Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 12 January 2026Main stream

21:59 Rritet numri i viktimave nga protestat në Iran, 648 të vdekur! Mbi 10 mijë protestues janë arrestuar

By: Monika
12 January 2026 at 21:59

Të paktën 648 protestues janë vrarë në Iran gjatë demonstratave antiqeveritare, sipas Iran Human Rights, një grup për të drejtat e njeriut me seli në Norvegji, ndërsa pothuajse 10,700 persona janë arrestuar.

Grupi paralajmëron se numri i viktimave mund të jetë shumë më i lartë, por ndërprerjet e komunikimeve në të gjithë vendin po e bëjnë të vështirë verifikimin e informacionit.

Grupi për të drejtat e njeriut ka bërë thirrje për mbështetje ndërkombëtare për të ndihmuar në dokumentimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe ka kërkuar presion ndaj autoriteteve iraniane për të ndaluar përdorimin e forcës ndaj protestuesve paqësorë. Protestat filluan më shumë se dy javë më parë për shkak të përkeqësimit të situatës ekonomike.

Më herët, Presidenti i SHBA Donald Trump ka kërcënuar me ndërhyrje në Iran nëse vriteshin protestues. Pas komenteve të Trump, udhqëheqësi suprem i Iranit akuzoi SHBA për mashtrim dhe mbështetje të “mercenarëve tradhtarë”./mxh

21:47 “Ngelën vetëm njerëzit e shtëpisë dhe hyzmeqarët”/ Balla ironizon foltoren e opozitës

By: Monika
12 January 2026 at 21:47

Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka ironizuar përmes një reagimi në rrjetet sociale, foltoren e opozitës para Kryeministrisë.

Balla ka postuar një video të gjeneruar me Inteligjencë Artificiale, ndërsa shkruan se nga “krushqit” mbetën vetëm “njerëzit e shtëpise dhe hyzmeqarët”.

Postimi i plotë:

Eh si vajti kjo punë!? Po qeshnim me atë historinë e krushqve në dasëm në fillim. Pastaj krushqit erdhën për fejesë. Pastaj ngelën vetëm njerëzit e shtëpisë dhe hyzmeqarët. Sot e “thanë” vetë. Qenkan mbledh për ditëlindje./mxh

21:37 Situata në kampionat, Partizani me dy fytyra

By: Monika
12 January 2026 at 21:37

Sezoni aktual ka nxjerrë në pah dy pamje të fytyra të Partizanit në kampionatin shqiptar.

Kryeqytetasit e mbyllën fazën e parë me vetëm 8 pikë në 9 ndeshje, me një mesatare alarmante prej 0.89 pikësh për takim. Kjo situatë çoi në shkarkimin e trajnerit Mlladen Milenkoviç dhe emërimin e Oltijon Kërnajës.

Tekniku 37-vjeçar, i ardhur nga Partizani B, arriti të ndryshojë ecurinë e skuadrës. Në fazën e dytë, të kuqtë grumbulluan 15 pikë në 9 ndeshje.

Mesatarja u rrit në 1.67 pikë për takim, duke reflektuar përmirësim të dukshëm në lojë dhe rezultate. Aktualisht Partizani është 7 pikë larg zonës “Final Four”. Vazhdueshmëria mbetet elementi kyç për objektivat e sezonit./mxh

21:26 Rama në Abu Dhabi/ Merr pjesë në forumin “Java e Zhvillimit të Qëndrueshëm”

By: Monika
12 January 2026 at 21:26

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Abu Dhabi ku do të marrë pjesë në Javën e Zhvillimit të Qëndrueshëm. Rama ka ndarë në rrjetet e tij sociale, pamje nga mbërritja e tij në Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Abu Dhabi – Si gjithnjë të mikpritur vëllazërisht në Emiratet e Bashkuara Arabe, këtë herë me ftesë të Presidentit Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan, për të diskutuar projektet e përbashkëta në Javën e Zhvillimit të Qëndrueshëm”, shkruan Rama krahas videos së postuar.

Forumi ndërkombëtar i Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm sjell së bashku kryetarë shtetesh dhe qeverish, liderë të biznesit dhe shoqërisë civile, për të diskutuar sfidat dhe perspektivat e zhvillimit të qëndrueshëm në nivel global./mxh

21:15 Shkrumbohet në lëvizje një automjet në autostradën Milot-Mamurras

By: Monika
12 January 2026 at 21:15

Një automjet është përfshirë nga flakët pasditen e sotme teksa ishte në lëvizje. Ngjarja është shënuar në autostradën Milot-Mamurras.

Makina është djegur totalisht ndërsa nuk raportohet për persona të lënduar.

Deri më tani dyshohet se shkak i zjarrit ka qenë një defekt në sistemin motorik të automjetit./mxh

21:09 ZYRTARE/ Vendim drastik! Real Madrid shkarkon trajnerin Alonso

By: Monika
12 January 2026 at 21:09

Xabi Alonso nuk është më trajner i Real Madrid. Klubi ka vendosur të ndërpresë bashkëpunimin me teknikun bask pas humbjes në finalen e Superkupës së Spanjës ndaj Barcelonës.

Vendimi është zyrtarizuar përmes një komunikate, ku bëhet e ditur se kontrata është mbyllur me mirëkuptim të dyanshëm. Rezultati 3-2 në favor të katalanasve ka ndikuar drejtpërdrejt në këtë vendim.

Largimi i Alonsos vjen pas një periudhe ku spekulimet për të ardhmen e tij kishin qenë të pranishme. Klubi ka falënderuar trajnerin për kontributin e dhënë gjatë mandatit të tij.

Nuk janë dhënë detaje mbi pasardhësin në stol. Aktualisht, drejtuesit e Real Madrid janë në proces përzgjedhjeje të trajnerit të ri./mxh

20:59 Në Peshkopi termometri regjistroi -11gradë celcius/ Sinoptikanët: Në mes të javës nis rritja e temperaturave

By: Monika
12 January 2026 at 20:59

Kjo e hënë shënoi ditën më të ftohtë të vitit deri më tani. Sipas sinoptikanëve vendet më problematike janë verilindja dhe juglindja e vendit, aty ku edhe temperaturat regjistruan deri në -11 gradë në qytetin e Peshkopisë, ndërsa në Korçë termometri shkoi deri në -9. Pas motit të acartë, temperaturat do të pësojnë rritje, duke nisur nga e marta.

“Dita e sotme mund të themi që ka qenë dita më e ftohtë e periudhës së dimrit deri më tani ku termometri shënoi në qytetin e Peshkopisë deri më -11 gradë celcius, ndërsa në kryeqytet temperaturat arritën në -2 gradë. Duke nisur nga dita e nesërme kemi një tërheqje graduale të temperaturave, ndërsa nesër temperaturat do të arrijnë deri në -6 gradë celsus në zonat malore”, tha sinoptikania Besa Shellorari.

Sipas sinoptikanes Besa Shellorari, edhe më vlerat maksimale ne presim rritje të temperaturave në mes javë. Moti do të jetë i qëndrueshëm, kryesisht me diell, por, nuk do të mungojnë as vranësirat. Nuk priten reshje shiu.

“Të enjten dhe të premten temperaturat do të shkojnë deri në 17-18 gradë celsius kryesisht në zonat e ulëta dhe në bregdet. Ndërsa ato malore në -1 apo -2 ditën e premte. Përsa i përket motit gjithë këto ditë do të jetë më masa ajrore të qëndrueshme, të cilat do të sjellin kthjellime dhe vranësira të pakta kalimtare, por pa prezencën e reshjeve të shiut”, tha ajo.

Këtë të hënë në disa akse rrugore malore në vend u regjistrua edhe prezencë e ngricave, për të cilat sinoptikanët thanë që gradualisht edhe këto do vijnë në pakësim, pasi temperaturat do të vijnë në rritje./mxh

20:45 Akuzohet për abuzim me pushtetin, ish-ministri polak i Drejtësisë merr azil politik në Hungari

By: Monika
12 January 2026 at 20:45

Një ish-ministër i lartë polak, i cili po hetohet për abuzim të dyshuar me pushtetin gjatë kohës kur ishte pjesë e qeverisë konservatore-nacionaliste të partisë Ligj dhe Drejtësi (PiS), ka marrë azil politik në Hungari.

Zbigniew Ziobro, ish-ministër i Drejtësisë dhe një nga figurat më të fuqishme të qeverisë së PiS, luajti një rol kyç në reformat e debatueshme të sistemit gjyqësor. Kritikat ndaj këtyre reformave kanë qenë të ashpra, me akuza se ato minuan sundimin e ligjit dhe pavarësinë e gjykatave, duke shkaktuar përplasje të gjata mes Polonisë dhe Bashkimit Evropian.

Pas humbjes së pushtetit të PiS në vitin 2023, Polonia drejtohet nga një qeveri koalicioni pro-evropiane e udhëhequr nga Donald Tusk, e cila ka premtuar hetimin e korrupsionit dhe keqpërdorimeve të dyshuara gjatë tetë viteve të qeverisjes së mëparshme.

Ziobro po përballet me 26 akuza penale. Prokurorët pretendojnë se ai drejtoi një grup kriminal dhe keqpërdori burimet e një fondi të krijuar për të ndihmuar viktimat e krimit. Sipas mediave polake, fondet dyshohet se janë përdorur për patronazh politik dhe për blerjen e sistemit të përgjimit Pegasus, i cili thuhet se është përdorur kundër kundërshtarëve politikë.

Ish-ministri i mohon të gjitha akuzat. Në një reagim në rrjetet sociale, ai deklaroi se po lufton kundër “banditizmit politik” dhe se është viktimë e një “hakmarrjeje personale” nga kryeministri Tusk. Ziobro tha se do të qëndrojë jashtë Polonisë derisa, sipas tij, të rivendosen “garancitë reale të sundimit të ligjit”, duke falënderuar kryeministrin hungarez Viktor Orbán për dhënien e azilit.

Avokati i tij, Bartosz Lewandowski, deklaroi në Varshavë se klienti i tij nuk do të kishte një gjykim të drejtë në Poloni. Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Hungarisë, Péter Szijjártó, konfirmoi se Budapesti u ka dhënë azil “disa” personave që përballen me atë që ai e cilësoi si persekutim politik në Poloni.

Parlamenti polak i hoqi imunitetin parlamentar Ziobros në nëntor, ndërsa prokurorët kanë kërkuar arrestimin e tij të përkohshëm. Pasaportat e tij u shpallën të pavlefshme në dhjetor, në përpjekje për të parandaluar largimin nga vendi./mxh

20:37 Numri i fanellave të shitura, Yamal kalon edhe Messin. Ronaldo shumë larg

By: Monika
12 January 2026 at 20:37

Fanella e Lamine Yamal ka qenë më e kërkuara nga tifozët gjatë vitit 2025. Plot 1 milion e 315 mijë bluza me emrin e tij janë shitur, duke e vendosur 18-vjeçarin në krye të renditjes.

Në vendin e dytë renditet Lionel Messi, tashmë me fanellën e Inter Miamit, me 1 milion e 278 mijë bluza të shitura. Treshja e parë plotësohet nga Robert Leëandoëski me 1 milion e 110 mijë fanella.

Më shumë se 1 milion fanella ka shitur edhe Kylian Mbappe. Cristiano Ronaldo renditet i shtati me 925 mijë bluza të Al Nassr.

Ai qëndron pas Giorgian De Arrascaeta, i cili ka shitur rreth 50 mijë fanella më shumë. Në dhjetëshen e parë përfshihen edhe Vinicius Junior, Bruno Fernandes, Harry Kane dhe Rodrygo./mxh

BE-ja në krah të popullit iranian për liri dhe dinjitet

By: Monika
12 January 2026 at 20:26

Last Updated on 12/01/2026 by Monika

Nga Monada Mehmetaj

Bashkimi Evropian ka riafirmuar qëndrimin e tij të palëkundur në lidhje me situatën politike dhe shoqërore në Iran, duke shprehur solidaritet të plotë me popullin iranian dhe aspiratat e tij legjitime për një jetë të lirë, dinjitoze dhe me më shumë të drejta. Në deklaratat zyrtare të përfaqësuesve të lartë të BE-së, theksohet se respektimi i të drejtave të njeriut dhe lirive themelore përbën një parim thelbësor të politikës së jashtme evropiane.

BE-ja ka shprehur shqetësim të thellë për raportimet e vazhdueshme mbi viktimat gjatë protestave dhe për përdorimin e tepruar të forcës nga autoritetet iraniane. Sipas Bashkimit Evropian, dhuna ndaj demonstruesve paqësorë, ndalimet arbitrare dhe praktikat e frikësimit nga forcat e sigurisë përbëjnë shkelje serioze të standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Në këtë kontekst, BE-ja ka dënuar ashpër çdo formë represioni dhe ka bërë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të këtyre praktikave.

Një element qendror i qëndrimit të BE-së është kërkesa për lirimin e menjëhershëm të të gjithë personave të ndaluar padrejtësisht për shkak të ushtrimit paqësor të të drejtave të tyre themelore. Bashkimi Evropian nënvizon se liria e shprehjes, e shoqërimit dhe e tubimit paqësor janë të drejta universale, të garantuara nga konventat ndërkombëtare, të cilat Irani është i detyruar t’i respektojë si shtet nënshkrues.

Po ashtu, BE-ja ka theksuar rëndësinë e aksesit të lirë dhe të pakufizuar në informacion. Kufizimet e vendosura ndaj internetit dhe rrjeteve të komunikimit shihen nga Bashkimi Evropian si një përpjekje për të heshtur zërin e qytetarëve dhe për të kufizuar transparencën. Për këtë arsye, autoritetet iraniane nxiten të rivendosin plotësisht aksesin në internet dhe të garantojnë lirinë e medias dhe të informimit.

Në një plan më të gjerë diplomatik, BE-ja ka theksuar se dialogu mbetet rruga më e mirë për të adresuar tensionet dhe për të shmangur përshkallëzimin e situatës. Megjithatë, ky dialog duhet të bazohet në respektimin e ligjit ndërkombëtar dhe të drejtave themelore të njeriut. Bashkimi Evropian ka lënë të hapur mundësinë e përdorimit të instrumenteve politike dhe diplomatike në rast se shkeljet vazhdojnë, duke përfshirë edhe masa kufizuese ndaj individëve përgjegjës për dhunën.

Në përfundim, qëndrimi i Bashkimit Evropian ndaj Iranit pasqyron angazhimin e tij të vazhdueshëm për promovimin e vlerave demokratike, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit. Duke mbështetur popullin iranian dhe duke dënuar shkeljet nga autoritetet, BE-ja synon të kontribuojë në një zgjidhje paqësore dhe afatgjatë, që garanton stabilitet, siguri dhe respekt për dinjitetin njerëzor në Iran dhe më gjerë në rajon.

19:58 Askush si Pep Guardiola, fituesi që theu barrierën e 2 miliard eurove në merkato

By: Monika
12 January 2026 at 19:58

Nuk ka të ndalur Pep Guardiola! Jo më kot, ai ka kaluar 2 miliardë euro shpenzime për afrime futbollistësh që kur erdhi në vitin 2016 te Mançester Siti.

Transferimi i sulmuesit Antuan Semenjo nga Burnemuth për 72 milionë e ka kaluar këtë kufi. Një shumë rekord, që po të shtosh edhe ato te Barcelona dhe Bajern Mynih, shkon thuasje 2,6 miliardë euro.

Natyrisht, afrimi rekord për Guardiola mbetet Grilish, i cili kushtoi thuajse 118 milionë euro në vitin 2021. Pep Guardiola lë pas Hoze Murinjo, i cili në karrierën e gjatë të tij ka shpenzuar më pak se 2 miliardë në merkato. Pesëshen e parë e plotësojnë Karlo Ançeloti, Max Alegri dhe Diego Simeone, që kalojë shifrën 1 miliardë e gjysmë euro.

Ndërkaq, blerja më e fundit e “Citizens”, Semenjo debutoi me gol në fitoren 10-1 ndaj Ekseter në “FA CUP”. Ishte një gol i bukur në minutën e 54-t. Kujtojmë që Semenjo, vetëm në mesjavë, bëri edhe një asist te goli i pestë i shënuar nga Ljuis. Transferimi i tij i kushtoi plot 72 milionë euro nga Bornmuth./mxh

19:47 Presidentja e Meksikës: Patëm një bisedë të mirë telefonike me Trump për sigurinë dhe trafikun e drogës

By: Monika
12 January 2026 at 19:47

Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, deklaroi sot se ka zhvilluar një “bisedë të mirë” me presidentin amerikan Donald Trump, ku në fokus kanë qenë çështjet e sigurisë dhe lufta kundër trafikut të drogës.

Në një postim në platformën X, Sheinbaum bëri të ditur se dy liderët diskutuan për bashkëpunimin në fushën e sigurisë, duke theksuar respektimin e sovranitetit të Meksikës, si dhe për përpjekjet e përbashkëta kundër trafikimit të narkotikëve. Po ashtu, në bisedë u trajtuan edhe temat e tregtisë dhe investimeve mes dy vendeve.

Një ditë më parë, ministri i Jashtëm i SHBA-së, Marco Rubio, zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e tij meksikan, Juan Ramón de la Fuente, ku theksoi nevojën për bashkëpunim më të fortë për shkatërrimin e rrjeteve të dhunshme të narkotrafikut dhe për frenimin e trafikut të paligjshëm të fentanilit dhe armëve. Lajmi u konfirmua nga zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Tommy Pigott.

Këto zhvillime vijnë në një klimë tensionesh, pasi pak ditë më parë, në një intervistë për Fox News, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se kartelët e drogës “qeverisin Meksikën” dhe paralajmëroi se forcat e armatosura amerikane mund të godasin objektiva tokësore në kuadër të fushatës kundër trafikut të drogës. Kjo ishte një nga deklaratat më të forta në një seri kërcënimesh për ndërhyrje ushtarake amerikane brenda territorit meksikan.

Në reagimin e saj, presidentja Sheinbaum theksoi se “bashkëpunimi dhe partneriteti në një kuadër respekti të ndërsjellë japin gjithmonë rezultate”./mxh

19:35 Senatori demokrat: Aneksimi i Groenlandës nga Trump do të ishte fundi i NATO-s

By: Monika
12 January 2026 at 19:35

Kërcënimi i presidentit amerikan Donald Trump për të aneksuar Groenlandën përfaqëson një krizë ekzistenciale për NATO-n, paralajmëroi senatori demokrat i SHBA-së, Chris Murphy.

“Do të ishte fundi i NATO-s, apo jo? NATO do të kishte një detyrim për të mbrojtur Groenlandën”, tha senatori i Connecticut, i cili është gjithashtu anëtar i komitetit të marrëdhënieve me jashtë të dhomës.

Murphy shtoi se kjo do të thoshte qartësisht se SHBA do të ishte në luftë me Evropën, me Anglinë dhe Francën. Komentet e Murphy vijnë ndërsa Trump ka rritur paralajmërimet për territorin e Arktikut, ku ka deklaruar se në një mënyrë ose në një tjetër, SHBA do ta ketë Groenlandën.

Groenlanda është një ish-koloni e Danimarkës dhe mbetet një pjesë autonome e mbretërisë daneze, me politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë nën kontrollin e Kopenhagenit.

Të dielën, Frederiksen akuzoi SHBA-në se i ka kthyer shpinën NATO-s dhe tha se takimi i së mërkurës në Uashington DC midis ministrave të jashtëm të Danimarkës dhe Groenlandës, Lars Løkke Rasmussen dhe Vivian Motzfeldt, dhe sekretarit të shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, do të ishte vendimtar.

“Jemi në një udhëkryq dhe ky është një moment kritik”, tha Frederiksen në një tubim politik.

Komentet pesimiste të Murphy dhe Frederiksen u mbështetën të hënën nga Andrius Kubilius, komisioneri i mbrojtjes i Bashkimit Evropian, i cili vuri në dukje se një traktat i BE-së “i detyronte” shtetet anëtare të vinin në ndihmë të Danimarkës nëse përballeshin me veprime ushtarake nga Trump./mxh

19:29 E quajti “pervers”/ Bashkëshortja e Mirit, gati t’i kundërpërgjigjej babait të Selin?!

By: Monika
12 January 2026 at 19:29

Landi Hysa, miku i ngushtë i Mirit, ka folur së fundmi për rrugëtimin e këngëtarit në shtëpinë e “Big Brother VIP”, duke ndarë jo vetëm përjetimet e tij brenda lojës, por edhe reagimet e familjes jashtë saj. Në një intervistë për emisionin “Breaking” në Top News, Hysa u ndal te presioni emocional që ka shoqëruar këtë eksperiencë.

Ai komentoi deklaratat e bëra nga babai i Selin, të cilat, sipas tij, kanë shkaktuar shqetësim te bashkëshortja e Mirit. Hysa theksoi se reagimi i saj ishte i kuptueshëm, por shtoi se një kundërpërgjigje publike do të sillte vetëm tension dhe përshkallëzim të situatës.

“Ka pasur një reagim që ka sjellë shqetësim, por një kundër-reagim nuk do t’i bënte mirë askujt. ‘Big Brother VIP’ është si rakia: kush nuk e mban dot, nuk duhet t’i futet. Është i fortë, por ne po e përballojmë, njësoj si familja e Mirit,” u shpreh Hysa.

Ai bëri me dije se reagimi i parë ka ardhur nga bashkëshortja e Mirit, të cilën e ka këshilluar të tregojë përmbajtje. Sipas tij, situata u qetësua brenda 24 orëve dhe çdo reagim i mëtejshëm do ta kishte zmadhuar konfliktin.

“Nuk e kam ndaluar, vetëm e kam këshilluar. Nëse do të kishte pasur një tjetër kundër-reagim, gjithçka do të përshkallëzohej,” shtoi ai.

Në fund, Hysa theksoi se familja e Mirit po përpiqet ta përballojë gjithë situatën me maturi dhe qetësi, duke shmangur përplasjet publike, ndërsa Mirin e përshkroi si të përgatitur për presionin dhe sfidat që sjell një format si “Big Brother VIP”./mxh

19:19 “Mos nuk duhet ta thoja këtë…”, Megi Pojani zbulon detaje nga dasma e saj!

By: Monika
12 January 2026 at 19:19

Më 1 janar u transmetua episodi i parë i vitit i emisionit E Diellë, një speciale festive që solli për publikun muzikë, nostalgji dhe surpriza të papritura. Momenti që rrëmbeu menjëherë vëmendjen dhe u kthye në surprizën e ditës ishte deklarata e këngëtarit Sinan Hoxha, ku zbuloi një detaj që shkaktoi reagime të forta në studio.

Me humor, por edhe me një dozë serioziteti, ai bëri publike një “lajm” që solli të qeshura dhe habi te të pranishmit:

“Lajmi i vitit! Unë nuk bëj humor, ti e di që nuk bëj shaka. Megi Pojani sapo më ka rezervuar për vitin 2026. Më 12 gusht martohet.”

Megi Pojani ka qenë e ftuar së fundmi në “Shqipëria Live” me Sidorela Gjonin, ku ka folur lidhur me këtë temë dhe jo vetëm. Megi nuk e pranoi se çështja e dasmës ishte 100 % e vërtetë por as nuk deklaroi se nuk do të martohej, duke e lënë ende enigmatike. Mes të tjerash, Megi foli edhe për shtatzaninë e motrës së saj, Inës, ku padashje tregoi se prisnin binjakë, por do të vijë në jetë vetëm një vajzë.

Megi: Njerëzit duan të dinë nëse do të martohem më 12 gusht?

Sidorela: Po

Megi: Si mendon?

Sidorela: Sinani thotë që po

Megi: Unë Sinan Hoxhën e takova për herë të parë atë ditë, nuk e kisha takuar në jetën time kurrë, a mendon se do ja kisha dhënë atë ekskluzivitet Sinan Hoxhës?

Sidorela: Artiola Toskës do ia kishe dhënë për shembull me shpirt, unë që të njoh

Megi: Dhe a mendon që do martohesha me 12 gusht? Kurrë, unë në gusht nuk dal jashtë

Sidorela: Po mund të martohesh me 12 qershor

Megi: Po ne po ecim me lajmin 12 gusht, jo as në qershor, prill dhe maj më duket një kohë e mirë

Sidorela: A do martohesh këtë verë?

Megi: Jo, dua ta kem situatën shumë nën kontroll, më duhet kohë për të bërë përgatitjet, asgjë e minutës së fundit nëse bëhet fjalë për diçka kaq të rëndësishme sa është dasma.

Sidorela: Nuse jo, por për të qenë teze është totalisht gati

Megi: Po, dy, iiii, teze po, motra ime do bëjë një vajzë

Sidorela: Do bëjë një apo dy

Megi: Jo nuk janë binjakë, motra ime do bëjë vajzë

Sidorela: Sa probleme i hape vetes

Megi: Shumë probleme i hapa vetes dhe nuk dua të flas më. Ina do bëhet me fëmijë dhe do ketë një vajzë. Jam shumë e lumtur dhe me zor po pres. Kam blerë vaskën e bebit, në shtëpinë time kam bërë gjërat gati.

Sidorela: Dy?

Megi: Një vajzë, mendonim në fillim se do ishin binjakë po nuk janë, kjo ishte arsyeja e ngatërresës./mxh

19:07 Ina dhe Selin, plas debati me tone të ashpra: Shko puth shokun!

By: Monika
12 January 2026 at 19:07

Një debat u ndez sot mes dy banoreve të “Big Brother Vip 5”, Ina dhe Selin. Kjo e fundit u shpreh se njihet si balerinë dhe njerëzit paguajnë biletat për ta parë atë në teatër, e jo si vajza që ndan çifte. Ina iu përgjigj ashper, duke i thënë Selin që të shkojë të marrë babin, duke nënkuptuar Mirin, i cili në ‘Primen’ e dytë u shpreh se Selin e sheh si vajzën e tij.

Ndërsa Selin, iu përgjigj të shkojë të puthë shokun, pra Keijsin, pasi në ‘Primen’ e së shtunës Vëllai i Madh i dha mundësinë Stelinës që të shikonte një video të Keijsit, i cili ishte duke u puthur me Inën në një lokal.

Diskutimi mes tyre:

Selin: Ti shkon e paguan lekë në teatër për të më parë mua.

Selin: Duhet të paguash lekë për të më parë mua në teatër.

Ina: Bëhu një personazh të shoh sa e zonja je. Ke ardhur këtu për të bërë balerinën, këto janë vlerat e tua.

Selin: Ky është morali yt që me t’i hedh lekët kështu, blen biletë e me shikon mua.

Ina: A kishe ardhur këtu për të na treguar balerinën, ky është morali yt?

Selin: Mua lekët nuk m’i hedh njeri, blen biletë për të më parë mua. Unë nuk njihem si një vajzë që ndan çiftet, por njihem si një vajzë e cila ka punuar, është shkolluar.

Ina: Ne të tjerat çfarë kemi bërë, ti nuk e di se çfarë bëj unë atje jashtë.

Selin: Nuk më intereson zero, mjafton vetëm prezantimi jot.

Ina: Merre babin, merre babin.

Selin: Shko puth shokun tani./mxh

18:59 Klubi i Superiores nuk ndalet, prezantohet Rooney

By: Monika
12 January 2026 at 18:59

Klubi i Teutës e ka nisur vrullshëm merkaton. Pas rikthimit të Klejdi Dacit, klubi bregdetar ka njoftuar një tjetër firmë.

Bëhet fjalë për sukmuesin nga Kameruni, Rooney Eva. Ky i fundit ka firmosur me bregdetarët, ndërsa vjen nga iranianët e Mes Rafsanjan.

Postimi:

Teuta ka kënaqësinë të njoftojë afrimin e sulmuesit kamerunas Rooney Eva, i cili do të jetë pjesë e skuadrës sonë.

Klubi ka firmosur sot marrëveshjen me lojtarin, i cili do të forcojë repartin ofensiv dhe pritet të jetë një element i rëndësishëm në objektivat tona për pjesën e dytë të sezonit.

Eva vjen nga Mes Rafsanjan, ndërsa më parë ka luajtur edhe për MZ Hakka dhe CSKA 1948. Ai gjithashtu ka përfaqësuar Kamerunit në grupmoshat U21.

Me përvojën dhe kualitetin e tij, jemi të bindur se Rooney do të japë një kontribut të çmuar në fushën e lojës.

I urojmë mirëseardhje në Durrës dhe shumë suksese me fanellën blu të Teutës!/mxh

18:49 “SHBA mbështet sundimin e ligjit”, VanHorn takon kryetaren e Gjykatës Kushtetuese

By: Monika
12 January 2026 at 18:49

E Ngarkuara me Punë e Ambasadës së SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn takoi sot kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Fiona Papajorgji.

Në njoftimin e ambasadës në rrjetet sociale theksohet se VanHorn përgëzoi Kryetaren e sapoemëruar të Gjykatës Kushtetuese Fiona Papajorgji dhe diskutoi se si mbështetja e gjatë e SHBA-së për institucionet e sundimit të ligjit në Shqipëri përparon prioritetet e Presidentit Trump: çmontimin e rrjeteve të narkotrafikut dhe krijimin e kushteve të barabarta për bizneset amerikane.

“Gjykata Kushtetuese luan një rol të rëndësishëm në sigurimin e drejtësisë për qytetarët e Shqipërisë, duke i mbajtur përgjegjës ata që shkelin ligjet e saj dhe duke ruajtur një sistem ligjor të drejtë dhe të parashikueshëm, në mënyrë që bizneset amerikane të mund të lulëzojnë”, ka theksuar VanHorn.

Takimi i VanHorn me kryetaren e Kushtetueses, Fiona Papajorgji vjen 10 ditë para se kjo Gjykatë të shprehet në themel lidhur me kërkesën e kryeministrit Edi Rama, për vendimin e GJKKO-së që pezulloi nga detyra zv/kryeministren Belinda Balluku.

Postimi
Sot, e Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn përgëzoi Kryetaren e sapoemëruar të Gjykatës Kushtetuese Fiona Papajorgji dhe diskutoi se si mbështetja e gjatë e SHBA-së për institucionet e sundimit të ligjit në Shqipëri përparon prioritetet e Presidentit Trump: çmontimin e rrjeteve të narkotrafikut dhe krijimin e kushteve të barabarta për bizneset amerikane. Gjykata Kushtetuese luan një rol të rëndësishëm në sigurimin e drejtësisë për qytetarët e Shqipërisë, duke i mbajtur përgjegjës ata që shkelin ligjet e saj dhe duke ruajtur një sistem ligjor të drejtë dhe të parashikueshëm, në mënyrë që bizneset amerikane të mund të lulëzojnë./mxh

18:38 Bllokimi 6-javor nga Kuvendi për imunitetin e Ballukut, Bardhi: I dha mundësi të prishë provat

By: Monika
12 January 2026 at 18:38

Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi dënon shkeljen e rregullores nga Kuvendi që sipas tij, zbaton urdhrin politik të Edi Ramës për të zvarritur çështjen dhe për të penguar drejtësinë, në rastin e Belinda Ballukut.

Pas vendimit të Kuvendit për zhvillimin e mbledhjes së Këshillit të Mandateve më 28 janar, ku do të shqyrtohet kërkesa e SPAK, për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku, Bardhi në një mesazh në Facebook shkruan se, janë plot 6 javë vonesë që nga kërkesa e SPAK në Kuvend.

Sipas tij, kjo kohë i dha mundësi Ballukut të cenojë provat si dhe të intimidojë dëshmitarët e SPAK.

Pas kallëzimit penal për shpërdorim detyre nga Grupi Parlamentar i PD, sot pasdite Niko Peleshi ka njoftuar se do të mbledhë Këshillin e Mandateve në datën 28 Janar 2026, pra fiks 6 javë pasi SPAK ka paraqitur kërkesën.

Ky bllokim 6-javor është i paprecedent dhe një akt i lartë papërgjegjshmërie nga ana e mazhorancës socialiste, që ka vendosur të jetë bunkeri i të korruptuarve të qeverisë së Edi Ramës.

Pengimi i drejtësisë dhe bllokimi nga Kuvendi i shqyrtimit të kërkesës së SPAK për 6 javë, ka cënuar hetimet dhe i ka dhënë mundësi të pandehurës Balluku që të tentojë prishjen e provave/intimidimin e dëshmitarëve.

Edi Rama nuk fshihet më në vullnetin e tij për të mbrojtur korrupsionin qeveritar. Akte si këto, të diktuara nga tmerri se drejtësia po i afrohet më në fund atij vetë, tregojnë se sa të shpejtë dhe të dhimbshëm do ta ketë fundin e tij.

Në emër të Grupit Parlamentar të PD dënoj me forcë shkeljen e Rregullores nga Niko Peleshi dhe zbatimin prej tij të urdhërit politik të Edi Ramës për të zvarritur çështjen dhe për të penguar drejtësinë./mxh

18:27 “Personat kishin lidhje me aktivitete kriminale”/ DASH revokon më shumë se 100 mijë viza

By: Monika
12 January 2026 at 18:27

Departamenti Amerikan i Shtetit ka revokuar më shumë se 100,000 viza të huaja. Shifra është një rekord i të gjitha kohërave dhe vjen pas urdhrit ekzekutiv të ditës së parë të Presidentit Donald Trump mbi verifikimin e shtetasve të huaj.

Sipas njoftimit të DASH, shumica e revokimeve ishin për udhëtarë biznesi dhe turistë që kishin tejkaluar afatin e vizave të tyre. Rreth 8,000 studentë dhe 2,500 punëtorë të specializuar humbën gjithashtu statusin e tyre ligjor. Sipas DASH, shumica e studentëve dhe punëtorëve që humbën vizat e tyre kishin pasur lidhje me aktivitetet kriminale.

Midis punonjësve të specializuar, 50% e revokimeve bazoheshin në arrestime për drejtim mjeti në gjendje të dehur, 30% për akuza për sulm, dhunë fizike ose mbajtje në burg, dhe 20% e vizave u revokuan për akuza për vjedhje, abuzim me fëmijë, abuzim, shpërndarje substancash, si dhe për mashtrim dhe përvetësim.

Sipas një zëdhënësi të DASH, gati 500 studentë humbën vizat për posedim dhe shpërndarje droge dhe qindra punëtorë të huaj humbën vizat sepse besohej se abuzonin me fëmijë. Zëvendëszëdhënësi kryesor i Departamentit të Shtetit, Tommy Piggott, shtoi se administrata do të vazhdojë qëndrimin e saj agresiv të zbatimit të ligjit përmes qendrës së saj të re të verifikimit të vazhdueshëm.

“Administrata Trump do të vazhdojë ta vërë Amerikën në plan të parë dhe ta mbrojë kombin tonë nga shtetasit e huaj që paraqesin rrezik për sigurinë publike ose sigurinë kombëtare”, tha ai. Departamenti Amerikan i Shtetit gjithashtu ka zbatuar standarde më të rrepta për marrjen e vizave amerikane./mxh

❌
❌