Kina ka raportuar një valë të fortë eksportesh gjatë vitit 2025, me një sufiçit rekord prej 1 trilion dollarësh, ndërsa prodhuesit e saj përgatiten për 3 vite të tjera nën administratën Trump, e cila synon të ngadalësojë gjigantin prodhues duke zhvendosur porositë amerikane drejt tregjeve të tjera.
Qëndrueshmëria e Pekinit përballë tensioneve të rinovuara tarifore që nga rikthimi i Donald Trump në presidencë në janar të kaluar ka inkurajuar firmat kineze të fokusohen tek Azia Juglindore, Afrika dhe Amerika Latine për të kompensuar tarifat amerikane.
Me Kinën që shikon tek eksportet për të zbutur efektet e krizës së pronave dhe kërkesës së dobët të brendshme, sufiçiti rekord rrezikon të prekë më tej ekonomitë që janë të shqetësuara për praktikat tregtare të Kinës, kapacitetin e saj të tepruar prodhues dhe varësinë e madhe nga produktet kyçe kineze.
Sufiçiti i përgjithshëm për vitin arriti në 1.189 trilion dollarë, një shifër që është e barabartë me GDP-në e një ekonomie ndër 20 më të mëdhatë në botë, si Arabia Saudite, sipas të dhënave të doganave të publikuara të mërkurën, 14 janar, duke kaluar për herë të parë nivelin e trilionit në nëntor.
“Rritja globale e tregtisë duket e pamjaftueshme dhe ambienti i jashtëm për zhvillimin e tregtisë së jashtme të Kinës mbetet i ndërlikuar dhe serioz”, ka deklaruar Wang Jun, zv.ministër në administratën doganore kineze, gjatë një konference shtypi të mërkurën.
Megjithatë, Wang shtoi se me partnerë tregtarë më të diversifikuar, aftësia e Kinës për të përballuar rreziqet është rritur ndjeshëm dhe se “parimet themelore për tregtinë e jashtme të Kinës mbeten të forta”.
Eksportet nga ekonomia e dytë më e madhe në botë u rritën me 6.6% në dhjetor krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, krahasuar me një rritje prej 5.9% në nëntor. Analistët e anketuar nga Reuters kishin parashikuar vetëm një rritje prej 3%.
Importet u rritën me 5.7%, pas një rritjeje prej 1.9% muajin e mëparshëm, duke tejkaluar gjithashtu pritshmëritë për 0.9%.
Yuani kinez qëndroi i qëndrueshëm pas publikimit të të dhënave, ndërsa investitorët në bursë mirëpritën shifrat më të mira se pritshmëria. Indeksi kryesor Shanghai Composite dhe indeksi i aksioneve të mëdha CSI300 u rritën mbi 1% gjatë mëngjesit.
Suficitet mujore të eksportit mbi 100 miliardë dollarë janë regjistruar shtatë herë gjatë vitit të kaluar, krahasuar me vetëm një herë në 2024, duke treguar se masat e Trump-it nuk kanë dëmtuar dukshëm tregtinë kineze me botën, edhe nëse kanë ngadalësuar eksportet drejt SHBA-së.
Ekonomistët presin që Kina të vazhdojë të fitojë pjesë tregu globale këtë vit, falë kompanive kineze që po krijojnë qendra prodhimi jashtë vendit për të përfituar nga tarifat më të ulëta ndaj SHBA-së dhe BE-së, si dhe nga kërkesa e fortë për çipe dhe elektronikë me cilësi më të ulët.
Industria e makinave kineze shënoi një rritje të eksportit prej 19.4%, me 5.79 milionë automjete të dërguara vitin e kaluar, ndërsa eksportet e EV-ve (makinat elektrike) u rritën 48.8%. Kina pritet të mbetet eksportuesi më i madh i makinave në botë për vitin e tretë radhazi, pas arritjes së këtij rekordi për herë të parë në 2023 duke kaluar Japoninë.
Megjithatë, Pekini ka treguar shenja që duhet të moderonte eksportet industriale për të ruajtur suksesin, duke qenë gjithnjë më i vetëdijshëm për pabarazitë në ekonomi dhe për imazhin negativ që po krijojnë volumin e lartë i eksportit.
Pas raportimit të suficitit prej trilion dollarësh në nëntor, kryeministri kinez Li Qiang u shpreh javën e kaluar në televizionin kombëtar për “zgjerimin proaktiv të importeve dhe promovimin e zhvillimit të balancuar të importeve dhe eksporteve”.
Kina gjithashtu hoqi subvencionet e tipit taksë për eksportet në industrinë e saj të energjisë diellore, një pikë e gjatë e tensioneve me vendet e BE-së.
Në dhjetor, ligjvënësit miratuan ndryshime në ligjin e tregtisë së jashtme pas dy leximeve, në vend të tre të zakonshme, si një sinjal për anëtarët e një marrëveshjeje të madhe trans-Paqësore se Kina është gati të zhvendoset nga subvencionet industriale drejt një tregtie më të lirë dhe më të hapur.
Edhe pse ekziston një armëpushim tarifor njëvjeçar që Trump dhe presidenti kinez Xi Jinping nënshkruan në fund të tetorit, tarifat amerikane prej 47.5% mbi mallrat kineze janë ende shumë mbi nivelin prej rreth 35%, që analistët thonë se mundëson fitim për kompanitë kineze që eksportojnë në SHBA.