupi dërgohet për obduksion

1 January 2026 at 10:30


Një rast i hetimit të vdekjes është raportuar më 31 dhjetor 2025 në qytetin e Gjilanit, ku një mashkull kosovar është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tij.

Sipas njoftimit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore si dhe ekipi mjekësor emergjent, i cili ka konstatuar vdekjen e viktimës. Një dëshmitar ka deklaruar se viktima jetonte i vetëm.

Me urdhër të prokurorit kompetent, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion, me qëllim të sqarimit të rrethanave të vdekjes.

Rasti është duke u trajtuar nga organet kompetente./Telegrafi/

Rreth 100 zyrtarë publikë të gjobitur për mosdeklarim të pasurisë

1 January 2026 at 10:02


Ndonëse është obligim, megjithatë janë rreth 100 zyrtarë publikë të cilët nuk kanë deklaruar pasurinë e tyre në Agjencinë e Parandalimit për Korrupsion, e ndaj të cilëve iu janë dhënë edhe gjoba.

Një rritje e lehtë vlerësohet të jetë bërë edhe për rastet e konfliktit të interesit.

Nga këta zyrtarë, Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj në një intervistë për Agjencinë e Lajmeve Ekonomia Online, tregon se 15 prej tyre nuk i kanë paguar gjobat dhe ndaj të cilëve është dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë e Shtetit.

“Ne tashmë jemi në një nivel të qëndrueshëm të deklarimit të pasurisë. Kemi pasur një rritje mjaft të madhe të atyre që janë të obliguar për deklarim. Vitin e kaluar kemi pasur përgjigje më të mirë, ndërsa këtë vit kemi pasur përgjigje më të dobët. Ka pasur rreth 100 persona që nuk e kanë deklaruar pasurinë dhe, fatkeqësisht për ta, të gjithë kanë pranuar gjoba, ndërsa shumica prej tyre i kanë paguar. Ata që nuk i kanë paguar janë tashmë në proces të mbledhjes së gjobave përmes punëdhënësve të tyre. Një numër prej 15 zyrtarësh janë vonuar më shumë se 15 ditë dhe ne kemi dorëzuar kallëzime penale në Prokurorinë e Shtetit. Ata do të përballen me prokurorinë për shkak të vonesave në deklarim. Jemi tashmë në fazën finale të verifikimit të pasurisë për këtë vit", tha Buleshkaj.

Buleshkaj shtoi se zyrtarët publikë e dinë se ky vit ka qenë viti me numrin më të madh të zyrtarëve që kanë pranuar komente nga ne – mbi 1.000 prej tyre kanë pranuar komente nga agjencia dhe janë kërkuar shpjegime shtesë.

"Kjo na është mundësuar nga zhvillimi i metodologjisë që e kemi bërë me Këshillin e Evropës. Metodologjia e verifikimit është më e avancuar dhe, rrjedhimisht, kemi gjetur më shumë mospërputhje dhe kemi kërkuar më shumë shpjegime. Nuk mund të flas për rezultatin final dhe për numrin e rasteve që mund të dërgohen si kallëzime penale apo informata në polici apo prokurori, por këtë vit me siguri zyrtarët publikë e kanë ndier më afër punën e agjencisë”, tha Buleshkaj.

APK gjatë 2025-ës vlerësojnë të kenë pasë një rritje prej 50 për qind nga viti paraprak sa i përket sinjalizimit të konfliktit të interesit.

“Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka zhvilluar mjaft aktivitete, të cilat kanë pasur për synim parandalimin e korrupsionit. Kemi zhvilluar aktivitete me zyrtarë publikë, sepse kemi vërejtur se ka nevojë të flitet me ta dhe të ngritet vetëdija e tyre, sidomos për atë se çfarë është konflikti i interesit, si mund të përdoret mekanizmi i sinjalizimit, por edhe për rëndësinë e planit të integritetit në kryerjen e punëve të institucioneve dhe në ruajtjen e integritetit të tyre. Ne besojmë se këtë vit kemi qenë më mirë se vitin e kaluar; rrjedhimisht janë pranuar dhe raportuar më shumë shkelje, të cilat janë identifikuar në secilin proces.

Kemi pasur rritje të raportimeve në secilën fushë tonën, duke filluar nga sinjalizimet, të cilat janë rritur për 50% në raport me vitin paraprak. Po ashtu, këtë vit kemi pasur raportime më kualitative sa i përket sinjalizimit të vërtetë të konfliktit të interesit, si dhe nga palët e jashtme, të cilat kanë identifikuar pasuri të zyrtarëve publikë që nuk janë deklaruar. Rrjedhimisht, besojmë se ka qenë një vit më i mirë se viti paraprak dhe shpresojmë që viti i ardhshëm të jetë edhe më i mirë”, tha ai.

APK dërëzoi 130 kallëzime penale por jo të gjitha kanë të bëjnë më deklarim të pasurisë. Buleshkaj gjatë intervistës tregoi se ka të bëjë edhe me rastet që lidhen me konflikt interesi të zyrtarëve publikë.

“Këtë vit kemi dorëzuar mbi 130 kallëzime penale. Jo të gjitha kanë qenë të lidhura me deklarimin e pasurisë; kemi pasur një numër të caktuar edhe për konfliktin e interesit. Rreth pesë raste kanë qenë të lidhura me vendimmarrjen në konflikt interesi të zyrtarëve publikë, qoftë duke qenë pjesë e paneleve të rekrutimit, qoftë për përfshirje në punësim pas lirimit nga funksioni publik, pasi ekziston ndalesë dyvjeçare për të marrë punë nga punëdhënësi tek i cili është ushtruar funksioni drejtues. Po ashtu, kemi pasur kallëzime penale për konflikt interesi në procedurat e vlerësimit të tenderëve të ndryshëm. Kemi rritje, sepse më herët numri i kallëzimeve penale për këto procedura ka qenë pothuajse zero, ndërsa këtë vit kemi verifikuar më shumë”, tha ai.

Mirëpo Buleshkaj ka nënvizuar se shumica dërmuese e kallëzimeve penale për deklarim të pasurisë janë hedhur poshtë nga prokuroria.

Këtu janë dy fusha të ndryshme. Nëse flasim për kallëzimet penale që kanë të bëjnë me deklarimin e pasurisë, ato nuk janë trajtuar siç duhet. Shumica dërrmuese e tyre janë hedhur poshtë nga prokuroria, duke u thirrur në një vendim të kundërligjshëm, sipas nesh, të Gjykatës Supreme, i marrë vitin e kaluar. Ndërsa për fushat e tjera, ka pasur trajtim adekuat”, shtoi Buleshkaj.

Ndërsa për rastet me konflikt interesi, Drejtori i departamentit për parandalimin e konflikt interesi në APK, Esad Ejupi për Ekonomia Online thotë se mënyra më e mirë për t’i parandaluar ato, është nëse raportohen në kohë.

“Numri i rasteve me konflikt interesi, fatmirësisht, nuk është rritur shumë, por adresimet në agjenci janë shtuar, dhe kjo na gëzon, pasi na mundëson t’i parandalojmë rastet. Sa më shumë që ka adresime në agjenci për parandalimin e konfliktit të interesit, aq më shumë ato parandalohen. Ne vazhdojmë me strategjinë që kemi, e cila është forcimi i autoriteteve përgjegjëse në institucione, sepse mënyra më e mirë për parandalimin e konfliktit të interesit është që situatat e konfliktit të interesit të deklarohen me kohë dhe të parandalohen në burim, siç themi ne. Në këtë mënyrë, dëmet janë më të vogla, nuk ka vendimmarrje me konflikt interesi dhe nuk ka pasoja juridike", u shpreh Buleshkaj, duke shtuar se fokusi është që t’i forcojmë autoritetet përgjegjëse nëpër institucionet publike.

"Përfshirja është në të gjitha fushat, sepse konflikti i interesit lidhet me vendimmarrjen, dhe vendimmarrje ka në të gjitha institucionet publike. Tash për tash nuk kam numra të saktë se ku ka më shumë e ku më pak raste, mirëpo përgjithësisht të gjitha institucionet kanë situata që lidhen me konfliktin e interesit dhe i adresojnë ato tek ne”, tha ai.

Për mundësinë e ushtrimit të presionit nga faktor të jashtëm për mos trajtim të rasteve. Ejupi potencoi se për sa kohë që ushtron detyrën një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

“Jam prej vitesh në agjenci dhe, as personalisht e as institucionalisht, nuk di që kemi pasur presion nga jashtë. Në këtë aspekt gëzojmë besim, i cili është rritur, ndërsa presion nuk ka pasur”, shtoi ai./EO/

Nata e Vitit të Ri kalon me disa incidente, policia jep detaje

1 January 2026 at 09:55


Policia e Kosovës ka zbatuar një plan operativ me masa të shtuara sigurie gjatë festës së ndërrimit të mot-moteve, me qëllim të garantimit të rendit publik dhe sigurisë së qytetarëve në mbarë vendin.

Sipas njoftimit zyrtar, Policia ka rritur prezencën në lokacione ku pritej përqendrim më i madh i qytetarëve, ndërsa “është paraparë shtimi i masave të sigurisë dhe prezencës policore në lokacione apo ambiente ku pritej të ketë përqendrim, festime apo prezencë më të madhe të qytetarëve gjatë festës”.

Në kuadër të këtij plani operativ, Policia ka pasur fokus të veçantë edhe në trafikun rrugor, pikat e kalimit kufitar dhe aeroportin ndërkombëtar.

“Është paraparë kujdes i shtuar në mbikëqyrjen dhe kontrollin në trafikun rrugor, menaxhimin e Pikave të Kalimeve Kufitare përfshirë aeroportin ndërkombëtar dhe brezit kufitar në përgjithësi”, thuhet në njoftim.

Bazuar në raportimet nga Drejtoritë Rajonale Policore, nata e Vitit të Ri ka kaluar me disa incidente të izoluara.

Policia njofton se “janë raportuar incidente me lëndime trupore si pasojë e përdorimit të pakujdesshëm të mjeteve piro-teknike, raste të lëndimeve të lehta nga armë zjarri dhe dëme materiale si pasojë e përdorimit të pakujdesshëm të mjeteve piroteknike (zjarre)”.

Tutje, Policia e Kosovës thekson se të gjitha rastet e raportuara janë dhe do të trajtohen në koordinim me prokuroritë kompetente.

“Policia i ka iniciuar dhe do të vazhdojë t’i trajtojë të gjitha ato raste qofshin vepra penale apo incidente tjera dhe rastet në koordinim me prokurorit kompetente do të përcillen te organet e drejtësisë”.

Në fund të njoftimit, Policia e Kosovës ka uruar qytetarët për Vitin e Ri, duke shprehur mirënjohje për bashkëpunimin e treguar.

“Gëzuar Vitin e Ri 2026, qoftë ky vit i suksesshëm për ju, shëndet, paqe e siguri! Ju falënderojmë për bashkëpunimin dhe besimin e treguar ndaj nesh”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

Dëmtohen 185 ampula në Spitalin e Gjilanit - dëmi vlersohet 20 mijë euro

1 January 2026 at 09:38


Një rast i dyshuar i keqpërdorimit të detyrës zyrtare është raportuar më 31 dhjetor 2025 në Spitalin e Gjilanit, konkretisht në repartin e oftalmologjisë.

Sipas raportimit, 185 doza ampula, të cilat ishin duke u ruajtur në frigorifer, janë dëmtuar, ndërsa dyshohet se stafi përgjegjës ka dështuar t’i ruajë ato sipas normave të lejuara.

Si pasojë, është shkaktuar një dëm material që vlerësohet rreth 20.000 euro.

Lidhur me rastin është informuar prokurori kompetent, i cili ka bërë cilësimin e veprës penale.

Rasti është duke u hetuar nga autoritetet përkatëse për të sqaruar përgjegjësinë dhe rrethanat e ngjarjes. /Telegrafi/

I dhanë drogë e alkool - një grua në Fushë Kosovë dyshohet se u dhunua pastaj nga dy persona

1 January 2026 at 08:59


Një rast i rëndë është raportuar më 31 dhjetor 2025 në Fushë Kosovë, ku rreth orës 05:30 një grua ka kërkuar ndihmë mjekësore pas një ngjarjeje të dyshuar si dhunim seksual.

Sipas deklarimit të viktimës, asaj fillimisht i janë dhënë alkool dhe substanca narkotike, ndërsa më pas është dhunuar në një motel nga dy persona meshkuj të panjohur. Tutje, viktima ka deklaruar se është futur me forcë në një veturë dhe më pas është lënë në rrugë.

Lidhur me rastin janë njoftuar njësitë policore, ndërsa me vendim të prokurorit kompetent, viktima është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për ekzaminime të mëtejme.

Rasti është duke u hetuar dhe autoritetet po punojnë për identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar. /Telegrafi/

Në prag të ndërrimit të motmoteve, Basha pranë forcave të sigurisë

1 January 2026 at 08:46


Në prag të ndërrimit të motmoteve, kryetari në detyrë i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka vizituar disa prej institucioneve jetike që kujdesen për sigurinë dhe rendin në vend.

Sipas njoftimit, vizita e tij ka nisur në Kazermën e FSK-së “Skënderbeu”, ku është pritur nga Nënkoloneli Basri Topalli. Më pas, Basha ka vazhduar në Stacionin e Policisë në Ferizaj, ku është mirëpritur nga Kapiteni Ismet Dervishi.

Kreu i Kuvendit ka qëndruar edhe në Njësitin për Zjarrfikje dhe Shpëtim në Ferizaj, ku ka takuar Drejtorin e Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, Genc Metaj. Vizitat janë përmbyllur në Pikën Kufitare në Han të Elezit, ku Basha është takuar me Drejtorin e Policisë Kufitare në Jug, Rexhep Sijarina, Shefin e Ndërrimit Afrim Halili, si dhe me oficerët doganorë, në krye me Udhëheqësin e Ndërrimit, Faton Piraj.

Gjatë këtyre takimeve, kryetari Basha në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës shprehu respektin, vlerësimin dhe mirënjohjen për të gjithë shërbyesit publikë që edhe në orët festive mbeten në krye të detyrës, duke garantuar sigurinë, rendin dhe qetësinë në vendin tonë.

Po ashtu, ai i ka uruar për profesionalizmin dhe kontributin e tyre, duke theksuar se bëhet fjalë për një “kontribut të pazëvendësueshëm për Republikën e Kosovës”, ndërsa u ka uruar Vitin e Ri, “punë të mbarë dhe suksese të shumta”. /Telegrafi/

Dëmtohet trafoja e Ibër Lepencit në Korroticë të Epërme, vjedhje me vlerë 15 mijë euro

1 January 2026 at 08:45


Një rast i vjedhjes së rëndë është raportuar më 31 dhjetor 2025 në fshatin Korroticë e Epërme, ku persona të panjohur kanë depërtuar me forcë në objektin e Ibër Lepencit.

Sipas ankuesit, meshkuj kosovar, të dyshuarit kanë thyer derën e objektit dhe kanë dëmtuar trafon që vë në funksion pompat e ujit.

Përveç dëmtimit të pajisjes, ata kanë vjedhur edhe kabllot elektrike si dhe vajin e trafos, duke shkaktuar dëme materiale që vlerësohen rreth 15.000 euro.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore, ndërsa rasti është duke u hetuar nga organet kompetente.

Ende nuk ka të dyshuar apo persona të arrestuar lidhur me këtë rast. /Telegrafi/

Dy vajza janë bebet e para të lindura në Shqipëri në 2026

1 January 2026 at 08:35


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka ndarë një mesazh urimi në ditën e parë të vitit 2026, duke bërë të ditur se dy vajza janë bebet e para të lindura këtë vit në vend.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama njoftoi se njëra nga vajzat ka ardhur në jetë në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, ndërsa tjetra në maternitetin “Koço Gliozheni”.

“Mirë se erdhët. Dy vajza janë bebet e para të lindura në 2026, njëra në maternitetin ‘Mbretëresha Geraldinë’ dhe tjetra në ‘Koço Gliozheni’”, ka shkruar kryeministri.

Postimi i Ramës është shoqëruar me urime dhe reagime të shumta nga qytetarët, të cilët i kanë uruar shëndet foshnjave dhe familjeve të tyre./Telegrafi/

Situatë alarmante, 35 të lënduar nga mjetet piroteknike - disa me lëndime serioze

1 January 2026 at 08:15


Klinika Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) është përballur me një numër alarmues të rasteve të lëndimeve nga mjetet piroteknike gjatë festës së ndërrimit të moteve.

Shefi i ndërrimit në Klinikën Emergjente, Ejup Govori, ka bërë të ditur se vetëm nga ora 22:40 ishin regjistruar gjithsej 35 raste të lëndimeve si pasojë e përdorimit të mjeteve piroteknike.

Sipas tij, një pjesë e konsiderueshme e këtyre rasteve janë me lëndime serioze, të cilat mund të shkaktojnë pasoja afatgjata dhe madje invaliditet të përjetshëm.

Ai ka theksuar se në mesin e të lënduarve ka edhe raste me dëmtime të rënda të syrit. Një nga pacientët është transferuar në repartin e Oftalmologjisë, ku i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale.

"Mund të konsideroj që gjendja është alarmante, prej orës 22:40 numri ka arrit nga lëndimet me mjete piroteknike 35. Një pjesë e konsiderueshme e tyre janë me lëndime serioze, me lëndime që mund të lënë edhe invaliditet të përjetshëm. Kemi edhe me lëndime të syrit, është një që është transferu në repartin e Oftamologjisë dhe atje është nënshtru operacionit. Kjo është një gjendje e cila është shumë e rëndë. Mosha e të lënduarve është e ndryshme, kryesisht dominojnë mosha fëmijërore, por ka edhe mosha më të vjetra, por kryesisht janë mosha të reja dhe më të vegjël. Ka 10 vjet, 12 vjeçar, 15 vjet, 17 vjeçar, por edhe mosha më të vjetra.

Govori tha se lëndime të tilla mund të lënë pasoja permanente tek të lënduarit.

"Lëndimet me mjete piroteknike nuk japin rrezik për jetë, mirëpo janë lëndime serioze që lënë invaliditet të përjetshëm. Mund të ketë amputime të gishtave, për shkak të lëndimeve, mirëpo edhe këta që janë me lëndime të syve ekziston mundësia që do të mbesin domethënë me njërin sy me lëndim serioz që nuk do të funksionojë të pamurit", tha Govori. /KP/

Lindja e parë e vitit 2026 – trenjakë, tre djem në QKUK

1 January 2026 at 08:12


Lindja e parë e vitit 2026 në Kosovë ka ndodhur në Klinikën e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku në orët e para të vitit të ri kanë ardhur në jetë trenjakë, tre djem.

Sipas stafit mjekësor, lindja është realizuar me sukses nga ekipi i Klinikës së Gjinekologjisë, ndërsa si nëna ashtu edhe foshnjat janë në gjendje të mirë dhe stabile shëndetësore, nën monitorim të vazhdueshëm mjekësor.

E kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar Klinikën e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku ka uruar lindjen e parë të vitit 2026.

Kurti, i shoqëruar nga ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe drejtori i SHSKUK-së, u prit nga stafi mjekësor, përfshirë doktor Zef Ndrejaj dhe doktor Naser Rafuna.

Ai vizitoi nënën e re, e cila është bërë nënë për herë të parë dhe njëkohësisht ka sjellë në jetë lindjen e parë të vitit 2026 në Kosovë – tre djem.

"Jemi këtu në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK bashkë me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitinë me drejtorin e SHSKUK ku na mirëpritën, doktor Zef Ndrejaj dhe doktor Naser Rafuna, meqë rast vizituam zonjën që është bërë nënë për herë të parë, por njëkohësisht është edhe lindja e parë e vitit 2026 e uruam i dëshiruam shëndet dhe kishte një rrethanë shumë të veçantë meqë ka lindur trenjakë, tre djem tri foshnje të gjinisë mashkullore.

Ky ishte gëzim i posaçëm për të gjithë ne në vitin 2026, urojmë familjen, në veçanti nënën e cila vjen nga rajoni i Gjilanit dhe i dëshirojmë të gjithë të mirat në jetën e mëtutjeshme. Orën e fundit të vitit 2025 e kalova në qendrat e Policisë së Kosovës, ndërkaq takimin e fundit për vitin 2025 dhe takimin e parë për vitin 2026 e kisha në ushtrinë tonë në FSK, ndërkaq orën e parë të vitit 2026 po e kaloi këtu në spital me kolegë, dashamirë me njerëz të cilët sjellin jetë në jetë", tha Kurti.

Në QKUK shërbimet kanë funksionuar pa ndërprerje edhe gjatë festave të Vitit të Ri. /Telegrafi/

Dita e parë e 2026 nis me mot kryesisht të vranët dhe temperatura të ulëta

1 January 2026 at 08:10


Dita e parë e vitit të ri nis me mot kryesisht të vranët në të gjithë territorin.

Temperaturat minimale do të luhaten nga -9 deri -6°C, ndërsa ato maksimale pritet të jenë rreth 1–3°C.

Era do të fryjë nga juglindja me shpejtësi deri në 11 m/s, duke sjellë ndjesi akulli, sidomos në zonat e hapura dhe kodrinore.

Në viset e larta priten ngrica gjatë gjithë ditës, ndaj qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik u rekomandohet kujdes i shtuar.

Për të shmangur aksidentet, drejtuesit e mjeteve duhet të përdorin goma dimërore dhe të ruajnë distancën e sigurisë në rrugë.

Instituti Hidrometeorologjik paralajmëron se moti i ftohtë dhe era e fortë do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, duke kërkuar nga qytetarët të jenë të përgatitur për kushtet e acarta. /Telegrafi/

Before yesterdayMain stream

Numërimi vazhdon në QKN, procesohen rezultatet nga 1,039 vendvotime

30 December 2025 at 14:57


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se deri më tani janë procesuar 1,039 vendvotime nga Qendrat Komunale të Numërimit, nga gjithsej 2,557, që përbën 40.63 për qind të vendvotimeve në nivel vendi.

Sipas rezultateve të deritanishme, Lëvizja Vetëvendosje prin me 47.37 për qind të votave të numëruara. Pas saj renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 20.90 për qind, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka siguruar 12.25 për qind.

Në vendin e katërt është Lista Serbe me 8.29 për qind, e ndjekur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 5.15 për qind, ndërsa Nisma Socialdemokrate ka marrë 1.33 për qind të votave të procesura deri tani.

Procesi i numërimit po vazhdon në Qendrat Komunale të Numërimit, po vazhdon numërimi i votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime pas numërimit të fletëvotimeve.

KQZ ka bërë të ditur se rezultatet do të përditësohen në mënyrë të vazhdueshme. /Telegrafi/

Spitali i Prizrenit konfirmon: Tre fëmijët e shpëtuar nga zjarri janë në gjendje stabile

30 December 2025 at 12:49


Një tragjedi ka ndodhur sot në Prizren, ku një shtëpi u përfshi nga flakët, duke shkaktuar vdekjen e një fëmije njëvjeçar.

Ngjarja ndodhi rreth orës 10:00, kur fëmija dyshohet se humbi jetën si pasojë e thithjes së tymit. Mjeku i emergjencës konstatoi vdekjen e tij.

Nga i njëjti incident, tre fëmijë të tjerë, me moshë 4, 6 dhe 10 vjeç, janë dërguar gjithashtu në repartin e pediatrisë si pasojë e intoksikimit nga tymi.

Sipas spitalit, gjendja e tyre është stabile dhe ata po trajtohen në mënyrë të vazhdueshme nga stafi mjekësor.

“Sot, rreth orës 10:25, me autoambulancën e Urgjencës së qytetit, në Emergjencën e Spitalit të Përgjithshëm ‘Prim. Dr. Daut Mustafa’ është sjellë një fëmijë pa shenja jete, nga një shtëpi që ishte kapluar nga flaka. Mjeku i emergjencës ka konstatuar vdekjen e fëmijës, i lindur në vitin 2024.

Nga i njëjti rast, në repartin e pediatrisë janë sjellë edhe tre fëmijë të tjerë, me moshë 4, 6 dhe 10 vjeç, si pasojë e intoksikimit nga tymi. Gjendja e tyre është stabile dhe ata po trajtohen në repartin e pediatrisë”, thuhet në përgjigjen e spitalit për Telegrafin.

Spitali apelon për kujdes dhe ndihmë ndaj familjeve që mund të përballen me pasoja nga zjarret dhe ngjarjet e ngjashme.

Ndryshe policia ka njoftuar se shkaqet e zjarrit janë duke u hetuar nga organet kompetente dhe do të vërtetohen pas përfundimit të procedurave hetimore. /Telegrafi/

ZRRE ul tarifat e ngrohjes për Prishtinën dhe Gjakovën

30 December 2025 at 11:33


Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE) ka mbajtur sot mbledhjen e radhës ku mori vendim për të ulur tarifat për ngrohje për Prishtinë dhe Gjakovë.

Kryetari i bordit të kësaj zyre, Ymer Fejzullahu ka bërë të ditur për Telegrafin se është ulur për rreth 4 për qind tarifa për ata që ngrohen nga Termokosi në Prishtinë dhe rreth 5% tarifa e ngrohjes në Gjakovë.

“Po e mbajtëm mbledhjen dhe morëm vendim për zbritje të tarifave. 5% ke për Gjakovën dhe 4% për Termokosin vetëm për konsumatorët me matje”, tha Fjezullahu.

Për sezonin e ngrohjes për vitin 2026, tarifat e miratuara nga Zyra e Rregullatorit për Energji për konsumatorët shtëpiakë pa matje është 76 cent/m² për muaj ndërsa tarifa për konsumatorët komercial/institucional: 95 cent/m² për muaj.

Çmimi i deritanishëm për ngrohjen me matje ishte 76 centë për kilovat në muaj, i vendosur vitin e kaluar.

Me çmimin e ri, tani konsumatorët në Prishtinë do të paguajnë 73 centë për kilovat në muaj, ndërsa ata në Gjakovë 72 centë.

Termokos ka rreth 25.000 konsumatorë në kryeqytetin me 227.154 banorë. Sezoni i ngrohjes nga Termokos-i zakonisht nis më 15 tetor dhe vazhdon deri më 15 prill./Telegrafi/

❌
❌