Maqedoni e Veriut – Reshjet e dendura shkaktojnë përmbytje dhe rrëshqitje toke në disa zona
Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë Maqedoninë e Veriut kanë shkaktuar përmbytje, rrëshqitje toke dhe dëme infrastrukturore në disa rajone të vendit, ndërkohë autoritetet e emergjencës kanë shpallur nivel të verdhë paralajmërimi për përmbytje.
Drejtoria për Çështje Hidrometeorologjike (UHMR), e cila në rrjetet sociale njoftoi një nivel të verdhë paralajmërimi, u bëri thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar dhe ndjekje të udhëzimeve zyrtare, duke paralajmëruar për rrezik potencial nga dalja lokale e lumenjve dhe përrenjve sezonal, si pasojë e reshjeve të dendura që kanë përfshirë vendin.
Qendra për Menaxhim me Kriza (CUK) njoftoi se kreu i qendrës, Muhamed Ali, së bashku me ekipet kujdestare të linjës emergjente dhe sektorit për operacioni po monitorojnë vazhdimisht situatën, si dhe u bëri të thirrje qytetarëve të raportojnë çdo vështirësi apo rrezik.
Sipas të dhënave të mbledhura nga thirrjet dhe ndërhyrjet deri në orën e mbrëmjes, reshjet intensive kanë shkaktuar probleme në disa rajone të vendit.
Të dhënat nga CUK tregojnë se në rajonin e Gostivarit dhe rrethinës, respektivisht në aksin rrugor Gostivar-Strazhë është shënuar rrëshqitje dheu në rrugë, por qarkullimi po zhvillohet normalisht. Gjithashtu në drejtimin Tetovë-Banjë ka rrëshqitje në rrugë, duke vështirësuar qarkullim.
Ndërkaq, në fshatin Balin Dol janë regjistruar përmbytje nga lumi Vardar, ku janë përmbytur rreth 10 parcela bujqësore dhe disa oborre, ndërkohë është shënuar edhe ulje e prodhimit të energjisë në ‘HEC Mavrovë’.
Përmbytje janë raportuar edhe në fshatrat Malo Turçan dhe Banjë e Epërme nga lumenjtë Lakaviçka dhe Sushiçka, me tokë bujqësore të përmbytur dhe mungesë mekanizmi adekuat për ndërhyrje nga ana e komunës.
Në rajonin e Manastirit dhe rrethinës, në fshatin Lera ka përmbytje pranë urës, me rrezik për përhapje drejt zonës së banuar. Në fshatin Porodin gjithashtu është raportuar përmbytje në një fermë pule, ndërsa në disa fshatra të Komunës së Resnjës janë përmbytur oborre dhe toka bujqësore, megjithëse lumenjtë nuk kanë dalë nga shtrati.
Në rajonin e Ohrit janë regjistruar përmbytje në bodrume, garazhe dhe oborre, ku kanë ndërhyrë komuna dhe shërbimet publike. Në Kërçovë, disa objekte banimi janë përmbytur në rrugën Prilepska dhe rreth 60 persona janë evakuuar në palestrën sportive ‘Hristo Uzunov’.
Nga CUK theksuar se të gjitha shërbimet përgjegjëse janë në terren dhe po ndërhyjnë për të menaxhuar pasojat e motit të rëndë.
The post Maqedoni e Veriut – Reshjet e dendura shkaktojnë përmbytje dhe rrëshqitje toke në disa zona appeared first on Albeu.com.